Tuesday, December 2, 2014

Rrefime nga nje vezhgues i castit – protestat studentore

 

http://opolitike.org/analiza/rreth-ngjarjeve-ne-fakultetin-e-shkencave-sociale/

 

Rreth ngjarjeve në Fakultetin e Shkencave Sociale

Arlind Qori

Siç mund ta dini, më 20 nëntor studentët e universiteteve publike zaptuan në shenjë proteste hyrjet e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe zhvilluan për disa orë një asamble rreth problemeve universitare. Ditë më pas Këshilli i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe dekani, në kontekstin e një klime gjithnjë e më të agravuar presioni dhe persekutimesh ndaj pedagogëve që deri më tash ka shkaktuar pushimin nga puna të dy prej mbështetësve më të shquar të studentëve si Hysamedin Feraj dhe Sokol Abazi, u kanë kërkuar shpjegime disa pedagogëve për solidarizimin e tyre me kauzën studentore. Më poshtë është përgjigjja e njërit syresh. (Shën. red.)

***

Të nderuar kolegë!

U vura në dijeni gojarisht nga përfaqësuesit e departamentit në këshill rreth shqetësimit tuaj mbi arsyet dhe rolin tim në zaptimin e hyrjes dhe asamblenë e zhvilluar në Fakultetin e Shkencave Sociale që në mbledhjen e departamentit të shkencave politike më 25.11.2014. Tani kam përpara edhe vendimin tuaj dhe shkresën përcjellëse të dekanit.

Megjithëse e kam të vështirë ta kuptoj bazën ligjore dhe normative të kërkesës suaj (bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë ose Rregulloren e Universitetit të Tiranës, të cilat shkëlqejnë me mungesën e tyre), konsiderata për kolegët dhe rëndësia e çështjes më shtyn t’ju përgjigjem.

Pikësëpari nuk e di a jeni ju institucioni të cilit duhet t’i përgjigjem për pjesëmarrje në “grumbullime pa leje”. Me aq sa e njoh ligjin e tubimeve dhe në bazë të përvojës sporadike me komisariatet e policisë për shkak të aktivizmit qytetar, me këtë punë merret policia e shtetit dhe prokuroria. Mirëpo po hamendësoj dashamirësisht se shqetësimi juaj ka të bëjë specifikisht me ndërprerjen e mësimit dhe aktiviteteve të tjera akademike si rezultat i bllokimit të dyerve hyrëse dhe i asamblesë studentore, dhe rreth kësaj çështjeje do të përgjigjem.

Më lejoni ta dalloj bllokimin nga asambleja, dhe t’ju informoj veçan për të dyja. Më datë 20 nëntor, pas orës 8.30, u gjenda në sheshpushimin jashtë dyerve hyrëse të fakultetit. Vura re se studentët ishin mbledhur dhe kishin bllokuar dyert hyrëse. Rolin tim në bllokimin e dyerve hyrëse do ta përkufizoja – duke parafrazuar Kantin – si atë të një spektatori dashamirës. Me ç’di as në Republikën Demokratike të Koresë qytetarëve nuk iu kërkohet llogari për çfarëdolloj spektatorizmi. Gjithsesi, siç ua përmenda më lart, për hir të respektit për kolegët më lejoni t’ju informoj se arsyet e dashamirësisë sime kanë të bëjnë me legjitimitetin emancipues të kauzës studentore, e më specifikisht me përpjekjet e tyre për të ndalur një reformë arsimore që do ta tregtarizonte jetën universitare publike dhe për të shprehur mospajtimin e tyre për praktikat antidemokratike brenda organizimit të universiteteve.

Sidoqoftë, fare pak minuta pasi po e shprehja dashamirësinë time duke ndenjur me duar në xhepa në oborr e diskutuar me kolegë të tjerë të pranishëm, vura re se forca policie po tentonin të kacafyteshin me studentët në njërën prej dyerve hyrëse. Atëbotë qëndrimi im kaloi prej atij të spektatorit dashamirës në atë të aktorit të indinjuar për ndërhyrjen policore. Një ditë më parë, po forcat policore – për turp të tyre dhe të jetës universitare – kishin ndërhyrë brutalisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe, duke kapur për flokësh e tërhequr zvarrë, kishin arrestuar pesë studentë të atij fakulteti. I ndjeshëm në maksimum ndaj ndërhyrjeve policore në mjediset universitare – ku përvoja botërore shënon ngjarje fashistoide si ato të Qytetit të Meksikos më 1968 dhe Athinës së 1973 – jam afruar dhe fillimisht i kam kërkuar shpjegime një civili i cili nga agresiviteti i treguar ndaj studentëve më bëri të mendoja se ishte përgjegjësi i policëve. Për habinë time, ai mu prezantua si punonjës i rektoratit. Mendoj se më ka gënjyer pasi nuk e besoj se në Universitetin e Tiranës mund të punojnë njerëz që përdorin agresivisht bërrylat në fytyrat e studentëve për të hapur një derë. Paskëtaj u jam drejtuar policëve me uniformë duke iu kërkuar bazën ligjore të ndërhyrjes së tyre, e cila po bëhej për çdo çast e më e dhunshme. Me njohuritë që kam rreth Ligjit të Arsimit të Lartë, policia mund të ndërhyjë në mjediset universitare vetëm kur kryhet një vepër penale e rëndë ose kur e kërkon me shkrim titullari i institucionit. Madje moralisht, policëve u duhet që edhe për arsye personale të futen në mjediset universitare vetëm të veshur civilë. Historia e brutalitetit policor në jetën universitare botërore e bën praninë e uniformave të tyre në universitete edhe më të rëndë sesa ajo e reklamave të pijeve energjike apo kompanive celulare. Gjithsesi, për shkak të mosmarrëveshjes me policët e pranishëm, iu kërkova të sillnin në mjediset e fakultetit një jurist të drejtorisë së policisë.

Koleget e departamentit më shprehën po ashtu edhe shqetësimin e disa anëtarëve të këshillit mbi mundësinë që unë të isha organizator i ngjarjes në fjalë. Po të pohoja diçka të tillë jo vetëm do të gënjeja, por do të përbënte edhe një mburravecëri të pamerituar nga ana ime. Pavarësisht se në të shkuarën disa syresh mund të kenë gjetur frymëzim në shkrimet e mia, sot lëvizja studentore – me aq sa e njoh – është shembull i vetorganizimit, kthjelltësisë ideore dhe qëndrimeve të papërkulshme emancipuese rreth çështjes së universitetit. Mua më mbetet vetëm të frymëzohem prej tyre dhe t’i mbështes me aq sa më lejojnë mundësitë dhe detyrat si pedagog.

Më vonë studentët më kanë kërkuar të mbaj një fjalë përpara asamblesë së tyre, dhe duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese të shprehjes publike të mendimeve kam dalë sërish për pak minuta nga pozita komode e spektatorit dashamirës. Sidoqoftë, meqenëse gjatë fjalës nuk iu kam shtuar gjë qëndrimeve të mia të kahershme publike lidhur me tregtarizimin e jetës universitare dhe problemet në demokracinë e brendshme, nuk po ju marr kohë në rishtjellimin e saj.

Sikur të jetonim në kohëra tragjike – si ato të viteve 30-40 – dhe autoritetet më të larta shtetërore e universitare të më pyesnin nëse isha unë përgjegjësi për ngjarjen në fjalë, do t’iu isha përgjigjur si Pikasoja oficerit nazist që e pyeti se kush e kishte bërë Guernikën (pikturën e famshme që tregonte mizorinë e bombardimit nazist të atij qyteti): E keni bërë ju! Po kohëra të tilla cinike nuk ta lejojnë heroizmin dhe e shndërrojnë sublimen në groteske, e as ju nuk jeni bash institucioni drejtpërdrejt përgjegjës për mënyrën se si po shkatërrohet karakteri publik i universiteteve nga reforma qeveritare dhe hierarkët më të lartë të universiteteve publike me kolaboracionizmin ose tolerimin e tyre.

Kësisoj më mbetet vetëm t’ju sugjeroj modestisht të thërrisni e të dëgjoni përgjegjësit e vërtetë të kësaj ngjarjeje, përfaqësuesit e lëvizjes studentore. Pasi të keni dëgjuar problemet, qëndrimet dhe vizionin e tyre për një universitet me të vërtetë publik dhe me karakter emancipues në shoqëri, ndoshta do të frymëzoheni prej tyre edhe më shumë se unë dhe do t’i ndihmoni në arritjen e qëllimeve të tyre – që në fakt janë edhe qëllimet tona si banues dhe përjetues të universitetit. Përndryshe në këto kohë obskurantiste – për të përmendur vargjet e Brehtit – “nuk do thonë: Qenë kohë të zymta, por do thonë: Pse heshtnin poetët e tyre?”

http://opolitike.org/analiza/rreth-ngjarjeve-ne-fakultetin-e-shkencave-sociale/

Ish-Rektori i Universitetit te Vlores mbi Reformen

 

Profesor Tanus Shaska analizon si me poshte nismen e qeverise per reformen ne arsimin e larte.

Facebook, 10 Maj 2014

Tanush Shaska

Disa reflektime të shpejta mbi "reformën" në arsim.

Miq të nderuar,


kam 2 ditë që kam kaluar çdo detaj të draftit për ligjin e arsimit të propozuar nga komisioni i kryeministrit.  Këto janë përshtypjet e mia:


1) Nga ana estetike ky raport i ngjan një raporti të një nxënësi mesatar të shkollës së mesme.  Kombinimet e ndryshme të ngjyrave, përdorimi me vend dhe pa vend i "bullets", dhe organizimi mjaft i dobët i materialit të bën të mendosh se raporti është bërë nga ndonjë manager biznesi dhe jo personel akademik.
2) Përsa i përket fakteve dhe shifrave që jepen në raport ato janë shumica të pasakta dhe kanë brenda inflacionin e shifrave që gjen kudo në Shqipëri.  Universitetet shqiptare numërojnë si studentë edhe ata që janë rregistruar para shumë vitesh dhe s'kanë frekuentuar universitetin asnjë ditë.  Raporti përpiqet të nxjerrë konkluzione nga shifra te pasakta dhe natyrisht edhe konkluzionet do te jenë të pasakta.
3) Raporti është kontradiktor.  Pretendon të ngrejë një sistem me bazë konkurencën, por kthen ose vazhdon kontrollin e qeverisë mbi çështje si pranimet në universitete, shpërndarjen e studenteve, kuotat, etj.  Kjo të le të mendosh se anëtarët e këtij komisioni nuk kuptojnë parimet bazë të menaxhimit te universiteteve, qofshin ato akademike apo financiare.
4) Propozimi është një hap mbrapa në autonomine e universiteteve për të cilën kemi vite që luftojmë.  Ky do te jetë një zhvillim shumë negativ në arsimin shqiptar.  Le të jemi të sinqertë, gabimet e PD-së në arsim ishin pikërisht sepse nuk shkoi deri në fund me autonominë e universiteteve.  Çdo hap mbrapa në këtë drejtim do te ishte shumë shqetesues.
5) Raporti është i mangët në detaje.  Si do të funksionojnë pagesat? Sa do të jenë çmimet për një student në këtë sistem të ri?  A është bërë ndonjë studim për këtë? Përse nuk lejohet mundësia që studentët të zgjedhin vetë degët e tyre?  Përse studentët nuk mund të ndërrojnë degë sa herë që të duan?  Cili do të bëj promovimet e personelit akademik, universitetet vetë apo politikanët ne Tiranë? Këto janë të gjitha tipare të marra nga niveli "anglo-saxon" tek të cilat komisioni nuk futet fare.  
Unë do ti sygjeroja kryeministrit diçka fare të thjeshtë.  Vëri si detyrë ministrisë të punojë me ligjin arsimor ekzistues.  Ju mund të shtoni amendamente mbi këtë ligj për çështjet urgjente.  Shumica e problemeve të arsimit në Shqipëri mund të zgjidhen me ligjet që janë. Problemet me cilësinë nuk kanë ardhur nga ligji, por nga mungesa e punës në universitete dhe nga mungesa e kërkimit të llogarisë.  
Ndërkohë dëgjojmë se Shqipëria do të riorganizohet ne 4-5 provinca të mëdha.  Riorganizimi i universiteteve duhet të bëhet i tillë që secila nga këto provinca te ketë nga nje universitet.  Në se Shqiperia per nje 10 vjeçar do te arrije në 200 000 studente siç pretendohet në raport, atëherë nuk paska më shumë nevojë se 4-5 universitete shtetërore. Numri ideal i nje universiteti shtetëror është 35 000 - 50 000 studentë. Një nga difektet e universiteteve tona shtetërore është se janë plotësisht të shkëputura nga komuniteti.  Ky propozim do të rregullonte këtë difekt.  Universitetet do të bëheshin krenaria e këtyre provincave dhe do të ndihmonin këto provinca të krijonin një identitet të tyre.


Kjo kërkon guxim politik dhe përfshirje në këtë reforme të personave jashtë spektrit te PS-se, por është e vetmja mënyrë që do të ndryshonte sistemin arsimor shqiptar.  Ndryshe kjo s'do te jetë gjë tjetër vecse "reforma" e rradhës.
Sinqerisht,
T. Shaska

Tuesday, November 25, 2014

Arrestohet Drejtoresha e Agjencisë së Akreditimit në Kosovë

 

Sikur në Shqipëri edhe ne Kosovë procesi i akreditimit ka qenë shoqëruar me parregullsi, keqmenaxhim dhe korrupsion. Por në Kosovë institucionet e drejtësisë kanë arritur të krijojnë një çështje për drejtuesen e agjencisë së akreditimit në Kosovë. Në Shqipëri ish-kryetari i këshillit të akredimit në periudhën 2006-2013, Prof. Dr. B, Musai,  është sulmuar disa herë në media (Gazeta Sot dhe Telegraf), por pa akuza bindëse.

 

Express, Nëntor 25, 2014

Policia ka arrestuar sot Drejtoreshën e Agjencisë së Akreditimit për Arsim të Lartë, Ferdije Zhushi, dhe ish-zyrtar i UNDP-së, Armend Muja nën dyshimin se kanë marrë ryshfet nga universitetet private.

Një skandal i madh ka plasur  në Agjencinë e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj disa personave ndërsa ka arrestuar shefen e kësaj agjencie, Ferdije Zhushi dhe ish zyrtarin e UNDP’së, Armend Muja.

Sipas prokurorisë, për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion në Agjencionin Kosovar të Akreditimit në Prishtinë, ku ka arrestuar F.Zh.E, zyrtare e këtij agjencioni dhe A.M., ish zyrtar i lartë në UNDP, si dhe ka bastisur shtëpitë e tyre”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, si dhe raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Departamenti Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, më 14 nëntor 2014, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër: B.M. zyrtar i Agjencionit Kosovar të Akreditimit, F.Zh.E. zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe A. M., ish zyrtar i lartë në UNDP.

“Për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private”.

“Me këtë të pandehurit B.M. dhe F.Zh.E. në vazhdim dhe bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe së bashku me të pandehurin A.M. në vazhdim dhe në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 dhe 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj dy personave të arrestuar.

http://www.gazetaexpress.com/lajme/zyrtare-arrestohen-ferdije-zhushi-dhe-armend-muja-62091/

Konflikti i personelit me rektoratin ne Universitetin e Tiranes

 

Gazeta Panorama, 25.11.2014

Flet Hysamedin Feraj, themeluesi i Shkencave Politike

“Dekani Karaj më dha leje gojore për disa ditë, tani e mohon për t’i bërë qejfin rektorit Kule”

Prej më shumë se një muaji, në Fakultetin e Shkencave Sociale është pushuar nga puna pedagogu me përvojë 28-vjeçare, doktori i Shkencave Hysamedin Feraj.
Ai është themeluesi i degës së Shkencave Politike dhe drejtues i departamentit të këtij Fakulteti për shumë vite, anëtar i Senatit dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit. Gjithashtu ai është autor i dhjetëra artikujve publicistikë, kritikë e analitikë mbi politikën shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen, autor i tekstit universitare “Hyrje në shkencat politike”, i monografisë “Skicë e mendimit politik shqiptar” dhe i shumë eseve kritike, si “Kriza e përkryer në Shqipëri”, “Pamundësia e kozmopolitizmit shqiptar” etj. Pavarësisht kontributit në Fakultetin e Shkencave Sociale në tri dekada, tashmë Feraj është zyrtarisht pa punë. Ai është shkarkuar nga dekani i këtij Fakulteti, Theodhori Karaj. Motivi? Ka munguar disa ditë në punë, duke u larguar në auditorët e studentëve të Prishtinës e Tetovës, pa leje me shkrim. “Leja ishte gojore nga dekani, por që tani e mohon duke ia bërë qejfin rektorit”, thotë dr. Hysamedin Feraj, teksa flet për gazetën “Panorama”. Feraj është i njohur prej disa kohësh për artikujt kritikë ndaj eprorëve të tij, rektorit Dhori Kule dhe dekanit Theodhori Karaj, duke i akuzuar publikisht për abuzime me detyrën, konflikte interesi, keqmenaxhim të fondeve të Fakultetit, dëmtime të interesave të studentëve etj. Sipas tij, janë pikërisht këto akuza, që “de facto” bënë që atij t’i ndërpriteshin marrëdhëniet e punës me Fakultetin…


Profesor, pas 28 vitesh në Fakultetin e Shkencave, jeni pushuar nga puna. Si ndodhi, cili është motivacioni?
Do të më pëlqente të flisja më shumë për universitetin, për studentët dhe jetën akademike sesa për veten. Në fund të fundit nuk vuaj për punë. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, arsyetimi formal është “mungesa në punë” për 6-7 ditë të shkëputura gjatë dy viteve, pa humbur orë mësimi, përkatësisht shtator-tetor 2013 kur mësimi nuk kishte filluar, dhe shkurt-mars 2014. Sipas “ekzekutorit”, këto ditë kam qenë pa leje, jashtë shtetit dhe jam paguar. Kjo përbën shkelje të rëndë e të patolerueshme të ligjit. Dua të shtoj se “jashtë shtetit”, në këtë rast kupton në Prishtinë dhe Tetovë, aty ku edhe është një pjesë e objektit të studimeve të mia: shqiptarët dhe territoret shqiptare.


Vërtet shkuat pa leje?
Vërtet, jo. Por leja ishte gojore nga dekani, i cili tani e mohon atë për t’i bërë qejfin rektorit.


A ka precedentë të tjerë që kanë ikur jashtë shtetit pa leje dhe janë pushuar nga puna?
Precedentë se kanë ikur “pa leje” jashtë shtetit, në kuptimin edhe jashtë hapësirës shqiptare ka, ndërsa precedentë që për këtë të jenë pushuar nga puna nuk di të ketë. Madje, edhe një precedent i tillë mbas meje me prof. Sokol Abazin nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës nuk është i tillë, sepse edhe ai ishte me leje me shkrim, por që dekani përpiqet ta mohojë. Gjithsesi, nuk kam bërë hetime në këtë drejtim, por di se vajzën e dekanit, znj. Stela Karaj, pedagoge në të njëjtin Fakultet, nuk e njeh pothuajse askush, sepse me periudha të gjata qëndron jashtë e brenda shtetit pa u dukur në Fakultet. Njëlloj është situata me disa pedagogë të tjerë…


Nëse nuk qëndron motiv zyrtar, cili mendon se është motivi i vërtetë?
Motivi i vërtetë është rezistenca që i kam bërë presionit të ushtruar nga rektori Dhori Kule, që unë dhe kolegët e mi të shkelim ligjin; kritikat dhe denoncimet publike që u kam bërë shkeljeve ligjore nga ana e tij, shpërdorimit të detyrës e të funksionit publik që mban, dëmtimit të interesave të studentëve, të akademizmit dhe të universitetit publik përgjithësisht.


Prej sa kohësh ka nisur konflikti me rektorin Dhori Kule dhe me dekanin Dhori Karaj?
Rreth dy-tri vite më parë. Por një moment i rëndësishëm është fillimi i këtij viti kur për disa muaj, duke shpërdoruar detyrën dhe funksionin publik, rektori Kule ka ushtruar presion që të shkelim ligjin. Ndër të tjera, rektori Kule për disa muaj nguli këmbë t’i propozojmë për punësim me kohë të pjesshme një të pëlqyerin prej tij, të cilin gjithsesi e kishim angazhuar si të tillë për disa vite, mirëpo në konkurrimin e vitit të kaluar kishte kandidatura shumë më të kualifikuara.


Dekani është aty prej shumë vitesh. Si kanë qenë marrëdhëniet e mëparshme me të? Pse filluan pikërisht tani konfliktet?
Marrëdhëniet e mia me dekanin kanë qenë korrekte, ose më saktë gati jo marrëdhënie. Përgjithësisht unë isha shumë i zhytur në studime e në mbarëvajtjen e shkencave politike dhe as që vija re se çka bëhej rreth meje dhe ata rreth meje më linin “rehat”. Angazhimet këto dy vite si anëtar i Këshillit të Fakultetit dhe anëtar i Senatit të UT, njohja me një farë persekutimi që po i bënte rektori i UT, i toleruar pa kufi nga dekani, përgjegjëses së Departamentit të Filozofisë, znj. Mandeta Minxhozi, e cila po ashtu e kishte kritikuar publikisht rektorin para disa vitesh etj., më tërhoqën vëmendjen dhe paskëtaj konstatova masakrimin që po i bëhej Universitetit publik të Tiranës. Me një fjalë të kolegut tim Arlind Qori: nga univers-itet ai ishte kthyer në pervers-itet, në lulëzim të veseve njerëzore, para së gjithash të vesit të babëzisë së rektorit dhe disa dekanëve.


Si është gjendja e përgjithshme e universiteteve publike?
Si shumëçka tjetër në këtë vend, universiteti publik, ashtu si hapësira të tjera publike, edhe Universiteti i Tiranës është privatizuar nga rektori Kule dhe nga disa Dekanë fakultetesh, ndaj të cilëve “INUK” me sa duket ka mirëkuptim. Nga rektori Dhori Kule, e në modelin e tij nga dekani ynë, shkurt Dhori Karaj, Universiteti i Tiranës dhe fakultetet janë kthyer në sh.p.k. private, ndër të tjera për të zgjidhur problemet e punësimit për familjarët e vet. Kështu, krejt në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit, rektori Dhori ka punësuar në departamentin e tij vajzën e tij (Ekonomik), dekani Dhori ka punësuar në Fakultetin e tij vajzën e tij (më herët ka pas punësuar kunatën e tij). Në marrëdhënie të tilla private të dy Dhorët realizojnë një diskriminim të hapur në punë ndaj pedagogëve që i pëlqejnë e nuk i pëlqejnë, përdorin ndikimin e tyre për t’u vënë nota të mira studentëve me të cilët s’dihet se ç’lidhje kanë, ushtrojnë presion për të shkelur ligjin, aktet nënligjore dhe kriteret e pranimit të pedagogëve të jashtëm, si rasti i mësipërm. Ushtrojnë një diskriminim të hapur mes studentëve, ndër të tjera duke shpërdoruar fondin e ekselencës, duke u dhënë bursa ekselence studentëve me nota të dobëta për shkak të lidhjeve të dyshimta me ta dhe duke i shmangur studentët e shkëlqyer. Me vite mbasi diplomojnë studentët nuk pajisen me diploma, sepse s’ka para, se paratë ikin në drejtim të paditur, se tenderat…? Për studentët e doktoraturës ka vite që dekani nuk dorëzon në sekretari procesverbalin e notave. Në kundërshtim me ligjin dhe çdo akt nënligjor, udhëheq 15-20 studentë në punimet doktorale duke ulur çdo cilësi të udhëheqjes, por duke ngritur shumën e milionave që merr. Vetë rektori, pa asnjë formim profesional, udhëheq punime doktorale… në Filozofi! Por në fund të fundit, ashtu si pronarë të vetëm të një sipërmarrjeje private, ndonëse ligji i detyron, as dekani dhe as rektori nuk bëjnë ndonjë transparencë financiare dhe të buxhetit, ndër të tjera nëse iu është lëvruar studentëve pjesa e buxhetit që u takon, kujt i është dhënë dhe për çka është përdorur. Mirëpo, për rektorin Kule asnjë veprim i tillë nuk përbën shkelje ligjore; për të ekziston vetëm një shkelje ligjore: nëse dikush shkon sot e kthehet nesër pa leje në një konferencë shkencore ose atje ku është objekti i studimit. Ose për shkeljet e tjera rektori ka dhënë leje, vetes dhe të tjerëve.


Që domethënë?
Domethënë se pa asnjë ndjesi universitare dhe akademike të dy Dhorët e konceptojnë universitetin si fabrikë dhe akademikun si punëtor fabrike ose kooperative. Në këtë mungesë të lidhjes së tyre me jetën akademike e ka burimin këmbëngulja që pedagogu të rrijë tetë orë në punë e më pas nuk është e nevojshme të mendojë. Kush nuk rri tetë orë në punë, ka ikur nga puna pa leje dhe prandaj duhet të pushohet fare nga puna. Në krye të një institucioni akademik, por pa asnjë lidhje me jetë akademike, ata kujtojnë se mendimi është me orar: tani po mendoj, më vonë nuk më lejohet të mendoj se nuk jam në punë. Nuk kuptojnë atë gjë elementare, që e thotë miku im, prof. Fuga, se pedagogu është në punë në çdo orë të jetës së tij, se është në punë edhe kur shkon në Tetovë, në Prishtinë apo Prizren dhe sodit peizazhin, lidhjen e tij me përfytyrimin për atdheun, psikologjinë kombëtare etj. Por për Dhorët duhet marrë leje për të menduar, për të punuar, për të studiuar dhe vetëm gjatë orarit të punës, dhe vetëm në zyrë, ndonëse Euklidi e gjeti formulën më të rëndësishme kur ishte në WC. Mirëpo Dhorët përgjithësisht nuk kanë bërë ndonjëherë jetë akademike: Dhori Kule e ka kaluar jetën si administrator, një herë në Qytetin Stalin, më vonë dekan, që shumë vite rektor, anëtar i shumë bordeve, njëlloj si Dhori Karaj, dekani i “përjetshëm” i Fakultetit të Shkencave Sociale.
Çfarë rruge do të ndiqni për t‘u kthyer në punë?
Rrugën ligjore. Por kthimi im nuk është i rëndësishëm në vetvete. Unë jam vetëm simptoma e një sëmundjeje. Ndërsa vetë sëmundja është uzurpimi, privatizimi i Universitetit publik të Tiranës nga Dhorët. Shërimi është kthimi i kësaj pasurie te pronari i vërtetë, te publiku, te taksapaguesit, te populli shqiptar. E shpresë për këtë kanë mbetur studentët: lëvizja studentore për Universitetin.

Dekani Karaj: Feraj, shkelje penale dhe administrative
Reagon Theodhori Karaj: Denigrime Universitetit me opinione kafenesh
“Hysamedin Feraj gënjen, nuk i kam dhënë leje me gojë”

Dekani Theodhori Karaj

Pas akuzave të dr. Hysamedin Feraj, gazeta “Panorama” kontaktoi dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Theodhori Karaj. Pasi u njoh me pretendimet e kolegut, prof.dr. Karaj reagoi me një letër sqaruese, të cilën po e sjellim të plotë…
Ajo që konstatoj në qëndrimet e Hysamedin Ferraj, është se ai përpiqet të denigrojë drejtues dhe institucionin e Universitetit të Tiranës, duke përdorur fakte jo të vërteta, por opinione kafenesh. Dhe këto i bën sikur të ketë qenë një i huaj për këtë Universitet, dhe jo si dikush që ka punuar për rreth dy dekada, si pedagog dhe për shumë vite edhe si drejtues në të si anëtar i Senatit dhe si anëtar i Këshillit të Fakultetit, ku ai ka votuar për vendimet që kanë rregulluar jetën e Universitetit. Personalisht jam i nderuar që jam pjesë e këtij Universiteti që, pavarësisht problemeve që ka, është nga më prestigjiozët në vend, dhe kjo (në kundërshtim me thëniet e z.Ferraj), pikërisht sepse nuk është një sh.p.k., por drejtohet nga organe të zgjedhura në mënyrë legjitime
Elementi i dytë që konstatoj, është se ai merr rolin e vlerësuesit absolut për persona që nuk janë të departamentit apo të fushës së tij për të përcaktuar se kush është akademik dhe kush nuk është akademik, cilët pedagogë jo të departamentit të tij vijnë apo nuk vijnë në Fakultet, bëjnë mësim apo nuk bëjnë mësim etj. Që të dyja këto qëndrime mendoj se nuk i shkojnë për shtat një personi si ai, që pretendon se është i zhytur tërë kohën në studime dhe, po ashtu, nuk i shkojnë për shtat as etikës elementare të jetës akademike.
Pretendimi i z.Feraj se ka marrë leje gojore nga dekani është i pavërtetë. Dua të theksoj se universiteti është institucion dhe, si çdo institucion, funksionon në bazë të rregullave. Që prej dy vitesh në Fakultetin e Shkencave Sociale është vendosur dhënia e lejeve me shkrim. Këtë praktikë kanë zbatuar të gjitha departamentet dhe, po ashtu, e ka zbatuar me rigorozitet edhe z.Feraj si përgjegjës i departamentit. Në mënyrë të vazhdueshme, në kohën që ka qenë përgjegjës departamenti ai, bazuar në kërkesat individuale, ka propozuar me shkrim dhe dekani ka miratuar po me shkrim leje për pedagogët e Departamentit të Shkencave Politike. Vetë zoti Feraj ka kërkuar leje me shkrim dhe dekani i ka miratuar leje me shkrim për disa ditë edhe gjatë vitit, kur ai ka ikur pa leje me shkrim nga puna. Për këtë ka prova shkresore, të cilat rrëzojnë pretendimin e tij se ka marrë leje gojore.
E vërteta është se zoti Feraj, në kohën që ka qenë përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike, ka ikur 8 ditë jashtë shtetit pa leje të miratuar sipas praktikës së vendosur në institucion, duke kryer në këtë mënyrë shkelje të rënda dhe të përsëritura të disiplinës në punë. Shkelja bëhet më e rëndë, po të kihet parasysh se, bazuar në aktet rregullative të Universitetit të Tiranës, përgjegjësi i departamentit monitoron, krahas të tjerave, edhe disiplinën në punë të punonjësve të departamentit dhe, mbi këtë bazë, harton dhe firmos fillimisht listëprezencën në punë. Zoti Feraj ka nënshkruar listëprezencat në punë si ish-autoritet drejtues i Departamentit të Shkencave Politike dhe se ai me vullnet ka paraqitur në dokumentacionin zyrtar fakte të pavërteta për prezencën e tij në institucion për 8 ditë, kur kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse ai ka qenë pa leje jashtë shtetit, duke mashtruar në këtë mënyrë edhe strukturat drejtuese dhe financiare të institucionit. E thënë shkurt. Z.Feraj, përveçse ka munguar tetë ditë në punë, ai ka firmosur listëprezencën për veten e vet sikur ka qenë në punë, duke qenë jashtë shtetit. Kjo është penalizuar, sapo është konstatuar në bazë të legjislacionit në fuqi. Kjo është arsyeja e vërtetë e masës që është marrë për të.
Drejtuesit e institucionit nuk e kanë ndaluar z.Feraj të mendojë, të bëjë studime apo të sodisë peizazhet, siç shprehet ai, qoftë edhe në trojet shqiptare jashtë shtetit. Ajo që kemi kërkuar, është se, përderisa ai ka qenë i punësuar me kohë të plotë në institucion, duhej të zbatonte rregullat e marrjes së lejes për largimin nga vendi i punës, në rastet për jashtë shtetit. Dekanati ka dhënë leje me shkrim për çdo punonjës të Fakultetit, sa herë që kjo është kërkuar dhe ka qenë në përputhje me rregullat. Fakti është, se kur është shkelur disiplina në punë, janë penalizuar, në varësi të shkeljes, edhe pedagogë të tjerë në Fakultet. Vetë z.Feraj në kohën kur ishte përgjegjës departamenti, ka mbajtur një qëndrim shumë rigoroz, duke u hequr ditë të punës punonjësve të departamentit të tij që nuk kanë qenë prezent në punë. Unë e kam miratuar këtë veprim të tij se ka qenë në përputhje me rregullat. Po në këtë linjë, ndaj zotit Feraj është marrë një masë që është e përligjur, për arsye se ai ka bërë dy shkelje njëherësh, një administrative dhe një shkelje të natyrës penale. Mendoj se z.Feraj duhet të gjejë forcën (të cilën unë them se e ka) dhe të përgjigjet ndaj këtyre shkeljeve para ligjit, si një njeri i rritur dhe i përgjegjshëm.
Zoti Feraj vë në dukje se si dekan unë kam vepruar në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit. Dua të theksoj (dhe ai e di mirë) se dekani në bazë të ligjit nuk është punëdhënës dhe, si i tillë, unë nuk kam punësuar asnjë pedagog dhe nuk kam firmosur asnjë kontratë me asnjë pedagog (dhe as me z.Feraj kur ishte punonjës i Fakultetit). Në këtë pikëpamje, unë mendoj se nuk kam konflikt interesi. Në këtë linjë, unë kam miratuar për vite me radhë edhe propozimin që vinte nga Departamenti i Shkencave Politike dhe me firmën e zotit Feraj për angazhimin si pedagog të jashtëm në të njëjtin departament të baxhanakut të tij, të cilin, si parimor që pretendon se është, zoti Feraj, nuk duhet ta kishte harruar pa përmendur. Me sa di unë, problemin e konfliktit të interesit ai e ka kallëzuar edhe në institucionin ligjor që mbulon zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit. Do të kishte bërë mirë të priste konkluzionet nga ky institucion, para se ta bënte fakt të kryer me synime denigruese në shkrimet e tij në gazeta.
Zoti Feraj (dhe ndonjë tjetër që e përkrah) shpërndan thashetheme për fonde ekselence dhe dhënie bursash ekselence, por kjo nuk ka ndodhur kurrë, sepse unë si dekan nuk kam pasur kurrë ndonjë fond ekselence në Fakultet dhe se nuk është në kompetencën time shpërndarja e fondeve të ekselencës.
Zoti Feraj vë në dukje se dekani udhëheq shumë doktoratura në kundërshtim me ligjin. Kjo është e pavërtetë, se kjo praktikë është realizuar në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet nënligjore. Dua të theksoj këtu se si dekan unë kam po të njëjtin numër doktoraturash në udhëheqje, sa edhe profesorët e tjerë të Fakultetit të Shkencave Sociale, se ky numër shtrihet për një periudhë 5-6 vjeçare dhe se vendimet janë marrë në mënyrë kolegjiale nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit, në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Kjo vërtetohet shumë lehtë. Duket se akti i veçimit të dekanit nga ana e z.Feraj është tendencioz dhe kjo nuk shkon për shtat me frymën e parimorit të madh, që pretendon se është.

Studentët në protestë: Të kthehen në detyrë pedagogët e shkarkuar
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë protestuar para godinës së Fakultetit, duke dalë kundër vendimit për shkarkimin e dy pedagogëve. Për orë të tëra ata kanë bojkotuar mësimin në shenjë revolte, duke kërkuar kthimin në detyrë të dy pedagogëve të shkarkuar, përkatësisht Sokol Abazi dhe Hysamedin Feraj. Në qëndrimin për mediat, studentët dhe pedagogët pjesëmarrës në këtë protestë e cilësuan këtë politikë që po ndërmerret nga rektorati si përjashtuese nga sistemi universitar. Ata kanë dalë edhe kundër tarifave të larta të shkollimit, si dhe reduktimit të numrit të kuotave për pranimet e reja. Në lidhje me pagesën e menjëhershme, prej 30% gjatë momentit të regjistrimit në Fakultet, studentët kanë kërkuar që qeveria të tërhiqet nga ky vendim, pasi sipas tyre kjo penalizon ata që nuk kanë mundësi financiare. Ndër kërkesat që kanë paraqitur, veç rishikimit të tarifës dhe rikthimin e menjëhershëm në detyrë të profesorëve të pezulluar nga puna, është edhe ajo për dorëheqjen e dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, Theodhori Karaj.

http://www.panorama.com.al/2014/11/25/feraj-si-me-hoqen-karaj-e-kule-ngaqe-i-denoncova-dekani-karaj-feraj-shkelje-penale-dhe-administrative/

Wednesday, November 19, 2014

Fakulteti i Shkencave Sociale – UT – mjerim intelektual

ALEKSANDËR KOCANI

Panorama, 19 Nentor, 2014

Fjala është për Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, në të cilin ka vite që ka filluar një proces degradimi që ka mbërritur aktualisht në krijimin e një klime terrori dhe frike. Fillimisht po saktësoj se ky shkrim u drejtohet kryesisht vetëm atyre lexuesve që u përkasin 10-20% të individëve adultë në Republikën e Shqipërisë që, nga anketimet e shumta disavjeçare të kryera nga Departamenti i Shkencave Politike, del se karakterizohen nga profili vleror i vetafirmimit. Kjo do të thotë se ata u japin përparësi vlerave shpirtërore kundrejt atyre materiale. Vetëm këta më shumë se kushdo mund ta kuptojnë domethënien dhe peshën e problemit që ngre ky artikull. Fjala është që ky fakultet ka afro dy dekada që është nën sundimin e dinastisë “Ø” (një grupi pedagogësh të degës së psikologjisë), e cila, vetëkuptohet që ka vepruar vetëm në përputhje me interesat e veta. Kushdo që ka cenuar këto interesa është konsideruar si kundërshtar dhe është trajtuar si i tillë (është shantazhuar e ofenduar, është larguar kur ka qenë me kontratë të përkohshme ose pedagog i jashtëm etj.). Dinastia e ka “privatizuar” këtë fakultet që ligjërisht është publik, por që de facto është kthyer në “feud” të saj!
Raste të sjelljes arbitrare nga kjo dinasti ka shumë, por këtu po përmend vetëm disa. Ndër më skandalozët është rasti i linçimit obskurantisto-mafioz që po i bën prej disa muajsh kjo dinasti, duke shfrytëzuar postet dhe institucionet shtetërore, ish-drejtuesit të departamentit të shkencave politike, Dr. Hysamedin Feraj, dhe jo vetëm atij. Ai përbën një figurë të njohur e të respektuar publike për shoqërinë shqiptare, madje z. Feraj gëzon një vlerësim mjaft të lartë edhe nga qarqet akademike mbarëshqiptare. Ai njihet si mësimdhënës, studiues dhe drejtues me integritet moral dhe profesional dhe, me sa duket, pikërisht një profil i tillë vleror e “ka marrë në qafë”! Kjo sepse në mënyrë të natyrshme ai, duke kryer detyrën, iu kundërvu kupolës së dinastisë në fjalë në veprimet e saj të paligjshme dhe abuzive. Madje “guxoi” dhe i kërkoi kësaj kupole që të bëjë transparencën për mjaft nga veprimet e saj që dukeshin të dyshimta. “Kulmi” i këtij “guximi” ishte kërkesa që drejtuesi i kupolës, dekani-baba, Prof. Dr. Theodhori Karaj, të sqaronte marrëdhëniet institucionale me vajzën-pedagoge (konfliktin e interesit, ligjshmërinë e pagesave të saj edhe kur nuk paraqitej në punë, bursat e ekselencës që dekani-baba i kishte dhuruar vajzës-studente dhe studentëve që nuk e meritonin, shkeljen e vendimeve të Këshillit Shkencor të FSHS etj., etj.). Në mungesë të transparencës dhe reflektimit, dekani, Prof. Dr. Theodhori Karaj, është paditur penalisht në gjykatë. Për këtë “sakrilegj”, z. Feraj u vu në shënjestrën e një “kryqëzate” të paprecedentë! Me një pafytyrësi të paparë, veprimet e ligjshme dhe të moralshme u cilësuan si shkelje dhe abuzime! Dhe u montua një farsë administrative për pezullimin dhe më tej shkarkimin e tij (ndonëse ai ishte zgjedhur në mënyrë demokratike!) nga detyra e drejtuesit të departamentit. Më tej linçimi shkoi deri në nivelin absurd: z. Feraj u pushua me një akuzë të montuar banale edhe si pedagog! Mesazhi ishte tepër i qartë: Ata individë që do të guxonin të “hidhnin baltë” e të “denigronin” këdo që përfaqësonte interesat e dinastisë, këtej e tutje do të pushoheshin nga puna!! Ky llogaritej se do të ishte një mësim i “mirë” antiqytetar për të gjithë ata persona me integritet moral e profesional që për fat të keq u duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Fakultetin e Shkencave Sociale! Dinastia “hodhi brezin në tokë” dhe lëshoi sfidën: ose të gjithë të ulin kokën dhe “t’i fshijnë këpucën kupolës”, ose kush kundërshton do të linçohet jo “me serë dhe pupla”, por me pushim nga puna! Dhe kjo bëhet mu në mes të Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës! Vallë kaq poshtë të kemi rënë sa të bëjmë sehir këtë degradim intelektual, ashtu si dikur romakët shihnin me ëndje në arenat e cirkut “shqyerjen” e kristianëve nga bishat e egra!
Ndërsa për rastin e z. Feraj i kërkoj falje lexuesit që po i sjell banalitetet e paraqitura si shkelje nga kupola e dinastisë “Ø”. Kështu, ai akuzohet për “krimin e tmerrshëm” që hyri (në mënyrë të ligjshme!) të bëjë një orë mësimi në fushën e kompetencës së tij profesionale të padiskutueshme me një kurs të degës së filozofisë, i thirrur nga përgjegjësja e departamentit të filozofisë, znj. Minxhozi. Arsyeja ishte se pedagogia e lëndës kishte 6 javë që nuk zhvillonte mësim dhe ishte “zhdukur në drejtim të paditur”. Sipas rregullave dhe praktikës universitare, përgjegjësja e departamentit ndërmori veprimet e realizimit të mësimit me pedagogë të tjerë, meqë pedagogia e lëndës “nuk bëhej e gjallë”. Sipas fabulës së njohur që “faj nuk ka kush vjedh lopën, por ai që nuk e ruan mirë atë”, “kupola” iu vërsul përgjegjëses së departamentit që guxoi të bëjë detyrën e saj!! Për më tepër, iu vërsulën edhe z. Feraj për këtë “krim të tmerrshëm” që kishte bërë: kishte dhënë një orë mësim!!! Dhe kush, një pedagog, doktor i shkencave, që kishte një përvojë pune 28-vjeçare!!! Dhe bëri mësim në një kurs që e zhvillonte një pedagoge e re, pa përvojë dhe me një nivel kualifikimi e mësimdhënie mjaft më të ulët, ndoshta edhe nën nivelin minimal të lejuar (kjo mund të jetë edhe arsyeja e vërtetë)!!! Dihet se në çdo universitet perëndimor ndiqet praktika e thirrjes, për të zhvilluar një ose disa leksione, e personaliteteve të fushave përkatëse dhe universitet pritëse ndihen shumë të nderuara kur këto personalitete pranojnë dhe i zhvillojnë këto leksione. Z. Feraj mund të konsiderohet me plot të drejtë si një personalitet shqiptar në fushën e studimeve në shkencat politike! Për dijeni, z. Feraj është themeluesi i degës së shkencave politike në UT dhe për disa vite, në kushtet e mungesës së kuadrit përkatës, është detyruar që të përballojë 11 e më shumë lëndë të kurrikulës së degës (midis tyre edhe Filozofinë Politike për zhvillimin e së cilës akuzohet!) dhe e ka bërë këtë në mënyrë shumë dinjitoze dhe profesionale. Kjo punë dhe angazhimi i madh për ndërtimin dhe konsolidimin e degës dhe departamentit të shkencave politike, për të cilën ndihem disi “fajtor”, sepse personalisht e kam nxitur shumë herë që ta bëjë, ka ndikuar ndjeshëm që ai të neglizhojë plotësimin e kërkesave që duhen zyrtarisht për të fituar titullin “Profesor”. Ka punuar shumë për interesin publik, por jo për interesin vetjak! Nëse në këtë vend vlerësimi për dhënien e titujve shkencorë do të bazohej te kontributet shkencore dhe akademike, atëherë z. Feraj me meritë të padiskutueshme do ta kishte fituar tashmë me kohë këtë titull!! Z. Feraj nga tri lëndët që u miratua të jepte në shkollën doktorale të shkencave politike dha vetëm një, duke ua kaluar dy të tjerat kolegëve të departamentit. Dhe atë guxojnë në mënyrë qesharake ta akuzojnë se me hyrjen e ligjshme 1 orë mësimi në nivelin bachelor të degës së filozofisë kishte qëllimin e “mbrapshtë” që t’ia merrte lëndën “titullares” së saj!!!
Dhe këtij personaliteti, “kupola”, që u përpoq më kot të gjente diçka që ta akuzonte për abuzim, por “dështoi me sukses të plotë”, me pafytyrësinë që e karakterizon e akuzon se përse hyri (në bazë të një kërkese të ligjshme dhe të logjikshme!) dhe zhvilloi një orë mësimi! Më vonë, duke “gërmuar” në të kaluarën dhe duke kërkuar në mënyrë selektive (??!!) nga sistemi TIMS, gjetën disa largime dyditore në Kosovë dhe Maqedoni në një total prej 8 ditësh gati një vit më parë (!!), të cilat ai si hartues i listë-pagesave të pedagogëve të departamentit i kishte firmosur! Por, sigurisht që kështu duhej të vepronte, nëse ishte larguar me leje të dekanit! Z. Feraj, në kuadrin e një studimi rajonal për sistemin dhe partitë politike, kishte vajtur për të bërë intervista në këto vende dhe sigurisht që e kishte bërë me dijeni e me leje (gojore!) edhe të dekanit të fakultetit, një praktikë që e kemi ndjekur të gjithë dhe që në përgjithësi ka funksionuar, ashtu siç dhe duhet të funksionojë në një mjedis akademik! Puna kërkimore e pedagogut nuk bëhet në zyrë, por në biblioteka, arkiva etj., madje edhe në terren, sepse “mund të mendohet edhe te ura e Potsdamit”, siç është shprehur gati një shekull më parë Ajnshtajni! Dhe vetëm “merhumët” e dijes dhe shkencës mund të pretendojnë të kundërtën e saj! Në dijeninë time, vetëm një rast tjetër kjo praktikë nuk ka funksionuar, domethënë është mohuar nga dekani leja e dhënë gojarisht vetëm sepse pedagogu që kishte shkuar në një konferencë shkencore jashtë shtetit për disa ditë, më pas kishte hyrë në një konflikt me dekanin. Për pasojë, iu mohua leja e dhënë gojarisht dhe iu hoqën ditët që kishte qenë në konferencë shkencore!! Gjithkush duhet ta dijë se dekani është ai që bën “edhe kohën e mirë, edhe kohën e keqe”!
Për “kolorit” po sjell një tjetër “mysybet” të këtij dekani. Në dhjetëditëshin e parë të muajit korrik 2014, në FSHS vjen një udhëzim i rektorit të Universitetit të Tiranës lidhur me fillimin e lejes së zakonshme. Për pedagogët thuhej se ata që i kishin plotësuar të gjitha detyrimet si pedagog, do të fillonin lejen e zakonshme. Pasi vura në dijeni përgjegjësin e atëhershëm (i cili për mendimin tim, ligjërisht dhe moralisht mbetet përgjegjës i departamentit të shkencave politike!!) dhe ai më konfirmoi udhëzimin dhe që nuk kisha detyrime të pashlyera, fillova lejen e zakonshme dhe u largova nga vendi. Në ditët në vijim ndodhi pezullimi i z. Feraj si përgjegjës i departamentit dhe u zhvillua një mbledhje e shpejtë e departamentit të shkencave politike për të komunikuar pezullimin dhe komandimin e përkohshëm të një kolegeje të departamentit si përgjegjëse. Për arsye objektive nuk mora njoftim dhe nuk asistova në mbledhje. Kur munda të merrja njoftim jozyrtar për një urdhër të brendshëm të dekanit lidhur me shtyrjen e fillimit të lejes së zakonshme më 24 korrik, ndërpreva pushimet dhe u ktheva në Tiranë. Atje më prisnin disa “surpriza”. Njëra ishte një kërkesë zyrtare me shkrim nga dekani i FSHS, Prof. Dr. Theodhori Karaj, që kërkonte sqarim me shkrim jo më vonë se ora 10:00 e ditës pasuese, se përse nuk kisha marrë pjesë në mbledhjen e bërë për komunikimin zyrtar lidhur me drejtuesin e departamentit!!! I shkreti dekan!! “Vdiste” që t’i kishte në “Kanosa” të gjithë “kecat e pabindur” që ta shihnin forcën e dinastisë dhe t’i përuleshin “kupolës” së saj! Shkresa zyrtare ishte qesharake, sepse dekani, Prof. Dr. Theodhori Karaj, harronte që afro një javë më parë kishte përcjellë udhëzimin e rektorit të UT për fillimin e lejes së zakonshme dhe se urdhri i tij i brendshëm i mëvonshëm (që çuditërisht anulonte pa e cilësuar një udhëzim të rektorit të UT!!) nuk kishte efekte juridike për periudhën para nxjerrjes së tij (domethënë, prapaveprues), por nga mllefi që nuk më pa të rreshtuar në “dhënien e ndëshkimit të merituar” z. Feraj, gaboi “pakëz”!! Pra “trimërisht” më kërkonte të sqaroja me shkrim përse nuk erdha në “Kanosa” dhe se kur kisha filluar lejen e zakonshme dhe se kur mendoja ta përfundoja atë! Mbasi kisha filluar ligjërisht lejen e zakonshme nuk mund të merrja me mend që ishte anuluar fillimi i lejes! Sigurisht që në FSHS askush, as edhe dekani, prof. Dr. Theodhori Karaj, nuk mban përgjegjësi ligjore dhe morale që tallen me pedagogët në mënyrë institucionale, por kjo është një çështje tjetër! Megjithatë, kur dihet që fillimin e lejeve të zakonshme dhe përfundimin e tyre nuk e ka në dorë pedagogu, por titullari i fakultetit, një kërkesë zyrtare për këto gjëra drejtuar një pedagogu është diçka sa për të qeshur, aq dhe për të qarë!!!!
Mjafton edhe vetëm kaq që të kuptohet se ku ka katandisur ky fakultet që presupozohet se duhej të “rrezatonte” qytetari dhe nivel të lartë intelektual!

Friday, November 14, 2014

Mbi Tatimin e vlerës së shtuar në shërbimet arsimore

 

(publikuar per here te pare ne www.Peizazhe.com)

 

Subvencionimi i arsimit të lartë privat

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama se arsimi privat ishte trajtuar si “i njerkës” nga shteti, Prof. Dr. Fuga në një shkrim kundërshtoi pretendimin duke argumentuar se arsimi i lartë privat ishte faktikisht i mbështetur disa herë nga qeveria dhe publiku, qoftë nëpërmjet kuadrit lehtësues rregullator (financiar e qeverisës) por edhe nga burimet financiare të disponuara nga studentët dhe institucionet private.

Një nga mënyrat e drejtpërdrejta të mbështetjes financiare ndaj institucioneve private është edhe përjashtimi i institucioneve të arsimit privat nga pagesa e tatimit të vlerës së shtuar. Në 2009 qeveria ndryshoi ligjin nr. 7928/1995 “Për TVSH” duke shtuar nenin 24/1 për përjashtimin e shërbimeve arsimore nga institucionet e arsimit privat nga tatimi. Teorikisht ky përjashtim nga taksa e TVSH-së (20%) subvencionon tarifën e studimit, por praktikisht i ka shkuar pronarëve të institucioneve fitimprurëse (OJF-të ishin të përjashtuara), sepse tarifat e deklaruara të studimit nuk ndryshuan me përjashtimin nga tatimi. Ndoshta synimi i qeverisë Berisha ishte të rriste investimet private në sektorin e arsimit, por tani ky prioritet zhvillimi është i kaluar. Përjashtimi nga tatimi gjithashtu favorizon vetëm institucionet e mëdha fitimprurëse me mbi 1000 studentë (“Albanian University”, “UET”, “Kristal” dhe “Vitrina” që zënë mbi 70% të tregut).

Të njëjtën politikë po vazhdon edhe qeveria Rama. Projekt-ligji i ri “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” propozon në nenin 51/i përjashtimin nga tatimi të shërbimeve në institucionet e arsimit privat si “veprimtari me interes të përgjithshëm”. Ligji nuk diskriminon ndërmjet shërbimeve në arsimin e lartë dhe atij të ulët e të mesëm. Duke mos diferencuar ndërmjet institucioneve qeveria Rama, në vazhdimësinë e qeverisë Berisha, dëshmon pozicionin e saj se arsimi i lartë, sikur arsimi i mesëm, është një e mirë publike dhe jo krejtësisht individuale. Gjithashtu projekt-ligji është më specifik në përcaktim, ndryshe nga ligji i vjetër (“furnizimi me shërbime arsimore”) në këtë ligj parashikohet përjashtimi nga tatimi vetëm për shërbime: “të edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, të mësimdhënies shkollore apo universitare, formimit profesional dhe rikualifikimit, përfshire furnizimin e shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to”.

 

Propozimi

Por unë mendoj se nuk është e drejtë që shteti të diferencojë ndërmjet subjekteve tregtare fitimprurëse (edhe pse ligji përcakton termin “shërbim”). Për këtë, një zgjidhje është që shteti t’ia kalojë subvencionimin studentëve apo prindërve në formën e rimbursimit të TVSH-së dhe të rimbursimit nga tatimi i të ardhurave. Shërbimi i arsimit të mos përjashtohet nga pagesa e tatimit të vlerës së shtuar, por të rimbursohet tek individi. Kjo zgjidhje është e mundshme me ndryshimin e ligjit nr. 8438/1998 "Për Tatimin Mbi Të Ardhurat" dhe projekt-ligjin e propozuar për TVSH-në. Ligji për tatimet mbi të ardhurat përcakton deklarimin e të ardhurave individuale (kreu II), ndërsa projekt-ligji përjashton shërbimet e edukimit/mësimdhënies nga TVSH-ja. Shkurtimisht, shteti nuk ja heq TVSH-në në burim shërbimit arsimor, por pas deklarimit të të ardhurave personale. Sipas rastit shteti i kthen qytetarit pagesën e TVSH-së për shërbimet relevante me edukimin. Me këtë rast qeveria mund ta ketë këtë politikë mbështetjeje (apo ndihme) në formën e një fondi të veçantë, jo të përcaktuar në ligjet e tatimeve (që duhen ndryshuar me mbi 2/3) por me një vendim të posaçëm, çka do t’i jepte më shumë mundësi manovrimi (sidomos në prag fushatash, krize ekonomike etj.).

Së pari shteti kontrollon më mirë të ardhurat në institucionet e arsimit privat (deri më tani ato ishin në varësi të vetë-deklarimeve nga institucionet) dhe inkurajon zbatimin e ligjit për deklarimin e të ardhurave personale. Së dyti kjo i hap rrugë rritjes së tarifave të studimit edhe në institucionet publike, pasi individët do të mbështeteshin njësoj nga përjashtimi për shërbimin e arsimit. Së treti, kjo praktikë do të mundësonte zbatimin e skemës së kredisë studentore, e cila është përfolur në strategjinë e arsimit të lartë të qeverisë së kaluar. Dhe së katërti, qeveria do të krijonte kështu një preferencë të qartë për institucione arsimore jofitimprurëse.

Kjo skemë mbështetje përdoret në shumë vende perëndimore, sidomos në rastin e tatimit mbi të ardhurat. Në SHBA ka mbi 12 kategori të përfitimeve nga taksat për qëllimin e arsimimit dhe trajnimit profesional. Asistenca financiare federale në formën e përfitimit nga taksat zë pjesën më të madhe të ndihmës për nga numri i përfituesve (rreth 12 milion studentë në vit me nga një përfitim prej 1300$/vit fiskal). Format kryesore janë zbritjet nga taksat (nga kamata e kredisë studentore, tarifat e studimit etj.) dhe përjashtime nga taksat (nga interesat për llogaritë e kursimit apo bonot e thesarit, nga shpenzimet e punëdhënësit për edukimin e punonjësve etj.). Programet kryesore janë American Opportunity Tax Credit (AOTC) dhe Lifetime Learning Credit (LLC) nga ku studentët mund të përfitojnë rimbursime prej 2000-2500$/vit. Ndërsa në Gjermani prindërit e studentëve përjashtohen nga taksa e kishës dhe e solidaritetit apo pësojnë zbritje nga të ardhurat (Ausbildungsfreibetrag rreth 1000€). Në Holandë prindërit mund të zbresin nga të ardhurat deri afërsisht 4000 euro për jetesën dhe tarifat e studimit. Në Angli studentët nuk paguajnë taksat e bashkisë (diku tek 1000£ për banesë).

 

Problemi me skemën e rimbursimit

Problemi i vetëm me këtë propozim janë skemat e vjedhjes nëpërmjet rimbursimit. Në nëntor të 2013 me urdhër të Prokurorisë së Tiranës u arrestuan pesë punonjës së Drejtorisë së Tatimeve Tiranë. Sipas gazetës Tema (5 nëntor, 2014) nga skema e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) ishin përfituar nëpërmjet mashtrimit mbi 26 (+5 në disa burime) milion dollarë. Gjatë zbulimit të ngjarjes u ndërmorrën përpjekje skandaloze për të manipuluar dhe zotëruar serverin e të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga të dyja palët, keqbërësit dhe shantazhistët, si nga nëpunësit e ish-qeverisë Berisha dhe nga qeveria Rama nëpërmjet Spartak Brahos. Në Ora News (24 Janar, 2014) Braho deklaroi se ndërhyrja nuk kishte qëllim vetëm zbulimin e skemës së vjedhjes por edhe të evazionit fiskal në “qindra miliona euro”.

Rimbursimi i TVSH-së parashikohet në ligjet nr. 7928/1995 “Për TVSH” dhe nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”. Por rasti shënjon një dukuri të pazakontë sa i takon rimbursimit. Në një sondazh të qendrës “Rritje Albania”  (2010) mbi 34% e bizneseve të eksportit deklaronin se kishin vonesa të gjata ose mohim për rimbursimin, 33% kishin më shumë se 1 muaj dhe mbi 70% pretendonin se procedurat për rimbursimin ishin të lodhshme e të ndërlikuara. Megjithë gjasat e pakta për të përfituar rimbursimin, asnjë kompani e intervistuar në sondazhin e “Rritje Albania” nuk kishte hapur çështje gjyqësore me tatimet. Gjithashtu ndryshimi i kuadrit ligjor nuk solli ndonjë përmirësim për mbi 70% të kompanive. Shumica e kompanive nuk kishin mundësi të përfitonin as kamatën për vonesën e rimbursimit. Ndërsa shifra prej 26 milion dollarë e rimbursuar ndaj vetëm dy kompanive është e pazakontë nëse do të kishim parasysh se drejtori i tatimeve deklaronte për vitin 2010 rimbursim në total prej 60 milion dollarësh  - dy herë gati sa shifra e vjedhur. Deputeti i Partisë Socialiste, z. Erjon Braçe, pretendon se vjedhja me ketë skemë arrin deri në 100 milion dollarë. Shkurt, skemat e rimbursimit mund të kthehen në gropa të zeza edhe për rimbursimin e shpenzimeve të patatueshme ndaj individëve.

Sunday, November 9, 2014

Kundërshtohet vendimi i qeverisë për godinën e UPT

 

Fakulteti i Gjeologji-Minierave në revoltë: Qeveria po na merr godinën për pallat drejtësie.

Gazeta Tema, 9.11.2014 (http://www.gazetatema.net/web/2014/11/09/fakulteti-gjeologji-miniera-ne-revolt-qeveria-po-u-merr-godinen-per-pallat-drejtesie/)

Një grup pedagogësh dhe profesorë të shquar të Universitetit të Tiranës në Fakultetin Gjeologji Miniera u kanë drejtuar atuoriteteve shqiptare, një peticion ku kundërshtojnë ashpër tjetërsimin e godinës historike të këtij fakulteti në një objekt tjetër në funskion të disa institucioneve të drejtësisë shqiptare. Në peticion thuhet:

“Tashmë është marrë vesh për një VKM lidhur me kalimin e godinës së Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave (FGJM) Gjykatës së Lartë. Në rast se një vendim i tillë qëndron dhe është i vërtetë, ky do të ishte një gabim fatal, në dëm të ekonomisë shqiptare, në dëm të kërkimeve gjeologjike të vendburmeve të naftës e të gazit, të kromit dhe të bakrit, të materialeve të ndërtimit e dhjetra mineraleve të tjerë. Ështe në dëm të formimit të inxhinierëve gjeologë, të minierave, të naftës e gazit, të gjeofizikës, të gjeologjisë ingjinierike dhe të mjedisit, në dëm të Shkencave të Tokës dhe të gjithë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Ne botë, edhe në Shqipëri ndër vite, shtëpi banimi kanë hapur dyert për shkolla që të mësojnë fëmijët dhe të mos mbeten analfabetë. Madje edhe kasha, xhami a teqe janë kthyer në shkolla dhe nuk ka ndodhur kurrë që shkolla të kthehet në një zyrë. Monumentet dhe institucionet e dijes dhe të kulturës, ruhen si sytë e ballit dhe kombet krenohen me historinë e tyre. Fatkeqësisht, në shekullin njëzet e një në Shqipëri, një VKM e Rilindjes bën të kundërtën e asaj që na mësoi Naimi dhe Samiu: shkatërron një Fakultet për të bërë një zyrë sado e rëndësishme të jetë, të vetmen shkollë për specialistët e gjeologjisë, të minierave dhe të naftës e të gazit që ka Shqipëria, me një histori gjashtëdhjetë vjecare.

Ne që po ju drejtohemi me këtë peticion, të shokuar, të fyer dhe të përbuzur nga një vendim i tillë rrufe, jemi nje grup pensionistësh ish-pedagogësh , kryesisht me tituj profesorësh, që kemi punuar me dekada të tëra në atë fakultet e në atë godinë, duke i dhënë gjithë kontributin tonë shkencor e pedagogjik.

Godina për të cilën bëhet fjalë nuk është thjesht një ndërtesë çfardo, që mund të kalohet lehtë nga një institucion në një tjetër, ajo është GODINA SIMBOL,ku kane studjuar e janë dipllomuar 4800 kuadro të shkencave të tokës (gjeologji, gjeofizikë, miniera, shpim-nxjerrje etj.), të cilët kanë marrë pjesë dhe kanë mbajtur mbi shpinën e tyre tërë barrën e zhvillimit të vëndit për dekada me radhë. Me përkushtim, sakrifica, dije dhe vetmohim, mijëra inxhinierë të përgatur në bangat e këtij fakulteti gjatë 60 vjetëve, kanë punuar dhe drejtuar kërkimin e vendburimeve dhe shfrytëzimin e tyre për të mirën e ekonomisë shqiptare. Nuk na takon ne t’ju kujtojmë se ekonomija shqiptarë mërrte mbi 450 milion dollarë në vit nga industria minerare dhe e naftës, që për ekonominë shqipëtare janë nxjerrë miliona tonë naftë, bakër, krom etj. Në brendi të kësaj godine ndodhen vlera kombëtare, të cilat nuk mund të trasportohen e të hidhen kaq lehtë nëpër zyra pa vlerë apo edhe bodrume diku. Për vetë karakterin e materialeve si kampionatura shkëmbinjsh nga I gjithë vendi, modele dhe aparaturave që ndodhen në laboratoret e këtij fakulteti çdo lëvizje e tyre do ti dëmtonte dhe do ti bënte të pavlera. Për grumbullimin e asaj kampionature e të atyre paisjeve është punuar me dekada nga breza të tërë gjëologësh, minatorësh, shpuesash etj. Në këto kushte nuk mund të lejohet që njerëz pa përgjegjësi dhe që nuk duan të dinë se çështë gjeologjia, të vendosin për fatin e tyre.

Fakulteti Gjeologi-Miniera (FGjM) është e vetmja, e përsërisim, e vetmja shkollë e lartë në fushën e shkencave të tokës në Shqipëri. Nëqoftëse aktualisht në vëndin tonë ka disa fakultete juridike, disa ekonomike, disa filozofike etj. etj., FGJM është një dhe vetëm një.

Dikur thuhej se “Nafta çan bllokadën’, “Kromi çan bllokadën” etj, Pavarësisht karakterit politik të kohës të këtyre slloganeve, aty kishte një gjë të vërtetë se këto janë pasuri kapitale të këtij vëndi. Nëntoka shqiptare është e pasur në minerale te dobishëm, dhe kjo nuk është gjë e re, por ne duhet te theksojmë se këto pasuri kolosale janë nxjerrë dhe do të nxiren nga specialistët shqiptarë dhe asnjë i huaj. Gjeologjia është si gjuha e mëmës, mineralet i gjejnë specialistët që njohin vendin gur më gur, që e duan dhe u dhimbet atdheu. Me sa duket, nuk janë bindur politikanët dhe zyrtarët shqiptarë se kompanitë e huaja kanë 20 vjet që po punojnë në Shqipëri dhe nuk kanë gjetur asnjë vendburim të ri, vetëm po shfrytëzojnë ato që kanë gjetur gjeologët e formuar në këtë Fakultet, si edhe nuk mërret vesh se sa të ardhura ka shteti shqiptar nga ky shfrytëzm barbar që bëjnë. Jemi drithëruar pardje kur një minator u vra se ra në një pus në minierën e Bulqizës dhe pamë minatorët zbathur që ecnin nëpër ujërat e galerisë. Është drithëruese kjo sjelle e trajtimi skllavëror ndaj minatorëve, që nuk ka ndodhur kurrë. Këtë, duhet të mos lejojnë intsitucionet e shtetit dhe jo të shkatërrojnë shkollën. Mos lejoni të kthehet skllavëria.

Nga dyert e asaj shkolle kanë dalë specialistë të shkëlqyer, që kanë dhënë kontribute me vlera të mëdha në fushën e kërkim – zbulimit të vendburimeve të naftës, të kromit, të bakrit, të qymyreve etj. Shumë nga këta pa asnjë arsye u kalbën burgjeve dhe madje u ekzekutuan nga diktatura. Po të ishin gjallë, ata njerëz të mëdhej, nuk do të lejonin në asnjë mënyrë t’u merrej e t’u përdhosej simboli i tyre, godina të cilën disa zyrtarë arrogantë e të pa përgjegjshëm duan t’j kalojnë dikujt tjetër si pa gjë të keq. Turp edhe për ata që duan të futen në shkollë dhe ta bëjnë atë zyrën e tyre. Kemi përshtypjen se përfat të keq ka edhe anëtarë qeverie që nuk e dinë që ka një fakultet të tillë, ku punon një kolektiv pedagogësh e shkencëtarësh të shquar, të mirënjohur edhe në botë, të cilët kanë qenë dhe janë ndër diplomatët më të mirë për shqipërinë.

Zëmërimi që ka ngjallur ky “Vendim” nuk është vetëm midis studentëve e pedagogve aktualë, por tek të gjithë pa përjashtim specialiatët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe jo vetëm kaq. Shumë nga kolegët tanë apo ish studentë që kushtet e jetës i çuan jashtë atdheut, shprehin të njëjtën zëmëratë e indinjatë dhe janë kundër këtij vendimi.

Ne, sikundër edhe ata, i kërkojmë Qeverisë që të anullojë një vendim të tillë tepër të gabuar, që do ta dëmtonte rëndë në përgjithësi ekonominë shqiptare. Mos i zëmëroni gjeologët, Zotrinj qeveritarë, mos ju bini më qafë, krijohuni kushtet e nevojshme dhe lërini të punojnë për të mirën e atdheut. Nuk përparon ekonomia e një shteti pa shfrytëzuar burimet natyrore që ka, në ballin e të cilave qëndrojnë mineralet e dobishme.

Që gjatë viteve të tranzicionit, nga të gjtha qeveritë që janë ndërruar, jo vetëm nuk është punuar për të ruajtur dhe mirëmbajtur monumentet e historisë, të kulturës dhe te dijeve, por përkundrazi shumë prej tyre janë shkatërruar duke filluar me lapidarët e historisë, heqjen e rojeve ne disa muzeume dhe deri në shkatërrimin e Muzeumit të Natyrës Shqiptare në qendrën e Tiranës i cili kishte edhe Muzeumin e Gjeologjise se Shqiperisë. Është e pafalshme që tani, kur shpresojmë dhe presim të bëjmë përpara, tu turremi dhe shkatërrojmë edhe shkollat.

Ne, ish pedagogë e profesorë të këtij fakulteti, aktualisht në pension, i kërkojmë Qeverisë që jo vetëm ta lërë të qetë kolektivin e profesorëve aktualë dhe bashkpuntorët e tyre për një punë normale, por brënda mundësive të gjejë edhe burime financiare për përmirësimin e infrastrukturës të asaj godine, në atë fakultet, ku në dimër mësohet pa ngrohje, si në asnjë zyrë të shtetit shqiptar, por fatkeqësisht si në shumë shkolla.

FGjM, si institucion tepër i rëndësishëm dhe i vetëm i Arsimit të Lartë, me 2400 studentë, sa që mësimi zhvillohet në dy turne, qysh prej dekada vitesh, ka një traditë të shkëlqyer, ku cilesia e mësimeve ka qenë dhe mbetet në nivele të mira e shumë të mira. Ne, si veteranë të ketij Institucioni tepër serioz, Ju lutemi që ta rishikoni këtë vendim, të cilin po e quajmë si plotësisht të nxituar dhe të pamerituar për atë armatë të madhe të ish studenteve, të pedagogëve dhe të studenteve të sotëm. Sa më sipër, Ju lutemi edhe në emërin e tyre, që ta rishikoni dhe ta zhbëni këtë vendim, që mund të hyjë në historinë e arsimit si një turp, të cilin Ju nuk e meritoni, për arsyen e thjeshtë se Ju jeni shpresa për rimëkëmbjen e këtij vendi. Tërheqja nga vendimet e gabuara, ju lartësojnë edhe më shumë!

Theksojmë edhe një herë se Nëntoka Shqiptare është shumë e pasur dhe ajo duhet të studjohet e kërkohet, të zbulohen vendburimet dhe vihen në shfrytëzim në dobi të ekonomisë shqiptare, në radhë të parë nga shqiptarët, nga kuadrot që kanë dalë e do të dalin nga ai fakultet, nga ajo godinë simbol. Le të mos shkojmë në të kundërt me atë që na tregon përvoja e jonë e dhjetra viteve të shekullit të kaluar, me atë që na mësojnë rilindasit, që na mëson Samiu i madh në librit e tij “Shqipëria c’ka qenë, c’është dhe c’do të bëhet” për ekonominë minerale në Shqipëri.,”

Firmosin:

Prof. Dr. Selam Meço

Prof. Dr. Alfred Frasheri

Prof. Dr.Jorgo Kanani

Prof. Dr.Jorgji Hanxhari

Prof. Dr. Rushan Lico

Prof. Dr. Artan Tashko

Inxh. Vngjel Ndrio

Prof. Dr. Jorgo Vllaho

Prof. Dr. Skender Osmani

Prof. Dr. Engjell Prenjasi

Prof. Dr. Andon Grazhdani

Prof. Dr. Arqile Teta

Prof. Dr. Sotig Guxha