Monday, April 28, 2014

Mbi historinë e arsimit të lartë në Shqipëri 1946-68

 

Duro, Çlirim (2012) Arsimi i Lartë në Shqipëri 1946-68. Universiteti i Tiranës. (Disertacion)
Krahasimet, grafikët dhe tabelat me statistikat ndërkombëtare apo ato aktuale janë nga blogu
image
Diskutimet nëpër gazeta mbi masivizimin e dhe uljen e cilësisë në arsimin e lartë jo pak herë nisen nga një romantizim i së kaluarës apo nga dëshirat elitiste për të kufizuar aksesin në arsimin e lartë. Por një vështrim historik mbi zhvillimi e arsimit të lartë në Shqipëri ndihmon për të kuptuar se ky sistem relativisht shumë i ri po has të njëjtat probleme sikur në fillesat e veta. Dhe megjithatë shqiptarët e arsimuar në vitet 1970-1990 janë krenar për arsimimin e tyre që është trashëgimi e atyre përpjekjeve fillestare. Kritikët e brezit tim, që nuk e kanë përjetuar ngritjen e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri gjatë periudhës socialiste, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në vlerësimin e situatës së sotme. E kaluara na jep argumente për optimizëm.
Çlirim Duro, një nga specialistët e pakët në fushën e akreditimit dhe vlerësimit të jashtëm në Shqipëri, nëpunës prej vitesh pranë Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë ofron pikërisht perspektivën historike për të vlerësuar gjendjen e sotme të arsimit të lartë në Shqipëri. Vepra e tij “Arsimi i Lartë në Shqipëri 1946-68”, shkruar në kuadër të disertacionit për titullin Doktor i Shkencave në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, paraqet fillesat dhe zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri për atë periudhë.
Studimi mbart vlera për historikun e zhvillimit të arsimit të lartë dhe shkencës (kapitulli i fundit) në Shqipëri. Por periudha e zgjedhur është e shkurtër dhe metoda është ajo kronologjike (vertikale) dhe jo tematike (horizontale). Referencat dhe ndonjë analizë krahasuese mbi situatën aktuale mungojnë, por duket sikur tematika që përshkon të gjithë studimin lidhet me përpjekjet e qeverisë për të rritur numrin e studentëve dhe të programeve të studimit (për kuadro të kualifikuar në mësuesi e prodhim, për të mundësuar indoktrinimin apo edhe thjeshtë për ambiciet kombëtare si në rastin e fakulteteve të gjuhësisë). Duro nuk ngurron të vlerësojë e analizojë me sy kritik politikat e qeverisë. Përshtypja ime është se në tërësi studimi bazohet mbi dokumente zyrtarë dhe kjo ka kufizuar diapazonin e veprës pasi është lënë jashtë vështrimit përjetimi personal i studentëve, pedagogëve dhe administratorëve.
Fillimisht Duro paraqet një histori të shkurtër (rreth 20 faqe) të arsimit në Shqipëri. Në këtë seksion ai nuk mund ti shpëtojë metaforave të historiografisë të socializmit shqiptar, kombinuar me raste me terma moderne. Sipas tij “përpjekjet dhe vizioni për ndryshime janë ushqyer, frymëzuar dhe mbështetur në traditën arsimdashëse të popullit dhe në jetën dhe veprën e bijve më të shquar që e bënë arsimin pishtar për liri, dituri dhe progres(fq. 7). Ose se “lufta e tij [popullit] me pushkë për pavarësi e çlirim nga zgjedha e huaj nuk është ndarë asnjë herë nga lufta me penë, nga përpjekjet për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare” (fq. 8); “lufta për çrrënjosjen e analfabetizmit”(fq. 18) etj. Këto ose shprehin qëndrimin e autorit, ose burimet (si E. Kambo, H. Beqja etj.) janë përdorur pa reflektim. P.sh. tek përmend importimin e ideologjisë fashiste në shkolla, Duro komenton se këto përpjekje për imponim hasën në “rezistencën e forcave përparimtare” (fq. 12). Autori nuk pyet se cilin ishin “këto forca përparimtare” dhe se a mund të cilësohej fashizmi forcë reaksionare në kontekstin ekonomiko-social shqiptar; gjithashtu nuk përmendet nëse u ndërtuan shkolla gjatë pushtimit italian. Autori nuk permend as që Italia fashiste kishte kontribuar në themelimin Institutit për Studime Shqiptare (1940), i emërtuar më pas Instituti i Studimeve (1946) dhe Instituti i Shkencave (1947) (Michael Schmidt-Neke, 2006, Albanische Hefte 1).

Zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i arsimit në Shqipëri, e gjetkë në botën komuniste, cilësohet me të drejtë arritja më e madhe e sistemit socialist. Studiuesit shqiptarë vendosen në siklet që njëkohësisht të njohin meritat e sistemit në këtë aspekt dhe të analizojnë efektet e sistemit arsimor mbi indoktrinimin e brezave. Duro nuk bën përjashtim. P.sh. gjatë analizës së reformës në arsimin parauniversitar (Ligji mbi Reformën Arsimore në Shqipëri, 1946) Duro nuk mund të qartësojë dallimin ndërmjet përshkrimit të objektivave të reformës dhe analizës apo vlerësimit të saj nga studiuesit e mëvonshëm. P.sh. Duro vlerëson synimet demokratike të reformës apo ndarjen “kategorike të shkollës nga kisha dhe nga feja ... si një nevojë urgjente .. dhe një hap të madh” për zhvillimin e vendit” por më tej e kundërshton këtë veprim duke i quajtur si synime “nonsense demokratike të reformës” dhe keqpërdorim të pushtetit për çështje propagandistike (fq. 23). Sipas autorit “ishte pikërisht kjo propagandë që vlerat emancipuese e përparimtare të reformës i deklaronte vend e pavend, duke i lidhur vetëm me vijën politike, me meritat e PKSH.” (fq. 23). Duro nuk arrin të artikulojë çështjen që çdo sistem politik e bazon legjitimitetin e tij (dhe propagandën) mbi bazën e suksesit në zbatimin e politikave përparësore (arsimin, ekonominë, industrializimin, tufëzimin apo fushatat anti-korrupsion etj.). Vlerësimet jashtë këtij kuadri historik e teorik të legjitimitetit janë ahistorike.
Linguistët ndoshta argumentojnë ndryshe, por unë mendoj se përdorimi i “së ardhmes së shkuar” në rrëfimin e ngjarjeve të shkuara e pështjellon lexuesin. Autori përdor gjerazi “të ardhmen e përparme”. P.sh. “në shkollat e vendit do të futej lënda e re mësimore ... gjuha italiane do të bëhej ... do të mbizotëronin ... do të ishte” (fq. 12).
Duro merret me disa aktorë që i ai konsideron kyç në hartimin e politikave apo nismave për krijimin e institucioneve, por e lë lexuesin në injorancë për të tjerë. P.sh. ai flet gjatë për S. Malëshovën që kryesoi nismën për hapjen e institucionit të parë të arsimit të lartë, Institutit Pedagogjik 2-vjeçar në 1946. Ndërsa Nga faqja 35 deri ne 42 merret me promemorien për themelimin e fakultetit të gjuhës dhe letërsisë nga një grup pune i ministrisë së arsimit në vitin 1947 (anëtarë E. Çabej, fq. 35). Grupi shpalosi një plan 5 vjeçar për realizimin dhe autori tregon problemet që kishin vërejtur anëtarët si mungesa teksteve dhe e personelit akademik. Por në vijim nuk dëgjojmë më për këtë grup apo ndikimin e projektit të tyre mbi themelimin e fakultetit me të njëjtin emër në Universitetin e Tiranës, themeluar në 1956. Ndërsa në një çast (fq. 51) përmend të gjithë drejtuesit e katedrës të Institutit të Lartë Pedagogjik 4-vjeçar të sapo themeluar (1952), por nuk thotë asgjë mbi drejtuesit (rektorët) e instituteve dhe ministrat e asaj periudhe. Për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës historia paraqitet sikur është rezultat i Byrosë Politike, mungojnë hulumtimet mbi ndikimin e personave konkretë, mbi projektet alternative dhe konfliktet ndërmjet përfaqësuesve.
Autori nuk kritikon problematikat me statistikat zyrtare dhe nuk i paraqet ato sipas treguesve ndërkombëtarë. P.sh. Tabela 1 (fq. 45) e bazuar mbi vjetarin statistikor 2002-03, tregon për tre institucione të arsimit të lartë gjatë 1950-51. Autori nuk qartëson nëse ka një gabim në këtë tabelë, pasi ai vetë dëshmon se institutet e larta të pedagogjisë, politeknikut dhe ai bujqësor u çelën në vitin akademik 1951-52 (fq. 47), dhe gjatë 1950-1 ishte vetëm Instituti Pedagogjik 2-vjeçar. Gjithashtu në tabelën që i atribuohet Vjetarit Statistikor 2002-03, shifra e studentëve për këtë periudhë është paraqitur në total 254, ndërsa referuar arkivës del se kanë qenë regjistruar 165 studentë në total për të tre institutet (përkatësisht 47, 44 dhe 74, fq. 52). Paqartësi ka edhe në shifrat e studentëve shqiptar që studionin jashtë vendit (767 në 1950, 139 në 1952, fq. 53, dhe në 1956 del numri 883, fq. 56?). Gjithashtu disa referenca për shifrat janë marrë nga vendimet e Këshillit të Ministrave, që janë planifikime kuotash dhe jo shifra reale (prandaj ka një rritje të pasqaruar të numrit të përgjithshëm të studentëve nga 1595 studentë në vitin 1956, fq. 56, në 1923 studentë për vitin 1957, fq. 67). Sidoqoftë, atëherë e merrnin seriozisht planin, nga 7% rritje që ishte planifikuar, numri studentëve nga viti 1951 (208 studentë) u rrit me thuajse 7-fish në 1955. Ndërsa tabela 10 (fq. 110) mbi shifrat e studentëve të diplomuar nuk vihet përballë atyre të regjistruar për të llogaritur përqindjen e të diplomuarve (por del jo qartë në fq. 126). Tabelat disa herë nuk shoqërohen me informacione shtesë poshtë tyre, si për burimin apo interpretimin, dhe ka raste kur janë të paqarta.
Në vitin 1946/7 raportuan 53 studentë; në 1950/1=208 (ose 304); 1952/3=391; 1954/5=1429; 1955/6=1595 (ose 3411); në 1956/7=1923; 1960/1=6700 (ose 6703); në 1962-63=11,687; në 1970/1=25469. Shifrat tregojnë një rritje vjetore mesatare prej 123%.
Duro (2012) Të dhënat kontradiktore (ose të paqarta) nga statistikat zyrtare.
image
Ndërsa për të merakosurit nga masivizimi, njoftohet se nga viti 1994-2012 rritja mesatare ka qenë rreth 11% për të gjithë sistemin, me variacione mbi 17% gjatë 2003-2007. Ndërsa arsimi privat ka pasur një rritje mesatare deri në 80% (sot zë rreth 21% të numrit të studentëve). Nëse dikush është i frikësuar nga zgjerimi i sistemit arsimor sot, le të mendojë për ato vite.
image
Siç edhe paraqitet nga Duro (fq. 129), pas viteve 60 rritja e aksesit realizohej me anë të sistemit të korrespondencës (arsimimi i proletariatit!). Në 1960 mbi 47% e studentëve studionin pa shkëputje nga puna, ndërsa në vitin 1970 ishin gati 58%.
image
Sipas Barro & Lee (2010) frekuentimi i arsimit të lartë për moshat 20-24 dhe 25-29 vjeç ishte thuajse i barabartë (1960, 4.73% me 3.21%) deri në vitet 2000, por në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe lindjes Shqipëria ishte ende mbrapa.
Barro & Lee (2010), Total population, 15 years and over - Percentage of Complete Tertiary Schooling Attained in Pop - Age Group, 15 and older
image

Duro ka hulumtuar shumë mirë disa prej problematikave më shqetësuese për sistemin e arsimit të lartë të asaj periudhe. P.sh. ndikimin partiak mbi përbërjen klasore të studentëve nëpërmjet kuotave të paravendosura. Kuotat përcaktoheshin sipas përkatësisë në parti apo bashkimeve rinore gjendjes ekonomike e klasore dhe gjinisë (fq. 65).
Vëmendje të veçantë autori i ka kushtuar (1) mungesës së literaturës apo indoktrinimit të saj; (2) personelit pedagogjik (mangësisë, shpërblimit të dobët, cilësisë, trysnisë politike, problemit të strehimit etj.); (3) infrastrukturës kërkimore; dhe (4) cilësisë së studentëve.
P.sh. siç dëshmohet në studim përgatitja e studentëve ka qenë një shqetësim për institucionet e arsimit të lartë, sidomos për ata studentët që nuk vinin nga gjimnazet, pasi kalueshmëria e tyre ishte shumë e ulët, deri në 82% në vitin e parë (fq. 71). Ndërsa sipas Duros, përqindjet e diplomimit në fakultetet e shkencave ishin shumë të ulëta (në degën e inxhinierisë mekanike ishte 32 % brenda 4 vjetëve; në degën e ndërtimit 30%, në fakultetin ekonomik 40% etj., fq. 127).
Unë prirem të besoj se përzgjedhja klasore e studentëve ishte një prej shkaqeve të cilësisë së dobët. Duro përmend edhe çështjen e përgatitjes së maturantëve (çka përbën edhe sot një shqetësim), problemet me mbingarkesën dhe cilësinë e personelit akademik apo mungesat në bazën materiale. Por autori zgjatet shumë të interpretojë se vështirësitë që hasnin studentët shkaktoheshin nga programi mësimor i ngarkuar me lëndë të kulturës të përgjithshme (fq. 90-99). Shkarazi ai përmend me fakte edhe shkaqe të tjera si mungesa e pasionit, cilësia e dobët e mësimdhënies etj. Relevante për aktualitetin është se, gjatë viteve 60, siç vëzhgon autori, janë krijuar kurse parapërgatitore (“remedial education” siç njihen në SHBA”) për maturantët. Autori citon udhëzimin e qeverisë se “për përgatitjen e njerëzve të prodhimit për të ndjekur shkollat e larta sipas profilit, do të organizohen kurse 9-mujore pa shkëputje nga puna, pranë shkollave 11-vjeçare të Tiranës [.. Kukësit etj.]”(fq. 112). Kjo mund të jetë zgjidhja dhe sot.
Autori ka cekur shkarazi sistemin e organizimit dhe drejtimit brenda universiteteve, marrëdhënieve të universitetit me shtetin etj. Gjithashtu, dimensioni ndërkombëtar i sistemit të arsimit të lartë është trajtuar në mënyrë sporadike, por kjo vjen nga trajtimi kronologjik që nuk lejon thellimin në dimensione të caktuara. Duro p.sh. paraqet një tablo, edhe pse jo të plotë, mbi kontributin me personel dhe ndikimin e Bashkimit Sovjetik (BS) në modelimin e institucioneve të arsimit të lartë, në tekstet universitare, literaturën shkencore dhe metodikën e mësimdhënies. Sot projektet ndërkombëtare zhvillohen në kuadër të Procesit të Bolonjës dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
Përfundimisht, studimi ja vlen të lexohet për çdokënd të interesuar në zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri, edhe pse komunitetit akademik ende do ti mungojë një vepër referencë në lidhje me tematikat kryesore dhe historinë e arsimit të lartë në Shqipëri.
Publikuar për herë të parë në Peizazhe.com
















0 comments:

Post a Comment