Thursday, May 1, 2014

Besnik Gjongecaj flet mbi arsimin

Besnik Gjongecaj
 
Ish-Ministër i Arsimit dhe Shkencës, 11.7.1996-12.3.1997
Besnik Gjongecaj

Pjesë nga shkrimi (shumë i gjatë)


Qeverisja e Shqipërisë po i rikthehet përsëri arsimit, duke e konsideruar atë si një problem qendror, nga zgjidhja e të cilit varet edhe ndryshimi demokratik i vendit. Që pas 23 qershorit e deri më sot, ne, qytetarët e këtij vendi, njohim të paktën dy fakte: ndryshimin e drejtorëve të arsimit në të gjitha qarqet e vendit dhe prononcimin publik të Kryeministrit, se në fushën e arsimit (universiteteve) është ngritur një kantier pune, rezultatet e të cilit do të bëhen shumë shpejt publike. Në përmasën historike njohim, sigurisht, edhe më shumë se kaq. Dimë që deri më sot, ashtu si dhe qeverisja ekzistuese, nuk ka pasur qeveri shqiptare që s’e ka paraqitur arsimin në qendër të fokusit të saj qeverisës. Dimë po ashtu, se në të shkuarën nuk ka pasur qeveri të këtij vendi që nuk ka bërë ç’është e mundur të dështonte në plotësimin e këtij fokusi qeverisës; që nuk ka bërë ç’është e mundur të vendoste problemin e arsimit ekzaktësisht në shtratin e zgjidhjes së gabuar. Aq sa jo rrallë të duket sikur sa më shumë që qeveritë e këtij vendi janë munduar ta vendosin problemin e arsimit në fokus, aq më pak janë kujdesur për zgjidhjen e tij.

Për atë që e ka ndjekur çështjen e arsimit në krejt zgjatjen e tranzicionit të këtij vendi, siç është edhe autori i këtij shkrimi, në këtë vend të varfër nuk ka asgjë tjetër që i ngjan pëlhurës së Penelopës më shumë se arsimi. Çdo qeveri e derisotme, sapo i hipte zverkut të këtij populli, e para gjë që bënte ishte grisja, bërja copë e çikë e organizimit të arsimit ekzistues dhe fillimi i punës për të ndërtuar një arsim tjetër, të pangjashëm me të parin. Flakja nga puna e një palë mësuesish apo administratorësh dhe futja e një pale tjetër, ky ka qenë edhe thelbi i çdo reforme! Aq sa sot, studentët e mi në ato klasa të ftohta të universitetit ku punoj, nuk e kanë idenë për bazat e matematikës, gjuhës, drejtshkrimit, formimit qytetar; pra as nuk e kanë idenë se ç’shkollë kanë bërë deri sa kanë arritur në atë klasën e ftohtë të një universiteti që ka kohë që nuk ndriçon më. Madje, jo vetëm universiteti ku unë punoj, por edhe çdo universitet tjetër perëndimor do të dorëzohej para një kontingjenti të tillë studentësh. Realisht jemi në fazën e prodhimit të brezit të parë të universitarëve analfabetë.
Nuk jemi në krizë, nuk jemi në recesion. Të gjithë këta terma tingëllojnë butësisht nëse dimë vërtet se ku po shkojmë. Jemi përpara një kolapsi, fundosjeje, një drame prej Titaniku. Dikush mund të zgërdhihet kur i lexon këto rreshta, dikush mund të dyshojë në realizimin e tyre. E rëndësishme është që profesionistët dhe ata që e duan këtë vend e kuptojnë substancën e shqetësimit tim dhe akoma më e rëndësishme është që atë do të duhet ta kuptojë qeveria ekzistuese. Në emër të mbijetesës së shqiptarëve në fillim, pastaj edhe në emër të zhvillimit të vendit.
[..] Sistemi arsimor i një vendi është dhe funksionon si një i tërë, pavarësisht diferencave të pjesëve që e përbëjnë atë. Është si në një organizëm që pushon së funksionuari kur dështon së paku një organ i tij. […]Gjithçka, megjithatë, pëson një ndryshim të thellë kur kemi të bëjmë me një sistem në krizë, si sistemi i arsimit në Shqipëri.
[..]

Si karakterizohet sistemi i sotëm universitar?
Sistemi i sotëm universitar është zhytur në një prapambetje të thellë. Pas më shumë se njëzet vitesh tranzicion dhe pavarësisht përpjekjeve të bëra deri më sot, të cilat karakterizohen si thellësisht zhgënjyese, vendi nuk ka akoma një strategji për sistemin si një i tërë, ndërkohë që ndesh probleme të panumërta dhe të mbivendosura në çdo nivel apo pjesë të tij, duke përfshirë edhe sistemin parauniversitar. Sistemit i mungon konkurrenca e brendshme dhe ai është një sistem thellësisht homogjen, me një reliev institucional të njëtrajtshëm, sepse institucionet e tij janë të specializuara, të ndërtuara mbi monopolin e dijes, si dhe me misione të padiferencuara. Sistemi dhe institucionet e tij janë komanduar nga politika, poshtërsisht, aq sa edhe strukturat ndërmjetëse, ato që ndërtohen midis sistemit universitar dhe politikës si struktura tampon që amortizojnë veprimin politik mbi universitetet, janë shndërruar në autostrada ku soji e sorollopi i politikës ka mundësi të futet deri në mitrën e universiteteve dhe të kënaqë epshe nga më poshtërueset. Në qendër të institucioneve të arsimit të lartë qëndrojnë universitarë me integritet dhe profesionalizëm të rrënuar: pedagogë që shesin diploma dhe studentë që i blejnë ato.
Përfundimisht, sistemi i arsimit të lartë të këtij vendi përbëhet nga institucione të korruptuara që kanë humbur misionin e përgatitjes së rinisë për demokraci dhe profesionistëve të ardhshëm të këtij vendi.
Rindërtimi i sistemit universitar: madhësia dhe struktura e tij
Është jashtë çdo dyshimi se akti më antishqiptar që i është bërë këtij vendi është zmadhimi i sistemit të arsimit të lartë, duke shqyer dyert e institucioneve përbërëse të tij. Si në të gjitha rastet e ngjashme, edhe në këtë rast, shkollimi i padrejtë universitar i shitur si patriotizëm nuk ka qenë gjë tjetër veçse një strehë për maskarenjtë. Zgjerimi jashtë çdo kriteri i madhësisë së sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri pa plotësuar edhe kushtet më minimale i shërbeu politikës të ruante pushtetin e ditës, por e ka vënë të ardhmen e këtij vendi në një dyshim të thellë ekzistencial. Një universitar i arsimuar gabim bëhet shumë më armiqësor ndaj shoqërisë se një qytetar që nuk e merr atë. Politika e derisotme e zgjerimit të sistemit universitar, prandaj, nuk i shërbeu ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, përkundrazi, e bëri të pamundur atë.
Madhësia e sistemit universitar të një vendi përcaktohet në njohjen e raporteve midis kërkesës dhe ofertës, ku si kërkesë mund të identifikohet nevoja e përgatitjes së rinisë për demokraci dhe ekonomia e tregut, ndërsa si ofertë mund të identifikohen kapacitetet materiale dhe njerëzore ekzistuese, jo vetëm të sistemit universitar, por edhe të sistemit parauniversitar, pasi ato përcaktojnë kualifikimin e studentëve që hyjnë nga shkollat e mesme në sistem. Konkluzioni më i rëndësishëm që nxjerrim nga e gjitha kjo është, dhe kjo nuk është kuptuar deri më sot, fatkeqësisht, se nuk mund të ketë zgjerim të sistemit universitar pa e reformuar atë, ashtu sikundër, sigurisht, edhe pa e rritur pjesën e GDP që i dedikohet atij. Një zgjerim mekanik i sistemit universitar, pa e shoqëruar me reformim, nuk ka se si të mos sjellë, ashtu si edhe ka sjellë, degjenerimin e universiteteve të sotëm.
“Loja” midis ofertës dhe kërkesës në nivel shtetëror përcakton jo vetëm madhësinë e sistemit universitar, por, afërsisht, edhe numrin dhe natyrën e institucioneve që do të duhet të marrin pjesë në sistem. Në këtë rast, procesi bëhet goxha i ndërlikuar për t’u trajtuar në një shkrim, por, mund t’i shpëtojmë krijimit të kësaj gjendjeje nëse nisim arsyetimin, duke i marrë të mirëqena disa standarde ndërkombëtare, të njohura dhe të pranuara në pjesën më të madhe të rasteve. Dy janë standardet më të njohura relevante. Standardi i parë përcakton që një shoqëri, për të qenë efektive, për të plotësuar misionin e krijimit të “kapitalit njerëzor” dhe rritur mundësinë e realizimit të tij në tregun e punës, duhet të krijojë një universitet publik për një milion banorë. Në këtë pikëpamje, vendi ynë nuk mund të ketë më shumë se tri universitete publike. Standardi i dytë përcakton që në këtë rast, universitetet duhet të kenë një natyrë të universializuar, pra nuk duhet dhe nuk mund të jenë të specializuar, të monopolizojnë një ose pak fusha të dijes (Universiteti Politeknik, i Bujqësisë, i Mjekësisë etj.). Aplikimi i këtij standardi është e vetmja rrugë që krijon forcë lëvizëse të sistemit (driving force), pra, që krijon konkurrencën midis vetë universiteteve. Në këtë rast konkurrenca krijohet midis fakulteteve të ngjashme, por të përfshira në universitete të ndryshme. Konkurrencë ndaj tregut të pranimeve universitare, kërkimit shkencor dhe ekstensionit.
[…]  Pozicionimi territorial i tri universiteteve publike do të ishte gjithashtu i rëndësishëm dhe në këtë rast, mbulimi i krejt territorit (veri, kryeqytet dhe jug) brenda kufijve të shtetit do të kishte një rëndësi polivalente.


Vënia në lëvizje e sistemit universitar
Sistemi i rindërtuar vihet në lëvizje nëse aplikohen disa parime me vlerë universale. Ndoshta, parimi më i rëndësishëm është ai i autonomisë institucionale, i cili nënkupton zbatimin e parimit të autonomisë strukturore (universiteti përcakton se si duhet të organizohet); të parimit të autonomisë administrative (administrimi dhe drejtimi i universitetit është përgjegjësi e vetë institucionit); të parimit të autonomisë financiare (universiteti ka kapacitetin legal për të shpërndarë brenda vetes në mënyrë të pavarur fondet e akorduara nga shteti dhe të përdorë apo të vetëqeverisë të ardhurat joshtetërore, të bëjë kontrata me ndërmarrjet private, të rekrutojë personelin, të blejë pajisje e të tjera si këto). Njësitë brenda universitetit duhet të zotërojnë nivele të ndryshme të autonomisë financiare përkundrejt organit që është përgjegjës për shpërndarjen e fondit të përgjithshëm. Liria akademike për të përcaktuar përmbajtjen e programeve të studimit brenda kufizimeve financiare dhe ligjore që rëndojnë mbi të mund të garantohet vetëm nëse është garantuar autonomia institucionale në të tria dimensionet e saj.
Sistemi i rindërtuar mund të funksionojë nëse pushteti brenda tij shpërndahet sipas parimit të sabsidiaritetit ose parimit të ndërvarësisë, sipas rëndësisë më të vogël. Ky parim përcakton në përmbajtjen e tij se vetëm ato përgjegjësi që nuk mund të përmbushen në nivelin më të ulët i kalojnë një niveli më të lartë. Sipas këtij parimi, pushteti që ligji i jep sistemit duhet të fillojë të shpërndahet nga poshtë, apo nga i ashtuquajturi niveli i punës (working floor), i cili, në fakt, përfaqësohet nga vetë mësimdhënësi apo departamenti si njësi strukturore. Ajo përgjegjësi apo ai pushtet që mbetet i kalohet fakultetit, i cili sigurisht që merr një përgjegjësi më të madhe, pra atë që mund të kryejë dhe ajo që mbetet i kalohet universitetit, organizmave ndërmjetës dhe më në fund qeverisë dhe Parlamentit. Sipas këtij parimi, pushteti duhet të ndahet në mënyrë të tillë që çdo shtresë në hierarkinë institucionale të sistemit universitar të ketë kapacitetin e nevojshëm të zgjidhë problemet atje ku ato ekzaktësisht lindin.
Çdo sistem i arsimit të lartë përbëhet nga organizma ndërmjetës, të cilët vendosen midis qeverisë dhe universiteteve. Respektimi i hierarkisë institucionale dhe pavarësisë së tyre është një parim tjetër i rëndësishëm, pa të cilin është e pamundur që sistemi edhe të funksionojë, edhe të mos deformohet. Duke u vendosur midis qeverisë dhe institucioneve të arsimit të lartë, ato kanë një ndikim në të dyja anët: nuk lejojnë politikën të ndërhyjë tek universitetet dhe bëhen garant, meqenëse nuk janë as pjesë e universiteteve, të kontrollojnë, të ruajnë dhe stimulojnë cilësinë e tyre. Është e vërtetë që struktura të tilla janë pjesë e sistemit të sotëm universitar, por ato (KALSh, Agjenci Akreditimi dhe Këshill Akreditimi, Komisioni për Vlerësimin e Titujve apo një strukturë për shkencën pranë Kryeministrisë) në asnjë moment të ekzistencës së tyre nuk plotësuan misionin që kanë. Përkundrazi. Janë përgjegjës për proceset degjeneruese që kanë ndodhur dhe ndodhin në universitetet e sotme. Janë përgjegjës për deformimin e sistemit.
Është një parim i rëndësishëm aplikimi i insentivave dhe modeleve të financimit në vend të urdhrave në vënien e sistemit universitar në lëvizje. Aplikimi i këtij parimi synon të eliminojnë direktivën si mentalitet dhe praktikë komuniste. Në fakt, raporti midis aplikimit të modelit apo insentivave me urdhrat na tregon edhe se sa jetojmë në demokraci dhe se ç’pjesë e totalitarizmit ka mbetur në trupin e qeverisjes.
Eksperienca është e hidhur. Mund të përmenden me qindra VKM apo urdhra të dala nga zyrat e Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Arsimit, të cilat jo vetëm shpjegojnë se si qeverisën ata që shkuan, por duke qenë në vetvete edhe në kundërshtim me ligjet ekzistuese, në mbivendosje me ta, shpjegojnë natyrën thellësisht autokratike të qeverisjes që shkoi.
Vetë filozofia e financimit të universiteteve në demokraci e tregon më së miri epërsinë e modelit nxitës në vend të urdhrit. Kështu, sipas kësaj filozofie, financimi i universiteteve duhet të plotësojë dy kushte themelore: të jetë eficient dhe të sigurojë një impakt pozitiv në politikën e universitetit. Kjo gjë fillon të realizohet që në mënyrën e përcaktimit të fondit vjetor mbi bazë të një formule, në të cilën shuma e fondit total vjetor varet nga parametra të tillë si numri i studentëve, i granteve për kërkim, diploma etj. Që të krijojnë incentiva sa më të efektshëm, parametrat e kësaj formule lidhen jo me input-et, por me output-et, d.m.th., nëse mendohet që parametri kryesor i modelit të jetë numri i studentëve, atëherë shuma totale e fondit vjetor nuk llogaritet mbi bazë të numrit të studentëve që hyjnë, por mbi bazë të numrit të studentëve që diplomohen. Kjo i shtyn universitetet të thithin studentë sa më të mirë dhe t’i arsimojnë ata për një kohë sa më të shkurtër. Gjë që mund të ndodhë vetëm kur integriteti i mësimdhënësit, i studentit, më në fund është vendosur në qendër të vetë universitetit, ekzistencës së tij.

Si fillohet?
Është e qartë që, më shumë se një strategji për zhvillimin e sistemit universitar, qeveria duhet të përgatisë një “exit” strategji. Atë “exit” strategji që do ta nxjerrë sistemin universitar nga bataku ku është zhytur, nga kriza që e ka përfshirë prej kaq e kaq vitesh. Nëse pranohet kjo premisë, atëherë duhet të pranohet edhe një rol i veçantë, i jashtëzakonshëm, emergjent, i qeverisë ekzistuese dhe jo vetëm në përgatitjen e kësaj strategjie, por edhe në realizimin e saj. Nga një gjendje e jashtëzakonshme dilet me masa të jashtëzakonshme.
A duhet filluar, pra, me akreditimin e universiteteve, ashtu si publikisht është artikuluar nga vetë Kryeministri i vendit? Pra, në thelb, meqenëse mendohet që akreditimi duhet të kryhet nga të huajt, pyetja vjen e takon fundin kur artikulohet si “a mund të fillohet me të huajt për të nxjerrë nga kriza universitetet e këtij vendi”? Është e pamundur për dy arsye. E para, sepse nuk mund të gjesh të huaj që në fund të procesit të akreditimit të marrin një vendim, sepse menjëherë, kushdo qofshin ata, do të thonë se vendimi për mbylljen, rankimin, etj., të një institucioni u takon shqiptarëve. Madje një sjellje e tillë është edhe rasti më i mirë, sepse në eksperiencën time, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë që kanë punuar me të huajt, fatkeqësisht kemi parë se me ç’lehtësi ata, të huajt, kanë bërë copë e çikë bindjet e tyre profesionale, për shkak të presionit të politikës, të atyre që i kanë punësuar për të kryer punë në Shqipëri. E dyta, procesi i akreditimit nuk mund të jetë veçse një proces që kalon nëpër shumë duar; ai është një proces kolektiv, në të cilin është e pamundur që të mos përfshihen vetë shqiptarët. Nëse këta të fundit janë të pabesueshëm, atëherë edhe procesi mbetet me siguri i tillë, i pabesueshëm. Në fund të ditës, ideja e akreditimit që kryhet nga të huajt, si dalje nga kriza, nuk është gjë tjetër veçse produkt i atyre autoriteteve universitare që me gjithë kohën e gjatë në krye të universiteteve akoma nuk kanë bërë dy gjëra: nuk i kanë treguar publikut se ç’rezultate kanë arritur në universitetet e tyre dhe akoma më shumë, madje për ironi të gjërave, me gjithë kohën e gjatë të tranzicionit, nuk kanë mundur të mësojnë një gjuhë të huaj për t’u marrë vesh, të paktën, me ekspertët e akreditimit që priten të vijnë nga jashtë kufijve të vendit. Prandaj, nuk mund të fillohet me akreditimin për të dalë nga kriza, por me ata që, nesër, do të marrin përsipër akreditimin.
Duhet të fillohet me rikonstituimin e strukturave ndërmjetëse, veçanërisht me rikonstituimin e KALSh, Agjencisë së Akreditimit; me ndërtimin ligjor të pavarësisë së tyre; dhe veçanërisht duhet të fillohet me një lidership të ri universitar!
Universitetet duhet të ndërrojnë patjetër dhe menjëherë autoritetet e tyre. Procesin e përzgjedhjes së lidershipit të ri universitar duhet ta marrë qeveria në përgjegjësinë e saj. Jo arbitrarisht, përkundrazi, duke ndjekur modelin që ndjekin në përgjithësi universitetet anglosaksone në përcaktimin e lidershipit të tyre. Janë shumë institucionalistë me emër që ia kanë propozuar këtë model Shqipërisë, por qeveritë e këtij vendi kanë preferuar të ashtuquajturat zgjedhje universitare, modelin latin pra, dhe të gjithë këtë e kanë bërë për një arsye fare të qartë: ngaqë janë bërë mjeshtër të manipulimeve të zgjedhjeve politike, i kanë konsideruar ato, zgjedhjet, gjithmonë e më shumë të leverdishme për të ruajtur pushtetin brenda universiteteve në krahasim me çdo formë tjetër të përcaktimit të autoriteteve dhe strukturave universitare.
Zgjedhjet universitare jo vetëm që e kanë humbur rolin e tyre në nxjerrjen e autoriteteve të vërtetë universitarë, por, për shkak të deformimit të misionit dhe rrënimit të integritetit të vetë institucioneve, janë kthyer në faktorin më esencial të prapambetjes universitare, të riciklimit të të paaftëve dhe njerëzve që nuk kanë interesa universitare, por klanore, të ruajtjes së pushtetit. Nuk ekziston asnjë universitar në faqe të “planetit” mediokër të sistemit të arsimit të lartë të këtij vendi që nuk e di këtë gjë!


Tani, prandaj, duhet bërë diferenca. Ja se si e propozon bërjen e kësaj diference një njohës i mirë i sistemit anglosakson: “Shoqëria shqiptare është thellësisht e interesuar jo vetëm të dijë se ç’ndodh brenda universiteteve, por edhe të marrë pjesë në qeverisjen e tyre. Kjo gjë fillon e bëhet e mundur me krijimin e një bordi për një universitet të caktuar, i cili përbëhet nga një numër anëtarësh të jashtëm (ex officio), që përfaqësojnë pushtetin e publikut dhe një numër anëtarësh të brendshëm, universitarë. Anëtarët e këtij bordi zgjidhen nga grupe me kufij të gjerë interesi (ekonomia, biznesi, sektori publik, stafi akademik, etj.), dhe përgjegjës për zgjedhjen e tyre do të duhet të jetë KALSh dhe Ministria e Arsimit fillimisht, sipas kritereve të përpunuara nga KALSh. Në vitin e parë, një bord i tillë mund të jetë këshillues, por gradualisht, qeveria transferon më shumë pushtet duke e transferuar atë nga bord këshillues në bord qeverisës dhe si i tillë, ai merr menjëherë përsipër miratimin e planeve të zhvillimit të universitetit, kontrollin financiar të tij dhe përzgjedhjen e rektorit. Përzgjedhja e rektorit bëhet përpara një audience publike dhe nga jo më pak se tre kandidatë që kanë plotësuar kriteret”.


























0 comments:

Post a Comment