Wednesday, July 15, 2015

Miratohet ne Komisionin Parlamentar te Ligjeve projekt-ligji i AL

 

Projekt-ligji: ketu

Nga Procesverbali i Mbledhjes, 1 Korrik 2015

http://www.parlament.al/web/pub/01_07_2015_23141_1.pdf & Ketu

 

1. Aleksander Xhuvani,

Zonja ministre e qartësoi që është krijuar një konfuzion, duket sikur është hapur një lojë ku paratë publike shkojnë edhe te privati. Nëse doni, unë mund ta sqaroj tani. Janë dy zëra që mundësojnë institucionet private apo jopublike të arsimit të lartë të përfitojnë nga fondet publike: është fondi i ekselencës, pra u jepet një bursë studentëve të shkëlqyer, kandidatëve të shkëlqyer që kanë mbaruar me sukses ciklin parauniversitar dhe ata e zgjedhin me dëshirën e tyre institucionin. Këtu nuk mund të ndërhyjë më shteti për t’u thënë që duhet të shkojnë detyrimisht në institucionet publike. E dyta, janë projektet e kërkimit shkencor. Për sa kohë që rezultati dhe produkti i kërkimit shkencor mund të ketë valencë dhe ndikim në nivel kombëtar, nuk kemi pse t’i përjashtojmë nga kjo garë. Do të jetë një garë akademike dhe të gjitha institucionet e arsimit të lartë, të cilat kanë detyrimin ligjor do të kryejnë kërkim shkencor.

2a. Vasilika Hysi

Deri më sot arsimi i lartë rregullohet me ligjin e vitit 2007, por mjafton një lexim i thjeshtë i ligjit që është në fuqi me projektligjin që ne po diskutojmë sot për të kuptuar se çfarë revolucioni sillet në arsimin e lartë me miratimin e këtij ligji.

Heqja e Maturës Shtetërore që përflitet, duhet ta themi troç, unë nuk kam të drejtë të them ishte dështim apo sukses, por mendojmë se është zgjidhja më e mirë që po bëni për t’u krijuar mundësi universiteteve të kenë autonominë dhe lirinë e tyre për të vendosur se cilat do të jenë kriteret që duhet të përmbushin studentët që do të pranohen në ciklin e parë të studimeve.

Megjithatë mendoj se duhet të saktësojmë nëse do të bëhet kreditimi i të gjithë studentëve si ata që studiojnë në fakultetet publike dhe ato në jopublike apo jo.

Lindita Nikolla

Për sa u përket kredive studentore, sigurisht referenca është vetëm publiku. Çdo gjë që thuhet në këtë ligj dhe që ka të bëjë me skemën e financimit referenca janë vetëm institucionet publike, të nderuar deputetë. Kapitulli XII, është një mundësi e re që i lihet hapur institucioneve tona publike, institucioneve tona private për ta zgjeruar autonominë e tyre deri në kufijtë e lirisë, 27 për ta bërë konkurrencën më të drejtë dhe sigurisht, me një set të qartë dhe me filtra të qartë për të shkuar në këtë gjendje dhe status të ri që do ta sqarojë zoti Ndreca

2b. Vasilika Hysi

Çështje me interes nga pikëpamja kushtetuese është a parashikon Kushtetuta pavarësi të institucionit të arsimit të lartë apo parashikon autonomi të institucionit të lartë. Besoj se e kuptojmë që autonomia dhe pavarësia nuk janë e njëjta gjë dhe nga kjo më lindin disa pyetje. Cili është modeli që ju keni marrë megjithëse në fjalën tuaj thatë ka shumë shtete që e kanë këtë model. Por flas për vende që siç jemi ne që kemi pasur vetëm institucione publike dhe më pas jopublike.

Pse ka lindur nevoja në Shqipëri të parashikojmë përveç institucionit publik dhe jopublike dhe institucionin publik të pavarur? … Flas nga pikëpamja juridike, do të jetë ent publik, organizatë fitimprurëse, do të jetë shoqëri tregtare dhe cila do të jetë mënyra e krijimit të saj? Në varësi të përgjigjes që do të marr, mund të kem pyetje të tjera më pas që lidhen me Kodin Civil, me ligjin “Për shoqëritë tregtare”, me ligjin e prokurimit publik, me ligjin e OJF-ve. Pra, ka një sërë pyetjesh që lindin dhe duhet ta shohim ligjin më pas në përputhje dhe me kodin civil. … Kur kemi institucione private pse duhet të kemi institucione publike të pavarura dhe cili do të jetë roli i ministrit përgjegjës të arsimit për të kontrolluar në këto institucione të pavarura. Deri ku do të shkojë kontrolli? … Ju parashikoni shpërndarje të fondeve publike në sektorin për universitetet, institucionet publike dhe jopublike. Por unë e kuptoj që marrin dhe këto institucionet publike të pavarura. Nuk i shikoj diku të përjashtuara që të marrin, madje marrin dhe prona, pasuri të paluajtshme, të cilat nuk kthehen asnjëherë atyre për çdo arsye. kjo është një risi. Ju e jepni me ligj, ndërkohë që ka rregulla te vecanta sesi jepet prona, pasuria e paluajtshme.

Plarent Ndreca (Sekretar i pergjithshem)

Pse ka lindur nevoja për IALPP-të? Praktikisht ne sot nuk kemi institucione të arsimit të lartë publik. Praktikisht nga mënyra se si kontrollohen, financohen, organizohen, janë institucione shtetërore. Pra këto institucione që ne sot kemi në tregun publik janë shtetërore. IALPP-ja është një mundësi e re institucionale për të krijuar dhe për ta bërë më të zhdërvjellët nga ana financiare funksionimin e këtyre institucioneve. Pra, ne kemi krijuar një hapësirë lirie që këto institucione të vetëfinancohen dhe vetëmenaxhohen, në mënyrë që të kenë lirshmëri në realizimin e projekteve të tyre.

2c. Vasilika Hysi

Në ligj ju thatë që disa agjenci krijohen, të tjera forcohen. A është parashikuar fatura financiare e këtij ligji? Kjo është një kërkesë që e kërkon Kushtetuta dhe që i bie ta diskutojmë ne në komisionin tonë.

Çfarë ju ka shtyrë të fusni një koncept të ri, një master ekzekutiv, kur kemi kaq shumë mastera e kaq shumë programe në universitetet e Tiranës?

Aleksander Xhuvani

Së pari, ka ekzistuar edhe në vitin 2007 dhe pastaj në vitin 2010 u amendua në një kohë që shumë studentë shqiptarë e kishin përfituar masterin e nivelit të dytë. Në të gjithë Europën masteri i nivelit të dytë nuk ka lidhje me doktoraturën, po është një formim që i adresohet drejtpërsëdrejti tregut të punës, por në nivelin më të lartë. Po marr një rast, një student fillon studimet në mjekësi, bën pesë vjet dhe pastaj e shikon që vokacioni i tij i jetës nuk është të qenit mjek, por do të bëhet drejtor i spitalit, atëherë pas masterit bën një master ekzekutiv në menaxhimin spitalor dhe kandidon për t’u bërë drejtor i spitalit. Në Francë është përvoja më e madhe, edhe ajo ka filluar të kritikohet, por gjithsesi ka funksionuar është Shkolla Kombëtare e Administrimit, e cila pas masterit formon drejtuesit më të lartë të administratës shtetërore, jo vetëm shtetërore, por edhe private. Të gjithë drejtorët e ekuivalentit të KESH-it janë të dalë nga këto shkolla që janë master ekzekutiv, pra master i nivelit të dytë, i një niveli shumë të lartë, i cili orientohet nga tregu i punës dhe nuk ka lidhje me doktoraturën

2d. Vasilika Hysi

E fundit fare është personeli dhe parimi i sigurisë juridike, parim kushtetues. Ju keni bërë një sërë rregullimesh në dispozitat kalimtare, për të cilat do të doja të diskutonim nen për nen , kur të vijë koha, por do të doja të sillja në vëmendjen tuaj, që ditën e hënë, në këtë komision kemi filluar të diskutojmë ndryshimet në Kodin e Punës. Për fat, jam relatore edhe e atij projektligji, dhe shoh që nuk ka ndonjë koherencë midis rregullimeve që parashikon Kodi i 21 Punës lidhur me kontratat e punonjësve, me parashikimet që ne parashikojmë në ligjin e arsimit të lartë për kontratat e punonjësve, të pedagogëve.

 

3. Fatmir Xhafa

Një element i rëndësishëm, i cili besoj se është në vëmendjen e këtij komisioni dhe, gjithashtu, të përfaqësuesve të ministrisë e të ministrave personalisht, është ai që ka të bëjë me faktin se, paralelisht me këtë proces, është një proces tjetër që lidhet me reformën në drejtësi. Një nga komponentët më të rëndësishëm të atij procesi, është edukimi ligjor dhe arsimi juridik.

Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se opozita do të duhej të ishte sot këtu, ashtu siç do të duhet të jetë normalisht në të gjithë aktivitetin parlamentar, por më tepër në një ligj të tillë të rëndësishëm, siç është ligji për arsimin e lartë, për shkak se ky nuk është një ligj as për Partinë Socialiste, as për Partinë Demokratike. Ky është një ligj për qytetarët shqiptarë, është një ligj për të sotmen por mbi të gjitha një ligj që ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe si i tillë kërkon shqetësimin jo vetëm të qytetarëve e prindërve, por para së gjithash, dhe mbi të gjitha edhe të përfaqësuesve të tyre në këtë institucion të rëndësishëm siç është Kuvendi i Shqipërisë.

Po marr fushën që kemi specifike, drejtësinë, çfarë ndodh sot? Nëse sot kemi një problem shumë të madh me drejtësinë, është edhe ajo e pamjaftueshmërisë profesionale. Kemi 35 sot gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, përmbarues që e kanë marrë atë titull, kanë diplomën, kanë vitet, janë thirrur të japin drejtësi apo të shërbejnë për drejtësinë dhe janë të paaftë profesionalisht. Është absurde që në vitin 2014 progresraporti i BE-së të shkruajë se ka probleme në cilësinë e të shkruarit të gjyqtarëve në dhënien e vendimit, në arsyetimin e vendimit. Pa dyshim ka shumë faktorë, nuk janë përgjegjës vetëm universitetet, vetëm arsimi i lartë, por besoj se ka rolin e vet në këtë gjendje edhe cilësia e arsimit të lartë. Në këtë kontekst mendoj se ka disa elemente që do të duheshin të forcoheshin më shumë në projektligj. Ministria duhet të jetë e hapur për ta parë më me dashamirësi, si edhe vërejtjet dhe sugjerimet që do të bëjnë kolegët.

Ajo që kam si sugjerim është të shkojmë në këtë kahje, sesi të forcojmë mësimdhënien dhe kontrollin e dijeve në universitet për të nxjerrë studente dhe studentë shumë më të formuar cilësisht. Në funksion të saj, ne kemi një ndjeshmëri, por kemi edhe një sfidë që ka të bëjë me çështjen e reformimit të sistemit të drejtësisë. Siç e thashë që në fillim, një prej komponentëve më të rëndësishëm të kësaj reforme është ajo që ka të bëjë me edukimin juridik dhe arsimin e lartë juridik.

4. Piro Lutaj

Pyetja e dytë, çfarë ndryshimi kanë ose çfarë të veçante paraqit institucioni publik i pavarur i arsimit të lartë, përveçse ai miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, a ka ndonjë gjë në thelb përveç këtij akti formal?

5. Anila Agalliu

Nenin 112 i projektligjit bën fjalë për kredinë studentore, ndërkohë te neni që i përket Agjencisë Kombëtare të Financimit thuhet se kjo agjenci një ndër funksionet e saj ka garantimin e kredisë studentore. Kjo kredi studentore është për të dyja nivelet e studimeve për ciklin e parë dhe të dytë. Pyetja ime është, a ka ndonjë model sesi do të jetë kjo kredi studentore?

 

Plarent Ndreca

Risia e IALPP-ve është fakti që duhet të bëjmë një dallim shumë të qartë midis IAL-së me themeluesin që është fondacioni. Ne kemi parashikuar që një IAL të shkojë në Këshillin e Ministrave, të licencohet dhe të krijohet si e tillë duhet që të themelohet vetëm nga një fondacion. Është fondacioni i cili do të ketë mundësinë të shkojë në Këshillin e Ministrave për të kërkuar licencimin e një IAL-je. Kjo nuk është bërë pa qëllim, sepse është e vetmja formë që garanton pavarësi absolute në menaxhimin e fondeve, të mirave materiale, të drejtave e të tjera që janë të pakthyeshme mbrapa nga fondatori.

6. Aleksander Xhuvani

Doktoraturës ne i kemi hequr 60 kreditet e formimit, sepse nuk kishte vend në botë që kishte 60 kredite formim në doktoraturë. Edhe një britanik na bëri një pyetje, në njëfarë mënyre na vuri në pozitë të vështirë, ai tha, nga do t’i merrni pedagogët për ciklin e tretë? Do t’i merrni nga Marsi? Sepse në tokë deri në ciklin e dytë mund t’i japin. Doktoratura është thjesht projekti kërkimor i madh që ka departamenti për të cilin merr financimin dhe në varësi nga projekti, personeli akademik mund të jetë tutor i punimit të doktoraturës, merr financimin, propozon projektin dhe për këtë projekt shkruhet teza e doktoraturës. Teza e doktoraturës propozohet të hiqet përfundimisht nga korniza e punësimit pasi për sa i përket kësaj të fundit ata që përfundojnë doktoraturën e kanë karrierën dhe vendin vetëm në universitet ose në institucionet e larta të kërkimit shkencor.

 

7. Nga Fation Binjaku, Gazeta Panorama, 14 Korrik 2015

 

http://www.panorama.com.al/deputetet-e-ps-perplasen-me-qeverine-per-ligjin-e-arsimit-te-larte-por-ne-fund-votojne-pro/

Komisioni i Ligjeve [Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe te Drejtat e Njeriut] ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin e qeverisë “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”. Nisma e qeverisë, edhe pse ka hasur kundërshtinë e deputetëve, është miratuar sipas variantit të propozuar nga Ministria e Arsimit, vetëm me disa ndryshime të vogla teknike.

Deputetët e opozitës nuk kanë qëndruar gjatë diskutimit të projektligjit. Ata, pasi regjistruan prezencën, janë larguar nga salla. Dje, Komisioni i Ligjeve realizoi dy mbledhje, në të cilat e kaloi në tërësi projektligjin e shumëdebatuar të arsimit të lartë.

DEBATI
Gjatë mbledhjes, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, theksoi se vendimi për të shndërruar universitetet private në publike nuk duhet lënë vetëm në dorë të qeverisë, por sipas tij kërkon garanci të forta.

“Ju keni vënë një vit kohë në ligj, 2017-2018, dhe një ditë të bukur të gjitha universitetet duan të shndërrohen. Po ju thoni që e ka në dorë qeveria, po qeveria ka bërë edhe “Suden”… Qeveritë i kanë bërë këto, s’i kanë bërë popujt. Garancia nuk duhet të mbetet tek individët, kushdo qofshin ata. Si mund ta rregullojmë që ta mbrojmë nga kjo lloj marrëzie?!”, ka pyetur dje Xhafaj.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, tha se universitetet private do të shndërrohen në publike vetëm duke u krijuar në formën e një fondacioni, financat e të cilit do të menaxhohen nga një bord i veçantë. Sipas tij, në rast se institucioni i arsimit të lartë nuk do t’i përgjigjet interesit publik, atëherë gjykata do të vendosë për shpërndarjen e aseteve të saj. Ai theksoi më tej se institucionet private që duan të rrisin fitimet nuk kanë interes të kthehen në fondacione.

“Garancia kryesore është se ato institucione që kanë për qëllim fitimin, nuk kanë asnjë interes për të kaluar në IALPP. Pra, në qoftë se ato janë krijuar dhe kanë për qëllim vetëm fitimin, do të mbeten institucione private të cilat do realizojnë fitimet dhe nuk mund të krijojnë fitime nëpërmjet këtij institucioni. Praktikisht, ai do të dorëzojë pasurinë e tij në mënyrë të parevokueshme dhe do t’ua besojë disa personave që do ekzekutojnë aktin e themelimit të tij’, tha Ndreca. Por, kjo ka acaruar tonet në komision, teksa deputeti i PS-së, Bashkim Fino, ka thënë se përfaqësuesit e Ministrisë po bënin për budallenj deputetët dhe se argumentet e tyre nuk kishin lidhje me realitetin shqiptar.

“Po na bën për budalla tani. Ne po flasim për realitetin shqiptar, e di ku është e keqja? Ti po flet për një realitet që do të ndodhë pas 10-15 vjetësh në Shqipëri, apo siç tha zv.ministri për Portugalinë. Kjo është shumë e parakohshme për Shqipërinë. Por, megjithatë, bravo ju qoftë për iniciativën. Unë po ju flas për një realitet aktual në Shqipëri. Sapo ke dalë nga një proces që ke mbyllur 16 qoska, i ka quajtur qoska Kryeministri universitetet. Për realitetin në Shqipëri kjo është shumë, shumë e parakohshme. Mund të ndodhë që disa individë të caktuar mund të mbrohen nëpërmjet këtij ligji dhe të shpëtohen nga falimentimi nëpërmjet këtij ligji”, tha Fino.

0 comments:

Post a Comment