Thursday, July 16, 2015

Shtyhet seanca parlamentare per projekt-ligjin e AL


Fatos Binjaku
“Debati për ligjin e Arsimit të Lartë, Kuvendi shtyn për të martën miratimin”
Panorama, 16.07.2015
Shtyhet për të martën miratimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Vendimin e ka marrë Konferenca e Kryetarëve, mbledhur pas debatit të sotëm në seancën plenare, mes opozitës dhe shumicës parlamentare.
Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi mes propozimeve që ligji në fjalë të miratohej të hënën në një seancë plenare të Kuvendit, apo në senacën e së enjtes si kërkoi opozita. Pas diskutimeve u arrit në vendimin që ligji të shqyrtohet në seancën e posacme që do të zhvillohet pasditen e së martes.
***
Seanca e sotme nisi me debate për futjen në rendin e ditës për votim projektligjin e shumë debatuar, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës i kësaj pike, ndërkohë që kreu i Kuvendit, Meta ka theksuar se rendin e ditës nuk e përcakton ai, por është bërë bashkërisht.
Sipas tij në bazë të rregullores, ky projektligj ka përfunduar shqyrtimin në komisionin e medias në orën 1 të mëngjesit dhe as që bëhet fjalë që sot të vijë në Kuvend për miratim.
“Kërkoj që të hiqet nga rendi i ditës”,- tha Paloka.
Ilir Meta iu përgjigj: Rendin e ditës s’e bëj unë. Ne e bëjmë të gjithë së bashku që kur bëjmë programin, në përputhje me ecurinë e punës së komisioneve.
Kreu i grupit parlamentar i PS-së Gramoz Ruçi tha: Ky pr/ligj është depozituar në parlament në 10 Prill…, opozita nuk është e interesuar për të bërë oponencën e vet, për një ligj kaq të rëndësishëm, por është e interesuar për ta bllokuar. Nuk është përgjegjësi e mazhorancës që kolegët opozitarë që drejtojnë komisionet të bëhen bllokues. Kishin katër muaj rresht kohë ta shqyrtonin.
Genc Pollo: Kjo periudhë ka koiçiduar me fushatën e zgjedhjeve vendore dhe ska mundur të shqyrtohet në Komisionin e Medias për një kohë të gjatë. Problemi është …për ndjeshmërinë që ka ky ligj është fizikisht e pamundur për komisionin që të bëhetj në një periudhë të tillë të shkurtuar. Ju keni thënë shprehimisht: Le ta vëmë në këtë datë dhe po nuk pati mbaruar do shtyhet sic bëhet me të gjitha pr/ligjet.
***
Nisma e qeverisë “ka ngecur” javët e fundit në komisionet që drejtohen nga opozita, përkatësisht Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, me kryetare Albana Vokshin, dhe në komisionin përgjegjës, që është ai i Medias dhe i Arsimit me kryetar Genc Pollon. Kryeministri Edi Rama urdhëroi deputetët e Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së grupit të PS-së që ta miratojnë në mbledhjen e 16 korrikut projektligjin e “Arsimit të Lartë”.
Por këtë kërkesë të Ramës deputetët e opozitës e kanë shfrytëzuar si taktikë për ta zvarritur miratimin e draftit, me synim për ta shtyrë deri në muajin shtator. Demokratët kërkojnë që nisma e qeverisë të mos miratohet në këtë legjislaturë, që, sipas kalendarit zyrtar, mbledhjen e fundit do ta zhvillojë në 23 korrik. Opozita kërkon që projektligji i Ministrisë së Arsimit të kalojë si nismë e mbartur në shtator, në mënyrë që pranimi i studentëve të rinj në fakultete të bëhet sipas ligjit aktual në fuqi për “Arsimin e Lartë”.

KOMISIONI MARATON
Komisioni i Medias ka shënuar një rekord të ri në punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Komisioni i drejtuar nga Genc Pollo e ka zgjatur mbledhjen e Komisionit të Medias ditën e martë dhe të Arsimit deri në orën 3 të mëngjesit të ditës së djeshme. Edhe pse mbledhja është tejzgjatur në kohë, miratimi nen për nen i projektligjit ka ecur me ritmin e “breshkës”.
Edhe vetë kreu i Komisionit të Medias, Genc Pollo, tha dje paradite se deputetët e maxhorancës dhe opozitës në këtë komision kanë zhvilluar një mbledhje të veçantë si rrallë më parë në historinë e parlamentareve pluraliste. “Dje kemi pasur një mbledhje shumë të gjatë dhe një mbledhje të veçantë në historinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të periudhës pluraliste, e cila ka mbaruar rreth orës 3 të mëngjesit, ku kemi diskutuar me shumë vëmendje disa nene të ligjit”, ka thënë demokrati Genc Pollo. Mbledhja e djeshme e komisionit është shoqëruar dhe me acarime tonesh, pasi socialistët disa herë me radhë kanë kërkuar që të ndiqet procedura e zakonshme, që gjatë miratimit nen për nen të votohej dhe të mos niste diskutimi nga e para.
“Tani ne jemi në diskutimin nen për nen, nën shqyrtimin nen për nen. Shqyrtim dhe votim. Shqyrtim dhe nuk vihet theks te diskutimi. Pra, nuk është korrekte nga pikëpamja e procedurës që ne këtu të rrimë tri orë duke diskutuar në parim se sa e rëndësishme është kjo çështje”, u shpreh socialisti Musa Ulqini. Por duket se saga e komisionit që drejtohet nga Pollo nuk mbaroi as dje deri në mesnatë. Edhe pse ora shënonte 12 e natës, sërisht, deputetët vazhdonin diskutimet në Komision.
Për të dytën ditë, duket se komioni i drejtuar nga PD, po zvarrit pafund miratimin e ligjit. Nga ana tjetër, Komisioni i Ligjeve e ka miratuar sërish në tërësi projektligjin për “Arsimin e Lartë”, pasi në mbledhjen e së martës maxhoranca nuk formonte dot kuorumin e nevojshëm për ta miratuar në tërësi. Por sipas Rregullores së Kuvendit, që një projektligj të votohet në Kuvend, ai duhet të miratohet në komisione të paktën 48 orë para seancës plenare.
http://www.panorama.com.al/ligji-per-arsimin-e-larte-paloka-hiqeni-nga-rendi-i-dites-meta-rendin-se-vendos-une/

0 comments:

Post a Comment