Tuesday, April 15, 2014

Reforma-Rama


 


reforma

“Nëse flasim sinqerisht dhe ndershmërisht gjendja e arsimit të lartë është emergjencë kombëtare” (Edi Rama, 9 Shkurt, 2014)

Edhe përse Partia Socialiste nuk kishte ndonjë plan të qartë për reformën në arsimin e lartë, gjatë fushatës kryetari Rama ishte shprehur se do të merrej me arsimin privat dhe do të rriste ndjeshëm financimin për arsimin.
2014 qeveria shpalli përbërjen e grupit të ri për reformën e arsimit të lartë të kryesuar nga një studiues shqiptar në Londër, z. Arjan Gjoncaj. Gjoncaj nuk vonoi të reflektonte përvojën e tij  në London School of Economics (Angli) mbi përfytyrimin që ai kishte mbi reformën ne arsimin e lartë. Edhe përse Anglia me rritjen drastike të tarifave dhe kostos së studimit nuk është shembulli më i mirë.
Për këtë pjesë nuk kemi ndonjë dokument strategjik nga qeveria dhe prandaj do të kufizohemi tek perceptimi dhe përcjellja në media.
Kryetari i qeverisë Rama është cituar të jetë shprehur kundër vazhdimësisë së reformës nga qeveria Berisha.
Sipas Gazetës Shqip, Rama ka thënë se:
“Reforma nuk duhet të jetë mbivendosje e atyre paraardhëse, por do të jetë afatgjatë nëse siguron: Reforma e arsimit të lartë duhet të jetë pjesë e një procesi që duhet të lidhë dijen me tregun. Pazari i madh i shitblerjes së diplomave që sot karakterizon arsimin e lartë nuk mund të transformohet në një industri të prodhimit të dijeve, të rritjes së aftësive dhe të promovimit të vlerave. Reforma e arsimit të lartë të jetë pjesë e një procesi që duhet të lidhë dijen me tregun, për t’i dhënë fund shitblerjes së diplomave. Arsim të lartë jashtë meritës nuk duhet të ketë. Ashtu sikur nuk duhet të ketë arsim të lartë që nuk garanton meritën, tha Rama. Sipas tij, skema e re e financimit duhet të reflektojë një qasje të re mbi autonominë financiare dhe administrative dhe duhet të sigurojë konkurrencën e lirë dhe të drejtë brenda sistemit pa vendosur asnjë bonus që privilegjon publikun mbi privatin. Për sa i përket reformës, Kryeministri nuk harroi të përfshinte dhe atë të integrimit të arsimit me Kosovën pas një cilësie të re të marrëdhënieve të krijuara mes dy shteteve shqiptare. “Si baza e përbashkët e rritjes dhe edukimit të gjeneratës tjetër të shqiptarëve europianë, këtej dhe andej kufirit” (Shqip, 9 Shkurt, 2014).
Gjithashtu Ministria e Arsimit është cituar të jetë shprehur për rinisjen e procedurës së akreditimit, e cila deri më tani ishte veshur me një tis dyshimi, edhe pse qeveria Berisha kishte vendosur anëtarë dhe ekspertë të huaj në procesin e vlerësimit të jashtëm dhe  Këshillin e Akreditimit, organin vendimmarrës së Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë.
“Nga tetori 2013, moment kur ne pezulluam, nisur nga sinjalizimet dhe ngjarjet që tronditën besimin publik në sistemin e arsimit të lartë, punën e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, janë hedhur hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Shumë shpejt ne do të plotësojmë dhe në këtë sektor një nga detyrimet kushtetuese dhe ligjore që çdo qeveri ka ndaj qytetarëve dhe familjeve shqiptare atë të hedhjes dritë mbi gjendjen e cilësisë në arsimin e lartë. Para fillimit të vitit të ri akademik, agjencia anëtare e ENQA-s që ka marrë përsipër akreditimin dhe rankimin e shkollave të larta, do të bëjë publike gjetjet. Ne jemi zotuar që do të jemi roje e kufirit që kjo agjenci do të vendosë se cilat janë ato universitete që do të vijojnë funksionin, e cilat do të jenë ato institucione të arsimit të lartë që duhet të mbyllen”, theksoi ministrja Nikolli. (Shqip, 9 Shkurt, 2014)
Në një intervistë në Gazetën Mapo Arjan Gjoça, “ka shpjeguar me detaje reformën që do të prekë arsimin e lartë në Shqipëri.Sipas tij, universitetet duhet të zhvillojnë punën kërkimore dhe duhet të ngrenë standardin e mësimdhënies së tyre. Zoti Gjonça ka folur edhe për skemën e financimit të universiteteve, ku sipas tij do të financohen nga shteti universitetet që kthehen në OJQ dhe publike.” (Peshkupaujë, 30 Janar, 2014).
A keni informacion të duhur se si është arsimi i lartë aktualisht në vend?Situata është fatkeqësisht jo e mirë. Jo e mirë nga mënyra se si është bërë arsimi i lartë në këto vitet e fundit në Shqipëri dhe jo në një legjislacion, dy apo tre por në njëzetë e ca vitet e fundit. Anglezët kanë një shprehje ku thonë: “Mos e prish diçka që funksionon”. Ne jo vetëm e prishëm atë që funksiononte në një farë drejtimi por i dhamë një drejtim krejt jo të drejtë.  Nuk do të them unë që çdo gjë që kishim funksiononte por të paktën të rregullohen në ato fusha dhe ato drejtime që duheshin rregulluar.
Tani jemi në një situatë ku kemi një mpleksje të arsimit të privat dhe publik, ose publik dhe jopublik do ta thosha nga ana juridike ku prodhohet një numër më i madh studentësh se ç’është prodhuar më përpara, prapë jo i domosdoshëm dhe i krahasueshëm me vendet me të njëjtën zhvillim me ne, qoftë dhe me fqinjët por mbi të gjitha jo cilësor.
Jo i domosdoshëm me tregun e punës që kemi aktualisht?Jo i domosdoshëm në drejtim të numrave. Ne akoma nuk prodhojmë aq studentë për banorë sa prodhojnë komshinjtë tanë apo vendet e zhvilluara. Ajo që është më e rëndësishme është që kualiteti i këtyre që ne nxjerrim, nuk është i duhur dhe nuk është i kënaqshëm. Standardi pra, qoftë i studentëve, qoftë i elementit të dytë të rëndësishëm që duhet të prodhojnë universitetet tona që është puna shkencore, është për të ardhur keq.  Duke pasur parasysh këto të dyja, mendoj që ka nevojë për një reformë të thellë do thosha unë dhe të rëndësishme.
Cila do ishte filozofia e kësaj reforme?E para duhet të pranojmë të gjithë së bashku. Dua të them diçka që, pse është e re kjo mënyrë qasjeje për këtë reformë. Është e re sepse e para të gjitha palët e pranojnë që është diçka e domosdoshme për vendin dhe diçka që duhet bërë.
Kur themi të gjitha palët, janë partitë politike, cilat palë?Të gjithë. Qoftë politika, qoftë aktorët e interesit, qoftë kolegët e mi akademikë dhe vetë studentët nuk e duan një diplomë të keqe që nuk u jep një vend pune.
Që nuk ua njohin në Kosove dhe nuk i punësojnë as në Tiranë…Treguesi  më i mirë është punësimi. Treguesi më i mirë është tregu. Nëse marr një diplomë e cila nuk më jep një vend pune, është e pavlerë. Në këtë drejtim qasja është e re, dmth ka një rënie dakord e të gjithë grupeve të interesit apo aktorëve që tani duhet bërë diçka sepse është koha dhe është bërë bile vonë. Dhe për këtë arsye, në këtë drejtim është një qasje e re. Arsyeja e dytë pse themi që është një qasje e re është sepse për herë të parë është futur një model i komisionimit të pavarur. Është krijuar një komision i pavarur me akademikë me 9 anëtarë megjithë mua.
Cilët janë të tjerët? Mund ta dimë?Janë bërë publikë emrat e tyre. Është komision me anëtarë nga të gjitha grupet. Unë kam pasur disa kritere kur e krijova. Është një grup akademikësh që e kam krijuar unë dhe natyrisht propozimet kanë ardhur nga të gjitha grupet. Ke anëtarë nga universitetet publike, por ka një përfaqësi dhe nga universitetet private. Ka gjithashtu një përfaqësi të degëve të rëndësishme të veçanta. Është një komision i pavarur. Natyrisht çdo komision iniciohet nga një qeveri e caktuar dhe në këtë drejtim u iniciua nga vetë Kryeministri dhe qeveria aktuale.
Do të ketë ndryshim rrënjësor të sistemit bazuar në një model specifik?Do diskutohen disa modele por siç thashë, Bolonja do të jetë baza në kuptimin e disa nga parimeve. Patjetër që do të jenë disa modele që do të hidhen. Natyrisht do të influencohet pak dhe nga background-i i njerëzve me të cilët merren por edhe nga studimet që janë bërë në çfarë drejtimi po shkon bota. Do të shkojmë drejt një sistemi anglosakson me një fytyrë sociale.
A ka një mandat ky komision që ju kryesoni ?Ka një mandat pune i cili do zgjasë nga 3-6 muaj. Të bësh një reformë arsimore nuk është një gjë e lehtë. Kërkohen analiza shumë të rëndësishme. Janë bërë goxha analiza dhe kërkohen dhe shumë analiza. Çdo grup pune do bëjë analizat e veta. Problemi është se kur e ndryshon diçka në sistem, nëse ndryshon diçka të lehtë, mund ta bësh kollaj. Nëse do të tentojmë të bëjmë një ndryshim rrënjësor, qoftë nga pikëpamja strukturore, qoftë nga pikëpamja financiare, qoftë nga pikëpamja juridike, kërkon kohën e vetë.
A e keni një vizion se si do të jetë panorama e arsimit të lartë kur të mbarojë kjo reformë?Vizionin e kam të thjeshtë. Po ta marr London School of Economics, po ta instaloj këtu në Tiranë, jam njeriu më i lumtur në botë. Pra po të instaloj një sistem në të cilin standardi qëndron në standardin ndërkombëtar ku fut në sistem formula dhe kritere që kontrollojnë dhe rritin standardin si të studentit dhe të akademikut, duhet të jemi shumë të qartë, nuk rriten standardi i diplomës nëse nuk rritim standardin e pedagogut. Duhet të rritim standardin e pedagogut dhe në mësimdhënie dhe në punë shkencore që të ketë një efekt mbi standardin e studentit tonë.
Çfarë do ndryshojë te skema e financimit?Po ta them atë do ta kemi mbyllur  komisionin. Ne jemi një vend relativisht i varfër në drejtimi të investimit në arsim, nuk po i hyjmë debatit se sa të varfër jemi, jemi vend me të ardhura mesatare, me të ardhura të ulëta mesatare apo mesatare të larta. Është një diskutim që e bëjnë të tjerë kolegë. Ajo që do të them unë që në drejtim të investimit në arsim, ne jemi vend i varfër. Ne investojmë pak si shtet dhe investojmë pak si shoqëri.
Duke marrë si shembull LSE, një pjesë vjen nga burimet publike, një pjesë nga tarifat. Po pjesa tjetër, a ka donacione, si funksionon?Shumë e drejtë, unë e nisa dhe tregova dy komponentë. Është një që vjen nga granti që jep shteti dhe një që vjen nga pagesat e studentëve. Kjo lidhet me një gjë tjetër të rëndësishme që neve do ta saktësojmë që do ta studiojmë. Cili është statusi që duhet të kenë universitetet tona. LSE ka një status të dyfishtë. Deri para pak vitesh ka pasur një status vetëm si një universitet publik. Më vonë ka zhvilluar dhe statusin e një SHPK-je, të një ndërmarrje tregtare. Në kuptimin që krijon të ardhura nga shërbimet akademike që bën për studime të ndryshme, për projekte të ndryshme ku grupe akademike të LSE marrin pjesë në tendera të ndryshëm.
A parashikoni rritje të çmimit të tarifave universitare?Do bëhen llogaritje të caktuar sa mund të jetë kjo tarifë. Do ketë modele ekonometrike që do të bëhen. Do stimulojmë me këtë model, sa duhet të jetë investimi, sa është fuqia blerëse, sa do të jetë përballja, sa do të jetë kostoja. Të gjitha këto do të diskutohen kur të dalë projekti por mbi të gjitha me baza shkencore, kjo është shumë e rëndësishme. Unë vij nga një background shkencor dhe nuk mund të pranoj që përgjigja e pyetjeve të mos jetë shkencore
Po nëse ndodh një rritje e tarifave, a do të merren parasysh shtresat në nevojë, barazia shoqërore?Patjetër, është kusht i domosdoshëm. Ka  pasur disa propozime se  në qoftë se një individ e meriton por nuk e përballon, duhet ta financojmë në masën 100%, jo vetëm pagesën por edhe akomodimin dhe gjithë jetesën për aq kohë sa është në universitet. Kjo është për mua e panegociueshme dhe mendoj që kolegët e mi besojnë në të njëjtin parim.
A  mendon se e ka forcën e duhur komisioni që ta forcojë implementimin e kësaj reforme?Komisioni do të prodhojë një produkt. Produkti do jetë i detajuar dhe quhet reforma e arsimit të lartë në Shqipëri e cila mund të jetë produkti ose do të jetë produkti dhe në formën e ligjit. Debatet më të mëdha do të jenë tek skema e financimit…
Për çdo reformë të arsimit në çdo vend në botë, thembra e Akilit është financimi. Edhe një nga debatet e nxehta që bëhet në Britani sot është që kjo qeveri po ndjek masat e austeritetit, pra të uljes së shpenzimeve publike. Si shpenzim publik, jo vetëm shpenzim publik do thosha unë në vendin tonë se ne kemi edhe universitetet private, financimi është pjesa më e rëndësishme e tij. Ne nuk jemi një vend i pasur dhe po e theksoj atë dhe sado që shteti të investojë në edukim, shteti nuk mund të mbulojë të gjithë atë që do e quaja unë, investim optimal në arsimin e lartë në Shqipëri.
A ka një shifër aktualisht se sa është?Në mos gaboj është rreth 40 milionë dollarë ose euro. Është shumë e ulët. Grupi  ynë po punon, por ka edhe një grup të madh ekspertësh që punojnë me komisionin.  Të gjitha palët pranojnë që investimi shtetëror nuk është i vetmi investim që duhet ta përballojë arsimin e lartë.
Me çfarë do konkurrojnë universitetet?Kush është produkti i arsimit të lartë? Produkti i arsimit të lartë është studenti. Kjo nënkupton që ti i jep të drejtën studentit për të zgjedhur dhe studenti e zgjedh universitetin në bazë të reputacionit dhe këtu hyn konkurrenca. Natyrisht si shtet do kesh kuotat e tua që do caktosh me disa formula, mbi bazën e performancës, mbi bazën e numrit të studentëve, mbi bazën e standardit që kanë pasur, mbi bazën e punës shkencore që kanë bërë pedagogët, është shumë e rëndësishme. Kjo është një lloj forme që e garanton konkurrencën por nuk është e vetmja formë. Duhet të jemi koshientë dhe mund të mos jetë forma që funksionon në Shqipëri.
Pra, këto buxhete do të ndahen nga ky Këshill.  Si do të funksionojë?Ne  do të nxjerrim formula të detajuara për ngritjen e këtij standardi dhe vendosjen e mënyrave të financimit. Bën të mundur që të shpërndahen paratë në universitetet e ndryshme. Janë 3 kritere që përdoren.
Cilat janë kriteret?Kriteri i parë është mësimdhënia, cilësia e mësimdhënies. Mbi bazën e një formule që merr parasysh numrin studentëve për pedagog, kualitetin, degët që mbulojnë ato etj, etj. në  LSE ne kemi 16 studentë për pedagog, këtu bëhet fjalë për kuota të jashtëzakonshme. Këtu japin mësim 10 herë më shumë se unë. Këtu nuk mbetet kohë për punë shkencore se dita nuk ka më shumë se 24 orë.  Pra, mësimdhënia është e para, puna shkencore është e dyta. Kriteri i tretë është ai mbi inovacionin. Ky grant jepet në rastet kur degë të caktuara zhvillohen nga universitetet të ndryshme dhe qeveria garanton një lloj financimi të pjesshëm. Gjithmonë duhet të kemi parasysh që financimi është i pjesshëm. Kur diskutohet problemi i financimit, “financimi i shtetit”, sa para do japë shteti për këtë, sa para do japë shteti për atë. Shteti nuk duhet të jetë më i vetmi financues i arsimit të lartë në Shqipëri dhe në qoftë se do lëmë vetëm shtetin ne do mbetemi në shifrat e ulëta, në 2-3% ose në më të mirën e mundshme do thosha 3,5% të PBB.
Si do të përfshihen universitetet private në këtë reformë?Në Shqipëri nga ana legale, legjislative, ne nuk flasim për universitete private e shtetërore. Flasim  për universitete publike dhe jopublike. Universitetet jopublike janë të natyrës private nëse do përdorim zhargonin e përditshëm dhe janë edhe ato që janë OJQ se ka disa universitete që nuk janë fitimprurëse. Ka disa skema. Një skemë mund të jetë që universitetet private duan të jenë private dhe do të mbeten private.
Që do të thotë, nuk mund të përfitojnë nga shteti?S’mund të përfitojnë nga shteti. Në momentin që ti ndan dividentë, nuk mund të përfitosh dot nga shteti. Ne do shikojmë mundësinë se si do përfshihen në sistem ato universitete që nuk duan të jenë fitimprurëse.
Çfarë ndodh me ato që nuk do duan të bëhen pjesë e kësaj skeme?Ka një ligj. Duhet të trajtohen sikur prodhojnë një produkt bujqësor apo produkt akademik.  Do ta shohim ne këtë si përparësi në drejtim të taksimit të tyre apo jo. Ka forma që ta bëjmë me sa më shumë mundësi nxitëse për ta nxitur dhe atë sektor por mbi të gjitha monitorimi i standardit të atij sektori është shumë i rëndësishëm.
Kur do të përfundojë koha që të ekzistojnë ende universitete që nuk përmbushin standardet?Me sa di unë Ministria e Arsimit po akrediton. Ne nuk nxjerrim dot asnjë jashtë apo brenda. Ky është kapitalizëm, të nxjerr tregu në kuptimin që nëse je një universitet që nuk ke më studentë, del jashtë, por nëse nuk je i akredituar atëherë studenti nuk vjen më tek ty. Kjo është një punë akreditimi.
Do ketë kohë publiku të informohet, ta kuptojë këtë reformë?Patjetër. Faza e parë është faza jonë e punës brenda, e cila do të diskutojë modelet, do të vijë me një draft të parë i cili do të diskutohet në publik me aktorët kryesorë.
A do të jenë universitete  të pavarur në kuptimin ideologjik, akademik, institucional?Një  nga problemet që ka ekzistuar me universitetet është sa të pavarura janë universitetet në vendimmarrje. Nuk po flas në zgjedhjen e rektorit apo të senatit. Ajo është formulë që mund të diskutohet dhe bie dakord.  E zëmë se ju i dhatë këtij universiteti një shumë parash. Çfarë bën ai me këto para? Si i krediton ai akademikët, si i promovon. Do i japësh një lloj mëvetësie që ky institucion të krijojë edhe forma të tjera investimi, bashkëpunimi që të aplikojë në vende të ndryshme , pra pavarësi reale dhe funksionale, jo pavarësi e rreme. Autonomi do të përmendja unë fjalën më mirë .
Dhe kush do ta garantojë këtë autonomi?Standardet që vendosen. Do të krijohet një strukturë e atillë, një nga qëllimet e këtij komisioni është që të krijojë një strukturë drejtuese se nuk mundet me strukturën drejtuese ekzistuese që kemi neve dhe me institucionet ekzistuese, të futësh një model të ri nëse do biem dakord për një model të ri. Të gjitha këto instanca që do futen, do ketë kontrollues për sistemin.
A mendon se në fund të reformës do të ketë universitete që do të pushojnë së ekzistuari?Kjo reformë nuk do të heqë disa universitete dhe disa do t’i lërë. Reforma është një proces. Reforma dhe implementimi do të jetë e shkallëzuar.
Gazeta Panorama, Jonida Tashi (22 Janar, 2014) raporton ngritjen e një komisioni të posacëm për reformën (ngritur për herë të parë!).
Ministrja e Arsimit znj. Nikolla është shprehur se “Është një standard i ri, jo vetëm për faktin që është hera e parë që vjen ky komision me një ekip të njerëzve të ditur të këtij vendi, por do t’ju garantoj se i gjithë procesi që do të vijojë dhe pasojë do të jetë i hapur dhe transparent, do të përfshijë edhe grupet e tjera të interesit, universitete, rektorë, profesorë, pedagogë dhe akademikë të shquar”
.. Ky komision, i cili është ngritur për herë të parë në vendin tonë, drejtohet nga Arjan Gjonça, profesor i asociuar në “London School of Economics”. Por pjesë e këtij komisioni janë edhe ekspertë të fushës nga bota akademike, të cilët do të përgatisin edhe draftin final për skemën e financimit të arsimit të lartë, që do t’i dorëzohet për miratim qeverisë. Bazuar në draftin e ri, financimi i universiteteve do të bëhet sipas skemës anglosaksone, e cila udhëhiqet nga parimi “paraja ndjek studentin”.
Mbështetur në këtë parim, lekët e dhëna nga qeveria do të shkojnë drejtpërsëdrejti te studentët dhe programet e studimit, në bazë të kritereve që do të vendosen. Sipas skemës së re të financimit, për të përfituar nga fondet publike, universitetet shtetërore dhe private duhet të përmbushin disa kushte, ku më i rëndësishmi është që të parat të shndërrohen në publike, ndërsa të dytat në jofitimprurëse. Gjithashtu, universitetet, si shtetërore edhe private, duhet të jenë të akredituara si dhe të plotësojnë kriterin e cilësisë.
“Produkti i këtij komisioni do të sjellë standarde të reja në politikëbërjen dhe reformimin e thellë të arsimit të lartë. Ky komision, i përbërë nga akademikë dhe teknicienë, do të operojë me gjithëpërfshirje dhe pavarësi të plotë. Ky komision, pas draftit të parë të reformës së arsimit, do të diskutojë me grupet akademike dhe grupet e interesit. Pas hartimit të draftit, qëllimi tjetër është kthimi tij në ligj”, u shpreh Gjonça.
Krahas skemës së financimit, Komisioni do të përcaktojë edhe drejtimet që duhet të ndjekë arsimi i lartë sa i takon strukturës. “Parim tjetër shumë i rëndësishëm është që të lidhet shumë puna e mësimdhënies me punën kërkimore-shkencore, të krijohen treguesit e performancës dhe që financa të mos jetë thjesht e garantuar, meqë ti je në shtet dhe si pedagog, unë do të paguaj. Jo!”, thekson Gjonça.
Ngritja e këtij komisioni është vlerësuar edhe nga drejtues të Ministrisë së Arsimit, të cilët e kanë mbështetur idenë që në reformën financiare të arsimit të lartë të mos përfshihet politika. Sipas zv.ministrit të Arsimit, Arbër Mazniku, projekti që do të nxirret nga ky komision do të jetë afatgjatë. “Mundësitë për zgjidhjen e problemit të vijnë nga teknikët dhe më pas vendimmarrësit të kenë mundësi të marrin vendime mbi to. Mekanizmi i financimit, mekanizmi i qeverisjes, raporti që shteti do të ketë me universitetet, roli që universitetet private dhe publike do të kenë si ofrues të shërbimit në treg, të gjitha të ndryshojnë, duke synuar cilësinë në arsimin e lartë”, deklaroi Mazniku. Drafti i ri për reformën financiare pritet të bëhet publik në fillim të muajit të ardhshëm, kohë kur do të nisin edhe konsultimet me grupet e interesit.

































Komisioni i reformës përbëhet nga: (1) Arjan Gjonça – LSE, UK; (2) Adrian Civici – UET; (3) Ervin Demo – Zv.Rektor, Universiteti i Tiranës; (4) Besnik Aliaj – Pronar i Universiteti Polis; (5) Myftar Barbullushi – Universiteti i Mjeksisë; (6) Aleksandër Xhuvani – Universiteti Politeknik; (7) Elida Rapti – Psikologe, Shoqëria Civile; (8) Anila Paparisto – Universiteti i Tiranës; (9)  Artan Hoxha – Shkolla e Lartë “Tirana Business University”; (10) Edit Dibra, Zyra e Tempus, Shqipëri.

0 comments:

Post a Comment