Saturday, May 10, 2014

Selami Xhepa – mbi reformen

Reforma në arsim: I lirë për të zgjedhur – por vendimin e marr unë

selami xhepa

Nga Selami Xhepa, MAPO, 09/05/2014

Permbledhje

Tematika kryesore:

A. Arsimi publik dhe statusi ekonomiko-ligjor: fitimprures/jofitimprures.

(ne fakt nuk permendet gjekundi ne planin e reformes qe universitetet publike te behen shoqata jofitimprurese)

B. Manaxhimi i universiteteve publike nepermjet bordeve administrative

C. Shperndarja e studenteve ne universitete (liria e zgjedhjes)

D. Kerkimi shkencor dhe cilesia e personelit akademik

 

1. … dokumenti mbart në vetvete shumë kontradikta, prandaj dhe mund të atakohet lehtësisht nga të gjitha grupet e interesit. Dokumenti pretendon se në thelb të saj është adoptuar filozofia e tregut dhe zgjidhjet e tregut sipas modelit anglo-sakson.

2. …  transformimi nga statusi juridik që kanë tani universitetet si ente publike, në organizata jofitimprurëse (OJF).

3. Pyetja e parë shtrohet se çfarë problemi zgjidh thjesht ky ndryshim i statusit juridik?

Po të ishim në SHBA ose dhe në Angli, sigurisht që ndikimet do të ishin cilësore. Tradita e filantropizmit, fort e përhapur ndër këto vende, do të mundësonte mjaft biznesmenë të suksesshëm që të bënin donacione të bollshme në mënyrë që universitetet të funksiononin pa u përballur me kufizimet e forta buxhetore që të vendos financimi shtetëror. Meqë sektori privat nuk lejohet të financojë institucionet publike, shndërrimi i këtyre institucioneve në OJF do iu garantonte atyre akses ndaj një burimi financimi, që në eksperiencat e vendeve në fjalë, zënë peshën kryesore të financimeve që ata marrin. Prandaj dhe presidentët dhe CEO e kompanive të mëdha qëndrojnë në bordet ekzekutive të universiteteve.

4. Por, a është realiste që një gjë e tillë të ndodhë në rastin e vendit tonë?

Probabiliteti që një gjë e tillë të ndodhë në rastin tonë është një vlerë nën-atomike – ndodhja e saj do të ishte një “Mjelmë e Zezë”, sipas terminologjisë së Nasim Taleb. Besoj se askush nuk pret që kjo të ndodhë, të paktën në të ardhmen e parashikueshme (ndoshta, sa të jemi gjallë ne dhe autorët e strategjisë).

5. E nëse universitetet do të vazhdojnë të mbështeten prapë vetëm te financimi nga buxheti dhe nga tarifat e studentëve, atëherë përse është e nevojshme që të ndryshojë forma juridike e universiteteve publike?

Disa zëra kritikë e lidhin këtë me dëshirën për të shtënë nën kontroll universitetet publike nëpërmjet bordeve administrative. Sigurisht që bordet do të zgjidhen nga stafet akademike, por vallë deri tani, a nuk kanë qenë zgjedhjet po nga këto komunitete? Nuk më duket i pamotivuar ky argument kritik.

6. Nëse qëllimi i reformës është dhënia e mundësisë edhe universiteteve private që të kenë akses ndaj financimit nga buxheti shtetit, atëherë atyre mund t’iu kërkohej që të ndryshonin statusin e tyre juridik në OJF dhe të ndryshonin të gjithë sistemin e tyre të menaxhimit dhe drejtimit, sipas të njëjtave parime si dhe universitetet publike. Kushdo që do të dëshironte nga investitorët privatë që kanë investuar deri tani në këtë sektor të hiqte dorë nga investimi i tij, kjo do të ishte një mënyrë për të “blerë” investimin privat që është kryer deri më tani. Dhe nuk do të ishte një ide e keqe të parashikohet një alternativë e tillë. Se, për shembull, çfarë do të ndodhte nëse investitori i universitetit x nesër do të vendosë të mos vazhdojë më këtë biznes?

7. Një alternativë mund të ishte dhe kjo, e shndërrimit në një OJF dhe komuniteti i profesorëve do të ketë një mundësi ta vazhdojë këtë aktivitet në një formë të ndryshuar juridike. Por, edhe në këtë pikë, mendoj se parashikimet nuk janë aspak realiste. Investitorët privatë që kanë hyrë në këtë biznes presin që reforma të prodhojë një “sistem anglo-sakson”, ku shteti i jep çdo studenti një shumë parash, sipas kostimit të shërbimit për student, dhe studenti është i lirë të shkojë të ndjekë shkollën që dëshiron, në publik ose në privat. Ky është sistemi itollonit të Fridman-it që disa vende e kanë aplikuar me sukses. Por kjo reformë që propozohet nuk parashikon këtë. Përkundrazi, studenti humbet në mënyrë dramatike lirinë themelore të tij – lirinë për të zgjedhur shkollën që dëshiron.

8. Propozimi është që, që në vitin e fundit të shkollës së mesme, nxënësi të plotësojë një formular me tri preferencat e tij për universitetet që dëshiron të shkollohet – publike dhe private. Dhe në fund, është një ent qeveritar i ministrisë që do të shpërndajë studentët sipas degëve dhe universiteteve. Kaq shumë për lirinë e zgjedhjes së studentit! Mendoj se kjo është pikëpyetja më e madhe e reformës.

9. Si do ndahen studentët sipas universiteteve? Skema është shumë e hapur për praktika korruptive – për shembull, kush paguan më shumë mund të marrë dhe numrin e duhur të studentëve. Si mund të kontrollohet transparenca e gjithë këtij procesi? Si garantohet llogaridhënia e enteve shtetërore? Po sikur, larg qoftë, një student të ndryshojë preferencën e vet deri kur të vijë dita të shkojë në universitet?

10. Një nga mangësitë themelore të sistemit tonë arsimor, e ndoshta më shumë atij universitar, është kuadri pedagogjik/akademik. Duhet t’i shohim gjërat me sy real. Nëse universitetet tona nuk arrijnë të bëhen pjesë e programeve kërkimore që financon Bashkimi Europian e madje edhe pjesëmarrjen për prezantime punimesh e kemi kryesisht në konferenca mediokre – pa e absolutizuar, pasi vërtet mund të ketë raste të veçanta suksesi, por ky nuk është rregulli.

11. Fakti që në vendin tonë ne nuk kemi një revistë të vetme shkencore serioze, që të jetë referencë për botën akademike globale. Dhe çfarë thotë strategjia për këtë?

Thotë që do ju ndalojë dypunësimin stafeve pedagogjike të sistemit publik. Dhe kjo bëhet në emër të dedikimit të tyre më shumë ndaj kërkimit shkencor. Ne e dimë të gjithë që 80-90% e të ardhurave të një pedagogu janë paga që merr dhe jo të ardhurat nga kërkimi shkencor. Druaj se një masë e tillë, në vend që të japë rezultatin që synon – përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, – thjesht do të dëmtojë disa universitete private që kanë një prurje nga ky kontingjent profesorësh.

Mund të rriten kostot për sektorin privat, por pa e ndikuar cilësinë e sistemit universitar shtetëror.

13. Një diskutim që do ia vlente do të ishte: a duhet ruajtur sistemi i Bolonjës?

Ka tashmë një kuptim përgjithësisht të qartë se ndryshimi i sistemit tonë sipas Kartës së Bolonjës, e shoqëruar me deformimet serioze të kërkesave të tregut të punës – me kërkesën për të patur diplomë master edhe për një pozicion zyrtari të thjeshtë në çdo zyrë të administratës – i ka humbur kuptimin diplomës së studimeve të nivelit të parë – bachelor. Aq sa kjo zor se konsiderohet nga tregu si diplomë.

Ironia duket kur strategjia vendos kushtin që edhe edukatorët e kopshteve të jenë më diploma Master! Për vazhdim të logjikës i bie që, që të bëhesh mësues, duhet të jesh doktor shkencash! Që sistemi të thithë stafin më të mirë akademik/pedagogjik dhe studentët më të mirë – dhe kjo krijon konkurrencën dhe presionin për standarde cilësore reale të sistemit tonë mësimor – universitetet duhet të hapen ndaj talenteve më të mira.

Le të hapen poste pune për profesorë e akademikë në poste kyçe – titullar lëndësh të rëndësishme – ku të ftohen edhe stafe ndërkombëtare dhe të financohen pagat e tyre. Le të paguajmë që nxënësit më të mirë të familjeve shqiptare në emigracion të ndjekin falas universitetet tona. Dhe të shkojmë më tej të thithim dhe studentë të huaj elitarë.

Në një auditor ku gjenden një kontingjent studentësh elitarë, mësimdhënia fillon të bëhet elitare dhe presioni konkurrencial në sistem fillon të japë efektet që presim për cilësinë.

14. Për të siguruar cilësinë e shkollës, strategjia mjaftohet vetëm të thotë se “do të vendosen indikatorë të matshëm të output-it”. Shumë mirë, por nuk thotë mjaft. Tekstet mësimore janë ushqimi që duhet të marrë studenti. Meqë tekstet janë në gjuhë të huaj – kryesisht anglisht – mësimi i kësaj gjuhe është një “must” për gjithkënd që ndjek një shkollë të lartë.

15. Një pjesë e madhe e literaturës ndihmëse, kërkimi më i fundit akademik dhe evidencat empirike të teorive që studiohen në tekstet standarde akademike, janë në sitet e internetit apo në botimet periodike serioze, në gjuhë të huaj. Strategjia duhet t’i kushtojë një vend edhe adresimit të këtij problemi – si do ta zgjidhim? Nëse vazhdojmë që disa tekste të përkthyera keq dhe në shkelje flagrante të të drejtave të autorit, t’u shiten studentëve – duke e bërë shitjen e teksteve biznesin kryesor të disa “akademikëve” – them se do të shkojmë edhe më keq. Ndoshta ka ardhur koha që një fond kombëtar të përdoret për të përkthyer në gjuhën shqipe tekstet origjinale të autorëve më të mirë, një praktikë që tek-tuk është mbështetur nga ndonjë donator zemërgjerë, por tani duhet të bëhet një praktikë serioze. Ndërkohë, mësimi i gjuhës së huaj dhe kombinimi i vlerësimit të dijeve në çdo lëndë, duke përfshirë dhe njohjen që duhet të marrë një student nga literatura e huaj, duhet të fillojnë gradualisht të prezantohen në sistem.

16. Duke e mbyllur [me tete paragrafe?], sinqerisht nuk arrij të dalloj se çfarë është anglo-saksone në këtë qasje që ka dokumenti. Iu kërkohet universiteteve të bëhen OJF dhe financimi nuk iu sigurohet – askund nuk thuhet sa do jetë buxheti, sa do rriten tarifat – por ama është konstatuar drejt se nevojat për një financim “modest” të arsimit të lartë kërkojnë dhjetë herë më shumë fonde. Domethënë, ose buxheti i shtetit për arsimin e lartë do të dhjetëfishohet (të shkojë në 350 milionë euro, kur gjithë buxheti i ministrisë nuk është kaq!), ose tarifat e studentëve do të dhjetëfishohen – gjë që askush nuk e pret.

Pika kryesore e dokumentit duhet të ishte një prognozë e qartë, e shtrirë në kohë, e kombinimit të rritjes së financimit shtetëror dhe e riformatimit të tarifave që duhet të paguajnë studentët. Por edhe kjo mungon në dokument. Pasi të bëhen OJF, universitetet do të marrin po kaq varfërisht financim, pedagogët do të paguhen po aq varfërisht dhe ndërkohë, studentët humbasin dhe lirinë për të zgjedhur.

Nëse reforma nuk ofron më shumë mundësi zgjedhjeje për studentët, programe dhe institucione studimore më cilësore, paga më të larta për stafet akademike dhe nxitje të vërtetë të konkurrencës në sistem, atëherë çfarë problemesh zgjidhim?

Zgjidhjet sigurisht që nuk janë të lehta, por duhen formuluar qartë dhe me guxim. Ndoshta është më mirë të rrisim ndjeshëm financimin për sistemin që kemi, të hapim garën për të sjellë edhe stafe të huaja akademike, fakulteteve t’iu vihen fonde në dispozicion për të sjellë në sistemin e tyre studentë elitarë, të dedikuar për ata që kanë mbaruar studimet e mesme (ose për programet paraardhëse, në varësi të programit që kërkon i interesuari) në një vend të huaj, të shtojmë fondet për librin dhe literaturën, të kufizojmë numrin e studentëve që pranohen në fakultete dhe të përmirësojmë gradualisht infrastrukturën e tyre, duke i rritur kuotat në përputhje me mundësitë reale të sistemit.

Universitetet private të monitorohen dhe të kërkohet transparencë e tyre në raport me publikun, në mënyrë që besimi ndaj këtij sektori të rritet në mënyrë të merituar dhe të përligjur.

Le të studiojmë më me maturi financimin – të ndërtohen disa skenarë të mundësive që ka qeveria për të rritur buxhetin deri në 5% të GDP-së – siç e kërkojnë normat e pranuara ndërkombëtarisht, të mendohet edhe për një reformë tarifore serioze dhe për skema realiste të subvencionimit të “ekselencës” dhe të të “pamundurve materialisht”. Më vonë mbase i vjen koha edhe hapjes ndaj sektorit privat për financime, por tani siç e dimë, të gjithë ne po financojmë shumë keq edhe shkollat publike.

Për momentin, le të mbështesim kërkimin shkencor dhe punën krijuese të të gjitha universiteteve, publike dhe private, pasi që të dyja i shërbejnë një qëllimi.

Të monitorojmë më mirë punën e universiteteve duke shkuar ministria dhe agjencitë qeveritare atje, dhe jo monitorime nga zyrat.

T’i lëmë studentit më shumë hapësirë të zgjedhë, të ketë lirinë të lëvizë në sistem për të gjetur më të mirën; të ketë mundësinë të ndjekë edhe më shumë se një program – edhe në kohën e diktaturës kjo lejohej, sigurisht me kufizime. Këto liri që i kishte studenti, me këtë strategji hiqen.

Kjo qasje që nënvizova shumë shkurt, është evolutive, por rruga drejt suksesit e tillë është – e gjatë, e ngadaltë, e lodhshme e rraskapitëse. Të gjithë e dimë klishenë – nuk ka rrugë të shkurtër drejt suksesit!

Monday, May 5, 2014

1991_Kastriot Islami



Minister Arsimi ne vitin 1991 


Kastriot Islami (lindur në Tiranë më 18 gusht 1952) është politikan shqiptar, deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Edukimi

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Fizikë Speciale. Doktoratë në fushën e Fizikës Atomike e Molekulare, Universiteti i Parisit XI, 1981-1985. Studime post-doktorate, Universiteti i Giessenit, Gjermani.

Doktor i Shkencave, Profesor.

Veprimtaria profesionale

Profesioni: Fizikan

Punonjës kërkimor-shkencor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës; Zëvendësdekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës; Zëvendëskryetar i Këshillit Shkencor; Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit Ballkanik të Fizikës; anëtar i Editorial Board of Journal "Fisica Balkanica".
Veprimtaria politike

Kastriot Islami ishte një nga veprimtarët e parë të transformimit të Partisë së Punës së Shqipërisë në Partinë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1991 edhe pse nuk ishte anëtar i saj. Ai u bë anëtar i Partisë Socialiste në vitin 1996.

Mbas ardhjes së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, Islami ishte kritik i mënyrës së drejtimit të partisë. Ai ishte kundër metodave radikale të drejtimit të partisë, siç ishte bojkotimi për një kohë të gjatë i Parlamentit, grevës së urisë, protestave të dhunëshme etj., si dhe kundër fuqizimit të autoritetit të kryetarit të partisë.

Në dhjetor të vitit 2011 Edi Rama i propozoi kryesisë së Partisë Socialiste përjashtimin e Kastriot Islamit nga Grupi parlamentar i Partisë Socialiste me arësyen se nuk mori pjesë në seancën parlamentare ku do të votohej për kryetarin e Kontrollit të Shtetit. Ky propozim u kritikua nga deputetët Ben Blushi e Arben Malaj. Blushi kërkoi që të paktën, deputeti Islami të dëgjohet për arsyet që e detyruan të mungonte në seancë, duke e cilësuar të nxituar pozicionimin e kreut socialist Rama. Ai theksoi gjithashtu se nuk mund të vendoset në kryesi dhe nga kryetari përjashtimi i deputetit, por kjo duhet kaluar në grupin parlamentar. Malaj e konsideroi metodën e përjashtimit të dëmshme për Partinë Socialiste.

Funksionet drejtuese

1996-2013: anëtar i PS-së; 1996-1999: anëtar i Kryesisë së PS-së; 1996-2005: anëtar i KPD të PS-së; 1996-1997: Kryetar i Departamentit të Medias dhe Informacionit në PS; 1991-1992: Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; 1992-1998: Kryetar/anëtar i Komisionit për Hartimin e Projektushtetutës; 1998-2001: anëtar i Komisionit të Ligjeve dhe Çështjeve Kushtetuese; 2001-2002: Sekretar i Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme; 1991: Ministër i Arsimit; 1997-1998: Ministër i Shtetit; 1998: Zëvendëskryeministër; 2002-2004: Ministër i Financave; 2004-2005: Ministër i Punëve të Jashtme; 1999: Koordinator për Krizën e Kosovës.

Sunday, May 4, 2014

1987-1990 Skënder Gjinushi

 

image

Arsimi

Gjinushi kreu Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Matematikë 5-vjeçare. Doktoraturë në Universitetin "Pierre et Marie Curie", Paris (Francë). Doktor i Shkencave, Universiteti i Tiranës. Mban titullin Profesor Doktor në Matematikë.

Veprimtaria profesionale

Gjatë viteve 1973 - 1987: pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës;

Gjatë viteve 1987 - 1990: Ministër i Arsimit;

Që nga viti 1986: Profesor;

Që nga viti 1989: anëtar i Akademisë së Shkencave.

Veprimtaria politike

Gjatë viteve 1987 - 1991: Ministër i Arsimit; shkurt 1991: jep dorëheqjen;

Në vitin 1991 dhe në vazhdim: Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, anëtare e I.S; deputet në Legjislaturat XI, XIII, XV e XVI;

Gjatë viteve 1997 - 2001: Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;

Që nga korriku i vitit 2002 e gjer në shtator të vitit 2005: Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale.

Publikime

Ka botuar dhjetëra artikuj shkencorë, 12 tekste e monografi, 3 doktorata

 

Burime: http://sq.wikipedia.org/wiki/Sk%C3%ABnder_Gjinushi

Mark Marku mbi reformën

 

image

Mark Marku, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe pedagog në Universitetin e Tiranës lexon sipërfaqësisht raportin mbi reformën e shpallur nga qeveria Rama dhe kritikon dy çështje kryesore në Gazetën Panorama (dt. 3 Maj 2014):

1. Sistemin e propozuar financimit, pa e kuptuar propozimin, pa u futur në hollësi dhe pa dhënë ndonjë ide sesi e përfytyron ai këtë sistem, qoftë edhe duke risjellë alternativën e zhvilluar nga ish-ministri Tafaj.

2. Kontradiktën ndërmjet parimeve të reformës për të rritur autonominë e institucioneve, por njëkohësisht duke vendosur struktura shtetërore kontrolli dhe organe të ndërmjetme menaxhariale që dublojnë apo lënë në hije funksionet e personelit akademik.

Fillimisht Marku merret me çështje anësore, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të shkrimit. Së pari Marku këput një fjali të pakuptimtë: se debati mbi draftin është i vlefshëm, por drafti ka mundësi  të hartohet pa përfshirë diskutimet?

Një debat i tillë krijon mundësinë që të gjithë aktorët e interesuar për reformimin e arsimit të lartë të japin kontributin e tyre për një reformë që para së gjithash përcakton fatin dhe rolin e tyre në fushën e arsimit, por nga ana tjetër krijon mundësinë që ky draft të lërë rrugës atë çfarë po këta aktorë e konsiderojnë të rrezikshme për universitetin shqiptar.


Së dyti, Marku bie në të njëjtën kurth ligjërues mbi emërtime modelesh (kilian, anglo-sakso etj.), kur autorët e draftit, edhe pse dukshëm citojnë shembuj e standarde nga sistemi anglez, nuk i referohen atij si model. Autori më pas fillon përsiatje sipërfaqësore me metafora nga bujqësia, pasiqë i mungon analiza e thellë argumentuese.

Gjëja që bie në sy që me shikim të parë të projektit është se reforma e pritshme e sistemit tonë universitar i referohet modelit anglosakson, ndonëse në raport nuk jepet asnjë referencë për modelin e ndjekur. Modeli anglosakson i sistemit universitar, si të gjitha modelet e organizimit të shërbimeve publike në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, është i konceptuar si sistem ku prania e shtetit është e reduktuar. Natyrisht, ato funksionojnë shumë mirë në vendet anglosaksone, sepse i përgjigjen një modeli anglosakson të organizimit të politikës, kulturës, edukimit, ekonomisë, sistemit juridik, e thënë përmbledhtas, të gjithë shoqërisë. Pra edukimi anglosakson nuk mund të jetë ndryshe përveçse anglosakson. Madje edhe kur anglezët e shohin me dyshim dhe në mënyrë kritike sistemin e tyre, ata e kritikojnë në mënyrë anglosaksone, mendojnë në mënyrë anglosaksone, vetëtallen në mënyrë anglosaksone. Shqipëria, vendi ku do të zbatohet modeli anglosakson universitar i propozuar, është vendi europian më pak i afërt me shoqërinë angleze apo amerikane (Cili anglosakson e humbi rrugën këtyre anëve?). Pikërisht për këtë arsye duket se ka shumë pak gjasa që mes një peizazhi të ashpër ballkaniko-mesdhetar të gjejë ushqim fidani i arsimit anglosakson.
Në të vërtetë, modeli i propozuar shpreh më tepër një pamundësi të shtetit për të përballuar financimin e universiteteve publike, se sa një vetëdije anglosaksone për zhvillimin e arsimit (dhe kjo shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë në draft).

Marku fillon e diskton mbi thelbin e reformës: financimin e sistemit. Me një spërkatë të gjatë ai lidh financimin nga burime të treta, donacionet apo misionin e tretë të universitetit, me tarifat studentore (studentët si përfitues direkt të shërbimit). Asgjëkundi autori nuk përmend se drafti premton jo rritje të menjëhershme të tarifave, por një qasje selektive ndër institucionë dhe programe studimi. Nëse ka dicka për të kritikuar është pikërisht kjo qasje selektive, ndarja dhe hierarkia ndërmjet institucioneve dhe programeve për të përfituar nga financimi i shtetit. Studentët e masterave edhe tani paguajnë faktikisht koston e plotë të studimeve (më shumë se ç’përmendet në draft, deri në 500 euro).

Më se një herë aty thuhet se shteti shqiptar kontribuon në arsimin e lartë shqiptar me një buxhet prej 39 milionë eurosh në vit, ndërkohë që në mënyrë që ky sistem të reformohet, nevojitet një buxhet të paktën dhjetëfish më i lartë. Meqenëse shteti nuk e përballon dot këtë financim, atëherë propozohet një model vetëfinancimi ose i tipit donacion, ku kjo shifër të mund të përballohet nga disa burime të tjera. Kur flasim për burime të tjera, fjala është për studentët (mendoni studentët shqiptarë që sipas këtij modeli të propozuar do t’u rritet tarifa e shkollimit deri në 10-fish), donatorët e ndryshëm (mendoni bizneset e këputura shqiptare që rendin drejt universiteteve shqiptare për të dhuruar miliona euro të entuziazmuar prej modelit anglosakson), shërbimet e ofruara nga universitetet dhe një pjesë nga shteti. Është, pra, mëse e qartë se në një ekonomi si ajo shqiptare, ku modeli anglosakson do të konsiderohet në rastin më të mirë si një utopi, do t’u duhet pedagogëve dhe studentëve që të paguajnë faturën e reformës. Dhe drafti është i qartë në këtë drejtim.

Shqëtësimi i dytë i Markut është autonomia institucionale, por ai fokusohet në organizimin brenda fakulteteve, që faktikisht nuk duhet të jetë objekt i reformës. Problemi në këtë rast është Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor, që merr kompetencat e nje komisioni të qëmotshëm të njohjes së titujve akademikë dhe të Agjencisë për Kerkim dhe Inovacion (mirë është t’ja heqin Ylli Pangos këtë bukë).


Shqetësimi i dytë i madh që të shkakton drafti ka të bëjë me nivelin e autonomisë që të ofron. Është për t’u përshëndetur përpjekja për ndarjen e aspektit akademik dhe financiar brenda universiteteve, pasi ka pasur jo pak raste kur për shkak të përqendrimit të vendimmarrjes akademike dhe asaj financiare nga autoritetet e zgjedhura është abuzuar me fondet. Por, në versionin e ri krijohet një shkëputje totale mes autoriteteve akademike dhe autoriteteve menaxheriale, krijohen struktura paralele akademike dhe financiare, ku organet e zgjedhura akademike nuk kanë asnjë ndikim mbi mënyrën se si fondet vijnë e përdoren në universitet. Varianti i ri i shndërron strukturat e zgjedhura si këshilli i fakultetit, këshilli i profesorëve, senati apo autoritetet e zgjedhura si shefi i departamentit, dekani, rektori në organe dekorative. I vetmi organ me pushtet absolut shfaqet bordi i drejtorëve, i cili me formulën e përfaqësimit të përcaktuar në draft (varësisht përqindjes së aksioneve) i takon të mbizotërohet nga qeveria, në rastin më të mirë ose nga përfaqësuesit e botës së biznesit nëse modeli e realizon mrekullinë ekonomike. Ky bord është i gjithëpushtetshëm dhe akoma më të gjithëpushtetshme janë 4 agjencitë qeveritare që vendosin për gjithçka: financimin, punën shkencore etj.
Krijimi i një sistemi strukturor kontrollues është në kontradiktë me modelin financiar që paraqet drafti.

Nga njëra anë drafti propozon një model që e kthen modelin shtetëror aktual në një model gjysmë privat duke i shndërruar universitetet shtetërore në fondacione publike jofitimprurëse, nga ana tjetër e kufizon pavarësinë e tyre financiare nëpërmjet strukturave të kontrolluara nga shteti. Madje, pjesa më e dëmtuar është vetë departamenti, i cili në draft konsiderohet si njësia ku përqendrohet autonomia universitare. Drafti, me të drejtë shpall se departamenti, si njësi duhet të ketë rol të madh në administrimin e fondeve, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me kërkimin shkencor, por, nga ana tjetër, nuk i lihet asnjë rol në këtë drejtim, pasi nga njëra anë rolin kryesor në departament e ka menaxheri i departamentit, i cili paradoksalisht përcakton jo vetëm administrimin financiar, por edhe marrjen e personelit akademik, dhe nga ana tjetër departamentit do t’i duhet t’u drejtohet agjencive për fondet, pra një instance katërfish më të largët se strukturat e sotme ku departamentit i duhet të aplikojë aktualisht për projektet e ndryshme: këshilli i fakultetit, senati, apo këshilli administrativ. Madje departamenti nuk ka më rol as në shkollat doktorale, të cilat praktikisht duke u kaluar agjencive, bëhen de facto pronë e shtetit. Nëse e zbresim më poshtë analizën, modeli zhvlerëson edhe më tej statusin social dhe shkencor të pedagogut, pasi ai shndërrohet skllav i një hierarkie menaxheriale dhe burokratike pa lidhje me botën akademike. Në këtë përkujdesje për ta depersonalizuar pedagogun përfshihet edhe propozimi për ndalimin e dypunësimit, pa propozuar ndërkohë një formulë financiare që do t’ua bënte pedagogëve të panevojshëm dypunësimin. E vetmja pjesë ku drafti shqetësohet për pagat në universitete është pjesa ku bëhet fjalë për pagat e bordit, ku sipas draftit, duhet të jenë paga “të mirëpaguara”.

Thursday, May 1, 2014

1996-97_Besnik Gjongecaj

 

Dr. Besnik Gjongecaj

Ministër i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor 11.7.1996-12.3.1997

image

Ndërkohë Prof. Edmond Lulja ishte Ministër i Arsimit dhe Sporteve

Departamenti i Agromjedisit dhe Ekologjisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Universiteti Bujqësor i Tiranës

Besnik Gjongecaj flet mbi arsimin

Besnik Gjongecaj
 
Ish-Ministër i Arsimit dhe Shkencës, 11.7.1996-12.3.1997
Besnik Gjongecaj

Pjesë nga shkrimi (shumë i gjatë)


Qeverisja e Shqipërisë po i rikthehet përsëri arsimit, duke e konsideruar atë si një problem qendror, nga zgjidhja e të cilit varet edhe ndryshimi demokratik i vendit. Që pas 23 qershorit e deri më sot, ne, qytetarët e këtij vendi, njohim të paktën dy fakte: ndryshimin e drejtorëve të arsimit në të gjitha qarqet e vendit dhe prononcimin publik të Kryeministrit, se në fushën e arsimit (universiteteve) është ngritur një kantier pune, rezultatet e të cilit do të bëhen shumë shpejt publike. Në përmasën historike njohim, sigurisht, edhe më shumë se kaq. Dimë që deri më sot, ashtu si dhe qeverisja ekzistuese, nuk ka pasur qeveri shqiptare që s’e ka paraqitur arsimin në qendër të fokusit të saj qeverisës. Dimë po ashtu, se në të shkuarën nuk ka pasur qeveri të këtij vendi që nuk ka bërë ç’është e mundur të dështonte në plotësimin e këtij fokusi qeverisës; që nuk ka bërë ç’është e mundur të vendoste problemin e arsimit ekzaktësisht në shtratin e zgjidhjes së gabuar. Aq sa jo rrallë të duket sikur sa më shumë që qeveritë e këtij vendi janë munduar ta vendosin problemin e arsimit në fokus, aq më pak janë kujdesur për zgjidhjen e tij.

Për atë që e ka ndjekur çështjen e arsimit në krejt zgjatjen e tranzicionit të këtij vendi, siç është edhe autori i këtij shkrimi, në këtë vend të varfër nuk ka asgjë tjetër që i ngjan pëlhurës së Penelopës më shumë se arsimi. Çdo qeveri e derisotme, sapo i hipte zverkut të këtij populli, e para gjë që bënte ishte grisja, bërja copë e çikë e organizimit të arsimit ekzistues dhe fillimi i punës për të ndërtuar një arsim tjetër, të pangjashëm me të parin. Flakja nga puna e një palë mësuesish apo administratorësh dhe futja e një pale tjetër, ky ka qenë edhe thelbi i çdo reforme! Aq sa sot, studentët e mi në ato klasa të ftohta të universitetit ku punoj, nuk e kanë idenë për bazat e matematikës, gjuhës, drejtshkrimit, formimit qytetar; pra as nuk e kanë idenë se ç’shkollë kanë bërë deri sa kanë arritur në atë klasën e ftohtë të një universiteti që ka kohë që nuk ndriçon më. Madje, jo vetëm universiteti ku unë punoj, por edhe çdo universitet tjetër perëndimor do të dorëzohej para një kontingjenti të tillë studentësh. Realisht jemi në fazën e prodhimit të brezit të parë të universitarëve analfabetë.
Nuk jemi në krizë, nuk jemi në recesion. Të gjithë këta terma tingëllojnë butësisht nëse dimë vërtet se ku po shkojmë. Jemi përpara një kolapsi, fundosjeje, një drame prej Titaniku. Dikush mund të zgërdhihet kur i lexon këto rreshta, dikush mund të dyshojë në realizimin e tyre. E rëndësishme është që profesionistët dhe ata që e duan këtë vend e kuptojnë substancën e shqetësimit tim dhe akoma më e rëndësishme është që atë do të duhet ta kuptojë qeveria ekzistuese. Në emër të mbijetesës së shqiptarëve në fillim, pastaj edhe në emër të zhvillimit të vendit.
[..] Sistemi arsimor i një vendi është dhe funksionon si një i tërë, pavarësisht diferencave të pjesëve që e përbëjnë atë. Është si në një organizëm që pushon së funksionuari kur dështon së paku një organ i tij. […]Gjithçka, megjithatë, pëson një ndryshim të thellë kur kemi të bëjmë me një sistem në krizë, si sistemi i arsimit në Shqipëri.
[..]

Si karakterizohet sistemi i sotëm universitar?
Sistemi i sotëm universitar është zhytur në një prapambetje të thellë. Pas më shumë se njëzet vitesh tranzicion dhe pavarësisht përpjekjeve të bëra deri më sot, të cilat karakterizohen si thellësisht zhgënjyese, vendi nuk ka akoma një strategji për sistemin si një i tërë, ndërkohë që ndesh probleme të panumërta dhe të mbivendosura në çdo nivel apo pjesë të tij, duke përfshirë edhe sistemin parauniversitar. Sistemit i mungon konkurrenca e brendshme dhe ai është një sistem thellësisht homogjen, me një reliev institucional të njëtrajtshëm, sepse institucionet e tij janë të specializuara, të ndërtuara mbi monopolin e dijes, si dhe me misione të padiferencuara. Sistemi dhe institucionet e tij janë komanduar nga politika, poshtërsisht, aq sa edhe strukturat ndërmjetëse, ato që ndërtohen midis sistemit universitar dhe politikës si struktura tampon që amortizojnë veprimin politik mbi universitetet, janë shndërruar në autostrada ku soji e sorollopi i politikës ka mundësi të futet deri në mitrën e universiteteve dhe të kënaqë epshe nga më poshtërueset. Në qendër të institucioneve të arsimit të lartë qëndrojnë universitarë me integritet dhe profesionalizëm të rrënuar: pedagogë që shesin diploma dhe studentë që i blejnë ato.
Përfundimisht, sistemi i arsimit të lartë të këtij vendi përbëhet nga institucione të korruptuara që kanë humbur misionin e përgatitjes së rinisë për demokraci dhe profesionistëve të ardhshëm të këtij vendi.
Rindërtimi i sistemit universitar: madhësia dhe struktura e tij
Është jashtë çdo dyshimi se akti më antishqiptar që i është bërë këtij vendi është zmadhimi i sistemit të arsimit të lartë, duke shqyer dyert e institucioneve përbërëse të tij. Si në të gjitha rastet e ngjashme, edhe në këtë rast, shkollimi i padrejtë universitar i shitur si patriotizëm nuk ka qenë gjë tjetër veçse një strehë për maskarenjtë. Zgjerimi jashtë çdo kriteri i madhësisë së sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri pa plotësuar edhe kushtet më minimale i shërbeu politikës të ruante pushtetin e ditës, por e ka vënë të ardhmen e këtij vendi në një dyshim të thellë ekzistencial. Një universitar i arsimuar gabim bëhet shumë më armiqësor ndaj shoqërisë se një qytetar që nuk e merr atë. Politika e derisotme e zgjerimit të sistemit universitar, prandaj, nuk i shërbeu ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, përkundrazi, e bëri të pamundur atë.
Madhësia e sistemit universitar të një vendi përcaktohet në njohjen e raporteve midis kërkesës dhe ofertës, ku si kërkesë mund të identifikohet nevoja e përgatitjes së rinisë për demokraci dhe ekonomia e tregut, ndërsa si ofertë mund të identifikohen kapacitetet materiale dhe njerëzore ekzistuese, jo vetëm të sistemit universitar, por edhe të sistemit parauniversitar, pasi ato përcaktojnë kualifikimin e studentëve që hyjnë nga shkollat e mesme në sistem. Konkluzioni më i rëndësishëm që nxjerrim nga e gjitha kjo është, dhe kjo nuk është kuptuar deri më sot, fatkeqësisht, se nuk mund të ketë zgjerim të sistemit universitar pa e reformuar atë, ashtu sikundër, sigurisht, edhe pa e rritur pjesën e GDP që i dedikohet atij. Një zgjerim mekanik i sistemit universitar, pa e shoqëruar me reformim, nuk ka se si të mos sjellë, ashtu si edhe ka sjellë, degjenerimin e universiteteve të sotëm.
“Loja” midis ofertës dhe kërkesës në nivel shtetëror përcakton jo vetëm madhësinë e sistemit universitar, por, afërsisht, edhe numrin dhe natyrën e institucioneve që do të duhet të marrin pjesë në sistem. Në këtë rast, procesi bëhet goxha i ndërlikuar për t’u trajtuar në një shkrim, por, mund t’i shpëtojmë krijimit të kësaj gjendjeje nëse nisim arsyetimin, duke i marrë të mirëqena disa standarde ndërkombëtare, të njohura dhe të pranuara në pjesën më të madhe të rasteve. Dy janë standardet më të njohura relevante. Standardi i parë përcakton që një shoqëri, për të qenë efektive, për të plotësuar misionin e krijimit të “kapitalit njerëzor” dhe rritur mundësinë e realizimit të tij në tregun e punës, duhet të krijojë një universitet publik për një milion banorë. Në këtë pikëpamje, vendi ynë nuk mund të ketë më shumë se tri universitete publike. Standardi i dytë përcakton që në këtë rast, universitetet duhet të kenë një natyrë të universializuar, pra nuk duhet dhe nuk mund të jenë të specializuar, të monopolizojnë një ose pak fusha të dijes (Universiteti Politeknik, i Bujqësisë, i Mjekësisë etj.). Aplikimi i këtij standardi është e vetmja rrugë që krijon forcë lëvizëse të sistemit (driving force), pra, që krijon konkurrencën midis vetë universiteteve. Në këtë rast konkurrenca krijohet midis fakulteteve të ngjashme, por të përfshira në universitete të ndryshme. Konkurrencë ndaj tregut të pranimeve universitare, kërkimit shkencor dhe ekstensionit.
[…]  Pozicionimi territorial i tri universiteteve publike do të ishte gjithashtu i rëndësishëm dhe në këtë rast, mbulimi i krejt territorit (veri, kryeqytet dhe jug) brenda kufijve të shtetit do të kishte një rëndësi polivalente.


Vënia në lëvizje e sistemit universitar
Sistemi i rindërtuar vihet në lëvizje nëse aplikohen disa parime me vlerë universale. Ndoshta, parimi më i rëndësishëm është ai i autonomisë institucionale, i cili nënkupton zbatimin e parimit të autonomisë strukturore (universiteti përcakton se si duhet të organizohet); të parimit të autonomisë administrative (administrimi dhe drejtimi i universitetit është përgjegjësi e vetë institucionit); të parimit të autonomisë financiare (universiteti ka kapacitetin legal për të shpërndarë brenda vetes në mënyrë të pavarur fondet e akorduara nga shteti dhe të përdorë apo të vetëqeverisë të ardhurat joshtetërore, të bëjë kontrata me ndërmarrjet private, të rekrutojë personelin, të blejë pajisje e të tjera si këto). Njësitë brenda universitetit duhet të zotërojnë nivele të ndryshme të autonomisë financiare përkundrejt organit që është përgjegjës për shpërndarjen e fondit të përgjithshëm. Liria akademike për të përcaktuar përmbajtjen e programeve të studimit brenda kufizimeve financiare dhe ligjore që rëndojnë mbi të mund të garantohet vetëm nëse është garantuar autonomia institucionale në të tria dimensionet e saj.
Sistemi i rindërtuar mund të funksionojë nëse pushteti brenda tij shpërndahet sipas parimit të sabsidiaritetit ose parimit të ndërvarësisë, sipas rëndësisë më të vogël. Ky parim përcakton në përmbajtjen e tij se vetëm ato përgjegjësi që nuk mund të përmbushen në nivelin më të ulët i kalojnë një niveli më të lartë. Sipas këtij parimi, pushteti që ligji i jep sistemit duhet të fillojë të shpërndahet nga poshtë, apo nga i ashtuquajturi niveli i punës (working floor), i cili, në fakt, përfaqësohet nga vetë mësimdhënësi apo departamenti si njësi strukturore. Ajo përgjegjësi apo ai pushtet që mbetet i kalohet fakultetit, i cili sigurisht që merr një përgjegjësi më të madhe, pra atë që mund të kryejë dhe ajo që mbetet i kalohet universitetit, organizmave ndërmjetës dhe më në fund qeverisë dhe Parlamentit. Sipas këtij parimi, pushteti duhet të ndahet në mënyrë të tillë që çdo shtresë në hierarkinë institucionale të sistemit universitar të ketë kapacitetin e nevojshëm të zgjidhë problemet atje ku ato ekzaktësisht lindin.
Çdo sistem i arsimit të lartë përbëhet nga organizma ndërmjetës, të cilët vendosen midis qeverisë dhe universiteteve. Respektimi i hierarkisë institucionale dhe pavarësisë së tyre është një parim tjetër i rëndësishëm, pa të cilin është e pamundur që sistemi edhe të funksionojë, edhe të mos deformohet. Duke u vendosur midis qeverisë dhe institucioneve të arsimit të lartë, ato kanë një ndikim në të dyja anët: nuk lejojnë politikën të ndërhyjë tek universitetet dhe bëhen garant, meqenëse nuk janë as pjesë e universiteteve, të kontrollojnë, të ruajnë dhe stimulojnë cilësinë e tyre. Është e vërtetë që struktura të tilla janë pjesë e sistemit të sotëm universitar, por ato (KALSh, Agjenci Akreditimi dhe Këshill Akreditimi, Komisioni për Vlerësimin e Titujve apo një strukturë për shkencën pranë Kryeministrisë) në asnjë moment të ekzistencës së tyre nuk plotësuan misionin që kanë. Përkundrazi. Janë përgjegjës për proceset degjeneruese që kanë ndodhur dhe ndodhin në universitetet e sotme. Janë përgjegjës për deformimin e sistemit.
Është një parim i rëndësishëm aplikimi i insentivave dhe modeleve të financimit në vend të urdhrave në vënien e sistemit universitar në lëvizje. Aplikimi i këtij parimi synon të eliminojnë direktivën si mentalitet dhe praktikë komuniste. Në fakt, raporti midis aplikimit të modelit apo insentivave me urdhrat na tregon edhe se sa jetojmë në demokraci dhe se ç’pjesë e totalitarizmit ka mbetur në trupin e qeverisjes.
Eksperienca është e hidhur. Mund të përmenden me qindra VKM apo urdhra të dala nga zyrat e Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Arsimit, të cilat jo vetëm shpjegojnë se si qeverisën ata që shkuan, por duke qenë në vetvete edhe në kundërshtim me ligjet ekzistuese, në mbivendosje me ta, shpjegojnë natyrën thellësisht autokratike të qeverisjes që shkoi.
Vetë filozofia e financimit të universiteteve në demokraci e tregon më së miri epërsinë e modelit nxitës në vend të urdhrit. Kështu, sipas kësaj filozofie, financimi i universiteteve duhet të plotësojë dy kushte themelore: të jetë eficient dhe të sigurojë një impakt pozitiv në politikën e universitetit. Kjo gjë fillon të realizohet që në mënyrën e përcaktimit të fondit vjetor mbi bazë të një formule, në të cilën shuma e fondit total vjetor varet nga parametra të tillë si numri i studentëve, i granteve për kërkim, diploma etj. Që të krijojnë incentiva sa më të efektshëm, parametrat e kësaj formule lidhen jo me input-et, por me output-et, d.m.th., nëse mendohet që parametri kryesor i modelit të jetë numri i studentëve, atëherë shuma totale e fondit vjetor nuk llogaritet mbi bazë të numrit të studentëve që hyjnë, por mbi bazë të numrit të studentëve që diplomohen. Kjo i shtyn universitetet të thithin studentë sa më të mirë dhe t’i arsimojnë ata për një kohë sa më të shkurtër. Gjë që mund të ndodhë vetëm kur integriteti i mësimdhënësit, i studentit, më në fund është vendosur në qendër të vetë universitetit, ekzistencës së tij.

Si fillohet?
Është e qartë që, më shumë se një strategji për zhvillimin e sistemit universitar, qeveria duhet të përgatisë një “exit” strategji. Atë “exit” strategji që do ta nxjerrë sistemin universitar nga bataku ku është zhytur, nga kriza që e ka përfshirë prej kaq e kaq vitesh. Nëse pranohet kjo premisë, atëherë duhet të pranohet edhe një rol i veçantë, i jashtëzakonshëm, emergjent, i qeverisë ekzistuese dhe jo vetëm në përgatitjen e kësaj strategjie, por edhe në realizimin e saj. Nga një gjendje e jashtëzakonshme dilet me masa të jashtëzakonshme.
A duhet filluar, pra, me akreditimin e universiteteve, ashtu si publikisht është artikuluar nga vetë Kryeministri i vendit? Pra, në thelb, meqenëse mendohet që akreditimi duhet të kryhet nga të huajt, pyetja vjen e takon fundin kur artikulohet si “a mund të fillohet me të huajt për të nxjerrë nga kriza universitetet e këtij vendi”? Është e pamundur për dy arsye. E para, sepse nuk mund të gjesh të huaj që në fund të procesit të akreditimit të marrin një vendim, sepse menjëherë, kushdo qofshin ata, do të thonë se vendimi për mbylljen, rankimin, etj., të një institucioni u takon shqiptarëve. Madje një sjellje e tillë është edhe rasti më i mirë, sepse në eksperiencën time, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë që kanë punuar me të huajt, fatkeqësisht kemi parë se me ç’lehtësi ata, të huajt, kanë bërë copë e çikë bindjet e tyre profesionale, për shkak të presionit të politikës, të atyre që i kanë punësuar për të kryer punë në Shqipëri. E dyta, procesi i akreditimit nuk mund të jetë veçse një proces që kalon nëpër shumë duar; ai është një proces kolektiv, në të cilin është e pamundur që të mos përfshihen vetë shqiptarët. Nëse këta të fundit janë të pabesueshëm, atëherë edhe procesi mbetet me siguri i tillë, i pabesueshëm. Në fund të ditës, ideja e akreditimit që kryhet nga të huajt, si dalje nga kriza, nuk është gjë tjetër veçse produkt i atyre autoriteteve universitare që me gjithë kohën e gjatë në krye të universiteteve akoma nuk kanë bërë dy gjëra: nuk i kanë treguar publikut se ç’rezultate kanë arritur në universitetet e tyre dhe akoma më shumë, madje për ironi të gjërave, me gjithë kohën e gjatë të tranzicionit, nuk kanë mundur të mësojnë një gjuhë të huaj për t’u marrë vesh, të paktën, me ekspertët e akreditimit që priten të vijnë nga jashtë kufijve të vendit. Prandaj, nuk mund të fillohet me akreditimin për të dalë nga kriza, por me ata që, nesër, do të marrin përsipër akreditimin.
Duhet të fillohet me rikonstituimin e strukturave ndërmjetëse, veçanërisht me rikonstituimin e KALSh, Agjencisë së Akreditimit; me ndërtimin ligjor të pavarësisë së tyre; dhe veçanërisht duhet të fillohet me një lidership të ri universitar!
Universitetet duhet të ndërrojnë patjetër dhe menjëherë autoritetet e tyre. Procesin e përzgjedhjes së lidershipit të ri universitar duhet ta marrë qeveria në përgjegjësinë e saj. Jo arbitrarisht, përkundrazi, duke ndjekur modelin që ndjekin në përgjithësi universitetet anglosaksone në përcaktimin e lidershipit të tyre. Janë shumë institucionalistë me emër që ia kanë propozuar këtë model Shqipërisë, por qeveritë e këtij vendi kanë preferuar të ashtuquajturat zgjedhje universitare, modelin latin pra, dhe të gjithë këtë e kanë bërë për një arsye fare të qartë: ngaqë janë bërë mjeshtër të manipulimeve të zgjedhjeve politike, i kanë konsideruar ato, zgjedhjet, gjithmonë e më shumë të leverdishme për të ruajtur pushtetin brenda universiteteve në krahasim me çdo formë tjetër të përcaktimit të autoriteteve dhe strukturave universitare.
Zgjedhjet universitare jo vetëm që e kanë humbur rolin e tyre në nxjerrjen e autoriteteve të vërtetë universitarë, por, për shkak të deformimit të misionit dhe rrënimit të integritetit të vetë institucioneve, janë kthyer në faktorin më esencial të prapambetjes universitare, të riciklimit të të paaftëve dhe njerëzve që nuk kanë interesa universitare, por klanore, të ruajtjes së pushtetit. Nuk ekziston asnjë universitar në faqe të “planetit” mediokër të sistemit të arsimit të lartë të këtij vendi që nuk e di këtë gjë!

Wednesday, April 30, 2014

Mitmarrje në Universitetin e Vlorës

 

Shkrimi u publikua sot 30 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print) - See more at: http://www.shqiptarja.com/Aktualitet/2731/p-rgjimi-bisedat-mes-student-ve-p-r-nj--not--kaluese-n--provim-212231.html#sthash.BeraN5bS.dpuf

Përgjimi, bisedat mes studentëve
për një notë kaluese në provim

image

 

Të tjera rreth shkrimit

PD: U dënua se merrte ryshfet për provimet, Rilindja e emëron mësues

Dheskali: Kam dëshmi të pastër penaliteti, jam persekutuar nga PD

TIRANE- Ish-pedagogu i universitetit të Vlorës Enertin Dhaskali, i emëruar së fundmi mësues gjuhe në gjimnazin “Naim Frashëri” në Fier, rezulton i dënuar me 2 vjet burg e 6 milion lekë gjobë. Rasti u denoncua nga zëdhënësja e Partisë Demokratike Laura Vorpsi, ndërkohë pas denoncimit publik, Dhaskali i dënuar për veprën penale të korrupsionit ka rreaguar duke pohuar se prokuroria e Vlorës kishte manipuluar provat, duke shpikur dëshmitarë dhe krijuar një dosje penale kundër tij në mënyrë abuzive.

Gazeta “Shqiptarja.com” disponon të plotë dosjen penale ndaj mësuesit të gjuhës Enertin Dhaskali, ku tregohen përgjimet e kryera mes studentëve, të cilat tregojnë se Dhaskali ka marrë shumën prej 70 deri në 100 mijë lekë të vjetra për dhënien e një provimi. Në atë periudhë Dhaskali jepte në universitetin e Vlorës lëndën “Letërsi e Huaj”.


Përgjimet
Nga përgjimet ambientale dhe vëzhgimet e kryera rezulton se në të njëjtën ditë Mirela Agaj ka marë porositë edhe të tre studentëve të tjerë për të marë provimin me pedagogun Enertin Dhaskali. Këta tre studentë i kanë dhënë asaj nga 7 mijë njëri dhe 10 mijë lekë, dy prej tyre për të kaluar në provim dhe i treti për të marë notë të mirë në provimin “Letersi e Huaj” me këtë të pandehur.

Nga pergjimet e bisedimeve të administruara në gjykim, të kryera midis punonjesit të policisë që ka kryer veprimin e simuluar me emrin operacional “Alma” dhe shtetases Mirela Agaj veçojmë:


Mirela: Do vete tashti ti them asaj të futet tashti, s’kishte dhe shumë veta brenda.
Alma: Futet vetë ajo se i them unë.
Mirela: Shume s’ka për ta pyetur nuk e lodh fare.
Alma: Epo mirë.
Mirela: Do marri tetën me njëqind, do t’i them unë mos ki merak.
Alma: Ka dhe një çik frikë.
Mirela: Shiko ka dhe me shtatëdhjetë dhe me tetëdhjetë, po për pesë e për gjashtë. Ajo jep që jep.


Në vazdim në bisedë është futur edhe banakieri i lokalit ku ndodheshin këto shtetase, i cili ishte student dhe kishte provimin me të pandehurin Enertin Dhaskali.

Banakieri: Tashti i ke për dy veta
Mirela: Kush tjetër?
Banakieri: Eshtë një mikja ime
Mirela: Do mi shkruash emrat
Banakieri: Po.
Mirela: Çfarë grupi janë?
Banakieri: Grupi i Benit
Mirela: Kur e keni?
Banakieri: Nesër
Mirela: Ose të djelën
Banakieri: Ku di unë kur e kanë, unë di që e kanë nesër. Ti lekët mund t’ja japësh se sot ka provim...
Mirela: Do mi japesh mua leket ti or vëlla, do vete lart une tashti.
Banakieri: Lekët t’i jap unë, vetëm mbaro muhabetin.
Mirela: Do t’i them unë që ky është çuni i lokalit.
Banakieri: Dakort.
Mirela: Kush jep njëqind ka tetë, nuk diskutohet.
Banakieri: Njëqind do të jap për pesë.
Mirela: Tashti t’i do të japësh shtatëdhjetë
Alma: Jo njëqind për tetë
Banakieri: I kam në xhep dyqindmijë lekë, pastaj t’i bëj edhe qejfin nuses të marri tetë edhe ajo.
Alma: Do ja japësh sot ti.
Mirela: Jo sot.
Alma: Jepja kur të duash.
Mirela: Po t’i çke unë të djelën këtu jam mos ki merak. Tashti mi jep t’i mua ato se do iki unë.
Banakieri: Une ti jap na numeroi se une i kam pare i kam ne zarf.
Mirela: Hajd, hajd po a i ke fiks?
Banakieri: Vetëm numëroi
Mirela: Do i numëroj njëherë


Pasi ka marë lekët Mirela largohet dhe dialogu vijon midis punonjëses së policisë me emrin Alma dhe banakierit të lokalit ku ndodheshin:


Banakieri: Shiko kjo ka muhabet me Nertilin.
Alma: Epo mirë e bën.
Banakieri: Se vjen gjithmonë me Nertilin se unë e njoh se jam banakier.


Pas përgjimeve ambientale dhe vëzhgimeve nëpërmjet veprimeve simuluese shtetasja Mirela Agaj është shoqëruar në ambientet e Policisë Vlorë, ku është bërë e mundur të filmoheshin dhe të dokumentoheshin sasitë e lekëve, që Mirela kishte me vete dhe që i ishin dhënë nga studentët në favor të pedagogut Enertin Dhaskali. Këto fakte janë të pasqyruara në procesverbalet dhe në raportet e shërbimit të policisë gjyqësore.