Sunday, May 4, 2014

Mark Marku mbi reformën

 

image

Mark Marku, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe pedagog në Universitetin e Tiranës lexon sipërfaqësisht raportin mbi reformën e shpallur nga qeveria Rama dhe kritikon dy çështje kryesore në Gazetën Panorama (dt. 3 Maj 2014):

1. Sistemin e propozuar financimit, pa e kuptuar propozimin, pa u futur në hollësi dhe pa dhënë ndonjë ide sesi e përfytyron ai këtë sistem, qoftë edhe duke risjellë alternativën e zhvilluar nga ish-ministri Tafaj.

2. Kontradiktën ndërmjet parimeve të reformës për të rritur autonominë e institucioneve, por njëkohësisht duke vendosur struktura shtetërore kontrolli dhe organe të ndërmjetme menaxhariale që dublojnë apo lënë në hije funksionet e personelit akademik.

Fillimisht Marku merret me çështje anësore, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të shkrimit. Së pari Marku këput një fjali të pakuptimtë: se debati mbi draftin është i vlefshëm, por drafti ka mundësi  të hartohet pa përfshirë diskutimet?

Një debat i tillë krijon mundësinë që të gjithë aktorët e interesuar për reformimin e arsimit të lartë të japin kontributin e tyre për një reformë që para së gjithash përcakton fatin dhe rolin e tyre në fushën e arsimit, por nga ana tjetër krijon mundësinë që ky draft të lërë rrugës atë çfarë po këta aktorë e konsiderojnë të rrezikshme për universitetin shqiptar.


Së dyti, Marku bie në të njëjtën kurth ligjërues mbi emërtime modelesh (kilian, anglo-sakso etj.), kur autorët e draftit, edhe pse dukshëm citojnë shembuj e standarde nga sistemi anglez, nuk i referohen atij si model. Autori më pas fillon përsiatje sipërfaqësore me metafora nga bujqësia, pasiqë i mungon analiza e thellë argumentuese.

Gjëja që bie në sy që me shikim të parë të projektit është se reforma e pritshme e sistemit tonë universitar i referohet modelit anglosakson, ndonëse në raport nuk jepet asnjë referencë për modelin e ndjekur. Modeli anglosakson i sistemit universitar, si të gjitha modelet e organizimit të shërbimeve publike në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, është i konceptuar si sistem ku prania e shtetit është e reduktuar. Natyrisht, ato funksionojnë shumë mirë në vendet anglosaksone, sepse i përgjigjen një modeli anglosakson të organizimit të politikës, kulturës, edukimit, ekonomisë, sistemit juridik, e thënë përmbledhtas, të gjithë shoqërisë. Pra edukimi anglosakson nuk mund të jetë ndryshe përveçse anglosakson. Madje edhe kur anglezët e shohin me dyshim dhe në mënyrë kritike sistemin e tyre, ata e kritikojnë në mënyrë anglosaksone, mendojnë në mënyrë anglosaksone, vetëtallen në mënyrë anglosaksone. Shqipëria, vendi ku do të zbatohet modeli anglosakson universitar i propozuar, është vendi europian më pak i afërt me shoqërinë angleze apo amerikane (Cili anglosakson e humbi rrugën këtyre anëve?). Pikërisht për këtë arsye duket se ka shumë pak gjasa që mes një peizazhi të ashpër ballkaniko-mesdhetar të gjejë ushqim fidani i arsimit anglosakson.
Në të vërtetë, modeli i propozuar shpreh më tepër një pamundësi të shtetit për të përballuar financimin e universiteteve publike, se sa një vetëdije anglosaksone për zhvillimin e arsimit (dhe kjo shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë në draft).

Marku fillon e diskton mbi thelbin e reformës: financimin e sistemit. Me një spërkatë të gjatë ai lidh financimin nga burime të treta, donacionet apo misionin e tretë të universitetit, me tarifat studentore (studentët si përfitues direkt të shërbimit). Asgjëkundi autori nuk përmend se drafti premton jo rritje të menjëhershme të tarifave, por një qasje selektive ndër institucionë dhe programe studimi. Nëse ka dicka për të kritikuar është pikërisht kjo qasje selektive, ndarja dhe hierarkia ndërmjet institucioneve dhe programeve për të përfituar nga financimi i shtetit. Studentët e masterave edhe tani paguajnë faktikisht koston e plotë të studimeve (më shumë se ç’përmendet në draft, deri në 500 euro).

Më se një herë aty thuhet se shteti shqiptar kontribuon në arsimin e lartë shqiptar me një buxhet prej 39 milionë eurosh në vit, ndërkohë që në mënyrë që ky sistem të reformohet, nevojitet një buxhet të paktën dhjetëfish më i lartë. Meqenëse shteti nuk e përballon dot këtë financim, atëherë propozohet një model vetëfinancimi ose i tipit donacion, ku kjo shifër të mund të përballohet nga disa burime të tjera. Kur flasim për burime të tjera, fjala është për studentët (mendoni studentët shqiptarë që sipas këtij modeli të propozuar do t’u rritet tarifa e shkollimit deri në 10-fish), donatorët e ndryshëm (mendoni bizneset e këputura shqiptare që rendin drejt universiteteve shqiptare për të dhuruar miliona euro të entuziazmuar prej modelit anglosakson), shërbimet e ofruara nga universitetet dhe një pjesë nga shteti. Është, pra, mëse e qartë se në një ekonomi si ajo shqiptare, ku modeli anglosakson do të konsiderohet në rastin më të mirë si një utopi, do t’u duhet pedagogëve dhe studentëve që të paguajnë faturën e reformës. Dhe drafti është i qartë në këtë drejtim.

Shqëtësimi i dytë i Markut është autonomia institucionale, por ai fokusohet në organizimin brenda fakulteteve, që faktikisht nuk duhet të jetë objekt i reformës. Problemi në këtë rast është Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor, që merr kompetencat e nje komisioni të qëmotshëm të njohjes së titujve akademikë dhe të Agjencisë për Kerkim dhe Inovacion (mirë është t’ja heqin Ylli Pangos këtë bukë).


Shqetësimi i dytë i madh që të shkakton drafti ka të bëjë me nivelin e autonomisë që të ofron. Është për t’u përshëndetur përpjekja për ndarjen e aspektit akademik dhe financiar brenda universiteteve, pasi ka pasur jo pak raste kur për shkak të përqendrimit të vendimmarrjes akademike dhe asaj financiare nga autoritetet e zgjedhura është abuzuar me fondet. Por, në versionin e ri krijohet një shkëputje totale mes autoriteteve akademike dhe autoriteteve menaxheriale, krijohen struktura paralele akademike dhe financiare, ku organet e zgjedhura akademike nuk kanë asnjë ndikim mbi mënyrën se si fondet vijnë e përdoren në universitet. Varianti i ri i shndërron strukturat e zgjedhura si këshilli i fakultetit, këshilli i profesorëve, senati apo autoritetet e zgjedhura si shefi i departamentit, dekani, rektori në organe dekorative. I vetmi organ me pushtet absolut shfaqet bordi i drejtorëve, i cili me formulën e përfaqësimit të përcaktuar në draft (varësisht përqindjes së aksioneve) i takon të mbizotërohet nga qeveria, në rastin më të mirë ose nga përfaqësuesit e botës së biznesit nëse modeli e realizon mrekullinë ekonomike. Ky bord është i gjithëpushtetshëm dhe akoma më të gjithëpushtetshme janë 4 agjencitë qeveritare që vendosin për gjithçka: financimin, punën shkencore etj.
Krijimi i një sistemi strukturor kontrollues është në kontradiktë me modelin financiar që paraqet drafti.

Nga njëra anë drafti propozon një model që e kthen modelin shtetëror aktual në një model gjysmë privat duke i shndërruar universitetet shtetërore në fondacione publike jofitimprurëse, nga ana tjetër e kufizon pavarësinë e tyre financiare nëpërmjet strukturave të kontrolluara nga shteti. Madje, pjesa më e dëmtuar është vetë departamenti, i cili në draft konsiderohet si njësia ku përqendrohet autonomia universitare. Drafti, me të drejtë shpall se departamenti, si njësi duhet të ketë rol të madh në administrimin e fondeve, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me kërkimin shkencor, por, nga ana tjetër, nuk i lihet asnjë rol në këtë drejtim, pasi nga njëra anë rolin kryesor në departament e ka menaxheri i departamentit, i cili paradoksalisht përcakton jo vetëm administrimin financiar, por edhe marrjen e personelit akademik, dhe nga ana tjetër departamentit do t’i duhet t’u drejtohet agjencive për fondet, pra një instance katërfish më të largët se strukturat e sotme ku departamentit i duhet të aplikojë aktualisht për projektet e ndryshme: këshilli i fakultetit, senati, apo këshilli administrativ. Madje departamenti nuk ka më rol as në shkollat doktorale, të cilat praktikisht duke u kaluar agjencive, bëhen de facto pronë e shtetit. Nëse e zbresim më poshtë analizën, modeli zhvlerëson edhe më tej statusin social dhe shkencor të pedagogut, pasi ai shndërrohet skllav i një hierarkie menaxheriale dhe burokratike pa lidhje me botën akademike. Në këtë përkujdesje për ta depersonalizuar pedagogun përfshihet edhe propozimi për ndalimin e dypunësimit, pa propozuar ndërkohë një formulë financiare që do t’ua bënte pedagogëve të panevojshëm dypunësimin. E vetmja pjesë ku drafti shqetësohet për pagat në universitete është pjesa ku bëhet fjalë për pagat e bordit, ku sipas draftit, duhet të jenë paga “të mirëpaguara”.

0 comments:

Post a Comment