Wednesday, April 16, 2014

Universiteti-Elbasanit-Mitmarrje

 

 

15 Shtator, 2012, Gazeta Tema

Arrestohet për korrupsion një tjetër pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Policia bën me dije se pedagogu i Fakultetit të Gazetarisë, Isidor Koti, ka rënë në pranga pasi studentët e kanë denoncuar atë për mitnmarrje në këmbim të notave të provimeve, me të cilët linte takime jashtë orarit të mësimit. Policia i ka sekuestruar atij rreth 1 milion lekë të vjetra të ndara në disa zarfe.
 

3 Korrik, 2012, Gazeta Tema + Shqip

Policia e Elbasanit bëri me dije se ka arrestuar një pedagog të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, i cili akuzohet për ryshfet.

Pedagogu i matematikës, Pëllumb Kllogjeri, 61 vjeç është arrestuar nga policia e Elbasanit në flagrancë në zyrën e tij si dhe iu sekuestrua shuma prej 70 mijë lekësh të reja e ndarë në 7 zarfe, si dhe një tjetër zarf me shumën 100 euro.

Pedagogu ra në prangat e policisë, në kuadër të operacionit “Zarfi”, ndërsa priten edhe të tjera arrestime për të njëjtat akuza në Universitetin e Elbasanit.

Gjykata e Elbasanit ka vendosur arrest shtëpie për pedagogun e Matematikës.

Pedagogu Pëllumb Kllogjeri është arrestuar mesditën e datës 3 korrik në zyrën e tij në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur 70 mijë lekë të ndara në 7 zarfe të ndryshme, ndërkohë që gjatë kontrollit në zyrë është gjetur dhe një zarf tjetër me 100 euro. Sipas prokurorisë dhe policisë lokale, Kllogjeri është arrestuar në kushtet e flagrancës pak pas provimit, teksa u kishte marrë paratë studentëve në këmbim të notës kaluese në lëndën e Matematikës, që ai jepte prej disa vitesh.
Kllogjeri shprehet se:
“Historia, në të cilën më kanë përfshirë, është veçse një kurth i parapërgatitur që synon të më implikojë si i përfshirë në korrupsion. Kurthi është iniciuar nga studentja ngelëse e sistemit “part-time” Valbona Gjini nëpërmjet bashkëshortit të saj, Bujar Gjini. Kjo studente, pasi nuk kishte arritur të merrte vlerësimin pozitiv në provimin e fundit kishte vendosur që ta rijepte atë”, – tha Kllogjeri. Ai sqaroi se bashkëshorti i studentes Valbona Gjini, dhe studenti Hysen Topi kanë kontribuar dhe janë bërë pjesë e skenarit të lojës së futjes së tij në kurth. “Ata kanë shfrytëzuar kohën kur në zyrë po punohej nga ana ime për korrigjimin e provimeve. Jam përpjekur që ta sqaroj bashkëshortin e studentes Gjini që në këtë periudhë nuk mund të bëhej dot asgjë dhe se ajo duhet të vazhdojë punën për t’u përgatitur për provimin, që të mos skualifikohej më. Në momentin që jam larguar nga zyra, tre personat në fjalë kanë lënë mbi tavolinën time një zarf me para”, – ka deklaruar 61-vjeçari. Ndërkohë, ky i fundit ka pohuar se është e vërtetë që në zyrë janë gjetur dhe disa zarfe të tjera. “Unë nuk u kisha kërkuar para studentëve. Nuk e kam bërë asnjëherë këtë gjë në jetën time profesionale. Ata kishin futur lekë në fletoret e tyre. Nuk i kisha denoncuar, pasi prisja që ata të paraqiteshin në zyrë për të sqaruar këtë lloj sjelljeje të papranueshme nga ana ime. Jam i pafajshëm, ndaj të hetohet me ndershmëri”.
Dyshohet se shuma që kërkonte Kllogjeri varjonte nga 10 mijë lekë deri në 100 euro. Ditën e arrestimit, studentët kanë dhënë provimin, ndërsa i kanë dorëzuar zarfet me para dhe euro në këmbim të notës 5. Policia ka ndërhyrë pasi pedagogu ka mbledhur fletët e provimit, brenda të cilave studentët kishin futur zarfin me emrin përkatës.
Denoncimi për pedagogun është bërë nga vetë studentët. Hetimet kanë nisur gjashtë muaj më parë, kohë kur është bërë denoncimi i parë ndaj pedagogut.
 

17 Mars 2004, Korrieri


Mitmarrja, ndjekje penale pedagogut

Antikrimi Ekonomik ne Elbasan, kerkoi arrestimin e mjekut Kujtim Ibrahimi, nen akuzen e mitmarrjes. Jep mesim edhe ne Fakultetin e Infermierise. Denoncimi i studenteve: "Kerkon 5 000 mije leke, ne kembim te notes". Vendoset hapja e ceshtjes penale dhe hetim ne gjendje te lire. Reagimet e Rektorit e Prefektit, per dyshimet e abuzimit financiar ne Universitetin "Aleksander Xhuvani"
Ndjekje penale per pedagogun e Universitetit "Aleksander Xhuvani" ne Elbasan, pasi akuzohet se kerkonte 50 000 mije leke ne kembim te notes. Burime te policise se Elbasanit, bene te ditur dje, se ka nisur ceshtja penale ne gjendje te lire per pegagogun Kujtim Rait Ibrahimi 48 vjec, lindur ne Cerrik e banues ne lagjen "Beqir Dardha", te qytetit te Elbasanit. Sipas te njejtit burim, pedagogu Ibrahimi, me profesion doktor pediater, pedagog i jashtem i Universsitetit "Aleksander Xhuvani" ne Elbasan ne degen e infermierise, ka konsumuar vepren penale te parashikuar nga nenet 259 dhe 260 te Kodit Penal, te kerkim per dhenie miti dhe marrje miti.

Sipas burimeve te Zyres se Antikrimit Ekonomik dhe Financiar ne Drejtorine e Policise se Qarkut Elbasan, pedagogu Kujtim Ibrahimi, kishte kohe qe praktikonte mitmarrje ne kembim te notes. "Ne menyre sistematike ai ka angazhuar persona te tjere qe te marrin shperblime nga 5 000 mije leke te reja per cdo student ne kembim te venies se notes kaluese ne provimet e statistikes". Te njejtat burime shtuan se pedagogu perdorte rregullisht, dy "menaxhere".

"Aktiviteti i paligjshem kryhej hapur aq sa nje dite dy nga studentet e tij nuk duruan me dhe njoftuan organet kompetente", thone burimet. Pas grumbullimit te provave, agjente te zyres se Antikrimit Ekonomik, kane kerkuar arrestimin e pedagogut. Burimet e policise, thane se pas kesaj kerkese, "eshte vendosur qe ai te hetohet ne gjendje te lire". Nderkohe konfirmohet se materialet i kane kaluar Prokurorise se Rrethit te Elbasanit. Zyra e Antikrimit Ekonomik gjithashtu ben te ditur se dhe gjate ushtrimit te aktivitetit te tij si mjek Ibrahimi ka perfituar shuma te medha ne te holla. Madje shpesh ai eshte bere personazh i perleshjeve me paciente. "Nuk eshte vetem Kujtim Ibrahimi qe aplikon mitmarrjen ne Universitetin "Aleksander Xhuvani" ne Elbasan. Policia dhe organet e Prokurorise kane sinjalizime se te njejten praktike e aplikon nje numer i madh pedagogesh te ketij Universiteti. Mjafton te hetohet se me cfare te ardhurash kane ata se me cfare makinash qarkullojne dhe se ne cfare vilash jetojne", theksojne zyrtaret e Antikrimit Ekonomik. Korresp.i Rrethit











UPT-Mitmarrje

 
Gjykata e Tiranës dënoi me 1.6 vite (detyrim paraqitje) pedagogun e Fakultetit Gjeologjik, E. Q.

Pedagogu E.Q. ra në pranga të policisë pasi akuzohej për marrje të ryshfeteve studentëve.

Në qershor të vitit 2012, një student ka denoncuar pegagoun e tij në Prokurori, pasi e kishte regjistruar nëpërmjet telefonit, teksa i ka kërkuar 100 mijë lekë të reja për një provim.


Nga Gazeta Panorama, 17 Dhjetor, 2013

Nje drejtues i Fakultetit te Gjeologji-Minierave, shtetasi E. Q., pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, pas arrestimit ditën e shtunë me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se pas arrestimit në flagrancë të 55-vjeçarit, është kërkuar që Gjykata të vlerësojë masën e sigurisë. 
Prova kryesore ndaj profesorit të arrestuar janë përgjimet telefonike dhe ambientale të bisedave të kryera mes tij dhe një studenti të Universitetit të Kamzës që nga muaji maj i këtij viti. Një tjetër provë janë edhe 10 mijë lekë të rinj, që iu sekuestruan të arrestuarit në cilësinë e provës materiale ditën e shtunë. 
Arrestimi në flagrance i [pedagogut] ndodhi në momentin kur ai po i kthente studentit të Kamzës një shumë prej 10 mijë lekësh të rinj. Më parë, pedagogu kishte marrë nga studenti 750 mijë lekë, me premtimin për ta kaluar në katër provime. I riu ka hyrë në provimet e lëndëve në Kamzë, por ka marrë nota ngelëse. Pas rezultateve negative në provime, studenti ka hyrë në komunikim me [pedagogun] dhe i ka kërkuar kthimin e parave për shkak se nuk “I kishte mbaruar punë”. 
Sipas hetimeve të Prokurorisë, [drejtuesi i ] .. i kishte marrë paratë me premtimin se do të ndërhynte te kolegët e tij në Universitetin e Kamzës. 
Pas informacioneve të marra, Prokuroria e Tiranë, në datën 21.05.2012, ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të .. [pedagogut] për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. ..
Pedagogu, sipas burimeve zyrtare, ka marrë shuma parash nga një student i Universitetit Bujqësor Kamzë, duke i premtuar atij ndërhyrjen te disa pedagogë të këtij universiteti për ta kaluar në disa provime, në të cilat ai kishte hyrë më parë dhe nuk kishte marrë notë kaluese.

Shitje-Diplomash-Tetove


Në Shqipëri ka shumë të diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sidomos në mësuesi dhe studentë në zonat e Shqipërisë Veri-lindore.

Në vitin 2013 u njohën rreth 1700 diploma universitetesh të huaja nga Ministria e Arsimit. Nga këto me siguri prej 100-200 kanë qenë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Gjithashtu nga Maqedonia vinë edhe diploma nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës. Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës nuk ka ndërmarrë ende ndonjë verifikim mbi këto diploma pas lajmit nga Balkan Investigative Reporting Network.

Sipas procedurave të shpallura në faqen e Ministrisë së Arsimit  dokumentet pranohen të legalizuara, por duke njohur sesi funksionojne disa prej nëpunësve atje, nuk është çudi që diplomat e mbërritura në Shqipëri të jenë falso. Sidoqoftë kjo kërkon bashkëpunimin e institucioneve dhe nëpunësit e ministrisë nuk mund të hetojnë çdo rast. Problemi tjetër është politik, pasi USHT mund të stigmatizohet si institucion joserioz dhe në Maqedoni mund ti sjellë probleme shqiptarëvë etnikë të punësohen në administratë etj.

Artikulli më poshtë mbi diplomat falso në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Balkan Investigative Reporting Network, 23 Mars, 2014

MAQEDONI–Në Maqedoni vazhdojnë të përdoren diplomat e falsifikuara që janë lëshuar në përdorim pa u vënë re nga institucionet.

Rrjeti Ballkanik për Raportime Investiguese BIRN (Balkan Investigative Reporting Network), përshkruan në detaje këtë dukuri, ku si shembull trajtohet një hulumtim mbi USHT. 
Diplomat e falsifikuara të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) mësohet të jenë shitur me shumicë në fshatin Sellcë të Tetovës. Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme në një nga shtëpitë e këtij fshati zbuloi një bazë, në të cilën janë përgatitur diplomat falso.
Një banor i fshatit, i moshës 30-vjeçe, në bodrumin e objektit ka përgatitur vërtetimet e fakulteteve dhe të njëjtat ua ka shitur shtetasve italianë. Pjesa më e madhe e diplomave kanë mbajtur logon e Fakultetit të shkencave mjekësore pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Pas përgatitjes së diplomave, firmosje dhe vulosjes së tyre, falsifikuesi i ka çuar të njëjtat në zyra përkthimi të autorizuara, ndërsa përkthimet i ka vërtetuar në noter. Në këtë mënyrë ai ka arritur të lëshojë në përdorim gjashtë vërtetime. Problemet e këtij personi lindën me 16 vërtetimet e radhës. Noteri përkatës ka dyshuar në origjinalitetin e dokumenteve dhe ka denoncuar rastin në polici.
Në bazën e falsifikuesit policia arriti të gjej fotografi të personave të ndryshëm me banim në Itali, dokumente për t’u dërguar në Kroaci dhe dy fletore me emrat e “akademikëve”, “të diplomuarve” dhe “mjekëve potencial”.

Hetimet e këtij rasti duhet të vërtetojnë nëse banori i fshatit Sellcë ka zhvilluar vetë biznesin apo në skemën e falsifikimit janë përfshirë edhe individë të tjerë.

“Hetimet e rastit janë duke vazhduar. Zbulimi i rastit bëri të mundur arrestimin e disa personave dhe marrjen e masave dhe veprimeve plotësuese për të siguruar provat e nevojshme lidhur me të gjitha diplomat dhe dokumentet që janë përgatitur ilegalisht dhe falsifikuar, por edhe me gjetjen e të gjithë personave që kanë keqpërdorur dokumentet e falsifikuara”, tha për BIRN zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, megjithëse paralajmëroi kontrolle më të rrepta në institucionet e arsimit të lartë, nuk është shqetësuar shumë me rastin e fundit që u zbulua në fshatin Sellcë sepse sipas tij nuk bëhet fjalë për krim të organizuar, ndërsa cilësia e dokumenteve të falsifikuara ka qenë shumë e dobët.

“Rastin e fundit do ta kisha cilësuar si një budallallëk të personit që ka tentuar të përgatisë dokumentet false. Në rastin konkret u falsifikuan diploma të Fakultetit të shkencave mjekësore, fakultet ky i cili asnjëherë nuk ka lëshuar diploma sepse studimet e mjekësisë janë aktive rreth 3 vjet, që tregon qartë naivitetin e personit në fjalë. Gjithashtu, falsifikimi i dokumenteve mund të vërehej shumë lehtë sepse për përgatitjen e tyre ishte përdorur një vulë e vjetër”, tha Ristovski për BIRN.

BIRN kërkoi përgjigje nga Universiteti Shtetëror i Tetovës për të gjitha rastet e falsifikimit të dokumenteve që janë zbuluar deri më tani, për mënyrën me të cilën universiteti ballafaqohet me këtë lloj krimi dhe për hetimet e rastit të fundit që u zbulua në fshatin Sellcë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme verifikon nëse formularët në të cilët janë shtypur diplomat janë origjinalë ose bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara nga ana e banorit të fshatit Sellcë. Vërtetimi i supozimit të parë do të thotë që në biznesin ilegal janë involvuar strukturat e Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Njëkohësisht, ky rast është duke u hetuar edhe nga ana e policisë italiane, e cila përpiqet të zbulojë personat që kanë blerë diploma të falsifikuara të përgatitura në fshatin Sellcë dhe të pengojë legalizimin e këtyre diplomave në sistemin italian.

Maqedonia për herë të parë u ballafaqua seriozisht me problemin e diplomave të falsifikuara gjatë periudhës së viteve 2000–2001. Gjatë këtyre viteve u zbuluan shumë diploma të falsifikuara nga Bullgaria, por edhe nga Kosova. Pjesa më e madhe e këtyre diplomave u zbuluan në Fakultetin Ekonomik në Shkup, në të cilin dokumentet e falsifikuara pritën nostrifikimin. Më vonë u vërtetua se “studentët e diplomuar” në Bullgari jo vetëm që nuk kishin mbaruar fakultetin përkatës, por ato as që kanë qenë të regjistruar në fakultet.

Shitje-diplomash-Kristal


Marrë nga: https://peizazhe.com/2012/05/03/diplome-per-troften/, Pishak Zhgaba, 3 Maj 2012



https://xhaxhai.files.wordpress.com/2012/05/diploma-renzo-bossi.jpg

Vetëm sot u bë e njohur se Renzo Bossi qenka diplomuar në Shqipëri, në universitetin “Kristal”, në Fakultetin Administrim Biznes. Sipas prokurorive të Napolit e Milanos, ekziston dyshimi se kjo diplomë është paguar me fondet e partisë “Lega Nord”.
Ky lajm, për t’u kuptuar, por edhe për të parë ndërlikimet me Shqipërinë, duhet detyrimisht kontekstualizuar. Së pari duhet kujtuar se djali i Bossi-t përflitet për injorancën e vet gati në mënyrë proverbiale, pavarësisht nga karriera politike që ka bërë nën ombrellën e të atit. Vetë nofka “Trota” (Trofta) iu ngjit prej babait të vet. Bossi junior nuk e mori dot maturën menjëherë, iu desh ta përsëriste tri herë, madje duke akuzuar profesorët se nuk i kishin dhënë hakun meqë ishin me origjinë nga jugu i Italisë.
Së dyti, duhet shënuar se akuzat për keqpërdorim të fondeve partiake kanë ardhur si brenda Lidhjes, ashtu edhe nga organet gjyqësore. Shtypi ka kohë që flet për disa investime të çuditshme të firmosura nga përgjegjësi administrativ i “Lega Nord”. Një nga këto bëri bujë sepse u krye në Tanzaninë e largët, ku u investuan disa milionë euro të partisë.
Së treti, nuk duhet harruar përshoqërimi i emrit të Renzo Bossi-t me arsimin universitar perceptohet nga opinioni publik si i pamundur, si i pabesueshëm, si “kundër natyrës”, si oksimoron. Nga ana tjetër, kur u fol për investimet në Afrikë, shumëkush u tall me këtë lloj zgjedhjeje bizare, kryer nga një parti të njohur për ksenofobinë, provincializmin dhe reagimet e saj kundër imigrantëve.
Lakimi i Shqipërisë në këtë kuadër, sa të lëvizshëm aq edhe problematik, nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Nuk tingëllon mirë, as për imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë, as për sistemin universitar shqiptar. Këtu nuk e kam fjalën për mjediset shqiptare, të cilat e njohin sistemin arsimor të Shqipërisë, me të mirat e të metat e veta. Këtu është fjala për imazhin që i jepet opinionit publik ndërkombëtar, i cili vetëm sa i shtron palë palë paragjykimet e veta për Shqipërinë, të cilat jo gjithnjë janë të çminueshme, sidomos kur embrioni ofrohet nga vetë realiteti shqiptar.



UBT-Mitmarrje

 

Përditësuar 18 Tetor 2015

 

Disa pedagogë të Universitetit Bujqësor janë gjykuar dhe dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë për shpërdorim detyre (mitmarrje) dhe mungesë etike në marrëdhëniet me studentët.

Ky është nga të paktët raste kur dënohen pedagogë për mitmarrje, dukuri që ka cënuar reputacionin e universiteteve shqiptare dhe të pedagogëve të ndershëm e të përkushtuar. Më tej, sidomos në Universitetin Bujqësor. përfliten raste makabre të sjelleve imorale të disa pedagogëve që kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre jo vetëm për përfitime monetare, por edhe seksuale.

Sidoqoftë, edhe pse gjykimi duket transparent, pedagogët kanë diskrecion dhe liri akademike në vlerësimin e studentëve, dhe për gjykatën është e vështirë të provojë motivin e veprimit të një pedagogu në mënyrë direkte. Prandaj është universiteti që duhet ti trajtojë këto çështje me këshillat e etikës dhe të sigurimit të cilësisë.

Administratorët e këtij portali u kontaktuan nga dy prej të akuzuarëve për të mospërmendur emrin e plotë dhe hequr lajmin. Por duke qenë se këta persona i kanë shkaktuar më shumë dëm arsimit të lartë sesa i ç’ka shkakton publikimi i këtij lajmi të dënuarëve, administratorët refuzuan të heqin lajmin, por respektojnë ruajtjen e të dhënave personale.

Në këtë rast prokuroria ka pasur dëshmitarë dhe prova si thirrjet telefonike për të dëshmuar veprimet e kundraligjshme të pedagogëve. Më poshtë një pjesë nga vendimi i gjykatës së apelit, nr. 577, datë 30.05.2012.

 

image

Poli Hoxha, 22 Dhjetor 2011, Gazeta Shqiptarja.com

{Artikulli është redaktuar për të larguar paqartësitë dhe zevendësuar emrat me iniciale.}
 
Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, dhe homologët e tyre në prokurorinë e Tiranës, kanë mbyllur hetimin … , pedagog, punonjës të administratës dhe sekserë, në Universitetin e Kamzes, të akuzuar për korrupsion dhe mitmarrje.

Gjithshka ka nisur pas disa denoncimeve në Sektorin Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, gjatë periudhës së regjistrimit të studentëve të rinj fitues në këtë universitet dhe sidomos, pas procesit të shpalljes së fituesve që përfitonin nga shtesat. Gjithashtu denoncime të shumta, ka pasur edhe për mitmarrje gjatë sezonit të fundit të provimeve, me shuma që shkojnë deri në 300 mijë lekë të vjetra për një notë kaluese.

Sipas burimeve, gjatë përgjimeve që kanë vazhduar gjëtë këtyre 3 muajve, ka rezultuar se rrethi i personave të përfshirë, është shumë i gjerë. Në "listën e zëzë" të hetuesve janë disa pedagogë, punonjës të administratës, studentë dhe shumë sekserë. Ndërkohë është vërtetuar se shumë regjistrime për student që fillojnë shkollë për herë të parë, gjatë këtij viti shkollor, janë bërë me dokumentacion fallco.

Vetëm një vit më parë gjatë një operacioni të koduar "Provimi i Suksesshëm 1", nga policia e Tiranës në bashkëpunim edhe me prokurorinë u arrestuan 7 personave, mes tyre pedagogë të Universitetit bujqësor të Kamzës. U prangos A.F, V.K, të dy profesor në Universitetin e Kamzës, K.. dhe D. D. punonjës në po këtë Universitet, si dhe P.E., student në Universitetin e Kamzës. Pedagogët më pas u ndoqën në gjendje të lirë.

Sipas deklarimit të policisë amësohet se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri tjerin në periudha të ndryshme kohore, kanë shpërdoruar detyrën duke u marrë ryshfet shumën prej 250 mijë lekësh të vjetra për një provim, studentëve mbetës.

Tuesday, April 15, 2014

Kritika-Ergys-Mërtiri





Ergzys Mërtiri, gazetar dhe pedagog, ka publikuar një kritikë mbi masivizimin e arsimit të lartë. Kritika e Mërtirit fokusohet në:

1. Pasojat e masivizimit të arsimit të lartë mbi cilësinë e studentëve dhe universitetet publike;
2. Pasojat e liberalizimit të arsimit të lartë në sektorin e arsimit privat, sidomos në lidhje me cilësinë e kualifikimit profesional dhe akademik në këto institucione;
3. Instrumentalizimin e arsimit të lartë për politika elektorale.

Kritika e Mërtirit argumentohet me mungesën e burimeve financiare dhe kufizimet infrastrukturore të universiteteve për të përthithur kërksën e lartë. Pamundësua për t’iu përgjigjur kërkesës ka sjellë probleme me cilësinë e mësimdhënies dhe kualifikimin akademik të studentëve.

Shteti si dhe vetë shoqëria shqiptare nuk ka në dispozicion as kuadro të mjaftueshëm pedagogjikë, as hapësira fizike për zhvillimin e orëve mësimore, as kurrikulat e duhura e as një sistem efikas për një masivizim të tillë. Aktualisht kemi një sistem arsimor të mjeruar, me klasa të mbingopura, me fakultete që zhvillojnë mësim me turne, nga mëngjesi deri darkë, ku shpesh pedagogët nuk gjejnë dot klasë ku ti zhvillojnë orët, teksa mungojnë masivisht laboratorët, mundësitë për zhvillimin e praktikave mësimore, e madje mungojnë edhe tekstet e leksioneve, të cilat janë rëndom të pazhvilluara e papërditësuara me prurjet më të reja shkencore.

Mërtiri kritikon situatën në sistemin e arsimit të lartë privat. Sipas tij qeveria nuk po kontrollon cilësinë e ofertuesve privat, të cilët nuk zotërojnë infrastrukturën e duhur laboratorike për trajnimin dhe kualifikimin e studentëve.

Nga ana tjetër, universitetet private janë shndërruar tashmë në piramida që fabrikojnë diploma pa vlerë. Qeveria e mëparëshme ka bërë sikur ka ashpërsuar kriteret e licensimit dhe akreditimit të tyre, por e vërteta është se nuk ka mbetur kioskë që ofron aktivitet arsimor pa u licensuar e akredituar, madje edhe në degë shumë problematike, që kërkojnë kushte tepër rigoroze, si psh. mjekësia, ku minimalisht kërkohet një numër i caktuar shtretërish spitalorë në dispozicion për ushtrimin e praktikave mësimore. Shumë universitete të tillë janë akredituar ndërsa e zhvillojnë procesin mësimor thuajse krejtësisht me shënime, pa prekur kurrë as makete, as laboratorë, as aparatura e madje as të sëmurë me dorë. 
Sipas Mërtirit masivizimi i arsimit ka sjellë pasoja në cilësinë e studentëve.


Masivizimi i arsimit natyrisht që ka sjellë rënien drastike të nivelit të studentëve. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një sistem universitar, ku pjesa dërrmuese nuk ka asnjë lidhje me universitetin. Shumë pedagogë, sidomos në universitetet private, ndeshen çdo ditë me fenomene të pabesueshme, material i gjallë për prodhim barcaletash, në lidhje nivelin e studentëve të sotëm. Kemi studentë shkencash politike që nuk dinë të thonë emrin e as edhe një autori të vetëm politolog, ndërsa kemi studentë juridiku që nuk dinë se çdo të thotë gjykim kolegjial, apo që mendojnë se avokati nuk është jurist.

UPT-Intervistë


Bashkim Cela





 Intervistë me Përgjegjësin e Departamentit të Burimeve të     Energjisë, Universiteti Politeknik Prof. Dr. Bashkim Çelën.

   
Gazeta DITA, Entela Resuli, 15 Prill 2014




Profesor, cila është gjendja e studentëve të rinj në degën e inxhinierisë së naftës sot që flasim?

Ka dy momente: së pari, është sasia. Ne kemi arritur kulmin e numrit të studentëve në vitin 1988 me 1 100 studentë në të gjithë Fakultetin e Gjeologjisë, nga të cilët rreth 350 i kishte dega e naftës. Në vitin 1995 pësuam rënien më të ndjeshme, duke arritur minimumin historik si fakultet, ku në të gjitha degët regjistrohen gjithsej rreth 350 veta, aq sa kishte vetëm dega jonë në ’89 dhe po rrezikohej mbijetesa. Më vonë, zhvillimi shoqërorë bëri të vetën. Numri ka ardhur në rritje dhe kjo rritje ka qenë marramendëse këta tre-katër vitet e fundit. Ka qenë një rritje e diktuar, jo më shumë nga nevojat ekonomike, se sa nga shtytja e politikës. Sot fakulteti ka mbi 2200 veta të regjistruar. Vetëm në degën tonë (naftë) janë 300 studentë.

Kur shpreheni për shtytje politike, çfarë doni të thoni?

Dua të them se kuotat apo numri i të regjistruarve nuk është se erdhi si rrjedhojë e dëshirës së studentëve për t’u arsimuar dhe punuar në këtë fushë, po erdhi si rrjedhojë e një mundësie minimale, të fundit, që kishin studentët për të shkuar në shkollën e lartë. Këtu dua të them se cilësia e studentëve është e atyre që kanë pikët minimale në kuotat e maturës shtetërore.

Sa e dëmton kjo fakultetin?

Sigurisht që e dëmton shumë. Ne kemi studentë të mirë, të rrallë dhe studentë shumë të mirë, shumë shumë të rrallë. Njëherë në 7 vjet na shfaqet një student i mirë, të paktën në degën e naftës, për të cilën po flasim dhe kam njohuri.

Duke u nisur nga kjo që thoni ju, cila është e ardhmja e këtij fakulteti, sepse brezat e studentëve sjellin dhe profesorët që japin mësim?

Kemi të bëjmë me një të ardhme disi të paqartë. Sepse kontingjentet që prodhojmë nuk janë të asaj cilësie sa të futen në ciklin e riprodhimit e të shërbejnë si staf pedagogjik. Vështirë të gjesh të tillë këtu nga brenda. Nga ana tjetër, edhe nëse kemi studentë që dalin me rezultate të mira, ata preferojnë të largohen e të shkojnë të punojnë në kompanitë e huaja. Sot, njerëzit janë bërë pragmatistë, aq më tepër brezi i ri, mjafton të kujtojmë që, një i punësuar në këtë fakultet merr një pagë sa një e pesta e një specialisti që punon në privat. Kjo është nxitja më e madha që ata të shkojnë e të punojnë në industri. Ndërsa studentët që përfundojnë studimet në këtë fushë jashtë shtetit, nuk ekzistojnë. Së pari, në Evropë ka pak universitet që kanë degën e naftës. Në lindje, po, Rumania është vendi i cili ka një universitet të konsoliduar, Bullgaria po ashtu dhe Zagrebi. Ka edhe vende të tjera, por siç dihet, studimi jashtë vendit është më kosto të lartë dhe shteti nuk ka ndërmend të subvencionojë në këtë pikë. Në këto 20 vite kemi qenë të persekutuar për mbështetjen që na është dhënë. Kështu që nuk i kemi shpresat nga jashtë, ndërsa nga brenda janë shumë të vakëta.
 
Nga se vjen kjo gjendje profesor?

Një arsye është se kjo gjendje ka ardhur nga puna e mirë që ka bërë Fakulteti i Gjeologjisë, sepse me t’u hapur kufijtë e botës globale, studentët tanë arritën të shkonin e të punonin jashtë në punët më të mira në këtë fushë. Tashmë ne kemi ish-studentët tanë që janë të punësuar në kompanitë italiane, franceze, norvegjeze, në Kanada dhe Amerikë ka shumë. Studentët që janë diplomuar në fillim të viteve ‘90 kanë qenë studentë shumë të mirë që kanë arritur të fitojnë këto vende pune. Kështu që, me duart tona, krijuam një produkt që na e morën të tjerët. E ardhmja e fakultetit për sa i përket anës numerike nuk ka ndonjë problem, është e garantuar. Rigjallërimi i industrisë së naftës këto vitet e fundit ka bërë që të ketë preferenca dhe dyndje më shumë se më parë për të ardhur në këtë fakultet.

Nga se vjen kjo, e duan si degë, por nuk janë studentë me potencial të mirë intelektual?

Unë them se joshen për ato çka dëgjojnë për ata që punojnë në naftë dhe se si paguhen. Çfarë mund të them, kur një student i diplomuar këtu, fillon punë në kompanitë e naftës dhe merr një pagë sa marr unë si profesor që kam 30 vite eksperiencë. Ata shkojnë atje ku paguhet më shumë, pavarësisht nga kapaciteti që kanë.

 Sa diploma jepen në vit në degën e naftës?

Eksperienca e viteve të fundit tregon se shumica e studentëve nuk janë të aftë për t’u diplomuar këtu, kjo është arsyeja që rendimenti i diplomimit është shumë i ulët. Në degën e naftës ne japim mesatarisht 10 deri në 15 diploma në vit dhe këto në tre sezone mbrojtjesh diplomash dhe kjo për shkak të cilësisë së dobët.

Si ju duken këto shifra kur i krahasoni me kohën kur ju vetë ishit student?

Ndryshojnë si dita me natën. Më kujtohet që kam qenë në një kurs që e nisi vitin e parë me një regjistër ku numëroheshin 40 veta dhe u diplomuan 28 veta. Përsëri pati firo rrugës, por edhe të tjerët nuk mbetën pa u diplomuar. Ishin raste të rralla kur skarcoheshin që vitin e parë. Ndërsa tani hyjnë 115 veta dhe përfundojnë 15 shkollën. Por tregu i kërkon, ne kemi disa studentë në kursin e Masterit, nga 15 veta dhe 13 prej tyre kanë filluar punë pa e marrë diplomën ende.

 Profesor, flitet për naftën shumë, shpime gjithandej po dëgjojmë. Sipas jush a ka naftë nëntoka shqiptare?

Për shpime po dëgjoni, e do dëgjoni, por ka edhe gafa të tilla kur thuhet se filan vend noton në naftë. Nga eksperienca dhe komunikimi që kam pasur me kolegët e mi gjeologë në këto vite kam mësuar se, së pari, nuk ka qytet apo vend që noton në naftë dhe e dyta, në Shqipëri, vështirë të gjenden vendburime të reja. Periudha nga viti 1945 kur u rimëkëmb industria e naftës e deri në 1990 ka qenë një periudhë pune intensive në të gjitha drejtimet dhe fushat që përmban industria e naftës. Mjafton t’u them që nuk mbetur vend në Shqipëri pa u shpuar një pus. Kështu që, nëse do të kemi ndonjë gjë të re, do të kemi ose mbi thellësinë 5 mijë deri 6 mijë metra, ose në det, ku nuk jemi futur fara para ’90, sepse nuk kemi pasur as teknikën e as paratë. Se çfarë do të sjellë e ardhmja nuk e di, por po flas për ato çka janë konstatuar deri më tani.