Monday, October 19, 2015

Mbi publikimin e të dhënave personale për korrupsion


Portalit të arsimit të lartë i kanë ardhur disa kërkesa, nga disa pedagogë të akuzuar ose dënuar për korrupsion (Universiteti Politeknik, Universiteti Bujqësor i Tiranës), për heqjen e emrave nga lajmet e publikuara për korrupsionin në arsimin e lartë në Shqipëri.
Këto kërkesa i referohen ligjit të Mbrotjes së të dhënave personale, nr. 9887/2008 i ndryshuar.

Portali i kundërshton këto kërkesa dhe i konsideron të pabazta për këto arsye:

Së pari,portali eshte në jurispondencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e regjistruar në kompani amerikane.

Së dyti, ligji ka një tjetër fushë zbatimi. Është kryesisht për instancat e autorizuara shtetërore ose private që mbledhin të dhëna personale. Ky portal nuk mbledh të dhëna personale, i publikon ato sipas rastit kur janë shpallur në mediat kombëtare që janë të licencuara e veprojnë sipas ligjeve në fuqi.
Gjithashtu, ky portal është një faqe personale, personi fizik, sipas përcaktimit të ligjit. Kësisoj bie në atë kornizë të lejuar ligjore të parashikuar sipas nenit 4/4. Më tej, portali publikon informacion që ka të bëjë me funksionin e pedagogëve si persona publikë zyrtarë.
Ligji nr. 9887, Neni 4, Pika 4.
Ky ligj nuk zbatohet për përpunimin e të dhënave:
a) për persona fizikë, për qëllime thjesht familjare ose personale;
b) vetëm për rastet kur jepet informacion për persona publikë zyrtarë ose punonjës të administratës publike (shtetërore), nëpërmjet të cilit pasqyrohet aktiviteti publik, administratativ ose çështje lidhur me detyrën e tyre.
Së treti, në të gjithë botën publikohen këto informacione kur personi është figurë publike, sikur është një pedagog, i cili ka publikuar emrin e tij në studime shkencore dhe si intelektual ka detyre ti shërbejë komunitetit, jo vetëm akademik. Atëherë emri i pedagogut do të publikohet nëse është akuzuar qofë për shkelje të etikës (plagjiaturë, ngacmime seksuale etj.), apo për korrupsion (mitmarrje, shpërdorim detyre etj.).
Sidoqoftë, nisur nga problematikat që ka sistemi i drejtësisë dhe mungesa e profesionalizmit në mediat shqiptare, ne do të frenohemi nga publikimi i emrave të plotë në fazën e hetimeve dhe procesit gjyqësor, përveç kur ekzistojnë prova të forta (si filmime, apo regjistrime) për përfshirjen e pedagogëve ne veprimtari të pahijshme dhe korruptive.
Së katërti, nisur nga akuzat se publikimi i informacioneve kryhet për përfitime financiare, bëjmë me dijeni se ky portal personal nuk gjeneron asnjë të ardhur, siç edhe vërehet nga mungesa e reklamave në faqe.

0 comments:

Post a Comment