Wednesday, April 16, 2014

Reforma-Hysamedin-Ferraj


Parimet e parimeve të reformës universitare

Hysamedin Ferraj, 16 Prill, 2014

Përflitet se “rilindja” socialiste do ta lindë sërish arsimin e lartë shqiptar, por tani si anglosakson. Që tani mund të vëmë bast se universitetet shqiptare mund të bëhen anglosaksone aq sa mund të bëhet Edi Rama mbretëreshë e Shqipërisë. Siguri për fitimin e bastit është logjika e sistemeve. Më tej është logjika e “parimeve”. Dhe më tej, logjika e parimeve të “parimeve”.

Për fatin e reformës dhe atyre që preken prej saj, domethënë gjithë kombit shqiptar, më të rëndësishmit në këtë vargan janë parimet e “parimeve”. Këta merren të mirëqenë sepse ka pajtim të gjerë se qëndrojnë pa diskutim, dhe prandaj mbeten“transhedentalë” (Alain Badou), domethënë jashtë e tej çdo diskutimi. Mirëpo pikërisht këta “transhedentalë” vënë në lëvizje vetë “parimet” e shpallur, siç vënë fijet në lëvizje kukullat e teatrit, i drejtojnë vetë diskutimet e pafund që bëhen gazetave e televizioneve, por pa u bërë vetë asnjëherë objekt i shqyrtimit kritik. Prandaj për fatin e reformës së arsimit të lartë, dhe të ardhmes së kombit shqiptar, është e rëndësishme që këto parime të nxirren nga fshehtësia prapa perdes ku rrinë të pashqetësuar, e të sillen këtej në skenë, në këtë botë, për t’iu nënshtruar shqyrtimit kritik.

Lodhja që shkakton të menduarit (filozofia), është ndër këto parime të “parimeve” , i cili shfaqet në formën e maskuar se na mungon koha, ndërkohë që çështja e reformës është urgjente; dhe në formën e hapur të imitimit, teksa kërkohet shkurt: të gjenden modelet e gatshme të suksesit dhe të imitohen. Ky parim, me konsensus të gjerë popullor, shmang si “filozofime pa fryt” diskutimin e pohimeve të para, domethënë të parimeve, dhe shpesh me arsyetimin se ato i kanë menduar të tjerët para nesh, duke lënë për ne vetëm përdorimin e gatshëm të tyre. Në kontekstin e këtij parimi çka merret e mirëqenë është, për shembull, vetë ekzistenca e universiteteve në shoqëri (edhe në tonën). Prandaj pyetja “ç’kuptim ka qenia e universiteteve në shoqëri”, “pse të mos jemi shoqëri pa universitete”, do të dukej shumë hutuese dhe absurde. Mirëpo përgjigjet në këso pyetjesh primitive, domethënë të para e themelore do të na bënin të ndajmë mendjen të ndërtojmë ose jo universitet shqiptar. Qartësia për pse-në e universitetit, e bën të lehtë paskëtaj dizajnimin dhe ngritjen tekniko-ligjore të tij, ashtu si vëzhgimin (dhe vlerësimin) nëse është ose jo në përputhje me pse-në themelore të tij.

Përdorimi i përgjigjeve të gatshme, pa i shteruar pyetjet nëpër mendim, është ndër këto parime të “parimeve” që rrjedh nga i pari dhe drejtojnë konkretësinë e diskutimeve për reformën. Përgjigjet për “pse-në” e universiteteve në shoqëri rrëshqasin shpejt nëpër përgjigje të gatshme: “të transmetojë dije”, “të përgatisë brezin e ardhshëm”, dhe të tjera të këtij soji. Mirëpo pikërisht këso përgjigjesh të gatshme na çojnë tek pyetësimi i  modeleve të zgjedhur për imitim, na çojnë të mendojmë për “krizën e universiteteve” në vetë shoqëritë perëndimore, dhe pikërisht në masën që edhe atje universitetet thjesht po “përçojnë dije”: dije të gatshme për përdorim dhe përgatitjen e brezit të ardhshëm për punësim… në tregun e punës! Ndërkaq, përshtatja e universiteteve ndaj tregut menjëherë bën dy gjëra: Nga njëra anë, e kthen universitetin në ndërmarrje ekonomike, prodhuese të një malli specifik: të studentëve si mall i ardhshëm tregu. Vendim ky që e bën vetiu të parëndësi diskutimin dihotomik “privat-publik”, sepse tregu gjithsesi është shtëpia e privates. Nga ana tjetër, e përmbysë idenë liberale të ekzistencës së vetë tregut sepse e bën tregun masë të njeriut e të përshtatjes së njeriut (studentit) ndaj tregut, ndërsa në filozofinë liberale tregu dhe ekonomia e tregut legjitimohen e mbahen në ekzistencë me të vetmin argument: çon në mirëqenien e njeriut. Prandaj gjithë aktivitetin dhe mendimin modern liberal e përshkon ky tension ndërmjet njeriut dhe instrumenteve të tij, domethënë tregut, industrisë, teknologjisë, shkencës, etj. Dhe është e lehtë e nuk do asnjë ndihmë ose përgatitje (universitare) njerëzore që “tregu i lirë” të gllabërojë e të mbysë gjithçka dhe çdo vlerë tjetër: madje edhe veten e vetë (nëpërmjet trusteve, monopolizimit, etj.). As nuk është habi që ndër njerëzit më të suksesshëm në ekonominë e tregut (dhe të universiteteve privatë) të kenë qenë individë pa ndonjë arsimim ose diplomim universitar, sepse i tillë, siç na mësojnë Hobbes-i e këtej, njeriu është i lindur nga natyra e vetë biologjike-shtazore. Ndërsa universiteti i duhet shoqërisë më shumë pikërisht për përgatitjen e njeriut të aftë të mbrojë e zhvillojë njerëzoren e vetë, përfshirë edhe mbrojtjen e tregut të lirë nga prirja e natyrshme vetëvrasëse e tregut.

Importimi dhe imitimi i një krize për të zgjidhur krizën tonë është tjetri parim i “parimeve”, i cili teksa rrjedh nga dy të parët, luan fijet e “diskutimit publik” për reformën e arsimit të lartë në Shqipëri. Me fjalë të tjera “kriza e arsimit të lartë shqiptar” quhet e zgjidhur me importimin në Shqipëri të “krizës së universiteteve perëndimorë”, ndonëse është e njëjta krizë të cilën tashmë e kemi, dhe të cilën “reforma” e tillë vetëm e përforcon. Mirëpo kjo zbulon, nga njëra anë, vetëkonceptimin tonë “transhedental” se kemi një pasuri kohe të madhe sa për t’ia lënë të ardhmes reformimin e menduar të arsimimit të lartë, për të cilin kur të vijë koha prapë do të themi se nuk kemi kohë; dhe nga ana tjetër, se jemi pikërisht “produkt i universiteteve perëndimore” të sotme: tashmë prej tyre na janë përçuar dije (të gatshme), të cilat ne  i zbatojmë në vendin tonë (treg pune) si të tilla, pa asnjë reflektim themelues. Nuk është çudi pse simptomatik për këtë “krizë të universiteteve perëndimore” janë më të njohurit e tyre si Harvardit, Oksfordi, Kembrixhi, etj., deri në atë shkallë sa as nuk e kanë vetëdijen për të. Efiçentë në kulm për “përçimin e dijeve” dhe zbatimin e tyre mekanik për treg, nuk dihet që në këta shekuj të kenë themeluar ndonjë mendim shoqëror (veç pragmatizmit), ndërkohë që përçojnë dhe komentojnë teknikisht përkryer mendimin e krijuar jashtë tyre, qoftë ai ekzistencialist, strukturalist, poststrukturalist, postmodern, antihumanist, psikanalitik, skizanalitik, pozitivist, etj. [Një shenjë që mund të merret për të dalluar universitetin nga shkollat e larta që prodhojë profesione për treg]. As renditja e listës së personaliteteve politike të dalë prej tyre, ose nobelistëve në fusha të ndryshme nuk e ndryshon gjendjen, sepse të parët nuk kanë lidhje me krijimin e mendimit por me zbatimin e tij duke e marrë të gatshëm, ndërsa të dytët, kur nuk janë “blerë” të formuar tashmë në universitete të tjera, e vënë në vështrësi vetë dhënësin e çmimit Nobel kur vetëdijesohen se teoria për të cilën e kanë marrë atë ka qenë e gabuar (si Milton Friedman-i nën pleqërinë e tij, etj.).

Inferioriteti ndaj perëndimit, përkthyer si ksenomani, është parimi tjetër i “parimeve” që rrjedhë nga tre të parët. Në kontekstin e këtyre parimeve duket politikisht armiqësore dhe faktikisht absurde të flitet për “krizë të universiteteve perëndimore”, e sidomos të tillë si i Harvardit apo Oksfordit. Mbyllur brenda krahasimit me universitetet tona, “universitetet perëndimore” duken një mrekulli e “paarritshme” dhe fat sikur të kishim “krizën” e tyre, ndërsa megalomani të “vajtosh kalorësin se i varen këmbët”. Mirëpo jashtë kësaj mbylljeje, duke u hapur ndaj universales njerëzore, nuk ka asnjë arsye të ndjehem inferior ndaj asnjë universitari perëndimor, qoftë ai edhe më i shquari i Harvardit, Kembrixhit apo Oksfordit, sepse, (veç parave) gjithë ç’ka në dispozicion ai e kemi edhe ne, domethënë faktet dhe universalët logjikë, si të dhëna natyrore njeriut si njeri. E për arritjen e tyre mjafton me qenë i tillë dhe i përgjegjshëm për këtë. Prandaj arsimi i lartë shqiptar do të ndërtohej shëndetshëm pikërisht nëse pikënisje bëhen këto të dhëna.

Plagjiarizmi ligjor, i cili rrjedh natyrshëm nga irritimi ndaj mendimit kritik, importimi dhe imitimi, inferioriteti dhe ksenomania, është parimi tjetër që drejton “parimet” e reformës së përfolur. Derisa plagjiarizmi mbahet si ves i dënueshëm në gjithë fushat e tjera, mbahet si virtyt për ligjbërësit. Mirëpo këtu hyn logjika e sistemit, e cila garanton dështimin e reformës së ngritur mbi parime të tilla “të parimeve” të saj, përfshirë plagjiarizmin ligjor. Në termat e sistemit sistemi ligjor është një nënsistem i shoqërisë. Nëse një ligj nuk është koherent brenda një sistemi ligjor (p.sh të financave) dhe me nënsistemet e tjera shoqërore, përfshirë sistemin e vlerave, sistemin kulturor, sistemin e administratës ose burokracinë etj., ai ligj dështon sado i mirë në vetvete, sepse sistemi, me përkufizim, është tërësi pjesësh të lidhura funksionalisht, ku secila ndihmon e bën të mundshëm funksionimin e tjetrës. Përndryshe sado të efiçentë në vetvete, një motor i aeroplanit reaktiv po t’i vihet biçikletës, asnjëri as nuk e kryen funksionin e vetë as nuk e ndihmon tjetrin ta kryej atë. Prandaj njëlloj, kopjimi apo imitimi i modelit anglo-sakson “pa mbretëreshën” e Anglisë, garanton se ligji i tillë do të jetë funksional aq sa është e mundshme që Edi Ramës të bëhet mbretëreshë e Shqipërisë. Ndërkaq, është e vërtetë se shqyrtimi e hulumtimi i parimeve, i pohimeve themelues të universitetit, ashtu si i fushave të tjera, më shumë sesa detyrë e politikanëve është para së gjithash detyrë (e pakryer) e intelektualëve, të cilët, ndër të tjera e kanë luksin e gjithë kohës së nevojshme dhe të mjeteve që ta bëjnë këtë. Sigurisht që tashmë është vonë të bëhet diçka e menduar për këtë reformë, por reforma pasardhëse do të jetë shumë e shpejtë. Së paku deri atëherë le të jenë çtranshedentuar parimet që na vënë në lëvizje e t’i jenë nënshtruar shqyrtimit kritik.





Fitore e krisur

clip_image001
Kronologjia e një dështimi
 

I. Kristal i pezullohet licenca

“Kristal-it” iu pezullua përkohësisht licenca sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila kishte ushtruar një kontroll në sekretaritë mësimore të institucionit. Ministria vendosi nën trysninë e madhe të publikut në vend shkaktuar nga debati i gjerë për rastin “Renzo Bossi” [Diplomë për Troftën]. Rasti i tij u diskutua gjerësisht në mediat shqiptare vetëm pas zhurmës së madhe në mediat italiane. (www.peizazhe.com, Gusht 1, 2012)  
 

II. Kristal hedh në gjyq aktin administrativ

Marrë nga: www.peizazhe.com, Gusht 1, 2012, autori (arsimi.info/bulkthi)

Më 19 korrik Gazeta Idea publikon një shpallje gjykate për gjyq ndërmjet qeverisë shqiptare dhe institucionit të arsimit të lartë privat “Universitetit Kristal”. “Kristal” ankimon në gjyq vendimin e Këshillit të Ministrave për pezullimin e përkohshëm të licensës. Vendimi i Këshillit të Ministrave dhe i Ministrisë së Arsimit ngelet kështu në gjykimin e një gjykatësi të shkallës së parë, aspak kompetent për sistemin e arsimit të lartë, dhe po, duke e paragjykuar, ndoshta i ngarkuar posaçërisht me këtë çështje.
“Çështja që mban numrin 14184, është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës më 29.06.2012 ku shoqëria ‘Kristal’ sh.p.k padit Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë me objekt: ‘Shfuqizimi tërësisht i vendimit nr 354 datë 23.05.2012 të Këshillit të Ministrave për pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universitare jo publike ‘Universiteti Kristal’” [Gazeta Idea].

Edhe Prokuroria e Tiranës ndërmori hetimet e saj. Sipas Gazetës Shqip, “burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se janë të paktën tri raste të hetuara dhe gjykuara për lëshimin e diplomave universitare në mënyrë arbitrare. Disa persona janë dënuar, midis të cilëve edhe një shtetas francez, ndërsa në hetim është rasti i universitetit privat “Kristal”, ku është vërtetuar se dy shtetas italianë kanë marrë diplomë nga ky universitet.” Dhe po sipas kësaj gazete “Gjykata e Tiranës ka dënuar dy të moshuar, të cilët jepnin diploma universiteti kundrejt pagesës, e cila shkonte deri në 12 mijë euro. Në këtë rast diplomat ishin shtetërore…”

Mjafton të vëzhgohet sesi paraqiten lajmet në dy gazetat e mësipërme që mëtojnë gazetari investigative, për të kuptuar se, pas zhurmës dhe gallatës së rastit “Bossi,” publiku gjendet ende në terr informativ.
Rasti i gjyqit të “Kristal sh.p.k” ndaj Qeverisë së Shqipërisë ndiqet vetëm nga këto dy gazeta. Më pas mbi zhvillimet e mëtejshme edhe ato heshtin. Nga burime pranë gjykatës së Tiranës mësohet se kjo prokurori i ka mbyllur hetimet për rastin “Bossi” dhe të tjera shkelje në këtë institucion. Për këtë nuk njofton asnjë gazetë.

Në rastin e gjykimit të dy personave nuk përmendet universiteti shtetëror, dhe i vetmi burim është Prokuroria e Tiranës dhe jo gjykata.  Ndërsa për të njëjtin rast Gazeta Panorama tregon se ata shisnin diploma të një universiteti privat dhe jo shtetëror; dhe gjasat sipas disa burimeve janë që ky të jetë “Kristali”.  Pra prokuroria dhe Gazeta Shqip në rastin më të mirë keqinformojnë. Sërish, nëse këta dy persona janë gjykuar dhe dënuar, po bashkëpunëtorët e tyre? Nuk sqarohet se nëse këto diploma 12 000 euro ishin apo jo të rreme (çmimi nënkupton vërtetësinë e tyre). Me kast informacioni është i cunguar.
Gjasat dhe thashethemet janë që Ahmet Muça, “Meti i Kristal-it”, ka hedhur një sasi të madhe parash për mbulimin dhe heshtjen e asaj që do të ndodhë. “Meti i Kristal-it”, administratori, luan me kënaqësi poker. Nuk përbën habi që të ketë humbur disa miliona euro në tavolinën e kumarit me gazetarë e politikanë të të dyja kaheve (një mënyrë e mirë për të pastruar paratë e korrupsionit dhe fshehur burimin).

Vullneti për të heshtur nuk i ka munguar as klasës politike. Deputetë si Skënder Hasa (PS), Bedri Hoxha (PD), Ndue Paluca (PD), Rrahim Çota (PD), Artan Gaçi (PS) përmenden se janë diplomuar nga “Kristal”, edhe përpara licencimit dhe akreditimit të këtij institucioni [Gazeta Idea], por janë gati 18 raste të tilla.  E si për të pastruar ajrin, fill pas pezullimit të përkohshëm të “Kristal”, dy eksponentë të rëndësishëm të Lidhjes Socialiste për Integrim shkojnë e sajdisen në këtë institucion [Gazeta Idea].
Mbizotëron një heshtje e madhe mbi çështjen “Kristal”, e cila nuk duhet të përfundonte me pezullimin e përkohshëm të licensës, por të vazhdohej me ndjekjen nga prokuroria. Në të vërtetë, si administrata qendrore dhe sistemi i drejtësisë rezultojnë të kapura nëpër fijet e interesave të biznesit privat. Gjyqi i heshtur ndaj vendimit të qeverisë është loja e radhës për të mjelur biznesin e fëlliqur apo të pastër: ndërmerren masa administrative në sy të publikut, për t’i bërë këto masa më pas “mall” shkëmbimi dhe pazaresh nëpër gjyqe e nëntavolina burokratësh.

News24 njofton se shkolla e larte private "Universiteti Kristal" fiton pjeserisht gjyqin per hedhjen poshte te Vendimit te Keshillit te Ministrave qe pezullonte pjeserisht dhe perkohesisht licencen e ketij universiteti per nje periudhe prej nje viti. 

Vendimi i gjyqit te shkalles se pare (jo i apelit, sikur njoftohet ne artikull) kufizon ndikimin e VKM per pezullim vetem per dy programe Bachelor. Ky vendim u mor fill pas nderrimit te gjykatesit te pare. 
Ky gjyq kuptohet qe eshte ne vazhden e perpjekjeve te Kryeministrit dhe Ilir Metes per te mbeshtetur me parapelqim disa biznese te arsimit privat, sidomos dy institucionet me te medha private ne vend: "Universitetin Kristal" (LSI) dhe "Albanian University" (ish-UFO/ PD). Ndodhite e meposhtme deshmojne ndikimin e politikes mbi zhvillimin e biznesit te arsimit privat. 

 

III. Kristal fiton pjesërisht gjyqin

nga Peshkupauje, 30 Shtator, 2012
Kristal fiton pjeserisht gjyqin ndaj Keshillit te Ministrave. Vendimi i gjyqit i jep kohe te beje regjistrime ne programe te tjera studimi, te cilat gjithashtu kane rezultuar problematike, siç eshte infermieria.

Kristali akreditohet: Ne vendimin e fundit te Keshillit te akreditimi, i cili per cudine e te gjitheve akrediton dy programe studimi pak kohe pas diskutimit publik mbi rastin "Renzo Bossi", Kryetari i keshillit te akreditimit dhe keshilltari i Kryeministrit per çeshtjet e arsimit vendos rekomandime  vetem per te justifikuar akreditimin e programit: "Të lobohet pranë instancave qeveritare për të kërkuar rregulla të qarta loje ne tregun e arsimit të lartë, me objektiv tërheqjen e një numri shumë të madh studentësh."  

Vendimi i Këshillit të Akreditimit

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit, i përmbush objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:
· Për programin e studimit Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”
· Të bëhet shumë përpjekje për tërheqjen në këtë program studimi të studentëve më cilësorë nga sistemi i studimeve Bachelor.
· Të bëhet më shumë përpjekje që të përmirësohet niveli i studentëve në dalje.
· Të sigurohet që studentët e këtij programi studimit duhet të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
· Për programin e studimit Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”
· Të rriten përpjekjet për mbylljen sa më të shpejtë të titujve akademikë për stafin akademik që mbulon kurrikulat në drejtim Master i shkencave.
· Të lobohet pranë instancave qeveritare për të kërkuar rregulla të qarta loje ne tregun e arsimit të lartë, me objektiv tërheqjen e një numri shumë të madh studentësh.
· Të intensifikojë më tej përpjekjet për të organizuar seminare dhe konferenca periodike kombëtare dhe ndërkombëtare shkencore në fushën e informatikës dhe teknologjive të informacionit.
· Të sigurohet që studentët e këtij programi studimit duhet të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
· Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”
· të akreditohet.
· Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike”
· të akreditohet.
· Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”
· të akreditohet.
Zj. Anila Hoda; Z.Vladimir Nika; Zj. Edlira Late dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.



IV. Kristal gjen kokën e turkut


Gazeta Shqip, 21 Janar, 2013


Drejtësia shqiptare gjen fajtoren për dhënien e diplomave false në universitetin privat “Kristal”, skandal i cili u denoncua në mediat italiane. Ajo është një sekretare në këtë universitet, së cilës i “ra lapsi” të firmoste regjistrimin e dy shtetasve italianë për të vijuar shkollën e lartë në Shqipëri, madje për administrim biznesi. 

Gjykata e ka gjetur fajtore Jonida Ajazin, e cila ishte punësuar në këtë universitetit në vitin 2010, në një kohë që Renzo Bossi ishte regjistruar në vitin 2007 në këtë shkollë. Pra, sipas dokumenteve, Jonida kishte firmosur tre vite para se të punësohej.

Megjithatë, drejtësia është mjaftuar vetëm me ndëshkimin e kësaj sekretareje, kur në fakt, Bossi dhe miku i tij, kishin marrë nota të mira në disa lëndë për administrimin e biznesit, madje pedagogë, rektor dhe dekan kishin firmosur për t’i lëshuar një diplomë. Hetimi penal dhe gjyqësor u fokusua vetëm tek personi që kishte regjistruar këtë shtetas në Shqipëri, në një kohë që të gjitha dokumentet prej tij, kishin disa firma. Me dokumente, ai rezultonte të kishte ardhur në Shqipëri, madje të kishte frekuentuar edhe auditorët e shkollës, në një kohë, që sipas TIMS-it, Renzo Bossi nuk kishte shkelur kurrë në vendin tonë, fakt të cilin e pranoi në një prononcim për mediat italiane.

Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin gjyqësor për sekretaren Jonida Ajazi, e cila u dënua fillimisht me 18 muaj burg, të cilat u reduktuan në 12, pas gjykimit të shkurtuar. Duke qenë e parrezikshme për shoqërinë, Jonida u dënua me kusht, në një kohë që nuk duhet të frekuentojë persona të rrezikshëm shoqërorë.

Skandali “Bossi”


Nga sekuestrimi i regjistrave të regjistrimit të notave dhe të tërheqjes së diplomave, ka rezultuar se shtetasi Renzo Bossi, i datëlindjes 08.09.1988 është regjistruar në universitetin “Kristal” për “Menaxhim biznesi”, në vitin akademik 2007–2008, me numër amze 482 dhe është diplomuar për këtë degë në datën 29.09.2010 me numër diplome 272. Madje, notat në diplomë i ka pasur të mira, ndërsa diploma është tërhequr nga shtetasi shqiptar Anesti Deçka.


Regjistrat e falsifikuar


Nga hetimet rezultoi se në regjistrin themeltar të Fakultetit të Administrim Biznesit, i cili u dërgua për ekspertim, u konstatuan ndërhyrje në formë shtim-heqje fletash. Në kuptimin teknik, dokumenti është i kompromentuar. “Fleta me numër 22 e këtij regjistri, ku është i regjistruar shtetasi italian Renzo Bossi paraqitet në pikëpamje teknike me të njëjtën tipografi dhe dizenjo si dhe fletët e tjera të këtij regjistri. Por kjo fletë është shkruar nga i njëjti person, me të njëjtin mjet shkrues, ndryshe nga fletët e tjera të regjistrit, të cilat janë plotësuar nga dy, apo tre persona dhe me mjete shkrues të ndryshëm”, thuhet në vendimin e gjykatës. Si përfundim, regjistrat që iu nënshtruan ekspertimit, rezultuan të falsifikuar, në të cilat gjendeshin të dhënat e shtetasve italianë Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro. Regjistrat janë plotësuar me shkrim dore nga e pandehura Jonida Ajazi, me detyrë sekretare mësimore në drejtorinë e arkivit dhe sekretarisë qendrore në universitetin “Kristal”. “Në këtë detyrë kjo shtetase është emëruar në datën 01.06.2010”, pohon gjykata, në një kohë që regjistrimi është bërë në vitin 2007.

“Nga hetimet e kryera rezulton e provuar se shtetasit Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro nuk kanë ndjekur studimet e larta dhe nuk i janë nënshtruar procesit të diplomimit në universitetin ‘Kristal’, Tiranë. Në gjykim e pandehura, nëpërmjet deklaratës noteriale, e ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendim të thellë për veprën e kryer”, thuhet në vendimin e gjykatës, e cila e ka dënuar këtë shtetase me 18 muaj burg, së cilës i është konvertuar me dënim me kusht.



































Universiteti-Elbasanit-Mitmarrje

 

 

15 Shtator, 2012, Gazeta Tema

Arrestohet për korrupsion një tjetër pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Policia bën me dije se pedagogu i Fakultetit të Gazetarisë, Isidor Koti, ka rënë në pranga pasi studentët e kanë denoncuar atë për mitnmarrje në këmbim të notave të provimeve, me të cilët linte takime jashtë orarit të mësimit. Policia i ka sekuestruar atij rreth 1 milion lekë të vjetra të ndara në disa zarfe.
 

3 Korrik, 2012, Gazeta Tema + Shqip

Policia e Elbasanit bëri me dije se ka arrestuar një pedagog të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, i cili akuzohet për ryshfet.

Pedagogu i matematikës, Pëllumb Kllogjeri, 61 vjeç është arrestuar nga policia e Elbasanit në flagrancë në zyrën e tij si dhe iu sekuestrua shuma prej 70 mijë lekësh të reja e ndarë në 7 zarfe, si dhe një tjetër zarf me shumën 100 euro.

Pedagogu ra në prangat e policisë, në kuadër të operacionit “Zarfi”, ndërsa priten edhe të tjera arrestime për të njëjtat akuza në Universitetin e Elbasanit.

Gjykata e Elbasanit ka vendosur arrest shtëpie për pedagogun e Matematikës.

Pedagogu Pëllumb Kllogjeri është arrestuar mesditën e datës 3 korrik në zyrën e tij në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur 70 mijë lekë të ndara në 7 zarfe të ndryshme, ndërkohë që gjatë kontrollit në zyrë është gjetur dhe një zarf tjetër me 100 euro. Sipas prokurorisë dhe policisë lokale, Kllogjeri është arrestuar në kushtet e flagrancës pak pas provimit, teksa u kishte marrë paratë studentëve në këmbim të notës kaluese në lëndën e Matematikës, që ai jepte prej disa vitesh.
Kllogjeri shprehet se:
“Historia, në të cilën më kanë përfshirë, është veçse një kurth i parapërgatitur që synon të më implikojë si i përfshirë në korrupsion. Kurthi është iniciuar nga studentja ngelëse e sistemit “part-time” Valbona Gjini nëpërmjet bashkëshortit të saj, Bujar Gjini. Kjo studente, pasi nuk kishte arritur të merrte vlerësimin pozitiv në provimin e fundit kishte vendosur që ta rijepte atë”, – tha Kllogjeri. Ai sqaroi se bashkëshorti i studentes Valbona Gjini, dhe studenti Hysen Topi kanë kontribuar dhe janë bërë pjesë e skenarit të lojës së futjes së tij në kurth. “Ata kanë shfrytëzuar kohën kur në zyrë po punohej nga ana ime për korrigjimin e provimeve. Jam përpjekur që ta sqaroj bashkëshortin e studentes Gjini që në këtë periudhë nuk mund të bëhej dot asgjë dhe se ajo duhet të vazhdojë punën për t’u përgatitur për provimin, që të mos skualifikohej më. Në momentin që jam larguar nga zyra, tre personat në fjalë kanë lënë mbi tavolinën time një zarf me para”, – ka deklaruar 61-vjeçari. Ndërkohë, ky i fundit ka pohuar se është e vërtetë që në zyrë janë gjetur dhe disa zarfe të tjera. “Unë nuk u kisha kërkuar para studentëve. Nuk e kam bërë asnjëherë këtë gjë në jetën time profesionale. Ata kishin futur lekë në fletoret e tyre. Nuk i kisha denoncuar, pasi prisja që ata të paraqiteshin në zyrë për të sqaruar këtë lloj sjelljeje të papranueshme nga ana ime. Jam i pafajshëm, ndaj të hetohet me ndershmëri”.
Dyshohet se shuma që kërkonte Kllogjeri varjonte nga 10 mijë lekë deri në 100 euro. Ditën e arrestimit, studentët kanë dhënë provimin, ndërsa i kanë dorëzuar zarfet me para dhe euro në këmbim të notës 5. Policia ka ndërhyrë pasi pedagogu ka mbledhur fletët e provimit, brenda të cilave studentët kishin futur zarfin me emrin përkatës.
Denoncimi për pedagogun është bërë nga vetë studentët. Hetimet kanë nisur gjashtë muaj më parë, kohë kur është bërë denoncimi i parë ndaj pedagogut.
 

17 Mars 2004, Korrieri


Mitmarrja, ndjekje penale pedagogut

Antikrimi Ekonomik ne Elbasan, kerkoi arrestimin e mjekut Kujtim Ibrahimi, nen akuzen e mitmarrjes. Jep mesim edhe ne Fakultetin e Infermierise. Denoncimi i studenteve: "Kerkon 5 000 mije leke, ne kembim te notes". Vendoset hapja e ceshtjes penale dhe hetim ne gjendje te lire. Reagimet e Rektorit e Prefektit, per dyshimet e abuzimit financiar ne Universitetin "Aleksander Xhuvani"
Ndjekje penale per pedagogun e Universitetit "Aleksander Xhuvani" ne Elbasan, pasi akuzohet se kerkonte 50 000 mije leke ne kembim te notes. Burime te policise se Elbasanit, bene te ditur dje, se ka nisur ceshtja penale ne gjendje te lire per pegagogun Kujtim Rait Ibrahimi 48 vjec, lindur ne Cerrik e banues ne lagjen "Beqir Dardha", te qytetit te Elbasanit. Sipas te njejtit burim, pedagogu Ibrahimi, me profesion doktor pediater, pedagog i jashtem i Universsitetit "Aleksander Xhuvani" ne Elbasan ne degen e infermierise, ka konsumuar vepren penale te parashikuar nga nenet 259 dhe 260 te Kodit Penal, te kerkim per dhenie miti dhe marrje miti.

Sipas burimeve te Zyres se Antikrimit Ekonomik dhe Financiar ne Drejtorine e Policise se Qarkut Elbasan, pedagogu Kujtim Ibrahimi, kishte kohe qe praktikonte mitmarrje ne kembim te notes. "Ne menyre sistematike ai ka angazhuar persona te tjere qe te marrin shperblime nga 5 000 mije leke te reja per cdo student ne kembim te venies se notes kaluese ne provimet e statistikes". Te njejtat burime shtuan se pedagogu perdorte rregullisht, dy "menaxhere".

"Aktiviteti i paligjshem kryhej hapur aq sa nje dite dy nga studentet e tij nuk duruan me dhe njoftuan organet kompetente", thone burimet. Pas grumbullimit te provave, agjente te zyres se Antikrimit Ekonomik, kane kerkuar arrestimin e pedagogut. Burimet e policise, thane se pas kesaj kerkese, "eshte vendosur qe ai te hetohet ne gjendje te lire". Nderkohe konfirmohet se materialet i kane kaluar Prokurorise se Rrethit te Elbasanit. Zyra e Antikrimit Ekonomik gjithashtu ben te ditur se dhe gjate ushtrimit te aktivitetit te tij si mjek Ibrahimi ka perfituar shuma te medha ne te holla. Madje shpesh ai eshte bere personazh i perleshjeve me paciente. "Nuk eshte vetem Kujtim Ibrahimi qe aplikon mitmarrjen ne Universitetin "Aleksander Xhuvani" ne Elbasan. Policia dhe organet e Prokurorise kane sinjalizime se te njejten praktike e aplikon nje numer i madh pedagogesh te ketij Universiteti. Mjafton te hetohet se me cfare te ardhurash kane ata se me cfare makinash qarkullojne dhe se ne cfare vilash jetojne", theksojne zyrtaret e Antikrimit Ekonomik. Korresp.i Rrethit











UPT-Mitmarrje

 
Gjykata e Tiranës dënoi me 1.6 vite (detyrim paraqitje) pedagogun e Fakultetit Gjeologjik, E. Q.

Pedagogu E.Q. ra në pranga të policisë pasi akuzohej për marrje të ryshfeteve studentëve.

Në qershor të vitit 2012, një student ka denoncuar pegagoun e tij në Prokurori, pasi e kishte regjistruar nëpërmjet telefonit, teksa i ka kërkuar 100 mijë lekë të reja për një provim.


Nga Gazeta Panorama, 17 Dhjetor, 2013

Nje drejtues i Fakultetit te Gjeologji-Minierave, shtetasi E. Q., pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, pas arrestimit ditën e shtunë me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se pas arrestimit në flagrancë të 55-vjeçarit, është kërkuar që Gjykata të vlerësojë masën e sigurisë. 
Prova kryesore ndaj profesorit të arrestuar janë përgjimet telefonike dhe ambientale të bisedave të kryera mes tij dhe një studenti të Universitetit të Kamzës që nga muaji maj i këtij viti. Një tjetër provë janë edhe 10 mijë lekë të rinj, që iu sekuestruan të arrestuarit në cilësinë e provës materiale ditën e shtunë. 
Arrestimi në flagrance i [pedagogut] ndodhi në momentin kur ai po i kthente studentit të Kamzës një shumë prej 10 mijë lekësh të rinj. Më parë, pedagogu kishte marrë nga studenti 750 mijë lekë, me premtimin për ta kaluar në katër provime. I riu ka hyrë në provimet e lëndëve në Kamzë, por ka marrë nota ngelëse. Pas rezultateve negative në provime, studenti ka hyrë në komunikim me [pedagogun] dhe i ka kërkuar kthimin e parave për shkak se nuk “I kishte mbaruar punë”. 
Sipas hetimeve të Prokurorisë, [drejtuesi i ] .. i kishte marrë paratë me premtimin se do të ndërhynte te kolegët e tij në Universitetin e Kamzës. 
Pas informacioneve të marra, Prokuroria e Tiranë, në datën 21.05.2012, ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të .. [pedagogut] për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. ..
Pedagogu, sipas burimeve zyrtare, ka marrë shuma parash nga një student i Universitetit Bujqësor Kamzë, duke i premtuar atij ndërhyrjen te disa pedagogë të këtij universiteti për ta kaluar në disa provime, në të cilat ai kishte hyrë më parë dhe nuk kishte marrë notë kaluese.

Shitje-Diplomash-Tetove


Në Shqipëri ka shumë të diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sidomos në mësuesi dhe studentë në zonat e Shqipërisë Veri-lindore.

Në vitin 2013 u njohën rreth 1700 diploma universitetesh të huaja nga Ministria e Arsimit. Nga këto me siguri prej 100-200 kanë qenë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Gjithashtu nga Maqedonia vinë edhe diploma nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës. Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës nuk ka ndërmarrë ende ndonjë verifikim mbi këto diploma pas lajmit nga Balkan Investigative Reporting Network.

Sipas procedurave të shpallura në faqen e Ministrisë së Arsimit  dokumentet pranohen të legalizuara, por duke njohur sesi funksionojne disa prej nëpunësve atje, nuk është çudi që diplomat e mbërritura në Shqipëri të jenë falso. Sidoqoftë kjo kërkon bashkëpunimin e institucioneve dhe nëpunësit e ministrisë nuk mund të hetojnë çdo rast. Problemi tjetër është politik, pasi USHT mund të stigmatizohet si institucion joserioz dhe në Maqedoni mund ti sjellë probleme shqiptarëvë etnikë të punësohen në administratë etj.

Artikulli më poshtë mbi diplomat falso në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Balkan Investigative Reporting Network, 23 Mars, 2014

MAQEDONI–Në Maqedoni vazhdojnë të përdoren diplomat e falsifikuara që janë lëshuar në përdorim pa u vënë re nga institucionet.

Rrjeti Ballkanik për Raportime Investiguese BIRN (Balkan Investigative Reporting Network), përshkruan në detaje këtë dukuri, ku si shembull trajtohet një hulumtim mbi USHT. 
Diplomat e falsifikuara të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) mësohet të jenë shitur me shumicë në fshatin Sellcë të Tetovës. Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme në një nga shtëpitë e këtij fshati zbuloi një bazë, në të cilën janë përgatitur diplomat falso.
Një banor i fshatit, i moshës 30-vjeçe, në bodrumin e objektit ka përgatitur vërtetimet e fakulteteve dhe të njëjtat ua ka shitur shtetasve italianë. Pjesa më e madhe e diplomave kanë mbajtur logon e Fakultetit të shkencave mjekësore pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Pas përgatitjes së diplomave, firmosje dhe vulosjes së tyre, falsifikuesi i ka çuar të njëjtat në zyra përkthimi të autorizuara, ndërsa përkthimet i ka vërtetuar në noter. Në këtë mënyrë ai ka arritur të lëshojë në përdorim gjashtë vërtetime. Problemet e këtij personi lindën me 16 vërtetimet e radhës. Noteri përkatës ka dyshuar në origjinalitetin e dokumenteve dhe ka denoncuar rastin në polici.
Në bazën e falsifikuesit policia arriti të gjej fotografi të personave të ndryshëm me banim në Itali, dokumente për t’u dërguar në Kroaci dhe dy fletore me emrat e “akademikëve”, “të diplomuarve” dhe “mjekëve potencial”.

Hetimet e këtij rasti duhet të vërtetojnë nëse banori i fshatit Sellcë ka zhvilluar vetë biznesin apo në skemën e falsifikimit janë përfshirë edhe individë të tjerë.

“Hetimet e rastit janë duke vazhduar. Zbulimi i rastit bëri të mundur arrestimin e disa personave dhe marrjen e masave dhe veprimeve plotësuese për të siguruar provat e nevojshme lidhur me të gjitha diplomat dhe dokumentet që janë përgatitur ilegalisht dhe falsifikuar, por edhe me gjetjen e të gjithë personave që kanë keqpërdorur dokumentet e falsifikuara”, tha për BIRN zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, megjithëse paralajmëroi kontrolle më të rrepta në institucionet e arsimit të lartë, nuk është shqetësuar shumë me rastin e fundit që u zbulua në fshatin Sellcë sepse sipas tij nuk bëhet fjalë për krim të organizuar, ndërsa cilësia e dokumenteve të falsifikuara ka qenë shumë e dobët.

“Rastin e fundit do ta kisha cilësuar si një budallallëk të personit që ka tentuar të përgatisë dokumentet false. Në rastin konkret u falsifikuan diploma të Fakultetit të shkencave mjekësore, fakultet ky i cili asnjëherë nuk ka lëshuar diploma sepse studimet e mjekësisë janë aktive rreth 3 vjet, që tregon qartë naivitetin e personit në fjalë. Gjithashtu, falsifikimi i dokumenteve mund të vërehej shumë lehtë sepse për përgatitjen e tyre ishte përdorur një vulë e vjetër”, tha Ristovski për BIRN.

BIRN kërkoi përgjigje nga Universiteti Shtetëror i Tetovës për të gjitha rastet e falsifikimit të dokumenteve që janë zbuluar deri më tani, për mënyrën me të cilën universiteti ballafaqohet me këtë lloj krimi dhe për hetimet e rastit të fundit që u zbulua në fshatin Sellcë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme verifikon nëse formularët në të cilët janë shtypur diplomat janë origjinalë ose bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara nga ana e banorit të fshatit Sellcë. Vërtetimi i supozimit të parë do të thotë që në biznesin ilegal janë involvuar strukturat e Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Njëkohësisht, ky rast është duke u hetuar edhe nga ana e policisë italiane, e cila përpiqet të zbulojë personat që kanë blerë diploma të falsifikuara të përgatitura në fshatin Sellcë dhe të pengojë legalizimin e këtyre diplomave në sistemin italian.

Maqedonia për herë të parë u ballafaqua seriozisht me problemin e diplomave të falsifikuara gjatë periudhës së viteve 2000–2001. Gjatë këtyre viteve u zbuluan shumë diploma të falsifikuara nga Bullgaria, por edhe nga Kosova. Pjesa më e madhe e këtyre diplomave u zbuluan në Fakultetin Ekonomik në Shkup, në të cilin dokumentet e falsifikuara pritën nostrifikimin. Më vonë u vërtetua se “studentët e diplomuar” në Bullgari jo vetëm që nuk kishin mbaruar fakultetin përkatës, por ato as që kanë qenë të regjistruar në fakultet.

Shitje-diplomash-Kristal


Marrë nga: https://peizazhe.com/2012/05/03/diplome-per-troften/, Pishak Zhgaba, 3 Maj 2012



https://xhaxhai.files.wordpress.com/2012/05/diploma-renzo-bossi.jpg

Vetëm sot u bë e njohur se Renzo Bossi qenka diplomuar në Shqipëri, në universitetin “Kristal”, në Fakultetin Administrim Biznes. Sipas prokurorive të Napolit e Milanos, ekziston dyshimi se kjo diplomë është paguar me fondet e partisë “Lega Nord”.
Ky lajm, për t’u kuptuar, por edhe për të parë ndërlikimet me Shqipërinë, duhet detyrimisht kontekstualizuar. Së pari duhet kujtuar se djali i Bossi-t përflitet për injorancën e vet gati në mënyrë proverbiale, pavarësisht nga karriera politike që ka bërë nën ombrellën e të atit. Vetë nofka “Trota” (Trofta) iu ngjit prej babait të vet. Bossi junior nuk e mori dot maturën menjëherë, iu desh ta përsëriste tri herë, madje duke akuzuar profesorët se nuk i kishin dhënë hakun meqë ishin me origjinë nga jugu i Italisë.
Së dyti, duhet shënuar se akuzat për keqpërdorim të fondeve partiake kanë ardhur si brenda Lidhjes, ashtu edhe nga organet gjyqësore. Shtypi ka kohë që flet për disa investime të çuditshme të firmosura nga përgjegjësi administrativ i “Lega Nord”. Një nga këto bëri bujë sepse u krye në Tanzaninë e largët, ku u investuan disa milionë euro të partisë.
Së treti, nuk duhet harruar përshoqërimi i emrit të Renzo Bossi-t me arsimin universitar perceptohet nga opinioni publik si i pamundur, si i pabesueshëm, si “kundër natyrës”, si oksimoron. Nga ana tjetër, kur u fol për investimet në Afrikë, shumëkush u tall me këtë lloj zgjedhjeje bizare, kryer nga një parti të njohur për ksenofobinë, provincializmin dhe reagimet e saj kundër imigrantëve.
Lakimi i Shqipërisë në këtë kuadër, sa të lëvizshëm aq edhe problematik, nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Nuk tingëllon mirë, as për imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë, as për sistemin universitar shqiptar. Këtu nuk e kam fjalën për mjediset shqiptare, të cilat e njohin sistemin arsimor të Shqipërisë, me të mirat e të metat e veta. Këtu është fjala për imazhin që i jepet opinionit publik ndërkombëtar, i cili vetëm sa i shtron palë palë paragjykimet e veta për Shqipërinë, të cilat jo gjithnjë janë të çminueshme, sidomos kur embrioni ofrohet nga vetë realiteti shqiptar.



UBT-Mitmarrje

 

Përditësuar 18 Tetor 2015

 

Disa pedagogë të Universitetit Bujqësor janë gjykuar dhe dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë për shpërdorim detyre (mitmarrje) dhe mungesë etike në marrëdhëniet me studentët.

Ky është nga të paktët raste kur dënohen pedagogë për mitmarrje, dukuri që ka cënuar reputacionin e universiteteve shqiptare dhe të pedagogëve të ndershëm e të përkushtuar. Më tej, sidomos në Universitetin Bujqësor. përfliten raste makabre të sjelleve imorale të disa pedagogëve që kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre jo vetëm për përfitime monetare, por edhe seksuale.

Sidoqoftë, edhe pse gjykimi duket transparent, pedagogët kanë diskrecion dhe liri akademike në vlerësimin e studentëve, dhe për gjykatën është e vështirë të provojë motivin e veprimit të një pedagogu në mënyrë direkte. Prandaj është universiteti që duhet ti trajtojë këto çështje me këshillat e etikës dhe të sigurimit të cilësisë.

Administratorët e këtij portali u kontaktuan nga dy prej të akuzuarëve për të mospërmendur emrin e plotë dhe hequr lajmin. Por duke qenë se këta persona i kanë shkaktuar më shumë dëm arsimit të lartë sesa i ç’ka shkakton publikimi i këtij lajmi të dënuarëve, administratorët refuzuan të heqin lajmin, por respektojnë ruajtjen e të dhënave personale.

Në këtë rast prokuroria ka pasur dëshmitarë dhe prova si thirrjet telefonike për të dëshmuar veprimet e kundraligjshme të pedagogëve. Më poshtë një pjesë nga vendimi i gjykatës së apelit, nr. 577, datë 30.05.2012.

 

image

Poli Hoxha, 22 Dhjetor 2011, Gazeta Shqiptarja.com

{Artikulli është redaktuar për të larguar paqartësitë dhe zevendësuar emrat me iniciale.}
 
Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, dhe homologët e tyre në prokurorinë e Tiranës, kanë mbyllur hetimin … , pedagog, punonjës të administratës dhe sekserë, në Universitetin e Kamzes, të akuzuar për korrupsion dhe mitmarrje.

Gjithshka ka nisur pas disa denoncimeve në Sektorin Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, gjatë periudhës së regjistrimit të studentëve të rinj fitues në këtë universitet dhe sidomos, pas procesit të shpalljes së fituesve që përfitonin nga shtesat. Gjithashtu denoncime të shumta, ka pasur edhe për mitmarrje gjatë sezonit të fundit të provimeve, me shuma që shkojnë deri në 300 mijë lekë të vjetra për një notë kaluese.

Sipas burimeve, gjatë përgjimeve që kanë vazhduar gjëtë këtyre 3 muajve, ka rezultuar se rrethi i personave të përfshirë, është shumë i gjerë. Në "listën e zëzë" të hetuesve janë disa pedagogë, punonjës të administratës, studentë dhe shumë sekserë. Ndërkohë është vërtetuar se shumë regjistrime për student që fillojnë shkollë për herë të parë, gjatë këtij viti shkollor, janë bërë me dokumentacion fallco.

Vetëm një vit më parë gjatë një operacioni të koduar "Provimi i Suksesshëm 1", nga policia e Tiranës në bashkëpunim edhe me prokurorinë u arrestuan 7 personave, mes tyre pedagogë të Universitetit bujqësor të Kamzës. U prangos A.F, V.K, të dy profesor në Universitetin e Kamzës, K.. dhe D. D. punonjës në po këtë Universitet, si dhe P.E., student në Universitetin e Kamzës. Pedagogët më pas u ndoqën në gjendje të lirë.

Sipas deklarimit të policisë amësohet se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri tjerin në periudha të ndryshme kohore, kanë shpërdoruar detyrën duke u marrë ryshfet shumën prej 250 mijë lekësh të vjetra për një provim, studentëve mbetës.