Monday, May 16, 2016

Konsulence ligjore per aktet nenligjore te ligjit te arsimit te larte: Rrezik per klientelizem.



http://appa.al/raport-maj-2016-ministria-e-arsimit-dhe-sportit/


Rigels Xhemollari,  Raport Maj 2016 – Ministria e Arsimit dhe Sportit
1-Reforma në arsimin e lartë, MAS shkelje ligji nga “paaftësia”
Sipas nenit 141 të ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të kishin dalë të gjitha aktet nënligjore që e bëjnë funksional zbatimin e tij dhe krijimin e instituteve dhe institucioneve që parashikohen. [1] Ky afat ka rreth 2 muaj që ka kaluar dhe ende nuk ka dalë asnjë akt i vetëm nënligjor, udhëzim apo VKM. Pra jemi para faktit që një ministri dhe një qeveri pompon çdo ditë në media dhe auditorë si sukses reformën në arsimin e lartë dhe nuk është ulur një ditë të vetme të shohë afatet, aktet dhe nevojën e përshpejtimit të procesit. Kur dëshira nuk të përputhet me arritjen, ky fenomen trajtohet si paaftësi, prandaj mungesa e një kolone aktesh nënligjore dhe papërgjegjshmëria institucionale kanë bllokuar një seri procesesh të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë.
Duke nisur nga VKM për krijimin e Bordit të Administrimit, për çlirimin e doktoraturave pas një pauze 3-vjeçare, për modelin dhe Agjencinë e Financimit të arsimit të lartë, e deri te kodi i cilësisë së arsimit të lartë janë rreth 30 akte nënligjore që duhet të ishin nxjerrë sipas afateve që përcakton ligji nga Këshilli i Ministrave. Kjo anomali dëmton procesin, arsimin dhe dështimin e ndërtimit në kohë të institucioneve të parashikuara në ligj. Shqipëria nuk ka mekanizëm ligjor shtrëngues që të detyrojë Këshillin e Ministrave të miratojë aktet në afat, kështu që çdo reformë apo ligj i rëndësishëm është i destinuar të mbetet në mëshirën e fatit dhe dëshirën e atyre që na drejtojnë.
Por edhe vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk mbetet mbrapa sa i takon “paaftësisë”. Janë rreth 20 akte të tjera nënligjore (udhëzime të Ministrit) që duhet të ishin miratuar deri në fund të muajit prill, por siç dallohet edhe nga faqja e internetit muajt e fundit ka qenë e ngarkuar me festivale dhe ceremoni të ndryshme. Madje MAS ka zhvilluar edhe seminare për orientime drejt karrierës duke harruar që orientimi më i mirë është zbatimi i ligjit, detyrë të cilën e ka harruar. Nga neglizhenca dhe paaftësia e këtij institucioni ne sot nuk kemi udhëzime për dokumentacionin dhe procedurat e hapjes së programeve të reja të studimit, ngarkesat mësimore, format e diplomës, forma e aplikimit për grantet dhe politikat e zhvillimit të IAL-ve. Ky lloj ngërçi ligjor ka krijuar konfuzion tek pedagogët e studentët, ka krijuar pakënaqësi tek kërkuesit shkencorë tek drejtuesit e universiteteve publike dhe private dhe nëse do të vazhdojë deri ne fillimin e vitit të ri akademik do të kemi një reformë të dështuar jo nga mungesa e vizionit por nga paaftësia institucionale.
2- Zgjidhje me shkop magjik, ligj me tender
Pasi kaloi rreth një vit nga hyrja në fuqi e ligjit dhe as Këshilli i Ministrave dhe as MAS nuk ja dolën të miratojnë qoftë edhe një akt të vetëm, sytë u drejtuan nga Agjencia e Prokurimit Publik si ilaç i paaftësisë. Ministria e Arsimit dhe Sportit, pavarësisht se në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë shenjë, ka shpallur tender publik me objekt kontrate “Konsulencë në hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë”, në vlerën e 2.5 milion lekëve pa TVSH.[2] Nëpërmjet një tenderi me afat një mujor zyrtarët e Ministrisë i kërkojnë ekspertëve përgatitjen e rreth pesëdhjetë akteve nënligjore për të cilat së pari duhet të kërkojnë ndjesë publike që nuk i realizuan dot as për një vit dhe as me paratë që paguhen nga taksapaguesit për të bërë detyrën e tyre. Qytetarët shqiptarë për shkak të paaftësisë së institucioneve, përveç kostos që sjell moszbatimi i ligjit në kohë do të duhet të paguajnë edhe koston ekonomike të ardhur nga kontraktimi i ekspertëve të cilët dot ë bëjnë punën e Ministrisë e cila këtë muaj kishte shumë ceremoni dhe nuk pati kohë të angazhonte departamentin e saj juridik.
[2] Buletini APP Nr. 19 datë 16 Maj 2016 https://www.app.gov.al/ep/2016_Arkiva_e_Buletineve.aspx

Thursday, May 12, 2016

Presidenti heziton te dekretoje rektoret e rinj

Sipas gazetes Sot, njoftimet e se ciles duhen vleresuar me rezerva, presidenti Bujar Nishani ka hezituar te dekretoje disa rektore pasi zgjedhjet jane kontestuar nga kandidatet humbes.

Bujar Nishani bllokon dekretimin e rektorëve, 6 universitete në gjyq për rezultatin e zgjedhjeve

http://www.sot.com.al/politike/universitetet-n%C3%AB-kolaps-bujar-nishani-bllokon-dekretimin-e-rektor%C3%ABve-6-universitete-n%C3%AB-gjyq
Postuar: 11/05/2016 - 09:42
Presidenti Bujar Nishani ka bllokuar pa afat dekretimin e rektorëve të rinj. Shkak mësohet të jetë bërë fakti që disa universitete i janë drejtuar dyerve të gjykatës për shkak të problemeve të hasura në procesin zgjedhor. Aktualisht, në gjyq mësohet se janë Universitetet e Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Vlorës, i Sporteve dhe i Mjekësisë. Kështu, presidenti Nishani ka vendosur të mos shpallë dekretin për emërimin e rektorëve të rinj të universiteteve publike deri në përfundimin e gjyqeve. Ndërkohë, Komisioni i Arsimit në Kuvend ka kërkuar dje informacion nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, lidhur me këtë situatë mosmarrëveshjesh në arsimin e lartë.
Procesi zgjedhor, problemet në universitete 
Arjeta Troshani, ish-kandidatja për Rektore në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ka ankimuar procesin zgjedhor. Sipas saj, në fakultetin e drejtësisë, Shkencave të Natyrës dhe Gjuhëve të Huaja janë shfaqur parregullsi. Troshani është shprehur se ka pasur emra pedagogësh të cilët janë futur në listat e zgjedhjeve pa të drejtë, pasi ndaj tyre ka procese gjyqësore të hapura në Gjykatën Administrative. Nga zgjedhjet universitare të zhvilluara më 20 prill, doli fitues kandidati Adem Bekteshi. Vetë Troshani pranoi humbjen përmes një statusi në Facebook, ndërkohë më vonë ajo ka ankimuar procesin zgjedhor. Më 20 prill, në ditën e votimit, studentët kanë denoncuar probleme në Durrës. Disa prej tyre deklaruan në media se ka patur ndërhyrje nga politika dhe veçanërisht nga FRESSH, Forumi Rinor Euro-Socialist Shqiptar, për të manipuluar rezultatin. Zgjedhjet i fitoi kandidatja Kseanela Sotirovski. Klodeta Dibra dhe Mynyr Koni ishin dy kandidatët që garuan për Rektor të Universitetit të Tiranës, detyrë që aktualisht mbahet nga Dhori Kule. Profesore Dibra, 50 vjeçe, aktualisht është Dekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndërsa Profesor Koni, 52 vjeç, është Dekan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Procesi pak ditë para zgjedhjeve u fut në një kaos total pasi kandidati Koni u kërcënua nga Emiljano Shullazi dhe miqtë e tij, të cilët i kërkuan të tërhiqej nga gara. Kjo do të thoshte që Dibra shpallej automatikisht fituese. Shullazi u thirr në polici për të dëshmuar rreth kësaj akuze, por u arrestua për disa vepra të tjera më të rënda kriminale. Koni vazhdoi garën dhe u zgjodh me shumicë votash për të drejtuar universitetin më të madh në vend. Zgjedhjet për postin e rektorit në Universitetin e Mjekësisë janë kontestuar dhe nga kandidati humbës, Petrit Bara. Ky i fundit e humbi garën përballë rivalit të tij Arben Gjata, vetëm me një votë diferencë. Petrit Bara ka kërkuar që të rinumërohen votat në rang universiteti pasi sipas tij janë 8 vota të pavlefshme. Ai i ka dërguar një kërkesë dhe Komisionit Institucional Zgjedhor, për rinumërim të votave.