Monday, October 12, 2015

Protesta ne fillimin e vitit akademik 2015-16

 

http://www.reporter.al/viti-i-ri-akademik-nis-me-protesta-studentore-kunder-ligjit-te-arsimit-te-larte/

Irvana Dervishi, Reporter.al, 12 Tetor 2015

Viti i ri akademik nis me protesta studentore kundër Ligjit të Arsimit të Lartë

Një grup studentësh e filluan vitin e ri akademik duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili sipas tyre dëmton vizionin e universitetit.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Lëvizja Për Universitetin e nisi vitin e ri akademik me një protestë nga studentësh të cilët kundërshtojnë Ligjin e Arsimit të Lartë.

“Ne e konsiderojmë reformën rrjepëse për studentët, klienteliste për interesin publik dhe me vizion të dëmshëm për universitetin”, thanë ata përmes një deklarate për shtyp.

Ligji për Reformën e Arsimit të Lartë ndër të tjera hap mundësinë që universitetet private të deklarojnë veten universitete publike dhe si të tillë, të përfitojnë financime shtetërore të cilat do të mund t’i ndahen atyre nga buxheti i shtetit në forma të ndryshme, si p.sh, fonde për kërkim shkencor.

Ligji kaloi në parlament në korrik të këtij viti me 78 vota pro, pasi presidenti Bujar Nishani e riktheu atë në parlament në gusht. Presidenti Nishani arsyetoi se Ligji Për Arsimin e Lartë shkelte gjashtë pika kryesore të funksionimit të universiteteve, ndër to edhe autonominë.

Gjatë vitit 2014 dhe 2015 kundër ligjit kanë dalë kundër opozita, akademikët dhe mijëra studentë.

“Situata e studentëve dhe universitetit mbetet kritike. Kudo ka tarifa të kripura, klasa të mbipopulluara dhe pa ngrohje, konvikte në gjendje skandaloze dhe burokraci mbytëse,” shtuan studentët në deklaratën e tyre.

Studentët e Lëvizjes Për Universitetin përshëndesin fillimin e vitit akademik 2015-2016 me një banderolë në mbështetjes së arsimit publik falas. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Studentët e Lëvizjes Për Universitetin përshëndesin fillimin e vitit akademik 2015-2016 me një banderolë në mbështetjes së arsimit publik falas. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Rreth 19 mijë studentë u ulën sot për herë të parë në auditor.

Studentët e Lëvizjes Për Universitetin shprehën se kundërshtimi ndaj reformës në arsimin e lartë do të vazhdojë në universitet pavarësisht miratimit në parlament. Ata shpalosën në godinën e Korpusit Universitar një banderolë ku shkruhej “Arsim publik falas”. “Universiteti është një e drejtë demokratike sipas mendjes dhe jo sipas xhepit,” përfunduan studentët.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, shpenzimet për arsim janë grupimi më i shtrenjtuar i buxhetit të familjeve shqiptare. Gjatë 12 muajve të fundit, shërbimet arsimore janë shtrenjtuar me 10.5 për qind, veçanërisht për shkak të rritjes së tarifave të arsimit të lartë publik në tetor 2014.

Në vitin 2014, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 2,900 lekë në muaj për arsim nga vetëm 1,327 lekë që shpenzonin në vitin 2009.

http://www.reporter.al/viti-i-ri-akademik-nis-me-protesta-studentore-kunder-ligjit-te-arsimit-te-larte/

0 comments:

Post a Comment