Tuesday, April 29, 2014

Reforma e arsimit të lartë sipas qeverisë Rama



Dokumente: Green Paper

Grupi i Reformës ka shpallur planin e tij për reformën e arsimit të lartë. Më poshtë disa prej çështjeve kryesore.

- synimet e reformës ngelen po ato të shpallura në reformën e Tafaj (cilësia e arsimit të lartë, zgjidhja e problemit të financimit, aksesi, punësimi/employability, rritja e autonomisë dhe llogaridhënies).
- parimet janë disi të ngjashme me planin e reformës Tafaj (ndarja e kostos me studentin, pavarësia e institucioneve për të vendosur tarifa, konkurrencë por risi është ndarja e institucioneve publike në prioritare dhe joprioritare që shkel parimin e konkurrencës- qeveria e mëparshme ishte përqëndruar tek programet e studimit, megjithëse ishte përfolur disa herë ndarja në universitete të kërkimit të aplikuar e profesional dhe atyre me karakter shkencor)
- instrumentet e reformës janë gjithashtu të ngjashme me reformën Tafaj, perveç shpikjes së një autoriteti financiar ekzekutiv "të pavarur" (qeveria do të përcaktojë përparësitë, por autoriteti do të shpërndajë dhe vlerësojë gjithashtu?) 




Përmbledhje

KAPITULLI I


1.     Termat e Referencës Komisionit

Urdhëruar:   
                        Ky Komision, i quajtur Komisionipër Reformën Arsimin eLartëdhe Kërkimin Shkencor u krijua meurdhër Kryeministrit.

Qëllimi & Objektivat:         

                        Ky Komision ukrijuasi një instrument  i pavarur, i drejtuar dhe i përbërë  nga studiues dhe ekspertë arsimit lartë me qëllim kryesorhartimin e reformës arsimit lartë Shqipëri.

                                  Objektivi kryesori Komisionit është prodhojë ashtuquajturën “White Paper”, një Raport Shkencor për Politikën e Arsimit Lartëdhe Kërkimin Shkencor Shqipëri për përballuar zhvillimin afatshkurtër dhe afatgjatë vendit.

                         

Anëtarët e Komisionit: Komisioni iu ngarkua Dr. Arjan Gjonça
Emri                 Funksioni
1.Dr. Arjan Gjonça                  Prof. Asoc. i Demografisë,  London School of Economics and Political Science
2.Dr. Besnik Aliaj Prof. i Arkitekturës  dhe Planifikimit Urban, Universiteti POLIS
3.Dr. Myftar Barbullushi Prof. Shkencave Mjekësorë, Universiteti i Mjekësisë Tiranë
4.Dr. Dhurata Bozo Prof Asoc. Shkencave Biologjike, APAAL
5.Dr. Adrian Civici Prof. Shkencave Ekonomike, Universiteti Evropian i Tiranës.
6.Dr. Ervin Demo Prof. Asoc. Shkencave Ekonomike, Universiteti i Tiranës.
7.Dr. Edmond Hadëri Prof. Shkencave Biologjike, Universiteti Katolik i” Zojës së Mirë”
8.Dr. Artan Hoxha Prof. Asoc. i Shkencave  Juridike,  Unitersiteti  i Tiranës
9.Dr. Anila Paparisto Prof. Shkencave Biologjike, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT
10.Dr. Elida Rapti Psikologe,  Universiteti i Arteve
11.Dr. Aleksandër Xhuvani Prof. i Inxhinierisë Informatike,  Universiteti Politeknik i Tiranës
Fazat Produktet Afatet
I Green Paper Janar-Prill 2014
II Diskutime, publikimi i raportit Prill-Maj 2014
III Raporti Përfundimtar / White Paper Korrik 2014
Hartimi i planit të punës / veprimtarive për reformën.


2. Qëllimet dhe Parimet eReformës

-    reforma u rqendrua tek mënyra e organizimit arsimit lartë Shqipëri dhe IAL-ve tij.
-    puna e Komisionit u fokusua tek format dhe madhësia e financimit arsimit lartë.
o   ana mësimore dhe puna kërkimore
o   rekomandimet tona, është lidhja shumë erëndësishme midis mësimdhënies dhe punës kërkimore - shkencore brenda një institucioni, departamenti dhe individit.
-    u diskutua nëse është e domosdoshme Shqipëria ketë një “sistem”unifikuar dhe standardizuar arsimit lartë.
-    theksojmë se sugjerimet tona duhet merren si një e rë dhe se interpretimi e vënia jetë i tyre mund funksionojnë vetëm si një e rë.

2.1  Qasja dhe synimet e reformës: Output


-         përmirësojë treguesit, kryesishtata matjes “dalje
-          përmirësimin e cilësisë së arsimit lartë dy drejtimet kryesore: mësimdhënie dhepunë kërkimore - shkencore.
-          përshtatet dhe paraprijë ndryshimeve në tregun e punës dhe në zhvillimin e vendit.
-          mendojmë për një sistem unifikuar dhe standardizuar arsimit lartë Shqipëri – qëllimi afatgjatë
-          arsim të lartë mbi baza financiare të qëndrueshme që t’u bëjë ballë ndryshimeve dhe cikleve ekonomike
o    larmia e financimit dhe pavarësia institucionale janë ... të rëndësishme për të maksimizuar të gjitha burimet e financimit që ekzistojnë në shoqëri.
o    institucione pavarura arsimit lartë t’i rezistojnë kohës dhe ndryshimeve ekonomisë dhe tregut (përsëritje 2.1.7 & 2.1.5)
-          të krijojë mekanizma të qëndrueshëm të kontrollit të brendshëm (brenda IAL-ve) dhe të jashtëm

2.2 Parimet operative të sistemit të arsimit të lartë sipas reformës:


A.    parimin e mundësive barabarta,
a.       Shteti e ka detyrim ligjor të ndihmojë për shkollim studentët që plotësojnë kriteret, por e kanë të pamundur financim[in] e studimeve të tyre.
b. ndihmë në bazë të nevojës dhe meritës 

B.     parimin e konkurrencën lirë
a.       Të gjitha institucionet earsimit lartë publik janë BARABARTA PËR FINANCIMqeveritar (parimi i konkurrencës).  
b.      Por....
     i.            Shteti bën diferencim vetëm për prioritetet etij strategjike.
   ii.            Vlërësimi! “Kjo barazi bëhet mbi bazën e vlerësimeve të mësimdhënies dhe punës kërkimore- shkencore.”
 iii.            Konkurrenca? “Disa nga institucionet e arsimit lartëduhet të gëzojnë status “TË VEÇANTË” për arsye se: janëprioritet kombëtar, ose nuk mund aplikojnë të njëjtat rregulla konkurrencës si IAL-të e tjera.”

C.     mbi gjitha, qenit shërbim publik, pra ketë akses nga gjithë mbi bazën emeritës.
-          SHËRBIM DHE E MIRË PUBLIKE, dhe si i tillë kërkon në mënyrë të vazhdueshme financim të pjesshëm dhe vëmendjen e shtetit.

D.    Integrimi i  MËSIMDHËNIES me KËRKIMIN SHKENCOR

E.     Financimi
              i.               Performanca! Financimi në bazë të performancës. Vlerësimi në saj të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe inovacionit(!).
            ii.               Seleksionimi! Qeveria/ Ministria e Arsimit, rcaktojnëpër çdo vit PËRPARËSITË r arsimin elartë, pra se sa fondedo të shkojnë dhe cilat fusha janë prioritet (këtu çdo qeveri reflekton politikat esaj), por jo mënyrën se si do të rdoren këto fonde nga IAL -të.
          iii.               Funksionimi i skemës: i pavarur nga qeveria nëpërmjet AGJENSISË KOMBËTARE  TË FINANCIMIT (që administron shpërndarjen e fondeve) dhe organizon vlerësimet e IAL-ve (i pavarur). Fondet shpërndahen mbi parimet e: Barazisë, Transparencës dhe Performancës
          iv.               Ndarja e kostove me studentin! “është e domosdoshme futja e një PAGESE MINIMALE  (TARIFË) për çdo student/ vit shkollor, ku qeveria përcakton pagesën/ KUFIRIN MAKSIMAL  (TAVAN) të tarifës, dhe ku çdo universitet vendos tarifat e tij.”
      v.       Kredia studentore për të mundësuar absorbimin e rritjes së tarifave të studimit.
1.         Master(cikli i dyte ) universiteti është i lirë për të vendosur tarifat.
2.         Thuhet: “Pagesa vendoset për diplomën universitare”?
            v.               Universitetet publike janë të lira të zhvillojnë veprimtari fitimprurëse.
1.         Masterat dmth. do të jenë fitimprurës dhe ato mund të vendosin tarifa mbi kosto?
2.         Po Dr.? , ciklet e shkurtra 2-vjeçare profesionale- vetëm në institucionet prioritare
          vi.               Diferencim për ndihmën e shtetit: nevoja dhe merita
1.         Shtresat nevojë financohen ngashteti me fond tëveçantë.
2.         Studentët me merita

F.      Sistemi i unifikuar dhe i standardizuar:
a.      Kërkon që institucionet të jenë të pavarura? Por standardizimi kërkon ndërhyrjen e shtetit!
b.      Sidoqoftë  parimet.
                                                                                           i.      PAVARURA aktivitetin etyre mësimdhënës dhe kërkimin shkencor
                                                                                         ii.      Të financuara pjesërisht nga shteti
                                                                                       iii.      Të vetë-menaxhuara

 

Monday, April 28, 2014

Mbi historinë e arsimit të lartë në Shqipëri 1946-68

 

Duro, Çlirim (2012) Arsimi i Lartë në Shqipëri 1946-68. Universiteti i Tiranës. (Disertacion)
Krahasimet, grafikët dhe tabelat me statistikat ndërkombëtare apo ato aktuale janë nga blogu
image
Diskutimet nëpër gazeta mbi masivizimin e dhe uljen e cilësisë në arsimin e lartë jo pak herë nisen nga një romantizim i së kaluarës apo nga dëshirat elitiste për të kufizuar aksesin në arsimin e lartë. Por një vështrim historik mbi zhvillimi e arsimit të lartë në Shqipëri ndihmon për të kuptuar se ky sistem relativisht shumë i ri po has të njëjtat probleme sikur në fillesat e veta. Dhe megjithatë shqiptarët e arsimuar në vitet 1970-1990 janë krenar për arsimimin e tyre që është trashëgimi e atyre përpjekjeve fillestare. Kritikët e brezit tim, që nuk e kanë përjetuar ngritjen e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri gjatë periudhës socialiste, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në vlerësimin e situatës së sotme. E kaluara na jep argumente për optimizëm.
Çlirim Duro, një nga specialistët e pakët në fushën e akreditimit dhe vlerësimit të jashtëm në Shqipëri, nëpunës prej vitesh pranë Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë ofron pikërisht perspektivën historike për të vlerësuar gjendjen e sotme të arsimit të lartë në Shqipëri. Vepra e tij “Arsimi i Lartë në Shqipëri 1946-68”, shkruar në kuadër të disertacionit për titullin Doktor i Shkencave në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, paraqet fillesat dhe zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri për atë periudhë.
Studimi mbart vlera për historikun e zhvillimit të arsimit të lartë dhe shkencës (kapitulli i fundit) në Shqipëri. Por periudha e zgjedhur është e shkurtër dhe metoda është ajo kronologjike (vertikale) dhe jo tematike (horizontale). Referencat dhe ndonjë analizë krahasuese mbi situatën aktuale mungojnë, por duket sikur tematika që përshkon të gjithë studimin lidhet me përpjekjet e qeverisë për të rritur numrin e studentëve dhe të programeve të studimit (për kuadro të kualifikuar në mësuesi e prodhim, për të mundësuar indoktrinimin apo edhe thjeshtë për ambiciet kombëtare si në rastin e fakulteteve të gjuhësisë). Duro nuk ngurron të vlerësojë e analizojë me sy kritik politikat e qeverisë. Përshtypja ime është se në tërësi studimi bazohet mbi dokumente zyrtarë dhe kjo ka kufizuar diapazonin e veprës pasi është lënë jashtë vështrimit përjetimi personal i studentëve, pedagogëve dhe administratorëve.
Fillimisht Duro paraqet një histori të shkurtër (rreth 20 faqe) të arsimit në Shqipëri. Në këtë seksion ai nuk mund ti shpëtojë metaforave të historiografisë të socializmit shqiptar, kombinuar me raste me terma moderne. Sipas tij “përpjekjet dhe vizioni për ndryshime janë ushqyer, frymëzuar dhe mbështetur në traditën arsimdashëse të popullit dhe në jetën dhe veprën e bijve më të shquar që e bënë arsimin pishtar për liri, dituri dhe progres(fq. 7). Ose se “lufta e tij [popullit] me pushkë për pavarësi e çlirim nga zgjedha e huaj nuk është ndarë asnjë herë nga lufta me penë, nga përpjekjet për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare” (fq. 8); “lufta për çrrënjosjen e analfabetizmit”(fq. 18) etj. Këto ose shprehin qëndrimin e autorit, ose burimet (si E. Kambo, H. Beqja etj.) janë përdorur pa reflektim. P.sh. tek përmend importimin e ideologjisë fashiste në shkolla, Duro komenton se këto përpjekje për imponim hasën në “rezistencën e forcave përparimtare” (fq. 12). Autori nuk pyet se cilin ishin “këto forca përparimtare” dhe se a mund të cilësohej fashizmi forcë reaksionare në kontekstin ekonomiko-social shqiptar; gjithashtu nuk përmendet nëse u ndërtuan shkolla gjatë pushtimit italian. Autori nuk permend as që Italia fashiste kishte kontribuar në themelimin Institutit për Studime Shqiptare (1940), i emërtuar më pas Instituti i Studimeve (1946) dhe Instituti i Shkencave (1947) (Michael Schmidt-Neke, 2006, Albanische Hefte 1).

Zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i arsimit në Shqipëri, e gjetkë në botën komuniste, cilësohet me të drejtë arritja më e madhe e sistemit socialist. Studiuesit shqiptarë vendosen në siklet që njëkohësisht të njohin meritat e sistemit në këtë aspekt dhe të analizojnë efektet e sistemit arsimor mbi indoktrinimin e brezave. Duro nuk bën përjashtim. P.sh. gjatë analizës së reformës në arsimin parauniversitar (Ligji mbi Reformën Arsimore në Shqipëri, 1946) Duro nuk mund të qartësojë dallimin ndërmjet përshkrimit të objektivave të reformës dhe analizës apo vlerësimit të saj nga studiuesit e mëvonshëm. P.sh. Duro vlerëson synimet demokratike të reformës apo ndarjen “kategorike të shkollës nga kisha dhe nga feja ... si një nevojë urgjente .. dhe një hap të madh” për zhvillimin e vendit” por më tej e kundërshton këtë veprim duke i quajtur si synime “nonsense demokratike të reformës” dhe keqpërdorim të pushtetit për çështje propagandistike (fq. 23). Sipas autorit “ishte pikërisht kjo propagandë që vlerat emancipuese e përparimtare të reformës i deklaronte vend e pavend, duke i lidhur vetëm me vijën politike, me meritat e PKSH.” (fq. 23). Duro nuk arrin të artikulojë çështjen që çdo sistem politik e bazon legjitimitetin e tij (dhe propagandën) mbi bazën e suksesit në zbatimin e politikave përparësore (arsimin, ekonominë, industrializimin, tufëzimin apo fushatat anti-korrupsion etj.). Vlerësimet jashtë këtij kuadri historik e teorik të legjitimitetit janë ahistorike.
Linguistët ndoshta argumentojnë ndryshe, por unë mendoj se përdorimi i “së ardhmes së shkuar” në rrëfimin e ngjarjeve të shkuara e pështjellon lexuesin. Autori përdor gjerazi “të ardhmen e përparme”. P.sh. “në shkollat e vendit do të futej lënda e re mësimore ... gjuha italiane do të bëhej ... do të mbizotëronin ... do të ishte” (fq. 12).
Duro merret me disa aktorë që i ai konsideron kyç në hartimin e politikave apo nismave për krijimin e institucioneve, por e lë lexuesin në injorancë për të tjerë. P.sh. ai flet gjatë për S. Malëshovën që kryesoi nismën për hapjen e institucionit të parë të arsimit të lartë, Institutit Pedagogjik 2-vjeçar në 1946. Ndërsa Nga faqja 35 deri ne 42 merret me promemorien për themelimin e fakultetit të gjuhës dhe letërsisë nga një grup pune i ministrisë së arsimit në vitin 1947 (anëtarë E. Çabej, fq. 35). Grupi shpalosi një plan 5 vjeçar për realizimin dhe autori tregon problemet që kishin vërejtur anëtarët si mungesa teksteve dhe e personelit akademik. Por në vijim nuk dëgjojmë më për këtë grup apo ndikimin e projektit të tyre mbi themelimin e fakultetit me të njëjtin emër në Universitetin e Tiranës, themeluar në 1956. Ndërsa në një çast (fq. 51) përmend të gjithë drejtuesit e katedrës të Institutit të Lartë Pedagogjik 4-vjeçar të sapo themeluar (1952), por nuk thotë asgjë mbi drejtuesit (rektorët) e instituteve dhe ministrat e asaj periudhe. Për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës historia paraqitet sikur është rezultat i Byrosë Politike, mungojnë hulumtimet mbi ndikimin e personave konkretë, mbi projektet alternative dhe konfliktet ndërmjet përfaqësuesve.
Autori nuk kritikon problematikat me statistikat zyrtare dhe nuk i paraqet ato sipas treguesve ndërkombëtarë. P.sh. Tabela 1 (fq. 45) e bazuar mbi vjetarin statistikor 2002-03, tregon për tre institucione të arsimit të lartë gjatë 1950-51. Autori nuk qartëson nëse ka një gabim në këtë tabelë, pasi ai vetë dëshmon se institutet e larta të pedagogjisë, politeknikut dhe ai bujqësor u çelën në vitin akademik 1951-52 (fq. 47), dhe gjatë 1950-1 ishte vetëm Instituti Pedagogjik 2-vjeçar. Gjithashtu në tabelën që i atribuohet Vjetarit Statistikor 2002-03, shifra e studentëve për këtë periudhë është paraqitur në total 254, ndërsa referuar arkivës del se kanë qenë regjistruar 165 studentë në total për të tre institutet (përkatësisht 47, 44 dhe 74, fq. 52). Paqartësi ka edhe në shifrat e studentëve shqiptar që studionin jashtë vendit (767 në 1950, 139 në 1952, fq. 53, dhe në 1956 del numri 883, fq. 56?). Gjithashtu disa referenca për shifrat janë marrë nga vendimet e Këshillit të Ministrave, që janë planifikime kuotash dhe jo shifra reale (prandaj ka një rritje të pasqaruar të numrit të përgjithshëm të studentëve nga 1595 studentë në vitin 1956, fq. 56, në 1923 studentë për vitin 1957, fq. 67). Sidoqoftë, atëherë e merrnin seriozisht planin, nga 7% rritje që ishte planifikuar, numri studentëve nga viti 1951 (208 studentë) u rrit me thuajse 7-fish në 1955. Ndërsa tabela 10 (fq. 110) mbi shifrat e studentëve të diplomuar nuk vihet përballë atyre të regjistruar për të llogaritur përqindjen e të diplomuarve (por del jo qartë në fq. 126). Tabelat disa herë nuk shoqërohen me informacione shtesë poshtë tyre, si për burimin apo interpretimin, dhe ka raste kur janë të paqarta.
Në vitin 1946/7 raportuan 53 studentë; në 1950/1=208 (ose 304); 1952/3=391; 1954/5=1429; 1955/6=1595 (ose 3411); në 1956/7=1923; 1960/1=6700 (ose 6703); në 1962-63=11,687; në 1970/1=25469. Shifrat tregojnë një rritje vjetore mesatare prej 123%.
Duro (2012) Të dhënat kontradiktore (ose të paqarta) nga statistikat zyrtare.
image
Ndërsa për të merakosurit nga masivizimi, njoftohet se nga viti 1994-2012 rritja mesatare ka qenë rreth 11% për të gjithë sistemin, me variacione mbi 17% gjatë 2003-2007. Ndërsa arsimi privat ka pasur një rritje mesatare deri në 80% (sot zë rreth 21% të numrit të studentëve). Nëse dikush është i frikësuar nga zgjerimi i sistemit arsimor sot, le të mendojë për ato vite.
image
Siç edhe paraqitet nga Duro (fq. 129), pas viteve 60 rritja e aksesit realizohej me anë të sistemit të korrespondencës (arsimimi i proletariatit!). Në 1960 mbi 47% e studentëve studionin pa shkëputje nga puna, ndërsa në vitin 1970 ishin gati 58%.
image
Sipas Barro & Lee (2010) frekuentimi i arsimit të lartë për moshat 20-24 dhe 25-29 vjeç ishte thuajse i barabartë (1960, 4.73% me 3.21%) deri në vitet 2000, por në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe lindjes Shqipëria ishte ende mbrapa.
Barro & Lee (2010), Total population, 15 years and over - Percentage of Complete Tertiary Schooling Attained in Pop - Age Group, 15 and older
image

Duro ka hulumtuar shumë mirë disa prej problematikave më shqetësuese për sistemin e arsimit të lartë të asaj periudhe. P.sh. ndikimin partiak mbi përbërjen klasore të studentëve nëpërmjet kuotave të paravendosura. Kuotat përcaktoheshin sipas përkatësisë në parti apo bashkimeve rinore gjendjes ekonomike e klasore dhe gjinisë (fq. 65).
Vëmendje të veçantë autori i ka kushtuar (1) mungesës së literaturës apo indoktrinimit të saj; (2) personelit pedagogjik (mangësisë, shpërblimit të dobët, cilësisë, trysnisë politike, problemit të strehimit etj.); (3) infrastrukturës kërkimore; dhe (4) cilësisë së studentëve.
P.sh. siç dëshmohet në studim përgatitja e studentëve ka qenë një shqetësim për institucionet e arsimit të lartë, sidomos për ata studentët që nuk vinin nga gjimnazet, pasi kalueshmëria e tyre ishte shumë e ulët, deri në 82% në vitin e parë (fq. 71). Ndërsa sipas Duros, përqindjet e diplomimit në fakultetet e shkencave ishin shumë të ulëta (në degën e inxhinierisë mekanike ishte 32 % brenda 4 vjetëve; në degën e ndërtimit 30%, në fakultetin ekonomik 40% etj., fq. 127).
Unë prirem të besoj se përzgjedhja klasore e studentëve ishte një prej shkaqeve të cilësisë së dobët. Duro përmend edhe çështjen e përgatitjes së maturantëve (çka përbën edhe sot një shqetësim), problemet me mbingarkesën dhe cilësinë e personelit akademik apo mungesat në bazën materiale. Por autori zgjatet shumë të interpretojë se vështirësitë që hasnin studentët shkaktoheshin nga programi mësimor i ngarkuar me lëndë të kulturës të përgjithshme (fq. 90-99). Shkarazi ai përmend me fakte edhe shkaqe të tjera si mungesa e pasionit, cilësia e dobët e mësimdhënies etj. Relevante për aktualitetin është se, gjatë viteve 60, siç vëzhgon autori, janë krijuar kurse parapërgatitore (“remedial education” siç njihen në SHBA”) për maturantët. Autori citon udhëzimin e qeverisë se “për përgatitjen e njerëzve të prodhimit për të ndjekur shkollat e larta sipas profilit, do të organizohen kurse 9-mujore pa shkëputje nga puna, pranë shkollave 11-vjeçare të Tiranës [.. Kukësit etj.]”(fq. 112). Kjo mund të jetë zgjidhja dhe sot.
Autori ka cekur shkarazi sistemin e organizimit dhe drejtimit brenda universiteteve, marrëdhënieve të universitetit me shtetin etj. Gjithashtu, dimensioni ndërkombëtar i sistemit të arsimit të lartë është trajtuar në mënyrë sporadike, por kjo vjen nga trajtimi kronologjik që nuk lejon thellimin në dimensione të caktuara. Duro p.sh. paraqet një tablo, edhe pse jo të plotë, mbi kontributin me personel dhe ndikimin e Bashkimit Sovjetik (BS) në modelimin e institucioneve të arsimit të lartë, në tekstet universitare, literaturën shkencore dhe metodikën e mësimdhënies. Sot projektet ndërkombëtare zhvillohen në kuadër të Procesit të Bolonjës dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
Përfundimisht, studimi ja vlen të lexohet për çdokënd të interesuar në zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri, edhe pse komunitetit akademik ende do ti mungojë një vepër referencë në lidhje me tematikat kryesore dhe historinë e arsimit të lartë në Shqipëri.
Publikuar për herë të parë në Peizazhe.com
















Sunday, April 27, 2014

Situata në arsimin privat - 2012

 

tafaj[1] 

Dokument: Procesverbal i Komisionit të Medias Dhe Edukimit në Parlament, datë 28 Maj 2012

Prof. Dr. Myqerem Tafaj, 28 Maj 2012

Të nderuar kolegë deputetë, falemnderit për ftesën që më keni bërë në lidhje me gjendjen e arsimit të lartë privat në Shqipëri!

Shqipëria trashëgoi një prapambetje të madhe në arsimin e lartë. Dekada e parë e tranzicionit në vendin tonë ishte shumë e vështirë. Mijëra të rinj në moshën e shkollimit të lartë u detyruan të braktisnin vendin dhe të emigronin për të bërë punë më të vështira në vendet fqinje, ato të Europës dhe përtej saj. Kjo bëri që numri i studentëve në vitet e para të tranzicionit të pësojë një ulje të jashtëzakonshme. Mbaj mend që në vitin 1997 numri i studentëve që ne pranonim në shkollën e lartë ishte më pak se 4 mijë, ndërkohë që këtë vit akademik në vazhdim ne kemi pranuar, vetëm në shkollat e larta publike, 52 mijë studentë, aq sa kishte Shqipëria në vitin akademik 2004-2005.

Sot Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me kërkesë shumë të lartë për arsimin e lartë dhe me një numër studentësh krejtësisht të krahasueshëm me atë të vendeve të BE-së, çka do të thotë se ne e kemi e përmbushur objektivin kryesor të strategjisë kombëtare të zhvillimit të arsimit të lartë 2008-2013, liberalizimin e arsimit të lartë dhe të aksesit. Ndërsa tani cilësia është shpallur si sfida kryesore dhe afatgjatë për sistemin tonë të arsimit të lartë.

Sistemi i arsimit të lartë është zgjeruar gati tri herë në dekadën e fundit dhe është pothuajse krejtësisht i pakrahasueshëm me atë të para një dekade. Përveç arsimit të lartë publik, i cili mbetet kryesor dhe zë pjesën dërmuese të sistemit, është zhvilluar me shpejtësi arsimi i lartë privat, i cili akoma është një pjesë plotësuese e sistemit të arsimit të lartë.

Në historinë e zhvillimit të arsimit të lartë shqiptar, arsimi i lartë privat është, nëse mund të themi kështu, ende në fazën fillestare të zhvillimit të tij. Por, ajo që duhet të theksojmë që në fillim është se ky sektor u ka dhënë mundësi aksesit të shumë vajzave dhe djemve në arsimin e lartë, ka krijuar një infrastrukturë moderne, me auditorë, klasa, laboratorë, biblioteka, botime, si dhe ka punësuar një numër të konsiderueshëm pedagogësh të rinj dhe me përvojë. Sipas statistikave tona janë rreth 4 mijë pedagogë të punësuar në arsimin e lartë privat, prej të cilëve 1600 janë me kohë të plotë. Sipas disa vlerësimeve të përafërta rezulton se investimi i bërë në arsimin e lartë privat është 0.4% i GDP-së.

Institucioni i parë i arsimit të lartë privat është hapur në vitin 2002. Sot numri i institucioneve të arsimit të lartë privat, që zhvillojnë veprimtarinë mësimore, është 40, ku studiojnë rreth 20 % e numrit total të studentëve në sistemin e arsimit të lartë. Ka pasur një ulje në dy vjetët e fundit, në mënyrë të veçantë, në ciklin e parë të studimeve. 8 institucione të arsimit të lartë privat kanë mbi 1000 studentë dhe zënë 82 % të numrit total të studentëve të arsimit të lartë privat, së bashku me 5 të tjerë, pra gjithsej janë 13 institucione, që kanë nga 500 deri në 1000 studentë dhe zënë 93 % të numrit total të studentëve.

Pjesa dërrmuese e institucioneve të arsimit të lartë privat ka një periudhë aktiviteti deri në 5 vjet. Deri tani 22 institucione të arsimit të lartë kanë lëshuar diploma dhe janë akredituar.

Institucionet e arsimit të lartë privat janë kryesisht shkolla të larta dhe kolegje profesionale. Vetëm tri prej tyre kanë statusin e universitetit. Në vitin 2011 janë licencuar vetëm institucione të arsimit të lartë profesional, akademi dhe kolegje profesionale ose shkolla të larta me profile të qarta profesionale, çka përputhet edhe me strategjinë e qeverisë për zhvillimin e arsimit të lartë, orientimin dhe përafrimin me kërkesat e tregut vendas.

Regjistrimet në arsimin e lartë privat kanë ardhur duke u rritur. Vetëm në vitin 2011-2012, për herë të parë, është ulur numri i të regjistruarve.

Si paraqitet struktura e fushave të shkencës në arsimin e lartë privat? Në sektorin e arsimit të lartë privat mbizotërojnë programet që përfshijnë shkencat sociale, ekonomi dhe drejtësi, ku përfshihen programet: drejtësia, ekonomia, biznesi, menaxhimi, shkencat politike, sociologjia, psikologjia, gazetaria, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe disa programe të tjera. Ky grup zë rreth 63-64% të numrit total të studentëve në arsimin e lartë privat. Fushat e shkencave teknike dhe teknologjia e informacionit zënë 8.6%; shëndetësia, ku bëjnë pjesë: infermieria, farmacia, stomatologjia, laboratorët dhe teknikët, zë rreth 23%; shkencat e edukimit zënë 1,5%, ndërsa turizmi dhe shërbimet zënë rreth 4%.

Kriteret e pranimeve në shkollat larta private, në ciklin e parë, janë të njëjta me ato që ndiqen për studentët me kohë të pjesshme në shkollat e larta publike. Domethënë, përfundimi i shkollës së mesme dhe i 2 provimeve të maturës shtetërore. Maturantët që përfunduan shkollën e mesme në vitin 2011 dhe kanë vijuar studimet universitare në vitin akademik 2011-2012 janë pajisur me diplomë të maturës shtetërore dhe kanë përfunduar me sukses provimet e maturës shtetërore në 4 lëndë. Përfundimi i arsimit të mesëm me diplomë të maturës, me 4 provime të suksesshme, ishte një hap shumë i rëndësishëm për heqjen e dy standardeve në pranime midis arsimit publik dhe privat, si dhe i studimeve me kohë të plotë dhe të pjesshme. Këtë vit do të pranohen në arsimin e lartë vetëm studentët që kanë diplomë të maturës shtetërore, pra kanë përfunduar me sukses 4 provimet e maturës shtetërore. Nga ana tjetër, kjo do t’i shërbejë drejtpërdrejt rritjes së cilësisë së studentëve që pranohen dhe në arsimin e lartë privat, dhe në studimet me kohë të pjesshme në arsimin publik.

Në strukturat e mbikëqyrjes së arsimit të lartë privat, përveç Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që në janar të vitit 2010 është krijuar Drejtoria për Arsimin Privat Parauniversitar dhe Universitar. Kjo drejtori është përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit të financimit të institucioneve të arsimit parauniversitar, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Licencimit. Gjithashtu, kjo drejtori shqyrton dhe shoqëron procesin e licencimit të institucioneve apo hapjen e programeve të reja, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Akreditimit dhe komisionet e brendshme të ngritura për këtë qëllim. Drejtoria, bashkë me grupet e ngritura, me urdhër të ministrit ushtron kontrollet periodike dhe mbikëqyrjen e arsimit të lartë. Duke u nisur nga përmasat e sistemit dhe vëllimi i punës që ka kjo drejtori, ne po bashkëpunojmë me ekspertë të huaj për fuqizimin e strukturave të mirëfillta inspektuese për arsimin e lartë privat brenda ministrisë ose jashtë saj, që funksionojnë sipas ligjit të inspektoratit. Strukturat inspektuese do të jenë të tilla, që të inspektojnë edhe në auditorë, përveç vizitave që bëjnë ekspertët e vlerësimit të jashtëm në kuadër të akreditimit.

Agjencia Kombëtare e Provimeve, e krijuar në vitin 2011 mbi bazën e Agjencisë së Maturës dhe Agjencisë së Pranimeve dhe e pasuruar me një drejtori të provimeve të shtetit dhe një njësi për bazën e të dhënave, është përgjegjëse për administrimin në bazë të të dhënave të arsimit dhe për lëshimin e numrit individual të regjistrit në Regjistrin Kombëtar të Studentëve. Secili student, i regjistruar në vitin akademik 2011-2012 në institucionet e arsimit të lartë privat dhe publik, merr numrin e matrikulimit nga Agjencia dhe jo nga institucioni.

Baza e të dhënave të arsimit të lartë do të përfshijë edhe të dhënat e të gjithë studentëve që janë në sistemin e arsimit të lartë në të gjitha ciklet dhe format e studimeve, si dhe arkivën dixhitale të diplomave të lëshuara që nga viti 2000, në të gjithë sistemin, deri në 2011-ën. Ky projekt është në proces dhe përfundon brenda muajit korrik 2012. Pra, deri në fund të këtij viti ne do të kemi të krijuar bazën e të dhënave të të gjithë sistemit arsimor.

Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë është një agjenci e krijuar që në vitin 1999 dhe misioni i saj kryesor është vlerësimi i jashtëm, mbështetja e institucioneve të arsimit të lartë për zhvillimin e strukturave të vlerësimit të brendshëm dhe akreditimi. Agjencia ka organ vendimmarrës Këshillin e Akreditimit. Procesi i akreditimit mbështetet në vlerësimin e brendshëm dhe të jashtëm. Vlerësimi realizohet në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë së akreditimit institucional, të miratuara për të tre ciklet e studimeve në mars të vitit 2011.

Licencimi i institucioneve të arsimit të lartë rregullohet me ligjin “Për arsimin e lartë” dhe urdhrat në zbatim të tij. Ky proces ndahet në dy faza. Në fazën e parë institucioni aplikon për licencim pranë ministrisë. Më pas, drejtoria përkatëse e ministrisë bashkëpunon me agjencinë për të gjitha hapat për shqyrtimin e programeve të studimit deri në dhënien e rekomandimit nga Këshilli i Akreditimit dhe miratimin nga Këshilli i Ministrave.

Në fazën e dytë institucioni aplikon për leje të veprimtarisë. Kjo fazë zbatohet për t’i dhënë kohë institucionit të ndërtojë kapacitetet e duhura për fillimin e procesit mësimor.

Në lidhje me sigurimin e cilësisë, vlerësimi i jashtëm i cilësisë dhe akreditimi janë dy mekanizmat më të rëndësishëm në të gjithë sistemin e arsimit të lartë.

Në vitet 2010-2012 agjencia, në kuadër të një projekti me BB-në dhe në bashkëpunim me disa ekspertë të huaj, është përfshirë në disa projekte të rëndësishme, që kanë synuar:

Së pari, trajnimin e personelit të vetë agjencisë.

Së dyti, trajnimin e personelit të institucioneve të arsimit të lartë, që janë përgjegjës për vlerësimin e brendshëm.

Së treti, krijimin e eksperiencës së parë për renditjen e programeve të studimit.

Vlerësimi i jashtëm kryhet nga ekspertët e jashtëm, të cilët zgjidhen nga Këshilli i Akreditimit. Ata duhet të kenë përvojë në fushën që vlerësohet. Ky vlerësim është ai që prodhon raportin që shkon në Këshillin e Akreditimit, i cili merr vendimin përfundimtar. Urdhri i ministrit mbështetet në rekomandimin e Këshillit të Akreditimit, sipas ndryshimeve që janë bërë në ligjin “Për arsimin e lartë” në vitin 2010.

Çfarë kemi bërë për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë privat? Është forcuar roli i Agjencisë së Akreditimit dhe i Këshillit të Akreditimit nëpërmjet pjesëmarrjes së ekspertëve ndërkombëtarë në vlerësimin e jashtëm institucional dhe në përbërje të Këshillit të Akreditimit. Kanë filluar procedurat e aplikimit, të cilat bëhen në gjuhën angleze. Agjencia ka filluar në tri institucione të angazhojë ekspertë të huaj për vlerësimin institucional. Në grupin e ekspertëve të vlerësimit të institucionit, të paktën, njëri prej tyre duhet të jetë i huaj. Po ashtu, në përbërje të Këshillit të Akreditimit janë dy ekspertë të huaj, që janë emëruar dhe do të fillojnë të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit. Një ndër hapat e rëndësishëm që është realizuar për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë privat, por edhe në atë publik, është futja e praktikës së provimit të shtetit. Tashmë kanë përfunduar dy sesionet e provimit të shtetit. Siç dihet, janë 28 specialitete, që përfshihen në grupin e institucioneve të rregulluara. Nga ana tjetër, politikat e qeverisë për të rritur çdo vit kuotat e studentëve në arsimin publik, kjo rritje ka qenë nga 8-12%, u ka mundësuar shtresave në nevojë të ndjekin arsimin e lartë në institucionet e arsimit publik.

Kontrolli i zbatimit të ligjshmërisë në institucionet private realizohet nga strukturat që përmenda më lart dhe nga grupet e ngritura ad-hoc, që përbëhen nga specialistë të drejtorisë, si dhe specialistë të Agjencisë së Akreditimit. Objekti i kontrollit është zbatimi i ligjshmërisë. Këtu nuk bëhet fjalë për investimin e jashtëm, që realizohet nga ekspertët nëpërmjet vizitave në terren. Synimi i kontrolleve ka qenë që të vëzhgohet sistematikisht progresi i institucioneve në arritjen e standardeve shtetërore të cilësisë dhe të zbatimit të ligjshmërisë, që të sigurohet që institucionet i përmbushin këto standarde afatgjata.

Gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit janë realizuar kontrolle pothuajse në të gjitha institucionet private të arsimit të lartë, nëpërmjet grupeve të përbashkëta të ministrisë dhe të Agjencisë së Akreditimit, për të gjitha tematikat që i përmenda më lart. Grupet e kontrollit në praktikën e tyre për të gjitha gjetjet u kërkojnë institucioneve që të bëjnë përmirësimet e duhura, për t’i verifikuar edhe njëherë në vizitën pasardhëse.

Ministria në bashkëpunim me ekspertët e huaj, në kuadër të projektit të BB-së, ka përgatitur një paketë të amendamenteve të ligjit “Për arsimin e lartë”, që u referohet sektorëve të arsimit të lartë privat. Kjo paketë synon një përcaktim më të saktë të formës së institucioneve të arsimit të lartë privat, në kuptimin e subjekteve fitimprurëse ose jo; fuqizimin e vendimmarrjes së organeve dhe autoriteteve drejtuese akademike, në raport me ato administrative dhe aksionere; rritjen e rolit të shtetit në krijimin e funksionimit të strukturave akademike; qartësimin e marrëdhënieve financiare midis institucioneve të arsimit të lartë privat dhe studentëve; përmirësimin e sistemit të sigurimit dhe të monitorimit të cilësisë dhe krijimin e strukturave më efikase të mbikëqyrjes së institucioneve të arsimit të lartë privat, pa përjashtuar këtu edhe një strukturë të një inspektorati të arsimit të lartë, që funksionon sipas ligjit të inspektoratit.

Në përfundim, dëshiroj të them se arsimi i lartë privat tashmë futet në fazën e konsolidimit të tij. Ai është një investim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e burimeve njerëzore të vendit. Arsimi i lartë privat ka të ardhme në hapësirën e arsimit të lartë shqiptar vetëm nëse ofron cilësi. E thënë ndryshe, vetëm shkollat e larta që ofrojnë cilësi dhe programe studimi afër kërkesave dhe tregut të punës do të përballojnë garën me arsimin publik, që po zhvillohet me shpejtësi.

Zhvillimi i këtij sektori ka mobilizuar resurse të mëdha kombëtare për arsimin tretësor të të rinjve, si dhe për zhvillimin profesional të të rriturve. Sfida kryesore e arsimit të lartë privat është cilësia. Garën në këtë sfidë do ta fitojnë vetëm shkollat e larta private, që do të investojnë për të krijuar një profesorat me kualifikim të lartë.

Shqipëria ka burime të konsiderueshme njerëzore të mirëshkolluara, që mund të bëhen bartëse të një arsimi të lartë privat cilësor.

Shteti do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tej arsimin e lartë privat për krijimin e profesoratit të kualifikuar nëpërmjet programeve të studimit të doktoratës, të kthimit të të shkolluarve, si dhe të mbështetjes së projekteve të kërkimit shkencor.

Falemnderit!

Prokurimet në UPT

 

upt Autoriteti i Konkurrëncës, i ka vendosur gjobë një subjekti privat të sigurisë për mashtrim në lidhje me procedurat e prokurimit të shërbimit nga Universiteti Politeknik. Më poshtë pjesë nga vendimi (http://www.caa.gov.al/uploads/decisions/vendimi_240_i_gjobave.pdf)

Në tenderin e zhvilluar nga Autoriteti Kontraktor Universiteti Politeknik, datë 28/07/2011, me fond limit 9,950,304 lekë; marrin pjesë “Toni Security” me vlerën 9,937,200 lekë; “Eurgjici Security” me vlerën 9,946,560; “Eurogjici Security 1” me vlerë 9,949,992; si dhe Therepeli (i skualifikuar) me vlerë 8.330.088 lekë dhe fiton Toni security me 99.87% te fondit limit mbështetur nga “Eurogjici Security” me 99.96% te Fondit Limit dhe Eurogjici Security 1 me 100% të Fondit limit. Sipas këtyre vlerave të paraqitjes së ofertave rezulton se ndërmarrjet nën hetim kanë zbatuar skemën e ofertës së mbuluar, duke paraqitur një ofertë më të lartë për të mbuluar ndërmarrjen fituese “Toni Security”.

Edhe në këtë rast, gjatë shqyrtimit të dokumenteve të dorëzuara nga ofertuesit në këtë tender është vënë re se ka shenja te ngjashme si: Formulari i Deklarimit të Ofertës tek te tre konkurrentet “Eurogjici Security”- “Toni Security”-“Eurogjici Security 1”: ka te njejtin lloj shkrimi, te njejten date, te njejten fjalë me bold; Formulari i Cmimit të Ofertës: “Eurogjici Security”- “Toni Security”- “Eurogjici Security 1”: Tek të tre konkurrentët është i njëjti lloj shkrimi, i njejti bold, i njejti gabim tek fitimi i shoqerise, preventivat e llogaritjes kane te njejtin lloj shkrimi, thonjëzat e përdorura në përshkrimin e emrit janë të vendosura mbrapsht për të tre ndërmarrjet, si dhe tek përshkrimi i kontratës ka thonjëza vetëm mbyllëse për të treja;

Ekstrakti i Regjistrimit në QKR: Toni Security - Eurogjici Security 1”: Data e leshimit eshte e njejta per te dy konkurentet - 31.03.2011; Vertetimi i leshuar nga Zyra e përmbarimit Tiranë: Eurogjici Security- Eurogjici Security 1: Data e leshimit eshte e njejta per te dy konkurentet 04.04.2011 dhe me numer te prot. të njepasnjëshëm 1752-1753; Vertetimi i leshuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tirane për xhiron vjetore: “Eurogjici Security”, “Eurogjici Security 1”: Data e leshimit eshte e njejta per te dy konkurentet 25.03.2011; Vërtetimi i leshuar nga Instituti i sigurimeve shoqërore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore i Eurogjici Security dhe Eurogjici Security 1: Data e leshimit eshte e njejta per te dy konkurentet 26.01.2011; “Toni Security“ - “Eurogjici Security 1”: Janë paraqitur të njëjtat foto të punonjësve të shërbimit; 2 (dy) Fatura tatimore shitje me nr. te njepasnjeshem 25 dhe 26, date 25.01.2011, njera e “Toni Security“ dhe tjetra e “Eurogjici Security 1” ne ane te te cilave blejnë të njëjtat materiale nderlidhje nga firma Union shpk; Kontratë qeraje me numër të njëpasnjëshëm 290, 291, të datës Janë paraqitur të njëjtat foto të punonjësve të shërbimit; 2 (dy) Fatura tatimore shitje me nr. te njepasnjeshem 25 dhe 26, date 25.01.2011, njera e “Toni Security“ dhe tjetra e “Eurogjici Security 1” ne ane te te cilave blejnë të njëjtat materiale nderlidhje nga firma Union shpk; Kontratë qeraje me numër të njëpasnjëshëm 290, 291, të datës 21.03.2011, midis “Toni Security, “Eurogjici Security 1” me “Eurogjici Security” me objekt të njëjtë “Dhënie me qera ambjenti për zyrë”; Deklaratë e grupit të gatshëm Toni Security, Eurogjici Security 1, Eurogjici Security shpk me përmbajtje te njëjte dhe titull te njëjtë;. …

Tatimet godasin arsimin privat

 

Dokumente:
  1. Lista e subjekteve të amnistuara nga detyrimet tatimore dhe gjobat (Gazeta Panorama)
  2. Vendim i gjykatës së Apelit për rastin Vitrina paditur nga ish-rektori Lulzim Hana.
  3. Procesverbal i Komisionit të Medias Dhe Edukimit në Parlament, datë 28 Maj 2012

Në 2012-13 Drejtoria e Tatimeve u vendosi gjoba disa subjekteve të arsimit privat për mos-deklarim të të ardhurave dhe pagesat për kontributet sociale për personelin akademik e të shërbimit.
Këto gjoba iu falën disa subjekteve me amnistinë e radhës se qeverisë së radhës (shih listën e subjekteve të amnistuara nga Gazeta Panorama) por shume pak shkollave të larta private (shih p.sh. shkollës së lartë “Universiteti Amerikan” dhe Turgut Ozal Education.)

Shkollat e larta private kanë  probleme me pagesat e pedagogëve dhe zbatimin e kuadrit ligjor. Vitrina p.sh. është hedhur në gjyq nga ish-rektori i shkollës, z. Lulzim Hana, për mospagim, ndërprerje të kontratës (shih vendimin e gjykatës së Apelit). Siç dëshmon gjyqi, marrëveshja ndërmjet rektorit dhe administratorit ishte informale përsa i përket masës së pagesës (deklaruar 250 000 lekë/muaj dhe jepej 2500 euro/muaj).

Sipas Deputetes Enkelejda Shkreli: “Kur shikon referencat tatimore, një pjesë e mirë e AL-ve private, për shkak të numrit të pakët të studentëve që kanë, nuk arrijnë dot ta mbyllin bilancin, të paktën kështu deklarojnë. Deklarimet te tatimet për këto shoqëri janë krejt të ndryshme nga realiteti. Sigurimet shoqërore të rektorëve dhe dekanëve janë baras me ato të punonjësve sanitarë.” (Procesverbal i Komisionit të Medias Dhe Edukimit në Parlament, datë 28 Maj 2012).
Më poshtë paraqitet rasti i shkollës së lartë Ndërkombëtare të Tiranës në konfliktin me tatimet.

Gazeta Rilindja Demokratike, 26.04.2014

Policia rrethon Universitetin, mbi 400 studentë pa mësim
image
Rreth 400 studentë të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës nuk u lejuan dje nga policia që të futen në ambjentet e tij për të zhvilluar mësim. Forcat e policisë të Komisariatit Nr.1 dhe forcat tatimore rrethuan godinën e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës pranë zonës së njohur si Vilat gjermane, duke mos lejuar studentët dhe stafin akademik të zhvillojnë orët e mësimit.
Inspektorët e Hetimit Tatimor bënë të ditur se, bllokimi i Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës është bërë për arsye se nuk është shlyer një detyrim prej 40 milionë lekësh. Dhjetëra forca policore kanë rrethuar universitetin dhe nuk lejuan asnjë student që të futej në ambientet e marrjes së dijes. Studentët protestuan, duke hedhur parulla të ndryshme si: “Duam mësim”, “Shtet policor”, etj.

Drejtuesit e Universitetit bënë të ditur se, detyrimet financiare janë paguar në masën që parashikon ligji dhe për këtë kishte një marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të Tiranës, e cila nuk e respektoi marrëveshjen për negocimin e borxhit (interesa dhe gjoba), duke bllokuar godinën dhe ndërprerë mësimin.
“Në mënyrë të çuditshme jemi njohur me një borxh, sikur shoqëria që financon universitetin ka një borxh ndaj shtetit, rreth 40 milionë lekë të reja. Ne dje kemi paguar në mënyrë të plotë vlerën e detyrimit tatimor.
Në vend që të negociojmë dhe të paguajmë, sipas ligjit tatimor, pjesën tjetër me këste, ku afati i kësaj pagese është deri në dhjetor të vitit 2015, Drejtoria Rajonale e Tatimeve të Tiranës së bashku me drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, zonjën Briseida Shehaj, vendosën të sekuestrojnë pasuritë e luajtshme të Universitetit, të cilat nuk kalojnë 10 për qind të borxhit që pretendojnë. Dua të theksoj se, detyrimi që pretendojnë Tatimet nuk është i mbështetur me të ardhurat reale të UNT-së”, deklaroi Presidenti i UNT-së Vladimir Mulaj.

Më tej, Mulaj theksoi se DPT e shkeli ligjin tatimor Nr.9920 në mënyrë të hapur, shkeli ligjin e Arsimit të Lartë, shkel Kushtetutën dhe një serë ligjesh të tjera. “Objekti i punës së DPT-së është vjelja e tatimeve dhe mbushja e buxhetit të shtetit me para, por pa shkelur parimin e shenjtë në ekonominë e tregut partner me biznesin. Në këtë rast DPT-ja nuk e trajton UNT-në si partner, por me dhunë kërkon ta mbysë. Me këtë rast, po përmend shprehjen e Çurçillit ku thotë që, Qeveria nuk duhet ta trajtojë biznesin si një lopë që vetëm duhet ta mjelë, por duhet trajtuar si një kalë që mezi tërheq karrocën e ngarkuar”, përfundoi Mulaj.
Rektori i Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, Agron Lamaj, është shprehur se vlera e detyrimit tatimor është shlyer në mënyrë të plotë, ndërsa theksoi se pas kësaj, normalisht duhej të negociohej për pagezën tjetër siç e ka ligji tatimor. “Me mua nuk ka pasur asnjë komunikim. S’kemi dijeni për këtë punë, vetëm kur gjetëm sot derën e mbyllur. Organi tatimor në mënyrë të njënashme ka ndërprerë negociatat”, deklaroi për mediat Rektori Lamaj.

“Nuk mundet kurrsesi policia, tatimorët, çdo lloj organi tjetër të venë dorë në institucione që kanë karakter akademik. Autoritetet respektive të mos ngatërrojnë aspektet tatimore-fiskale me funksionimin e pandërprerë akademik të institucioneve universitare”, u shpreh Lisen Bashkurti, zëvendësrektor i UNT-së.
Drejtuesit e Univesitetit dhe studentët deklaruan se, protesta do të vazhdojë deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës, pasi bllokimi i godinës është bërë në kundërshtim me ligjin.