Monday, April 14, 2014

UT-pakënaqësi


Akuza për keqmenaxhim ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kules 



 Shefi i Departamentit te Shkencave Politike, Dr. Hysamedin Feraj, i cili njihet ne rrethet akademike per tezat provokuese kombetariste e qasjet post-modernise, eshte edhe nje sfidues i shquar i autoriteteve drejtuese te Universitetit te Tiranes.

Ne esene e meposhtme Dr. Feraj shpreh pakenaqesine ndaj menyres se menaxhimit se Universitetit te Tiranes nga rektori Prof. Dr. Dhori Kule. Perqendrimi i autoritetit tek rektori, sipas tij, ka sjelle probleme me komunikimin vertikal, tejkalim kompetencash dhe coroditje ne zbatimin e ligjit dhe te statuti te universitetit. Shkrimi nuk permban fakte konkrete por prek ne pergjithesi disa prej problematikave si mospagimi i rrogave te personelit me kohe te pjesshme dhe nderhyrja e autoritetit te rektorit ne emerimet e departamenteve, Nga shkrimi percillet ideja se keto probleme nuk jane sistemike apo organizative (p.sh. kuadri ligjor, statuti i universitetit dhe sistemi organizativ i UT-es) por se shkaktar eshte personaliteti i rektorit Kule, i cili e ka shnderruar universitetin ne nje instrument te pazareve politike nga ku rektori Kule perfiton ne cdo aleance.

Shkrimi eshte botuar ne gazeten Panorama. Rektori Kule para nje viti ishte serish ne tabelen e qitjes se gazetes Panorama (nen pronesine e Irfan Hysenbelliut). Por atehere ai ishte per ceshtjen e godines se ish-konviktit te Shkolles se Mesme te Gjuheve te Huaja ne Tirane. Godina iu premtua njerit prej aleateve ekonomike te LSI-se, ne aleance me PD per zgjedhjet vendore, Focus Group per shkollen e larte private Luarasi. Gazetat ne Shqiperi nuk botojne shkrime nga kushdo, pervec se nese qendron ndonje interes i perbashket, sidomos kur behet fjale per sulme personale.

Shkrimi i Dr. Feraj eshte nje sulm personal ndaj rektorit Kule pasi nuk përqëndrohet në fakte konkrrete dhe te argumentuara me ligj. P.sh. Dr. Feraj meton se buxheti i UT miratohet nga qeveria ne total dhe shperndahet nga rektorati, ne fakt miratohet per fakultet dhe shperndahet e menaxhohet nga fakultetet per ne departamente, madje rektorati jo pak here ka probleme te marre para nga fakultetet per shpenzimet e perbashketa.

Ndoshta Dr. Feraj e ngre kete shqetesim ne gazete sepse nuk ka gjetur vesh brenda fakultetit apo departamentit per t'u ankuar. Por nese ka tejkalim kompetencash, departamenti mund t'i drejtohet gjykates, profesoret mund te bojkotojne mesimin apo te organizojne tubime per te shprehur pakenaqesine ndaj rektorit. Por mungesa e mobilizimit dhe organizimit te interesave te personelit mesimdhenes eshte nje problem qe nuk vjen thjeshte nga debilimi, kooptimi apo makinacionet e rektorit Kule, por nga paaftesia e personelit per te qene te pavarur ne mendim dhe ne inisiative.

Gjithashtu kjo lufte nuk po zhvillohet ne mejdanin e vete por ne kuvend te gabuar. Gazeta Panorama nuk eshte kuvendi per te percuar kete konflikt, e aq me pak per ta zgjidhur ate. Me poshte po paraqes me disa shkurtime veretjet dhe shqetesimet e Dr. Feraj.

Hysamedin Feraj - Rektori .... Kule!


 Rektori i Universitetit të Tiranës (UT), prof. dr. Dhori Kule, është ilustrimi i “arrogancës së drejtuesve të institucioneve që e zbritën nga pushteti Partinë Demokratike”. Parashikohet se me këtë kthesë qytetare të sjelljes votues, tani e tutje ky soj drejtuesi ka shumë gjasë ta rrëzojë nga qeverisja çdo parti, e cila, për suksese afatshkurtra, favore personale, shushatje para “autoritetit” të arrogantëve, ose çfarëdo motivi tjetër i mbështet, ose madje vetëm i lejon të shijojnë rehat arrogancën e tyre, kuptohet në kurriz të fatit politik të qeverisjes që i lejon. Ndaj “atyre lart” rektori mban qëndrim mbrojtës. Për t’u fshehur prej “tyre”, si një zhguall mbrojtës, e përdor “autonominë universitare” që i jep ligji. Po “autonominë universitare” e përdor për të realizuar “frikshëm” atë që më parë e pohonte zëshëm: privatizimin e universitetit publik. E kjo nuk është habi derisa është i njëjti rektor, i cili, kur pushteti qendror ishte i djathtë, si ndonjë idhulltar i Donald Trump, bërtiste televizioneve se po të dojë (!) mund ta privatizojë universitetin publik! Por fati i mirë i këtij vendi është se nuk donte. Me fjalë të tjera, rektor universiteti – me mendësinë e atyre që kanë uzurpuar gjithandej pronat publike! Veçse, pa guximin e sipërmarrësve privatë: duke u mbrojtur nën zhguallin e “autonomisë së universiteteve” rektori ynë tashmë e administron universitetin publik si pronë private të tij, por pa risqet e sipërmarrjes private! Pozicion më komod! Përkundrazi, me “ata poshtë”, rektori Kule sillet “si çekan”, me arrogancë të plotë, sikur nuk ka ligj. Dhe sikur nuk ka asnjë akt nënligjor që rregullon fushën e kompetencave të tij e të secilit. Ndër të tjera, ndonëse aktet me fuqi juridike iu garantojnë fusha autonomie edhe njësive brenda UT, rektori Kule me kohë i ka thënë autonomisë së brendshme “you are fired”. Nga pozita e “titullarit të institucionit”, ose sipas “gjykimit të rektorit”, rektori pushon nga puna secilën vendimmarrje të njësive të tjera brenda fushës së tyre të kompetencës, të supozuar të garantuar! Dhe atë si garant. Pasoja: “ligj” që drejton brenda UT mbetet “diskrecioni” i rektorit, “gjykimi i rektorit”, vendimi i “titullarit të institucionit” dhe “vendimi i Senatit të UT”, kryetar i të cilit është vetë rektori! Mirëpo që arroganca të ndihet e kulluar, rektori Kule nuk ndihet i detyruar të zbatojë as vendimet që merr vetë, ose që merren “me vendim të Senatit”. Dëshmitë, provat e faktet për këtë sjellje të rektorit dhe për këtë situatë brenda UT, janë aq të shumta, sa që për këtë fillim mund të jepen vetëm disi të grupuara e simptomatike. Vetëm unë di disa vendime të cilat janë marrë “me gjykimin e rektorit” dhe “vendimin e Senatit të UT”, por të cilat nuk janë zbatuar kurrë nga rektori i UT, ndonëse nuk janë shfuqizuar asnjëherë dhe ndonëse juridikisht është i ngarkuar me këtë detyrë. Madje, ndonëse (nxitur nga letrat personale) departamenteve u kërkon të mblidhen çdo javë, vetë Senatin, i cili ka më shumë punë se departamentet (sajë ngarkimit nga rektori me kompetenca që nuk i ka), nuk e mbledh me muaj të tërë. Në cilësinë e “titullarit të institucionit”, rektori Kule miraton e nënshkruan propozimet edhe për angazhim në procesin mësimor të lektorëve për fusha të ndryshme (të cilat, kuptohet, nuk i njeh), me kohë të pjesshme e të ftuar, vendas ose të tjerë. Por, mbasi e kanë kryer punën ndodh që nuk i paguan! Dhe ndonëse e afishon rolin e vet në universitetet shqiptare, me sjellje si këto e dëmton imazhin e UT në botën shqiptare, përkundër detyrës ta përfaqësojë atë me dinjitet. Për të mos e lënë me kaq, në stilin se nuk e kufizon as vullneti i vet i mëparshëm, u tërheq vërejtje “atyre poshtë” pse e kanë angazhuar x profesor, ndonëse vendimi është marrë, domethënë është miratuar nga vetë rektori. A thua se në vrullin të ushtrojë pushtet i jep vërejtje edhe vetvetes! Në arrogancën e vet, rektori Kule nuk përfill më as rregullat e lëshimit të një shkrese zyrtare, ose akti administrativ, ndonëse Kodi e përcakton atë dhe e kërkon, për vetë vlefshmërinë e saj. Mirëpo rektori, në të njëjtën shkresë jep një njoftim, një masë ndëshkimore, një nguti të vetën etj., dhe pa asnjë referim tek aktet ligjore ose nënligjore. Ndoshta pikërisht pse ligjin e ka pushuar me kohë nga puna. E më e pakta vështirësi që sjell një shkresë e tillë, është të gjendet se në cilën rubrikë të protokollohet dhe nën cilën të arkivohet. Sa u përket shkresave, nga “ata poshtë”, rektori kërkon të kthejnë përgjigje brenda njëzet e katër orëve, sidomos nëse letrat janë shkruar nga persona të veçantë, qoftë edhe nëpërmjet iPhone, ose iPad, mbase nga ndonjë kafene, por gjithsesi për t’iu ankuar atij ndaj “atyre poshtë”. Në ushtrimin e pushtetit personal rektori shpërndan “autonomi”, domethënë fusha kompetencash ndërmjet njësive, pavarësisht nëse këto i kanë sipas akteve ligjore e nënligjore. Kuptohet, sipas “gjykimit të rektorit”, të “titullarit të institucionit”, të “diskrecionit” etj., kompetenca që me aktet ligjore e nënligjore i përkasin Departamentit ia kalon Këshillit të Profesorëve, çka i përket Këshillit të Profesorëve mund t’ia kalojë departamentit, çka i përket dekanit ia kalon Senatit etj. Nga kjo ndërhyrje krijohen konflikte kompetencash, të cilat, nga njëra anë e bëjnë të nevojshme ndërhyrjen e rektorit, duke rritur kështu edhe pushtetin e tij arbitrar (mbase kjo është strategjia), nga ana tjetër, e ngarkojnë së tepërmi, duke ia bërë gati të pamundshme t’u përgjigjet gjithë kërkesave të punës. Në të dyja rastet ata që e pësojnë janë studentët dhe puna universitare. Njëlloj: në fushën e financës aktualisht “autonomia financiare e universiteteve” kërkon që paratë e financës publike dhe të taksapaguesve të shkojnë te njësitë bazë të UT (departamentet). Dhe kështu ndodh çdo fillim viti: departamentet i marrin këto para nga shteti, dhe mbi këto mundësi financiare planifikojnë veprimtaritë e tyre mësimdhënëse, kërkimore dhe akademike. Por buxheti i miratuar sipas të gjitha rregullave ligjore e nënligjore, miratuar nga Senati i UT dhe nga vetë rektori Kule, nuk respektohet aspak nga rektori Kule: përkundrazi, në çdo ditë të vitit rektori mundet, dhe meqë mundet, sipas rastit e ka bllokuar përdorimin nga departamentet të burimeve financiare që u janë dhënë ligjërisht departamenteve, duke pamundësuar veprimtarinë e tyre normale mësimore dhe akademike. Nuk e di nëse ndryshimi i buxhetit të miratuar, ose ndryshimi i destinacionit apo zërave të tij etj., është në “diskrecionin” dhe “gjykimin e lirë” të rektorit ose të “titullarit të institucionit”, por besoj se një kontroll i ndershëm special e specialistësh mundet ta dijë këtë gjë. Sidomos financa, që “s’të fal”. Për gjithë çka u tha më sipër, për secilën simptomë, nuk e di nëse përbëjnë shkelje me pasoja juridike, por e di se një kontroll special e specialistësh të ndershëm mundet ta dijë ligjshmërinë e sjelljes së tillë. Ndërsa nëse kontrolluesve dhe “atyre lart” u gjejnë midenë dhe ua përmbush shijet arroganca e stilit të ish-drejtuesve pëdëistë, atëherë ju bëftë mirë dhe paçin të njëjtin fat! (Mbase edhe arroganca shërbehet e nxehtë dhe shoqërohet me verën e kuqe).

0 comments:

Post a Comment