Thursday, June 18, 2015

Diskutime mbi projektligjin në komisionin parlamentar të edukimit

 

Panorama, http://www.panorama.com.al/arsimi-i-larte-verejtjet-e-universiteteve-private/

11 Qershor 2015

Rektorët e universiteteve private në vend kanë shprehur rezerva ndaj ndryshimeve që do të pësojë arsimi i lartë me hyrjen në fuqi të projektligjit. Në dëgjesën e një ditë më parë në Komisionin e Medias, ata u shprehën se arsimi i lartë kishte nevojë të reformohej, por disa çështje si autonomia e universiteteve, kërkimi shkencor apo edukimi në distancë, duhen rishikuar.

Rektorët e universiteteve private kanë zhvilluar disa mbledhje me rëndësi duke konkluduar në disa çështje ku çalon reforma e nisur. Rektorja e “Albanian University”, Vera Ostreni, renditi disa prej kontestimeve, duke veçuar fryrjen e organizmave drejtues që nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të kufizojnë autonominë e vetë universiteteve.

“Një nga problemet që përbën shkelje të lirisë akademike dhe autonomisë universitare është ngritja e disa organizmave, siç është Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Kërkimit Shkencor etj. Mendojmë se ka një mbivendosje të kompetencave të tyre. Një shtim të burokracisë përmes këtyre organizmave, të cilat në një farë mënyre e mbysin qoftë njëra tjetrën, qoftë lirinë akademike”. Por, liria akademike, sipas universiteteve private, cenohet edhe në pamundësinë për të zgjedhur doktorantët.

“Qendra e Studimeve Arsimore ka ndër të tjera funksionin që: Të organizojë pranimin e studentëve në programet e studimit të ciklit të parë, të dytë duke përjashtuar doktoraturat. Mendojmë se ka njëlloj centralizimi relativisht të dukshëm në kompetencat e kësaj qendre”. Një tjetër problematikë në ligj, sipas rektorëve të universiteteve privatë, është centralizimi i kurrikulës dhe mundësia e ndryshimit të saj deri në masën 20%.

“Mendoj se do të ishte shumë më e vlefshme për universitetet që të kishin një pavarësi, një përqindje më të madhe të ndryshimit të kurrikulës, gjë që ndihmon shumë në lirinë akademike.” Në letrën drejtuar Komisionit të Medias ka pakënaqësi edhe për shkollat ‘part-time’ apo edukimi në distancë, të cilat nuk parashikohen në ligjin e ri. “Ka një argument, i cili thotë që ka mundësi më të mëdha të abuzimit, por për këtë arsye nuk mendoj se duhet hequr studimi në distancë sepse është shkelje e të drejtave të njeriut”, citoi Ostreni, duke shtruar si zgjidhje shtimin kontrollit ndaj kësaj forme mësimdhënieje.

0 comments:

Post a Comment