Wednesday, July 22, 2015

Studentet protestojne per projekt-ligjin e arsimit te larte

 

Gjergj Erebara,

BIRN, 22 Korrik 2015, “Parlamenti voton ligjin për Arsimin e Lartë mes protestave”

http://www.reporter.al/parlamenti-voton-ligjin-per-arsimin-e-larte-mes-protestave/

…  grupimi i majtë i quajtur Lëvizja për Universitetin, protestoi kundër ligjit duke kërkuar arsim të lartë falas për të gjithë. Duke iu përgjigjur protestës së tyre, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha: “Nuk mund të na ndalë një grup i vogël që përpiqen të shantazhojnë Kuvendin se nëse kalon ky projektligj sot, atëherë është fundi i arsimit të lartë. Të nderuar profesorë dhe pedagogë, më keq se ç’ka qenë dhe ç’e keni bërë nuk do të bëhet më”.

Kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë kritikat duke i quajtur protestuesit një sajesë e opozitës dhe i quajti profesorët që e kritikojnë atë: “Një kastë që ka marrë peng universitetin shtetëror.”

“Çfarë janë këta super profesorë që tani na kanë bërë një superpeticion dhe kanë bërë një superalarm për të denoncuar një superskandal, dhe kush është skandali?” pyeti veten Rama. “Skandali është ai që në fakt ne e kemi kërkuar me qiri; Të shkatërrojmë këtë kastë që ka marrë peng universitetin shtetëror dhe e ka kthyer në një banalitet prej 20 e kusur vitesh!” tha ai.

“Për mua të ndash universitetin shtetëror, sepse nuk është as publik, si të nënës dhe privatin si të njerkës dhe të bësh këtë zgjedhje politike, është t’i përkasësh një bote që nuk ekziston,” tha Rama, duke argumentuar se profesorët që e kritikojnë ligjin japin leksione në shumë universitete njëherësh dhe kanë tituj shkencorë qesharakë.

Artan Fuga, një nga profesorët kryesorë që kritikon ligjin, iu përgjigj Ramës në faqen e tij në Facebook: “Unë nuk i përkas asnjë partie politike dhe asnjë kaste universitare,” tha Fuga. “Si t’ja bëj që edhe unë mendoj dhe kam bindjen e plotë se projektligji për arsimin e lartë është antikushtetues dhe do e falimentojë atë?”

Partia Demokratike në opozitë, e cila është përgjegjëse për licencimin apo lejimin e punës pa licencë të dhjetëra universiteteve private përgjatë dekadës së fundit, e kritikoi ligjin duke argumentuar se ai i mbyll dyert e universiteteve për fëmijët e të varfërve. Opozita theksoi faktin se shumë profesorë universiteti e kanë kritikuar ligjin pavarësisht se kanë lidhje me qeverinë. Njëri nga deputetët e opozitës, Edi Paloka, tregoi një bisedë të regjistruar ku Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Ligor Nikolla dëgjohet duke shprehur dyshime të thella mbi ligjin.

Duke theksuar faktin që dekani Nikolla është bashkëshorti i ministres së Arsimit, Pakola tha: “Qytetarë të dashur, kur këta njuk kanë arritur t’i mbushin mendjen atyre që kanë në shtëpi, imagjinoni se çfarë u servirin shqiptarëve.”

Ligji u miratua me 78 vota pro.

Lëvizja Për Universitetin njoftoi se do t’i përshkallëzojë protestat e saj në shtator.

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.

http://www.reporter.al/parlamenti-voton-ligjin-per-arsimin-e-larte-mes-protestave/

0 comments:

Post a Comment