Wednesday, October 14, 2015

Intervistë e Jonis Metaj, përfaqësues i lëvizjes studentore

 

Gazeta Shqip, 14 Tetor 2015

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/ligji-i-arsimit-per-klientet-privati-shperndau-bursa-per-ps/

Flet përfaqësuesi i lëvizjes studentore, Jonis Metaj: Kërkojmë referendum për zbatimin

jonis metaj_1

Studentët e universiteteve publike duket se nuk kanë ndërmend të dorëzohen përballë ligjit për arsimin e lartë, duke deklaruar se mosimplementimin e tij do e kërkojnë me gjithë forcën e ligjit, pasi, sipas tyre, gjithçka është bërë për qëllime klienteliste. Kjo bëhet e ditur nga Jonis Metaj, një prej përfaqësuesve të lëvizjes studentore, i cili ka renditur edhe një herë të gjitha argumentet për arsyet e mosimplementimit, ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat për klientë pranë qeverisë. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Metaj ka mbrojtur kauzën studentore, duke dhënë edhe argumentet kundër Ministrisë së Arsimit që, sipas tij, nuk janë marrë parasysh në asnjë moment.

Shpeshherë janë hedhur akuza se ky ligj miratohet për klientelizëm. Ku i bazoni ato?

Kjo reformë nuk është ndodhi e tanishme, por proces që ka nisur më herët, gjatë qeverisjes së djathtë. Jo rastësishëm, disa universitete private kanë publikuar punime rreth domosdoshmërisë së kësaj reforme, të cilën e gjithë bota po e kundërshton me masa të mëdha universitarësh në rrugë, por vetëm këta nuk e kanë parë, pasi reklamojnë dije dogmatike dhe interesa meskine ekonomike. Gjithashtu, pak muaj para ardhjes në pushtet të kësaj qeverie, disa universitete private kanë shpërndarë bursa të shumta dhe të kushtueshme për të rinjtë e Partisë Socialiste, të cilat janë shpërndarë publikisht nga kryebashkiaku i sotëm dhe mund t’i gjeni me disa kërkime të vogla në “Google”. Pastaj, procesi jodemokratik i hartimit të reformës, reagimi nervoz dhe banal i pushtetit ndaj reagimeve të universitarëve, kompromisi i heshtur i pozitës dhe opozitës rreth kësaj reforme, janë tregues më se të qartë e të mjaftueshëm për të provuar klientelizmin e reformës. Ne, studentët dhe pedagogët protestues, e kundërshtuam dje dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë sot këtë akt rrënues për universitetin dhe shoqërinë.

Ministrja e Arsimit mohon që kjo të jetë e vërtetë. Pse duhet besuar argumentimi juaj?

Mjafton të lexosh ligjin e miratuar dhe vëren se i gjithë qëllimi është mbështetja e privatëve, ndarja e fondeve publike me ta. Mbrojtësit kryesorë të reformës edhe në debatet televizive janë veç pedagogë e pronarë universitetesh private. Të gjitha pikat e përmendura më sipër janë fakte të marra nga ligji. Të dobëtit do të kenë më pak fonde e do të zhyten edhe më tej. E të dobët janë universitetet publike të lëna në harresë, e shteti duket i gjithi i vënë në shërbim të privatëve.

Çfarë propozoni ju?

Ne propozojmë një ligj ku merren parasysh kërkesat e trupës universitare. Propozojmë mbi të gjitha ulje progresive të tarifave të studimit drejt zeros, deri në arsimin publik falas. Në këtë mënyrë, arsimi do të ishte i mundur për të gjithë, sipas mendjes e jo sipas xhepave. Propozojmë një ligj ku të merren parasysh kushtet e vështira të jetesës studentore dhe jo interesat e pronarëve të universiteteve private. Nevojiten mensa studentore, kushte më të mira në konvikt dhe mjedise shkollore, lehtësira sociale dhe hapësira kulturore. Fundja ne paguajmë shumë dhe nuk marrim asgjë. Ky ligj nuk trajton asnjë nga këto kërkesa e nevoja, me të cilat ndeshen në përditshmërinë e tyre studentët, por mendon vetëm e vetëm se si të zhvatë studentët për të financuar privatët dhe burokratët e kompromentuar, të cilët, përkundër pretendimeve të qeverisë, prej nga mori shkas kjo reformë, vetëm sa i kanë forcuar pozitat e tyre korruptive në universitet.

Po nëse kërkesat tuaja nuk merren në konsideratë, siç edhe ka ndodhur deri më tani, si do të veproni më tej?

Ne kemi deklaruar se do të vazhdojmë rezistencën tonë dhe nuk do të lejojmë që ky ligj të zbatohet praktikisht në universitet. Deri më tani kemi përdorur forcën e argumentit për të kundërshtuar dhe koha do të vijë për të përdorur argumentin e forcës. Njëlloj si qeveria. Nuk përjashtohet mundësia e një referendumi popullor, ku të gjithë të shprehen nëse duan që e drejta e studimit të jetë privilegj për më të pasurit apo e mundshme për të gjithë, deri në mosbindje civile e bllokim të jetës universitare dhe shoqërore.

Sa studentë janë kundër zbatimit të kësaj reforme? Po pedagogë?

Të gjithë studentët dhe pedagogët e ndershëm e të ndërgjegjshëm të universiteteve publike. Pedagogët kanë dorëzuar peticionin, kanë marrë pjesë në tryezën me Presidentin, si dhe janë bashkuar në protesta për të shprehur kundërshtinë. Po ashtu, të gjithë studentët që nuk janë pjesë e pushtetit të korruptuar burokratik e partiak, të gjithë studentët që mezi përballojnë kushtet e jetesës, që ushqehen në mensa private, banojnë në konvikte në gjendje të rënduar si në shekullin e kaluar, dhe universitete të mbipopulluar e pa ngrohje, të gjithë studentët që detyrohen çdo vit të paguajnë shumë e më shumë për t’u arsimuar, por jo vetëm studentë dhe pedagogë, por edhe prindër, qytetarë të thjeshtë, do të bashkohen të shprehin kundërshtitë e tyre gjatë përpjekjes për ta kaluar në universitet reformën. Lëvizja “Për universitetin” do të rezistojë me çdo mjet të mundshëm demokratik. Arsimi është një e drejtë dhe jo privilegj. Rezistenca vazhdon!

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/ligji-i-arsimit-per-klientet-privati-shperndau-bursa-per-ps/

0 comments:

Post a Comment