Monday, April 14, 2014

UT-mbi-Reformën

 

Që kur reforma në arsimin e lartë u shpall në vitin 2007 me zbatimin e Procesit të Bolonjës dhe hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit të Lartë (2008), Universiteti i Tiranës, universiteti më i madh i vendit, nuk ka hartuar asnjë dokument strategjik që të shpreh vullnetin konsensual të personelit akademik apo ndonjë qëndrim të qartë në lidhje me reformën. Mund të supozohet që ka pasur një konsensus pse strategjia kombëtare është diskutuar dhe miratuar nga grupet e interesit. Por asnjë pozicion i qartë në lidhje me misionin e Universitetit të Tiranës në këtë reformë nuk është formuluar ndonjëherë. Ende Universiteti i Tiranës nuk ka një pozicion të qartë edhe pse tanimë ka në komisionin e ngarkuar për reformën (Rama) zv. Rektorin Ervin Demo.

I vetmi pozicion i Universiteti të Tiranës në lidhje me reformën mund të inferohet nga diskutimet në gazeta apo televizione.

Modeli “kilian” i konkurrencës të propozuar nga Ardian Civici (UET) përballet me një model të paqartë të Shezai Rrokaj nga Universiteti i Tiranës në Gazetën Shqip (10 Korrik, 2013). 

Shkurtimisht cështjet e ngritura nga Rrokaj janë: (a) arritja e një konsensusi për reforma totalitare dhe të integruara në objektivat e zhvillimit strategjik; (b)rregullimi i kredencialeve akademike; (c ) reforma e financimit të arsimit por nuk përmend ndonjë plan të caktuar dhe i largohet idesë së llogaridhënies; (ç) reformë e strukturave dhe organizimit të universiteteve publike; (d) nxitja e angazhimit të universitetit në misionin e tretë dhe në projektet ndërkombëtare të kërkimit; (dh) rritja e kapaciteteve të universiteteve publike për të përthithur të gjithë kërkesën në arsimin e lartë (dhe pastaj thotë që arsimi privat duhet të jetë komplementar!); (e) pavarësi të sistemit të sigurimit të jashtëm të cilësisë nga ekzekutivi (vendimmmarrja sipas ligjit është e Ministrisë të Arsimit) por nuk bën fjalë gjëkundi për sigurimin e brendshëm të cilësisë në UT dhe mosfunksionimin e këshillit të etikës në këtë institucion etj.

Më poshtë disa prej pikave të Rrokës:
1. E rëndësishme është krijimi i një sinergjie mendimi prej së cilës do të konceptoheshin reforma të plota për arritjen e standardeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në vendin tonë.
2. Edukimi duhet parë si një vazhdimësi, që nga kopshti e deri shkollimin universitar, e më tej në të mësuarit gjatë gjithë jetës. Kurrikula shkollore konceptohet si tërësore, dhe jo e copëzuar si deri sot, në politikat dhe strategjitë arsimore me cikle shkollimi, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të konceptohet një formim pa boshllëqe, pa thyerje konceptuale dhe pa përsëritje e fryrje informacioni nga viti në vit dhe nga cikli në cikël.
3. Strategjia arsimore synon orientimin e shkollës në përputhje me strategjinë afatmesme e afatgjatë të vendit dhe atë rajonale e globale.
4. Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet rregullimit të titujve të diplomave në përputhje me kategoritë e punës në Republikën e Shqipërisë, gjë që do t’i jepte fund çrregullimeve që vihen re sot në procesin e punësimit në publik a në privat.
5. Reforma për arsimin merr si pikënisje financimin e arsimit si fushë prioritare.
6. … duhet të synohet në ngritjen e Instituteve (Kolegjeve) Profesionale dyvjeçare, sipas modelit zviceran, finlandez, amerikan, pas shkollës së mesme. Arsimi profesional duhet të nxitet nëpërmjet sektorit privat të interesuar me mbështetjen e shtetit.
7. … arsimin e detyrueshëm edhe për shkollën e mesme të lartë. Pas analizave që janë bërë për të parë se sa nisin klasën e parë dhe sa nga ky numër futen në universitet nga njëra anë, dhe standardi i BE-së (30/1000 banorë në shkollë të lartë) nga ana tjetër, rezulton se nga rreth 50 mijë nxënës në klasën e parë në universitet futen realisht më pak se 30 mijë.
8. .. thjeshtimi i skemës së pranimeve nëpërmjet ndarjes së maturës shtetërore nga skema e pranimeve, zhvillimi i konkursit vetëm për degët ku kërkesa është më e madhe se oferta, liberalizimi për degët e tjera, dhënies një peshë më të madhe mesatares, në mënyrë që nxënësi të mësojë të gjitha lëndët dhe jo të mjaftohet me katër lëndët e maturës shtetërore.
9. .. të ndërmerret një reformë për rishikimin e kurrikulës në raportet leksion-seminar, për të eliminuar përsëritjet e panevojshme dhe nxitjen e shkollave të larta për të përshtatur në kurrikul informacionin e ri si dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe projekte të përbashkëta kërkimore në nivel rajonal.
10. Strukturimi dhe zhvillimi i universiteteve duhet të bëhet në varësi të strategjisë së zhvillimit të vendit, të diversifikimit rajonal të këtij zhvillimi, të ngjashmërisë kurrikulare dhe të veçanësisë që kanë universitetet nga njëri-tjetri. Rishikimi i kurrikulës aktuale duhet të bëhet në mënyrë që ajo të harmonizojë si duhet mësimdhënien me kërkimin.
11. Departamenti duhet të strukturohet sipas konceptit të profesorit, i cili drejton grupin mësimor në mësimdhënie dhe kërkim. Ai duhet të ketë edhe fondin e vet të kërkimit, si dhe ka detyrim në ngarkesën e tij të fitojë projekte për grupin mësimor.
12. Qeveria duhet të nënshkruajë një kontratë partnershipi me IAL-të për të hartuar projektet e zhvillimit të vendit me fonde qeveritare apo për të bërë oponencë për projektet e ofruara nga donatorët.
13. Universitetet duhet të bashkëpunojnë edhe me Pushtetin Vendor për zhvillimin e territorit. Strategjia e kërkimit duhet të mbështetet në: a) kërkimin me projekte institucionale (KZH), b) kërkimin me projekte kombëtare, c) kërkimin me projekte bilaterale, e në mënyrë të veçantë integrimin e IAL-ve në FP 7 etj. Për kërkimin bazë, përveç fondeve të veta, për t’u dhënë hapësira të mëdha IAL-ve, Qeveria duhet të përfshijë këtë kërkim në zërin investime (231/5) me fondet e tyre.
14. Krijimi i një strukture për sistemin e karrierës që do të synojë orientimin dhe nxitjen e sipërmarrjes për të rinjtë, nëpërmjet programeve nxitëse për sipërmarrjen, panairet e punës me dhomat e tregtisë dhe bizneset si dhe praktikat e punës.
15. Rregullimi i raporteve midis U-publike dhe U-private, si dy sisteme komplementare dhe konkurrenciale. U-publike duhet të kenë gjitha kapacitetet e nevojshme për absorbuar të gjitha kërkesat. Kjo do të shpjerë në një konkurrencë më të drejtë, e cila mbështetet në tre komponentë: cilësia, komoditeti dhe tarifa e shkollimit. Qëndrimi i Qeverisë ndaj këtyre dy sistemeve duhet të jetë vetëm në respektim të standardeve, pa shfaqur favoritizëm në njërën apo në tjetrën anë.
16. Ndërtimi i një sistemi funksional vlerësimi të brendshëm dhe të jashtëm, jashtë ndikimit të ekzekutivit duke ftuar një agjenci të huaj akreditimi, e pajtuar nga Konferenca e Rektorëve), që do të realizonte fillimisht akreditimin, pastaj edhe një renditje të universiteteve, sipas degëve të studimit. Këshilli dhe Agjencia e Akreditimit duhet të jenë struktura jashtë MASH, të miratuara nga Parlamenti, me propozim të Konferencës së Rektorëve.
17. Me plotësimin e kushteve të sistemit full-time që, së bashku me universitetet private, do të absorbojë tërësinë e kërkesave në kufijtë preferencialë, sistemi part-time duhet të shndërrohet gradualisht brenda këtij mandati në një sistem të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Shkolla e lartë duhet të hapet në shërbim të aftësimit të përhershëm të kategorive të punës, duke hapur cikle kursesh e duke dhënë diploma të ndërmjetme a certifikata për njohuri të caktuara. Duhet t’i kushtohet rëndësi njohurive ndërdisiplinore për lëndë a grup lëndësh në varësi të zgjerimit të pozicionit të punës në përputhje me strategjinë e zhvillimit rajonal e global.



















0 comments:

Post a Comment