Tuesday, April 15, 2014

Reforma-Tafaj

reforma
Një panoramë të diskutimit publik mbi politikat e arsimit të lartë.

Dokumentet kryesore
  1. Strategjia e arsimit të lartë 2008-2013 
  2. Reforma Financiare në Arsimin e Lartë - Plani Kuadër i Veprimit 2010”.
  3. Renditja e Institucioneve të Arsimit të Lartë / Rezultatet e Renditjes u shpallën në vitin 2011 nga APAAL dhe CHE.



Reformat e shpallura nga qeveria Berisha 2010-13.

 
Ministria e Arsimit dhe Shkencës në mbështetje të programit "Cilësi dhe Barazi në Arsim" organizoi Konferencën e tetë për rishikimin 6-mujor të realizimit të programit vjetor të reformës. Në prezantimin "Arritjet kryesore te reformës në sistemin arsimor për vitin 2010" ministri i arsimit dhe shkencës z. Myqerem Tafaj , e cilësoi programin "Cilësi dhe Barazi në Arsim" si një sinonim të reformave arsimore dhe theksoi kategoritë e reformës së deritanishme arsimore: Aktet ligjore dhe nënligjore të arsimit të larte dhe atij parauniversitar, reforma kurrikulare, reformat institucionale, përmirësimi i kushteve të të nxënit dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale.Me tej ministri Tafaj shpjegoi objektivat e projektit CBA për vitin 2011 dhe te ardhmen e bashkëpunimit me Bankën Botërore pare ne këndvështrimin e strategjive të saj për arsimin deri ne vitin 2020. Ministri theksoi se objektivat e strategjive tona të zhvillimit të arsimit në të gjitha nivelet janë plotësisht në përputhje me strategjitë e Bankës botërore për arsim deri në 2020. (Ministria e Arsimit, 22 Tetor 2010). Në tjetër konferencë për shtyp Ministri shpalli edhe synimet konkrete të reformës.
clip_image002[4]
Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi sot Konferencën “Reforma Financiare e Arsimit të Lartë ”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërise, Z. Sali Berisha.
Kjo konferencë paraqiti parimet kryesore të modelit të ri të  financimit të Arsimit të Lartë Publik dhe Privat, duke çelur debatin publik mbi këtë platformë.
Në prezantimin e tij Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj e cilësoi sistemin e financimit të arsimit të lartë si reformën më të thellë pas Kartës së Bolonjës.
Parimi bazë i Reformës së financimit të Arsimit të Lartë do të jetë: fondet publike ndjekin studentin në shkollat e larta publike dhe private që plotësojnë standardin e cilësisë.
Financimi publik i AL përfshin:
1. Financimi i AL me mekanizëm shpërndarjeje të fondeve publike – Studentin
2. Financimi i zhvillimit strategjik te IAL-ve
3. Financimi i kërkimit shkencor
Kjo skemë financimi krijon hapësirën për të tërhequr në arsimin e lartë edhe financimin jopublik.
Kriteret e përfshirjes së një universiteti në këtë skemë do të jenë dy. Universitetet publike, por edhe universitetet private jofitimprurëse.
Së dyti, Universiteti duhet të plotësojë standardin e cilësisë së pranuar për Shqipërinë, standard ky i njëjtë me standardet evropiane.
Studentët që kanë kaluar me sukses Maturën Shtetërore dhe kanë arritur një prag të caktuar të pikëve, i cili do të vendoset në bashkëpunim me botën akademike. Përmes kësaj skeme do të financohen studimet e nivelit Bachelor dhe studimet post- sekondare dyvjeçare. Mundësi financimi do të krijohen edhe për studimet e nivelit të dytë e të tretë për programe studimi në degët më të rëndësishme të vendit.
Fondi për zhvillimin strategjik të universiteteve është një mëkanizëm financimi konkurrues që do të destinohet për zhvillimin institucional përfshi këtu edhe përshtatjen institucionale, investimet për infrastrukturën e universiteteve publike, hapjen e programeve apo zhvillimin në universitetet rajonale ose iniciativat e tjera në përputhje me politikat arsimore kombëtare.
Kjo reformë kërkon edhe një strukturë të menaxhimit  dhe qeverisjes së institucioneve të arsimit të lartë. Institucionet publike do të fitojnë autonomi maksimale sipas modeleve më të mira europiane, por kjo autonomi nënkupton një përmirësim të menaxhimit administrativ, financar dhe të politikave të zhvillimit të burimeve njerëzore në këto institucione.
Prioriteti ynë në këtë reformë do të jetë së pari sigurimi i cilësisë . Hallka më e rëndësishme mbetet dikutimi i gjerë publik. Ne sot vetëm shpallim fillimin e këtij diskutimi. Ky diskutim publik do të vijojë me botën akademike, me studentët, gjimnazistët, me sektorin privat që investon në arsimin e lartë dhe me bankat.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Ministri i Financave, Z. Ridvan Bode, drejtues të universiteteve publike dhe private të vendit, ekspertë të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe përfaqësues të studentëve. (Ministria e Arsimit dhe Shkences, 02 Shtator, 2010).






2011 - Ministria e Arsimit shpall planin e saj për reformën në kuadër të zbatimit të strategjisë së arsimit të lartë 2008-2013 dhe publikoi dokumentin “Reforma Financiare në Arsimin e Lartë - Plani Kuadër i Veprimit”.

clip_image004[4]


[…] Në këtë konferencë, të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ishte edhe Kryeministri, Prof. Dok. Sali Berisha, ministri i Financave Ritvan Bode, përfaqësues të Bankës Botërore  në Shqipëri, ekspertë dhe konsulentë të huaj të reformës në arsimin e lartë, drejtues të universiteteve, pedagogë, studentë etj.
Në fjalën e tij të hapjes, ministri Tafaj, ndër të tjera, theksoi:
Sot ne jemi mbledhur për të diskutuar mbi dokumentin e Planit të Veprimit Kuadër dhe dy dokumente të tjera pjesë të kësaj pakete: modelin e Kredisë Studentore dhe modelin e Formulës së Financimit. Dëshiroj që në fillim të falënderoj universitetet, bankat dhe aktorët e tjerë që e kanë diskutuar këtë dokument dhe kanë dërguar mendimet e tyre, dhe t’i garantoj se ato do të shqyrtohen me kujdesin më të madh.
Ministri Tafaj theksoi se Shqipëria Europiane kërkon një brez të ri të mirëshkolluar, me dije, aftësi dhe kualifikime të nivelit dhe të standardeve të vendeve të zhvilluara. Vendi ynë ka ende një raport të ulët të të diplomuarve me arsim të lartë në raport me popullsinë dhe me forcat aktive për punë. Sipas Strategjisë së Arsimit të Lartë të BE-së, në vitin 2020, rreth 35 për qind e vendeve të punës do të kërkojë arsimim të lartë. Aktualisht, 26 për qind e forcave aktive për punë në vendet e BE-së është me arsim të lartë.
Duke u ndalur në objektivat e kësaj reforme, ministri Tafaj nënvizoi se thelbi i kësaj reforme është maksimizimi i resurseve kombëtare për zhvillimin e arsimit të lartë. Sipas tij, komponentët themelorë të saj synojnë:
1. Të nxisin rolin e arsimit të lartë në zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë dhe perspektivën europiane të saj.2. Të përmirësojnë më tej pjesëmarrjen e të rinjve në arsimin e lartë.3. Të rrisin cilësinë e arsimit tonë të lartë, për t’iu përafruar standardeve të vendeve të zhvilluara.4. Të sigurojnë autonomi të gjerë të universiteteve publike, si dhe rritje të kapaciteteve të tyre për mësim, kërkim dhe inovacion.5. Të stimulojnë partneritetin publik-privat në arsimin e lartë dhe zhvillimin e arsimit të lartë privat cilësor.Qeveria Berisha, theksoi ministri Tafaj, ka rritur sistematikisht fondet publike për arsimin e lartë. Edhe për vitet që vijnë, ajo garanton se do të vazhdojë të rrisë buxhetin, për të siguruar në një plan afatgjatë nivelin e financimit afër mesatares së vendeve të BE-së. Pra, Reforma e Financimit të Arsimit të Lartë nuk do të çojë në uljen e investimit total publik për arsimin e lartë.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, u shpreh se kjo reformë do të sigurojë që të rinjtë shqiptarë të realizojnë ëndrrën e tyre të shkollimit, pa u kushtëzuar nga niveli i të ardhurave të familjeve të tyre. Kjo, theksoi ai, do të realizohet përmes zbatimit, për herë të parë në vendin tonë, të Kredisë Studentore, e cila do të mundësojë marrjen e një edukimi falas gjatë kohës së studimeve universitare. Kthimi i investimit publik në edukim realizohet në një afat të gjatë, vetëm mbas punësimit të studentit.
Nga ana tjetër, mekanizmi i kredisë studentore do t’u krijojë mundësi universiteteve, me një nivel autonomie shumë të gjerë, të zhvillojnë me shpejtësi më të madhe kapacitetet e tyre (profesorati, kampuse, ofertë akademike etj.) që garantojnë rritjen e qëndrueshme të cilësisë.
Paketa e kësaj reforme, siç theksoi ministri Tafaj, përfshin edhe dokumente të tjera, të përgatitura nga ekspertë të huaj, që janë në përfundim e sipër.
Mbi bazën e këtij dokumenti themelor po përgatitet Plani i Veprimit që do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për miratim.
Ky Plan, për vitin 2012, parashikon kryesisht:
• Ngritjen e sistemit të Kredisë Studentore.
• Ngritjen e Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Informacionit Universitar (EMIS), që po realizohet përmes projektit CBA dhe atij të Rrjetit Telematik.
• Ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor për zbatimin e reformës financiare dhe sigurimin e autonomisë së gjerë të IAL-ve në të gjitha planet: institucionale, akademike, financiare dhe administrative.
Me realizimin e këtyre projekteve do të fillojë zbatimi i modelit të ri të financimit. Në fazën e parë, modeli do të zbatohet vetëm në universitetet publike, në mënyrë që ai të konsolidohet. Gjatë fazës së parë, IAL-të private do të përfitojnë nga fondet për kërkim shkencor, bursat për ekselencë për pedagogët e rinj (Fondi i Ekselencës dhe Brain Gain) dhe ato për maturantët e shkëlqyer. Në një fazë të dytë, modeli u mundëson IAL-ve private të konkurrojnë për studentë të kuotave të miratuara në fushat prioritare. IAL-të private duhet të kenë plotësuar më parë dy parakushtet e parashikuara (status jofitimprurës, certifikuar nga agjencitë e auditivit, dhe akreditim i cilësisë në bazë të standardeve të reja).
Në kuadër të përgatitjeve për zbatimin e modelit të ri të financimit, në MASh do të ngrihet Njësia e Zbatimit të Reformës, e asistuar edhe nga ekspertë të huaj. Gjithashtu, njësi të tilla të zbatimit do të ngrihen në çdo universitet. Këto njësi do të bashkëpunojnë me njësinë e MASh-it, me Ministrinë e Financave dhe me Agjencinë e Kredisë Studentore.





Gjithashtu në kuadër të reformës mbi sigurimin e cilësisë u zhvillua edhe projekti i Renditjes së Institucioneve të Arsimit të Lartë. Ndërhyrja e ministrisë më tani ishte kufizuar në ndryshimin e kuadrit rregullator, vendosjen e standardeve, përbërjen e këshillit të akreditimit dhe proceseve të akredimit. Universiteti i Tiranës e bojkotoi projektin së bashku me shkollën e lartë Vitrina.

clip_image005[4]

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Centre for Higher Education -CHE (Qendra për Zhvillimin e Arsimit të Lartë), organizuan sot Konferencën me temë “Prezantimi i Projektit të Renditjes së Institucioneve Shqiptare të Arsimit të Lartë”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Sali Berisha.
… Duke folur për rritjen e numrit të programeve të studimit, Ministri Tafaj u shpreh se përparësia kryesore është informimi i saktë dhe i plotë i studentëve, jo vetëm mbi anën sasiore por, mbi të gjitha, mbi anën cilësore të kësaj oferte. “Projekti për Renditjen e Programeve të Shkollave të Larta” i shërben, në radhë të parë, studentëve për informimin e saktë të tyre dhe synon të realizojë një renditje të Institucioneve të Arsimit të Lartë në bazë të disa kritereve të matshëm.
“Shqipëria ka arritur të përmbush objektivin kryesor politik për liberalizimin e Arsimit të Lartë, për t’i dhënë akses,  sipas meritës dhe preferencës në Arsimin e Lartë, çdo maturanti që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm. Këtë vit akademik, mbi 70% e maturantëve kanë mundësi të përfitojnë një  vend studimi në universitetet tona publike. Numri i vendeve të studimit të propozuara nga universitetet publike dhe të miratuara nga Qeveria, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe të pjesshme, është më i madh se numri i maturantëve që kanë aplikuar me formularin A2 dhe A3. Kjo tregon që objektivi i aksesit në Arsimin e Lartë është përmbushur plotësisht. Ky sukses u arrit falë përkushtimit dhe gatishmërisë së profesoratit dhe drejtuesve të universiteteve publike për liberalizimin e pranimeve. Në këtë kontekst, nuk mund të lihet pa përmendur edhe kontributi i sektorit privat që përbën një përpjekje të rëndësishme për zhvillimin e Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Sistemi i Arsimit të Lartë në vendin tonë ka pësuar një transformim rrënjësor në shumë këndvështrime. …  Ai është zgjeruar dhe ka arritur përmasa plotësisht të krahasueshme me vende evropiane, në raport me numrin e popullsisë. Është rritur numri IAL-ve, i fakulteteve e departamenteve, i drejtimeve dhe profileve të studimit. Sot IAL publike  ofrojnë 181 degë e profile për ciklin e parë të studimeve, krahasuar me rreth 100 të tilla në vitin 2004.
Reforma strukturore dhe kurrikulare, e orientuar nga standardet e procesit të Bolonjës, ka çuar në adaptimin e strukturës së studimit, të mbështetur në tri cikle dhe në një organizim të kurrikulave, të krahasueshëm me atë të shkollave evropiane. … Tani që liberalizimi  u përmbush, sfida jonë mbetet cilësia, prandaj motoja e këtij viti akademik, e shpallur nga ne, është cilësia.
Cilësia e shkollimit është një sfidë afatgjatë për sistemin tonë arsimor në të gjitha nivelet e tij. Ajo do të përcaktojë shanset reale të çdo studenti në karrierën e tij. Cilësia do të përcaktojë se në ç’masë shkollimi prodhon dije dhe mundëson punësimin e të rinjve.
… Ne jemi të vetëdijshëm që për ne, kjo është një fushë krejt e re. Vendi ynë  është ndër vendet që e kanë nisur më vonë ngritjen e sistemit të sigurimit të cilësisë. Është mjaft pozitiv fakti që IAL-të tashmë kanë ngritur strukturat e promovimit të cilësisë dhe vlerësimit të brendshëm të saj. Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë ka bërë të mundur që të rriten edhe kapacitetet e vlerësimit të cilësisë në shkallë vendi. Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe Këshilli i Akreditimit po fuqizohen. Këto janë institucione shumë të reja dhe konsolidimi i tyre kërkon bashkëpunim intensiv me strukturat homologe të vendeve të tjetra. Veprimtaria e këtyre institucioneve është e kushtëzuar nga bashkëpunimi, jo vetëm me strukturat e promovimit të cilësisë në shkollat e larta, por edhe me ekspertët e pavarur që angazhohen në procesin e vlerësimit. Në kushtet e një vendi të vogël, si Shqipëria, nuk është e thjeshtë të gjendet një numër i mjaftueshëm ekspertësh që kanë nivelin e duhur të kualifikimit dhe janë jashtë konfliktit të interesit. Kjo kërkon që Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe Këshilli i Akreditimit të vazhdojnë të zhvillojnë intensivisht bashkëpunimin me agjencitë e huaja dhe me ekspertë të vendeve të tjera.
Sot, kur oferta e programeve të studimit është rritur shumë, shtrohet si përparësi kryesore informimi i saktë dhe i plotë i studentëve, jo vetëm  mbi anën sasiore, por mbi të gjitha, për anën cilësore të ofertës. Ky Projekt që po shpallim sot për renditjen e programeve të studimeve të shkollave të larta me mbështetjen e Bankës Botërore, në bashkëpunim me Centre for Higher Education -CHE (Qendra për Zhvillimin e Arsimit të Lartë), i shërben në radhë të parë studentëve, pra informimit të saktë të tyre. Renditja e programeve  në katër fusha: drejtësi, ekonomi, shkenca politike e sociale dhe infermieri, duke i shërbyer informimit të studentëve, synon të realizojë një renditje të programeve dhe shkollave të larta, në bazë të disa kritereve të matshme, çka do të shërbejë si model për fushat e tjera të studimeve. Rezultatet e këtij Projekti do të jenë mësime bazë për politikëbërjen në Arsimin e Lartë dhe për vetë shkollat e larta si dhe, ajo që është shumë e rëndësishme,  për tregun  e punës. Punëdhënësit mbi bazën e këtij klasifikimi do të kenë mundësi të informohen mbi aftësitë që realizojnë programet e ndryshme të studimit në shkollat tona të larta.
Rezultatet e këtij Projekti do të na shërbejnë ne për diagnostikimin e cilësisë. Ky Projekt do të pasohet nga një projekt tjetër i planifikuar për vitin 2011, i cili do të ketë si qëllim vlerësimin e përmbushjes së pragut të cilësisë që do të vendoset së bashku me universitetet. Do të jetë një prag realist, i pranuar nga të gjithë, i mbështetur në kuadrin ligjor dhe nënligjor dhe i orientuar nga standardet evropiane por, në të gjitha rastet, realist për Shqipërinë. Për këtë do të përdoren konkluzionet e raportit të analizës së implementimit të standardeve të Bolonjës, i cili është pjesë e një projekti që tashmë po përfundon dhe, brenda fundit të këtij muaji, ne do të kemi raportin final. Projekti i vlerësimit të përmbushjes së kritereve të cilësisë do t’i shërbejë drejtpërdrejt Reformës së Financimit të Arsimit të Lartë, pasi ai do të përcaktojë se cilat shkolla të larta do të plotësojnë kushtin e cilësisë dhe do të kenë akses në skemën e re të financimit të AL. (Ministria e Arsimit, 27 Tetor, 2010).





Rezultatet e Rendites u shpallën në vitin 2011 nga APAAL dhe CHE (raporti: https://drive.google.com/file/d/0B6D3DgVHR6L0b0JrX2VGZ2FYQU0/edit?usp=sharing).
Në Parlament Ministri Tafaj njoftoi mbi vështirësitë financiare që kufizuan ndjeshëm efektin dhe zbatimin e reformave në arsimin e lartë. Në seancën e parlamentit (25 Dhjetor 2011) Ministri arsyetoi se buxheti i parashikuar për 2012 do të thellonte më tej zbatimin e reformave.
Dy vitet e fundit ishin vite buxhetore jo të lehtë për vendin tonë, për shkak të ndikimit të krizës financiare që ka prekur rëndë shumë vende, madje edhe fqinjët tanë. Sidoqoftë, ekonomia shqiptare u tregua vitale dhe i qëndroi mirë krizës. Qëndrueshmëria e ekonomisë sonë është meritë e një menaxhimi eficient të buxhetit, duke u dhënë përparësi investimeve në sektorët më prioritarë dhe duke reduktuar shpenzimet e administratës. Por, mbi të gjitha, qëndrueshmëria ekonomike e vendit edhe në këtë periudhë krize, është fryt i punës dhe djersës së qytetarëve të vendit tonë dhe i iniciativës sipërmarrëse të biznesit shqiptar.
Edhe pse situata makroekonomike e vendit është pozitive, ajo duhet parë e lidhur dhe jo e pandikueshme nga ajo e vendeve që na rrethojnë dhe më gjerë. Ky është konteksti në të cilin është planifikuar Buxheti 2012. Për rrjedhojë, ky buxhet duhet vlerësuar si buxhet realist dhe mbështetës për zhvillimin ekonomik të vendit, në mënyrë të veçantë, për zhvillimin e sektorëve prioritarë. Ai shfaqet sërish si një buxhet me një fytyrë sociale, parë kjo nga rritja e shpenzimeve për sektorët publik dhe nga politikat e ruajtjes së vendeve të punës në sektorin publik dhe vazhdimit të rritjes së pagave.
Dëshiroj të theksoj që në fillim se buxheti i vitit 2012 për arsimin mundëson thellimin e reformave dhe përmbushjen e objektivave kryesorë dhe prioritarë, të parashikuar në strategjitë për arsimin parauniversitar dhe për arsimin e lartë.
Buxhetet e dy viteve të fundit mundësuan arritjen e disa treguesve sasiorë në arsimin shqiptar, që janë plotësisht të krahasueshëm me ato të vendeve të BE-së. Rreth 80% e nxënësve të klasës së parë kanë vijuar, për së paku një vit, arsimin parashkollor. 91-92 % e nxënësve që përfunduan me sukses arsimin 9-vjeçar, vijuan arsimin e mesëm. Regjistrimet në arsimin e mesëm profesional u rritën çdo vit me 9 dhe 11%, në krahasim me vitin 2009. Në arsimin e lartë publik u pranuan rreth 42000 studentë në vitin 2010 dhe rreth 50000 studentë në vitin 2011, në të gjitha ciklet e studimeve universitare, me kohë të plotë dhe të pjesshme. Mbi 70% e maturantëve përfituan një vend studimi në arsimin e lartë publik. Me fondet e buxhetit 2010 dhe 2011, konkretisht Programit të Fondit të Ekselencës, u mbështetën 48 dhe 83 kandidatë për studimet e doktoratës në universitetet më të mira të botës. Grupi i parë i kandidatëve të mbështetur nga Fondi i Ekselencës ka mbrojtur doktoratat jashtë vendit dhe është kthyer. Në vitin 2013 do të jenë rreth 200 të rinj të talentuar që do të kenë përfunduar studimet e doktoratës në universitetet e huaja, çka do të thotë që, pas rreth një dekade, ne do të kemi rreth 200 profesorë të rinj të formuar në shkolla perëndimore, që do të kontribuojnë për përgatitjen e studentëve dhe do të hulumtojnë në fusha të ndryshme të shkencës. Krahas kandidatëve për doktorata, ky program mbështet edhe maturantë dhe studentë të shkëlqyer që pranohen në 15 universitetet më të mira të botës për studime universitare. Ky është një investim i madh, në kuptimin e vërtetë të fjalës, për të ardhmen, që po bën shoqëria shqiptare. Buxheti 2012 parashikon 100 milionë lekë për Fondin e Ekselencës, çka garanton financimin e 90-100 kandidatëve.
Buxheti i vitit 2012 mbështet politikën konstante të Qeverisë Berisha për përmirësimin e statusit të mësuesve dhe pedagogëve. Buxheti parashikon rritje të pagave edhe në vitin 2012. Numri i vendeve të punës në arsimin parauniversitar mbetet i njëjtë. Transferta e pakushtëzuar e arsimit të lartë përfshin një rritje me 400 – 500 vende pune. Krahas pedagogëve të rinj me kohë të plotë, universitetet do të kenë mundësi të angazhojnë, përmes të ardhurave të tyre, një numër të konsiderueshëm pedagogësh me kohë të pjesshme për të përballuar rritjen e numrit të studentëve. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e doktorantëve (në sistem kemi rreth 2800 doktorantë) duhet të angazhohet në procesin mësimor, çka i shërben edhe kualifikimit të tyre.
…Me buxhetin e vitit 2012 mbështeten plotësisht bursat e nxënësve e të studentëve, si dhe subvencioni i ndërmarrjeve të trajtimit të studentëve. Me përparësi do të mbështeten me bursë jo vetëm nxënësit e familjeve me ndihmë sociale, por edhe nxënësit konviktorë që vijnë nga 16 rrethe të zonës verilindore dhe juglindore të vendit dhe vijojnë shkollat profesionale. Gjithashtu, bursë kanë përfituar të gjithë nxënësit konviktorë që janë regjistruar në degët e teknologjisë së informacionit, ndërtimit, bujqësisë dhe pyjeve.
… Brenda vitit 2012, sistemit i shtohen 131 objekte të reja apo rikonstruktuara. Prej tyre, 10 projekte u përkasin universiteteve publike, ku Universiteti i Durrësit do të jetë përfitues i dy godinave të reja, njëra në kampusin e ri në Durrës dhe tjetra në filialin e tij në Peshkopi. Gjithashtu, Universiteti i Shkodrës do të ketë një godinë të re për Fakultetin e Ekonomisë. Universiteti i Tiranës ka përfunduar projektin e kampusit dhe mund të fillojë ndërtimin e godinës së parë. Ndërkohë, Qeveria i ka transferuar Universitetit të Tiranës dy godina të tjera nga objektet e Ministrisë së Mbrojtjes, që do të fillojnë të rikonstruktohen gjatë vitit 2012, çka nënkupton një rritje të kapaciteteve në hapësira për rreth 3000 studentë. Godina të tilla u janë transferuar edhe universiteteve të Korçës, të Vlorës, të Elbasanit e të Gjirokastrës dhe gjatë vitit 2012 do të fillojë puna për rikonstruksionin e tyre. Të gjitha investimet infrastrukturore në universitete do t’i shërbejnë jo vetëm rritjes së kapaciteteve në auditorë, por edhe rritjes së cilësisë së studimeve universitare, që përbën objektiv madhor.
…Buxheti i vitit 2012 siguron bashkëfinancimin e projekteve me organizatat partnere. Projekti kryesor është ai “Cilësi dhe Barazi në Arsim” (CBA), ku Qeveria shqiptare është bashkëfinancuese me 40% të fondit total.
Në kuadër të këtij projekti, do të mbështeten investimet në 13 projekte për shtrirjen e teknologjisë së informacionit në arsim që i shërbejnë fazës së dytë, asaj të çuarjes së internetit në çdo klasë dhe mësimit të mbështetur edhe në teknologjinë e informacionit.
Investim tjetër shumë i rëndësishëm në kuadër të projektit CBA është edhe ai për ngritjen e laboratorëve mësimorë në arsimin bazë (250 laboratorë) dhe atë të mesëm (280 laboratorë), gjithsej 530 laboratorë. Pra, rreth 25% e shkollave përfitojnë laboratorë në lëndët natyrore.
Gjithashtu, në vitin 2012 do të financohen 10 laboratorë mësimorë-kërkimorë në universitetet publike, me një vlerë prej rreth 10 milionë lekë secili, që do t’u shërbejnë, në mënyrë të veçantë, studentëve të masterit dhe doktoratës, si dhe projekteve të kërkimit shkencor të pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve.
… Projekti CBA mbështet me asistencë teknike Reformën Financiare të Arsimit të Lartë. Në këtë kuadër, ka përfunduar hartimi i Dokumentit Politik (Ëhite Paper), në formën e Planit të Veprimit Kuadër, si dhe i dokumenteve të tjera për aspekte të veçanta të reformës. Kjo reformë synon, në radhë të parë, rritjen e cilësisë dhe krijimin e mundësisë reale për çdo maturant për të studiuar, pavarësisht nga gjendja e tij sociale. Ajo do të pilotohet, në të gjitha etapat e saj, në universitetet publike. Për këtë qëllim, viti 2012 do të jetë viti i fazës përgatitore, gjatë së cilës:
- do të ngrihet sistemi i kredisë studentore;
-do të përfundojë ngritja e sistemit të menaxhimit elektronik akademik (baza e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve);
-do të përfundojë ngritja e sistemit të menaxhimit financiar dhe
-do të përfundojë hartimi i paketës ligjore dhe nënligjore të nevojshme për zbatimin e modelit të ri të financimit të arsimit të lartë.
Investimi për kërkimin shkencor dhe zhvillimin (R & D) në tërësi është në nivelin rreth 0.35% të PPB-së. Ai ka pësuar një rritje, por ende është larg nivelit të dëshiruar (në strategjinë e kërkimit dhe teknologjisë është parashikuar 0.6% e PPB-së).
Buxheti i vitit 2012 mbështet kuotën prej 220 milionë lekë, që duhet të paguajmë në Programin Kuadër 7 të BE-së (FP 7). Numri i aplikimeve nga vendi ynë është rritur ndjeshëm edhe gjatë vitit 2011, por shkalla e suksesit mbetet ende e ulët, çka kërkon intensifikimin e bashkëpunimit të grupeve tona kërkimore me homologët e tyre të vendeve të tjera, modernizimin e shpejtë të infrastrukturës laboratorike si dhe promovimin me përparësi të të rinjve të talentuar dhe me përvojë ndërkombëtare në sistemin e arsimit të lartë.



Pasqyrimi  dhe perceptimi i reformës në media


Pasqyrimi i reformës në media ishte një katrahurë e karakterizuar nga mungesa e profesionalizmit, mungesa e informacionit, dëshira për të trazuar shpirtërat, ndonjë agjendë e fshehtë dhe jo pak ndikoi edhe heshtja e ministrisë së arsimit ndaj akuzave në media.
Gazeta Shekulli (18 Qershor, 2010) raportonte gabimisht se do të miratohej një buxhet që do të financonte edhe arsimin privat, gjithashtu në asnjë fjalë të ministrit nuk përmendej rritja e cilësisë së studentëve në arsimin privat.
Në buxhetin për arsimin qeveria parashikon edhe financimin e universiteteve private. Deklarata u bë e ditur sot nga ministri i Arsimit Myqerem Tafaj gjatë mbledhjes së Konferencës së Rektorë ku ka sqaruar skemën e re të financimit të Universiteteve. Skemë e cila përfshin universitetet publike por dhe ato private.
Në fjalën e tij, ministri Tafaj tha se modeli i ri i financimit parashikon instrumentin financiar të shpërndarjes së fondeve të orientuara tek studenti, si dhe instrumentin që orientohet tek institucioni, që do të thotë unversitet publik dhe privat.
"Katër do të jenë format e financimit. Nëpërmjet kuponit,bursave të ekselencës,bursave sociale ku do të përfshihen studentët që vijnë nga shtresa sociale në nevojë si dhe nepërmjet kredive për studentë",-tha Tafaj
Ndërsa universitet publike dhe private do të duhet të përcaktojnë koston që duhet të paguajë cdo student brenda një viti dhe do të jetë vetë studenti ai që do të vendosë se në cilin universitet do t'i vazhdojë studimet.
Ky projekt synon të ulë diferencen në mes arsimit publik dhe atij privat, si dhe të rrisë cilesine e studenteve që do të zgjedhin për të studiuar në universitet private. (Shekulli, 18 Qershor, 2010)



0 comments:

Post a Comment