Friday, April 25, 2014
2013_Lindita_Nikolla
Znj. Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 Tetor 1965.
Znj. Nikolla, në Korrik 2010, ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës.
Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 - 2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007- 2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Nga shtatori i vitit 2007 znj. Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.
Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqësi dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në Qershor të vitit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Znj. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në vendimmarrje.
Znj. Nikolla zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën frënge e atë italiane.
Thursday, April 24, 2014
Kalendari vjetor i Projektakteve MAS_2014
Dokumente: Vendimi i Qeverisë mbi kalendarin e projekt-akteve , Janar 2014
Projekt-Akte të qeverisë për vitin 2014 për arsimin e lartë
| PROJEKTAKTE | OBJEKTI DHE QELLIMI I PROJEKTAKTIT | MINISTRI PROPOZUES | AFATI I PARAQITJES ne KM | Drejtorite pergjegjese |
| Projektvendim për kontraktimin e një Agjencie, Anëtarë te ENQA (The European Association For Quality Assurance In Higher Education) për Akreditimin e Institucioneve Te Arsimit Te Larte. | Ne zbatim te neneve 26,34,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. | Ministria e Arsimit dhe Sportit | Katermujori i I-re | DALKSH, DPBI |
| Projektvendim "Për kategoritë e shërbimeve te enteve shtetërore qe do te përftojnë studentet nëpërmjet Kartës se Studentit". | Studentet te pajisen me një karte qe i ndihmon ata ne veprimtarinë e tyre jetësore ne Institucionet e Arsimit te Larte, ne përputhje me nenin 56/4 te Ligjit te Arsimit te Larte . | Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financës | Katermujori i II-te | DALKSh/DPBI |
| Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te pjesshme për ciklin e dyte te studimeve Master Profesional ne institucionet publike te arsimit te larte dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". | Ne zbatim te neneve 34,35,36,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. | Ministria e Arsimit dhe Sportit | Katermujori i II-te | DALKSh -DPBI |
| Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te plote për ciklin e dyte te studimeve Master Profesional dhe Master Shkencor ne institucionet publike te arsimit te larte dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". | Ne zbatim te neneve 34,35,36,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. | Ministria e Arsimit dhe Sportit | Katermujori i II-te | DALKSh -DPBI |
| Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te plote për ciklin e pare te studimeve. dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014- 2015". | Për te përgatitur një akt nënligjor ne funksion te pranimeve sa me cilësore duke i bazuar mbi treguesit kualitative te "Maturës Shtetërore" Ne zbatim te neneve 33,36,75 te Ligjit për Arsimin e Larte. | Ministria e Arsimit dhe e Sportit | Katermujori i II-te | DALKSh-DPBI |
| Projektvendim "Për kuotat financiare te ushqimit te nxënësve ne mensat e konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve dhe studenteve, ne institucionet arsimore publike për vitin akademik 2014-2015". | Përmirësimi i skemës se mbështetjes financiare te nxënësve dhe studenteve. | Ministria e Arsimit dhe Sportit | Katermujori i II-te | DPBI |
| Projektvendim "Për përcaktimin e numrit te praktikanteve për kryerjen e praktikes profesionale, me kontrate te përkohshme, për periudhën 1 janar-15 qershor 2014 dhe 10 shtator-31 dhjetor 2014, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit." | Ne zbatim te ligjit nr. 10 171, date 22.10.2009 "Për profesionet e rregulluara ne Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar. | Ministria e Arsimit dhe Sportit | Katermujori i II-te | DPBI |
| Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet e ciklit te trete, te studimeve specializuese Afatgjata ne Fakultetin e Mjekësisë te Universitetit te Tiranes dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". | Ne zbatim te neneve 26,34,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. | Ministria e Arsimit dhe e Sportit | Katermujori i III-te | DALKSh -DPBI |
| Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te pjesshme Cikli i Pare Bachelor ne institucionet publike te arsimit te larte ne vitin akademik 2014-2015". | Ne zbatim te neneve 33,36,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. | Ministria e Arsimit dhe e Sportit | Katermujori i III-te | DALKSh -DPBI |
| Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te plote për ciklin e trete te studimeve doktorate ne institucionet publike te arsimit te larte dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". | Ne zbatim te neneve 26,34,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. | Ministria e Arsimit dhe e Sportit | Katermujori i III-te | DALKSh -DPBI |
Mbi Reformën - Selami Xhepa
Të shpëtojmë arsimin publik
SELAMI XHEPAPanorama, 24.04.2014
Një nga të shumtat problematika shqetësuese të tranzicionit tonë dhe që kohët e fundit po bëhet lajmi kryesor që merr publiku, janë sfidat e sistemit tonë arsimor në të gjitha nivelet e veta. Frika, jo pa baza, është se ndërsa shoqëria jonë ia arriti të luftonte me sukses analfabetizmin në shekullin e kaluar, në këtë shekull po mbërthehemi në një “kurth të injorancës” që po prodhon sistemi ynë i edukimit. Thirrja për të shpëtuar sistemin nëpërmjet reformimit të tij është dëshpëruese. Shumë kolegë e profesionistë të fushave të ndryshme kanë shkruar gjerësisht për këtë temë, prandaj dhe unë mbase nuk po shtoj ndonjë gjë të re, por do doja të rreshtohesha ndër ata që e ngrenë zërin për këtë kanosje serioze të sistemit tonë arsimor. Qasja ime ndaj kësaj reforme është nevoja e dakordësimit më së pari me parimet, shtyllat mbi të cilat ajo ndërtohet dhe ku ankorohen politikat publike të ardhshme. Tri parimet që në gjykimin tim janë udhërrëfyes të reformës do të ishin:
1. Konkurrencë dhe pluralizëm aktorësh në sistemin e ofrimit të shërbimit të edukimit.
Shkollimi nga entet private prej kohësh është përballur me një përbaltje të pamerituar ndërsa entet publike kanë gëzuar një “reputacion” pozitiv të pamerituar. Eksperienca e fituar nga historia e shkuar e kombeve të tjera që mund të na shërbejnë si model, na tregon se përmirësimi i nivelit të arsimit arrihet kur tregu i ofruesve është pluralist dhe ku marrin pjesë aktorë të shumtë. Në këtë kuptim, lejimi i arsimit privat në Shqipëri ishte hapi i parë i rëndësishëm për të prodhuar konkurrencë në këtë shërbim. Nëse hapja e sistemit nuk do të ishte shoqëruar me masivizimin dhe “përmbytjen” e shkollave të larta duke shtuar kuotat pa asnjë kriter dhe tej çdo mundësie reale që përballonte sistemi, liberalizimi i sistemit arsimor do të kishte ndikuar në mënyrë substanciale në përmirësimin e cilësisë së shkollës. Por të presësh përmirësim të arsimit, pa e hapur garën e konkurrencës, do të ishte njëlloj siç thoshte Lenini, “të vdesësh duke pritur.”
2. Standarde të përshtatshme për sistemin, dhe jo për ofruesit e shërbimit.
Sa herë është folur për standardet e arsimit, veçanërisht atij të lartë, i referohemi vetëm universiteteve private, ndërkohë që për gati 95% të fëmijëve dhe studentëve që ndjekin sistemin e shkollimit publik, standardet kanë shkuar në shumë parametra drejt përkeqësimit. Nga ana tjetër, kriteret për shkollat private kanë qenë të natyrës formale ose janë ndjekur në mënyrë jorigoroze. Madje janë toleruar raste flagrante me rrezikun e dëmtimit të të gjithë sistemit. Megjithatë, i gjithë sistemi privat i shkollimit ofron, përgjithësisht, një infrastrukturë më të përmirësuar se sektori publik. Ndërsa sistemi i shkollës publike, veçanërisht i universiteteve, ka shkuar drejt degradimit të tij duke rritur barrën e sistemit përtej mundësive reale të tij. Pa e ekzagjeruar, mund të thuhet se universitetet publike u ngjajnë ish mapove të dikurshme të komunizmit, ku hynin e dilnin një lumë njerëzish, por pa mundur të blije ndonjë gjë me vlerë. Shpëtimi i sistemit duhet të vijë nga vendosja dhe respektimi i standardeve që ata duhet të ofrojnë. Dhe kur flitet për standardet, mendoj se duhet të reflektojmë me objektivitet. Vendosja e tyre nuk është një çështje dëshire, por mundësish që disponon sot shoqëria jonë. Të ndërtojmë një sistem sipas modelit të shkollës angleze kush nuk do ta dëshironte, por konteksti ynë i burimeve që disponojmë, i kontekstit kulturor dhe të trashëgimisë, na vendosin barriera të pakalueshme. Dhe kur flasim për burimet, nuk janë paratë mungesa më kritike se sa ajo e burimeve njerëzore, e trupës akademike dhe pedagogjike, një shqetësim shumë serioz i universiteteve tona. Fatkeqësisht, edhe sistemi i kualifikimit shkencor dhe i gradave duhet rishikuar në mënyrë serioze në mënyrë që të nxitet gara e përhershme në sistem dhe, nga ana tjetër, të mos krijohen privilegje për grupe “shkencëtarësh”, të cilët “i lodhim duke iu krijuar monopol mbi poste drejtuese dhe i shkëpusim nga hobi i tyre, kërkimi shkencor”. Do të ishte më shumë e dobishme nëse vendosim standarde realiste, të shoqëruar me një periudhë tranzitore të arritjes së standardeve më të larta brenda një periudhe 5-10-vjeçare. Kjo do të ishte realiste për shkollën publike, e meqë po flasim për standarde të barabarta, edhe për shkollën private. Fazimi dhe shtrirja në kohë e përmirësimit të standardeve është një praktikë që ndeshet në çdo industri, dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë që arsimi të jetë përjashtim nga rregulli.
3. Më shumë autonomi në burimet financiare dhe lirinë akademike.
Autonomia financiare është parë shpeshherë shumë ngushtë – si një mundësi e disa drejtuesve universitetesh për të shpërndarë më shumë para nga thesi i parave të taksapaguesve, dhe jo të fituara për ndonjë meritë të veçantë, dhe mundësisht pa iu nënshtruar një mbikëqyrjeje publike. Edhe kur diskutohet për reformën financiare të arsimit, i gjithë debati dhe vëmendja fokusohet se si të shmangim aksesin e ofruesve privatë në burimet financiare që shoqëria kontribuon nëpërmjet taksave për “të ndërtuar mendjen e shëndoshë” të kombit. Liria akademike kërkon një ndryshim në perceptimin e rolit të ministrisë, si institucion që vendos standardet dhe kontrollon zbatimin e tyre, dhe jo në një institucion që kërkon të mbajë nën tutelë industrinë. Ka mjaft rregulla që kanë mbetur nga trashëgimia e hershme dhe që me sa duket iu shkon përshtat burokratëve publik. Pushtetin mbi aspektet akademike e kërkimore le ta kenë katedrat e departamentet, këshillat akademikë e senatet e universiteteve.
Wednesday, April 23, 2014
Diskutime-ligji-U-mjekesor
Bajram Hysa, Dekani i Fakultetit të Mjeksisë, Universiteti Mjekësor
Dokumente: Projektligji https://drive.google.com/file/d/0BwhcJg8NxarZbnZNemI5YTJoZTg/edit?usp=sharing
Gazeta Panorama, 23.04.2014
Në kuadër të përpjekjeve për të reformuar arsimin e lartë, ditët e fundit MAS dhe MSH kanë përgatitur dhe depozituar pranë Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit në Kuvend, një dokument në formën e një projektligji të ri për arsimin e lartë, që çuditërisht dhe paradoksalisht prek vetëm Universitetin Mjekësor të Tiranës, duke cenuar rëndë parimet e autonomisë universitare. Ky dokument, midis të tjerash, përmban absurditete të tilla, si: “Rektori i emëruar përzgjedh dekanët/drejtorët. Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkim-zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore-kërkimore/përgjegjësin e shërbimit etj.”.
Rama: Reforma në arsim do të bëhet me njerëzit e sistemit
Shumëkush e mban mend se më 8 shkurt 2014, Kryeministri Edi Rama prezantoi piketat ku qeveria do të mbështetet për të realizuar reformën në sistemin e arsimit të lartë, një nga pikat kyçe të programit të “Aleancës së Shqipërisë Europiane”. Gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria e Arsimit për reformën në arsimin e lartë, zoti Rama tha se për të kaluar në finalizimin e kësaj reforme duhet të ezaurohen një sërë etapash, në shërbim të një arritjeje me perspektivë afatgjatë. “Megjithëse erdhëm në qeverisje me një plan të qartë për reformimin e sistemit arsimor, nuk jemi ngutur, por kemi kërkuar në radhë të parë të bëjmë bashkë një grup ekspertësh sa më larg llogoreve të politikës, për të hapur një debat për reformën në arsimin e lartë, që duhet të jetë së pari debat i njerëzve të sistemit, i të gjithë atyre që brenda sistemit, nesër do të duhet të jetësojnë reformat”, theksoi Kryeministri. “Vetëm pasi ky debat të shterohet dhe të gjitha konsultimet të kryhen, ne do të ulemi në tavolinën e qeverisë për të vendosur mbi draftin e reformës që do ta përgatisë ky komision dhe me të cilin kemi marrë vendimin të jemi në raport po aq të barabartë sa ç’duhet të jenë edhe aktorët e tjerë, pa ushtruar asnjë imponim dritëshkurtër dhe me qëllime afatshkurtra”. Zoti Rama tha se edhe pasi të jenë konsumuar këto faza, drafti nuk do të kalojë në Parlament pa iu nënshtruar më parë një konsultimi të gjerë, ku do të dëgjohen objeksionet e të gjitha grupeve të interesit. Për Kryeministrin, qeveritë e deritanishme nuk kanë arritur t’i japin drejtimin e duhur sistemit arsimor për ta përputhur atë me sistemet e vendeve përreth apo vendeve të Europës ku duam të integrohemi. Sipas tij, pengesë për arritjen e këtij standardi ka qenë edhe udhëheqja e vendit nga diktati i politikës, prandaj shtroi si domosdoshmëri për përmbushjen e një procesi transformimi, vendosjen e një vije të qartë ndarëse mes sistemit dhe llogoreve të partizanërisë politike, siç u shpreh Kryeministri.
Sipas tij: “Skema e re e financimit duhet të reflektojë një qasje të re mbi autonominë financiare dhe administrative dhe duhet të sigurojë konkurrencën e lirë dhe të drejtë brenda sistemit, pa vendosur asnjë bonus që privilegjon publikun mbi privatin dhe pa lejuar privatin që, të qenit subjekt privat ta kthejë në të qenit organizatë fitimprurëse. Na duhet një reformë që të na japë instrumentet për tregues të matshëm të cilësisë së mësimdhënies, volumit dhe cilësisë së punës shkencore dhe inovacionit brenda sistemit”, tha Kryeministri në tryezën e 8 shkurtit.
Po shkelet Kushtetuta, injorohet Karta e Bolonjës!
Atëherë çfarë po ndodh, zoti Kryeministër?! Ky projektligj, që rikthen diktaturën, është udhërrëfyesi për të arritur praktikat më të mira ndërkombëtare? Kjo është strategjia për rilindjen e arsimit të lartë në Shqipëri? Ky është vizioni afatgjatë që do të përcaktojë rrugën drejt arritjes së qëllimeve në përsosjen e arsimit kombëtar?! Ky s’është veçse një kurth tragjikomik! Është depersonalizim i dukshëm i demokracisë, i autonomisë universitare dhe i standardeve europiane të arritura në sistemin e arsimit të lartë. Legjislacioni arsimor kombëtar duhet të bëhet vetëm sipas Kushtetutës së vendit (neni 100) dhe standardeve ndërkombëtare. Problemet në arsimin e lartë, veçanërisht në Universitetin e Mjekësisë, janë diagnostikuar prej kohësh, ndaj strategjia e re duhej të premtonte të përmirësonte problemet e dukshme. Politikat e arsimit mund të ndërtohen dhe zbatohen vetëm përmes pjesëmarrjes së të gjitha palëve të interesuara (qeverisë, studentëve, institucioneve të arsimit të lartë etj.). Ky duhej të ishte përforcimi bazal që duhej bërë në ligjin e ri. Dokumenti në fjalë duhej të theksonte nevojën për më shumë llogaridhënie dhe transparence, si fusha kryesore të identifikuara që kanë nevojë për përmirësim.
Strategjia kombëtare për arsimin e lartë
Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor në Shqipëri, me gjithë përpjekjet e të paktën 15 viteve të fundit, nuk janë akoma në standardet ndërkombëtare. Ligji i ri për arsimin e lartë (2007) ka qenë një hap i rëndësishëm përpara për përmirësimin e sistemit, por shënoi vetëm fillimin. Politikat për prioritetet strategjike të qeverisë së re duhet të ishin në pajtueshmëri me prirjet kryesore të zhvillimit të arsimit të lartë në Europë dhe në botë, dhe në veçanti, me procesin e Bolonjës; qëllimi i këtyre politikave duhej të ishte përmirësimi i arsimit të lartë, që Shqipëria të zërë vendin që i takon brenda Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë (HEAL). Strategjia duhet të pasqyronte vizionin e Qeverisë për politikat afatmesme dhe afatgjata. Në të duhet të ishin përfshirë sugjerimet e botës akademike dhe të grupeve të interesit brenda vendit, si dhe të ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të Këshillit të Europës. Projektligje të tilla, të përgatitura me inat e ngut, nuk u përgjigjen zhvillimeve të kohës. Duhet të pranohet se specialistët e angazhuar nga zonja ministre e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe aq me tepër personalisht ministri i Shëndetësisë (që angazhohet në një proces jo aq të justifikuar), kanë kapacitet të kufizuar analitik për të zhvilluar politikat strategjike për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ndoshta ngaqë nuk e njohin mirë sistemin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet përgatitja e një projektligji kaq zhgënjyes, i cili në vend të lirisë akademike, preferon tutelën dhe diktatin, në kushtet kur presim të marrim statusin e vendit kandidat në BE.
Ligji aktual i arsimit të lartë
Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri janë miratuar disa ligje për arsimin e lartë: ligji nr. 7810, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, datë 06.04.1994; ligji nr. 8461, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, datë 25.02.1999; ligji nr. 9120, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8461, datë 25.2.1999, ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’” datë 28.7.2003; ligji nr. 9576, datë 3.07.2006, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8461, datë 25.02.1999, ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’”. Të gjitha këto ligje u japin më shumë liri akademike, administrative dhe financiare universiteteve dhe garantojnë zgjedhje të lira për stafin drejtues.
Ndër aspektet më të rëndësishme të përmbajtjes së ligjit për arsimin e lartë, ligji i viti 1999, nga i cili në ligjin në fuqi përfshihen mbi 40 nene, mund të veçohen: misioni i formimit të specialistëve të lartë dhe i përgatitjes së shkencëtarëve të rinj, liria akademike në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor. Liria akademike materializohet në respektimin e opinioneve, të ideve e të metodave dhe në garantimin e zhvillimit të lirë, kritik e krijues të mësimdhënies e të kërkimit shkencor, larg çdo ndikimi politik.
Shkollat e larta publike civile janë institucione autonome
Politikëbërësit dhe legjislatorët, përpara se të ndërmarrin iniciativa të tilla, duhet të këshillohen me drejtuesit universitarë, pedagogët dhe studentët, duke respektuar sovranitetin unik të secilit. Duke vepruar në favor të interesave të përbashkëta. Universiteti është institucioni më i përparuar, i cili u paraprin çështjeve demokratike e kombëtare. Ai shtron kritika dhe analiza të paanshme ndaj shoqërisë. Si i tillë, ai duhet të jetë patjetër autonom. Ndër aspektet më të rëndësishme të kësaj autonomie është që personeli akademik ka të drejtë të zgjedhë në mënyrë të pavarur e të zgjidhet në organet drejtuese të shkollës së lartë. Arsimi i lartë, kjo pasuri e madhe kombëtare, duhet të mbështetet në devizën “të mësojmë të ndërmarrim iniciativa”. Ndryshe, fatet e demokracisë nuk mund të jenë të qëndrueshme. Autonomia universitare edhe kështu siç është duket e pamjaftueshme, jo më të rrudhet e zhduket fare.
Rritja e saj duhet të balancohet me më shumë llogaridhënie ndaj faktorëve të jashtëm; me një menaxhim të brendshëm më të mirë dhe më transparent. Ajo duhet të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet njerëzve të kualifikuar dhe njëkohësisht të ndihmojë edhe zhvillimin e rretheve të vendit. Të plotësojë aspiratat e të rinjve për arsimim, duke u siguruar atyre mundësinë e shanseve për të gjithë.
Ndër sfidat më të rëndësishme, për gjithë sistemin e arsimit të lartë, duhet të jenë: përfshirja sa më e shpejtë dhe e suksesshme në ritmet e reformimit të këtij sistemi, sipas modelit të shkollave europiane, duke ndjekur procesin e Bolonjës; përfshirja e tyre në konkurrencën rajonale dhe europiane për cilësinë.
Qëllimi dhe arritjet e Fakultetit të Mjekësisë
Prej 2 vjetësh në drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë ka qenë një nga objektivat e mi liria sa më e gjerë akademike, përfshirja aktive e të gjithëve, e Profesoratit të nderuar, e të gjithë trupës pedagogjike, studentëve të të gjitha cikleve, stafit administrativ dhe mbështetës, në vendimmarrje dhe projektet zhvillimore. Qëllimin që Fakulteti i Mjekësisë të shërbejë si një qendër e përhershme e kërkimit shkencor, e formimit mjekësor dhe intelektual, e kemi realizuar bashkërisht, sepse thuajse të gjithë pedagogët janë pjesë e bordeve, komisioneve, këshillave, Redaksisë së Buletinit dhe Këshillit të Fakultetit. Ishin këta profesorë dhe pedagogë të nderuar që më besuan me votë plebishitare drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë, me një mandat të qartë – ndryshimin – dhe jam krenar të deklaroj se ndryshimi tashmë ka ndodhur! Kushdo e shikon këtë ndryshim cilësor shumëdimensional sapo kalon pragun e godinës së Fakultetit të Mjekësisë; sapo hyn në Sekretarinë e Dixhitalizuar Mësimore, kur frekuenton mjediset e informatizuara të bibliotekës; sallat bashkëkohore në Godinën e Lëndëve Paraklinike, e mbi të gjitha e ndien në fytyrat dhe sytë e studentëve tanë, të cilët, falë rritjes së bashkëpunimit ndëruniversitar me vendet perëndimore, e gjejnë veten tashmë studentë të Europës.
Sot shoqëria moderne, më shumë se individët, vlerëson programet e tyre. Kjo përbën një sfidë strukturore për institucionet universitare. Programi zhvillimor i Fakultetit të Mjekësisë është përmbushur me kryefjalë cilësinë. Pasurimi, rifreskimi dhe ristrukturimi i kurrikulës universitare mjekësore ka hyrë në rrugë të mbarë dhe ndryshimet janë konkretizuar. Projektet me universitetet e Versajës, Novarës, Romës, Roterdamit, Mynihut etj. kanë mundësuar shkëmbimet universitare të dhjetëra studentëve, mjekëve dhe pedagogëve me standardet e Bashkimit Europian.
Fakulteti i Mjekësisë përpiqet të zbatojë një politikë të përcaktuar mirë, sidomos lidhur me vlerësimin e personelit universitar, me formimin e tyre akademik e pedagogjik dhe me mundësitë e lëvizjes së tyre për specializime të herëpashershme jashtë vendit dhe efektet janë të dukshme. Rreth 150 punime dhe artikuj shkencorë të stafit tonë janë botuar në 75 revista dhe periodikë shkencorë ndërkombëtarë me faktorë impakti. Lajtmotivi ynë shkencor akademik mbetet niveli i lartë cilësor i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe transformimi i Fakultetit të Mjekësisë në një qendër akademike ekselence, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë hapësirën shqipfolëse në Ballkan.
Tuesday, April 22, 2014
Universiteti-mjekësor
Dokumente: Projekt-ligji për arsimin e lartë, Mars, 2014.
Një ligj për Universitetin Mjekësor
A.Ç, Gazeta Shqiptarja.com, 21 Prill, 2014 “Ndryshojnë kriteret për zgjidhjen e shefave të shërbimeve spitalor”
TIRANE - Ndryshojnë procedurat se si do të zgjidhen shefat e shërbimeve në qendrat spitalore universitare. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ajo e Arsimit, Lindita Nikolla, kanë shpjeguar në Komisionin e Medias, ku u paraqit projektligji i ri i arsimit të lartë, se pas kaosit që kanë gjetur, tashmë po synohet të futet në hulli edhe kriteret e atyre që do të përzgjidhen në krye të shërbimeve spitalore. Drafti i ri parashikon që tashmë një shërbim i ri nuk do të krijohet vetëm në bazë të numrit të shtretërve, por edhe numrit të operacioneve dhe vizitave. "Është keqkuptuar apo me dëshirë në disa raste abuzohet për faktin pse emërime dhe jo zgjedhje. Sigurisht nuk prekin parimin e zgjedhjeve, padyshim edhe ndryshimet në projektligj. Kjo pra ka të bëjë me një faze tranzitore me përgatitjen e rregullores së zgjedhjeve dhe kalimin në procedura zgjedhore për të gjithë njësitë e reja që krijohen në bazë tëndryshimeve të këtij projektligji. Kushtet e shërbimit në qendrën spitalore “Nënë Tereza” bëjnë që kjo qeveri të mos presë asnjë ditë për të përmirësuar apo ndërhyrë në mënyrë urgjente edhe në këtë fazë tranzitore qoftë në përsosjen e cilësisë në universitetin mjekësor, po ashtu e lidhur ngushtë me cilësinë e shërbimit në qendrën spitalore “Nënë Tereza." tha ministrja Nikolla Ndërkohë ministri i SHëndetësisë Ilir Beqaj ka bërë të ditur po ashtu se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të mandateve për të zgjedhurit aktuale, por poer departamentet e reja qe do krijohen. Për herë të parë ministri i Beqaj, ka folur edhe për çështjen e universitetit të mjekësisë, duke e konsideruar atë të nxituar.
Analizë nga TRITAN SHEHU
Panorama, 14 Prill, 2014Këto ditë do të fillojë diskutimi në komisionet e Kuvendit të projektligjit për disa ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, e lidhur kjo vetëm me pjesën mjekësore të tij. Ndodh ky zhvillim mbas rikonsolidimit të mendimit mbi vazhdimin e ekzistencës së Universitetit Mjekësor, element ky pozitiv. Është ky konfirmim që u pasua me emërimin e rektorit të ri, i cili tashmë duhet ta çojë atë institucion ne procesin e brendshëm zgjedhor për atë post.
Për hir të së vërtetës dëshiroj të theksoj se ky proces zgjedhor duhej të ishte realizuar disa muaj përpara, sipas afateve kohore të përcaktuara në vitin 2013. Sistemi ynë universitar nuk ka pse të afektohet dhe të kondicionojë ecurinë e tij nga evenimentet politike në vend, qofshin këto dhe zgjedhje parlamentare. Megjithatë, ky tashmë është një realitet i kryer. Ndërsa e porsafilluar është pikërisht procedura për miratimin e atyre ndryshimeve ligjore të kërkuara nga Këshilli i Ministrave.
Dhe mbi këto unë do të dëshiroja të nxisja një diskutim të domosdoshëm këto ditë nga kolegët, profesorati ynë, drejtuesit e atij Universiteti, fakulteteve të tij, nga të gjithë ata që njohin funksionimin e atij mekanizmi, ku ndërthuret didaktika me klinikën, kërkimin shkencor me organizimin shëndetësor, për të përgatitur specialistë e rrezatuar më tej në tërë shërbimin shëndetësor shqiptar.
Një Universitet Mjekësor dhe Qendra Spitalore Universitare ndryshojnë në shumë kolona nga fakultetet e tjera apo nga spitalet e zakonshme. Në këtë rast janë ndërthurjet e mësipërme midis tyre, të veçanta këto, të komplikuara, por dhe të domosdoshme, që duhet të pasqyrohen qartë e fortë në format e organizimit, kriteret e zgjedhjes së personelit, statutet e tyre, ligjet për ato etj. Dhe pikërisht kjo imponon diskutime të gjera për ndryshimet që propozohen.
Së pari, unë do të mendoja se këto ndryshime nuk ka pse të kryhen kështu me shpejtësi. Ato mund të përgatiteshin qoftë dhe paralelisht me rishikimin e elementeve të ndryshëm të Arsimit të Lartë, pa dyshim e përforcuar kjo me diskutime e ballafaqime midis specialistëve më të mirë të fushës universitare mjekësore.
Së dyti, duke lexuar draftin e ndryshimeve të kërkuara, konstaton se aty kërkohet të ndërhyhet edhe në çështje thelbësore, pa qëndruar vetëm te ndonjë “urgjence”. P.sh., dhe unë këtë e konsideroj pozitive si koncept, kërkohet të kthehemi përsëri të struktura e “departamentit”, siç ka qenë në ligjin e vitit 2007. Por, nga ana tjetër, në këtë rikthim racional, ndoshta nga “nxitimi”, harrohet se kjo është një strukturë që ka ekzistuar pak vite më përpara me modalitet e saj. Këto fillonin që nga mënyra e zgjedhjes nga e gjithë trupa didaktike me votim të fshehtë e drejtuesit, e bazuar kjo mbi kritere profesionale të qarta, konform kërkesave të risive të Bolonjës. Këtu unë dëshiroj të theksoj se në Universitetin Mjekësor në tërësi janë të gjitha konditat dhe kapacitetet që riaktivizimi i drejtë i departamenteve, kurdoherë që të bëhet kjo, të shoqërohet që në fillim dhe menjëherë me zgjedhjen e drejtuesve të tyre dhe jo me emërime, pra jo me cungime të cilësisë e demokracisë universitare.
Në fakt, këto cungime nuk janë vetëm për këtë pjesë, por siç duket, përbëjnë një “nuancë” në këtë projektligj tiparin e tretë të tij. Kjo gjë shprehet dhe në mënyrën e përzgjedhjes së shefave të shërbimeve mjekësore. Në draft mungojnë kriteret për këtë proces, që ishin të vendosura në ligjin ekzistues. Këto dhe mund të përmirësohen, por duhet të vendosen në ligj. Po kështu, projektligji eliminon sanksionimin e të drejtës së aplikimit të lirë të konkurrentëve mbi këto kritere, e drejtë që prej vitesh po aplikohet te ne. Në të vërtetë, ky orientim jo zhvillues spikat dhe në ndryshimet e mëtejshme, që kërkon të bëjë ky draft ligjor. Ai heq gjithashtu dhe komisionet e konkurrimit së bashku me të gjitha proceset e konkurrimit për të gjitha nivelet e drejtimit. Qartësisht, diçka e tillë nuk mund të sjellë asgjë të mirë, përkundrazi. Unë do ta konsideroja këtë një hap të dukshëm prapa për këtë pjesë të sistemit tonë universitar e klinik, qoftë për sa i përket rritjes së cilësisë, lirisë e autonomisë së institucionit.
Dhe jo vetëm kaq, së katërti këto mënyra perceptimi të organizimit të atyre njësive, së bashku me ndryshimet e disa funksioneve të propozuara për ato, i largojnë shërbimet mjekësore në fjalë nga fusha didaktike. Të mos harrojmë se në një qendër universitare-mjekuese kolonat didaktike e ato klinike janë të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën, lidhja Universitet – Spital Universitar është e pandashme.
Së pesti, janë ndryshimet që i bëhen në projektligj ndërtimit të Bordit të QSUT, që e deformojnë dhe më shumë atë në funksion. Bordi është aktualisht një strukturë qendrore e thelbësore rregulluese për proceset mjekësore, shkencore, përzgjedhjes së drejtuesve të specialiteteve etj., pra edhe të mësimdhënies. Ky Bord sot lë për të dëshiruar në nivelin struktural të tij përballë detyrave komplekse që ka. Jam krejt dakord që kjo duhet përmirësuar. Por fatkeqësisht, modeli i përbërjes strukturale dhe ndryshimi i disa funksioneve të tij të vendosura në këtë projekt nuk e çojnë në drejtimin e duhur. Këto e largojnë nga shtrati i tij universitar e didaktik, pa u përmirësuar qoftë dhe ekspertiza klinike apo shkencore në këtë strukturë. Nga ana tjetër, abrogimi i funksionit përzgjedhës përfundimtar të Bordit ndaj shefave të shërbimeve, zbeh së tepërmi dhe rolin e Ministrisë së Shëndetësisë në Qendrën Universitare Spitalore, duke krijuar kështu një amulli të pakuptimtë. I gjithë ky devijim në ndërtimin e këtij Bordi fryn erë populizmi, e mund të krijojë dëmtime të mëtejshme të veprimtarisë së kësaj Qendre kaq të rëndësishme, të një niveli shumë të lartë mësimor, mjekues, shkencor e organizativ, në rrafsh vendi në tërësi. Një qendër e tillë universitare mund e duhet të ketë dhe struktura të tjera ligjore, të pajtueshme këto për përfaqësime më të gjera, të dobishme, ashtu si mendoj që kërkohet të arrihet.
Për parantezë dua të theksoj me këtë rast se gjithashtu me duket shumë i çuditshëm zëvendësimi i nxituar i emrit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në atë Bord me një term, që me vështirësi mund të deshifrohet. Të mos harrojmë se ky Fond akoma fatmirësisht vazhdon të ekzistojë me sukses në vendin tonë! (“Sigurimet” nuk janë “herezi”)!!!
Dhe së fundmi dëshiroj të evidentoj veçanërisht një përbërës konkluziv të këtij drafti, pasojë ky e asaj “nuance” shqetësuese që e përshkon atë dokument. Universiteti Mjekësor përbëhet pothuaj krejtësisht nga bashkimi i disa fakulteteve ekzistuese me tradita të shkëlqyera dhjetëravjeçare. Aktualisht aty dhe në strukturat e tij spitalore ka dekanë të zgjedhur me votim të përgjithshëm të fshehtë, shefa shërbimesh mjekësorë e deri të n/drejtorë të QSUT të përzgjedhur mbi bazën e një konkurrimi (pavarësisht nga objeksionet praktike që dikush mund të ketë). Të gjithë këta janë të mbrojtur në ligjin ekzistues. Ndërsa drafti ligjor i propozuar pa bërë asnjë specifikim konfirmon që rektori “përzgjedh” dekanët, ata “përzgjedhin” shefat e departamenteve, të cilët më tej “përzgjedhin” drejtuesit e shërbimeve. Kjo të krijon ndjesinë revolucionare, sikur sot të ishim në “vitin zero”! Nga ana tjetër, në këtë mënyrë hapet rruga ligjore që mund të çojë në një piramidë drejtuese akademike, shkencore, klinike e administrative krejtësisht të emëruar, ndërprerje arbitrare të mandatit te atyre që janë zgjedhur, largim në përgjithësi nga procesi zgjedhor, duke krijuar kështu një precedencë të rrezikshme dhe një goditje për atë institucion, për sistemin universitar në tërësi dhe për vetë procesin tonë të Bolonjës.
Këto ishin arsyet që më shtynë mua të mendoj se do të ishte më dobiprurëse që miratimi i këtij projektligji aktualisht të shtyhej. Ai të realizohej pas një diskutimi të gjerë, profesional, të hapur, gjithëpërfshirës. Kjo gjë mund të bëhet qoftë dhe pa u ndarë ky nga diskutimi e përpunimi i ndryshimeve të mundshme e të përgjithshme në Ligjin për Arsimin e Lartë në tërësi. Pa dyshim kjo në bashkëpunim të ngushtë me specialistë të shquar të strukturave shëndetësore
Politizimi
Politika në universitete publike.
(publikuar tek Peizazhe.com, nga autori)
Rektori i Universitetit të Prishtinës dha dorëheqje nën trysninë e revoltave studentore. Në hapësirën shqiptare është hera e parë që studentët të revoltohen ndaj politizimit të drejtuesve në institucionet e arsimit dhe pasojave që kanë sjellë ndërhyrjet mbi cilësinë.
Zakonisht në Shqipëri problemi ka qenë mobilizimi i studentëve për qëllimet politike të dy partive kryesore, derisa të dyja partitë ranë dakord ta depolitizojnë universitetin me ndërhyrjet në ligjin e arsimit të lartë (2007). Në ligj u ndalua angazhimi politik i Këshillave Studentorë (Neni 55) dhe morri fund tradita e pas-dhjetorit të viteve ’90 ku studentët mobilizoheshin në greva urie me porosi të dy kampeve.
Por ndërhyrja e pushtetit politik u përqëndrua në drejtimin e universiteteve publike. Nëse do të bënim një shkrepje të momentit për situatën aktuale në Shqipëri vërejmë se në 14 institucione publike (shih tabelën), vetëm në katër prej tyre nuk mund të evidentohet ndërhyrja politike në zgjedhjen e rektorit apo drejtuesit.
Rektorët janë figura të rëndësishme publike dhe për partitë politike mishërojnë një kapital social që gjeneron vota të konsiderueshme. Por ndërhyrjet politike në zgjedhjen e rektorëve kufizojnë autoritetin dhe kapacitetet e drejtuesve për të drejtuar në mënyrë efikase dhe konform ligjit. Ndërhyrja e politikës krijon varësira, të cilat kushtëzojnë ndjeshëm funksionimin e rektoratit në procedurat e rekrutimit dhe të promovimit të akademikëve (ndikimet joformale në vendimmarrje). Gjithashtu, ndërrimet e pushtetit qëndror politik mund të ndëshkojnë rektorin dhe rrjedhimisht universitetin, duke ja përcjellur koston studentëve.
Nga ana tjetër universiteteve u përshtatet një rektor që ka marrëdhënie positive me qeverinë e që mundëson rritjen e fondeve për investime kapitale (rritjen e hapësirave fizike të universitetit), në burime njerëzore (rritjen e numrit të pedagogëve). Personeli akademik gjendet në një pozicion më të volitshëm nëse ka një rektor të favorizuar nga politika (p.sh. në një qytet bastion të një partie apo të kontestueshëm).
Sidoqoftë, në tërësi ky ndikim nuk ka rezultuar pozitiv, sidomos kur sapo u ndërrua pushteti, disa rektorë, kandidatë për deputetë të PD-së, janë përballur me akuza nga mediat dhe policia.
Më poshtë paraqiten disa prej akuzave ndaj drejtuesve aktualë:
1. U-Elbasanit: Ndjekje penale ndaj Prof. Dr. Liman Varoshit për favorizim të një subjekti në procedurat e prokurimit të shërbimeve jo-akademike.
2. U- Tiranës : Akuza ndaj rektorit Prof. Dr. Dhori Kule nga gazeta Panorama për abuzime me financat e universitetit bazuar mbi raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Profesor Hysamedin Feraj akuzon Dhori Kulen për tejkalim kompetencash dhe paaftësi për drejtimin e institucionit, duke vërejtur se shkak për këtë janë edhe lidhjet e tij politike.
3. U - Gjirokastrës: Rektori Prof. Dr. Gëzim Sala është nën hetim për “shpërdorim detyre” dhe “falsfikim dokumentash”, por kjo çështje u pushua më vonë nga prokuroria.
4. U – Vlore: Rektorit Prof. Asoc. Albert Qarri i digjen dy makinat.
5. U- Sporteve: I vidhet zyra, shkak luftërat e brendshme pasi zgjedhja e tij si rektor ishte perceptuar si e paligjshme.
6. U-Arteve: Rektori akuzohet për parregullsi në procedurat e rekrutimit.
7. Akademia e Shkencave: Akuza nga anëtarët Jorgaq Kacani, Dëfrim Shkupi etj. se ish-Kryeministri Berisha ka ndërhyrë në zgjedhjen e tij si kryetar.
8. Në vitin 2012 u ndryshua ligji i arsimit të lartë me nismë të LSI për të lejuar rektorët aktualë të kandidonin një mandate të dytë. Përfituan nga ky ndryshim universitetet e Tiranës, Gjirokastrës, Korçës dhe Elbasanit.
| Universiteti | Rektori/Kryetari | Partia | Funksioni partiak |
| USH | Artan Haxhi | PD | Kryetar i Bashkisë Shkodër 2003 |
| U-Tiranë | Dhori Kule | PD | Anëtar i Këshillit Kombëtar / Kandidat per Deputet |
| U-Elbasan | Liman Varoshi | PD | Kandidat për deputet 2013 |
| U – Gjirokastër | Gezim Sala | X | - |
| U-Durrës | Mit’hat Mema | X | - |
| U-Vlorë | Albert Qarri | X (LSI?) | - |
| U-Korçë | Gjergji Mero | PD | Kandidat Kryetar Bashkie – 2013 |
| U-Politeknik | Jorgaq Kacani | X | - |
| U-Arteve | Petrit Malaj | PS | Anëtar i Asamblesë |
| U-Mjeksisë | Jera Kruja | PD | Kandidate për deputete |
| U – Bujqësi | Fatos Harizaj | X | - |
| U – Sporteve | Vesel Rizvanolli | PD | Anëtar i Këshillit Bashkiak – 2011 |
| Qendra e Studimeve Albanologjike | Ardian Marashi | ? | - |
| Akademia e Shkencave | Myzafer Korkuti | X (PD?) | - |







