Tuesday, October 27, 2015

Protoshkenca dhe pseudoshkenca shqiptare

 

26 Tetor 2015 10:34

 

http://www.mapo.al/2015/10/protoshkenca-dhe-pseudoshkenca-shqiptareKundër diletantizmit, fiktivitetit e favoritizmit në arsimin e lartë dhe në shkencë

Nga Fatos Tarifa*fatos tarifa

Nuk kisha marrë pjesë asnjëherë në një “konferencë ndërkombëtare” të organizuar nga ndonjë prej universiteteve publike shqiptare në rrethe. Për herë të parë mora pjesë në një “konferencë” të tillë fundjavën që shkoi. Veprimtaria, e cilësuar si “International Conference”, u zhvillua në Shkodër. Organizatorë të saj ishin Universiteti “Luigj Gurakuqi” i këtij qyteti dhe Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë (UBT) në Kosovë. Vendosa të merrja pjesë në atë konference për dy arsye: për të prezantuar disa ide se si mund të ndihmojë kërkimi në shkencat sociale në informimin dhe hartimin e politikave sociale në vendin tonë dhe, nuk e fsheh, për të parë mënyrën dhe nivelin e përgatitjes së një konference ndërkombëtare të organizuar nga një institucion shqiptar i arsimit të lartë (këtë herë në bashkëpunim edhe me një institucion të ngjashëm në Kosovë).

Qysh nga momenti kur vura re se programi i konferencës përmbante disa qindra kumtesa (saktësisht 567 të tilla), të përgatitura nga një numër dy-tri herë më i madh autorësh e bashkautorësh (kryesisht pedagogë që kërkojnë marrjen e gradës “Doktor” në shkenca ose titujt “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, si dhe studentë në kërkim të gradës doktorale), kuptova se konferenca në fjalë mund të ishte çdo gjë, veç jo një konferencë shkencore dhe, aq më pak, një konferencë ndërkombëtare.

Pse jo një konferencë shkencore?

Sepse shkenca është një sipërmarrje e vështirë dhe e mundimshme, që kërkon njohjen dhe zotërimin e mirë të teorive shkencore dhe përdorimin e një aparati konceptual e të metodave me anë të së cilave synohet t’u jepen përgjigje (jo thjesht të përshkruhen) çështjeve të vështira, të reja ose të panjohura në botën natyrore dhe atë shoqërore në të cilin jetojmë. Kërkimi shkencor, siç dihet fare mirë nga kushdo që e ka bërë atë pjesë të ethosit e të veprimtarisë së vet profesionale, kërkon kohë, përgatitje, kualifikim, mundim dhe është i kushtueshëm. Ai realizohet përmes shtrimit të hipotezave kërkimore, njohjes e përdorimit të metodave bashkëkohore të hulumtimit, vëzhgimeve, testimeve, matjeve, eksperimenteve dhe argumentimit të informuar e të udhëhequr nga një bazë teorike dhe domosdo një mendimi racional kritik, që nuk merr asgjë për të vërtetë absolute.

Nëse shihen vetëm titujt (jo përmbajtja) e 567 kumtesave që do të duhej të mbaheshin në atë konferencë (them do të duhej të mbaheshin sepse rreth 70-80 për qind e kumtesave të programuara nuk u mbajtën), kupton fare qartë se, në masën dërrmuese të tyre, këto kumtesa nuk përfaqësojnë aspak punime shkencore dhe nuk do të konsideroheshin të tilla askund, në asnjë institucion serioz të arsimit të lartë dhe në asnjë veprimtari të vërtetë të karakterit shkencor. Disa prej titujve të kumtesave, përshtatur në shqip nga autori i këtyre radhëve prej një anglishteje shumë të varfër e plot gabime në programin e publikuar të asaj konference, vijojnë më poshtë: “Një vështrim i përgjithshëm mbi Fjalorin e Gjuhës Shqipe të z. [Mehmet] Elezi”, “Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit”, “Gjuha shqipe: historia dhe perspektiva e saj”, “Muzika si profesion apo si edukim për të gjithë”, “Mësimdhënia dhe teoria e mësimdhënies”, “Prindërit, fëmijët dhe shkollimi i tyre”, “Politikat europiane për cilësi në arsimin e lartë”, “Të jesh a të mos jesh dixhital nuk shtrohet më si çështje”, “Përdorimi i teknologjisë në sistemin arsimor”, “Parashikimi i kursit të shkëmbit mes dollarit dhe lekut”, “Shqipëria drejt tipit të kapitalizmit të saj post-tranzicion”, “Ndjeshmëria e konsumatorit shqiptar ndaj ushqimeve organike” dhe, po nga i njëjti autor, “Vlerësimi i preferencave të konsumatorëve për kos: rasti i Shqipërisë”, “Memorizimi i fjalëve në gjuhën angleze”, “Saktësia dhe gabimet në literaturën ushtarake anglisht”, “Virgjili në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dantes”, “Portreti i grave shqiptare në romanet e para të Ndoc Nikajt”, “Europa dhe rrënjët e saj mesjetare”, “Roli i NATO-s në ruajtjen e paqes”, “Inteligjenca: faktori gjenetik apo ai mjedisor”, “Martesat mes njerëzve të të njëjtit seks: prindërit gay dhe fëmijët e tyre”, “Morali publik dhe ai privat”, “Mbrojtja e minoriteteve, vlerë themelore e së drejtës ndërkombëtare”, “E drejta kushtetuese, e drejtë themelore në prag të globalizimit”, “Çfarë e bën Holokaustin një genocid tipikisht tipik” dhe, po nga i njëjti autor, “A ishte Holokausti kaq i ndryshëm nga forma të tjera historike të genocidit”, “Transporti ndërkombëtar i mallrave në Republikën e Shqipërisë”, “Integrimi Europian, një histori suksesi”, “E drejta për informacion” dhe, po nga i njëjti autor, “E drejta për gjykim të paanshëm”, “Kafshët shoqëruese dhe shëndeti i fëmijëve në Shqipëri” etj.

I kërkoj ndjesë lexuesit për listën e gjatë të titujve të kumtesave të sipërpërmendura, por e siguroj se kjo listë mund të kishte qenë shumë herë më e gjatë, nëse do të kisha qenë më skrupuloz në shqyrtimin e saj. Titujt e mësipërm flasin më shumë se çdo koment që mund të bëja unë. Tema pafundësisht të përgjithshme, të formuluara në mënyrë aspak akademike, madje, shpesh herë, absurde, për çështje shumë herë irrelevante, të njohura e të stërnjohura në atë masë, sa janë bërë pjesë e asaj që e quajmë dije e zakonshme, ose “conventional wisdom”, tema që trajtojnë çështje për të cilat nuk raportohen gjetje empirike të reja dhe as bëhet përpjekje për të përgjithësuar teorikisht të dhëna ekzistuese. Asnjë nga këto tipare, të konstatuara lehtësisht në mënyrën se si janë formuluar titujt e pjesës më të madhe të kumtesave, nuk janë tipare të një veprimtarie shkencore të mirëfilltë.

Më tej më tërhoqi vëmendjen fakti paradoksal (por kaq tipik në jetën “akademike” shqiptare të viteve të fundit), se shumë kumtesa kishin për autor të njëjtin person, madje më shumë se dy-tri herë. “Studiueset” E.D., E.B. dhe L.M. duhej të mbanin çdonjëra tri kumtesa, prej të cilave dy në të njëjtin panel. “Studiues” të tjerë si, E.M. dhe E.Zh. duhej të mbanin secili 5 kumtesa dhe, po kështu, 5 kumtesa duhej të mbante edhe Prof. E.H. nga Kosova, prej të cilave 3 në të njëjtin panel. Mund të vazhdoja me raste të tjera të ngjashme, por mjafton të përmend rastin më flagrant që munda të konstatoj, atë të z. J.B. në Universitetin e Shkodrës, emri i të cilit figuronte në programin e konferencës, si bashkautor, në 10 kumtesa, 5 prej të cilave duhej të mbaheshin në dy panele.

Pse jo një konferencë ndërkombëtare?

Është bërë e modës në Shqipëri që çdo tubim, në të cilin marrin pjesë dy-tre shtetas të huaj, të quhet “konferencë ndërkombëtare”. Është e vërtetë se komiteti organizator dhe ai shkencor i asaj konference kishin në përbërjen e tyre tek-tuk edhe ndonjë emër nga SHBA, Austria, Italia (madje edhe ndonjë nga Letonia e Japonia), por kush nga ne nuk e di se emrat që përfshihen në “komitete” të tilla janë thjesht dhe vetëm emra të njohurish, që nuk luajnë asnjë rol në organizimin e aktiviteteve të tilla dhe nuk i “ndërkombëtarizojnë” ato. Konferencë ndërkombëtare nuk të bëjnë as sponsorizuesit e huaj, të cilët, në këtë konferencë ishin të shumtë. Donatorët e huaj nisen nga qëllimi i mirë për të ndihmuar zhvillimin e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në një vend në zhvillim, si Shqipëria, por paratë e tyre nuk garantojnë nivelin akademik dhe atë ndërkombëtar të një konference të tillë.

Ato çka e bëjnë një konferencë shkencore të organizuar në Shqipëri edhe ndërkombëtare janë pjesëmarrja e gjerë e cilësore e studiuesve të huaj, gjuha angleze e përdorur në të, si lingua franca e shkencës dhe e kulturës në kohën e sotme, tematika shkencore, interesi dhe vlerat e së cilës dalin përtej kufijve të ngushtë të një vendi, natyra novatore e trajtimit të çështjeve në nivele bashkëkohore etj. Në të gjithë këta elementë, konferenca e javës së shkuar jo vetëm nuk ishte një konferencë ndërkombëtare, por nuk mund të quhet, madje, as edhe një konferencë kombëtare, për shkak se në të nuk merrnin pjesë figurat më të njohura të shkencës shqiptare dhe nuk u prezantuan arritjet më të mira në nivel kombëtar në ato fusha kërkimi që u bënë pjesë e programit të saj. Nëse shihet programi i kësaj konference, pjesëmarrësit e huaj ishin kryesisht nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, madje edhe këta numëroheshin me gishtat e të dy duarve. Një pjesë e mirë e pjesëmarrësve në konferencë i kumtuan punimet e tyre në gjuhën shqipe, ndërsa një pjesë tjetër me shumë mundim iu drejtuan auditorit në anglisht. Përgjithësisht, tematikat e kumtesave të mbajtura ishin thuajse tërësisht lokale, ose kombëtare, ndërsa, të paktën për ato kumtesa që dëgjova, niveli i tyre, me ndonjë përjashtim të rrallë, ishte më i dobët edhe se niveli i një eseje kërkimore të një studenti të mirë në nivelin “Bachelor”.

Por, nëse jo një konferencë shkencore dhe jo ndërkombëtare, atëherë ç’farë?

Një “konferencë” sa për të marrë një “Certificate of Participation”, për ta futur në dosje deri në plotësimin e “dokumentacionit” që kërkon ligji për të marrë gradën “Doktor i shkencave”, ose titujt “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”. Thjesht kaq. Rezultat i një sistemi të korruptuar të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor që gjeneron vetveten. Z. J.B. që përmenda më sipër, ka gradën “doktor”, por me 10 kumtesat e tij në këtë konferencë, prej të cilave druaj nëse ka lexuar ndonjë, ky individ “i plotëson” kriteret ligjore për të marrë titullin “Profesor i asociuar”. Just like that! Dhjetë “simite” të nxjerra nga furra për një ditë mjaftojnë për t’u bërë “profesor”. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për shumë të tjerë që, në programin e një konference të vetme, “regjistrojnë” 3, 4, 5 ose më shumë “kumtesa”, shpeshherë duke bërë “bashkautor” bashkëshortin, vajzën ose fqinjin e tyre.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ditën e konferencës m’u dha rasti të vizitoja dy salla në një prej ndërtesave të Universitetit të Shkodrës, ku ishin planifikuar të mbaheshin sesionet tematikë në fushën e shkencave sociale dhe atë të arsimit të lartë. Në panelin ku do të flisja ishin regjistruar 18 diskutantë por, veç meje, i pranishëm ishte vetëm një prej tyre. Në një situatë të tillë, kur nga 18 diskutantë mungonin 16, drejtuesi i panelit me naivitet na ftoi të “bisedonim mes nesh”, duke u shprehur, se, sidoqoftë, në korridor na priste një “certifikatë pjesëmarrjeje”!!! Pas dështimit të këtij paneli, iu bashkova një paneli ku diskutohej mbi problemet e arsimit të lartë. Paneli ishte planifikuar të zgjaste dy orë dhe në të do të duhet të prezantoheshin 23 kumtesa!!! Pesë minuta për çdo kumtesë. Pa pyetje, pa debat. Por, edhe këtu, vetëm 7 kumtesa u mbajtën (sepse vetëm 7 pjesëmarrës ishin në sallë) dhe, prej tyre dy u mbajtën nga i njëjti person. I njëjti avaz i prodhimit të “simiteve” për konsum ditor!

Në një konferencë “ndërkombëtare” si kjo, pjesëmarrja e atyre regjistrohen të diskutojnë nuk ka aspak rëndësi. Ti mund të ndodhesh fizikisht në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, madje edhe në Honolulu dhe, përsëri, virtualisht, mund të jesh “pjesëmarrës” në një konferencë që mbahet në Shkodër, sa kohë që ke u ke paguar organizatorëve të saj një “fee” pjesëmarrjeje disa dhjetëra Euro. Dhe nëse regjistrohesh për më shumë se një kumtesë, paguan më shumë, edhe pse të bëhet “discount”. “Fee”-të e konferencave të tilla janë padyshim një e ardhur e mirë për këdo që organizon konferenca të tilla. Por ato janë, gjithashtu, të pranueshme, madje një zgjidhje oportune për këdo që ka “nevojë” të blejë një certifikatë, me të cilën u dëshmon autoriteteve të institucionit të vet “pjesëmarrjen” në një “konferencë ndërkombëtare” dhe “prezantimin” në të të një kumtese, madje të një serie kumtesash, nëse të nevojiten më shumë se një certifikatë.

Ç’duhet bërë?

Rastet e përmendura më sipër janë vetëm disa, një pjesë fare e vogël, lehtësisht të identifikueshme nga një vështrim i përciptë i programit të publikuar të kësaj konference. Nëse gjykojmë e vlerësojmë standardet dhe nivelin e shkencës shqiptare, konferenca si kjo, që fatkeqësisht përbëjnë tipiken e tubimeve të tilla, janë një tregues domethënës. Arsimi i lartë dhe shkenca shqiptare kanë kohë që vuajnë nga një koktejl sëmundjesh të rënda e kronike, si diletantizmi, plagjiarizmi, fiktiviteti, klientelizmi e favoritizmi, çfarë e kanë lënë dekada pas modernizimin e arsimit të lartë dhe kërkimin e mirëfilltë shkencor. E vetmja mënyrë për të filluar kurimin e këtyre sëmundjeve është respektimi i standardeve dhe i kërkesave rigoroze për veprimtari të vërtetë bashkëkohore në fushën e arsimit të lartë e të shkencës dhe për marrjen e gradave e të titujve akademikë. Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë krijon vetëm premisat për kurimin e sëmundjeve të tilla. Përmirësimi i vazhdueshëm dhe implementimi rigoroz i këtij ligji janë mënyra për të dalë nga gjendja e protoshkencës dhe e pseudoshkencës në terrenin e vërtetë të kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik në vendin tonë.

*Prof. dr. Fatos Tarifa, sociolog

http://www.mapo.al/2015/10/protoshkenca-dhe-pseudoshkenca-shqiptare

Sunday, October 25, 2015

Studim i Fondacionit Friedrich Ebert mbi te rinjte

 

Fondacioni Friedrich Ebert, i afiluar prane Partise Social-Demokrate ne Gjermani, i qendres se majte, ka publikuar se fundmi nje studim mbi gjendjen dhe perspektivat e te rinjve ne Shqiperi. Raporti per vitin 2015 titullohet “ALBANIAN YOUTH 2015: Slow change, Internet dependency and …EU trust!” (Rinia Shqiptare 2015: Ndryshim i ngadalte, varesi nga interneti dhe … besim tek BE!”

http://www.fes-tirana.org/media/publications/pdf-files/2015/t-150915-albanien-youth-eng.pdf

Popullata: Te rinjte 16-27 vjec.

Metoda: Sondazh (Intervista te strukturuara)

Kampionimi: 1200 individe. Metoda eshte Probability Proportion to Size. Stratifikim dhe perzgjedhje e individeve mbi bazen e qendrave te votimit dhe zones (rural/urban). U zgjodhen 120 qendra votimi me nga 10 intervista per qender. Perzgjedhja ne menyre rastesore dhe individet ishin te vendosur ne dy cluster (qender votimi dhe familje).

Grupmoshat 16-17 vjec 18-27 vjec
Shkolle (56.4%) 87.6% 38.6% (18-22 vjec)
- Universitet   23.9%
- Shkolle e mesme 27.5%  
- Master/PHD.   4.8%

Cela A., Kamberi G., Pici E. (2015) ALBANIAN YOUTH 2015: Slow change, Internet dependency and …EU trust! FES-Tirana, IDRA. Marre nga http://www.fes-tirana.org/media/publications/pdf-files/2015/t-150915-albanien-youth-eng.pdf

Gjetjet kryesore (fq. 69) ne lidhje me arsimin

- Pjesa me e madhe e te intervistuareve mendojne se kostoja e arsimit i pengon ata nga ndjekja e arsimit te larte.

image

- Pjesa me e madhe e te intervistuareve raportojne se korrupsioni ne arsim eshte evident ne institucionet e arsimit.

image

- Te rinjte e shohin arsimin e larte si nje mundesi per te rritur aftesite e tyre, megjithe nivelin e larte te papunesise nder te diplomuarit;

- Studentet jane me te qarte me zgjedhjen e programit te studimit.

image

- Rreth 60% e te rinjve te intervistuar shprehen se jane kryesisht te kenaqur me cilesine e arsimit ne Shqiperi, pakenaqesia eshte me e larte ne Tirane. Rreth 46% raportojne se do te deshironin nje institucion publik jashte vendit.

image

- Vetem 17% e te rinjve jane perfshire ne nje vend praktike, ndersa vetem 17% kane mundur te perdorin aftesite e tyre ne nje praktike per vitin 2014;

image

- Shumica e te rinjve jane optimist per te ardhmen, e se do te gjejne pune se shpejti.

image

- 22% jane aktualisht te punesuar (kohe te plote/te pjesshme), nje ulje qe prej vitit 2011, kur 35% ishin te punesuar.

image

- Mbi 40% nuk punojne ne fushen e kualifikimit/diplomimit. Vetem 30% munden.

image

- Gjysma deshirojne te punesohen ne sektorin publik, 1/3 ne sektorin privat.

image

image

- Pjesa me e madhe mendojne se puna gjendet nepermjet njohjeve e lidhjeve, ndjekur nga arsimimi, aftesite profesionale dhe lidhjet politike. Fati eshte me i fundit faktor.

image

- Studentet shpenzojne me pak kohe per te studiuar.

image

 

 http://www.fes-tirana.org/media/publications/pdf-files/2015/t-150915-albanien-youth-eng.pdf

Friday, October 23, 2015

Indeksi i çmimeve për shërbimet arsimore 2014-2015

 

Sipas Instat (http://www.instat.gov.al/al/themes/%C3%A7mimet.aspx?tab=tabs-5) çmimet në shërbimin arsimor kanë filluar sërish të rriten për 3-mujorin e tretë, rreth 0.5 në shtator.

image

 

09-14 10-14 11-14 12-14 01-15 02-15 03-15 04-15 05-15 06-15 07-15 08-15 09-15
Pije alkolike dhe duhan -0.1 0.8 2.5 0.7 0.5 1.0 0.4 0.5 0.2 0.3 -0.3 0.2 0.0
Veshje dhe këpucë 0.6 2.4 0.9 -0.6 -0.1 -1.7 -0.7 -0.1 -0.3 -0.5 -0.5 -0.9 0.1
Shëndeti 0.0 0.0 0.4 -0.4 0.7 0.7 0.0 0.4 0.0 -3.1 0.4 0.0 0.3
Transporti -0.2 -0.5 -0.4 -2.2 -1.5 0.7 1.0 0.8 0.3 0.4 0.4 -0.7 -0.8
Argëtim dhe kulturë 0.8 -0.4 -0.1 -0.2 0.2 0.4 -0.1 0.0 0.1 -0.1 -0.4 0.2 0.9
Arsim 0.4 9.6 0.0 0.0 0.0 0.0 0.0 0.0 0.0 0.0 0.0 0.4 0.5

Dëshmi nga studentet e shkëlqyeshëm të Universitetit të Tiranes

 

http://peizazhe.com/2015/10/21/medaljantet/

Tetor 21, 2015, MEDALJANTËT, Peizazhe te Fjales.

Nga Lidia

Më 15 tetor 2015 u organizua “Dita e ekselencës” për studentët e UT; një nismë e ndërmarrë nga Rrjeti i Studentëve Ekselentë (RrSE) me mbështetje të Universitetit të Tiranës dhe që përfundoi me një ceremoni në sallën e koncerteve pranë Universitetit të Arteve.

Një traditë pesë-vjeҫare e RrSE, kjo ceremoni vlerësonte studentët e diplomuar me rezultatet më të larta. U dhanë medalje ari për studentët që i kishin të gjitha notat maksimale, dhe medalje “Student i shkëlqyer” atyre që kishin 80% të rezultateve 10-ta dhe 20%, 9-ta. Ishin rreth 130 studentë të UT nga të diplomuarit e vitit 2014 dhe 2015.

Do të doja të isha pozitive qoftë edhe për faktin se na kujtuan; na kujtuan kur asnjëherë më parë nuk ishte kujtuar njeri për ne; dhe na thanë “Ju lumtë’”, “Ia dolët”. E, megjithatë nuk jam aspak pozitive, sepse ndiej që mungojnë studentët dhe përkufizimi i kësaj fjale është zbehur aq shumë, sa rri ngushtë nëpër auditorë dhe ambiente studentore; teksa mungojnë ata që duhet të flasin para një auditori jo me dialektikën e lajkave, por me atë dialektikë kritike që pritet prej tyre.  Mungon pra mendimi kritik, ndërsa mbizotëron frika, frikë ndoshta e trashëguar nga socializmi, frika se po të thuash atë që mendon do të kthehen kundër teje të lënduarit, të ofenduarit, të paturpshmit shkelës të institucioneve të arsimit, sepse do t’u shkelet krenaria që nuk e patën kurrë, nderi që nuk e njohën kurrë dhe dituria që nuk e takuan dot dhe as që e njohin kur e patën pranë.

Askush nuk përmendi (dhe as që mund të mendohej një gjë e tillë) që kemi pasur pedagogë që nuk e donin arsimin, që nuk donin të ndanin as kohën (kur nuk vinin në auditor fare) dhe as dijet me studentët (kur leksioni zgjaste 15 minuta të hedhura dëm); se masterët janë një sistem i dështuar me të cilin rritet paga, por bie cilësia, e të tjera si këto.

Nuk më lumturoi fakti që isha zgjedhur të isha pjesë e këtyre medaljantëve, sepse s’mund të harroja sa e vështirë ka qenë herë pas herë të ishe student në UT, dhe kjo jo për shkak të vështirësisë në studime, sepse kjo pritet kur je studente, por për shkak të vështirësisë që has me tufën e nëpunësve në këtë Universitet. Ndodh rëndom që sekretaret të sillen në mënyrën më të pasjellshme të mundshme dhe për të marrë një informacion sado të thjeshtë duhet të bësh pakt me Djallin; sikurse ndodh që pedagogët t’u thonë studentëve që në orën e parë të leksioneve se “Këtu drejtoj unë”; çka tregon veҫ inferioritetin që kanë në fushën akademike.

Ku nëpunësja e financës nuk e hap derën për studentët nëse këta nuk kanë pasur durim të presin dy orë të mira pas derës, ku injorantët dhe kopjacët të përplasin në fytyrë arritjet e tyre në “lëmin shkencor”, ku provimet vlerësohen sipas aftësisë për të kopjuar dhe riprodhuar librin, çka nuk të lejon të tregosh ndonjë mendim ndryshe që mund të kesh mbi subjektin përkatës. Ku mbrohen tema diplomash dhe doktoraturash nga më absurdet dhe askujt nuk i bën përshtypje një gjë e tillë, a thua jemi në cirk në vend që të ishim në një institucion serioz të arsimit të lartë.

Ne, studentët flasim shpesh me njëri-tjetrin për këto, por mjafton një pllakë metalike (medalje) dhe një copë letër (certifikatë) që t’i harrojmë të gjitha. Kisha vendosur të heshtja, sepse mendoja se nuk do të sillte ndonjë ndryshim mendimi im (dhe me siguri kështu do të jetë), por ndryshova pastaj mendje. Dhe pikërisht kur m’u duk se ata që vendosën të na nderonin me medalje dhe certifikata, na i dhanë këto nderime si një pakt të fshehtë për heshtjen tonë, sikur donin të na thoshin “Merreni këtë medalje, meqë për 5 vjet nuk keni thënë asnjë fjalë kundër nesh”, merreni këtë medalje turpi.

M’u duk si një ceremoni qesharake ku rektori flet për arritjet e UT pa përmendur, qoftë edhe shkarazi, ndonjë objektiv të ri apo ndonjë përmirësim që duhet bërë. Ku RrSE cakton të mbajnë fjalën përshëndetëse dy studentë të Bachelor-it, të cilët vetëm thurin lavde për mbarëvajtjen e punëve në UT, për mbështetjen që kanë marrë nga pedagogët, për dashurinë që u jep Rektori, për zërin që u dëgjohet vazhdimit e të tjera dokrra si këto.

Të mos harrojmë se presidenti i RrSE (që duhet të ishte një institucion i pavarur studentor) është zëvendës-rektor në Universitetin e Tiranës dhe kjo tregon qartë sa “i pandikuar” ishte fjalimi që mbajtën këta studentë, me lajkat për drejtuesit e UT. Kjo pamje duket si një reflektim i së kaluarës, ku i thureshin lavde Partisë në ҫdo lloj fjalimi të mundshëm dhe kritikat ndaj sistemit as që mund të mendoheshin. Të ftuar ishin dekanë dhe profesorë me mbështetjen e duhur politike, ata të cilët paradite shkojnë nëpër auditorë dhe mbasditen ia kushtojnë elektoratit të tyre. Njerëz të dyzuar të cilët kanë kuptuar ҫelësin e suksesit dhe i bëjnë temena partisë dy herë në ditë.

Pavarësisht nga sa përmenda më sipër, UT nuk është se e ka të pajustifikuar vlerësimin pozitiv që i bëhet: për fatin tonë të mirë kemi patur edhe pedagogë për të cilët jemi mirënjohës që i kemi njohur dhe që na kanë dhënë mësim me dashurinë prej prindi dhe me përkujdesjen e duhur; njerëz që e duan studentin dhe kujdesen që të japin më të mirën nga vetja, profesorë me vlera akademike të mirëfillta. Sigurisht që profesorë të tillë nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së medaljeve, prandaj dhe medalja nuk e pati shkëlqimin e duhur.

http://peizazhe.com/2015/10/21/medaljantet/

Monday, October 19, 2015

Mbi publikimin e të dhënave personale për korrupsion


Portalit të arsimit të lartë i kanë ardhur disa kërkesa, nga disa pedagogë të akuzuar ose dënuar për korrupsion (Universiteti Politeknik, Universiteti Bujqësor i Tiranës), për heqjen e emrave nga lajmet e publikuara për korrupsionin në arsimin e lartë në Shqipëri.
Këto kërkesa i referohen ligjit të Mbrotjes së të dhënave personale, nr. 9887/2008 i ndryshuar.

Portali i kundërshton këto kërkesa dhe i konsideron të pabazta për këto arsye:

Së pari,portali eshte në jurispondencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e regjistruar në kompani amerikane.

Së dyti, ligji ka një tjetër fushë zbatimi. Është kryesisht për instancat e autorizuara shtetërore ose private që mbledhin të dhëna personale. Ky portal nuk mbledh të dhëna personale, i publikon ato sipas rastit kur janë shpallur në mediat kombëtare që janë të licencuara e veprojnë sipas ligjeve në fuqi.
Gjithashtu, ky portal është një faqe personale, personi fizik, sipas përcaktimit të ligjit. Kësisoj bie në atë kornizë të lejuar ligjore të parashikuar sipas nenit 4/4. Më tej, portali publikon informacion që ka të bëjë me funksionin e pedagogëve si persona publikë zyrtarë.
Ligji nr. 9887, Neni 4, Pika 4.
Ky ligj nuk zbatohet për përpunimin e të dhënave:
a) për persona fizikë, për qëllime thjesht familjare ose personale;
b) vetëm për rastet kur jepet informacion për persona publikë zyrtarë ose punonjës të administratës publike (shtetërore), nëpërmjet të cilit pasqyrohet aktiviteti publik, administratativ ose çështje lidhur me detyrën e tyre.
Së treti, në të gjithë botën publikohen këto informacione kur personi është figurë publike, sikur është një pedagog, i cili ka publikuar emrin e tij në studime shkencore dhe si intelektual ka detyre ti shërbejë komunitetit, jo vetëm akademik. Atëherë emri i pedagogut do të publikohet nëse është akuzuar qofë për shkelje të etikës (plagjiaturë, ngacmime seksuale etj.), apo për korrupsion (mitmarrje, shpërdorim detyre etj.).
Sidoqoftë, nisur nga problematikat që ka sistemi i drejtësisë dhe mungesa e profesionalizmit në mediat shqiptare, ne do të frenohemi nga publikimi i emrave të plotë në fazën e hetimeve dhe procesit gjyqësor, përveç kur ekzistojnë prova të forta (si filmime, apo regjistrime) për përfshirjen e pedagogëve ne veprimtari të pahijshme dhe korruptive.
Së katërti, nisur nga akuzat se publikimi i informacioneve kryhet për përfitime financiare, bëjmë me dijeni se ky portal personal nuk gjeneron asnjë të ardhur, siç edhe vërehet nga mungesa e reklamave në faqe.

Wednesday, October 14, 2015

Intervistë e Jonis Metaj, përfaqësues i lëvizjes studentore

 

Gazeta Shqip, 14 Tetor 2015

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/ligji-i-arsimit-per-klientet-privati-shperndau-bursa-per-ps/

Flet përfaqësuesi i lëvizjes studentore, Jonis Metaj: Kërkojmë referendum për zbatimin

jonis metaj_1

Studentët e universiteteve publike duket se nuk kanë ndërmend të dorëzohen përballë ligjit për arsimin e lartë, duke deklaruar se mosimplementimin e tij do e kërkojnë me gjithë forcën e ligjit, pasi, sipas tyre, gjithçka është bërë për qëllime klienteliste. Kjo bëhet e ditur nga Jonis Metaj, një prej përfaqësuesve të lëvizjes studentore, i cili ka renditur edhe një herë të gjitha argumentet për arsyet e mosimplementimit, ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat për klientë pranë qeverisë. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Metaj ka mbrojtur kauzën studentore, duke dhënë edhe argumentet kundër Ministrisë së Arsimit që, sipas tij, nuk janë marrë parasysh në asnjë moment.

Shpeshherë janë hedhur akuza se ky ligj miratohet për klientelizëm. Ku i bazoni ato?

Kjo reformë nuk është ndodhi e tanishme, por proces që ka nisur më herët, gjatë qeverisjes së djathtë. Jo rastësishëm, disa universitete private kanë publikuar punime rreth domosdoshmërisë së kësaj reforme, të cilën e gjithë bota po e kundërshton me masa të mëdha universitarësh në rrugë, por vetëm këta nuk e kanë parë, pasi reklamojnë dije dogmatike dhe interesa meskine ekonomike. Gjithashtu, pak muaj para ardhjes në pushtet të kësaj qeverie, disa universitete private kanë shpërndarë bursa të shumta dhe të kushtueshme për të rinjtë e Partisë Socialiste, të cilat janë shpërndarë publikisht nga kryebashkiaku i sotëm dhe mund t’i gjeni me disa kërkime të vogla në “Google”. Pastaj, procesi jodemokratik i hartimit të reformës, reagimi nervoz dhe banal i pushtetit ndaj reagimeve të universitarëve, kompromisi i heshtur i pozitës dhe opozitës rreth kësaj reforme, janë tregues më se të qartë e të mjaftueshëm për të provuar klientelizmin e reformës. Ne, studentët dhe pedagogët protestues, e kundërshtuam dje dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë sot këtë akt rrënues për universitetin dhe shoqërinë.

Ministrja e Arsimit mohon që kjo të jetë e vërtetë. Pse duhet besuar argumentimi juaj?

Mjafton të lexosh ligjin e miratuar dhe vëren se i gjithë qëllimi është mbështetja e privatëve, ndarja e fondeve publike me ta. Mbrojtësit kryesorë të reformës edhe në debatet televizive janë veç pedagogë e pronarë universitetesh private. Të gjitha pikat e përmendura më sipër janë fakte të marra nga ligji. Të dobëtit do të kenë më pak fonde e do të zhyten edhe më tej. E të dobët janë universitetet publike të lëna në harresë, e shteti duket i gjithi i vënë në shërbim të privatëve.

Çfarë propozoni ju?

Ne propozojmë një ligj ku merren parasysh kërkesat e trupës universitare. Propozojmë mbi të gjitha ulje progresive të tarifave të studimit drejt zeros, deri në arsimin publik falas. Në këtë mënyrë, arsimi do të ishte i mundur për të gjithë, sipas mendjes e jo sipas xhepave. Propozojmë një ligj ku të merren parasysh kushtet e vështira të jetesës studentore dhe jo interesat e pronarëve të universiteteve private. Nevojiten mensa studentore, kushte më të mira në konvikt dhe mjedise shkollore, lehtësira sociale dhe hapësira kulturore. Fundja ne paguajmë shumë dhe nuk marrim asgjë. Ky ligj nuk trajton asnjë nga këto kërkesa e nevoja, me të cilat ndeshen në përditshmërinë e tyre studentët, por mendon vetëm e vetëm se si të zhvatë studentët për të financuar privatët dhe burokratët e kompromentuar, të cilët, përkundër pretendimeve të qeverisë, prej nga mori shkas kjo reformë, vetëm sa i kanë forcuar pozitat e tyre korruptive në universitet.

Po nëse kërkesat tuaja nuk merren në konsideratë, siç edhe ka ndodhur deri më tani, si do të veproni më tej?

Ne kemi deklaruar se do të vazhdojmë rezistencën tonë dhe nuk do të lejojmë që ky ligj të zbatohet praktikisht në universitet. Deri më tani kemi përdorur forcën e argumentit për të kundërshtuar dhe koha do të vijë për të përdorur argumentin e forcës. Njëlloj si qeveria. Nuk përjashtohet mundësia e një referendumi popullor, ku të gjithë të shprehen nëse duan që e drejta e studimit të jetë privilegj për më të pasurit apo e mundshme për të gjithë, deri në mosbindje civile e bllokim të jetës universitare dhe shoqërore.

Sa studentë janë kundër zbatimit të kësaj reforme? Po pedagogë?

Të gjithë studentët dhe pedagogët e ndershëm e të ndërgjegjshëm të universiteteve publike. Pedagogët kanë dorëzuar peticionin, kanë marrë pjesë në tryezën me Presidentin, si dhe janë bashkuar në protesta për të shprehur kundërshtinë. Po ashtu, të gjithë studentët që nuk janë pjesë e pushtetit të korruptuar burokratik e partiak, të gjithë studentët që mezi përballojnë kushtet e jetesës, që ushqehen në mensa private, banojnë në konvikte në gjendje të rënduar si në shekullin e kaluar, dhe universitete të mbipopulluar e pa ngrohje, të gjithë studentët që detyrohen çdo vit të paguajnë shumë e më shumë për t’u arsimuar, por jo vetëm studentë dhe pedagogë, por edhe prindër, qytetarë të thjeshtë, do të bashkohen të shprehin kundërshtitë e tyre gjatë përpjekjes për ta kaluar në universitet reformën. Lëvizja “Për universitetin” do të rezistojë me çdo mjet të mundshëm demokratik. Arsimi është një e drejtë dhe jo privilegj. Rezistenca vazhdon!

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/ligji-i-arsimit-per-klientet-privati-shperndau-bursa-per-ps/

Mitmarrje në Universitetin e Shkodrës


Sipas Gazetës Shqip, Top Channel ka filmuar një pedagog të Universitetit të Shkodrës duke marrë para kundrejt notës kaluese. Ky pedagog ka qenë i arrestuar më parë për të njëjtin veprim, por çështja penale është pushuar nga prokuroria.

Ministria e Arsimit ne deklaraten e saj per shtyp [15 Tetor 2015] ka njoftuar se ka dorezuar kerkese per ndjekje penale.

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/deklarate-per-shtyp-per-rastin-e-denoncimit-ne-top-channel-emisioni-fiks-fare

Menjëherë pas transmetimit në emisionin Fiks Fare të këtij skandali të ndodhur pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, MAS ka kontaktuar me Rektoratin e këtij Universiti, që ky institucion të marrë masat e duhura administrative për këtë rast. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.


Gazeta Shqip, 14 tetor 2015
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/fiks-fare-pedagogu-i-drejtesise-kerkon-500-euro-per-dy-provime/
Fiks Fare Fran QafaFiks Fare Fran Qafa
 
Fiks Fare Fran QafaFiks Fare Fran Qafa
 
Shkodër
Tekstet në celular të sekserit që kërkonte para për Fran Qafën
Pazari për marrjen e notës kaluese në të dyja lëndët bëhet me biseda të shkruara në celular
“Fiks Fare” solli dje fakte sesi funksionon skema e marrjes së provimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Një student i këtij fakulteti, i cili duhej të hynte në provimin e diplomës, detyrohet të paguajë 500 euro për të marrë notë kaluese në dy provime të mbartura, “E drejtë penale” dhe “E drejtë e procedurës penale”.
“Fiks Fare” tregoi dje dhe do të vazhdojë denoncimin në ditët në vazhdim sesi studenti merr notë kaluese në të dyja provimet, pasi paguan 500 euro. Studenti i Drejtësisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, rrezikonte të mos ngelte përfundimisht në dy lëndët e mësipërme për të kaluar më pas në provimin përfundimtar të marrjes së diplomës. Ai iu drejtua emisionit “Fiks Fare”, pasi e kishte të pamundur që të merrte notë kaluese në dy lëndët e pedagogut Fran Qafa.
Studenti pretendonte se kishte dhënë disa muaj më parë provimin, por pedagogu nuk i kishte dhënë notën kaluese që studenti pretendonte se e meritonte. Duke mos pasur mundësinë e sigurimit të të hollave, studenti kërkoi ndihmën e emisionit investigativ në “Top Channel”, gazetarët e të cilit nisën edhe mbledhjen e informacioneve mbi këtë rast. Bisedën e parave studenti pretendonte se e kishte bërë më parë me pedagogun, por për ta vërtetuar një gjë të tillë, studenti i kërkoi takim para provimit pedagogut Fran Qafa.
Gjatë bisedës telefonike që studenti bën me pedagogun Fran Qafa, ky i fundit i lë takim në një lokal, pranë universitetit. Me të mbërritur te lokali, studenti e gjen pedagogun së bashku me disa persona të tjerë.
Një nga personat që qëndronte me pedagogun ngrihet nga tavolina, duke u ulur dhe biseduar me studentin, ku i kërkon arsyen se përse kërkonte takimin me pedagogun. Në këto rrethana, studenti i tregon këtij personi, i cili më pas duket se luan rolin e sekserit, se pedagogu i kishte kërkuar 500 mijë lekë (të vjetra) për dy provimet dhe se i kishte paratë me vete dhe ishte i gatshëm për të bërë pagesën.
Në këtë moment, personi që hyn si sekser mes studentit dhe pedagogut, takohet me pedagogun Fran Qafa dhe pas bisedës me të, fillon pazari me studentin. Pazari për marrjen e notës kaluese në të dyja lëndët bëhet mes sekserit dhe studentit me biseda të shkruara në aparatin telefonik celular.
Sekseri i tregon duke i shkruar në telefon se pedagogu i ka kërkuar 500 euro për dy provimet dhe jo 50 mijë lekë të reja. I ndodhur para kësaj situate, studenti i kërkon sekserit që të ulej pazari, që ai të paguante më pak. Por përgjigjja e sekserit ka qenë e prerë se as që bëhet fjalë për të dhënë më pak se 500 euro.
Në këto kushte, studenti detyrohet të pranojë dhënien e lekëve. Pasi mëson këtë fakt, pedagogu afrohet dhe nis bisedën me studentin. Pedagogu Fran Qafa i drejtohet studentit se provimi ka qenë në orën 11:00, por ai mund të hynte në provim edhe në orën 14:00 të po asaj dite. Por, më parë duhej të nxitonte të regjistrohej te sekretaria. Ndërkohë që studenti i kërkoi pedagogut Qafa që t’i jepte paratë në dorë, pedagogu shprehet se “nuk ke punë me mua, ik e tako atë (sekserin)”. Në këto kushte, studenti takon sekserin dhe në makinën e tij i dorëzon 500 mijë lekët (e vjetra) sekserit, ndërsa për diferencën e lekëve të tjera, studenti i premton se do të vinte të takonte pedagogun pas dy ditësh, para se të dilnin edhe notat e provimeve, ndërkohë që po atë ditë do të hynte në provim.
Precedenti
Fran Qafa, i arrestuar më parë për korrupsion
Pedagogu i Universitetit të Shkodrës, Fran Qafa, është arrestuar edhe para tri vitesh për vepra penale që lidhen me korrupsionin, por ai u lirua dy ditë pas prangosjes dhe u hetua në gjendje të lirë. Në qershor të vitit 2012, policia tha se Qafa, pedagog në Fakultetin Juridik të universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, është arrestuar në flagrancë, duke marrë para nga një student, në këmbim të notës kaluese në provim. Sipas deklaratës së asaj kohe, pedagogu ishte nën hetim prej disa kohësh, pas denoncimeve të shumta të bërë nga studentët e tij. Pedagogu Fran Qafa u dyshua për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike, por dy ditë më vonë u lirua nga prokuroria. Burime nga Policia e Shkodrës bënë me dije në atë kohë, se Qafa do të hetohej në gjendje të lirë me urdhër të organit kryesor të akuzës. Më vonë, çështja ndaj tij është pushuar, ndërkohë që Qafa është rikthyer në punë.
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/fiks-fare-pedagogu-i-drejtesise-kerkon-500-euro-per-dy-provime/