Monday, July 20, 2015

Prof. Jan De Groof mbi projekt-ligjin e AL

 

image

Prezantuar në takimet e kryera në 8 dhe 9 maj 2015 në Kuvendin e Shqipërisë me Z. Ilir.Meta, Z.Genc Pollo; Z. Petrit Vasili, dhe me profesorë të Universitetit të Tiranës.

Profesor Jan de Groof, punon në Kolegjin e Evropës, Belgjikë dhe eshte President i Shoqatës Evropiane për Legjislacionin dhe Politikat në Arsim.

Shtatë pikat e dobëta të Projektligjit për arsimin e lartë

Projektligji është një përpjekje për të reflektuar problemet e arsimit të lartë, por ai ka nevojë që të rishikohet dhe të përmirësohet. Shtatë pikat e dobëta paraqiten si më poshtë.

I. Dimensioni evropian është trajtuar shumë dobët në disa kapituj

Projektligji nuk është mjaftueshëm evropian. Projektligji nuk pasqyron një sërë dokumentesh bazë dhe të rëndësishme të Bashkimit Evropian për arsimin e lartë.

Për shembull:

a. Nuk pasqyrohen fare direktivat evropiane për kërkimin shkencor.

b. Në nenin 2 të projektligjit thuhet se “qëllimi i këtij ligji është të krijojë një sistem të unifikuar dhe të standardizuar të mësimdhënies, kërkimit shkencor, inovacionit, bashkëkohor dhe konkurrues në hapësirën evropiane të arsimit të lartë”. Kjo është e kundërta e prirjeve evropiane në arsimin e lartë. Sistemi arsimor duhet të jetë i diversifikuar dhe jo i standardizuar, pasi kjo sjell shumë dëme në botën universitare. Një sistemi i unifikuar dhe i standardizuar do të mbysë risitë dhe performancën dhe nuk do ta përgatisë arsimin e lartë shqiptar për të ardhmen.

Një mënyrë për të pasqyruar dimensionin evropian është krahasimi i projektligjit me ligjet e vendeve të BE.

Projektligji duhet të pasqyrojë direktivat e Deklaratës së Jerevanit, të majit 2015.

II. Konceptet bazë të autonomisë universitare dhe lirisë akademike nuk pasqyrohen drejt

Ky projektligj është një përkthim i keq i lirisë akademike dhe vë në pikëpyetje autonominë e universiteteve.

Universiteti nuk është thjesht bashkim entitetesh, por sistem i mirëfilltë vlerash. Duhet të ketë autonomi në procedura administrative, menaxhim pagash, apo pagesa të veçanta. Edhe brenda vetë universitetit duhet të ketë autonomi midis strukturave përbërëse të tij. Nevojitet balancë midis kompetencave. Fakulteti në fund të fundit duhet të jetë i lidhur me universitetin. Duhet të ketë ndërveprim mes studentëve, personelit administrativ, akademik dhe lidershipit.

Lindin disa pyetje: Cili është roli i shtetit? Cfarë ëshët autonomia? Cilat janë funksionet e shtetit? Është dramatike se si ky ligj interferon me kompetencat e Ministrisë së Arsimit, është shokuese. Duhet të respektohet autonomia universitare, por si mund të respektohet kur thuhet që gjen rregullime në të tjera ligje? Por mundet që referenca në ligje të tjera ta kufizojë autonominë dhe të çojë në kontroll të tepruar, abuzim, vonesa dhe stanjacion.

III. Projektligji është i bazuar në qasjen etatiste, pra është shteti në qendër, jo universiteti

Në këto 25 vjet, post-komunizëm, qeveria shqiptare për fat të keq ka qënë ndërhyrëse. Nga eksperiencat që kam patur në mësimdhënie në Evropë e jo vetëm, madje edhe në Afrikë, kam kuptuar që arsimi duhet të jetë aspekt bashkëpunimi i gjithë grupeve sociale. Përgjegjësia e shtetit në përcaktimin e ardhshëm të sistemit të karrierës duhet të balancohet me përgjegjësinë e trupës akademike. Shteti nuk është faktori kyç apo aktori kryesor për arsimin e lartë, por trupa akademike, departamenti, fakulteti, pedagogët, studentët, vetë universiteti janë aktorët kyç. Ministrat, për nga ekspertiza e çështjes vijnë pas tyre. Ekspertët më të mirë janë aty, në Universitet.

Në kapitullin 2, neni 7, flitet për Ministrinë. Nuk është kjo përqasja e duhur. Është i gjithi si mentalitet i ndërtuar keq, nuk është Ministria lojtari kryesor. Unë jam edhe pedagog edhe burokrat. Ministrat nuk janë ekspertë, por burokratë. Ekspertët janë dhe duhet të jenë Akademia.

Dokumenti nuk pasqyron drejt dhe qartë parimin e subsidiaritetit.

IV. Projektligji nuk përputhet me parimet e qeverisjes së mirë

Dokumenti nuk përputhet me parimet e qeverisjes së mirë. Nuk zbatohet parimi i kontrollit dhe balancës. Dokumenti krijon problem në qeverisjen e universiteteve. 15 nene shkojnë në të kundërt me qeverisjen e arsimit të lartë. 15 nene duhet të ndryshohen sepse e dëmtojnë rëndë arsimin e lartë. Rektori nuk duhet të emërohet nga Presidenti i Republikës. Standardet e kontrollit të cilësisë nuk duhet të përcaktohen nga ministria, ato duhet të jenë traditë e universiteteve. Detyrat e Bordit të administrimit dhe Senatit janë përzier. Anëtarët e Bordit nuk duhet të përfaqësojnë ministrinë sepse ministria nuk mund të kontrollojë vetëveten.

V. Përsa i përket teknikës legjislative, dokumenti është shumë i detajuar në disa aspekte dhe në të kundërt, aspekte vitale mungojnë

a. Në këtë ligj ka shumë detaje për gjëra të parëndësishme dhe nuk ka sqarime të qarta për gjëra të rëndësishme.

b. Të drejtat e studentëve në këtë draft-ligj cënohen, duhet patjetër të përmirësohen.

c. Të drejtat për personelin akademik nuk janë paraqitur duke u lenë për legjislacionin dytësor, ndërkohë që ato duhet të jenë të pasqyruara në ligj, jo në akte nënligjore.

d. Nuk trajtohen çështje të integritetit, të transparencës, të llogaridhënies.

e. Shumica e termave në nenin 6 janë të gabuara.

VI. Auditi dhe llogaridhënia

Referuar kontekstit specifik të Shqipërisë, mungon një kapitull për integritetin dhe sjelljen antikorruptive. Kështu nuk trajtohen auditi, llogaridhënia, auditi i auditeve. Mungojnë parametrat dhe objektivat për transparencën e buxhetit.

VII. Kapitulli XII për tipologjinë e institucioneve publike të pavruara është i papranueshëm, është një devijim nga norma

Kurrë se kam parë më parë këtë lloj modeli. Ky është një përcaktim i pazakontë, tamam një marrëzi. Çdo universitet publik ose privat duhet të jetë autonom, sepse janë në funksion të një interesi publik. Universiteti ka nevojë të jetë autonom. Universiteti publik duhet të gëzojë autonomi nga shteti, nga ministria. Në sektorin jopublik, dy janë kategoritë e entiteteve, ato fitimprurëse dhe jofitimprurëse. Janë joshtetërore ato që janë jofitimprurëse, por kanë natyrë të veçantë private. Udhëhiqen nga një bord mbikqyrës, në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë, duke respektuar procedurat e akreditimit, por kanë një mision specifik (të ashtuquajtura free mission universities). Për shembull, në Belgjikë janë universitetet katolike. Po ashtu në Gjermani, Hollandë ka modele të tilla universitetesh jofitimprurëse protestante.

Ky kapitull nuk sqaron termat e universiteteve fitimprurese dhe jofitimprurese.

Universitetet jopublike me qëllim fitimi, janë ato modele që përbëjnë “big businesses” si për shembull në Kinë apo Amerikë. Por ama, asnjë cent publik nuk shkon dhe nuk duhet të shkojë për këto lloj universitetesh. Vetëm në rast se kërkimi shkencor është në nivele të tilla ekselence që përbën një rëndësi të madhe kombëtare, si psh program i MBA në SHBA, qeveria mund të financoj këto programe. Paratë publike shkojnë e duhet të shkojnë për interes publik, për universitete publike. Këto lloj universitetesh duhet t’u përgjigjen të gjitha kërkesave me përpikmëri për cilësi, akreditim, etj. Akreditimi nuk është evropian, procedurat e tij janë ndërkombëtare. Ka qenë edhe këshilla ime që të ketë një agjenci ballkanike për akreditimin. Konteksti e substanca e Universitetit është ndërkombëtare, nuk është thjeshtë kombëtare apo lokale.

Marrëdhëniet me Bashkmimin Evropian janë të lidhura edhe me këtë ligj për arsimin e lartë. Rasti i negociatave në Rumani për ligjin e arsimit të lartë ishte një rast i dështuar dhe që ndikoi për keq në marrëdhëniet e mëtjeshme të vendit për anëtarësimin në BE.

0 comments:

Post a Comment