Tuesday, April 15, 2014

Kritika-Ergys-Mërtiri





Ergzys Mërtiri, gazetar dhe pedagog, ka publikuar një kritikë mbi masivizimin e arsimit të lartë. Kritika e Mërtirit fokusohet në:

1. Pasojat e masivizimit të arsimit të lartë mbi cilësinë e studentëve dhe universitetet publike;
2. Pasojat e liberalizimit të arsimit të lartë në sektorin e arsimit privat, sidomos në lidhje me cilësinë e kualifikimit profesional dhe akademik në këto institucione;
3. Instrumentalizimin e arsimit të lartë për politika elektorale.

Kritika e Mërtirit argumentohet me mungesën e burimeve financiare dhe kufizimet infrastrukturore të universiteteve për të përthithur kërksën e lartë. Pamundësua për t’iu përgjigjur kërkesës ka sjellë probleme me cilësinë e mësimdhënies dhe kualifikimin akademik të studentëve.

Shteti si dhe vetë shoqëria shqiptare nuk ka në dispozicion as kuadro të mjaftueshëm pedagogjikë, as hapësira fizike për zhvillimin e orëve mësimore, as kurrikulat e duhura e as një sistem efikas për një masivizim të tillë. Aktualisht kemi një sistem arsimor të mjeruar, me klasa të mbingopura, me fakultete që zhvillojnë mësim me turne, nga mëngjesi deri darkë, ku shpesh pedagogët nuk gjejnë dot klasë ku ti zhvillojnë orët, teksa mungojnë masivisht laboratorët, mundësitë për zhvillimin e praktikave mësimore, e madje mungojnë edhe tekstet e leksioneve, të cilat janë rëndom të pazhvilluara e papërditësuara me prurjet më të reja shkencore.

Mërtiri kritikon situatën në sistemin e arsimit të lartë privat. Sipas tij qeveria nuk po kontrollon cilësinë e ofertuesve privat, të cilët nuk zotërojnë infrastrukturën e duhur laboratorike për trajnimin dhe kualifikimin e studentëve.

Nga ana tjetër, universitetet private janë shndërruar tashmë në piramida që fabrikojnë diploma pa vlerë. Qeveria e mëparëshme ka bërë sikur ka ashpërsuar kriteret e licensimit dhe akreditimit të tyre, por e vërteta është se nuk ka mbetur kioskë që ofron aktivitet arsimor pa u licensuar e akredituar, madje edhe në degë shumë problematike, që kërkojnë kushte tepër rigoroze, si psh. mjekësia, ku minimalisht kërkohet një numër i caktuar shtretërish spitalorë në dispozicion për ushtrimin e praktikave mësimore. Shumë universitete të tillë janë akredituar ndërsa e zhvillojnë procesin mësimor thuajse krejtësisht me shënime, pa prekur kurrë as makete, as laboratorë, as aparatura e madje as të sëmurë me dorë. 
Sipas Mërtirit masivizimi i arsimit ka sjellë pasoja në cilësinë e studentëve.


Masivizimi i arsimit natyrisht që ka sjellë rënien drastike të nivelit të studentëve. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një sistem universitar, ku pjesa dërrmuese nuk ka asnjë lidhje me universitetin. Shumë pedagogë, sidomos në universitetet private, ndeshen çdo ditë me fenomene të pabesueshme, material i gjallë për prodhim barcaletash, në lidhje nivelin e studentëve të sotëm. Kemi studentë shkencash politike që nuk dinë të thonë emrin e as edhe një autori të vetëm politolog, ndërsa kemi studentë juridiku që nuk dinë se çdo të thotë gjykim kolegjial, apo që mendojnë se avokati nuk është jurist.

UPT-Intervistë


Bashkim Cela





 Intervistë me Përgjegjësin e Departamentit të Burimeve të     Energjisë, Universiteti Politeknik Prof. Dr. Bashkim Çelën.

   
Gazeta DITA, Entela Resuli, 15 Prill 2014




Profesor, cila është gjendja e studentëve të rinj në degën e inxhinierisë së naftës sot që flasim?

Ka dy momente: së pari, është sasia. Ne kemi arritur kulmin e numrit të studentëve në vitin 1988 me 1 100 studentë në të gjithë Fakultetin e Gjeologjisë, nga të cilët rreth 350 i kishte dega e naftës. Në vitin 1995 pësuam rënien më të ndjeshme, duke arritur minimumin historik si fakultet, ku në të gjitha degët regjistrohen gjithsej rreth 350 veta, aq sa kishte vetëm dega jonë në ’89 dhe po rrezikohej mbijetesa. Më vonë, zhvillimi shoqërorë bëri të vetën. Numri ka ardhur në rritje dhe kjo rritje ka qenë marramendëse këta tre-katër vitet e fundit. Ka qenë një rritje e diktuar, jo më shumë nga nevojat ekonomike, se sa nga shtytja e politikës. Sot fakulteti ka mbi 2200 veta të regjistruar. Vetëm në degën tonë (naftë) janë 300 studentë.

Kur shpreheni për shtytje politike, çfarë doni të thoni?

Dua të them se kuotat apo numri i të regjistruarve nuk është se erdhi si rrjedhojë e dëshirës së studentëve për t’u arsimuar dhe punuar në këtë fushë, po erdhi si rrjedhojë e një mundësie minimale, të fundit, që kishin studentët për të shkuar në shkollën e lartë. Këtu dua të them se cilësia e studentëve është e atyre që kanë pikët minimale në kuotat e maturës shtetërore.

Sa e dëmton kjo fakultetin?

Sigurisht që e dëmton shumë. Ne kemi studentë të mirë, të rrallë dhe studentë shumë të mirë, shumë shumë të rrallë. Njëherë në 7 vjet na shfaqet një student i mirë, të paktën në degën e naftës, për të cilën po flasim dhe kam njohuri.

Duke u nisur nga kjo që thoni ju, cila është e ardhmja e këtij fakulteti, sepse brezat e studentëve sjellin dhe profesorët që japin mësim?

Kemi të bëjmë me një të ardhme disi të paqartë. Sepse kontingjentet që prodhojmë nuk janë të asaj cilësie sa të futen në ciklin e riprodhimit e të shërbejnë si staf pedagogjik. Vështirë të gjesh të tillë këtu nga brenda. Nga ana tjetër, edhe nëse kemi studentë që dalin me rezultate të mira, ata preferojnë të largohen e të shkojnë të punojnë në kompanitë e huaja. Sot, njerëzit janë bërë pragmatistë, aq më tepër brezi i ri, mjafton të kujtojmë që, një i punësuar në këtë fakultet merr një pagë sa një e pesta e një specialisti që punon në privat. Kjo është nxitja më e madha që ata të shkojnë e të punojnë në industri. Ndërsa studentët që përfundojnë studimet në këtë fushë jashtë shtetit, nuk ekzistojnë. Së pari, në Evropë ka pak universitet që kanë degën e naftës. Në lindje, po, Rumania është vendi i cili ka një universitet të konsoliduar, Bullgaria po ashtu dhe Zagrebi. Ka edhe vende të tjera, por siç dihet, studimi jashtë vendit është më kosto të lartë dhe shteti nuk ka ndërmend të subvencionojë në këtë pikë. Në këto 20 vite kemi qenë të persekutuar për mbështetjen që na është dhënë. Kështu që nuk i kemi shpresat nga jashtë, ndërsa nga brenda janë shumë të vakëta.
 
Nga se vjen kjo gjendje profesor?

Një arsye është se kjo gjendje ka ardhur nga puna e mirë që ka bërë Fakulteti i Gjeologjisë, sepse me t’u hapur kufijtë e botës globale, studentët tanë arritën të shkonin e të punonin jashtë në punët më të mira në këtë fushë. Tashmë ne kemi ish-studentët tanë që janë të punësuar në kompanitë italiane, franceze, norvegjeze, në Kanada dhe Amerikë ka shumë. Studentët që janë diplomuar në fillim të viteve ‘90 kanë qenë studentë shumë të mirë që kanë arritur të fitojnë këto vende pune. Kështu që, me duart tona, krijuam një produkt që na e morën të tjerët. E ardhmja e fakultetit për sa i përket anës numerike nuk ka ndonjë problem, është e garantuar. Rigjallërimi i industrisë së naftës këto vitet e fundit ka bërë që të ketë preferenca dhe dyndje më shumë se më parë për të ardhur në këtë fakultet.

Nga se vjen kjo, e duan si degë, por nuk janë studentë me potencial të mirë intelektual?

Unë them se joshen për ato çka dëgjojnë për ata që punojnë në naftë dhe se si paguhen. Çfarë mund të them, kur një student i diplomuar këtu, fillon punë në kompanitë e naftës dhe merr një pagë sa marr unë si profesor që kam 30 vite eksperiencë. Ata shkojnë atje ku paguhet më shumë, pavarësisht nga kapaciteti që kanë.

 Sa diploma jepen në vit në degën e naftës?

Eksperienca e viteve të fundit tregon se shumica e studentëve nuk janë të aftë për t’u diplomuar këtu, kjo është arsyeja që rendimenti i diplomimit është shumë i ulët. Në degën e naftës ne japim mesatarisht 10 deri në 15 diploma në vit dhe këto në tre sezone mbrojtjesh diplomash dhe kjo për shkak të cilësisë së dobët.

Si ju duken këto shifra kur i krahasoni me kohën kur ju vetë ishit student?

Ndryshojnë si dita me natën. Më kujtohet që kam qenë në një kurs që e nisi vitin e parë me një regjistër ku numëroheshin 40 veta dhe u diplomuan 28 veta. Përsëri pati firo rrugës, por edhe të tjerët nuk mbetën pa u diplomuar. Ishin raste të rralla kur skarcoheshin që vitin e parë. Ndërsa tani hyjnë 115 veta dhe përfundojnë 15 shkollën. Por tregu i kërkon, ne kemi disa studentë në kursin e Masterit, nga 15 veta dhe 13 prej tyre kanë filluar punë pa e marrë diplomën ende.

 Profesor, flitet për naftën shumë, shpime gjithandej po dëgjojmë. Sipas jush a ka naftë nëntoka shqiptare?

Për shpime po dëgjoni, e do dëgjoni, por ka edhe gafa të tilla kur thuhet se filan vend noton në naftë. Nga eksperienca dhe komunikimi që kam pasur me kolegët e mi gjeologë në këto vite kam mësuar se, së pari, nuk ka qytet apo vend që noton në naftë dhe e dyta, në Shqipëri, vështirë të gjenden vendburime të reja. Periudha nga viti 1945 kur u rimëkëmb industria e naftës e deri në 1990 ka qenë një periudhë pune intensive në të gjitha drejtimet dhe fushat që përmban industria e naftës. Mjafton t’u them që nuk mbetur vend në Shqipëri pa u shpuar një pus. Kështu që, nëse do të kemi ndonjë gjë të re, do të kemi ose mbi thellësinë 5 mijë deri 6 mijë metra, ose në det, ku nuk jemi futur fara para ’90, sepse nuk kemi pasur as teknikën e as paratë. Se çfarë do të sjellë e ardhmja nuk e di, por po flas për ato çka janë konstatuar deri më tani.

Reagime-UT-reforma-Tafaj

reforma

Kritikat ndaj reformës së shpallur nga ministri Tafaj erdhën kryesisht nga eksponentë të administratës qendrore në universitetet publike. Reforma u përkrah heshtazi nga arsimi privat me shpresën se ajo do të sillte konkurrëncën e munguar. Ndërsa kundërshtuesi kryesor ishte rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Fillimisht reforma ishte perceptuar si e nevojshme. Madje Rektori i UT-se, i kishte drejtuar një letër të hapur kryeministrit në 19 Nëntor 2009, fill pas zgjedhjeve, për reformën në arsimin e lartë, të botuar në Gazetën Shekulli, me temë “Një apel publik për arsimin e lartë”. Në këtë letër ndër të tjera Dhori bën thirrje për standarde të reja (edhe përse pas standardeve refuzoi të akreditohej); bën thirrje për renditjen e universiteteve (rankimin, edhe përse më pas refuzon të marrë pjesë), futjen e mekanizmave të tregut në sistemin e arsimit të lartë dhe trajtimin e barabarte ndërmjet arsimit privat dhe publik, etj.


Apel publik për arsimin e lartë u hartua nga Dhori Kule, Agim Kukeli (ish-rektori i Universitetit të Durrësit, më pas eksponent kryesor i reformës, dhe Ardian Civici, pjesëmarrës në grupin e punës së reformës, por i heshtur).
I. Domosdoshmëria e modernizimit dhe reformimit të sistemit të arsimit universitar në ShqipëriSistemi universitar shqiptar po përballet aktualisht me sfida të shumta. Përballë tij qëndrojnë objektiva dhe detyrime jetike për vetë të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ky sistem duhet të jetë në gjendje të absorbojë kërkesat masive gjithnjë e në rritje për të ndjekur universitetin; duhet të përballojë sfidën e modernizimit dhe përmirësimit cilësor; duhet të gjejë ekuilibrin e nevojshëm dhe vendosur barazinë e reciprocitetin ndërmjet sistemit universitar publik e atij jopublik; duhet të gjejë rrugë e mundësi të reja për të gjeneruar e tërhequr financimet e domosdoshme; duhet të jetë i hapur dhe në dispozicion të një vlerësimi ndërkombëtar e sipas kritereve ndërkombëtare për cilësinë e ofertës së tij; duhet të jetë sa më atraktiv për burimet njerëzore cilësore e të motivuara në sferën akademike; duhet të ketë një shkallë sa më të lartë të autonomisë së funksionimit dhe drejtimit në të gjitha sferat e aktivitetit të tij; duhet të mbyllë ciklin e zbatimit të "Kartës së Bolonjës" dhe të jetë sa më i integruar me gjithë sistemin universitar evropian e atë ndërkombëtar, etj.

A. STANDARDE TË CILËSISË SË UNIVERSITEVE DHE RENDITJE E DIPLOMAVE:Është jetike dhe urgjente të kryhet një proces i vlerësimit të jashtëm, ose ai që njihet ndryshe si "RENDITJE - RANKING". … Ky proces duhet të jetë i besueshëm, i paanshëm, i realizuar nëpërmjet një agjencie apo institucioni të specializuar ndërkombëtar, me qëllim vlerësimin dhe klasifikimin e të gjithë universiteteve shqiptare publike dhe jopublike, në përputhje me kritere e standarde sa më afër atyre më cilësore ndërkombëtare. E gjithë kjo do ta bënte më të qartë vlerën dhe cilësinë e çdo universiteti dhe diplome në
Shqipëri, do t'i orientonte më drejt studentët dhe prindërit në përzgjedhjen e tyre, do t'i jepte më shumë mundësi tregut të punës në seleksionimet e tij; do të orientonte më mirë politikat publike për zhvillimin e arsimit të lartë; do t'i jepte më shumë mundësi alokimit cilësor të investimeve e projekteve të zhvillimit në drejtim të universiteteve; do të diferenconte më qartë vlerën dhe përmbajtjen e çdo diplome universitare në Shqipëri. … Kjo transparencë dhe ky vlerësim do ta garantonte shpejt shoqërinë mbi atë se çfarë po ndodh në sistemin tonë universitar, pas këtij zgjerimi të shpejtë në sasi dhe shtimit të numrit të universiteteve dhe shkollave të larta.
B. AUTONOMI REALE DHE VETËMENAXHIM PËR UNIVERSITETIN PUBLIK:Universiteti publik, stafet akademike kanë nevojë për autonomi reale dhe substanciale, kanë nevojë për hapësira vetëmenaxhimi për të motivuar stafet, për të çliruar energjitë dhe potencialet e pedagogëve dhe studentëve. .. Niveli i autonomisë financiare është ende shumë larg, ndaj ka nevojë urgjente që universitetet publike të menaxhohen përmes mekanizmash bashkëkohorë, duke i dhënë hapësirën më të madhe të mundshme dhe lirinë stafeve akademike dhe drejtuese të universitetit publik, në mënyrë që këta të përcaktojnë vetë kuotat, tarifat, investimet për kërkimin shkencor, duke futur sa më shumë të ishte e mundur në universitetet publike mekanizmat e tregut, të cilat e kanë provuar epërsinë e tyre në të gjithë sektorët dhe po ashtu në sistemet universitare më të avancuara në botë.
C. KRIJIMI I KUSHTEVE TË BARABARTA PËR KONKURENCË PËR UNIVERSITETET PRIVATE:Vendosja në kushte të barabarta e të gjithë universiteteve shqiptare, qofshin këto publike ose jopublike, në raport me të gjitha standardet cilësore dhe kërkesat e legjislacionit shqiptar që mbulon fushën përkatëse dhe në mënyrë të veçantë, trajtimi e vlerësimi i të gjithë universiteteve si "të mira publike" me interes të lartë kombëtar, pa i diferencuar ato thjesht nga forma e pronësisë apo financimit. … Të gjithë universitetet, publike dhe jopublike, duhet të jenë në kushte të barabarta për të fituar studentin, pa u diskriminuar, si ka ndodhur deri tani, duke filluar nga elementi "çmim i studimeve". .. Ky mekanizëm konkurrues do ta bëjë universitetin shqiptar në tërësi që të rrisë shpejt cilësinë dhe të reagojë shumë më shpejt ndaj kërkesave të tregut. Heqja e TVSH-së në arsimin jopublik; pjesëmarrja publike në projekte e financime në përputhje me strategjinë dhe objektivat e integrimit dhe zhvillimit të vendit edhe në sektorin universitar jopublik; rritja e autonomisë vendimmarrëse financiare të universiteteve publike dhe krijimi i çdo hapësire të mundshme ligjore për sigurimin e të ardhurave suplementare dhe tërheqjen e financimeve të ndryshme nga ana e tyre, etj.  .. Kjo kërkon nga universitetet private ushtrimin e përgjegjësive shoqërore, si dhënia e bursave, mbështetja e kërkimit shkencor dhe në këtë drejtim mund të inkurajohet shndërrimi i këtyre institucioneve drejt formave juridike "jofitimprurëse", si një nga mënyrat më të mira për të realizuar funksionin publik të këtyre institucioneve.
D. RIKONCEPTIM THELBËSOR I MËNYRËS SË FINANCIMIT TË ARSIMIT TË LARTË DHE ROLIT TË SHTETIT:Jo thjesht duhet të rritet investimi publik në arsim, por duhet të ndryshojë mënyra e shpenzimit të parave publike në sistemin e arsimit të lartë. … Rikonceptim dhe reformim thelbësor i mënyrës dhe logjikës së financimit të universiteteve, duke kaluar nga koncepti dhe praktikat e financimit plotësisht dhe vetëm të ofertës (d.m.th., universiteteve publike), në konceptet dhe praktikat e financimit dhe të kërkesës, pra studentëve, pa dallim nëse ata janë përdorues të shërbimit publik apo jopublik të arsimit të lartë. .. Do të jenë studentët ata që duke zgjedhur fakultetet dhe universitetet, do të bëhen faktorë nxitës e seleksionues për rritjen e cilësisë dhe standardeve të ofertës universitare. … Vendosja e një "çmimi" të drejtë dhe të arsyeshëm për studimet e larta universitare, në mënyrë që të shtohet sensi i përgjegjësisë individuale, familjare e kolektive ndaj arsimit të lartë universitar; në mënyrë që nga të gjithë, formimi universitar të konceptohet e pranohet si një investim cilësor në rritjen e aftësive profesionale dhe futje më e shpejtë e më cilësore në tregun e punës.
II. ADRESIMI I ELEMENTEVE SPECIFIKE TË ARSIMIT TË LARTË:Shoqëria, përmes qeverisë, duhet të vijojë të mbajë shumë përgjegjësi në arsimin e lartë, në funksion të elementëve specifike që ka ky sektor, si aksesi në arsimin e lartë i shtresave sociale, ruajtja - profilizimi- konsolidimi i universiteteve rajonale si faktorë të zhvillimit rajonal, mbështetja publike për degë me rëndësi strategjike apo degëve dhe profesioneve që kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit, por që nuk janë fort të preferuara për studentët. … Ndaj, ka nevojë për rikonceptim të rolit dhe mbështetjes publike ndaj universiteteve, duke i dhënë prioritet mbështetjes me bursa, apo financime të llojeve të tjera, të studentëve të ekselencës dhe përgjithësisht ata me rezultate shumë të mira; studentëve me nevoja të evidentueshme sociale; studentë që vijnë nga grupe sociale të margjinalizuara; studentëve që ndjekin degë e specializime me interes kolektiv; studentëve që zgjedhin degë të domosdoshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik e social të vendit, por që nuk janë të privilegjuara nga tregu për momentin; studentë me talente të veçanta, etj. .. Mbështetje të veçantë publike të duhet të kenë edhe ato departamente e fakultete që janë lider në adoptimin e inovacioneve akademike e shkencore, që përhapin teknikat dhe teknologjitë e reja në të gjitha fushat; që janë të lidhura e kanë ndikim të dukshëm në zhvillimin e biznesit, prodhimin e dijeve të reja bashkëkohore, që konsiderohen degë strategjike e me rëndësi kombëtare, etj.
Në këtë kuadër, duhet të studiohet mundësia që universitetet rajonale të orientohen e specializohen më mirë, në funksion të kërkesave rajonale, duke krijuar pole specifike kompetencash në fushat më me interes të rajoneve ku ato janë vendosur apo do të vendosen në të ardhmen. (Shekulli, 19 Nëntor, 2009).

Universiteti i Tiranës – Rektori Dhori Kule nuk humbi asnjë cast të kundërshtojë reformën edhe përse pak e kishte kuptuar atë. Takimet e konsulentëve të huaj me të nuk arritën ta bindin atë të merrte pjesë aktive në hartimin e planit të reformës.
Në gazetën Start u botuan disa prej kritikave të tij “Universiteti Publik kundër skemës së financimit të MASH” (5 Tetor 2011).
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, thekson se arsimi i lartë në Shqipëri ka të nevojshme ndërmarrjen e reformave që prekin funksione të ndryshme të tij, veçanërisht skema e financimit. Në kërkesën drejtuar kreut të MASH, Myqerem Tafaj, parashtrohen 11 kërkesa në formë pyetjeje për sqarim të projektit në fjalë.
1. Materiali për Reformën Financiare në Arsimin e Lartë është dërguar si një material i pashoqëruar me informacion shtesë për identifikimin e autorëve të tij. Për të bërë një vlerësim më të mirë të tij, për të kuptuar më mirë idetë dhe sugjerimet e tij duhet të shoqërohet edhe me përbërjen e grupit të punës që ka përgatitur këtë draft, CV-të e tyre për të parë edhe eksperiencën e anëtarëve të këtij grupi.
Kjo është shumë e rëndësishme në rastin e një dokumenti kaq të rëndësishëm, për të kuptuar besueshmërinë e rrugës që propozohet për reformën e pretenduar të financimit të arsimit të lartë.
2. Në draft përmendet prezenca e konsulencës së huaj. A mund të bëhet publik një shkrim  apo opinioni i tyre ne lidhje me materialin për strategjinë e Financimit? Mendimi vlerësues dhe oponenca e konsulentëve të huaj do të ishte me vlerë për të kuptuar më mirë idetë dhe për të sqaruar mbase edhe shumë gjëra të paqarta në material.
3. Në material nuk gjendet ndonjë vlerësim i situatës aktuale të arsimit në Shqipëri në lidhje me financimin. Prandaj shtrohet pyetja: A është bërë ndonjë studim i kushteve aktuale të skemës së financimit të universiteteve, dhe cilat kanë qënë rezultatet e kësaj analize? A mbështesin këto rezultate konkluzionin e ndryshimit të skemës së financimit dhe vendosjen e kësaj skeme të re të propozuar në këtë material dhe pikërisht në këtë periudhë? Në gjykimin tonë ështe shumë e rëndësishme kryerja e një vlerësimi dhe studimi të tillë, është thelbësore për këtë reformë që kërkohet të bëhet.
4. A mendohet se në nivelin aktual kulturor, menaxherial dhe social në Shqipëri kjo skemë që propozohet do të ketë sukses dhe ku bazohet konkluzioni? Pra, a është bërë një studim i nivelit menaxherial, kulturor, dhe social aktual në Shqipëri për të përcaktuar nëse e suporton këtë reformë dhe periudhën se kur mund ta suportojë?
5. Në draft përmenden se janë marrë mendimet edhe të aktorëve lokalë të interesuar. Cilët janë aktorët e përfshirë në dhënien e këtyre mendimeve? A ka patur mendime të kundërta dhe cilat janë argumentet e hedhjes poshtë të këtyre mendimeve të kundërta?
6. A është bazuar studimi i paraqitur në eksperiencën e ndonjë vendi? A është ky vend europian apo ndonjë tjetër? Nëse po, a është bërë në atë vend një analizë e rezultateve të  kësaj skeme, anëve pozitive dhe negative dhe a janë marrë parasysh këto rezultate në draftin e paraqitur? A janë marrë parasysh në këtë skemë politika e deri tanishme në zhvillimin e arsimit të lartë? A është marrë parasysh synimi për tu integruar në BE dhe Karta e Bolonjës?
7. Modeli i zgjedhur në këtë material për financimin e IAL është ai që ndjek "studentin". Cilat janë modelet e tjera me të cilat grupi hartues i materialit është konsultuar dhe përse u zgjodh pikërisht ky model (a ishte më i suksesshmi; ai ishte më i përshtatshmi për kushtet e vendit tonë; a është më i mundshmi për tu zbatuar aktualisht? Pra cilat janë argumentet pro dhe kundër të përdorura nga hartuesit e këtij materiali të zgjedhjes së këtij modeli?
8. Në draft paraqitet se skema e re e financimit të Universiteteve bazohet në performancën e tyre, por në fakt kjo performancë në këtë material zhvillohet vetëm në bazë të numrit të studentëve dhe jo në treguesit e tjerë cilësorë të kësaj performance. A është e saktë të bazohet vetëm në performancën sasiore? Po performanca cilësore, cilësia e stafit, cilësia e studentëve dhe cilësia e kërkimit shkencor duhet të përfshihen nëse skema është bazuar tek performanca?
9. A është kjo skemë e njëjtë me sistemin Voucher të finacimit pa dallim institucioni publik apo privat?
10. Në material flitet mbi Fondin e Zhvillimit Strategjik, për të ndihmuar universitetet në zhvillimin e proçesit të ri të qeverisjes dhe të menaxhimit të tyre. Si do të përcaktohet shuma e grantit për çdo universitet?
11. Në material flitet për operimin e universiteteve private si një organizate jofitimprurëse. Edhe në këtë çështje lindin një sërë pikëpyetjesh të tipit: sa e kontrollueshme është nga ana e shtetit që këto universitete kanë këtë status, pra të organizatës jofitimprurëse? Si do të ishte ky kontroll kur praktika aktuale e pranuar nga vetë ky material ka treguar se deri tani shteti nuk ka arritur të bëje kontrollin dhe monitorimin e universiteteve private?
Pyetje Teknike rreth Skemës së Financimit1. Cilësia e studentit, “Performanca në Maturën Shtetërore”, a do të jetë kriter nëse institucioni ku studenti do të studiojë, do të përfitojë nga skema e re e financimit?
2. Cila do të jetë metodologjia që do të përdoret për të përcaktuar koston e studentëve për çdo Universitet Publik?
3. Në skemën e re të Financimit, parashikohet që Universitetet Publike nuk mund të rekrutojnë studentë mbi kuotën e përcaktuar nga Ministria e Arsimit për të cilët do të merret financimi nga skema e re, ndërsa Universitetet Private mund të regjistrojnë studentë mbi kuotat e përcaktuara nga Ministria pa limit. A nuk vë kjo në pikëpyetje vetë filozofinë që kjo skemë kërkon të promovojë, “Barazi midis institucioneve të Arsimit të Lartë dhe konkurencë të drejtë” ?
4. Në material përmendet se Universitetet Publike mund të rekrutojnë deri në 10% shtesë të studentëve me kosto të plotë mbi kuotat e përcaktuara për secilën degë.  Ky kufi prej 10% do të përfshijë të gjithë studentët Part- Time. Ky numër në bazë të kësaj skeme, është disa herë më i vogël se numri aktual i studentëve që regjistrohen në Universitetet Publike. Kjo formulë, a nuk vë në pikëpyetje funksionimin e sistemit Part-Time për shkak të numrit të kufizuar të studentëve që mund të regjistrohen në Universitetet Publike? Universiteteve Private i krijohet mundësia e lirë për të rekrutuar studentë të sistemit Part- Time pa limit. A nuk është kjo përsëri shkelje e parimit të barazisë ku bazohet filozofia e skemës së re të Financimit?
5. Në skemën e re të propozuar dhe me kufizimet që kjo i sjell Universiteteve Publike, a ka parashikuar ministria se cili do të jetë efekti  mbi të ardhurat dytësore të Universiteteve Publike nga kjo skemë?
6. Në draft paraqitet fakti që edhe Institucionet jo publike nëse do të kenë statusin e institucionit jo-fitimprurës, do të trajtohen në financim njëlloj si edhe universitetet publike. Por nuk tregohet se si do të jetë ky status, bazuar në cilin ligj do të ndërtohet ky status? Po ashtu se si do te mbrohen universitetet publike nga konkurrenca e universiteteve OJF me ndihmë publike, kur dihet se duke qënë se do të kenë edhe studente me kuota të larta - do të kenë mundësi t’u ofrojnë stafit pedagogjik paga shumë më të larta se atij në universitete publike? A parashikohet në reforme rritja e pagave në sektorin e universiteteve publike? Cilat do të ishin mekanizmat që do të sigurojnë  kontrollin dhe monitorimin e këtyre universiteteve OJF me financim publik?
7. Materiali parashikon që shumë nga hapat e tij të fillojnë në vitin 2012 dhe të përfundojë e gjithë reforma në vitin 2013. Mos është shumë i shpejtuar ky afat kur ende nuk janë bërë studimet dhe vlerësimet e efekteve të reformës me të fundit në arsim. Mos po ecet me shumë nxitim? Arsimi i lartë ka patur një reformë të shpallur nga MASH para pak vitesh, dhe ende nuk ka një studim dhe vlerësim të kësaj reforme në lidhje me efektet, anët pozitive dhe negative të saj. Mos kjo shpejtësi e çorodit reformën në Arsimin e Lartë dhe palët e interesuara nuk arrijnë të vendosin një rregullim kur u kërkohet të bëhet një tjetër? Ne do të sillnim një eksperiencë në fushën e rregullimeve të kontabilitetit. P.sh: Kur bëhet një rregullim apo një standard i ri ndërkombëtar i Kontabilitetit kërkohet që të ndiqet një proçes i detyrueshëm (due process)  i cili zgjat të paktën 18 muaj, gjatë të cilit hidhen në diskutim projekt-idetë, mblidhen komentet, përpunohen, hidhen përsëri idetë në diskutim, grumbullohen komente, përpunohen dhe hartohet një draft standard, grumbullohen komentet, përpunohen përsëri dhe hidhet për diskutim dhe vetëm pas grumbullimit të ideve bëhet dhe hartimi i standardit përfundimtar. Po ashtu parashikohet që standardi i ri hyn në fuqi zakonisht jo më parë se 2 vjet nga data e daljes së standardit të ri. Dhe kjo bëhet që zbatuesit të njohin fillimisht standardin dhe pastaj ta zbatojnë atë me sukses.
8. A mos është shpejtë fillimi i kësaj reforme kur ende nuk janë hartuar dhe kur duhet kohë që të hartohen një sërë proçedurash rigoroze dhe shumë të rëndësishme në lidhje me administrimin dhe kontrollin e dhënies dhe përdorimit të fondeve universiteteve? Për më tepër këto proçedura duhet edhe të diskutohen me palët e interesuara dhe specialistët përkatës?
9. Përmendet që metoda e re e financimit të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2012, mbi cilat kritere do fillojë aplikimi i kësaj skeme për Universitetet Private ndërkohë që në material pranohet që proçesi i akreditimit nuk ka qënë rigoroz dhe strikt dhe se Universitetet Private kanë funksionuar mbi baza ligjore jo të qarta dhe të kuptueshme?
10. Në material përmendet që pjesë e buxhetit total për skemën e re të Financimit do të jetë: Fondi për zhvillimin strategjik, Fondi për kërkim dhe zhvillim akademik, Fondi për koston e Bursave dhe Fondi për skemën e huasë studentore. A mund të na jepni disa të dhëna të qarta se sa përqind (%) e buxhetit do t’i dedikohet këtyre zërave?
11. Për të patur një panoramë më të qartë të kapaciteteve financiare që ka Ministria e Arsimit dhe të atyre që kanë Universitetet Publike, është e domosdoshme që MASH të publikojë një analizë sasiore të skemës së re të propozuar. Gjithashtu të paraqiten skenarët optimistë dhe pesimistë të implementimit të kësaj skeme. (Start, 5 Tetor, 2011)

Reforma-Tafaj

Reforma-Civici



Komisioni i reformës përbëhet nga: (1) Arjan Gjonça – LSE, UK; (2) Adrian Civici – UET; (3) Ervin Demo – Zv.Rektor, Universiteti i Tiranës; (4) Besnik Aliaj – Pronar i Universiteti Polis; (5) Myftar Barbullushi – Universiteti i Mjeksisë; (6) Aleksandër Xhuvani – Universiteti Politeknik; (7) Elida Rapti – Psikologe, Shoqëria Civile; (8) Anila Paparisto – Universiteti i Tiranës; (9)  Artan Hoxha – Shkolla e Lartë “Tirana Business University”; (10) Edit Dibra, Zyra e Tempus, Shqipëri.

Një nga anëtarët e Komisionit, Prof. Civici, ka botuar në gazetën Mapo (15 Shkurt, 2014) përfytyrimin e tij mbi reformën, e cila bie ndesh me atë të kryeiministrit, sepse duket sikur të jetë vazhdimësi e asaj që u nis e madje më tej (rritje e tarifave të studimit si një formë e ndarjes së kostove-cost sharing, inkurajimi i sektorit jofitimprurës, rritje e autonomisë deri në privatizimin e pjesshëm të institucioneve publike etj.).
Universitetet, përtej misionit të tyre tradicional të prodhimit të dijeve dhe transmetimit të njohurive, po kthehen çdo ditë e më tepër në «aktorë influentë të ekonomisë dhe evolucioneve sociale». Shekulli XXI po i përball ato me një sërë sfidash të rëndësishme të tilla si: a) përballimi i presionit të masivizimit; b) plotësimi i financimeve dhe parave të domosdoshme për zhvillim; c) garantimi i cilësisë dhe standardeve; d) roli i ri i universiteteve në shoqëritë kapitaliste. Edhe diskutimet dhe debatet për një reformë thelbësore në arsimin e lartë shqiptar janë tashmë në fokus të gjithë shoqërisë shqiptare, politikës dhe ekspertëve akademikë. Çdo kontribut në këtë reformim të diktuar nga gjendja aktuale e universiteteve tona, por mbi të gjitha, të diktuar dhe nga shembujt më eficent të formave të organizimit, menaxhimit e financimit në shumë vende të zhvilluara e universitete prestigjioze të botës, do të ishte me interes maksimal për ne.
Bëhet fjalë për një reformë që mbi të gjitha e përpara gjithçkaje duhet të na garantojë një standard tjetër shumë më cilësor të diplomave tona, një standard që afron dijen me tregun dhe i jep fund diplomave masive pa vlerë, e shpesh tërësisht të pavërteta, një standard që garanton meritën, që siguron konkurrencën e lirë e të drejtë brenda sistemit arsimor, dhe së fundi, që na jep një mënyrë financimi që garanton plotësimin e nevojave të universiteteve si dhe autonominë financiare e administrative të tyre. Sipas Nicholas Barr, të London School of Economics, “imperativi moral i të drejtës së të gjithëve për arsim nuk duhet kushtëzuar nga instrumenti, që është çmimi i universitetit, por nga rezultati, që është cilësia e studentëve……me një sistem universitar në ekspansion të madh dhe me kufizime buxhetore po kaq të mëdha, cilësia e universiteteve do të vihet në dyshim n.q.s. ajo mbështetet vetëm te subvencionet shtetërore……por këtu ka edhe një padrejtësi tjetër, sepse duke insistuar vetëm në fondet publike që burojnë nga taksat, ne detyrojmë të paguajnë për shkollimin universitar mjaft prindër e familje që nuk do kenë kurrë dikë në universitet…dhe kjo është e pa drejtë po të kemi parasysh se, formimi universitar, është mbi të gjitha një investim profesional, që të krijon një status të privilegjuar në jetë ”.
Koncepti bazë apo platforma kryesore për nisjen e kësaj reforme mendoj se duhet të jetë kalimi nga një sistem arsimi të lartë të ndarë me thikë në dy pjesë : (1) sistem shtetëror të financuar pothuajse totalisht nga shteti dhe një pjesë të vogël modeste nga pagesat e studentëve në kuadrin e atyre që cilësohen si të ardhura dytësore, që zë gati 80% të numrit total të studentëve shqiptarë; dhe, (2) sistem privat të financuar 100% nga pagesat e studentëve….drejt një sistemi ku arsimi i lartë konsiderohet si “sektor dhe shërbim publik” dhe financohet në mënyrë të përbashkët nga shteti/buxheti, studentët, pushteti lokal, biznesi, donacione të ndryshme, të ardhura të tjera nga shërbimet e universiteteve, projekte kombëtare e ndërkombëtare, etj.
Financimi i Universiteteve dhe i arsimit të lartë është kthyer tashmë në një problem dhe debat mbarëbotëror: si duhet t’i financojmë arsimi i lartë objektivat dhe sfidat e tij në raport me mundësitë e kufizuara që të ofron konceptimi i tij tradicional vetëm si shërbim shtetëror? Duke parë strukturën dhe burimet e financimit të Universiteteve në BE, SHBA, Japoni, Australi, Kanada, etj., evidentohet fakti se financimet nga buxheti i shtetit variojnë rreth 25 -55%, nga pushteti lokal 10 –15%, nga sektori privat 8 –12%, nga institucionet e treta që kërkojnë e përfitojnë shërbime nga universitetet 15 –20%, nga të ardhurat nga studentët, vetëm 5 –8 %. Sipas S.Heyneman, “kreditë që shteti iu jep universiteteve publike amerikane përfaqësojnë tashmë vetëm 15-20% të buxhetit të tyre funksional….është detyrë e çdo universiteti që të organizohet për të financuar pjesën tjetër..duke stimuluar kështu një shumicë strategjish dhe objektivash kërkesash në drejtimin e universiteteve dhe mbi të gjitha në ngritjen e reputacionit të tyre”.
Kur diskutohet për mënyrat dhe format e financimit, sot në botë po fillon të humbasë sensi i ndarjes tradicionale në universitete shtetërore dhe Universitete private, duke konverguar drejt nocionit të “universiteteve publike”. Më e rëndësishme në ndërtimin e buxheteve të tyre po konsiderohen elemente të tilla si : diferencimi i burimeve tradicionale të financimit, diversifikimi i të ardhurave që sigurojnë universitetet, kombinimi i financimeve publike me ato private; hedhja e vështrimit drejt burimeve të reja të financimit, pak të njohura deri tani nga universitetet si p.sh., shitja apo dhënia e të drejtave të autorit për patentat dhe rezultatet e kërkimit shkencor të tyre, investimet në tregjet e aksioneve, bonot e thesarit apo bursa, pjesëmarrja në programet shtetërore të zhvillimit apo plotësimi i nevojave për kërkime dhe studime nga ana e biznesit privat; kalimi drejt pagesave të diferencuara sipas llojit dhe shërbimit të personelit të tyre, etj. Ato që sot cilësohen si universitete cilësore jo vetëm që i gjejnë me lehtësi burimet e tyre financiare duke e bërë shoqërinë më të interesuar për shërbimet dhe produktet e tyre, por kjo kategori konsiderohet si “grupi i universiteteve që kanë mundësi t’i realizojnë më mirë përgjegjësitë e tyre si shërbim publik. Thelbi i kësaj filozofie është ndarja e koncepteve dhe funksioneve të universiteteve : si sektor publik apo si shërbim publik. Përballë vështirësive që po ndeshin burimet publike që të financojnë arsimin e lartë, po konsiderohet e gabuar tendenca për ta përmbledhur gjithë sistemin universitar nën ombrellën e sektorit publik, ndërkohë që synohet për ta bërë atë një shërbim publik sa më cilësor.
Premisa e parë për ndryshimin e sistemit tonë universitar, gjithnjë nën këndvështrimin e mundësive financiare që ka aktualisht ky sistem është pamundësia e shtetit/buxhetit për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore. Mendoj se pikërisht këtu fshihet dhe “thembra e Akilit” për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë universitetet. Aktualisht, buxheti i shtetit ka në dispozicion rreth 40 milionë euro për të mbështetur mbi 140 000 studentë në universitetet shtetërore (kësaj shifre mund t’i shtohen dhe afërsisht 20 milionë euro të tjera nga të ardhurat dytësore të siguruara nga vetë universitetet), pra vetëm 380-400 euro për student në sektorin shtetëror. Sektori privat me rreth 22 000 studentë e ka çmimin rreth 1000-1500 euro/student ose rreth 20-25 milion euro plus, duke operuar në shifrat 900-1000 euro/student. Ndërkohë që vendet më modeste të BE si Rumania dhe Bullgaria kanë kuota financimi për student rreth 2700-2900 euro/student, pa folur për vende si Britania e Madhe, Franca, etj., që janë në kuotat 10000-11500 euro/student, Zvicra 15700 euro/student, Suedia 15210 euro/student, SHBA 22000 euro/student.
Në Shqipëri, duke filluar nga viti 1992, me përjashtime shumë të rralla, buxheti për arsimin në përgjithësi nuk ka qenë kurrë më i lartë se 3%/PBB duke u lëkundur në intervalet 2.2-2.8%/PBB, ose 10-15% të shpenzimeve totale të buxhetit. Ndërkohë që objektiv i domosdoshëm i sugjeruar nga UNESCO, UNDP, Objektivat e Mijëvjeçarit, OCDE, BE etj., është të paktën niveli 5% i PBB (çka nënkupton dyfishin e asaj që Shqipëria akordon aktualisht). Vendet e zhvilluara perëndimore në kuadrin e OCDE e financojnë në nivelet 5 – 8% të PBB arsimin e tyre universitar, nga i cili 1 – 3% e PBB shkon direkt për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Shqipëria e ka aktualisht 0.4 – 0.6% % të PBB, shpenzimet për arsimin e lartë – si shumë e përbashkët e universiteteve shtetërore dhe atyre private. Pra, Shqipëria harxhon sot rreth 500-600 euro/student, ndërkohë që i duhen të paktën 4-5 herë më shumë për t’u barazuar me Rumaninë dhe Bullgarinë, ose 8-10 herë më shumë për t’u afruar me Portugalinë, Spanjën etj. Pra, edhe duke mbajtur në konsideratë kushtet dhe mundësitë tona aktuale, Shqipëria duhet të synojë të paktën shifrat 1500-2000 euro/student, ose e thënë ndryshe një buxhet prej 250-350 milion euro për 162000 studentët e saj. Për buxhetin e shtetit, një shifër e tillë është e papërballueshme edhe në 10 vitet e ardhshme, pasi tashmë trendet dhe mundësitë reale të buxheteve tona janë të perceptueshme dhe të kushtëzuara nga shumë faktorë të tjerë strukturorë e madhorë.
Në këtë këndvështrim, interesant është qëndrimi që është vendosur të mbahet ndaj buxhetit të arsimit pas krizës ekonomiko-financiare botërore në mjaft vende të botës. Ndërsa shumë shtete po i përgjigjen krizës nëpërmjet investimit në kapitalin human (në 10 vitet e fundit shpenzimet për arsimin-kryesisht universitetet janë rritur me 30-35%), si një mundësi për daljen dhe lehtësimin e pasojave të saj, (SHBA shpenzojnë tashmë 2.8% të PBB për arsimin e lartë universitar, Koreja e Jugut 2.6%, Kanadaja 2.5%, Gjermania 1.5%, Franca 1.4%, Islanda 1.3%, Italia 1.1%, etj), buxheti i arsimit në Shqipëri nga viti 2010 e në vazhdim vazhdon të tkurret, megjithëse ne përsërisim çdo çast domosdoshmërinë e cilësisë së kapitalit njerëzor si faktor i qëndrueshëm zhvillimi.
Premisa e dytë që kërkon reformimin e sistemit arsimor universitar ka të bëjë me masivizimin e universiteteve deri në ekstremet e mundshme, duke ulur ndjeshëm cilësinë e diplomave në Shqipëri. Aktualisht Shqipëria ka rreth 162 000 studentë, numër ky me tendencë në rritje (në 5 vitet e ardhshme ky numër mund të shkojë deri në 175-180 000 studentë), dhe 1350 programe mësimore që zhvillohen në 59 IAL të vendit (44 private –megjithëse një pjesë e tyre janë formale – dhe 15 shtetërore). Pothuajse të gjitha standardet e një mësimdhënieje cilësore, kërkimit shkencor real e eficent, mjediset e laboratorët, bibliotekat, librat mësimorë e botimet akademike,etj., janë të mangëta, kryesisht si pasojë e mungesës së financimeve të domosdoshme, dhe universitetet janë shndërruar pothuajse totalisht në struktura formale mësimdhënëse. Edhe po të përballemi thjesht dhe vetëm me dy nga kërkesat bazë të standardeve të cilësisë, siç janë numri i pedagogëve/student dhe sipërfaqja/student, bindemi se sa larg jemi ndaj plotësimit të tyre. Kërkimi shkencor, laboratorët dhe botimet akademike janë tejet minimale. Edhe reforma e bërë para disa vitesh për atashimin e institucioneve kërkimore –shkencore brenda sistemit universitar nuk dha asnjë nga rezultatet dhe pritshmëritë e kësaj reforme. Këto institute, mjaft të vlefshme e të domosdoshme në shumë fusha të zhvillimit të vendit dhe në përbërje të tyre me ekspertë mjaft cilësorë, në fakt u minimizuan në rolin e tyre, u absorbuan në logjikën e mësimdhënies, apo mbetën rudimentare në krah të departamenteve e fakulteteve ku u dërguan. Arsyeja është ë thjeshtë : fondet për kërkim janë tejet minimale, tregu shkencor mjaft i vakët.
Në këto kushte kërkohet një ndryshim i rëndësishëm strukturor në mënyrën e organizimit dhe financimit të arsimit të lartë, që duhet të synojë realizimin e disa qëllime e objektiva thelbësore: 1) arsimi i lartë duhet të konceptohet  si “shërbim publik” dhe e “mirë publike”, sektor ku shteti/qeveria garanton me politika specifike cilësi dhe standarde të larta të ofrimit të tij; 2) arsimi i lartë duhet të bëhet i hapur ndaj financimeve direkte e indirekte që vijnë nga burime të ndryshme të tilla si: buxheti i shtetit, studentët, pushteti lokal, biznesi, të ardhura nga shërbime specifike, projekte zhvillimi etj.; 3) autonomia/pavarësia e universiteteve duhet të zgjerohet në maksimum edhe në çështjet financiare e menaxheriale; 4) universitetet duhet të përcaktojnë lirisht çmimin e realizimit të studimeve që ato ofrojnë, numrin e pedagogëve, pagat, laboratorët, investimet thelbësore për një shërbim cilësor, etj., dhe bëhen pjesë e tregut të lirë e konkurrues arsimor, ndërkohë që universitetet private duhet të shndërrohen në Fondacione apo Organizata Jo-Fitimprurëse (OJF) duke përcaktuar dhe ato lirisht çmimet e studimeve. Megjithatë, kjo arkitekturë e re e sistemit universitar, nuk e përjashton mundësinë që një pjesë e universiteteve që dëshirojnë mund të ruajnë statusin e shoqërive aksionere apo “private”, por marrëdhëniet e tyre me formën e re të financimit dhe prezencën e Shtetit diferencohen nga universitetet me status OJF.
Shteti në kuadrin e politikave publike dhe nëpërmjet objektivave të tij mund të synojë të financojë/mbështesë një pjesë të studentëve duke nënkuptuar ata me të ardhura të pakta, studentët e talentuar, degët apo programet e studimit me interes kombëtar, degët pa treg për momentin por të domosdoshme për ekonominë  e vendit si p.sh., gjeologji-miniera, etj., universitetet me cilësi specifike si p.sh., universitetin e Arteve, Sporteve, Mjekësisë, etj., universitetet rajonale në kuadrin e një specializimi më profesional/rajonal të tyre, degët me natyrë “bachelor profesional”, programe specifike akademike etj. Në lidhje me ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare, duke iu referuar dhe eksperiencës së shumë vendeve të botës, Shteti mund të mbështesë me bursa e financime të plota apo të pjesshme një pjesë të Masterave Profesionalë 60 e 90 kredite, dhe një pjesë specifike të doktoraturave, kryesisht në ato degë e drejtime që korrespondojnë me prioritetet, objektivat strategjikë dhe politikat themelore të zhvillimit të vendit. Në këtë kuadër, duke iu referuar veçanërisht eksperiencës anglo-saksone, ngrihen struktura të posaçme institucionale e operative/agjenci që garantojnë shpërndarjen e bursave dhe mbështetjen financiare për grupet e studentëve, degëve dhe drejtimeve që do mbështeten me fonde publike.
Shteti/qeveria garanton realizimin e standardeve në arsimin e lartë nëpërmjet kryerjes rigoroze të procesit të akreditimit dhe rankimit të universiteteve; përcakton kuotat maksimale/tavanet që çdo universitet mund të pranojë në bazë të kushteve dhe pajisjeve që ai disponon (nr pedagogësh, struktura e tyre në grada e tituj, ndërtesa, salla e klasa, laboratorë, biblioteka, botimet, etj.); kontrollon rregullisht e penalizon universitetet që nuk plotësojnë standardet; orienton dhe në raste të veçanta realizon vetë investime kapitale të rëndësishme në favor të mjediseve universitare; garanton studentët nga abuzimet me çmimet dhe standardet e universiteteve; kontrollon nëpërmjet pjesëmarrjes në bordet e drejtimit të universiteteve mënyrën e menaxhimit financiar e akademik të tyre; krijon mjedisin ligjor dhe institucional të domosdoshëm për të garantuar një mbështetje më të madhe në investime kapitale e strukturore për universitetet; krijon mundësi për universitetet që të jenë operatorë normalë në tregun financiar e monetar, të mund të marrin kredi, të pranojnë investime direkte nga të tretët, të investojnë vetë,etj.
Pyetja dhe pikëpyetja më e vështirë në realizimin e kësaj reforme duket se është procesi i transformimit juridik e institucional të universiteteve shtetërore e private në format e përmendura më lart. Duke iu referuar eksperiencave tashmë të konsoliduara në disa vende të botës, mund të sugjerohen, apo më mirë, të shtrohen si alternativa e të diskutohen nga një masë e gjerë ekspertësh ligjorë e akademikë, disa alternativa të mundshme :
Së pari, kthimi i tyre në korporata publike ku universitetet do kenë autonomi maksimale në menaxhim e administrim, por gjithsesi mbeten pronë shtetërore. Financimet dhe kuotat vazhdojnë të përcaktohen nga qeveria, por universitetet kanë të drejta maksimale në përcaktimin e pagave, disa lloj tarifash për shkollim e shërbime, disa lloj investimesh, për numrin e pedagogëve dhe punonjësve,etj.
Së dyti, transformimi i universiteteve në OJF/Fondacione (ky status nënkupton dhe universitetet aktualisht private që pranojnë të kthehen në OJF) – me status të pavarur. Universitetet funksionojnë institucionalisht si OJF ose Fondacione në bazë të ligjit specifik. Në këto kushte ato kanë liri maksimale për t’u administruar duke filluar nga zgjedhja e bordeve drejtuese, rektorëve, dekanëve, etj.; kanë liri të përcaktojnë “çmimin e studimeve”, pra të ofrojnë një çmim për çdo program studimi, të përcaktojnë vetë pagat, shpërblimet, numrin e pedagogëve, strukturat administrative, investimet,etj. Shteti ka në bord një përfaqësues të tij që garanton/kontrollon mirëqeverisjen e universiteteve, ndërkohë që edhe institucione si KLSH etj., kontrollojnë rregullisht cilësinë e administrimit të universiteteve.
Në raport me studentët, kjo kategori universitetesh mund të funksionojnë në tre versione : (1) shteti ruan një grant/financim që iu mbulon atyre rreth 30-40% të shpenzimeve (kryesisht shpenzimet bazë të funksionimit, një numër kritik studentësh në degët me interes kombëtar, bursash për studentët e varfër ose talentet,etj.); (2) shteti financon direkt vetëm një kategori studentësh  në përputhje me politikat e tij për talentet, studentët e varfër, degët me interes kombëtar apo pa treg, bachelor-in profesional, universitetet e rretheve etj., duke iu dhënë atyre bursa të plota apo të pjesshme, dhe janë studentët pastaj që zgjedhin programet e studimit që dëshirojnë të ndjekin; (3) shteti e shpërndan në mënyrë të barabartë tek të gjithë studentët fondin që ka në dispozicion për arsimin e lartë dhe studentët zgjedhin vetë universitetet e preferuara duke plotësuar dhe diferencën e pagesës në përputhje me çmimin e studimeve që ofron çdo universitet. Në këtë model (personalisht mendoj se varianti i parë dhe i dytë janë më të aplikueshëm dhe pranueshëm në rastin tonë) realizohet më mirë konkurrenca ndërmjet universiteteve, zbatohet parimi i barazisë ndërmjet universiteteve dhe garantohet cilësi më e lartë shërbimesh.
Së treti, kthimi i gjithë universiteteve shqiptare me status “shoqëri aksionere” që në njëfarë mënyre ngjan me atë që cilësohet si “modeli kilian”. Në këtë rast, shteti thjesht garanton nëpërmjet mekanizmave institucionale e të kontrollit cilësinë dhe standardet, ndëshkon mos realizimin e tyre, fikson kriteret për hyrjen në universitet, bën rankimin e rregullt dhe transparencën e nivelit të universiteteve përpara publikut, merr pjesë me investime kapitale për zhvillimin e sektorit. Procesi i kthimit të universiteteve shtetërore në universitete “shoqëri aksionere” është i gjatë dhe i vështirë, sidomos në trajtimin e çështjeve të pronësisë, formën e menaxhimit dhe përcaktimin e organeve drejtuese, vështirësitë në kontrollin dhe rregullimin e çmimeve të studimeve, vështirësitë për imponimin e politikave sociale nëpërmjet bursave apo mbajtjes së degëve pa fitim por të domosdoshme me interes kombëtar,etj. Praktikisht, duket se është i pamundur për t’u zbatuar në Shqipëri. Në këtë status mund të vazhdojë të rrijë një pjesë e universiteteve private aktuale që nuk dëshirojnë të kthehen në OJF apo fondacione, por që nuk mund të përfitojnë nga subvencionet apo bursat e shpërndara nga shteti, që nuk mund të përfitojnë gjithashtu lehtësi fiskale apo pjesëmarrje në tendera e projekte publike në favor të zhvillimit të universiteteve. (MAPO, 15 Shkurt, 2014).















Reforma-Rama


 


reforma

“Nëse flasim sinqerisht dhe ndershmërisht gjendja e arsimit të lartë është emergjencë kombëtare” (Edi Rama, 9 Shkurt, 2014)

Edhe përse Partia Socialiste nuk kishte ndonjë plan të qartë për reformën në arsimin e lartë, gjatë fushatës kryetari Rama ishte shprehur se do të merrej me arsimin privat dhe do të rriste ndjeshëm financimin për arsimin.
2014 qeveria shpalli përbërjen e grupit të ri për reformën e arsimit të lartë të kryesuar nga një studiues shqiptar në Londër, z. Arjan Gjoncaj. Gjoncaj nuk vonoi të reflektonte përvojën e tij  në London School of Economics (Angli) mbi përfytyrimin që ai kishte mbi reformën ne arsimin e lartë. Edhe përse Anglia me rritjen drastike të tarifave dhe kostos së studimit nuk është shembulli më i mirë.
Për këtë pjesë nuk kemi ndonjë dokument strategjik nga qeveria dhe prandaj do të kufizohemi tek perceptimi dhe përcjellja në media.
Kryetari i qeverisë Rama është cituar të jetë shprehur kundër vazhdimësisë së reformës nga qeveria Berisha.
Sipas Gazetës Shqip, Rama ka thënë se:
“Reforma nuk duhet të jetë mbivendosje e atyre paraardhëse, por do të jetë afatgjatë nëse siguron: Reforma e arsimit të lartë duhet të jetë pjesë e një procesi që duhet të lidhë dijen me tregun. Pazari i madh i shitblerjes së diplomave që sot karakterizon arsimin e lartë nuk mund të transformohet në një industri të prodhimit të dijeve, të rritjes së aftësive dhe të promovimit të vlerave. Reforma e arsimit të lartë të jetë pjesë e një procesi që duhet të lidhë dijen me tregun, për t’i dhënë fund shitblerjes së diplomave. Arsim të lartë jashtë meritës nuk duhet të ketë. Ashtu sikur nuk duhet të ketë arsim të lartë që nuk garanton meritën, tha Rama. Sipas tij, skema e re e financimit duhet të reflektojë një qasje të re mbi autonominë financiare dhe administrative dhe duhet të sigurojë konkurrencën e lirë dhe të drejtë brenda sistemit pa vendosur asnjë bonus që privilegjon publikun mbi privatin. Për sa i përket reformës, Kryeministri nuk harroi të përfshinte dhe atë të integrimit të arsimit me Kosovën pas një cilësie të re të marrëdhënieve të krijuara mes dy shteteve shqiptare. “Si baza e përbashkët e rritjes dhe edukimit të gjeneratës tjetër të shqiptarëve europianë, këtej dhe andej kufirit” (Shqip, 9 Shkurt, 2014).
Gjithashtu Ministria e Arsimit është cituar të jetë shprehur për rinisjen e procedurës së akreditimit, e cila deri më tani ishte veshur me një tis dyshimi, edhe pse qeveria Berisha kishte vendosur anëtarë dhe ekspertë të huaj në procesin e vlerësimit të jashtëm dhe  Këshillin e Akreditimit, organin vendimmarrës së Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë.
“Nga tetori 2013, moment kur ne pezulluam, nisur nga sinjalizimet dhe ngjarjet që tronditën besimin publik në sistemin e arsimit të lartë, punën e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, janë hedhur hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Shumë shpejt ne do të plotësojmë dhe në këtë sektor një nga detyrimet kushtetuese dhe ligjore që çdo qeveri ka ndaj qytetarëve dhe familjeve shqiptare atë të hedhjes dritë mbi gjendjen e cilësisë në arsimin e lartë. Para fillimit të vitit të ri akademik, agjencia anëtare e ENQA-s që ka marrë përsipër akreditimin dhe rankimin e shkollave të larta, do të bëjë publike gjetjet. Ne jemi zotuar që do të jemi roje e kufirit që kjo agjenci do të vendosë se cilat janë ato universitete që do të vijojnë funksionin, e cilat do të jenë ato institucione të arsimit të lartë që duhet të mbyllen”, theksoi ministrja Nikolli. (Shqip, 9 Shkurt, 2014)
Në një intervistë në Gazetën Mapo Arjan Gjoça, “ka shpjeguar me detaje reformën që do të prekë arsimin e lartë në Shqipëri.Sipas tij, universitetet duhet të zhvillojnë punën kërkimore dhe duhet të ngrenë standardin e mësimdhënies së tyre. Zoti Gjonça ka folur edhe për skemën e financimit të universiteteve, ku sipas tij do të financohen nga shteti universitetet që kthehen në OJQ dhe publike.” (Peshkupaujë, 30 Janar, 2014).
A keni informacion të duhur se si është arsimi i lartë aktualisht në vend?Situata është fatkeqësisht jo e mirë. Jo e mirë nga mënyra se si është bërë arsimi i lartë në këto vitet e fundit në Shqipëri dhe jo në një legjislacion, dy apo tre por në njëzetë e ca vitet e fundit. Anglezët kanë një shprehje ku thonë: “Mos e prish diçka që funksionon”. Ne jo vetëm e prishëm atë që funksiononte në një farë drejtimi por i dhamë një drejtim krejt jo të drejtë.  Nuk do të them unë që çdo gjë që kishim funksiononte por të paktën të rregullohen në ato fusha dhe ato drejtime që duheshin rregulluar.
Tani jemi në një situatë ku kemi një mpleksje të arsimit të privat dhe publik, ose publik dhe jopublik do ta thosha nga ana juridike ku prodhohet një numër më i madh studentësh se ç’është prodhuar më përpara, prapë jo i domosdoshëm dhe i krahasueshëm me vendet me të njëjtën zhvillim me ne, qoftë dhe me fqinjët por mbi të gjitha jo cilësor.
Jo i domosdoshëm me tregun e punës që kemi aktualisht?Jo i domosdoshëm në drejtim të numrave. Ne akoma nuk prodhojmë aq studentë për banorë sa prodhojnë komshinjtë tanë apo vendet e zhvilluara. Ajo që është më e rëndësishme është që kualiteti i këtyre që ne nxjerrim, nuk është i duhur dhe nuk është i kënaqshëm. Standardi pra, qoftë i studentëve, qoftë i elementit të dytë të rëndësishëm që duhet të prodhojnë universitetet tona që është puna shkencore, është për të ardhur keq.  Duke pasur parasysh këto të dyja, mendoj që ka nevojë për një reformë të thellë do thosha unë dhe të rëndësishme.
Cila do ishte filozofia e kësaj reforme?E para duhet të pranojmë të gjithë së bashku. Dua të them diçka që, pse është e re kjo mënyrë qasjeje për këtë reformë. Është e re sepse e para të gjitha palët e pranojnë që është diçka e domosdoshme për vendin dhe diçka që duhet bërë.
Kur themi të gjitha palët, janë partitë politike, cilat palë?Të gjithë. Qoftë politika, qoftë aktorët e interesit, qoftë kolegët e mi akademikë dhe vetë studentët nuk e duan një diplomë të keqe që nuk u jep një vend pune.
Që nuk ua njohin në Kosove dhe nuk i punësojnë as në Tiranë…Treguesi  më i mirë është punësimi. Treguesi më i mirë është tregu. Nëse marr një diplomë e cila nuk më jep një vend pune, është e pavlerë. Në këtë drejtim qasja është e re, dmth ka një rënie dakord e të gjithë grupeve të interesit apo aktorëve që tani duhet bërë diçka sepse është koha dhe është bërë bile vonë. Dhe për këtë arsye, në këtë drejtim është një qasje e re. Arsyeja e dytë pse themi që është një qasje e re është sepse për herë të parë është futur një model i komisionimit të pavarur. Është krijuar një komision i pavarur me akademikë me 9 anëtarë megjithë mua.
Cilët janë të tjerët? Mund ta dimë?Janë bërë publikë emrat e tyre. Është komision me anëtarë nga të gjitha grupet. Unë kam pasur disa kritere kur e krijova. Është një grup akademikësh që e kam krijuar unë dhe natyrisht propozimet kanë ardhur nga të gjitha grupet. Ke anëtarë nga universitetet publike, por ka një përfaqësi dhe nga universitetet private. Ka gjithashtu një përfaqësi të degëve të rëndësishme të veçanta. Është një komision i pavarur. Natyrisht çdo komision iniciohet nga një qeveri e caktuar dhe në këtë drejtim u iniciua nga vetë Kryeministri dhe qeveria aktuale.
Do të ketë ndryshim rrënjësor të sistemit bazuar në një model specifik?Do diskutohen disa modele por siç thashë, Bolonja do të jetë baza në kuptimin e disa nga parimeve. Patjetër që do të jenë disa modele që do të hidhen. Natyrisht do të influencohet pak dhe nga background-i i njerëzve me të cilët merren por edhe nga studimet që janë bërë në çfarë drejtimi po shkon bota. Do të shkojmë drejt një sistemi anglosakson me një fytyrë sociale.
A ka një mandat ky komision që ju kryesoni ?Ka një mandat pune i cili do zgjasë nga 3-6 muaj. Të bësh një reformë arsimore nuk është një gjë e lehtë. Kërkohen analiza shumë të rëndësishme. Janë bërë goxha analiza dhe kërkohen dhe shumë analiza. Çdo grup pune do bëjë analizat e veta. Problemi është se kur e ndryshon diçka në sistem, nëse ndryshon diçka të lehtë, mund ta bësh kollaj. Nëse do të tentojmë të bëjmë një ndryshim rrënjësor, qoftë nga pikëpamja strukturore, qoftë nga pikëpamja financiare, qoftë nga pikëpamja juridike, kërkon kohën e vetë.
A e keni një vizion se si do të jetë panorama e arsimit të lartë kur të mbarojë kjo reformë?Vizionin e kam të thjeshtë. Po ta marr London School of Economics, po ta instaloj këtu në Tiranë, jam njeriu më i lumtur në botë. Pra po të instaloj një sistem në të cilin standardi qëndron në standardin ndërkombëtar ku fut në sistem formula dhe kritere që kontrollojnë dhe rritin standardin si të studentit dhe të akademikut, duhet të jemi shumë të qartë, nuk rriten standardi i diplomës nëse nuk rritim standardin e pedagogut. Duhet të rritim standardin e pedagogut dhe në mësimdhënie dhe në punë shkencore që të ketë një efekt mbi standardin e studentit tonë.
Çfarë do ndryshojë te skema e financimit?Po ta them atë do ta kemi mbyllur  komisionin. Ne jemi një vend relativisht i varfër në drejtimi të investimit në arsim, nuk po i hyjmë debatit se sa të varfër jemi, jemi vend me të ardhura mesatare, me të ardhura të ulëta mesatare apo mesatare të larta. Është një diskutim që e bëjnë të tjerë kolegë. Ajo që do të them unë që në drejtim të investimit në arsim, ne jemi vend i varfër. Ne investojmë pak si shtet dhe investojmë pak si shoqëri.
Duke marrë si shembull LSE, një pjesë vjen nga burimet publike, një pjesë nga tarifat. Po pjesa tjetër, a ka donacione, si funksionon?Shumë e drejtë, unë e nisa dhe tregova dy komponentë. Është një që vjen nga granti që jep shteti dhe një që vjen nga pagesat e studentëve. Kjo lidhet me një gjë tjetër të rëndësishme që neve do ta saktësojmë që do ta studiojmë. Cili është statusi që duhet të kenë universitetet tona. LSE ka një status të dyfishtë. Deri para pak vitesh ka pasur një status vetëm si një universitet publik. Më vonë ka zhvilluar dhe statusin e një SHPK-je, të një ndërmarrje tregtare. Në kuptimin që krijon të ardhura nga shërbimet akademike që bën për studime të ndryshme, për projekte të ndryshme ku grupe akademike të LSE marrin pjesë në tendera të ndryshëm.
A parashikoni rritje të çmimit të tarifave universitare?Do bëhen llogaritje të caktuar sa mund të jetë kjo tarifë. Do ketë modele ekonometrike që do të bëhen. Do stimulojmë me këtë model, sa duhet të jetë investimi, sa është fuqia blerëse, sa do të jetë përballja, sa do të jetë kostoja. Të gjitha këto do të diskutohen kur të dalë projekti por mbi të gjitha me baza shkencore, kjo është shumë e rëndësishme. Unë vij nga një background shkencor dhe nuk mund të pranoj që përgjigja e pyetjeve të mos jetë shkencore
Po nëse ndodh një rritje e tarifave, a do të merren parasysh shtresat në nevojë, barazia shoqërore?Patjetër, është kusht i domosdoshëm. Ka  pasur disa propozime se  në qoftë se një individ e meriton por nuk e përballon, duhet ta financojmë në masën 100%, jo vetëm pagesën por edhe akomodimin dhe gjithë jetesën për aq kohë sa është në universitet. Kjo është për mua e panegociueshme dhe mendoj që kolegët e mi besojnë në të njëjtin parim.
A  mendon se e ka forcën e duhur komisioni që ta forcojë implementimin e kësaj reforme?Komisioni do të prodhojë një produkt. Produkti do jetë i detajuar dhe quhet reforma e arsimit të lartë në Shqipëri e cila mund të jetë produkti ose do të jetë produkti dhe në formën e ligjit. Debatet më të mëdha do të jenë tek skema e financimit…
Për çdo reformë të arsimit në çdo vend në botë, thembra e Akilit është financimi. Edhe një nga debatet e nxehta që bëhet në Britani sot është që kjo qeveri po ndjek masat e austeritetit, pra të uljes së shpenzimeve publike. Si shpenzim publik, jo vetëm shpenzim publik do thosha unë në vendin tonë se ne kemi edhe universitetet private, financimi është pjesa më e rëndësishme e tij. Ne nuk jemi një vend i pasur dhe po e theksoj atë dhe sado që shteti të investojë në edukim, shteti nuk mund të mbulojë të gjithë atë që do e quaja unë, investim optimal në arsimin e lartë në Shqipëri.
A ka një shifër aktualisht se sa është?Në mos gaboj është rreth 40 milionë dollarë ose euro. Është shumë e ulët. Grupi  ynë po punon, por ka edhe një grup të madh ekspertësh që punojnë me komisionin.  Të gjitha palët pranojnë që investimi shtetëror nuk është i vetmi investim që duhet ta përballojë arsimin e lartë.
Me çfarë do konkurrojnë universitetet?Kush është produkti i arsimit të lartë? Produkti i arsimit të lartë është studenti. Kjo nënkupton që ti i jep të drejtën studentit për të zgjedhur dhe studenti e zgjedh universitetin në bazë të reputacionit dhe këtu hyn konkurrenca. Natyrisht si shtet do kesh kuotat e tua që do caktosh me disa formula, mbi bazën e performancës, mbi bazën e numrit të studentëve, mbi bazën e standardit që kanë pasur, mbi bazën e punës shkencore që kanë bërë pedagogët, është shumë e rëndësishme. Kjo është një lloj forme që e garanton konkurrencën por nuk është e vetmja formë. Duhet të jemi koshientë dhe mund të mos jetë forma që funksionon në Shqipëri.
Pra, këto buxhete do të ndahen nga ky Këshill.  Si do të funksionojë?Ne  do të nxjerrim formula të detajuara për ngritjen e këtij standardi dhe vendosjen e mënyrave të financimit. Bën të mundur që të shpërndahen paratë në universitetet e ndryshme. Janë 3 kritere që përdoren.
Cilat janë kriteret?Kriteri i parë është mësimdhënia, cilësia e mësimdhënies. Mbi bazën e një formule që merr parasysh numrin studentëve për pedagog, kualitetin, degët që mbulojnë ato etj, etj. në  LSE ne kemi 16 studentë për pedagog, këtu bëhet fjalë për kuota të jashtëzakonshme. Këtu japin mësim 10 herë më shumë se unë. Këtu nuk mbetet kohë për punë shkencore se dita nuk ka më shumë se 24 orë.  Pra, mësimdhënia është e para, puna shkencore është e dyta. Kriteri i tretë është ai mbi inovacionin. Ky grant jepet në rastet kur degë të caktuara zhvillohen nga universitetet të ndryshme dhe qeveria garanton një lloj financimi të pjesshëm. Gjithmonë duhet të kemi parasysh që financimi është i pjesshëm. Kur diskutohet problemi i financimit, “financimi i shtetit”, sa para do japë shteti për këtë, sa para do japë shteti për atë. Shteti nuk duhet të jetë më i vetmi financues i arsimit të lartë në Shqipëri dhe në qoftë se do lëmë vetëm shtetin ne do mbetemi në shifrat e ulëta, në 2-3% ose në më të mirën e mundshme do thosha 3,5% të PBB.
Si do të përfshihen universitetet private në këtë reformë?Në Shqipëri nga ana legale, legjislative, ne nuk flasim për universitete private e shtetërore. Flasim  për universitete publike dhe jopublike. Universitetet jopublike janë të natyrës private nëse do përdorim zhargonin e përditshëm dhe janë edhe ato që janë OJQ se ka disa universitete që nuk janë fitimprurëse. Ka disa skema. Një skemë mund të jetë që universitetet private duan të jenë private dhe do të mbeten private.
Që do të thotë, nuk mund të përfitojnë nga shteti?S’mund të përfitojnë nga shteti. Në momentin që ti ndan dividentë, nuk mund të përfitosh dot nga shteti. Ne do shikojmë mundësinë se si do përfshihen në sistem ato universitete që nuk duan të jenë fitimprurëse.
Çfarë ndodh me ato që nuk do duan të bëhen pjesë e kësaj skeme?Ka një ligj. Duhet të trajtohen sikur prodhojnë një produkt bujqësor apo produkt akademik.  Do ta shohim ne këtë si përparësi në drejtim të taksimit të tyre apo jo. Ka forma që ta bëjmë me sa më shumë mundësi nxitëse për ta nxitur dhe atë sektor por mbi të gjitha monitorimi i standardit të atij sektori është shumë i rëndësishëm.
Kur do të përfundojë koha që të ekzistojnë ende universitete që nuk përmbushin standardet?Me sa di unë Ministria e Arsimit po akrediton. Ne nuk nxjerrim dot asnjë jashtë apo brenda. Ky është kapitalizëm, të nxjerr tregu në kuptimin që nëse je një universitet që nuk ke më studentë, del jashtë, por nëse nuk je i akredituar atëherë studenti nuk vjen më tek ty. Kjo është një punë akreditimi.
Do ketë kohë publiku të informohet, ta kuptojë këtë reformë?Patjetër. Faza e parë është faza jonë e punës brenda, e cila do të diskutojë modelet, do të vijë me një draft të parë i cili do të diskutohet në publik me aktorët kryesorë.
A do të jenë universitete  të pavarur në kuptimin ideologjik, akademik, institucional?Një  nga problemet që ka ekzistuar me universitetet është sa të pavarura janë universitetet në vendimmarrje. Nuk po flas në zgjedhjen e rektorit apo të senatit. Ajo është formulë që mund të diskutohet dhe bie dakord.  E zëmë se ju i dhatë këtij universiteti një shumë parash. Çfarë bën ai me këto para? Si i krediton ai akademikët, si i promovon. Do i japësh një lloj mëvetësie që ky institucion të krijojë edhe forma të tjera investimi, bashkëpunimi që të aplikojë në vende të ndryshme , pra pavarësi reale dhe funksionale, jo pavarësi e rreme. Autonomi do të përmendja unë fjalën më mirë .
Dhe kush do ta garantojë këtë autonomi?Standardet që vendosen. Do të krijohet një strukturë e atillë, një nga qëllimet e këtij komisioni është që të krijojë një strukturë drejtuese se nuk mundet me strukturën drejtuese ekzistuese që kemi neve dhe me institucionet ekzistuese, të futësh një model të ri nëse do biem dakord për një model të ri. Të gjitha këto instanca që do futen, do ketë kontrollues për sistemin.
A mendon se në fund të reformës do të ketë universitete që do të pushojnë së ekzistuari?Kjo reformë nuk do të heqë disa universitete dhe disa do t’i lërë. Reforma është një proces. Reforma dhe implementimi do të jetë e shkallëzuar.
Gazeta Panorama, Jonida Tashi (22 Janar, 2014) raporton ngritjen e një komisioni të posacëm për reformën (ngritur për herë të parë!).
Ministrja e Arsimit znj. Nikolla është shprehur se “Është një standard i ri, jo vetëm për faktin që është hera e parë që vjen ky komision me një ekip të njerëzve të ditur të këtij vendi, por do t’ju garantoj se i gjithë procesi që do të vijojë dhe pasojë do të jetë i hapur dhe transparent, do të përfshijë edhe grupet e tjera të interesit, universitete, rektorë, profesorë, pedagogë dhe akademikë të shquar”
.. Ky komision, i cili është ngritur për herë të parë në vendin tonë, drejtohet nga Arjan Gjonça, profesor i asociuar në “London School of Economics”. Por pjesë e këtij komisioni janë edhe ekspertë të fushës nga bota akademike, të cilët do të përgatisin edhe draftin final për skemën e financimit të arsimit të lartë, që do t’i dorëzohet për miratim qeverisë. Bazuar në draftin e ri, financimi i universiteteve do të bëhet sipas skemës anglosaksone, e cila udhëhiqet nga parimi “paraja ndjek studentin”.
Mbështetur në këtë parim, lekët e dhëna nga qeveria do të shkojnë drejtpërsëdrejti te studentët dhe programet e studimit, në bazë të kritereve që do të vendosen. Sipas skemës së re të financimit, për të përfituar nga fondet publike, universitetet shtetërore dhe private duhet të përmbushin disa kushte, ku më i rëndësishmi është që të parat të shndërrohen në publike, ndërsa të dytat në jofitimprurëse. Gjithashtu, universitetet, si shtetërore edhe private, duhet të jenë të akredituara si dhe të plotësojnë kriterin e cilësisë.
“Produkti i këtij komisioni do të sjellë standarde të reja në politikëbërjen dhe reformimin e thellë të arsimit të lartë. Ky komision, i përbërë nga akademikë dhe teknicienë, do të operojë me gjithëpërfshirje dhe pavarësi të plotë. Ky komision, pas draftit të parë të reformës së arsimit, do të diskutojë me grupet akademike dhe grupet e interesit. Pas hartimit të draftit, qëllimi tjetër është kthimi tij në ligj”, u shpreh Gjonça.
Krahas skemës së financimit, Komisioni do të përcaktojë edhe drejtimet që duhet të ndjekë arsimi i lartë sa i takon strukturës. “Parim tjetër shumë i rëndësishëm është që të lidhet shumë puna e mësimdhënies me punën kërkimore-shkencore, të krijohen treguesit e performancës dhe që financa të mos jetë thjesht e garantuar, meqë ti je në shtet dhe si pedagog, unë do të paguaj. Jo!”, thekson Gjonça.
Ngritja e këtij komisioni është vlerësuar edhe nga drejtues të Ministrisë së Arsimit, të cilët e kanë mbështetur idenë që në reformën financiare të arsimit të lartë të mos përfshihet politika. Sipas zv.ministrit të Arsimit, Arbër Mazniku, projekti që do të nxirret nga ky komision do të jetë afatgjatë. “Mundësitë për zgjidhjen e problemit të vijnë nga teknikët dhe më pas vendimmarrësit të kenë mundësi të marrin vendime mbi to. Mekanizmi i financimit, mekanizmi i qeverisjes, raporti që shteti do të ketë me universitetet, roli që universitetet private dhe publike do të kenë si ofrues të shërbimit në treg, të gjitha të ndryshojnë, duke synuar cilësinë në arsimin e lartë”, deklaroi Mazniku. Drafti i ri për reformën financiare pritet të bëhet publik në fillim të muajit të ardhshëm, kohë kur do të nisin edhe konsultimet me grupet e interesit.

































Komisioni i reformës përbëhet nga: (1) Arjan Gjonça – LSE, UK; (2) Adrian Civici – UET; (3) Ervin Demo – Zv.Rektor, Universiteti i Tiranës; (4) Besnik Aliaj – Pronar i Universiteti Polis; (5) Myftar Barbullushi – Universiteti i Mjeksisë; (6) Aleksandër Xhuvani – Universiteti Politeknik; (7) Elida Rapti – Psikologe, Shoqëria Civile; (8) Anila Paparisto – Universiteti i Tiranës; (9)  Artan Hoxha – Shkolla e Lartë “Tirana Business University”; (10) Edit Dibra, Zyra e Tempus, Shqipëri.

Monday, April 14, 2014

Kuadri rregullator dhe planifikues



Ligje Arsimi i lartë


LIGJI Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë - i ndryshuar  ( Ligj Nr.9741, datë 21.5.2007, i ndryshuar me ligjet Nr. 9832, datë 12.11.2007, Nr. 10307, datë 22.7.2010, Nr. 10493, datë 15.12.2011, Nr.82, datë 14.02.2013)
 
 

Për sigurimin e cilësisë

  1. VENDIM NR.303, DATË 1.7.1999 PËR KRIJIMIN E SISTEMIT TË AKREDITIMIT NË ARSIMIN E LARTË.
  2. Vendim Nr. 424, datë 2.06.2010, Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimatrinë e institucioneve të sigurimit të cilësisë.
  3. Rregullorja e APAAL bashkëngjitur vendimit Nr. 424 të KM
  4. UDHEZIM Nr.29/1, datë 16.08.2011,PER "PERCAKTIMIN E TARIFA VE TE SHERBIMEVE QE KRYEN AGJENCIA PUBLIKE E AKREDITIMIT TE ARSIMIT TE LARTE"
  5. VKM Nr. 101, datë 06.02.2013 Një shtesë në Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë" të ndryshuar
  6. VKM Nr. 368, datë 14.04.2011 Disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë", tu ndryshuar
  7. VKM Nr. 359, datë 24.04.2013 Një ndryshim në Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë", të ndryshuar

Kuadri rregullator për organizimin e studimeve

 

Të përgjithshme

  1. Udhëzimi Nr 15. Për organizimin e studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, datë 4.4.2008.
  2. UDHEZIM Nr. 11, Da te 28.02.2011 PER PROCEDURAT DHE DOKUMENTACIONIN PER HAPJEN E NJE INSTITUCIONI PRIVAT TE ARSIMIT TE LARTE, PROGRAMEVE TE STUDIMIT UNIVERSITAR NE CIKLIN E PARE DHE CIKLIN E DYTE, PROGRAMEVE TE STUDIMEVE JOUNIVERSITARE, TE NATYRES PROFESIONALE SI DHE PROCEDURAT PER PEZULLIMIN DHE REVOKIMIN E LICENCES

1. Cikli i parë

Udhëzimi Nr 4, Për hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e programeve të studimit master të nivelit të parë, datë 22.01.2008.

2. Cikli i dytë

  1. Udhëzimi Nr 14. Për hapjen dhe organizimin e programeve të studimit të ciklit të dytë në intitucionet publike të arsimit të lartë, datë 3.4.2008.
  2. Udhëzimi Nr 34. Për strukturën e vitit akademik 2008 - 2009 në institucionet publike të arsimit të lartë dhe masat që duhen marrë për zbatimin e saj.

3. Cikli i tretë

  1. Vendim Nr.877, datë 18.06.2008, Për disa ndryshime në vendimin Nr. 864, datë 5.12.2007,cpër hapjen e programeve të studimimeve të doktoratës në IPAL dhe përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore"Doktor"
  2. Udhëzimi Nr 5, Për përcaktimin e standardeve akademike të nevojshme për hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e programeve të studimit të doktoratës, si dhe të elementeve bazë sipas të cilave institucionet e arsimit të lartë duhet të përgatisin rregulloren përkatëse, datë 22.1.2008.
  3. Vendim Nr.864, Për hapjen e programeve të studimimeve të doktoratës në IPAL dhe përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore"Doktor", datë 5.12.2007.

Kuadri rregullator për personelin akademik

  1. Udhëzimi Nr 20. Për veprimtaritë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë, datë 9.5.2008.
  2. Udhëzimi Nr 30 i ndryshuar në bazë të urdhërit Nr. 29, datë 28.07.2008.

Kuadri rregullator për institucionet e arsimit privat

  1. Udhëzimi Nr 30. Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit që duhet të paraqesë subjekti juridk, për hapjen e një institucioni privat të arsimit të lartë ose programeve të studimit, në ciklin e parë dhe në ciklin e dytë të studimeve, 26.9.2007.
  2. Udhëzimi 24, datë 02.09.2009: Disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin 30 datë 26.09.2007. Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit që duhet të paraqesë subjekti juridk, për hapjen e një institucioni privat të arsimit të lartë ose programeve të studimit, në ciklin e parë dhe në ciklin e dytë të studimeve.
  3. UDHEZIM Nr. 11, Da te 28.02.2011 PER PROCEDURAT DHE DOKUMENTACIONIN PER HAPJEN E NJE INSTITUCIONI PRIVAT TE ARSIMIT TE LARTE, PROGRAMEVE TE STUDIMIT UNIVERSITAR NE CIKLIN E PARE DHE CIKLIN E DYTE, PROGRAMEVE TE STUDIMEVE JOUNIVERSITARE, TE NATYRES PROFESIONALE SI DHE PROCEDURAT PER PEZULLIMIN DHE REVOKIMIN E LICENCES
  4. Udhëzim Nr.29, datë 28.7.2008 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR.30, DATË 26.9.2007 "PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT QË DUHET TË PARAQESË SUBJEKTI JURIDIK, PËR HAPJEN E NJË INSTITUCIONI PRIVAT TË ARSIMIT TË LARTË OSE PROGRAMEVE TË STUDIMIT, NË CIKLIN E PARË DHE CIKLIN E DYTË TË STUDIMEVE.

Çështje financiare


  1. UDHEZIM Nr.29/1, datë 16.08.2011,PER "PERCAKTIMIN E TARIFA VE TE SHERBIMEVE QE KRYEN AGJENCIA PUBLIKE E AKREDITIMIT TE ARSIMIT TE LARTE"
  2. UDHEZIM Nr. 11, Date 28.02.2011 PER PROCEDURAT DHE DOKUMENTACIONIN PER HAPJEN E NJE INSTITUCIONI PRIVAT TE ARSIMIT TE LARTE, PROGRAMEVE TE STUDIMIT UNIVERSITAR NE CIKLIN E PARE DHE CIKLIN E DYTE, PROGRAMEVE TE STUDIMEVE JOUNIVERSITARE, TE NATYRES PROFESIONALE SI DHE PROCEDURAT PER PEZULLIMIN DHE REVOKIMIN E LICENCES

Dokumente politike dhe strategjikë

  1. Strategjia Kombëtare e Arsimit të Lartë  / Albanian Higher Education Strategy
  2. Reforma e Arsimit të Lartë / White Paper on the Albanian Higher Education Reform (2010)
  3. Strategjia Kombetare e Arsimit Parauniversitar 2009 - 2013.
  4. Plani i Integruar i Ministrise 2010.
  5. Politikat e Decentralizimit ne Sektorin e Arsimit Parauniversitar.
  6. Shtojce per Politikat e Decentralizimit e Sistemit te Arsimit Parauniversitar.
  7. Drafti i propozimit te Arsimit per te gjithe / Iniciativa Pershpejtuese (EFA/FTI).
  8. Asistence teknike per Standartet e Performances se MASH.
  9. Progres Raporti i BE-se (2012)
  10. Strategjia Kombëtare e Kërkimit Shkencor / Albanian National Strategy of Science Technology and Innovation
  11. Albanian Country Note (World Bank – 2012)

Kuadri rregullator shkenca

  1. Ligj mbi kërkimin shkencor në Shqipëri (1994, ndryshuar 1998) – Nuk është zbatuar ndonjëherë!
  2. Ligji i vjetër (2004) i Akademisë së shkencave
  3. Ligji 2006 (ndryshuar 2007) i Akademisë së Shkencave
  4. Shpërblimi i anëtarëve të akademisë
  5. Vendim (2013) për miratimin e strukturës së Akademisë së Shkencave Shqiptare
  6. Vendim (2010) për miratimin e strukturës së Akademisë së Shkencave
  7. Vendimi (2007) për reformën e sistemit të kërkimit shkencor