Showing posts with label Kontrolli i Larte i Shtetit. Show all posts
Showing posts with label Kontrolli i Larte i Shtetit. Show all posts

Wednesday, July 27, 2016

Shkarkohet kancelari i Universitetit te Korces

KORCE, Balkanweb, 26 Korrik 2016


Është shkarkuar nga detyra ditën e sotme kancelari i Universitetit “Fan Noli” në Korçë, pasi akuzohet për shpërdorim detyre.
Burime për “News 24” bëjnë me dije se shkarkimi i kancelarit ka ardhur pas dyshimeve për shkelje në 4 tendera.
“Ilir Sosoli ka kryer shkelje në tendera. Sosoli ka kryer shkelje në tenderin për rojet në universitet. Shkelja është zbuluar pas një kontrolli të një auditi. Ish-rektori Mero dhe 5 të tjerë kanë marrë vërejtje”, thonë burimet.
Sipas burimeve, Ministria e Arsimit ka marrë masa ndaj stafit të universitetit, pasi mendohet se shkeljet kapin shifra të larta në lekë.

Wednesday, July 15, 2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit çon për ndjekje penale sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit

 

Kontroll i Lartë i Shtetit ka vërejtur një sërë parregullsish dhe shkelje të kuadrit ligjor me dëm të konsiderueshëm financiar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, z. Plarent Ndreca, dhe ka kërkuar ndjekjen penale të tij.

Gjithashtu KLSH ka hedhur dyshime se vendimi i Ministrisë për të ndërprerë kuotat e ciklit të tretë ka favorizuar universitetet private, si edhe i ka shkaktuar dem financiar në të ardhurat e mundshme universiteteve publike.

Më tej KLSH ka vërejtur parregullsi në emërimin e një drejtori të zyrës arsimore, si edhe keqmenaxhim të fondeve publike në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve.

Sidoqofte, duhet ditur se KLSH ka nje tufe burokratesh qe jane te perfolur per pazare. Akuzat e tyre duhen vleresuar me dyshim, sidomos kur ne raportin final nuk pershihen veretjet e vete institucionit, te cilat ndoshta nuk jane marre parasysh, sic ngjet zakonisht.

Njoftimi për shtyp i KLSH.

Njoftim për Shtyp

Korrik 14, 2014

KLSH KALLËZON NË PROKURORI SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM, DREJTORIN E DREJTORISË SË SHËRBIMEVE JURIDIKE DHE PËRGJEGJËSIN E FINANCËS NË MAS

Kanë kryer shkelje në procedurat e prokurimit duke shkaktuar dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit në masën 108 milion lekë (771,000 euro)

Bllokimi i kuotave për doktoraturat në IAL publike, ka sjellë orientimin e fondeve vetëm në një universitet privat

Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi auditimin me temë “Për zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko - financiare” të ushtruar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për periudhën 16.09.2013 deri më 31.12.2014. Raporti Përfundimtar i Auditimit, miratuar me Vendim të Kryetarit të KLSH Nr. 84, datë 30.06.2015, i është përcjellë me shkresën nr. 1217/13, date 08.07.2015 Ministrit të Arsimit dhe Sportit. Vendimi ka inkurajuar arritjet dhe politikat e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe në veçanti të Ministres znj. Lindita Nikolla në drejtim të standardizimit dhe formalizimit të veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë që veprojnë në Shqipëri, të konkretizuar me VKM nr. 540, datë 06.08.2014 “Për pezullimin e veprimtarisë së disa institucioneve private të arsimit të lartë”, me anë të të cilit është vendosur me objektivitet dhe integritet pezullimi për një periudhë deri dy vjeçare të regjistrimit të studentëve të rinj në Institucionet private të Arsimit të Lartë, deri në plotësimin e kritereve ligjore e nënligjore të përcaktuara në Ligjin “Për arsimin e lartë në RSH” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, por nga ana tjetër janë evidentuar shkelje dhe mangësi të lidhura me procesin e plotësimit të objektivave të këtij institucioni në kushtet e mirëadministrimit të aktivitetit. Kështu:

1. Nga auditimi u konstatuan se aspektet rregullative ligjore të hapjes së ciklit të tretë të studimeve i janë nënshtruar ndryshimeve të herë pas hershme drejt një tregu të liberalizuar si për institucionet që ofrojnë këtë cikël studimi ashtu edhe për numrin e studentëve që hyjnë në to, duke mos e shoqëruar këtë proces me instrumente të fortë monitoruese. Nga ana tjetër megjithëse në kërkesat e Ligjit 9741 datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” misioni i Arsimit të Lartë lidhet edhe me kërkesat e përgatitjes së shkencëtarëve dhe kërkueseve të rinj, përmes mundësive të barabarta për t’u arsimuar, duke ndihmuar e asistuar në zhvillimin ekonomik e social, nëpërmjet konsolidimit të vlerave demokratike e qytetare, konstatohet se ky objektiv nuk është plotësuar në përputhje me kërkesat e specifikuara. Pavarësisht se vlerësojmë si ndërhyrje të domosdoshme bllokimin e regjistrimeve në ciklin e tretë të studimeve për sa kohë që nuk është bërë akreditimi institucional, bllokimi pjesor i kuotave vetëm për universitete publike ka çuar efektivisht në orientimin e kërkesës vetëm drejt një Institucioni privat të Arsimit të Lartë në vend.

Në këtë konteks kemi kërkuar që në kohën kur është duke u punuar për të bërë ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë duhet të rivlerësohet roli që ky Institucion duhet të ketë në vendosjen, plotësimin dhe mbajtjen e standardeve të larta dhe unifikuese për këtë cikël studimi në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në vend. Përcaktimi i qartë i kompetencave monitoruese të Ministrisë, duke forcuar rolin në mbarëvajtjen e programeve të ciklit të tretë të studimeve, i cili në gjykimin tonë, vlerësuar me situatën dhe gjendjen në të cilën ndodhet ky cikël studimesh në Shqipëri, duhet të jetë cikël studimi me kohë të plotë.

Ligji duhet të ketë instrumente kontrolli publik të shoqëruara me identifikim/përcaktim përgjegjësie individuale dhe institucionale për proceset e fitimit/miratimit të titujve akademik, duke synuar rregullimin e plotë dhe afatgjatë të kërkimit shkencor dhe etapave/kushteve të përparimit në karrierën akademike. Në ligj dhe në aktet nënligjore të përcaktohen kompetencat kufizuese të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, në të gjitha rastet kur konstatohen parregullsi apo nivel i ulët i plotësimit të standardeve të përcaktuara apo kritereve të detyrueshme të vendosura për çdo Institucion Publik apo Privat të Arsimit të Lartë, duke specifikuar qartë për çdo fazë të monitorimit llojin e kufizimit dhe masën e tij.

2. Bllokimi dhe mos miratimi i kuotave për studime doktorale për tri vjet me radhë, ka akumuluar artificialisht në rritje kërkesën për këtë lloj të mire publike, që i është drejtuar sektorit privat dhe që është pasuar edhe me drejtim të fluksit të të ardhurave drejt tyre duke shkaktuar të ardhura të munguara për IAL-të publike në shuma të konsiderueshme dhe me efekte në nivelet e investimeve dhe mbulimit të kostove të këtyre institucioneve. Kështu nga një llogaritje e thjeshtë (nisur nga një tarifë minimale prej 204,000 lekë, me një numër minimal kuotash 300), buxhetit të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë i mungojnë 61,200 mijë lekë, fonde të cilat, si rrjedhojë e bllokimit të fondeve publike, kanë kaluar në financimin e institucioneve private. Për këtë KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, që të përcaktojë dhe publikojë kalendarin e akreditimit dhe rankimit të IAL-ve dhe programeve të tyre në të gjitha ciklet, të bashkëpunojë me strukturat drejtuese në IAL-të publike për zhbllokimin e situatës në ciklin e tretë të studimeve dhe të nxjerrë të gjithat aktet nënligjore e rregullative të nevojshme për të liberalizuar filtrin hyrës dhe forcuar filtrin dalës të doktorantëve potencialë. Ministria të marrë të gjitha masat, që në asnjë rast të mos ketë bllokim të përgjithshëm të kuotave të pranimit për programet e doktoraturës në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë dhe orientim të kuotave për Institucionet private të Arsimit të Lartë.

3. Nga auditimi i përdorimit të buxhetit të vitit 2014, u konstatua se për likuidimin e blerjeve apo ndërtimeve në zërin e investimeve është përdorur instrumenti Letër Kredisë në shumën 595,128,320 lekë, nëpërmjet ngurtësimit të fondeve në llogari të klientit në një nga bankat e nivelit të dytë. Konstatuam se, procedura e përdorimit të Letër Kreditit (LC) është kryer me miratim në kohë të Ministrisë së Financave, por kjo formë është përdorur në kundërshtim me Udhëzimin e Përhershëm të Ministrisë së Financës nr. 2, datë 06.02.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit” dhe kërkesave të Ligjit për Manaxhimin Financiar dhe Kontrollin, por me rëndësi është fakti se kontrata ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe Operatorit Ekonomik fitues për objektin “Ndërtimi e objektit Tirana Olimpic Park”, është lidhur para miratimit të Letër Kreditit nga Ministri i Financave. Për këtë i kemi kërkuar institucionit të eliminohen praktika të tilla në realizimin e shpenzimeve buxhetore, sidomos në fund të vitit. Në raste të veçanta (të përcaktuara qartësisht me akte normative), të ketë formate ku specifikohen qartë kushtet e përdorimit të LC, në veçanti për masën e komisioneve dhe mënyrën e pagesës së tyre, pasi të sigurohet dakordësia me Ministrinë e Financave si dhe të nxirret përgjegjësia institucionale për raportimin e buxhetit në kundërshtim me rregullat dhe parimet bazë buxhetore, lidhur me deklarimin e investimeve/shpenzimeve të pa kryera si të realizuara.

4. Mangësi dhe shkelje të rëndësishme konstatuam në procedurat e prokurimeve publike duke veçuar procedurën e prokurimit të zhvilluar me objekt “Ndërtimi i objektit “Tirana Olimpik Park”. Kështu nga auditimi konstatuam se Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) ka dërguar në Këshillin e Ministrave një projektvendim “Për miratimin e fondit limit për kompleksin sportiv Tirana Olimpik Park” se bashku me relacionin shpjegues dhe me VKM nr. 560, datë 29.08.2014 “Për miratimin e preventivit paraprak për kompleksin sportiv “Tirana Olimpik Park”, është bërë miratimi i preventivit paraprak për efekt të llogaritjes së fondit limit.

Është prokuruar projekti i hartuar nga një shoqëri, që nuk rezulton të jetë kontraktuar nga Autoriteti Kontraktor apo njësitë e varësisë për kryerjen e këtij shërbimi.

Kriteret e veçanta të kualifikimit janë diskriminuese dhe të hartuara nga një grup pune që nuk është ngarkuar për kryerjen e këtij shërbimi dhe janë miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MAS, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20/11/2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 1, pika 2 dhe nenin 20, pika 1.

Në vlerësimin e ofertave konstatohet se kanë marrë pjesë 8 Operatorë Ekonomikë (OE), nga të cilët janë KVO ka skualifikuar 7 Operatorë Ekonomikë dhe ka kualifikuar Operatorin Ekonomik me ofertën ekonomike më të lartë (99.2% e fondit limit). Janë skualifikuar padrejtësisht 2 nga OE pjesëmarrës, me ofertë ekonomike më të ulët se oferta e OE fitues.

Si pasojë e shkeljeve të mësipërme, është shkaktuar dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit në masën 78,745,737 lekë (562,000 Euro).

Po kështu, nga vlerësimi i ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje mobilierie për shkollat e sistemit arsimor pasuniversitar” konstatohet se kanë marrë pjesë 8 Operatorë Ekonomikë, nga të cilët janë skualifikuar 5 dhe janë kualifikuar 3 Operatorë Ekonomikë. Pas ankesës në Autoritetin Kontraktor të një Operatori Ekonomik të skualifikuar, është rrëzuar ankesa dhe është bërë rivlerësim i procedurës. Ky operator ka bërë ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), i cili e ka pranuar këtë ankesë dhe ka marrë vendim për shpalljen fitues të këtij operatori. Edhe pas këtij vendimi, në përgjigje të ankesës së paraqitur në Autoritetin Kontraktor të një operatori tjetër ekonomik, zyrtari i autorizuar rekomandon pranimin e ankesës dhe lidhjen e kontratës, në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik

Si pasojë e shkeljes të mësipërme, është shkaktuar dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit në masën 29,275,390 lekë (209,000 euro).

Për shkeljet e mësipërme, KLSH ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal me nr. 1217/6, datë 27.03.2015 për P.N., me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i MAS, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe E.K., Përgjegjës i Sektorit të Financës i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, sepse gjatë zbatimit te procedurës se prokurimit me objekt “Ndërtimi i objektit Tirana Olimpik Park”, kanë kryer veprime të kundërligjshme të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 dhe neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publikë”.

Po ashtu, KLSH ka depozituar kallëzimin penal me nr. 1217/14, datë 10.07.2015, për E.T., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Juridike, me cilësinë e zyrtarit të autorizuar për shqyrtimin e ankesës, sepse gjatë zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt “Blerje pajisje mobilierie për shkollat e sistemit arsimor pasuniversitar”, ka kryer veprime të kundërligjshme, të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

5. Nga verifikimi i bërë rezultoi se, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Fier me shkresën nr. 1341, datë 06.12.2013 ka bërë emërimin e znj Liza Tabaku si përgjegjëse e Zyrës Arsimore Lushnjë Në dosjen e personale të Znj.Liza Tabaku disponohet vetëm fotokopje diplome e nivelit Bachelor me drejtimin “Punonjës Social” e lëshuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan dhe fotokopje të librezës së punës sipas të cilës rezulton se znj. Liza Tabaku pas mbarimit të shkollës së mesme bujqësore ka punuar në ish ndërmarrjen bujqësore frutore si punëtore dhe deri në vitin 2011 ka punuar si punonjëse shërbimi në filialin e postës në Lushnjë. Sa sipër rezulton se Znj.Liza Tabaku nuk ka asnjë përvojë në fushën e arsimit dhe është emëruar në kundërshtim me Urdhrin e MAS nr. 57, datë 12.11.2013 "Për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të Institucionit Publik të Arsimit Parauniversitar". Për shkeljen e konstatuar, KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Arsimit dhe Sportit masën disiplinore “Largim nga shërbimi civil” për Drejtorin e DAR Qarku Fier z. Sh.A. për emërimin e znj. Liza Tabaku dhe të marrë masa që për emërimet në kundërshtim me Urdhrin e MAS, të nxjerrë përgjegjësitë, për të ndalur frymën e mosndëshkueshmërisë dhe rritjes së papërgjegjshmërisë institucionale të personelit

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Arsimit dhe Sportit 17 masa organizative, 2 masa për shpërblim të dëmit të shkaktuar në vlerën totale 108,021,127 lekë, si dhe ka rekomanduar 10 masa disiplinore, nga të cilat “Largim nga shërbimi civil” për 5 punonjësit P.N, E.K, B.D, E.T dhe Sh.A. të MAS dhe “Vërejtje” deri në “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë” për 5 punonjësit A.K, D.S, E.B, A.T dhe L.S.

Monday, September 15, 2014

Raporte të KLSH-ës për UBT dhe UPT

 

Raporte auditimi të KLSH në institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend për 2014

1. Auditimi i ushtruar ne Institutin e Shendetit Publik (Universiteti Mjekesor)

2. Auditim i ushtruar ne Universitetin Politeknik te Tiranes

3. Auditim i ushtruar ne Universitetin Bujqesor te Tiranes

4. Auditim i ushtruar ne Shkollen e Larte te Magjistratures (nuk eshte publikuar nga KLSH)

 

Nga Bardhi Sejdarasi, Java, 11.09.2014

Pronarët e rinj të Universiteteve të “vjetër”

 

Përdorimi i parave publike pa kriter dhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit; sa është dëmi që i bëhet arkës së shtetit, pse nuk penalizohen shkaktarët e dëmit? A është selektiv Bujar Leskaj në denoncimin e shkeljeve financiare të universiteteve? Çfarë fshihet pas raporteve të kontrollit ekonomik dhe financiar dhe pse “nuk iu hyn gjemb në këmbë” vjedhësve të parave publike. Janë plot 2,8 miliardë lekë të “vjedhur” vetëm në dy universitete, Universitetin Politeknik dhe Universitetin Bujqësor, Tiranë. Por kjo është vetëm “maja e ajzbergut”!

Në muajin Maj të këtij viti, në një investigim të bërë publik në mediat shqiptare u detyrova t’i bëj një “set” pyetjesh, Doktorit të Shkencave Ekonomike, z. Bujar Leskaj, aktualisht me detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pyetjet ishin konkrete dhe në dijeninë time institucioni që drejton z. Leskaj ishte duke hetuar për çështjet që e pyesja. Për ata që nuk e kanë kujtesën e fiksuar në atë që po shkruaj, po i sjell “copy-paste” pyetjet për z. Leskaj: 

1. A ka informacion z. Leskaj për dëmin që ka shkaktuar z. Jorgaq Kaçani, rektor i UPT në katin përdhes të BSHUPT? (kujtojmë se janë mbi 45 mijë tituj librash që i mungojnë inventarit të kësaj biblioteke- kontrolli i KLSH është bërë këtë pranverë!);

2. A ka informacion z. Lestkaj se, duke shkelur në mënyrë të përsëritur (prej vitit 2011) vendimet e Këshillit të Administrimit të UPT, z. Kaçani ka emëruar punonjës e ka ndarë tituj si ofiqe personale apo ndere, në kundërshtim me vendimet e Këshillit Administrativ, duke dëmtuar financiarisht arkën e shtetit dhe të institucionit (çdo titull i dhënë ka koston 10 mijë lekë/muaj më shumë në pagë!)

3. A ka identifikuar z.Leskaj ndonjë shkresë si psh. atë të drejtores së burimeve njerëzore, e cila paguhet sikur ka mbaruar doktoraturën, ndërsa doktoraturën nuk e ka mbaruar akoma. Ose më drejtpërdrejt; a e kanë parë inspektorët e Leskajt se vetëm dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit (FTI) nuk e ka respektuar një urdhër për të paguar të gjithë kandidatdoktorantët me pagën e atij që mbaron doktoraturën?! 

4. …

Nuk po i  rendis pyetjet e tjera, sepse nuk kanë lidhje me çështjen. Sidomos tani kur ka dalë dhe është bërë publik Buletini nr 1 dhe Buletini Nr 2 i KLSH që bën fjalë për veprimtarinë e KLSH për periudhën Janar-Qershor 2014. (Në fakt askush nuk e kupton se si të dy buletinet përfshijnë të dhëna të ngjashme, pra Buletini Nr 2 nuk i përket tremujorit të dytë, por 6-mujorit të parë?! Por të mos i japim rëndësi kësaj. Në raportin zyrtar, me të drejtë pritej që të kishte një përgjigje lidhur me shkeljet e evidentuara.

Z. Leskaj shkon më tej me hetimin e tij ekonomik e financiar. Të dhënat janë befasuese: bëhet fjalë për më shumë se 2,8 miliardë lekë që janë shpërdoruar në vetëm dy institucione të arsimit të lartë (IAL), pra në UPT dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës .

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kontrolluar në fushën e prokurimeve, ku vetëm në Universitetin Bujqësor janë gjetur më shumë se 35 milionë lekë shkelje, apo në fushën e shpenzimeve operative ku, në të dy universitetet që iu referohemi, janë gjetur po ashtu me shumë se 37 milionë lekë shkelje financiare. Shkelje të tjera të disiplinës financiare janë evidentuar edhe në shpërblimin pa të drejtë të punonjësve nga rektoratet, mosllogaritjen dhe mosderdhjen e kontributeve të taksës së punës, mosmbajtjen e TVSH-së për oponencën, pagesa pedagogësh pa miratim të MAS etj, etj.

Unë nuk mund të pranoj se vetëm këto janë “shkeljet” që gjen në këto universitete. Por gjithsesi ato janë shkeljet zyrtare, që tashmë janë raportuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe duhen pranuar si të tilla. Ajo që më bën përshtypje është qëndrimi penalizues i KLSH ndaj njërit IAL në raport me tjetrin. Psh, dëmet financiare të raportuara nga auditët e KLSH për Universitetin Bujqësor janë 1.775.000 plus 1.417.000 plus 5.421.000 plus 2.310.000 lekë, që do të thotë gjithsej 10.923.000 lekë. Ndërsa për Universitetin Politeknik të Tiranës vetëm zëri “shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara” është 11.471.000 lekë. Ose po t’i mbledhim të gjitha “dëmet” e UPT del se janë 11.471.000 plus 2.031.000 baras 13.502.000. Pra shumë më tepër se sa dëmi i Universitetit Bujqësor. Por vini re! KLSH bën katër kallzime penale për Universitetin Bujqësor (për dëmin prej 2.794.000 lekë) dhe ZERO kallzim penal për UPT. Nuk e gjen  shpjegimin e kësaj as në buletinin 49 faqesh të z. Leskaj! 

NË FUSHËN E SHPËRBLIMEVE:

Universitetin Bujqësor, Tiranë, në vlerën 1 417 000 lekë, si shpërblim i padrejtë nga administrata e Rektoratit të UBT për punonjësit e vet në dy raste (641 000 lekë në vitin 2012 dhe 776 000 lekë në vitin 2013), në kundërshtim me VKM nr. 418, datë 27.06.2012.

NË ZËRIN “TË TJERA”, SHKELJE TË DISIPLINËS FINANCIARE:

Universitetit Bujqësor, Tiranë, në vlerën prej 5 421 000 lekë, nga mosllogaritja dhe mosderdhja e kontributit të sigurimeve shoqërore deri në kufirin e lejuar për 88 punonjës të punësuar në dy vende pune (si diferencë e ndalesës së kryer pranë qendrës së parë të punës dhe kufirit maksimal).

SHKELJE TË DISIPLINËS FINANCIARE ME NDIKIM NEGATIV NË PERFOMANCËN  E SUBJEKTEVE TË AUDITUARA

•  Universitetin Politeknik, Tiranë, në vlerën 11 471 000 lekë, nga të cilat 4 922 000  lekë si pagesa pa miratim të MASH për pedagogë të brendshëm që japin mësim në ciklin e ulët, si dhe 6 549 000 lekë nga mosaplikimi i 20% tvsh për shpërblimet e dhëna për shërbimin e oponencës konform ligjit nr. 7928, dt 27.04.1995 “Për TVSH”, i ndryshuar.

•  Universitetin Bujqësor, Tiranë, në vlerën 2 310 000 lekë, si humbje financiare nga aktiviteti i prodhimit te mjaltit.

•  Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë nga të cilët në: Universitetin Bujqësor, Tiranë (dy) kallëzime penale

“Afendikonjtë”/pronarët e parave publike dhe kut-i i kallzimit të z.Leskajt

Nuk do të merrem më shumë me atë që thotë KLSH. Unë them se ka shumë më tepër shkelje në UPT, të cilat, me qëllim apo jo (nuk vë dorën në zjarr) audituesit e Leskajt nuk i kanë parë. Nuk mund të mos vihet re se si është “dorovitur”  çdokush që nuk i ka merituar paratë publike në UPT, ashtu sikundër nuk mund të mos kontrollohen financimet e buxhetit për kandidatdoktorantët apo për shtesën e ndërtesës së UPT apo edhe humbjet që ka sjellë titullari i këtij institucioni nga mosveprimi lidhur me “humbjen” e mbi 45 mijë titujve të librave në katin përdhes të BSHUPT, që janë kalbur që prej vitit 2008. Mjafton të lexosh për këtë edhe procesverbalin e mbajtur nga z. Edmond Stojku, Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Sanitar Shtetëror, kur në datën 30.06.2014 ka dërguar inspektorët e tij dhe ka lënë detyra konkrete aty ku audituesit e KLSH-së nuk kishin “parë gjë”. Dosja e BSHUPT do të publikohet e plotë, lidhur me këtë dëm financiar të shkaktuar, për të cilin nuk ka ende përgjegjës.

Por ajo që është më e rëndë, është pikërisht qëndrimi ndaj titullarëve të këtyre institucioneve publike të arsimit të lartë, që mund të bëjnë çfarë e si të duan me vlerat monetare në administrim. Po jo gjatë, besoj!

 

MAS apo KLSH?

Nisur nga informacionet e shumta për shkelje të natyrave të ndryshme, kreu i MAS, znj. Lindita Nikolla, reagoi shumë shpejt. Ajo nuk priti asnjë analizë të bërë nga KLSH. Grupet e auditit të MAS punuan paralel me KLSH. 

Nga informacionet e para jozyrtare që vijnë nga auditimi i universiteteve publike gjykoj se janë evidentuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh ligjore dhe ekonomiko-financiare, të cilat ua kalojnë “gjetjeve” të institucioneve të arsimit të lartë privat (IAL) 18 prej të cilave u penalizuan me heqje të licensës. Ndërsa janë ku e kun ë raport me shkeljet që ka gjetur Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sigurisht, ky kontroll i plotë ligjor dhe institucional i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ende nuk është “zbardhur” tërësisht, ndërsa vijon penalizimi i shkeljeve të vërejtura për Urdhrit Nr 106, datë 28.03.2014 “Për kryerjen e kontrollit për zbatimin e ligjshmërisë në institucionet publike dhe jopublike të arsimit të lartë”, urdhër, që për hir të së vërtetës, duhet pranuar se i “shkallmoi” tërësisht disa nga institucionet joperformante të arsimit të lartë, që vetëm emrin kishin të tillë. Në ditët që vijnë do të kemi mundësi të shohim edhe anën tjetër të “medaljes” atë që kanë shfaqur para këtij kontrolli të thellë të MAS, pikërisht IAL-të publike.

Pas tyre, raporti i paplotë dhe dukshëm i njëanshëm i Bujar Leskajt do të duket si një nga investigimet më të dobëta ekonomike-financiare të realizuara ndonjëherë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që nga krijimi i tij…

Monday, April 21, 2014

UT-konflikt-media

 Universiteti i Tiranës fiton betejën

Dokumente: Grumbull artikujsh të cituar

5 Dhjetor, 2013, Shqiptarja.com
Sipas Gazetës Shqiptarja.com “Ministri Arben Ahmetaj ka anuluar kontratën e lidhur në gusht të këtij viti nga qeveria Berisha në ikje, me të cilën i jepej një universiteti privat konvikti i Gjuhëve të Huaja në kryeqytet, duke ja hequr atë Universitetit të Tiranës.”

Dhori Kule, Rektori i UT në sulm frontal nga institucionet private

(nga Peshkupauje, 10 Korrik 2012, shkruar nga arsimi.info/bulkthi)
 
Kur rektori i Universitetit të Tiranës këmbënguli të merrte godinën e ish-konviktit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja, e cila i ishte premtuar për qira shkollës së lartë private “Universitetit Luarasi” nëpërmjet një procedure të dyshimtë tenderimi, ndaj rektorit filloi një sulm mediatik.
Shkolla e lartë private “Luarasi” është në pronësi të Focus Group (pronar të gazetës “Panorama“, portalit “BalkanWeb” dhe kanalit televiziv “News24”). Edhe biznesi i arsimit në Shqipëri ndjek gjurmët historike të sipërmarrësve shqiptarë, ku cdo biznes duhet të ketë median e tij për të mbrojtur dhe nxitur investimet. Universiteti Europian i Tiranës ka gazetën “MAPO”, shkolla e lartë private “Kristal” ka televizionin “Planetar”, Albanian University= UTV, “Vitrina” ka nxjerrë një pacavure rrugëve falas “77” etj.

Më poshtë paraqitet konflikti ndërmjet Dhori Kules dhe mediave.

1. Kule, i rrahur me sulmet e tërthorta ndaj qeverisë, jo gjithmonë për interes personal, por kryesisht po, nisi një konflikt me Focus Group duke u prishur pazarin, sic raporton gazeta Shqiptarja.com.
“Universiteti i Tiranës i ka dërguar një shkresë zyrtare kryeministrit Berisha, që t'i kalojë nën administrim godinën e konviktit të Gjuhëve të Huaja. Senati vendosi t'i drejtohet kreut të qeverisë, pasi vetë bashkia u ka dhënë një përgjigje negative për këtë kërkesë, ndërkohë që ka nisur procedurat për t'ia dhënë me qira universitetit privat "Luarasi".”

2. Focus Group u hodh në sulm duke akuzuar Kulen se kishte mashtruar pedagogët e fakultetit të gjuhës angleze, të cilët do të transferoheshin. Ky ishte faktikisht një konflikt i hershëm i rektoratit me dekanatin e fakultetit, ku edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ishte shprehur:

Gazeta Panorama: “Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, mashtron publikisht lidhur me propozimin e tij, për të shkurtuar 28 pedagogë të Fakultetit të Gjuhës Anglezë dhe transferimin e tyre pranë 7 Fakulteteve të tjera me qëllim shkatërrimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ndërsa, Kule deklaron se në këtë Fakultet do të shtohen pedagogët, dekania Klodeta Dibra ka në duar të saj vendimin për shkurtimin e stafit.”

3. Dhori Kule u bë më pas edhe shënjestër e sulmeve të opozitës, të cilët gjatë zgjedhjeve të rektoratit kishin synuar vendin e rektorit nëpërmjet Mimoza Hafizit.

“Largimi i 28 pedagogëve nga Departamenti i Gjuhës Angleze përbën shkelje të ligjit për arsimin e lartë. Dje, në Komisionin e Medias dhe Edukimit, vendimi i propozuar nga rektori Dhori Kule është shoqëruar me akuza të forta nga deputetët e opozitës.”

4. Pas problematikave me maturën shtetërore Dhori Kule hap një front tjetër sulmi dhe lëshon një batare ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës duke iu përgjigjur kështu elektoratit të tij. Ai kërkon që provimet e pranimit të studentëve të kryhen pranë universiteteve. Matura shtetërore është vendosur në 2006 për të organizuar pranimin e studentëve në programet përkatëse të studimit. Më parë sistemi i shpërndarjes organizohej nga universitetet që kryenin provime hyrëse sipas profilit. Procesi karakterizohej nga korrupsioni i pamatë, shitje tezash dhe kërkesa deri në 20 000 $ për pranim në Fakultetin e Mjekësisë.

“Matura Shtetërore ka dështuar plotësisht ndaj nevojiten modele si ato të universiteteve evropiane. Ky është qëndrimi i shkollave të larta publike, veçanërisht pas skandalit të daljes së tezes së provimeve me zgjedhje. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke përjashtuar rikthimin e konkurseve, i kërkon Ministrit të Arsimit aplikimin e modeleve të reja për pranimet në universitete. Sipas Kules provimet e Maturës duhet të jenë si vite më parë, kusht për të marrë shkollën e mesme, raporton Vizion Plus.”

5. Dhori Kule sulmohet më pas edhe nga Ndricim Kulla në gazetën “Panorama”.
“Atëherë kemi gjithë të drejtën të pyesim: po cilat janë vallë kredencialet akademike të zotit Kule? Mos vallë koniunkturat?! Profili i tij në vite ravijëzon një rektor më se partiak, në një kohë që rektori i Universitetit të Tiranës duhej të ishe një njeri i depolitizuar dhe me një aktivitet të qartë akademik. Historia e tij është pothuajse partiake, ish-anëtar i Partisë së Punës, drejtues i lartë i Partisë Social-Demokrate dhe tani pjesëmarrës në strukturat e larta të PD-së. Pra, nga një parti në tjetrën në kërkim të postit, dhe jo të ngjitjes dhe kultivimit akademik.”

6. Dhori Kule sulmohet edhe për administrimin e financave të universitetit. Këtë radhë publikohet një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për keqmenaxhim të fondeve të universitetit, për të cilin Kule shprehet se nuk është në dijeni. Në fakt UT nuk ka bërë asnjëherë transparente përdorimin e të ardhurave nga studentët, për të cilat është i detyruar me ligj. Grupimet e studentëve nuk i kërkojnë ose nuk i dëgjon kush në pretendimet e tyre. Gjithsesi me poshtë sulmi nga "Gazeta Jone"

“Bëhen komente në emër të një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Unë nuk kam parë asnjë prononcim deri tani që ky institucion të jetë shprehur, për ndonjë lloj qëndrimi, për ndonjë lloj akuze. Kontrollet nuk janë kontrollet për rektorin, raporti i KLSH-së nuk bën fajtor Dhori Kulen për asgjë dhe këto janë vetëm shpifje”,- u shpreh sot rektori Kule.

Gazeta me tej pretendon se: ”Në këtë dokument zyrtar të KLSH-së të hartuar nga përfaqësuesit e autorizuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zbulohen abuzimet e Universitetit të Tiranës të përfaqësuar nga Dhori Kule, me tenderat [… ,] abuzimet me shitjen e karburantit, […] vjedhjen e fondeve me blerjet e makinave të përdorura, ku vetëm një makinë e përdorur është blerë me shumën reth 30 mijë euro.”

7. Mero Baze merr nje tjeter kthese ne kete diskutim dhe e sheh kete konflikt ndermjet Kules dhe Focus Group si nje lufte ndermjet Klan dhe Focus Group, apo me gjere, ndermjet Klan dhe cdo sipermarresi konkurrent ne plackitjen e te mires publike ku qeveria eshte e pafuqishme te krijoje balanca ne orekset e tyre.

Mero Baze: Anulimi i vendimit në kushte të tjera duhej përshëndetur, por në këto rrethana është një lajm tjetër i keq i pafuqisë që ka qeveria për të kundërshtuar tashmë orekset e klientëve të saj në biznes. Historia është e thjeshtë. Kundër këtij vendimi, i cili po bëhej realitet, u ngrit grupi mediatik Klan, biles më saktë sponsori në hije i këtij grupi, biznesmeni Samir Mane, i cili nuk e pranonte dot që përveç tij dhe bizneseve të tij, Berisha të fuste në oborr dhe një klient tjetër. Profili i Hysenbelliut në raport me grupin Klan, pas të cilit qëndron Mane, natyrisht që është më larg Berishës.

8. Dhori pergjigjet se ky eshte nje sulm nga Irfan Hysenbelliu dhe se raporti i KLSH-es nuk e ben ate pergjegjes direkt. Ai kerkon nga Kontrolli i Larte i Shtetit te mbaj qendrim ne lidhje me akuzat e leshuara ne media ndaj personit te tij. Eshte interesante se ku jane gjetur keto raporte te KLSH-s kur dihet se ato nuk publikohen, por mbahen te kycyra si nga KLSH-ja qe i perdor per shantazh dhe zhvatje parash, edhe nga institucionet e prekura.

Dhori: ”I gjithë problemi është i një biznesmeni Irfan Hysenbelliu. Unë i kam thënë gjatë takimit me të që kjo godinë ishte kërkuar prej nesh, pasi më herët më kishin thënë që ka pak nxënës dhe e kam bërë një kërkesë verbale në Bashki. Unë e kam marrë vesh nga media që po ndodh procesi i privatizimit, më pas i bëmë një kërkesë Kryeministrit që godinën ta marrë UT.”

9. Panorama permbledh burimet e te ardhurave te Dhori Kules duke e gjetur ate ne 7 borde, prej te cilave ai perfiton thuajse tre-fishin e rroges se vete si rektor. Nuk ngrihet asnje aludim ndaj ngarkeses se tij mesimore (me thuajse 800 000 leke ne vit, dicka tek 150 ore mesimore - ku jane?), por hidhen dyshime mbi aftesite e tij dhe kohen per t'u angazhuar me detyrat e percaktuara ne borde. Gjithashtu Panorama boton edhe deklarimin e pasurise se rektorit dhe te gjithe listen e pasurive te patundshme (asnjehere ndodhur kjo gje me pare, as me politikane!).

Panorama: Dhori Kule duhet të hyjë në rekordet “Guiness” të aftësive. Gazeta zbardh sot deklaratat e pasurisë së rektorit të Universitetit të Tiranës dhe zbulon se Kule, krahas pagës si rektor dhe pedagog, paguhet nga paratë e qytetarëve shqiptarë si anëtar në shtatë borde. Nuk janë pak. Vetëm në deklaratën e vitit 2012, nga pagesat e bordeve Kule ka marrë 1 840 430 lekë, ose rreth 18 mijë USD.
Pas goditjes nga Kryeministri, i cili qëndroi dukshëm pas pretendimeve te Irfan Hysenbelliut per marrjen e konviktit, Kule ka treguar pavarësi në vendimmarrje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës.

























Friday, April 18, 2014

KLSh-Kërkimi-shkencor

 

Edhe kërkimi shkencor është infektuar nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi.
Tirana Observer, 30 Qershor, 2013
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar një kallëzim në Prokurori për Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë  dhe Inovacionit, Ylli Pango. Sipas KLSH, dëmi ekonomik që zyrtari në fjalë i ka shkaktuar buxhetit të shtetit arrin shifrën prej 100 mijë dollar.

Sipas KLSH mësohet se gjatë auditit të kryer në këtë agjensi u konstatuan parregullsi dhe shkelje të legjislacionit.

“Nga auditimi në tre projekte në bashkëpunim me subjekte private, nga 50 të miratuara gjithsej, u zbuluan parregullsi dhe shkelje të ligjshmërisë, me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 10,724 mijë lekë.

Konkretisht:
a. Projekti “Model Kodi i prodhuesve të ujit”, vlera e dëmit 8,015,000 lekë
b. Projekti “Studimi kombëtar mbi delinkuencën”, vlera e dëmit 1,613,000 lekë
c. Projekti “Modeli parashikues për sezonin polenik të disa bimëve alergjizuese”, vlera e dëmit 1,098,000 lekë.

Parregullsi dhe mungesë e dokumentacionit justifikues në shpenzimet e kryera në valutë për udhëtime e dieta jashtë vendit. Mosmiratim i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Agjencisë. Për veprimet e kryera prej tij, me pasojë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit në vlerën 10,724,000 lekë dhe keqmenaxhim të thellë të Agjencisë, KLSH, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedures Penale ka bërë me dt. 3103.2013 kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të AKTI, Y. P., për konsumim të veprës penale “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.”, thekson padia e e KLSH.
Sipas saj, për përmirësimin e gjendjes dhe mënjanimin e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhmen, KLSH i ka rekomanduar Bordit Drejtues të AKTI-t 11 masa të karakterit organizativ, 4 masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar dhe 2 masa disiplinore, përkatësisht: “Shkarkim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm i AKTI Ylli Pango dhe “Largim nga Shërbimi Civil” për Drejtorin e Drejtorisë së Programeve Kombëtare në AKTI.
______________________________________________________________________________________