Sunday, April 27, 2014

Situata në arsimin privat - 2012

 

tafaj[1] 

Dokument: Procesverbal i Komisionit të Medias Dhe Edukimit në Parlament, datë 28 Maj 2012

Prof. Dr. Myqerem Tafaj, 28 Maj 2012

Të nderuar kolegë deputetë, falemnderit për ftesën që më keni bërë në lidhje me gjendjen e arsimit të lartë privat në Shqipëri!

Shqipëria trashëgoi një prapambetje të madhe në arsimin e lartë. Dekada e parë e tranzicionit në vendin tonë ishte shumë e vështirë. Mijëra të rinj në moshën e shkollimit të lartë u detyruan të braktisnin vendin dhe të emigronin për të bërë punë më të vështira në vendet fqinje, ato të Europës dhe përtej saj. Kjo bëri që numri i studentëve në vitet e para të tranzicionit të pësojë një ulje të jashtëzakonshme. Mbaj mend që në vitin 1997 numri i studentëve që ne pranonim në shkollën e lartë ishte më pak se 4 mijë, ndërkohë që këtë vit akademik në vazhdim ne kemi pranuar, vetëm në shkollat e larta publike, 52 mijë studentë, aq sa kishte Shqipëria në vitin akademik 2004-2005.

Sot Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me kërkesë shumë të lartë për arsimin e lartë dhe me një numër studentësh krejtësisht të krahasueshëm me atë të vendeve të BE-së, çka do të thotë se ne e kemi e përmbushur objektivin kryesor të strategjisë kombëtare të zhvillimit të arsimit të lartë 2008-2013, liberalizimin e arsimit të lartë dhe të aksesit. Ndërsa tani cilësia është shpallur si sfida kryesore dhe afatgjatë për sistemin tonë të arsimit të lartë.

Sistemi i arsimit të lartë është zgjeruar gati tri herë në dekadën e fundit dhe është pothuajse krejtësisht i pakrahasueshëm me atë të para një dekade. Përveç arsimit të lartë publik, i cili mbetet kryesor dhe zë pjesën dërmuese të sistemit, është zhvilluar me shpejtësi arsimi i lartë privat, i cili akoma është një pjesë plotësuese e sistemit të arsimit të lartë.

Në historinë e zhvillimit të arsimit të lartë shqiptar, arsimi i lartë privat është, nëse mund të themi kështu, ende në fazën fillestare të zhvillimit të tij. Por, ajo që duhet të theksojmë që në fillim është se ky sektor u ka dhënë mundësi aksesit të shumë vajzave dhe djemve në arsimin e lartë, ka krijuar një infrastrukturë moderne, me auditorë, klasa, laboratorë, biblioteka, botime, si dhe ka punësuar një numër të konsiderueshëm pedagogësh të rinj dhe me përvojë. Sipas statistikave tona janë rreth 4 mijë pedagogë të punësuar në arsimin e lartë privat, prej të cilëve 1600 janë me kohë të plotë. Sipas disa vlerësimeve të përafërta rezulton se investimi i bërë në arsimin e lartë privat është 0.4% i GDP-së.

Institucioni i parë i arsimit të lartë privat është hapur në vitin 2002. Sot numri i institucioneve të arsimit të lartë privat, që zhvillojnë veprimtarinë mësimore, është 40, ku studiojnë rreth 20 % e numrit total të studentëve në sistemin e arsimit të lartë. Ka pasur një ulje në dy vjetët e fundit, në mënyrë të veçantë, në ciklin e parë të studimeve. 8 institucione të arsimit të lartë privat kanë mbi 1000 studentë dhe zënë 82 % të numrit total të studentëve të arsimit të lartë privat, së bashku me 5 të tjerë, pra gjithsej janë 13 institucione, që kanë nga 500 deri në 1000 studentë dhe zënë 93 % të numrit total të studentëve.

Pjesa dërrmuese e institucioneve të arsimit të lartë privat ka një periudhë aktiviteti deri në 5 vjet. Deri tani 22 institucione të arsimit të lartë kanë lëshuar diploma dhe janë akredituar.

Institucionet e arsimit të lartë privat janë kryesisht shkolla të larta dhe kolegje profesionale. Vetëm tri prej tyre kanë statusin e universitetit. Në vitin 2011 janë licencuar vetëm institucione të arsimit të lartë profesional, akademi dhe kolegje profesionale ose shkolla të larta me profile të qarta profesionale, çka përputhet edhe me strategjinë e qeverisë për zhvillimin e arsimit të lartë, orientimin dhe përafrimin me kërkesat e tregut vendas.

Regjistrimet në arsimin e lartë privat kanë ardhur duke u rritur. Vetëm në vitin 2011-2012, për herë të parë, është ulur numri i të regjistruarve.

Si paraqitet struktura e fushave të shkencës në arsimin e lartë privat? Në sektorin e arsimit të lartë privat mbizotërojnë programet që përfshijnë shkencat sociale, ekonomi dhe drejtësi, ku përfshihen programet: drejtësia, ekonomia, biznesi, menaxhimi, shkencat politike, sociologjia, psikologjia, gazetaria, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe disa programe të tjera. Ky grup zë rreth 63-64% të numrit total të studentëve në arsimin e lartë privat. Fushat e shkencave teknike dhe teknologjia e informacionit zënë 8.6%; shëndetësia, ku bëjnë pjesë: infermieria, farmacia, stomatologjia, laboratorët dhe teknikët, zë rreth 23%; shkencat e edukimit zënë 1,5%, ndërsa turizmi dhe shërbimet zënë rreth 4%.

Kriteret e pranimeve në shkollat larta private, në ciklin e parë, janë të njëjta me ato që ndiqen për studentët me kohë të pjesshme në shkollat e larta publike. Domethënë, përfundimi i shkollës së mesme dhe i 2 provimeve të maturës shtetërore. Maturantët që përfunduan shkollën e mesme në vitin 2011 dhe kanë vijuar studimet universitare në vitin akademik 2011-2012 janë pajisur me diplomë të maturës shtetërore dhe kanë përfunduar me sukses provimet e maturës shtetërore në 4 lëndë. Përfundimi i arsimit të mesëm me diplomë të maturës, me 4 provime të suksesshme, ishte një hap shumë i rëndësishëm për heqjen e dy standardeve në pranime midis arsimit publik dhe privat, si dhe i studimeve me kohë të plotë dhe të pjesshme. Këtë vit do të pranohen në arsimin e lartë vetëm studentët që kanë diplomë të maturës shtetërore, pra kanë përfunduar me sukses 4 provimet e maturës shtetërore. Nga ana tjetër, kjo do t’i shërbejë drejtpërdrejt rritjes së cilësisë së studentëve që pranohen dhe në arsimin e lartë privat, dhe në studimet me kohë të pjesshme në arsimin publik.

Në strukturat e mbikëqyrjes së arsimit të lartë privat, përveç Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që në janar të vitit 2010 është krijuar Drejtoria për Arsimin Privat Parauniversitar dhe Universitar. Kjo drejtori është përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit të financimit të institucioneve të arsimit parauniversitar, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Licencimit. Gjithashtu, kjo drejtori shqyrton dhe shoqëron procesin e licencimit të institucioneve apo hapjen e programeve të reja, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Akreditimit dhe komisionet e brendshme të ngritura për këtë qëllim. Drejtoria, bashkë me grupet e ngritura, me urdhër të ministrit ushtron kontrollet periodike dhe mbikëqyrjen e arsimit të lartë. Duke u nisur nga përmasat e sistemit dhe vëllimi i punës që ka kjo drejtori, ne po bashkëpunojmë me ekspertë të huaj për fuqizimin e strukturave të mirëfillta inspektuese për arsimin e lartë privat brenda ministrisë ose jashtë saj, që funksionojnë sipas ligjit të inspektoratit. Strukturat inspektuese do të jenë të tilla, që të inspektojnë edhe në auditorë, përveç vizitave që bëjnë ekspertët e vlerësimit të jashtëm në kuadër të akreditimit.

Agjencia Kombëtare e Provimeve, e krijuar në vitin 2011 mbi bazën e Agjencisë së Maturës dhe Agjencisë së Pranimeve dhe e pasuruar me një drejtori të provimeve të shtetit dhe një njësi për bazën e të dhënave, është përgjegjëse për administrimin në bazë të të dhënave të arsimit dhe për lëshimin e numrit individual të regjistrit në Regjistrin Kombëtar të Studentëve. Secili student, i regjistruar në vitin akademik 2011-2012 në institucionet e arsimit të lartë privat dhe publik, merr numrin e matrikulimit nga Agjencia dhe jo nga institucioni.

Baza e të dhënave të arsimit të lartë do të përfshijë edhe të dhënat e të gjithë studentëve që janë në sistemin e arsimit të lartë në të gjitha ciklet dhe format e studimeve, si dhe arkivën dixhitale të diplomave të lëshuara që nga viti 2000, në të gjithë sistemin, deri në 2011-ën. Ky projekt është në proces dhe përfundon brenda muajit korrik 2012. Pra, deri në fund të këtij viti ne do të kemi të krijuar bazën e të dhënave të të gjithë sistemit arsimor.

Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë është një agjenci e krijuar që në vitin 1999 dhe misioni i saj kryesor është vlerësimi i jashtëm, mbështetja e institucioneve të arsimit të lartë për zhvillimin e strukturave të vlerësimit të brendshëm dhe akreditimi. Agjencia ka organ vendimmarrës Këshillin e Akreditimit. Procesi i akreditimit mbështetet në vlerësimin e brendshëm dhe të jashtëm. Vlerësimi realizohet në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë së akreditimit institucional, të miratuara për të tre ciklet e studimeve në mars të vitit 2011.

Licencimi i institucioneve të arsimit të lartë rregullohet me ligjin “Për arsimin e lartë” dhe urdhrat në zbatim të tij. Ky proces ndahet në dy faza. Në fazën e parë institucioni aplikon për licencim pranë ministrisë. Më pas, drejtoria përkatëse e ministrisë bashkëpunon me agjencinë për të gjitha hapat për shqyrtimin e programeve të studimit deri në dhënien e rekomandimit nga Këshilli i Akreditimit dhe miratimin nga Këshilli i Ministrave.

Në fazën e dytë institucioni aplikon për leje të veprimtarisë. Kjo fazë zbatohet për t’i dhënë kohë institucionit të ndërtojë kapacitetet e duhura për fillimin e procesit mësimor.

Në lidhje me sigurimin e cilësisë, vlerësimi i jashtëm i cilësisë dhe akreditimi janë dy mekanizmat më të rëndësishëm në të gjithë sistemin e arsimit të lartë.

Në vitet 2010-2012 agjencia, në kuadër të një projekti me BB-në dhe në bashkëpunim me disa ekspertë të huaj, është përfshirë në disa projekte të rëndësishme, që kanë synuar:

Së pari, trajnimin e personelit të vetë agjencisë.

Së dyti, trajnimin e personelit të institucioneve të arsimit të lartë, që janë përgjegjës për vlerësimin e brendshëm.

Së treti, krijimin e eksperiencës së parë për renditjen e programeve të studimit.

Vlerësimi i jashtëm kryhet nga ekspertët e jashtëm, të cilët zgjidhen nga Këshilli i Akreditimit. Ata duhet të kenë përvojë në fushën që vlerësohet. Ky vlerësim është ai që prodhon raportin që shkon në Këshillin e Akreditimit, i cili merr vendimin përfundimtar. Urdhri i ministrit mbështetet në rekomandimin e Këshillit të Akreditimit, sipas ndryshimeve që janë bërë në ligjin “Për arsimin e lartë” në vitin 2010.

Çfarë kemi bërë për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë privat? Është forcuar roli i Agjencisë së Akreditimit dhe i Këshillit të Akreditimit nëpërmjet pjesëmarrjes së ekspertëve ndërkombëtarë në vlerësimin e jashtëm institucional dhe në përbërje të Këshillit të Akreditimit. Kanë filluar procedurat e aplikimit, të cilat bëhen në gjuhën angleze. Agjencia ka filluar në tri institucione të angazhojë ekspertë të huaj për vlerësimin institucional. Në grupin e ekspertëve të vlerësimit të institucionit, të paktën, njëri prej tyre duhet të jetë i huaj. Po ashtu, në përbërje të Këshillit të Akreditimit janë dy ekspertë të huaj, që janë emëruar dhe do të fillojnë të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit. Një ndër hapat e rëndësishëm që është realizuar për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë privat, por edhe në atë publik, është futja e praktikës së provimit të shtetit. Tashmë kanë përfunduar dy sesionet e provimit të shtetit. Siç dihet, janë 28 specialitete, që përfshihen në grupin e institucioneve të rregulluara. Nga ana tjetër, politikat e qeverisë për të rritur çdo vit kuotat e studentëve në arsimin publik, kjo rritje ka qenë nga 8-12%, u ka mundësuar shtresave në nevojë të ndjekin arsimin e lartë në institucionet e arsimit publik.

Kontrolli i zbatimit të ligjshmërisë në institucionet private realizohet nga strukturat që përmenda më lart dhe nga grupet e ngritura ad-hoc, që përbëhen nga specialistë të drejtorisë, si dhe specialistë të Agjencisë së Akreditimit. Objekti i kontrollit është zbatimi i ligjshmërisë. Këtu nuk bëhet fjalë për investimin e jashtëm, që realizohet nga ekspertët nëpërmjet vizitave në terren. Synimi i kontrolleve ka qenë që të vëzhgohet sistematikisht progresi i institucioneve në arritjen e standardeve shtetërore të cilësisë dhe të zbatimit të ligjshmërisë, që të sigurohet që institucionet i përmbushin këto standarde afatgjata.

Gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit janë realizuar kontrolle pothuajse në të gjitha institucionet private të arsimit të lartë, nëpërmjet grupeve të përbashkëta të ministrisë dhe të Agjencisë së Akreditimit, për të gjitha tematikat që i përmenda më lart. Grupet e kontrollit në praktikën e tyre për të gjitha gjetjet u kërkojnë institucioneve që të bëjnë përmirësimet e duhura, për t’i verifikuar edhe njëherë në vizitën pasardhëse.

Ministria në bashkëpunim me ekspertët e huaj, në kuadër të projektit të BB-së, ka përgatitur një paketë të amendamenteve të ligjit “Për arsimin e lartë”, që u referohet sektorëve të arsimit të lartë privat. Kjo paketë synon një përcaktim më të saktë të formës së institucioneve të arsimit të lartë privat, në kuptimin e subjekteve fitimprurëse ose jo; fuqizimin e vendimmarrjes së organeve dhe autoriteteve drejtuese akademike, në raport me ato administrative dhe aksionere; rritjen e rolit të shtetit në krijimin e funksionimit të strukturave akademike; qartësimin e marrëdhënieve financiare midis institucioneve të arsimit të lartë privat dhe studentëve; përmirësimin e sistemit të sigurimit dhe të monitorimit të cilësisë dhe krijimin e strukturave më efikase të mbikëqyrjes së institucioneve të arsimit të lartë privat, pa përjashtuar këtu edhe një strukturë të një inspektorati të arsimit të lartë, që funksionon sipas ligjit të inspektoratit.

Në përfundim, dëshiroj të them se arsimi i lartë privat tashmë futet në fazën e konsolidimit të tij. Ai është një investim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e burimeve njerëzore të vendit. Arsimi i lartë privat ka të ardhme në hapësirën e arsimit të lartë shqiptar vetëm nëse ofron cilësi. E thënë ndryshe, vetëm shkollat e larta që ofrojnë cilësi dhe programe studimi afër kërkesave dhe tregut të punës do të përballojnë garën me arsimin publik, që po zhvillohet me shpejtësi.

Zhvillimi i këtij sektori ka mobilizuar resurse të mëdha kombëtare për arsimin tretësor të të rinjve, si dhe për zhvillimin profesional të të rriturve. Sfida kryesore e arsimit të lartë privat është cilësia. Garën në këtë sfidë do ta fitojnë vetëm shkollat e larta private, që do të investojnë për të krijuar një profesorat me kualifikim të lartë.

Shqipëria ka burime të konsiderueshme njerëzore të mirëshkolluara, që mund të bëhen bartëse të një arsimi të lartë privat cilësor.

Shteti do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tej arsimin e lartë privat për krijimin e profesoratit të kualifikuar nëpërmjet programeve të studimit të doktoratës, të kthimit të të shkolluarve, si dhe të mbështetjes së projekteve të kërkimit shkencor.

Falemnderit!

0 comments:

Post a Comment