Sunday, April 13, 2014

Magjistrature-plagjiature




Një padi per plagjiature është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës, e cila pritet të shprehet me vendim pas pak ditësh.

E drejta e autorit lidhur me një botim ka përfshirë në gjyq dy njerëz të drejtësisë. Kryetari i komanduar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, është paditur për plagjiaturë nga kolegia e tij, Irida Kacerja, gjyqtare në Shkodër. Ish-studentja akuzon kryetarin e Gjykatës se ka botuar me emrin e tij temën e saj të diplomës në Shkollën e Magjistraturës. Një pretendim i tillë është ngritur nga gjyqtarja Kacerja në tetor të vitit të shkuar, kur, sipas saj, është njohur me një botim të Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave ligjore.

Paditësja pretendon se ky botim është punimi i saj i diplomës në Magjistraturë, ku pedagog udhëheqës ka qenë gjyqtari Sandër Simoni. Fillimisht, paditësja ka kërkuar nga gjykata konfiskimin e të gjitha kopjeve të këtij manuali dhe asgjësimin e tyre. Më tej, në padinë e saj gjyqtarja kërkon që i padituri ta shpërblejë për dëmin pasuror dhe moral që i është shkaktuar nga botimi i punimit të saj, në emrin e gjyqtarit Sandër Simoni.

 Në padinë drejtuar Gjykatës së Tiranës, gjykatësja e Shkodrës kërkon: “Detyrimin e palës së paditur të shpërbleje dëmin pasuror dhe moral të shkaktuar nga botimi në mënyrë të padrejtë nën emrin e tij dhe duke shkelur të drejtën e autorit të shkrimit me titull Hetimi dhe Gjykimi i Veprave Penale të Trafikimit”. Ky punim, sipas saj, është botuar në manualin për identifikimin, trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, e botuar nën siglën e Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

Në mbështetje të padisë, gjyqtarja Irida Kacerja ka depozituar në Gjykatë një sërë provash, që, sipas saj, tregojnë se punimi i botuar me emrin e kolegut të saj Sandër Simoni është plagjiaturë dhe për këtë duhet të dëmshpërblehet. Në morinë e provave, gjyqtarja Kacerja ka depozituar edhe një kopje të botimit me siglën e Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave ligjore të integruara, e cila mban emrin e gjyqtarit Simoni, si dhe kopjen e materialit të diplomës. Por ky pretendim është kundërshtuar nga gjyqtari Simoni, i cili nëpërmjet avokatit të tij ka depozituar në gjykatë provat që, sipas tij, vërtetojnë se punimi është realizuar prej tij.

Duke mos qenë dakord me qëndrimin e gjykatës, në seancën e datës 12 qershor, pala paditëse ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses, por kjo kërkesë është rrëzuar, si e pabazuar në ligj. Tashmë, gjykata ka administruar provat e palëve, si dhe ka dëgjuar prej tyre konkluzionet përfundimtare. Edhe pse çështja është regjistruar në Gjykatën e Tiranës në tetor të vitit të shkuar, deri tani janë zhvilluar vetëm tetë seanca gjyqësore.

Gjatë këtyre seancave gjyqtarja Elbana Lluri është njohur me pretendimet e kolegëve të saj, duke i dhënë fund edhe shqyrtimit gjyqësor të kësaj padie të pazakontë, kur bëhet fjalë për njerëzit e drejtësisë. Në përfundim të gjykimit është vendosur data 25 qershor për shpalljen e vendimit, ku do të sqarohet se cila prej palëve ka të drejtë.


  Burimi: http://www.shqiperia.com/Akuza-per-plagjiature-ish-studentja-padit-kryegjyqtarin-Sander-Simoni.17015/

UBT-Mitmarrje

Tirana Observer, dt. 04/10/2013 raporton rast mitmarrje në Universitetin Bujqësor të Tiranës Ka rënë në pranga pedagogu i Institutit Bujqësor, Fidel Gjurgji, që u kërkonte studentëve nga 100-200 mijë lekë (të vjetër) ryshfet për provimet. Ngjarja është bërë me dije ditën e djeshme nga Policia ndërsa skema korruptive praktikohej prej pedagogut Gjurgji prej vitesh, por vetëm gjatë vitit të fundit studentët e kanë denoncuar atë tek uniformat blu. Gjatë sezonit të kaluar të provimeve shefi i katedrës së veterinarisë në Institutin Bujqësor, duke futur si sekserë dy kolegët e tij pedagogë u merrte studentëve për një provim, nga 100-200 mijë lekë( të vjetër) në varësi të lëndës. Skema korruptive ishte denoncuar nga disa studentë, ndërsa sektori i korrupsionit në Policinë e Tiranës, pas një hetimi 5 mujor, ka vënë në pranga për korrupsion pasditen e djeshme pedagogun e njohur Fidel Gjurgji, shef prej disa vitesh në Katedrën e Veterinarisë, në Universitetin Bujqësor.
Arrestimi
Burime nga policia kanë bërë me dije ditën e djeshme se Fidel Gjurgji u arrestua me vendim gjykate, pasi një grup hetuesish e kishin vëzhguar atë prej më shumë se 6 muajsh kohë në të cilën akuzohet se pedagogu ka marrë një shumë prej 100 mijë lekësh për një provim nga një prej studentëve duke i kërkuar atij para në këmbim të një note kaluese. Por duket se pikërisht ky student është bërë shkas i një ankese në zyrën e kreut të Universitetit Bujqësor ndërsa ngjarja është cilësuar si e sajuar nga pedagogët e tjerë e stafi akademik. Studenti pasi ka ngelur në lëndën me pedagogun Gjurgji ka filluar të pyesë shokët e shoqet e klasës nëse dikujt prej tyre shefi i katedrës u kishte kërkuar para. Precedenti
Burimet policore bëjnë me dije se bashkë me Gjurgjin janë arrestuar dhe dy shtetas të tjerë, të cilët kryenin rolin e sekserëve, përkatësisht Fation Goxhaj dhe Alfred Qyra ish studentë e më pas të punësuar si pedagogë në Institutin Bujqësor. Mësohet se materialet i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme të rastit. Mësohet se dy të arrestuarit e tjerë i takonin studentët jashtë ambienteve të Institutit duke i bërë presion për notën e duke i thënë se nëse nuk jepnin nga 100 mijë lekë për provim ata nuk do të kalonin vitin. Pasi siguronin kontaktet mes shefit të katedrës dhe studentëve që i ofronin atij para në këmbim të notave kaluese dy të arrestuarit përfitonin nga skema korruptive 20-30 mijë lekë (të vjetër) për provim.

Plagjiaturë-UBT

Xhelal Mziu, kryetari i Bashkisë së Kamzës, u vlerësua me titullin “Doktor” për një punim shkencor, të cilin e ka publikuar edhe në web përmes “google docs”. Por në blogjet dhe faqet e internetit qarkullon sot një variant në italisht i punimit shkencor me të cilin, kryebashkiaku i Kamzës iu paraqit jurisë së Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në Universitetin Bujqësor të Kamzës. 

Juria e ngritur pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit e vlerësoi atë “Shumë mirë” duke i dhënë Xhelal Mziut gradën shkencore “Doktor” në fushën:Ekonomi dhe Agrobiznes, Profili: Financë-Kontabilitet”, thuhet në diplomën e marrë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Sipas postimeve të bërë në blogun “Peshkupauje.com” punimi i tij rezulton të ketë mangësi të theksuara në vendosjen e burimeve. “Trajtimi që i ka bërë temës nuk është teoriko-shkencor. Rasti që ai ka marrë në studim nuk rrek të shpjegojë shpenzimet publike të infrastrukturës së Kamzës. 

Për këtë arsye, komisioni i vlerësimit të titujve akademikë pranë Ministrisë së Arsimit, duhet të mos ia njohë titullin Mziut, për arsye se punimi i tij dëshmon prurje të preferuara nga autorë dhe punime të tjera, çka njihet ndryshe si plagjiaturë. Punimi shkencor i Mziut është një shkelje e rëndë e Rregullores për Etikën në Veprimtarinë Kërkimore dhe Botuese, parashikuar në pikën 3.2 mbi parimin e ndershmërisë. 

Kështu, në faqen 14 të kapitullit 1.3 mbi "Llojet kryesore të investimeve", Mziu rendit pa dëshmuar burimin dhe referencat teorike. Deri në faqen 22, ai ka kopjuar nga Sandro Petrizelli, përkatësisht në punimin e tij të titulluar, “Appuinti di Economia”. Po kështu, Mziu ka kopjuar leksionet e Sandro Petrizelli-t edhe në kapitullin 2 (fq.23) deri faqen 55. Ndërsa nga faqja 23 deri në faqen 27, Mziu ka bërë një përkthim të punimit “Impianti d’industria” të të njëjtit autor. Shkurtimisht, Mziu ka kopjuar punimet dhe leksionet e Sandro Petrizzelit, të cilat janë të publikuara në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Komisioni i Vlerësimit ka vendosur t’i japë titullin Mziut në kundërshtim me rregulloren”, thuhet në analizën e bërë në blog. 

Neni 19 e shpreh qartë: “Teza duhet jetë një pjesë e pavarur e punës shkencore dhe standardeve ndërkombëtare dhe me nivel të lartë akademik në lidhje me formulimin e argumenteve të kërkimit, bazën konceptuale, precizonin, metodologjinë, aspektet teorike, dokumentimin, përdorimin e literaturës dhe prezantimin. Teza duhet të kontribuojë në zhvillimin e njohurive të reja teorike kundrejt disiplinës dhe të ketë një standard akademik, i cili të justifikojë publikimin si pjesë e literaturës në fushën përkatëse”. Ndërsa oponentët, sipas po kësaj rregulloreje, neni 22, pika 4 "shprehen qartë për pastërtinë e punimit shkencor nga plagjiatura. Në rast se vërejnë dhe konstatojnë se kjo ka ndodhur, ata kërkojnë ndërprerjen e vlerësimit të disertacionit”. 

Në bazë të rregullores, UBT-ja duhet te revokoje titullin. Sipas nenit 27 të rregullores, "Grada shkencore “Doktor” është e revokueshme në çdo kohë dhe në çdo rast, që konstatohet plagjiaturë ose manipulim të dhënash në punimet e kandidatit. Në këtë rast, Dekani i kërkon Këshillit të Profesorëve të mblidhet menjëherë dhe të shqyrtojë rastin e konstatuar. Vendimi i këshillit të Profesorëve shqyrtohet nga Këshilli i Etikës i UBT-së, i cili i propozon Rektorit të UBT-së revokimin e gradës shkencore “Doktor” të fituar nga kandidati. Rektori pasi e shqyrton, merr vendim, të cilin ia dërgon kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë për të bërë çregjistrimin nga regjistri përkatës i këtij Komisioni. Të drejtën e revokimit të gradës shkencore “Doktor” e ka UBT-ja edhe në rastet kur konstatohet plagjiaturë apo manipulim të dhënash në studime/punime kërkimore të kryera pas promovimit për marrjen e saj”, shkruan rregullorja. Më tej në nenin 32, flitet edhe për ato elementë që studentët duhet të shmangin gjatë shkrimit të tezës së doktoraturës. Gjatë punimit studentët duhet të kenë parasysh që të shmangin manipulimin e të dhënave, duke paraqitur rezultate që nuk janë marrë asnjëherë; falsifikimin e rezultateve – modifikimin e rezultateve për të konfirmuar hipotezën; plagjiaturën, duke përfshirë këtu kopjimin direkt të materialeve, përdorimin e të dhënave apo ideve nga njerëz të tjerë, pa përdorur përkatësinë e duhur si dhe përfshirjen e të tjerëve, të cilët në fakt nuk kanë kontribuar në kërkim. Por, kryebashkiaku i Kamzës ka shmangur edhe këtë detaj duke falënderuar në punën e tij studimore edhe qytetarët e Kamzës. 

  Burimi: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=33215&kat=88