Showing posts with label KLSH. Show all posts
Showing posts with label KLSH. Show all posts

Wednesday, July 27, 2016

Shkarkohet kancelari i Universitetit te Korces

KORCE, Balkanweb, 26 Korrik 2016


Është shkarkuar nga detyra ditën e sotme kancelari i Universitetit “Fan Noli” në Korçë, pasi akuzohet për shpërdorim detyre.
Burime për “News 24” bëjnë me dije se shkarkimi i kancelarit ka ardhur pas dyshimeve për shkelje në 4 tendera.
“Ilir Sosoli ka kryer shkelje në tendera. Sosoli ka kryer shkelje në tenderin për rojet në universitet. Shkelja është zbuluar pas një kontrolli të një auditi. Ish-rektori Mero dhe 5 të tjerë kanë marrë vërejtje”, thonë burimet.
Sipas burimeve, Ministria e Arsimit ka marrë masa ndaj stafit të universitetit, pasi mendohet se shkeljet kapin shifra të larta në lekë.

Monday, September 15, 2014

Raporte të KLSH-ës për UBT dhe UPT

 

Raporte auditimi të KLSH në institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend për 2014

1. Auditimi i ushtruar ne Institutin e Shendetit Publik (Universiteti Mjekesor)

2. Auditim i ushtruar ne Universitetin Politeknik te Tiranes

3. Auditim i ushtruar ne Universitetin Bujqesor te Tiranes

4. Auditim i ushtruar ne Shkollen e Larte te Magjistratures (nuk eshte publikuar nga KLSH)

 

Nga Bardhi Sejdarasi, Java, 11.09.2014

Pronarët e rinj të Universiteteve të “vjetër”

 

Përdorimi i parave publike pa kriter dhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit; sa është dëmi që i bëhet arkës së shtetit, pse nuk penalizohen shkaktarët e dëmit? A është selektiv Bujar Leskaj në denoncimin e shkeljeve financiare të universiteteve? Çfarë fshihet pas raporteve të kontrollit ekonomik dhe financiar dhe pse “nuk iu hyn gjemb në këmbë” vjedhësve të parave publike. Janë plot 2,8 miliardë lekë të “vjedhur” vetëm në dy universitete, Universitetin Politeknik dhe Universitetin Bujqësor, Tiranë. Por kjo është vetëm “maja e ajzbergut”!

Në muajin Maj të këtij viti, në një investigim të bërë publik në mediat shqiptare u detyrova t’i bëj një “set” pyetjesh, Doktorit të Shkencave Ekonomike, z. Bujar Leskaj, aktualisht me detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pyetjet ishin konkrete dhe në dijeninë time institucioni që drejton z. Leskaj ishte duke hetuar për çështjet që e pyesja. Për ata që nuk e kanë kujtesën e fiksuar në atë që po shkruaj, po i sjell “copy-paste” pyetjet për z. Leskaj: 

1. A ka informacion z. Leskaj për dëmin që ka shkaktuar z. Jorgaq Kaçani, rektor i UPT në katin përdhes të BSHUPT? (kujtojmë se janë mbi 45 mijë tituj librash që i mungojnë inventarit të kësaj biblioteke- kontrolli i KLSH është bërë këtë pranverë!);

2. A ka informacion z. Lestkaj se, duke shkelur në mënyrë të përsëritur (prej vitit 2011) vendimet e Këshillit të Administrimit të UPT, z. Kaçani ka emëruar punonjës e ka ndarë tituj si ofiqe personale apo ndere, në kundërshtim me vendimet e Këshillit Administrativ, duke dëmtuar financiarisht arkën e shtetit dhe të institucionit (çdo titull i dhënë ka koston 10 mijë lekë/muaj më shumë në pagë!)

3. A ka identifikuar z.Leskaj ndonjë shkresë si psh. atë të drejtores së burimeve njerëzore, e cila paguhet sikur ka mbaruar doktoraturën, ndërsa doktoraturën nuk e ka mbaruar akoma. Ose më drejtpërdrejt; a e kanë parë inspektorët e Leskajt se vetëm dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit (FTI) nuk e ka respektuar një urdhër për të paguar të gjithë kandidatdoktorantët me pagën e atij që mbaron doktoraturën?! 

4. …

Nuk po i  rendis pyetjet e tjera, sepse nuk kanë lidhje me çështjen. Sidomos tani kur ka dalë dhe është bërë publik Buletini nr 1 dhe Buletini Nr 2 i KLSH që bën fjalë për veprimtarinë e KLSH për periudhën Janar-Qershor 2014. (Në fakt askush nuk e kupton se si të dy buletinet përfshijnë të dhëna të ngjashme, pra Buletini Nr 2 nuk i përket tremujorit të dytë, por 6-mujorit të parë?! Por të mos i japim rëndësi kësaj. Në raportin zyrtar, me të drejtë pritej që të kishte një përgjigje lidhur me shkeljet e evidentuara.

Z. Leskaj shkon më tej me hetimin e tij ekonomik e financiar. Të dhënat janë befasuese: bëhet fjalë për më shumë se 2,8 miliardë lekë që janë shpërdoruar në vetëm dy institucione të arsimit të lartë (IAL), pra në UPT dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës .

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kontrolluar në fushën e prokurimeve, ku vetëm në Universitetin Bujqësor janë gjetur më shumë se 35 milionë lekë shkelje, apo në fushën e shpenzimeve operative ku, në të dy universitetet që iu referohemi, janë gjetur po ashtu me shumë se 37 milionë lekë shkelje financiare. Shkelje të tjera të disiplinës financiare janë evidentuar edhe në shpërblimin pa të drejtë të punonjësve nga rektoratet, mosllogaritjen dhe mosderdhjen e kontributeve të taksës së punës, mosmbajtjen e TVSH-së për oponencën, pagesa pedagogësh pa miratim të MAS etj, etj.

Unë nuk mund të pranoj se vetëm këto janë “shkeljet” që gjen në këto universitete. Por gjithsesi ato janë shkeljet zyrtare, që tashmë janë raportuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe duhen pranuar si të tilla. Ajo që më bën përshtypje është qëndrimi penalizues i KLSH ndaj njërit IAL në raport me tjetrin. Psh, dëmet financiare të raportuara nga auditët e KLSH për Universitetin Bujqësor janë 1.775.000 plus 1.417.000 plus 5.421.000 plus 2.310.000 lekë, që do të thotë gjithsej 10.923.000 lekë. Ndërsa për Universitetin Politeknik të Tiranës vetëm zëri “shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara” është 11.471.000 lekë. Ose po t’i mbledhim të gjitha “dëmet” e UPT del se janë 11.471.000 plus 2.031.000 baras 13.502.000. Pra shumë më tepër se sa dëmi i Universitetit Bujqësor. Por vini re! KLSH bën katër kallzime penale për Universitetin Bujqësor (për dëmin prej 2.794.000 lekë) dhe ZERO kallzim penal për UPT. Nuk e gjen  shpjegimin e kësaj as në buletinin 49 faqesh të z. Leskaj! 

NË FUSHËN E SHPËRBLIMEVE:

Universitetin Bujqësor, Tiranë, në vlerën 1 417 000 lekë, si shpërblim i padrejtë nga administrata e Rektoratit të UBT për punonjësit e vet në dy raste (641 000 lekë në vitin 2012 dhe 776 000 lekë në vitin 2013), në kundërshtim me VKM nr. 418, datë 27.06.2012.

NË ZËRIN “TË TJERA”, SHKELJE TË DISIPLINËS FINANCIARE:

Universitetit Bujqësor, Tiranë, në vlerën prej 5 421 000 lekë, nga mosllogaritja dhe mosderdhja e kontributit të sigurimeve shoqërore deri në kufirin e lejuar për 88 punonjës të punësuar në dy vende pune (si diferencë e ndalesës së kryer pranë qendrës së parë të punës dhe kufirit maksimal).

SHKELJE TË DISIPLINËS FINANCIARE ME NDIKIM NEGATIV NË PERFOMANCËN  E SUBJEKTEVE TË AUDITUARA

•  Universitetin Politeknik, Tiranë, në vlerën 11 471 000 lekë, nga të cilat 4 922 000  lekë si pagesa pa miratim të MASH për pedagogë të brendshëm që japin mësim në ciklin e ulët, si dhe 6 549 000 lekë nga mosaplikimi i 20% tvsh për shpërblimet e dhëna për shërbimin e oponencës konform ligjit nr. 7928, dt 27.04.1995 “Për TVSH”, i ndryshuar.

•  Universitetin Bujqësor, Tiranë, në vlerën 2 310 000 lekë, si humbje financiare nga aktiviteti i prodhimit te mjaltit.

•  Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë nga të cilët në: Universitetin Bujqësor, Tiranë (dy) kallëzime penale

“Afendikonjtë”/pronarët e parave publike dhe kut-i i kallzimit të z.Leskajt

Nuk do të merrem më shumë me atë që thotë KLSH. Unë them se ka shumë më tepër shkelje në UPT, të cilat, me qëllim apo jo (nuk vë dorën në zjarr) audituesit e Leskajt nuk i kanë parë. Nuk mund të mos vihet re se si është “dorovitur”  çdokush që nuk i ka merituar paratë publike në UPT, ashtu sikundër nuk mund të mos kontrollohen financimet e buxhetit për kandidatdoktorantët apo për shtesën e ndërtesës së UPT apo edhe humbjet që ka sjellë titullari i këtij institucioni nga mosveprimi lidhur me “humbjen” e mbi 45 mijë titujve të librave në katin përdhes të BSHUPT, që janë kalbur që prej vitit 2008. Mjafton të lexosh për këtë edhe procesverbalin e mbajtur nga z. Edmond Stojku, Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Sanitar Shtetëror, kur në datën 30.06.2014 ka dërguar inspektorët e tij dhe ka lënë detyra konkrete aty ku audituesit e KLSH-së nuk kishin “parë gjë”. Dosja e BSHUPT do të publikohet e plotë, lidhur me këtë dëm financiar të shkaktuar, për të cilin nuk ka ende përgjegjës.

Por ajo që është më e rëndë, është pikërisht qëndrimi ndaj titullarëve të këtyre institucioneve publike të arsimit të lartë, që mund të bëjnë çfarë e si të duan me vlerat monetare në administrim. Po jo gjatë, besoj!

 

MAS apo KLSH?

Nisur nga informacionet e shumta për shkelje të natyrave të ndryshme, kreu i MAS, znj. Lindita Nikolla, reagoi shumë shpejt. Ajo nuk priti asnjë analizë të bërë nga KLSH. Grupet e auditit të MAS punuan paralel me KLSH. 

Nga informacionet e para jozyrtare që vijnë nga auditimi i universiteteve publike gjykoj se janë evidentuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh ligjore dhe ekonomiko-financiare, të cilat ua kalojnë “gjetjeve” të institucioneve të arsimit të lartë privat (IAL) 18 prej të cilave u penalizuan me heqje të licensës. Ndërsa janë ku e kun ë raport me shkeljet që ka gjetur Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sigurisht, ky kontroll i plotë ligjor dhe institucional i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ende nuk është “zbardhur” tërësisht, ndërsa vijon penalizimi i shkeljeve të vërejtura për Urdhrit Nr 106, datë 28.03.2014 “Për kryerjen e kontrollit për zbatimin e ligjshmërisë në institucionet publike dhe jopublike të arsimit të lartë”, urdhër, që për hir të së vërtetës, duhet pranuar se i “shkallmoi” tërësisht disa nga institucionet joperformante të arsimit të lartë, që vetëm emrin kishin të tillë. Në ditët që vijnë do të kemi mundësi të shohim edhe anën tjetër të “medaljes” atë që kanë shfaqur para këtij kontrolli të thellë të MAS, pikërisht IAL-të publike.

Pas tyre, raporti i paplotë dhe dukshëm i njëanshëm i Bujar Leskajt do të duket si një nga investigimet më të dobëta ekonomike-financiare të realizuara ndonjëherë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që nga krijimi i tij…

Monday, April 21, 2014

UT-konflikt-media

 Universiteti i Tiranës fiton betejën

Dokumente: Grumbull artikujsh të cituar

5 Dhjetor, 2013, Shqiptarja.com
Sipas Gazetës Shqiptarja.com “Ministri Arben Ahmetaj ka anuluar kontratën e lidhur në gusht të këtij viti nga qeveria Berisha në ikje, me të cilën i jepej një universiteti privat konvikti i Gjuhëve të Huaja në kryeqytet, duke ja hequr atë Universitetit të Tiranës.”

Dhori Kule, Rektori i UT në sulm frontal nga institucionet private

(nga Peshkupauje, 10 Korrik 2012, shkruar nga arsimi.info/bulkthi)
 
Kur rektori i Universitetit të Tiranës këmbënguli të merrte godinën e ish-konviktit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja, e cila i ishte premtuar për qira shkollës së lartë private “Universitetit Luarasi” nëpërmjet një procedure të dyshimtë tenderimi, ndaj rektorit filloi një sulm mediatik.
Shkolla e lartë private “Luarasi” është në pronësi të Focus Group (pronar të gazetës “Panorama“, portalit “BalkanWeb” dhe kanalit televiziv “News24”). Edhe biznesi i arsimit në Shqipëri ndjek gjurmët historike të sipërmarrësve shqiptarë, ku cdo biznes duhet të ketë median e tij për të mbrojtur dhe nxitur investimet. Universiteti Europian i Tiranës ka gazetën “MAPO”, shkolla e lartë private “Kristal” ka televizionin “Planetar”, Albanian University= UTV, “Vitrina” ka nxjerrë një pacavure rrugëve falas “77” etj.

Më poshtë paraqitet konflikti ndërmjet Dhori Kules dhe mediave.

1. Kule, i rrahur me sulmet e tërthorta ndaj qeverisë, jo gjithmonë për interes personal, por kryesisht po, nisi një konflikt me Focus Group duke u prishur pazarin, sic raporton gazeta Shqiptarja.com.
“Universiteti i Tiranës i ka dërguar një shkresë zyrtare kryeministrit Berisha, që t'i kalojë nën administrim godinën e konviktit të Gjuhëve të Huaja. Senati vendosi t'i drejtohet kreut të qeverisë, pasi vetë bashkia u ka dhënë një përgjigje negative për këtë kërkesë, ndërkohë që ka nisur procedurat për t'ia dhënë me qira universitetit privat "Luarasi".”

2. Focus Group u hodh në sulm duke akuzuar Kulen se kishte mashtruar pedagogët e fakultetit të gjuhës angleze, të cilët do të transferoheshin. Ky ishte faktikisht një konflikt i hershëm i rektoratit me dekanatin e fakultetit, ku edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ishte shprehur:

Gazeta Panorama: “Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, mashtron publikisht lidhur me propozimin e tij, për të shkurtuar 28 pedagogë të Fakultetit të Gjuhës Anglezë dhe transferimin e tyre pranë 7 Fakulteteve të tjera me qëllim shkatërrimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ndërsa, Kule deklaron se në këtë Fakultet do të shtohen pedagogët, dekania Klodeta Dibra ka në duar të saj vendimin për shkurtimin e stafit.”

3. Dhori Kule u bë më pas edhe shënjestër e sulmeve të opozitës, të cilët gjatë zgjedhjeve të rektoratit kishin synuar vendin e rektorit nëpërmjet Mimoza Hafizit.

“Largimi i 28 pedagogëve nga Departamenti i Gjuhës Angleze përbën shkelje të ligjit për arsimin e lartë. Dje, në Komisionin e Medias dhe Edukimit, vendimi i propozuar nga rektori Dhori Kule është shoqëruar me akuza të forta nga deputetët e opozitës.”

4. Pas problematikave me maturën shtetërore Dhori Kule hap një front tjetër sulmi dhe lëshon një batare ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës duke iu përgjigjur kështu elektoratit të tij. Ai kërkon që provimet e pranimit të studentëve të kryhen pranë universiteteve. Matura shtetërore është vendosur në 2006 për të organizuar pranimin e studentëve në programet përkatëse të studimit. Më parë sistemi i shpërndarjes organizohej nga universitetet që kryenin provime hyrëse sipas profilit. Procesi karakterizohej nga korrupsioni i pamatë, shitje tezash dhe kërkesa deri në 20 000 $ për pranim në Fakultetin e Mjekësisë.

“Matura Shtetërore ka dështuar plotësisht ndaj nevojiten modele si ato të universiteteve evropiane. Ky është qëndrimi i shkollave të larta publike, veçanërisht pas skandalit të daljes së tezes së provimeve me zgjedhje. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke përjashtuar rikthimin e konkurseve, i kërkon Ministrit të Arsimit aplikimin e modeleve të reja për pranimet në universitete. Sipas Kules provimet e Maturës duhet të jenë si vite më parë, kusht për të marrë shkollën e mesme, raporton Vizion Plus.”

5. Dhori Kule sulmohet më pas edhe nga Ndricim Kulla në gazetën “Panorama”.
“Atëherë kemi gjithë të drejtën të pyesim: po cilat janë vallë kredencialet akademike të zotit Kule? Mos vallë koniunkturat?! Profili i tij në vite ravijëzon një rektor më se partiak, në një kohë që rektori i Universitetit të Tiranës duhej të ishe një njeri i depolitizuar dhe me një aktivitet të qartë akademik. Historia e tij është pothuajse partiake, ish-anëtar i Partisë së Punës, drejtues i lartë i Partisë Social-Demokrate dhe tani pjesëmarrës në strukturat e larta të PD-së. Pra, nga një parti në tjetrën në kërkim të postit, dhe jo të ngjitjes dhe kultivimit akademik.”

6. Dhori Kule sulmohet edhe për administrimin e financave të universitetit. Këtë radhë publikohet një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për keqmenaxhim të fondeve të universitetit, për të cilin Kule shprehet se nuk është në dijeni. Në fakt UT nuk ka bërë asnjëherë transparente përdorimin e të ardhurave nga studentët, për të cilat është i detyruar me ligj. Grupimet e studentëve nuk i kërkojnë ose nuk i dëgjon kush në pretendimet e tyre. Gjithsesi me poshtë sulmi nga "Gazeta Jone"

“Bëhen komente në emër të një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Unë nuk kam parë asnjë prononcim deri tani që ky institucion të jetë shprehur, për ndonjë lloj qëndrimi, për ndonjë lloj akuze. Kontrollet nuk janë kontrollet për rektorin, raporti i KLSH-së nuk bën fajtor Dhori Kulen për asgjë dhe këto janë vetëm shpifje”,- u shpreh sot rektori Kule.

Gazeta me tej pretendon se: ”Në këtë dokument zyrtar të KLSH-së të hartuar nga përfaqësuesit e autorizuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zbulohen abuzimet e Universitetit të Tiranës të përfaqësuar nga Dhori Kule, me tenderat [… ,] abuzimet me shitjen e karburantit, […] vjedhjen e fondeve me blerjet e makinave të përdorura, ku vetëm një makinë e përdorur është blerë me shumën reth 30 mijë euro.”

7. Mero Baze merr nje tjeter kthese ne kete diskutim dhe e sheh kete konflikt ndermjet Kules dhe Focus Group si nje lufte ndermjet Klan dhe Focus Group, apo me gjere, ndermjet Klan dhe cdo sipermarresi konkurrent ne plackitjen e te mires publike ku qeveria eshte e pafuqishme te krijoje balanca ne orekset e tyre.

Mero Baze: Anulimi i vendimit në kushte të tjera duhej përshëndetur, por në këto rrethana është një lajm tjetër i keq i pafuqisë që ka qeveria për të kundërshtuar tashmë orekset e klientëve të saj në biznes. Historia është e thjeshtë. Kundër këtij vendimi, i cili po bëhej realitet, u ngrit grupi mediatik Klan, biles më saktë sponsori në hije i këtij grupi, biznesmeni Samir Mane, i cili nuk e pranonte dot që përveç tij dhe bizneseve të tij, Berisha të fuste në oborr dhe një klient tjetër. Profili i Hysenbelliut në raport me grupin Klan, pas të cilit qëndron Mane, natyrisht që është më larg Berishës.

8. Dhori pergjigjet se ky eshte nje sulm nga Irfan Hysenbelliu dhe se raporti i KLSH-es nuk e ben ate pergjegjes direkt. Ai kerkon nga Kontrolli i Larte i Shtetit te mbaj qendrim ne lidhje me akuzat e leshuara ne media ndaj personit te tij. Eshte interesante se ku jane gjetur keto raporte te KLSH-s kur dihet se ato nuk publikohen, por mbahen te kycyra si nga KLSH-ja qe i perdor per shantazh dhe zhvatje parash, edhe nga institucionet e prekura.

Dhori: ”I gjithë problemi është i një biznesmeni Irfan Hysenbelliu. Unë i kam thënë gjatë takimit me të që kjo godinë ishte kërkuar prej nesh, pasi më herët më kishin thënë që ka pak nxënës dhe e kam bërë një kërkesë verbale në Bashki. Unë e kam marrë vesh nga media që po ndodh procesi i privatizimit, më pas i bëmë një kërkesë Kryeministrit që godinën ta marrë UT.”

9. Panorama permbledh burimet e te ardhurave te Dhori Kules duke e gjetur ate ne 7 borde, prej te cilave ai perfiton thuajse tre-fishin e rroges se vete si rektor. Nuk ngrihet asnje aludim ndaj ngarkeses se tij mesimore (me thuajse 800 000 leke ne vit, dicka tek 150 ore mesimore - ku jane?), por hidhen dyshime mbi aftesite e tij dhe kohen per t'u angazhuar me detyrat e percaktuara ne borde. Gjithashtu Panorama boton edhe deklarimin e pasurise se rektorit dhe te gjithe listen e pasurive te patundshme (asnjehere ndodhur kjo gje me pare, as me politikane!).

Panorama: Dhori Kule duhet të hyjë në rekordet “Guiness” të aftësive. Gazeta zbardh sot deklaratat e pasurisë së rektorit të Universitetit të Tiranës dhe zbulon se Kule, krahas pagës si rektor dhe pedagog, paguhet nga paratë e qytetarëve shqiptarë si anëtar në shtatë borde. Nuk janë pak. Vetëm në deklaratën e vitit 2012, nga pagesat e bordeve Kule ka marrë 1 840 430 lekë, ose rreth 18 mijë USD.
Pas goditjes nga Kryeministri, i cili qëndroi dukshëm pas pretendimeve te Irfan Hysenbelliut per marrjen e konviktit, Kule ka treguar pavarësi në vendimmarrje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës.

























Friday, April 18, 2014

KLSh-Kërkimi-shkencor

 

Edhe kërkimi shkencor është infektuar nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi.
Tirana Observer, 30 Qershor, 2013
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar një kallëzim në Prokurori për Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë  dhe Inovacionit, Ylli Pango. Sipas KLSH, dëmi ekonomik që zyrtari në fjalë i ka shkaktuar buxhetit të shtetit arrin shifrën prej 100 mijë dollar.

Sipas KLSH mësohet se gjatë auditit të kryer në këtë agjensi u konstatuan parregullsi dhe shkelje të legjislacionit.

“Nga auditimi në tre projekte në bashkëpunim me subjekte private, nga 50 të miratuara gjithsej, u zbuluan parregullsi dhe shkelje të ligjshmërisë, me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 10,724 mijë lekë.

Konkretisht:
a. Projekti “Model Kodi i prodhuesve të ujit”, vlera e dëmit 8,015,000 lekë
b. Projekti “Studimi kombëtar mbi delinkuencën”, vlera e dëmit 1,613,000 lekë
c. Projekti “Modeli parashikues për sezonin polenik të disa bimëve alergjizuese”, vlera e dëmit 1,098,000 lekë.

Parregullsi dhe mungesë e dokumentacionit justifikues në shpenzimet e kryera në valutë për udhëtime e dieta jashtë vendit. Mosmiratim i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Agjencisë. Për veprimet e kryera prej tij, me pasojë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit në vlerën 10,724,000 lekë dhe keqmenaxhim të thellë të Agjencisë, KLSH, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedures Penale ka bërë me dt. 3103.2013 kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të AKTI, Y. P., për konsumim të veprës penale “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.”, thekson padia e e KLSH.
Sipas saj, për përmirësimin e gjendjes dhe mënjanimin e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhmen, KLSH i ka rekomanduar Bordit Drejtues të AKTI-t 11 masa të karakterit organizativ, 4 masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar dhe 2 masa disiplinore, përkatësisht: “Shkarkim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm i AKTI Ylli Pango dhe “Largim nga Shërbimi Civil” për Drejtorin e Drejtorisë së Programeve Kombëtare në AKTI.
______________________________________________________________________________________