Thursday, July 2, 2015

Komisioni Parlamentar miraton në parim projekt-ligjin e AL

 

Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Nga njoftimi per shtyp i MAS, 1 Korrik 2015

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-nikolla-ne-komisionin-e-ceshtjeve-ligjore-per-projektligjin-e-arsimit-te-larte

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

….

“Ligji i ri sjell një mori ndryshimesh në frymën e masave të ndërmarra nga Qeveria deri tani. Kryefjalë mbetet cilësia në institucionet tona të arsimit të lartë me të cilën ne nuk bëjmë kompromis. Ligji ndryshon skemën e financimit duke futur konceptim modern të financimit me bazë performancën. Shteti do jetë gjithnjë e më shumë financues i arsimit të lartë, por këto financa, taksat e qytetarëve shqiptarë duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Një skemë moderne financimi, që priret nga treguesit e performancës së universiteteve tona, do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin dhe të gjenerojnë gjithnjë e më shumë kërkim shkencor, bashkëpunim ndërkombëtar, etj.”, tha Nikolla.

….

“Ky ligj nuk i detyron Institucionet e Arsimit të Lartë të kthehen në Institucione të Arsimit të Lartë të Publik të Pavarur (IALPP). Ky është një nocion inovator dhe një mundësi e re për çdo institucion, i cili pas një seti të përcaktuar rregullash do të mund të kërkojë të kthehet në IALPP, ku momenti i rëndësishëm është heqja dorë nga fitimi. Vetëm pasi ka hequr dorë nga fitimi IAL mund të filloj të funksionojë si Institucion i Arsimit të Lartë Publik i Pavarur ”, tha Nikolla.

Duke përmendur ndryshimet që sjell ky ligj, Ministrja e Arsimit tha se ligji  bën më të drejtë financimin publik për studentët, duke ju gjendur pranë studentëve në nevojë me një fond të posaçëm bursash, për të gjithë kategoritë që për pamundësi financiare nuk ndjekin dot studimet, për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe për studentët ekselent.

….

“Ligji modernizon qeverisjen e brendshme universitare duke i dhënë autoritet të qartë Senatit Akademik mbi qeverisjen akademike të IAL-ve dhe e mbështet punën me një strukturë administrative në shërbim të misionit të IAL-së. Në këtë mënyrë rrisim cilësinë akademike duke fokusuar akademikët në detyrat akademike dhe rrisim cilësinë e administrimit duke i mbështetur ata me administratorë. Dy vektorë të rëndësishëm që do të prodhojnë një rezultante që jep gjithnjë e më shumë cilësi”, deklaroi Ministrja Nikolla.

Ministrja tha se ligji i ri, lindi si një nevojë për të vendosur rregull në zhvillimet kaotike në arsim, vendosjen  e standardit të besueshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, difersifikimin e burimeve të financimit të arsimi të lartë, etj.

Relatorja e çështjes, deputetja Vasilika Hysi deklaroi se ky projektligj është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.

Tuesday, June 30, 2015

Analizë e shkollimit juridik në Shqipëri

 

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve, ka hartuar një raport “Analizë të Sistemit të Drejtësisë” ku vlerëson edhe shkollimin e lartë juridik në Shqipëri (Kapitulli 6).

Kapitulli 6, Analizë e Sistemit Arsimor të Drejtësisë vlerëson edukimin juridik në sistemin parauniversitar, arsimin e lartë dhe formimin e vazhdueshëm, si kurset e kualifikimit dhe shkollat e specializimit.

Vetë autorët nuk mëtojnë të kenë ndërmarrë ndonjë analizë të thellë dhe jo pak herë, sikur edhe për çështje të tjera në raport, konkluzionet nuk janë të bazuara në fakte por në perceptimin e tyre. Analiza mbi masivizimin nuk shoqërohet me një analizë të tregut të punës, si p.sh. numrin e duhur të gjykatësve, përmbaruesve, avokatëve, noterëve, policëve gjyqësore e prokurorëve, apo me tej juristëve në administratën shtetërore dhe atë të ndërmarrjeve të mëdha private.

Sipas autorëve: “këto probleme janë evidentuar nga një quick scan i arsimit ligjor në Shqipëri, dhe jo nga ndonjë analizë e thelluar e sistemit. Në vijim, janë evidentuar problemet që burojnë sa nga sistemi dhe parashikimet ligjore, aq edhe nga keqmenaxhimi  i sistemit” (fq. 217)

Gjithashtu mungojnë të dhëna statistikore dhe cilësore mbi studentët e trupën pedagogjike që sipas autorëve vështirësojnë vlerësimin e cilësisë.

Çdo kapitull, sikur edhe ky i arsimit, kanë faqe të tëra me fjali dhe tema të përsëritura disa herë, deri në mërzitje.

Dokumente: (1) Raporti i plotë: Analiza; (2) Kreu VI: Analizë e Sistemit Arsimor të Drejtësisë

Pyetjet që synohen të trajtohen në analizë janë (fq. 190):

1. Si ka ndikuar masivizimi i këtij arsimi në sistemin e drejtësisë? 
2. A e garantojnë institucionet e arsimit të lartë juridik cilësinë e mësimdhënies? 
3. Si paraqiten programet e studimit dhe kurrikulat e fakulteteve dhe departamenteve të Drejtësisë, krahasuar me standardet ndërkombëtare?
4. A ka një qasje midis niveleve të diplomave që lëshohen nga fakultetet dhe departamentet juridike me arsimin e lartë profesional? 
5. A ka një qasje midis niveleve të diplomave që lëshohen nga fakultetet dhe departamentet juridike, me tregun e punës? etj. 

Lidhur me pyetjet e mësipërme, përfundimet janë si më poshtë:

1.  “Në fakultetet juridike të IAL publike numri i përgjithshëm i studentëve deri në vitin akademik 2014-2015 është 8575 studentë, ndërsa në IAL jopublike është 2010 studentë.  Pas mbylljes së programeve të së drejtës, rezulton që numri i studentëve në fakultetet juridike publike është 4-herë më i madh se në ato jo-publike.” (fq. 191)

- Janë: “5 fakultete të Drejtësisë, ose departamente të Drejtësisë në universitetet publike, përkatësisht, Universiteti i Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Durrësit dhe  Elbasanit, dhe 12 në shkollat e larta jopublike. Nga këto, ofrojnë studimet dhe diplomën e ciklit Bachelor 16 fakultete dhe departamente drejtësie, ofrojnë studimet në ciklin “master” 13,  fakultete drejtësie dhe studimet në shkollën doktorale 3 fakultete drejtësie.” (fq. 192)

image

2. “Cilësia e realizimit në praktikë të programeve mësimore në fakultete, paraqitet e diskutueshme. Pavarësisht zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit me hapjen e programeve klinike, një pjese të mirë të lëndëve, u mungojnë tërësisht elementët praktikë.” (fq. 218) 

“Nuk ka pasur ndonjë analizë apo studim të posaçëm mbi arsimin e lartë universitar juridik në Shqipëri. Për rrjedhojë nuk ka ndonjë strategji për zhvillimin e këtij arsimi, apo ndonjë pjesë strategjie të posaçme në kuadrin e  strategjisë për zhvillimin e Arsimit të Lartë.” (fq. 217)

“Ligji nuk qartëson se, në përfundim të cilës fazë të studimeve bëhet kualifikimi si jurist. Legjislacioni nuk specifikon nëse do të gëzojë titullin “Jurist” vetëm  studenti që ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve Master Shkencor, apo edhe studenti që ka përfunduar  Masterin Profesional dhe statusin e këtij të fundit si
pjesë e ciklit të dytë të studimeve. Nuk është e qartë se çfarë vlere ka në tregun e punës diploma Bachelor. Kjo paqartësi përfshin jo vetëm sistemin e studimeve me kohë të plotë, por edhe atë me kohë të pjesshme;” (fq. 218)

3. “Aktualisht, nuk ka një akt me karakter detyrues, që të përcaktojë grupin e lëndëve themelore të domosdoshme për formimin e juristit, të cilat duhet të zhvillohen nga çdo fakultet që ofron arsim juridik. Ka konfuzion edhe në raportin e lëndëve të detyrueshme me ato fakultative.” (fq. 193)

“Gjithashtu, në disa raste ka nevojë për një shpërndarje më të mirë të krediteve. P.sh., në Universitetin e Tiranës, ka lëndë me 9 kredite që zhvillohen brenda një semestri, ndërkohë që ato duhet të shtrihen në dy semestra, ose të reduktohet volumi i lëndës. Kjo ka sjellë fiktivitetet në numrin e krediteve. Shpeshhere
lendet e zhvilluara nga studentet ne universitetet jo publike nuk janë thelbësisht konform “shtyllës kryesore” te edukimit te juristeve pasi mungon një kontroll sistematik dhe i vazhdueshëm nga ana e institucioneve shtetërore ne saktësimin dhe standardizimin e tyre.”

“nuk konstatojmë një studim për zhvillimin e kurrikulave që pas reformimeve në kuadër të procesit të Bolonjës. Kështu, p.sh., ka raportime se ngarkesa e studentëve të masterit është e pastudiuar dhe disa lëndë duhet të rishikohen (Gjuha e huaj, Edukimi Fizik).  Gjithashtu, u konstatua se vetëm në
degën e drejtësisë të University of New York në Tiranë ofrohen programe mësimore në gjuhën angleze. Në asnjë fakultet tjetër drejtësie nuk ofrohen lëndë në gjuhën angleze, me përjashtim të rasteve të përfshirjes në programe të përbashkëta me universitete në vende anglishtfolëse (Universiteti “Marin
Barleti”). “

4. “Ajo çka vihet re është se, nuk ka një rregullim ligjor ose qoftë edhe dokumente të së drejtës të butë, ose ndonjë studim, që të njësojë dhe harmonizojë njohjen e vlerës së diplomave nga çdo institucion që ofron programe specializuese afatgjata në fushën e drejtësisë.” (fq. 196)

 

Statistika

image

image

image

image

Thursday, June 18, 2015

Diskutime mbi projektligjin në komisionin parlamentar të edukimit

 

Panorama, http://www.panorama.com.al/arsimi-i-larte-verejtjet-e-universiteteve-private/

11 Qershor 2015

Rektorët e universiteteve private në vend kanë shprehur rezerva ndaj ndryshimeve që do të pësojë arsimi i lartë me hyrjen në fuqi të projektligjit. Në dëgjesën e një ditë më parë në Komisionin e Medias, ata u shprehën se arsimi i lartë kishte nevojë të reformohej, por disa çështje si autonomia e universiteteve, kërkimi shkencor apo edukimi në distancë, duhen rishikuar.

Rektorët e universiteteve private kanë zhvilluar disa mbledhje me rëndësi duke konkluduar në disa çështje ku çalon reforma e nisur. Rektorja e “Albanian University”, Vera Ostreni, renditi disa prej kontestimeve, duke veçuar fryrjen e organizmave drejtues që nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të kufizojnë autonominë e vetë universiteteve.

“Një nga problemet që përbën shkelje të lirisë akademike dhe autonomisë universitare është ngritja e disa organizmave, siç është Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Kërkimit Shkencor etj. Mendojmë se ka një mbivendosje të kompetencave të tyre. Një shtim të burokracisë përmes këtyre organizmave, të cilat në një farë mënyre e mbysin qoftë njëra tjetrën, qoftë lirinë akademike”. Por, liria akademike, sipas universiteteve private, cenohet edhe në pamundësinë për të zgjedhur doktorantët.

“Qendra e Studimeve Arsimore ka ndër të tjera funksionin që: Të organizojë pranimin e studentëve në programet e studimit të ciklit të parë, të dytë duke përjashtuar doktoraturat. Mendojmë se ka njëlloj centralizimi relativisht të dukshëm në kompetencat e kësaj qendre”. Një tjetër problematikë në ligj, sipas rektorëve të universiteteve privatë, është centralizimi i kurrikulës dhe mundësia e ndryshimit të saj deri në masën 20%.

“Mendoj se do të ishte shumë më e vlefshme për universitetet që të kishin një pavarësi, një përqindje më të madhe të ndryshimit të kurrikulës, gjë që ndihmon shumë në lirinë akademike.” Në letrën drejtuar Komisionit të Medias ka pakënaqësi edhe për shkollat ‘part-time’ apo edukimi në distancë, të cilat nuk parashikohen në ligjin e ri. “Ka një argument, i cili thotë që ka mundësi më të mëdha të abuzimit, por për këtë arsye nuk mendoj se duhet hequr studimi në distancë sepse është shkelje e të drejtave të njeriut”, citoi Ostreni, duke shtruar si zgjidhje shtimin kontrollit ndaj kësaj forme mësimdhënieje.

Studentët protestues arrestohen

 

Albeu.com, 6 Qershor 2015

.. për të shtatën herë me radhë, aktivistët e Lëvizjes “Për Universitetin” në Tiranë – studentë dhe pedagogë të universiteteve shqiptare – protestuan kundër projektpropozimit të qeverisë së Edi Ramës për atë që njihet si “Reforma në Arsimin e Lartë”.

Aktivistët e kësaj lëvizje kërkojnë heqjen e tarifave, rritjen e fondeve të qeverisë për arsimin e lartë, si dhe përmirësimin e kushteve në universitete e konvikte.

Në orët e mëngjesit, aktivistët e kësaj lëvizje protestuan para zyreve të Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, me ç’rast, Policia shqiptare arrestoi shtatë aktivistë të kësaj lëvizje. Të arrestuarit janë: Vitori Çipi, Liri Kuçi, Klaudia Koxha, Klodi Hoxha, Bora Mema, Klodi Leka dhe Alfred Bushi. 

Lëvizja “Për Universitetin” ka reaguar menjëherë duke dënuar dhunën policore dhe arrestimin e protestuesve paqësorë. Ndër të tjera, në deklaratën e Lëvizjes “Për Universitetin”, thuhet:

Pas protestës të sotme të Lëvizjes ''Për Universitetin'' përpara zyrave të Kryesisë së Kuvendit kundër reformës shkatërrimtare për arsimin e lartë, e cila ishte duke u diskutuar prej biznesmenëve të universiteteve private, policia e pushtetit ka ndjekur dhe gjurmuar aktivistët, duke i shoqëruar më pas në Komisariatin nr.2 në Tiranë.

Duke shkelur në mënyrë të hapur të drejtat dhe lirinë e shprehjes, duke shkelur Kushtetutën dhe ligje në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për të protestuar, pushteti u vendos edhe njëherë përkrah interesave klienteliste dhe kundër qytetarëve të ndërgjegjshëm që interesohen për fatet e shoqërisë.

Lëvizja ''Për Universitetin'' e dënon me ashpërsi këtë represion e dhunë të shtetit policor, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve!

Friday, May 1, 2015

Kritika ndaj nxitjes së bashkëpunimit të biznesit me arsimin e lartë

 

Redi Muci, Universiteti Politeknik i Tiranes

PESË PYETJE ZONJËS NIKOLLA

Gazeta Shqip (http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/04/30/pese-pyetje-zonjes-nikolla/)

30 Qershor 2015

REDI MUÇI

Çfarë ndodh kur shteti përdor arsimin publik për të joshur partnerët e biznesit? Gazeta “Shqip” e datës 24 prill, botoi letrën të cilën ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, u drejtonte bizneseve. Sipas gazetares artikullshkruese, kjo letër konfirmonte argumentin se qëllimi i reformës së shumëpërfolur, ashtu siç pretendojnë prej kohësh përfaqësues të qeverisë dhe hartues të saj, është pikërisht vendosja e bashkëpunimit mes bizneseve dhe universiteteve për të ulur papunësinë dhe krijimin e një kulture donacioni të bizneseve ndaj universiteteve, “jo rrënimi i publikut, siç pretendohet nga një pjesë e palëve të interesit”.

Meqenëse, si pedagog i Universitetit Politeknik të Tiranës, e gjej veten pikërisht në pjesën e palëve të interesit të përmendur më sipër, shkrimi që vijon ka për qëllim ngritjen e disa pikëpyetjeve kundrejt argumenteve bindëse që përmban kjo letër, duke tentuar hamendësimin e disa përgjigjeve, me shpresën se lexuesi i këtyre radhëve do të ketë vullnetin e mirë për t’i zgjeruar më tej këto përgjigje.

Po e nis këtë hulumtim nga qëllimi i shpallur i kësaj reforme – as më pak e as më shumë – por “vendosmëria të zhvillojë fort një kulturë të donacionit” të bizneseve kundrejt universitetit. Pyes veten se cila është kultura e të bërit biznes në Shqipëri. Si janë mëkëmbur bizneset në këta 24 vjet tranzicioni ekonomik? Mua më rezulton se “kultura” ka qenë ajo e akumulimit fillestar të kapitalit me çdo mjet, mënyrë dhe makinacion, qoftë ky shfrytëzimi dhe keqpagimi i punëtorëve me kontrata-fantazmë, korruptimi i çdo instance të pushtetit lokal e qendror në procesin e tenderimit, por jo vetëm, shkatërrimi i çdo resursi dhe pasurie publike apo vjedhja e taksave të popullit me mënyra nga më kreativet – që nga mospagimi i energjisë elektrike e deri te përfitimi i drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Por ministrja bën fjalë për një “kulturë” të re të donacionit. Pyes lexuesin, ky proces donacioni a do të shoqërohet me një mënyrë apo një tjetër përfitim të këtyre bizneseve apo do t’i bëhet thirrje thjesht e vetëm zemrës së madhe të biznesmenëve – si për shembull në rastet e katastrofave natyrore ku bizneset dërgojnë ndihma te viktimat, duke përfituar për të reklamuar produktin që do të zvogëlojë mjerimin e të prekurve?

Ministrja parashtron argumentin se papunësia e lartë në vend vjen si pasojë e faktit se “edhe kompanitë vuajnë për të gjetur profesionistët e duhur”. Më tej ajo shprehet se në këtë përfundim ka dalë “pas vërejtjeve të vazhdueshme të bëra prej [bizneseve] në panairet e punës”. Po ia lë në dorë lexuesit të papunë të komentojë lidhur me larminë e ofertave nëpër “panairet e punës”. Unë ndërkohë po pyes veten se cilat janë aktualisht mundësitë e punësimit në sektorin privat dhe publik? Cilat janë këto biznese private? Çfarë prodhojnë? Për ç’lloj specialistësh kanë nevojë? Sa i përket sektorit privat, qofsha i gabuar, por më rezulton se e vetmja gjë që prodhojmë në këtë vend është betoni i armuar. Shtylla e vetme e ekonomisë deri dje ka qenë sektori i ndërtimit, i cili tashmë ndodhet në një depresion të thellë prej më se katër vjetësh, dhe kjo aspak për faj të mungesës së specialistëve, por për shkak të krizës imobilare – rënies së kërkesës dhe fuqisë blerëse si pasojë e krizës ekonomike globale të kapitalit, veçanërisht përthyerjes së saj në Greqi prej nga buronte pjesa më e madhe e remitancave dhe shpenzimeve të punëtorisë së emigruar shqiptare. Përveç sektorit të ndërtimit mbetet tregtia, por dyshoj se universiteti kështu siç është nuk prodhon dot tregtarë të hairit. Por çfarë tjetër? Fasoneritë dhe call center-at, të njohura edhe si qendra të shfrytëzimit të punëtorisë sipas modelit kinez – punë, punë natë e ditë, dhe orar fiks për të pirë dhe për të bërë ujë. Këto të fundit duhet pranuar se, së bashku me emigracionin në masë, kanë shërbyer si valvula efikase shkarkimi të dëshpërimit dhe revoltës së shumë të rinjve e të rejave (edhe për sa kohë ende?), por për to nuk besoj se vlen argumenti i mungesës së specialistëve që nxjerr universiteti. Sa për sektorin publik, specialistët me eksperiencë 20 – 30-vjeçare duket se s’i ka kush në hesap. Vendin e tyre në administratën shtetërore e zë një ushtri e tërë militantësh partiakë, farefisnie krahinore dhe prostitutash luksi. Nëse prania e biznesmenëve në institucionet e arsimit të lartë do të synojë ta drejtojë studentin e sapodiplomuar drejt njërës prej kategorive të mësipërme, atëherë ministres i jap shumë të drejtë në argumentin e saj.

“Ligji i ri për arsimin e lartë ju mundëson të jeni pjesë e bordeve të administrimit të universiteteve”, shprehet ministrja në letër, duke iu drejtuar biznesmenëve. Por po vras mendjen: a nuk nënkupton kjo se vetë universitetet – në duart e biznesmenëve – do të funksionojnë si biznese?! Vallë ç’lloj modeli biznesi do ndiqet? Në mendje më vjen një parti politike, e cila shkëlqen mbi shoqet në funksionimin si biznes. Dhe duhet pranuar se bëhet fjalë për një biznes mjaft të suksesshëm nga logjika e tregut: një votë 2000 lekë, njëqind vota një vend pune në administratë. Po pyes lexuesin: a nuk është Kuvendi i Republikës së Shqipërisë streha e biznesmenëve-politikanë?! A nuk është kthyer ai në strofkën e “përfaqësuesve të popullit”, të pangopur në makutërinë e tyre dhe të pafytyrë në vulgaritetin mondan me të cilin qajnë hallet e popullit?! A nuk duket ky si fundi jo fort i largët i universitetit dhe arsimit publik?! A nuk do të kthehet dija jo vetëm në mall tregu, por në plaçkë lufte që do të ndahet mes burokratëve-biznesmenë nga njëra anë dhe biznesmenëve-gangsterë nga ana tjetër?!

Sipas ministres sonë virtuoze, “shkolla jonë nuk u përgjigjet modeleve të zhvillimit dhe kërkesave të tregut të punës në vend”. Madje ajo u bën thirrje bizneseve: “Besoni dhe përdorni universitetet shqiptare për studimet e tregut”. Se në ç’mënyrë do t’i shërbejë universiteti studimit të tregut, për këtë veçse mund të hamendësoj, për shembull, ndikimin që do të kishte e famshmja 2K në këtë proces. Përse të mos shtohej vallë në kurrikulat e fakultetit të filozofisë rubrika e dikurshme “Me Kokëdhimën në: Si të bëhesh milioner?”?! Vallë cili student s’do të ishte i gatshëm të paguante një tarifë sado të kripur studimi nëse njohuritë e përftuara do ta kthenin në milioner?! Ministrja argumenton se shkolla nuk u përshtatet modeleve të tregut, por a ma lejon lexuesi pyetjen: mos ndoshta është tregu ai që duhet t’u përshtatet nevojave të shoqërisë, që më mirë se kushdo tjetër i nxjerr në pah puna e pavarur kritike dhe kërkimore e universitarëve?! A nuk u takon universitarëve detyra sokratike e këqyrjes së funksionimit të ekonomisë, të shërbimeve sociale që duhet të ofrojë shteti, të treguesve të mirëqenies dhe nevojave bazike të qytetarëve, si strehimi, të ushqyerit, shërbimi shëndetësor etj?! A nuk u takon atyre përcaktimi i normave urbanistike dhe estetike të zhvillimit të qendrave urbane dhe rurale?! Kush përveçse universitarët do të mund të shfaqin panoramën e gjymtimit që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kaosin njëzetekatërvjeçar?! Mos vallë bizneset dhe tregu?! Po pyes përsëri: cilat biznese?!

Në vend se të kushtëzohen bizneset nëpërmjet taksimit të lartë për të rritur financimin dhe cilësinë e universitetit, universiteti po u ofrohet atyre si një mundësi shtesë pasurimi. Në vend se bizneset të kushtëzohen që të ofrojnë te studentët mundësi eksperience në punë, atyre studentët po u ofrohen si punëtorë krahu të lirë. Padyshim që partia e quajtur “socialiste” nuk ngre taksat për bizneset. Ajo ngre duart lart. Madje ajo ia shtrin duart biznesit: “Edukimi cilësor kërkon një financim më të madh. Ndaj lejomëni t’ju drejtohem me lutjen që të ktheni kryet nga arsimi si një nga potencialet e zhvillimit të biznesit tuaj”. Mjerimi migjenian ka më tepër dinjitet në shtrirjen e duarve drejt pasanikëve, vocërrakët e jetimores te “Lulëkuqe mbi mure” kanë më shumë kryelartësi kur detyrohen të përshëndetin bamirësin, sesa shteti ynë i korruptuar në lutjen që i bën botës së biznesit.

Pyetjen e fundit po ia lë në dorë përsëri lexuesit për interpretim. Ç’ka dashur të thotë vallë ministrja duke iu drejtuar biznesmenëve: “Në sistemin tonë universitar do të gjeni pedagogë gjithnjë e më të mirë, studentë gjithnjë e më të mirë, që do t’u përgjigjen kërkesave tuaja.”?

 

Gazeta Shqip

Friday, April 24, 2015

Mbështetës së reformës

 

Artikuj:

1. Gjergj Hamiti

2. Myftar Barbullushi

Disa artikuj janë botuar nga mbështetës së reformës, sidomos nga anëtarë të komisionit qeveritar për reformën. Në pjësën më të madhe të tyre ka vetëm retorikë. Artikujt nuk merren me argumentet e kundërshtuesve: financimi i arsimit privat, rritja e tarifave për studentët, mungesa e autonomisë.

P.sh. Gjergj Hamiti, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, shprehet se

“… ky projektligj shpalos parimin e mbështetjes së plotë për tri kategori studentësh; a) studentët nga shtresa sociale në nevojë, b) studentët e shkëlqyer me notë maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm, të lartë dhe c) ata studentë, të cilët do të zgjedhin programe studimi në fusha që konsiderohen prioritet kombëtar.” [Artikulli]

Por në fakt sipas projektligjit renditja e prioriteteve është ndryshe.

Neni 110, pika 3

Fondi i mbështetjes studentore përfshin tri kategori financimi:
a) bursat e studimit për studentët e shkëlqyer;
b) bursat e studimit për studentët në programet e studimit që përbëjnë  prioritet kombëtar;
c) bursat e studimit për studentët që i përkasin shtresave sociale në nevojë.

Pika 6

Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë u shpërndahen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa Myftar Barbullushi merret me kundërshtarët e reformës jo në mënyrë serioze, por duke u tallur dhe tjerrur histori qesharake. Në shkrimin e vetë nuk cek asnjë prej shqetësimeve që janë ngritur në publik. [Artikulli]

“Pikërisht nën pushtetin e këtij kompleksi të dështimit “frakasomanian” [kompleksi i dyshimit], me vargjet e himnit brazilian në mendje, “Bad Moon Rising”, «shoh të lindë një hënë e keqe, shoh probleme gjatë rrugës, shoh tërmete dhe rrufe, shoh një ditë të keqe, sot», filloi e u përvijua perceptimi i reformës në arsimin e lartë, ku aq sa pa u hedhur asnjë germë në letër, rrodhën akuzat për një reformë në mbrojtje interesash të privatit, të politizuar apo deri dhe në prezumim tendencioz të shkatërrimit të arsimit të lartë.”

… vijon …

Kritika ndaj dekanit të fakultetit të shkencave social - UT

 

HYSAMEDIN FERAJ “Pagjumësia e Dekan Dhorit”

Panorama, 8 Prill 2015

I kërkoj ndjesë lexuesit për serinë e shkrimeve me Theodhori Karaj, dekanin e FSHS, por, siç thoshte Deleuze, ai më shumë është personazh social dhe koncept, sesa thjesht individ. Si fenomen social dhe si koncept ka rëndësi për mendimin publik shqiptar, nëse ky dëshiron të reflektojë për shoqërinë që kemi ndërtuar. Kësaj here për të reflektuar mbi marrëdhëniet ndërmjet “punës” dhe “ligjit”.
Dekani Karaj del se është për vite të tëra pa gjumë, i lodhur dhe dërrmuar nga puna e tejligjshme. Aktet ligjore e nënligjore i kërkojnë të bëjë 1.500 orë pune në vit, aq sa të plotësohet norma prej tetë orësh pune në ditë, normë të cilën dekani e realizon dhe madje e tejkalon. Mirëpo, tej e përkundër akteve ligjore e nënligjore, dekani bën edhe 1.800 orë pune shtesë në vit: dekani udhëheq njëkohësisht ndoshta mbi njëzet, por, po e lëmë njëzet doktorantë për tezën e doktoratës; nga financa publike secila i llogaritet dhe i paguhet për 90 orë pune (20×90=1.800), rreth 9 orë në ditë përgjatë vitit, që bashkë me normën si pedagog dhe dekan i bëhen mbi 17 orë pune në ditë (8+9=17). As kjo llogari nuk është e plotë: dekani ka një OJF, e cila i merr afërsisht edhe 3-4 orë pune në ditë, duke e çuar punën ditore në 21 orë. I mbeten tri orë gjumë në njëzet e katër orë. Ndoshta nuk është pak, pasi thuhet se të majtë e të djathtë, Marksi ose Theatcher, gjeni dhe talente të tjera, flinin vetëm tri-katër orë në njëzetekatër. Mirëpo, dekani jep mësim edhe në universitetet publike nëpër rrethe, edhe në universitetet private, duke punuar kështu së paku rreth 30 ose më shumë orë në 24.
Kjo punë sigurisht që i shpërblehet: përtej pagës së përmuajshme, në fund të vitit vetëm për udhëheqje doktoratash i firmos vetes një pagesë prej 20 milionë lekësh të vjetër e të bërë copë-copë në fakultetin ku është dekan, njëlloj siç i firmosin pagesa universitetet e tjera publike e private, nëpër rrethe e në kryeqytet. Për rrjedhojë, gjithnjë ankohet se është i lodhur, se po e vuan postin që mban dhe vazhdueshëm i delegon kompetencat te të tjerët gjatë kohës që është në fakultet (jo në gjumë).
Gjithnjë kam menduar se shumë prej ligjeve dhe akteve që kanë pasuar prej tyre, e pengojnë punën dhe punëtorin të punojë e të japë aq sa mundet. Duke pasur parasysh se Dhori punon shumë më tepër sesa i kërkon dhe lejon ligji, na jepet mundësia të reflektojmë për këtë marrëdhënie të supozuar ndërmjet punës dhe ligjit në vendin tonë. Këta nuk lejojnë që një udhëheqës shkencor të drejtojë më shumë se pesë punime doktorale njëkohësisht, mirëpo Dhori ka provuar se mund të udhëhiqen mbi njëzet të tillë, duke realizuar paralel edhe punën si dekan dhe pedagog. Kush ka të drejtë?
Me sa duket, ligji dhe aktet e nxjerra në vijim të tij kanë pasur parasysh njeriun mesatar dhe jo gjenitë ose talentet që mund të punojnë mbi 24 në 24 orë. Me sa duket, ligji ka pasur parasysh se pa qenë gjeni njeriu mesatar, nuk mundet të mbajë mend as titujt e njëzet temave doktorale dhe aq më pak të zotërojë literaturën që ekziston për secilën, ta konsultojë me studentin që udhëheq, të rrahë mendimet me të, t’i këshillojë autorë dhe përvijime të reja argumentimesh etj. Pra, ligji duket se ka pasur parasysh cilësinë e udhëheqjes dhe të punimeve doktorale e jo vetëm sasinë (as të parave që jepen nga studentët ose merren nga udhëheqësit). Rasti i Dhorit tregon se ligji e pengon këtë sasi, dhe madje kërkon cilësi në vend të sasisë (!), duke penguar prodhimin e sa më shumë doktoratave… pa cilësi. Çka nuk kujtohet ai dreq ligji!
Këtu nis kontributi origjinal shqiptar në filozofinë botërore, jo vetëm në filozofinë e ligjit, por të vetë konceptit të kohës. Mbas ligjit ka pasuar një vendim të ministrit të Arsimit, që nuk lejon të udhëhiqen nga një person më shumë se pesë doktorata njëkohësisht. Njerëzit e etur për punë, si Dhori, konceptin e njëkohësisë e kanë interpretuar “para e mbas vendimit”: nëse para vendimit kishte tashmë njëzet udhëheqje, pas vendimit merr edhe pesë të tjera, vazhdon të udhëheqë njëzetepesë doktorata, por këto udhëheqje nuk janë më të njëkohshme! Në këtë interpretim, vendimi bëhet ndarësi absolut i kohësisë: kohësia nuk ka më asnjë dëftim te koha fizike, as të matur me orë që i duhen udhëheqësit për të bërë punën. Ndërsa vendimi mund të ketë pasur parasysh këto të fundit, se në një matje njëzetekatërorëshe të kohës, udhëheqësit nuk i del koha fizike të udhëheqë aq punime doktorale sa Dhori dhe njëkohësisht të realizojë punët e tjera si dekan, pedagog etj. Mirëpo, në relativizimin e kohës nga “Dhori” është parashtruar problemi i ngjeshjes kohore: cilado qoftë njësia e matjes, njësia më e madhe është më e vogël dhe e tkurrshme brenda kësaj – mbi njëzetekatër (orë) mund të tkurret në më pak se aq dhe të dalë kohë edhe për gjumë; mbi njëzet e pesë udhëheqje njëkohësisht mund të tkurren në më pak se pesë njëkohësisht etj.
Në këtë interpretim “punëdashës”, meqenëse ligjet dhe vendimet nuk kanë fuqi prapavepruese, koncepti “njëkohësisht” i vendimit nuk mund të ketë asnjë realitet tjetër, siç mund të jetë udhëheqja “njëkohësisht” e jo më shumë se pesë punimeve doktorale, pavarësisht para apo pas vendimit, duke vendosur njëkohësinë e numrit të udhëheqjeve dhe jo pikën e ndarjes kohore. Duke vendosur në qendër njëkohësinë e udhëheqjeve, vendimi mund të ketë pasur parasysh vijimësinë kohore: pavarësisht se njëzet udhëheqje ishin marrë para dhe pesë mbas vendimit, i njëjti person vijon të udhëheqë njëzet e pesë të tilla. Ndërsa nga “Dhori” vendimi është lexuar e zbatuar sipas konceptit të mosvijimësisë kohore: e kaluara nuk ka vijimësi dhe asnjë ndikim mbi kohën e tashme ose të ardhme – udhëheqjet e mëparshme dhe të tashme nuk mundet të jenë, as të vendosin njëkohësinë e kohës së vet.
Më tej, vendimi mund të ketë pasur parasysh lidhjen ndërmjet kohës dhe cilësisë së punimeve doktorale, mirëpo sipas “Dhorit” kjo as nuk mundet të ketë qenë, sepse në interpretimin e tij njëkohësia ka të bëjë vetëm me sasinë para e pas vendimit: pas vendimit nuk do të marrë më shumë se pesë njëherësh, por pesë e nga pesë në çdo rast, prandaj, edhe nëse për tri vite, sa parashikohet të zgjasë punimi, i grumbullohen pesëdhjetë udhëheqje, këto nuk janë të njëkohshme, sepse nuk janë marrë në të njëjtin çast kohor. Madje, në këtë interpretim, as vetë çasti kohor i matur me konvencione të tilla si orë, ditë, vite etj., nuk kanë kuptim, sepse është matje e kohës fizike dhe e supozon udhëheqësin edhe si trup fizik. Mirëpo, siç e pamë në fillim, ky soj i njeriut del përtej konvencioneve të matjes kohore dhe udhëheqësi nuk ka trup fizik: mund të punojë më shumë se njëzetekatër orë në njëzet e katër orët e ditës e të natës. Pa gjumë.
Siç shihet, ndonëse si shumë shqiptarë Dhori e urren filozofinë, duke na shtruar probleme ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në filozofinë botërore, madje në një prej fushave më të vështira, atë të kohësisë: të kohës fizike dhe afizike, kohës dhe trupit, vijimësisë kohore, njëkohësisë, kohës dhe punës, ligjit dhe kohës, sasisë kohore dhe parave që merr në kohë etj., pavarësisht se gjithë këtë kontribut të spërdredhur teorik mund ta ketë dhënë për hir të këtyre të fundit në konkretësinë e tyre. Pavarësisht se i gjithi duket në shërbim të udhëheqjes, njëkohësisht të sa më shumë punimeve doktorale prej tij dhe që i paguhen mirë nga të tjerët, megjithatë ky interpretim na kontribuon si shoqëri që të shohim efektet e sjelljes së tillë po të jetë masive. Në fund të fundit, sjellja thotë se ligjet nuk janë asgjë, interpretimet në favorizim të vetes ose të tij janë gjithçka. Ja pse është kaq interesant si personazh publik dhe ia vlen të mbetet si ilustrim në debatin serioz mediatik.