Tuesday, April 15, 2014

UPT-Intervistë


Bashkim Cela





 Intervistë me Përgjegjësin e Departamentit të Burimeve të     Energjisë, Universiteti Politeknik Prof. Dr. Bashkim Çelën.

   
Gazeta DITA, Entela Resuli, 15 Prill 2014




Profesor, cila është gjendja e studentëve të rinj në degën e inxhinierisë së naftës sot që flasim?

Ka dy momente: së pari, është sasia. Ne kemi arritur kulmin e numrit të studentëve në vitin 1988 me 1 100 studentë në të gjithë Fakultetin e Gjeologjisë, nga të cilët rreth 350 i kishte dega e naftës. Në vitin 1995 pësuam rënien më të ndjeshme, duke arritur minimumin historik si fakultet, ku në të gjitha degët regjistrohen gjithsej rreth 350 veta, aq sa kishte vetëm dega jonë në ’89 dhe po rrezikohej mbijetesa. Më vonë, zhvillimi shoqërorë bëri të vetën. Numri ka ardhur në rritje dhe kjo rritje ka qenë marramendëse këta tre-katër vitet e fundit. Ka qenë një rritje e diktuar, jo më shumë nga nevojat ekonomike, se sa nga shtytja e politikës. Sot fakulteti ka mbi 2200 veta të regjistruar. Vetëm në degën tonë (naftë) janë 300 studentë.

Kur shpreheni për shtytje politike, çfarë doni të thoni?

Dua të them se kuotat apo numri i të regjistruarve nuk është se erdhi si rrjedhojë e dëshirës së studentëve për t’u arsimuar dhe punuar në këtë fushë, po erdhi si rrjedhojë e një mundësie minimale, të fundit, që kishin studentët për të shkuar në shkollën e lartë. Këtu dua të them se cilësia e studentëve është e atyre që kanë pikët minimale në kuotat e maturës shtetërore.

Sa e dëmton kjo fakultetin?

Sigurisht që e dëmton shumë. Ne kemi studentë të mirë, të rrallë dhe studentë shumë të mirë, shumë shumë të rrallë. Njëherë në 7 vjet na shfaqet një student i mirë, të paktën në degën e naftës, për të cilën po flasim dhe kam njohuri.

Duke u nisur nga kjo që thoni ju, cila është e ardhmja e këtij fakulteti, sepse brezat e studentëve sjellin dhe profesorët që japin mësim?

Kemi të bëjmë me një të ardhme disi të paqartë. Sepse kontingjentet që prodhojmë nuk janë të asaj cilësie sa të futen në ciklin e riprodhimit e të shërbejnë si staf pedagogjik. Vështirë të gjesh të tillë këtu nga brenda. Nga ana tjetër, edhe nëse kemi studentë që dalin me rezultate të mira, ata preferojnë të largohen e të shkojnë të punojnë në kompanitë e huaja. Sot, njerëzit janë bërë pragmatistë, aq më tepër brezi i ri, mjafton të kujtojmë që, një i punësuar në këtë fakultet merr një pagë sa një e pesta e një specialisti që punon në privat. Kjo është nxitja më e madha që ata të shkojnë e të punojnë në industri. Ndërsa studentët që përfundojnë studimet në këtë fushë jashtë shtetit, nuk ekzistojnë. Së pari, në Evropë ka pak universitet që kanë degën e naftës. Në lindje, po, Rumania është vendi i cili ka një universitet të konsoliduar, Bullgaria po ashtu dhe Zagrebi. Ka edhe vende të tjera, por siç dihet, studimi jashtë vendit është më kosto të lartë dhe shteti nuk ka ndërmend të subvencionojë në këtë pikë. Në këto 20 vite kemi qenë të persekutuar për mbështetjen që na është dhënë. Kështu që nuk i kemi shpresat nga jashtë, ndërsa nga brenda janë shumë të vakëta.
 
Nga se vjen kjo gjendje profesor?

Një arsye është se kjo gjendje ka ardhur nga puna e mirë që ka bërë Fakulteti i Gjeologjisë, sepse me t’u hapur kufijtë e botës globale, studentët tanë arritën të shkonin e të punonin jashtë në punët më të mira në këtë fushë. Tashmë ne kemi ish-studentët tanë që janë të punësuar në kompanitë italiane, franceze, norvegjeze, në Kanada dhe Amerikë ka shumë. Studentët që janë diplomuar në fillim të viteve ‘90 kanë qenë studentë shumë të mirë që kanë arritur të fitojnë këto vende pune. Kështu që, me duart tona, krijuam një produkt që na e morën të tjerët. E ardhmja e fakultetit për sa i përket anës numerike nuk ka ndonjë problem, është e garantuar. Rigjallërimi i industrisë së naftës këto vitet e fundit ka bërë që të ketë preferenca dhe dyndje më shumë se më parë për të ardhur në këtë fakultet.

Nga se vjen kjo, e duan si degë, por nuk janë studentë me potencial të mirë intelektual?

Unë them se joshen për ato çka dëgjojnë për ata që punojnë në naftë dhe se si paguhen. Çfarë mund të them, kur një student i diplomuar këtu, fillon punë në kompanitë e naftës dhe merr një pagë sa marr unë si profesor që kam 30 vite eksperiencë. Ata shkojnë atje ku paguhet më shumë, pavarësisht nga kapaciteti që kanë.

 Sa diploma jepen në vit në degën e naftës?

Eksperienca e viteve të fundit tregon se shumica e studentëve nuk janë të aftë për t’u diplomuar këtu, kjo është arsyeja që rendimenti i diplomimit është shumë i ulët. Në degën e naftës ne japim mesatarisht 10 deri në 15 diploma në vit dhe këto në tre sezone mbrojtjesh diplomash dhe kjo për shkak të cilësisë së dobët.

Si ju duken këto shifra kur i krahasoni me kohën kur ju vetë ishit student?

Ndryshojnë si dita me natën. Më kujtohet që kam qenë në një kurs që e nisi vitin e parë me një regjistër ku numëroheshin 40 veta dhe u diplomuan 28 veta. Përsëri pati firo rrugës, por edhe të tjerët nuk mbetën pa u diplomuar. Ishin raste të rralla kur skarcoheshin që vitin e parë. Ndërsa tani hyjnë 115 veta dhe përfundojnë 15 shkollën. Por tregu i kërkon, ne kemi disa studentë në kursin e Masterit, nga 15 veta dhe 13 prej tyre kanë filluar punë pa e marrë diplomën ende.

 Profesor, flitet për naftën shumë, shpime gjithandej po dëgjojmë. Sipas jush a ka naftë nëntoka shqiptare?

Për shpime po dëgjoni, e do dëgjoni, por ka edhe gafa të tilla kur thuhet se filan vend noton në naftë. Nga eksperienca dhe komunikimi që kam pasur me kolegët e mi gjeologë në këto vite kam mësuar se, së pari, nuk ka qytet apo vend që noton në naftë dhe e dyta, në Shqipëri, vështirë të gjenden vendburime të reja. Periudha nga viti 1945 kur u rimëkëmb industria e naftës e deri në 1990 ka qenë një periudhë pune intensive në të gjitha drejtimet dhe fushat që përmban industria e naftës. Mjafton t’u them që nuk mbetur vend në Shqipëri pa u shpuar një pus. Kështu që, nëse do të kemi ndonjë gjë të re, do të kemi ose mbi thellësinë 5 mijë deri 6 mijë metra, ose në det, ku nuk jemi futur fara para ’90, sepse nuk kemi pasur as teknikën e as paratë. Se çfarë do të sjellë e ardhmja nuk e di, por po flas për ato çka janë konstatuar deri më tani.

0 comments:

Post a Comment