Tuesday, April 15, 2014

Reagime-UT-reforma-Tafaj

reforma

Kritikat ndaj reformës së shpallur nga ministri Tafaj erdhën kryesisht nga eksponentë të administratës qendrore në universitetet publike. Reforma u përkrah heshtazi nga arsimi privat me shpresën se ajo do të sillte konkurrëncën e munguar. Ndërsa kundërshtuesi kryesor ishte rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Fillimisht reforma ishte perceptuar si e nevojshme. Madje Rektori i UT-se, i kishte drejtuar një letër të hapur kryeministrit në 19 Nëntor 2009, fill pas zgjedhjeve, për reformën në arsimin e lartë, të botuar në Gazetën Shekulli, me temë “Një apel publik për arsimin e lartë”. Në këtë letër ndër të tjera Dhori bën thirrje për standarde të reja (edhe përse pas standardeve refuzoi të akreditohej); bën thirrje për renditjen e universiteteve (rankimin, edhe përse më pas refuzon të marrë pjesë), futjen e mekanizmave të tregut në sistemin e arsimit të lartë dhe trajtimin e barabarte ndërmjet arsimit privat dhe publik, etj.


Apel publik për arsimin e lartë u hartua nga Dhori Kule, Agim Kukeli (ish-rektori i Universitetit të Durrësit, më pas eksponent kryesor i reformës, dhe Ardian Civici, pjesëmarrës në grupin e punës së reformës, por i heshtur).
I. Domosdoshmëria e modernizimit dhe reformimit të sistemit të arsimit universitar në ShqipëriSistemi universitar shqiptar po përballet aktualisht me sfida të shumta. Përballë tij qëndrojnë objektiva dhe detyrime jetike për vetë të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ky sistem duhet të jetë në gjendje të absorbojë kërkesat masive gjithnjë e në rritje për të ndjekur universitetin; duhet të përballojë sfidën e modernizimit dhe përmirësimit cilësor; duhet të gjejë ekuilibrin e nevojshëm dhe vendosur barazinë e reciprocitetin ndërmjet sistemit universitar publik e atij jopublik; duhet të gjejë rrugë e mundësi të reja për të gjeneruar e tërhequr financimet e domosdoshme; duhet të jetë i hapur dhe në dispozicion të një vlerësimi ndërkombëtar e sipas kritereve ndërkombëtare për cilësinë e ofertës së tij; duhet të jetë sa më atraktiv për burimet njerëzore cilësore e të motivuara në sferën akademike; duhet të ketë një shkallë sa më të lartë të autonomisë së funksionimit dhe drejtimit në të gjitha sferat e aktivitetit të tij; duhet të mbyllë ciklin e zbatimit të "Kartës së Bolonjës" dhe të jetë sa më i integruar me gjithë sistemin universitar evropian e atë ndërkombëtar, etj.

A. STANDARDE TË CILËSISË SË UNIVERSITEVE DHE RENDITJE E DIPLOMAVE:Është jetike dhe urgjente të kryhet një proces i vlerësimit të jashtëm, ose ai që njihet ndryshe si "RENDITJE - RANKING". … Ky proces duhet të jetë i besueshëm, i paanshëm, i realizuar nëpërmjet një agjencie apo institucioni të specializuar ndërkombëtar, me qëllim vlerësimin dhe klasifikimin e të gjithë universiteteve shqiptare publike dhe jopublike, në përputhje me kritere e standarde sa më afër atyre më cilësore ndërkombëtare. E gjithë kjo do ta bënte më të qartë vlerën dhe cilësinë e çdo universiteti dhe diplome në
Shqipëri, do t'i orientonte më drejt studentët dhe prindërit në përzgjedhjen e tyre, do t'i jepte më shumë mundësi tregut të punës në seleksionimet e tij; do të orientonte më mirë politikat publike për zhvillimin e arsimit të lartë; do t'i jepte më shumë mundësi alokimit cilësor të investimeve e projekteve të zhvillimit në drejtim të universiteteve; do të diferenconte më qartë vlerën dhe përmbajtjen e çdo diplome universitare në Shqipëri. … Kjo transparencë dhe ky vlerësim do ta garantonte shpejt shoqërinë mbi atë se çfarë po ndodh në sistemin tonë universitar, pas këtij zgjerimi të shpejtë në sasi dhe shtimit të numrit të universiteteve dhe shkollave të larta.
B. AUTONOMI REALE DHE VETËMENAXHIM PËR UNIVERSITETIN PUBLIK:Universiteti publik, stafet akademike kanë nevojë për autonomi reale dhe substanciale, kanë nevojë për hapësira vetëmenaxhimi për të motivuar stafet, për të çliruar energjitë dhe potencialet e pedagogëve dhe studentëve. .. Niveli i autonomisë financiare është ende shumë larg, ndaj ka nevojë urgjente që universitetet publike të menaxhohen përmes mekanizmash bashkëkohorë, duke i dhënë hapësirën më të madhe të mundshme dhe lirinë stafeve akademike dhe drejtuese të universitetit publik, në mënyrë që këta të përcaktojnë vetë kuotat, tarifat, investimet për kërkimin shkencor, duke futur sa më shumë të ishte e mundur në universitetet publike mekanizmat e tregut, të cilat e kanë provuar epërsinë e tyre në të gjithë sektorët dhe po ashtu në sistemet universitare më të avancuara në botë.
C. KRIJIMI I KUSHTEVE TË BARABARTA PËR KONKURENCË PËR UNIVERSITETET PRIVATE:Vendosja në kushte të barabarta e të gjithë universiteteve shqiptare, qofshin këto publike ose jopublike, në raport me të gjitha standardet cilësore dhe kërkesat e legjislacionit shqiptar që mbulon fushën përkatëse dhe në mënyrë të veçantë, trajtimi e vlerësimi i të gjithë universiteteve si "të mira publike" me interes të lartë kombëtar, pa i diferencuar ato thjesht nga forma e pronësisë apo financimit. … Të gjithë universitetet, publike dhe jopublike, duhet të jenë në kushte të barabarta për të fituar studentin, pa u diskriminuar, si ka ndodhur deri tani, duke filluar nga elementi "çmim i studimeve". .. Ky mekanizëm konkurrues do ta bëjë universitetin shqiptar në tërësi që të rrisë shpejt cilësinë dhe të reagojë shumë më shpejt ndaj kërkesave të tregut. Heqja e TVSH-së në arsimin jopublik; pjesëmarrja publike në projekte e financime në përputhje me strategjinë dhe objektivat e integrimit dhe zhvillimit të vendit edhe në sektorin universitar jopublik; rritja e autonomisë vendimmarrëse financiare të universiteteve publike dhe krijimi i çdo hapësire të mundshme ligjore për sigurimin e të ardhurave suplementare dhe tërheqjen e financimeve të ndryshme nga ana e tyre, etj.  .. Kjo kërkon nga universitetet private ushtrimin e përgjegjësive shoqërore, si dhënia e bursave, mbështetja e kërkimit shkencor dhe në këtë drejtim mund të inkurajohet shndërrimi i këtyre institucioneve drejt formave juridike "jofitimprurëse", si një nga mënyrat më të mira për të realizuar funksionin publik të këtyre institucioneve.
D. RIKONCEPTIM THELBËSOR I MËNYRËS SË FINANCIMIT TË ARSIMIT TË LARTË DHE ROLIT TË SHTETIT:Jo thjesht duhet të rritet investimi publik në arsim, por duhet të ndryshojë mënyra e shpenzimit të parave publike në sistemin e arsimit të lartë. … Rikonceptim dhe reformim thelbësor i mënyrës dhe logjikës së financimit të universiteteve, duke kaluar nga koncepti dhe praktikat e financimit plotësisht dhe vetëm të ofertës (d.m.th., universiteteve publike), në konceptet dhe praktikat e financimit dhe të kërkesës, pra studentëve, pa dallim nëse ata janë përdorues të shërbimit publik apo jopublik të arsimit të lartë. .. Do të jenë studentët ata që duke zgjedhur fakultetet dhe universitetet, do të bëhen faktorë nxitës e seleksionues për rritjen e cilësisë dhe standardeve të ofertës universitare. … Vendosja e një "çmimi" të drejtë dhe të arsyeshëm për studimet e larta universitare, në mënyrë që të shtohet sensi i përgjegjësisë individuale, familjare e kolektive ndaj arsimit të lartë universitar; në mënyrë që nga të gjithë, formimi universitar të konceptohet e pranohet si një investim cilësor në rritjen e aftësive profesionale dhe futje më e shpejtë e më cilësore në tregun e punës.
II. ADRESIMI I ELEMENTEVE SPECIFIKE TË ARSIMIT TË LARTË:Shoqëria, përmes qeverisë, duhet të vijojë të mbajë shumë përgjegjësi në arsimin e lartë, në funksion të elementëve specifike që ka ky sektor, si aksesi në arsimin e lartë i shtresave sociale, ruajtja - profilizimi- konsolidimi i universiteteve rajonale si faktorë të zhvillimit rajonal, mbështetja publike për degë me rëndësi strategjike apo degëve dhe profesioneve që kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit, por që nuk janë fort të preferuara për studentët. … Ndaj, ka nevojë për rikonceptim të rolit dhe mbështetjes publike ndaj universiteteve, duke i dhënë prioritet mbështetjes me bursa, apo financime të llojeve të tjera, të studentëve të ekselencës dhe përgjithësisht ata me rezultate shumë të mira; studentëve me nevoja të evidentueshme sociale; studentë që vijnë nga grupe sociale të margjinalizuara; studentëve që ndjekin degë e specializime me interes kolektiv; studentëve që zgjedhin degë të domosdoshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik e social të vendit, por që nuk janë të privilegjuara nga tregu për momentin; studentë me talente të veçanta, etj. .. Mbështetje të veçantë publike të duhet të kenë edhe ato departamente e fakultete që janë lider në adoptimin e inovacioneve akademike e shkencore, që përhapin teknikat dhe teknologjitë e reja në të gjitha fushat; që janë të lidhura e kanë ndikim të dukshëm në zhvillimin e biznesit, prodhimin e dijeve të reja bashkëkohore, që konsiderohen degë strategjike e me rëndësi kombëtare, etj.
Në këtë kuadër, duhet të studiohet mundësia që universitetet rajonale të orientohen e specializohen më mirë, në funksion të kërkesave rajonale, duke krijuar pole specifike kompetencash në fushat më me interes të rajoneve ku ato janë vendosur apo do të vendosen në të ardhmen. (Shekulli, 19 Nëntor, 2009).

Universiteti i Tiranës – Rektori Dhori Kule nuk humbi asnjë cast të kundërshtojë reformën edhe përse pak e kishte kuptuar atë. Takimet e konsulentëve të huaj me të nuk arritën ta bindin atë të merrte pjesë aktive në hartimin e planit të reformës.
Në gazetën Start u botuan disa prej kritikave të tij “Universiteti Publik kundër skemës së financimit të MASH” (5 Tetor 2011).
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, thekson se arsimi i lartë në Shqipëri ka të nevojshme ndërmarrjen e reformave që prekin funksione të ndryshme të tij, veçanërisht skema e financimit. Në kërkesën drejtuar kreut të MASH, Myqerem Tafaj, parashtrohen 11 kërkesa në formë pyetjeje për sqarim të projektit në fjalë.
1. Materiali për Reformën Financiare në Arsimin e Lartë është dërguar si një material i pashoqëruar me informacion shtesë për identifikimin e autorëve të tij. Për të bërë një vlerësim më të mirë të tij, për të kuptuar më mirë idetë dhe sugjerimet e tij duhet të shoqërohet edhe me përbërjen e grupit të punës që ka përgatitur këtë draft, CV-të e tyre për të parë edhe eksperiencën e anëtarëve të këtij grupi.
Kjo është shumë e rëndësishme në rastin e një dokumenti kaq të rëndësishëm, për të kuptuar besueshmërinë e rrugës që propozohet për reformën e pretenduar të financimit të arsimit të lartë.
2. Në draft përmendet prezenca e konsulencës së huaj. A mund të bëhet publik një shkrim  apo opinioni i tyre ne lidhje me materialin për strategjinë e Financimit? Mendimi vlerësues dhe oponenca e konsulentëve të huaj do të ishte me vlerë për të kuptuar më mirë idetë dhe për të sqaruar mbase edhe shumë gjëra të paqarta në material.
3. Në material nuk gjendet ndonjë vlerësim i situatës aktuale të arsimit në Shqipëri në lidhje me financimin. Prandaj shtrohet pyetja: A është bërë ndonjë studim i kushteve aktuale të skemës së financimit të universiteteve, dhe cilat kanë qënë rezultatet e kësaj analize? A mbështesin këto rezultate konkluzionin e ndryshimit të skemës së financimit dhe vendosjen e kësaj skeme të re të propozuar në këtë material dhe pikërisht në këtë periudhë? Në gjykimin tonë ështe shumë e rëndësishme kryerja e një vlerësimi dhe studimi të tillë, është thelbësore për këtë reformë që kërkohet të bëhet.
4. A mendohet se në nivelin aktual kulturor, menaxherial dhe social në Shqipëri kjo skemë që propozohet do të ketë sukses dhe ku bazohet konkluzioni? Pra, a është bërë një studim i nivelit menaxherial, kulturor, dhe social aktual në Shqipëri për të përcaktuar nëse e suporton këtë reformë dhe periudhën se kur mund ta suportojë?
5. Në draft përmenden se janë marrë mendimet edhe të aktorëve lokalë të interesuar. Cilët janë aktorët e përfshirë në dhënien e këtyre mendimeve? A ka patur mendime të kundërta dhe cilat janë argumentet e hedhjes poshtë të këtyre mendimeve të kundërta?
6. A është bazuar studimi i paraqitur në eksperiencën e ndonjë vendi? A është ky vend europian apo ndonjë tjetër? Nëse po, a është bërë në atë vend një analizë e rezultateve të  kësaj skeme, anëve pozitive dhe negative dhe a janë marrë parasysh këto rezultate në draftin e paraqitur? A janë marrë parasysh në këtë skemë politika e deri tanishme në zhvillimin e arsimit të lartë? A është marrë parasysh synimi për tu integruar në BE dhe Karta e Bolonjës?
7. Modeli i zgjedhur në këtë material për financimin e IAL është ai që ndjek "studentin". Cilat janë modelet e tjera me të cilat grupi hartues i materialit është konsultuar dhe përse u zgjodh pikërisht ky model (a ishte më i suksesshmi; ai ishte më i përshtatshmi për kushtet e vendit tonë; a është më i mundshmi për tu zbatuar aktualisht? Pra cilat janë argumentet pro dhe kundër të përdorura nga hartuesit e këtij materiali të zgjedhjes së këtij modeli?
8. Në draft paraqitet se skema e re e financimit të Universiteteve bazohet në performancën e tyre, por në fakt kjo performancë në këtë material zhvillohet vetëm në bazë të numrit të studentëve dhe jo në treguesit e tjerë cilësorë të kësaj performance. A është e saktë të bazohet vetëm në performancën sasiore? Po performanca cilësore, cilësia e stafit, cilësia e studentëve dhe cilësia e kërkimit shkencor duhet të përfshihen nëse skema është bazuar tek performanca?
9. A është kjo skemë e njëjtë me sistemin Voucher të finacimit pa dallim institucioni publik apo privat?
10. Në material flitet mbi Fondin e Zhvillimit Strategjik, për të ndihmuar universitetet në zhvillimin e proçesit të ri të qeverisjes dhe të menaxhimit të tyre. Si do të përcaktohet shuma e grantit për çdo universitet?
11. Në material flitet për operimin e universiteteve private si një organizate jofitimprurëse. Edhe në këtë çështje lindin një sërë pikëpyetjesh të tipit: sa e kontrollueshme është nga ana e shtetit që këto universitete kanë këtë status, pra të organizatës jofitimprurëse? Si do të ishte ky kontroll kur praktika aktuale e pranuar nga vetë ky material ka treguar se deri tani shteti nuk ka arritur të bëje kontrollin dhe monitorimin e universiteteve private?
Pyetje Teknike rreth Skemës së Financimit1. Cilësia e studentit, “Performanca në Maturën Shtetërore”, a do të jetë kriter nëse institucioni ku studenti do të studiojë, do të përfitojë nga skema e re e financimit?
2. Cila do të jetë metodologjia që do të përdoret për të përcaktuar koston e studentëve për çdo Universitet Publik?
3. Në skemën e re të Financimit, parashikohet që Universitetet Publike nuk mund të rekrutojnë studentë mbi kuotën e përcaktuar nga Ministria e Arsimit për të cilët do të merret financimi nga skema e re, ndërsa Universitetet Private mund të regjistrojnë studentë mbi kuotat e përcaktuara nga Ministria pa limit. A nuk vë kjo në pikëpyetje vetë filozofinë që kjo skemë kërkon të promovojë, “Barazi midis institucioneve të Arsimit të Lartë dhe konkurencë të drejtë” ?
4. Në material përmendet se Universitetet Publike mund të rekrutojnë deri në 10% shtesë të studentëve me kosto të plotë mbi kuotat e përcaktuara për secilën degë.  Ky kufi prej 10% do të përfshijë të gjithë studentët Part- Time. Ky numër në bazë të kësaj skeme, është disa herë më i vogël se numri aktual i studentëve që regjistrohen në Universitetet Publike. Kjo formulë, a nuk vë në pikëpyetje funksionimin e sistemit Part-Time për shkak të numrit të kufizuar të studentëve që mund të regjistrohen në Universitetet Publike? Universiteteve Private i krijohet mundësia e lirë për të rekrutuar studentë të sistemit Part- Time pa limit. A nuk është kjo përsëri shkelje e parimit të barazisë ku bazohet filozofia e skemës së re të Financimit?
5. Në skemën e re të propozuar dhe me kufizimet që kjo i sjell Universiteteve Publike, a ka parashikuar ministria se cili do të jetë efekti  mbi të ardhurat dytësore të Universiteteve Publike nga kjo skemë?
6. Në draft paraqitet fakti që edhe Institucionet jo publike nëse do të kenë statusin e institucionit jo-fitimprurës, do të trajtohen në financim njëlloj si edhe universitetet publike. Por nuk tregohet se si do të jetë ky status, bazuar në cilin ligj do të ndërtohet ky status? Po ashtu se si do te mbrohen universitetet publike nga konkurrenca e universiteteve OJF me ndihmë publike, kur dihet se duke qënë se do të kenë edhe studente me kuota të larta - do të kenë mundësi t’u ofrojnë stafit pedagogjik paga shumë më të larta se atij në universitete publike? A parashikohet në reforme rritja e pagave në sektorin e universiteteve publike? Cilat do të ishin mekanizmat që do të sigurojnë  kontrollin dhe monitorimin e këtyre universiteteve OJF me financim publik?
7. Materiali parashikon që shumë nga hapat e tij të fillojnë në vitin 2012 dhe të përfundojë e gjithë reforma në vitin 2013. Mos është shumë i shpejtuar ky afat kur ende nuk janë bërë studimet dhe vlerësimet e efekteve të reformës me të fundit në arsim. Mos po ecet me shumë nxitim? Arsimi i lartë ka patur një reformë të shpallur nga MASH para pak vitesh, dhe ende nuk ka një studim dhe vlerësim të kësaj reforme në lidhje me efektet, anët pozitive dhe negative të saj. Mos kjo shpejtësi e çorodit reformën në Arsimin e Lartë dhe palët e interesuara nuk arrijnë të vendosin një rregullim kur u kërkohet të bëhet një tjetër? Ne do të sillnim një eksperiencë në fushën e rregullimeve të kontabilitetit. P.sh: Kur bëhet një rregullim apo një standard i ri ndërkombëtar i Kontabilitetit kërkohet që të ndiqet një proçes i detyrueshëm (due process)  i cili zgjat të paktën 18 muaj, gjatë të cilit hidhen në diskutim projekt-idetë, mblidhen komentet, përpunohen, hidhen përsëri idetë në diskutim, grumbullohen komente, përpunohen dhe hartohet një draft standard, grumbullohen komentet, përpunohen përsëri dhe hidhet për diskutim dhe vetëm pas grumbullimit të ideve bëhet dhe hartimi i standardit përfundimtar. Po ashtu parashikohet që standardi i ri hyn në fuqi zakonisht jo më parë se 2 vjet nga data e daljes së standardit të ri. Dhe kjo bëhet që zbatuesit të njohin fillimisht standardin dhe pastaj ta zbatojnë atë me sukses.
8. A mos është shpejtë fillimi i kësaj reforme kur ende nuk janë hartuar dhe kur duhet kohë që të hartohen një sërë proçedurash rigoroze dhe shumë të rëndësishme në lidhje me administrimin dhe kontrollin e dhënies dhe përdorimit të fondeve universiteteve? Për më tepër këto proçedura duhet edhe të diskutohen me palët e interesuara dhe specialistët përkatës?
9. Përmendet që metoda e re e financimit të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2012, mbi cilat kritere do fillojë aplikimi i kësaj skeme për Universitetet Private ndërkohë që në material pranohet që proçesi i akreditimit nuk ka qënë rigoroz dhe strikt dhe se Universitetet Private kanë funksionuar mbi baza ligjore jo të qarta dhe të kuptueshme?
10. Në material përmendet që pjesë e buxhetit total për skemën e re të Financimit do të jetë: Fondi për zhvillimin strategjik, Fondi për kërkim dhe zhvillim akademik, Fondi për koston e Bursave dhe Fondi për skemën e huasë studentore. A mund të na jepni disa të dhëna të qarta se sa përqind (%) e buxhetit do t’i dedikohet këtyre zërave?
11. Për të patur një panoramë më të qartë të kapaciteteve financiare që ka Ministria e Arsimit dhe të atyre që kanë Universitetet Publike, është e domosdoshme që MASH të publikojë një analizë sasiore të skemës së re të propozuar. Gjithashtu të paraqiten skenarët optimistë dhe pesimistë të implementimit të kësaj skeme. (Start, 5 Tetor, 2011)


Përgjigjja e rektorit ishte shumë e vakët dhe aspak mirë e argumentuar. Rektori i UT nuk shpalos ndonjë plan alternativë për reformën. Universiteti më i madh i Shqipërisë nuk ishte në gjendje të hartonte një dokument strategjik për reformën financiare. Përgjigjja e tyre është një replikë, ngre pikëpyejte dhe aspak konstruktive. Ajo e përqëndroi vëmendjen tek personat që mund të kishin ndikuar dhe jo tek argumentet. Përfundimisht përgjigjja e Universitetit të Tiranës, me thuajse një vit vonesë nga shpallja, nuk përmban një analizë financiare mbi zbatueshmërinë, pasojat apo përfitimet e reformës dhe për rrjedhojë nuk ishte një kontribut i vlefshëm për ata që duhet sërish të merreshin me të.




0 comments:

Post a Comment