Saturday, November 8, 2014

Fotokopja si derman

Prof. Dr. Artan Fuga në një shkrim në Gazetën Standard “Na mbyti varfëria në kulturë” (22 Mars, 2014) prek çështjen e cënimit të të drejtave të autorit nga fotokopja. Unë kam përshtypjen se fotokopja e librave mësimorë universitarë nga studentët përbën faktikisht shqetësimin kryesor të artikullit. Por shqetësimet e autorit kalojnë nga problemet financiare për botimin dhe cilësinë e botimit të librit shkencor, tek cënimi i të drejtave të autorit dhe politikat publike për mbështetjen e bibliotekave dhe autorëve. Shqetësimet e autorit (në 7 pika)

Shkurtimisht sipas Fugës libri shkencor është i rëndësishëm në cilindo format, por si studentët edhe pedagogët nuk e përdorin mjaftueshëm për arsye kryesisht financiare. Cilësia e librave shkencor është e dobët pse kushtëzuar nga burimet financiare shtëpitë botuese zgjedhin të botojnë libra shkencore duke kompesuar burimet me botimin e librave jocilësor. Botuesit ngushtësohen financiarisht edhe kur u cënohen të drejtat e autorit, çfarë rrjedhimisht krijon më pak të ardhura për autorët e librave. Sipas tij, ndër cënimet kryesore të së drejtës është akti i fotokopimit të librave shkencorë. Pasi përmend argumentet fisnike, edhe pse shumë cekët e pa lidhje logjike, Fuga kalon sërish në argumente ekonomikë. Sipas tij studentët varfërohen kulturalisht përse akti i fotokopimit përcakton një mënyrë të veçantë leximi (jolinear!), fotokopja nuk mundëson krijimin e një bibliotekë personale (harruar kopjet me dorë të librave të verdhë deri para 20 viteve) dhe fotokopjuesi paguhet keq gjithsesi (në krahasim me botuesin apo makinistin?). Më tej në shkrim Fuga i bën thirrje qeverisë për politika publike favorizuese e nxitëse për librin shkencor pse këto i hapin rrugë zhvillimit të kulturës e shkencës. Sërish në artikull preken të drejtat e autorit dhe paaftësia e pedagogëve për të manaxhuar proceset juridike e financiare për botimin e librave.

Unë jam dakord me shqetësimet që ngrihen në artikull, por jo me çfarë unë mendoj se është agjenda e këtij shkrimi: problemi i studentëve që fotokopjojnë tekstet e librave mësimore universitarë apo librave shkencorë. Për këtë le të shohim argumentet etike, juridike dhe ekonomike në lidhje më këtë çështje.

(1)Aspekti etik: Kur autori përmend çështjen e studentëve që cënojnë të drejtën e autorit pse fotokopjojnë, tregon mungesë ndjeshmërie dhe hesht ndaj dy dukurive tepër të rënda në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri: (a) shitja e librave (kryesisht me detyrim) nga pedagogët e lëndës tek studentët e tyre; dhe (b) cënimin e të drejtave të autorëve në një pjesë të madhe të librave universitarë të publikuara nga pedagogët shqiptarë. Në rastin e parë ka një shkelje të etikës në marrëdhënien pedagog-student kur një pedagog cakton librat e tij si material mësimor. Përveç përfitimit financiar nëpërmjet rrogës, angazhim i rregulluar nga statuti apo udhëzimet e qeverisë, pedagogu i kërkon studentit të angazhohet në marrëdhënie ekonomike jashtë kuadrit institucional për përfitim financiar personal. P.sh. në universitetin e Rutgers kjo çështje është zgjidhur duke ja hequr përfitimin financiar pedagogut në rast se ai cakton si material leximi librin e tij, e në universitete të tjera duke ja kaluar përfitimin financiar (royalties) universitetit. Gjatë studimeve të mia në dy shtete perëndimore nuk kam hasur asnjëherë që një pedagog të caktojë në listën e librave ndonjë libër të tij. Në Shqipëri për shkak të mangësisë së theksuar së literaturës është e pashmangshme, por jo të detyrohen studentët të blejnë librat.

(2)Aspekti juridik: Argumentet juridike janë shteruese në lidhje me fotokopjen për përdorim personal e qëllime studimore. Ligji Nr. 9380/2005 “Për Të Drejtën E Autorit Dhe Të Drejtat E Tjera Të Lidhura Me Të", neni 26/ ç & dh përcaktojnë se lejohet “riprodhimi i plotë ose i një pjese të saj [veprës] bëhet për përdorim vetjak, me kusht që të mos cenojë shfrytëzimin tregtar të veprës; [dhe] fotokopjimi i veprave të bibliotekave publike bëhet për përdorim vetjak brenda bibliotekës ose për shërbime të saj.” Gjithashtu direktiva 2001/29 i BE-së, pika 39, i përshtatur edhe në ligjin shqiptar, lejon fotokopjen për qëllime private. Në Gjermani, Zvicër dhe Austri kopja për përdorim privat është e lejuar gjerësisht. Në SHBA (Code Of Federal Regulations, Title 37 - Patents, Trademarks, and Copyrights) ka kufizime, por bibliotekat dhe arkivat janë të autorizuara të pajisin cilindo me fotokopje apo riprodhime të tjera nëse këto realizohen për qëllime private studimore apo hulumtuese.

(3)Aspekti ekonomik: Me ndryshimet e fundit në sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri gjatë viteve 2005-13 veprimtaria shkencore në Shqipëri zhvillohet kryesisht në universitete. Pedagogët në universitetet publike në Shqipëri janë të detyruar të ndërmarrin veprimtari kërkimore-shkencore dhe rrjedhimisht të publikojnë studimet e tyre. Sipas rregullores së veprimtarisë akademike (MASH, Nr. 20/2008 “Për Veprimtarinë e Personelit Akademik në Institucionet Publike të Arsimit Të Lartë”) një profesor angazhohet me 200 orë mësimi në vit, (dhe 170 si përgjegjës i departamentit), në krahasim me docentët (300) apo lektorët (260). Nga ku sipas udhëzimit veprimtaria kërkimore duhet të zërë jo më pak se 20% së numrit të përgjithshëm të orëve në një vit (ose jo më pak se 300 orë pune vjetore). Promovimi me tituj akademikë gjithashtu është i lidhur me veprimtarinë kërkimore dhe publikimet, sidomos monografitë. Kur një pedagog i UT-së u shet librat e tij studentëve është faktikisht duke përfituar për së dyti herë nga studentët. Një herë kur paguhet nga taksapaguesit dhe tarifave të studimit për veprimtarinë e tij mësimdhënëse dhe kërkimore, e njëherë kur studentja i blen pedagogut librin. Universitetet gjithashtu kanë fonde dhe janë të detyruara të financojnë publikimin e librave shkencorë, në pamundësi le të vendosen kopje digjitale. Rregullorja për “Etikën në Veprimtarinë Kërkimore dhe Botuese” (MASH, Nr. 105/2012), neni 4, ja njeh këtë përgjegjësi institucioneve dhe angazhimin për të mbrojtur të drejtat e autorit. Universiteti i Tiranës, edhe pse ka një fond kërkimi dhe blerje librash, nuk ka një rregullore për veprimtarinë e botimit. Universiteti i Prishtinës ka një rregullore që lejon financimin e botimeve të librave shkencorë dhe mësimorë universitare, që gjithashtu detyron botuesin e pedagogun të dërgojë në bibliotekën qendrore të universitetit dhe të fakultetit përkatësisht nga pesë kopje. Kur pedagogu paguhet për kohën e tij të kërkimit, edhe pse jo për koston e publikimit, ai duhet të dërgojë në bibliotekën e universitetit kopje të mjaftueshme për studentët, sidomos kur libri i tij është lexim i detyrueshëm për lëndën. Në Shqipëri ky rregull vlen për të gjitha botimet, të cilat duhet të arkivohen në Bibliotekën Kombëtare.

Autori gjithashtu duhet fillimisht të kritikonte politikën e Universitetit të Tiranës. Në vitin 2011 në Universitetin e Tiranës janë investuar për fondin e librave 19 000 000 lekë, prej të cilave rreth 11 400 000 ishin të parashikuara nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga fondi i universitetit (p.sh. të ardhura nga tarifat e studimeve etj.). Fuga mund të ngrinte pyetjen sesa prej këtyre librave kanë qenë cilësor? A janë realizuar shpenzimet e planifikuara, kryesisht ato shpenzime që parashikohen për kërkimin shkencor (hulumtime, konferenca dhe investime në infrastrukturën kërkimore)? P.sh. në Fakultetin e Historisë e Filologjisë, ku Prof. Fuga është përgjegjës për Departamentin e Gazetarisë, realizimi i shpenzimeve ka qenë 95% edhe pse buxheti është jashtëzakonisht i vogël (rreth 148 000 000 lekë). Sa prej këtyre parave kanë shkuar për të pasuruar bibliotekën e departamentit? Sa studentë e frekuentojnë bibliotekën? Sa libra janë botuar nga personeli i departamentit? Sa prej tyre janë mbështetur financiarisht nga projekte kërkimore, nga universiteti apo nga burime të treat?

Shkurtimisht, artikulli nuk kishte asgjë relevante me politikat publike. Argumentet ligjorë nuk përmenden, ato ekonomike numërohen nga kolltuku dhe pa një studim të mirëfilltë. E çështjet që janë vërtet të rëndësishme - si etika në marrëdhëniet student-pedagog dhe komodifikimi i skajshëm i këtyre marrëdhënieve, deri në korruptimin për nota, diplomë e shitje librash – nuk përmenden fare.

Friday, November 7, 2014

Vijojnë protestat e studentëve

 

Nëntor 06, 2014

Studentët kanë protestuar në lidhje me vendimin e qeverisë për të marrë godinën e Fakultetit të Gjeologji-Minierave  (shih këtu). Sipas Lëvizjes Për Universitetin ata kanë përzënë disa anëtarë të kooptuar të këshillave studentorë që kishin ardhur me nxitjen e Lulzim Bashës (PD).

image

Levizja Per Universitetin denoncon perfshirjen e politikaneve ne protestat e studenteve, qofshin keto nga opozita, pasi eshte kjo opozite qe gjate 8 viteve qeverisje jo vetem qe nuk ka bere asgje per te permiresuar universitetet publike por ka bere gjithcka ka mundur qe ti gjunjezoje ato duke vene ne krye njerez pa asnje aftesi te njohur intelektuale apo organizative dhe duke i perdorur ata per interesa partiake. Sot, kur studentet jane ngritur ne protesta, opozita kerkon te perfitoje kapital politik duke perdorur edhe keshillat studentor qe ka ne kontroll. Sic e kemi theksuar edhe ne komunikatat e tjera, ne i denoncojme te gjitha palet politike si bashkefajtore per gjendjen se ku ndodhen sot universitetet publike dhe arsimi ne pergjithesi. Gjithashtu i bejme thirrrje keshillave studentor qe te mos behen pengese ne organizimin e protestave. Studentet tashme po behen bashke dhe ata qe kane punuar prej kohesh ne dem te studenteve dhe universitetit nuk jane te mirepritur.

Video: https://www.youtube.com/watch?v=qyPMNGHwTVk&feature=youtu.be 

Ndërsa studentët e Universitetit Mjekësor kanë kërcënuar se do të fillojnë grevat e urisë nëse nuk kanë mundësi të përsërisin provimet brenda dhjetorit.

Shekulli, Neritan Gjergjo, “Nuk ka provime në dhjetor, studentët e mjekësisë në protestë”, Nëntor 6, 2014.

Strudentët  [sic] kanë dalë me një komunikatë për vendimin e heqjes së sezonit të provimeve në dhjetor. Ata janë shprehur të indinjuar, duke vënë në dukje dhe dëmin që u shkaktohet prej këtij vendimi. “Jemi mbledhur përpara zyrave të rektoratit për të manifestuar problemet dhe padrejtësitë që po na bëhen ne studentëve nga veprimet arbitrare dhe kundër interesave tona nga ky institucion. Çdo vit akademik është zhvilluar sezoni i nëntor-dhjetorit që i ka ardhur në ndihmë studentëve që nuk e kishin plotësuar kushtin e kalimit për në vitin pasardhës akademik pa asnjë lloj paralajmërimi paraprak. Rektorati i Universitetit Mjekësor të Tiranës dënon qindra studentë të ngelin në stazh duke shkaktuar dëm psikik dhe ekonomik ndaj studentëve që rrezikojnë. Ne e shikojmë të pajustifikueshme dhe të padrejtë mospërfshirjen tonë në sezonin e nëntor-dhjetorit si fenomen që është zhvilluar çdo vit, pa asnjë lloj pengese nga drejtuesit e mëparshëm të këtij universiteti. Duam të vëmë në dukje që rektorati na i ka mbyllur dyert për këtë çështje, për një kohë të gjatë duke na paragjykuar si kategoria e studentëve të paaftë që duhen spastruar, gjë që ka sjellë pakënaqësi të madhe në radhët tona. I drejtohemi institucionit të sipërpërmendur, si autoriteti më i lartë drejtues i këtij universiteti duke besuar se çështja jonë do të marrë zgjidhje ose qëndrimi ynë ndaj kësaj situate do të përshkallëzohet deri në masën ekstreme të një greve urie”.

Diskutohet buxheti per arsimin - 2015


Qeveria po diskuton projekt-buxhetin për vitin 2015. Më poshtë të dhënat për arsimin, dhe atë të lartë.  Në raport me GDP ka një ulje të vogël, por është i treti vit radhazi që, nëse do të llogaritet inflacioni, kontributi i shtetit për arsimin e lartë vijon të ulet. Kjo do të thotë që trendi është se tarifat do të vazhdojnë të rriten. Për vitin akademik 2015-2016 ato duhet të rriten të mbulojnë mungesën e fondeve shtetërore, minimalisht me 15-20% dhe ndoshta më lart nëse qeveria do të synoj të rrisë pjesëmarrjen e studentëve në koston e studimeve të arsimit të lartë me mbi 50%.


(mije leke) 2013 2014 2015
Arsimi i Larte 5,959,078 5,546,500 5,797,590
Perqindje/Buxhet 2.1518% 2.0920% 2.0934%
Perqindje/GDP (IMF)+2% 0.415% 0.13% 0.112%
% Shkenca /Buxhet 0.0651% 0.0668% 0.0639%



Ministria e Arsimit dhe Sportit
36,160,480
2,669,500
300,000
2,969,500
39,129,980
Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi
698,230
107,500
0
107,500
805,730
Arsimi Baze (perfshire parashkollorin)
23,592,920
1,354,708
0
1,354,708
24,947,628
Arsimi i Mesem (i pergjithshem)
6,161,971
537,292
200,000
737,292
6,899,263
Arsimi Universitar
5,355,590
342,000
100,000
442,000
5,797,590
Fonde per Shkencen
177,000
0
0
0
177,000
Zhvillimi i Sportit
174,769
328,000
0
328,000
502,769

Thursday, November 6, 2014

Në përgjigje të peticionit të studentëve



Studentët e UT dhe UPT dërguan një peticion ku ndër të tjera kërkonin edhe përmirësimin e infrastrukturës. Ish-Ministri Myqerem Tafaj ka njoftuar sot se qeveria (5.11.2014) ka miratuar një vendim ku godina e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave i kalon Gjykatës së Lartë (e cila e ka ndritur me vendimet dhe meriton prestigjin dhe lluksin e duhur).
“Qeveria lë pa godinë mbi 2000 studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave! .. Me këtë vendim Qeveria vërteton se bën vetëm propagandë dhe nuk mbështet realisht zhvillimin e kapaciteteve për rritjen e cilësisë së studimeve universitare dhe kërkimit shkencor në fusha kaq prioritare për ekonominë e vendit, sic është shfrytëzimi I pasurive nëntokësore dhe resurseve natyrore.
Në vend që Qeveria të rrisë buxhetin e arsimit të lartë publik për investime të reja në infrastrukturë fizike dhe laboratorike, bën të kundërtën, … Qeveria nuk thotë asgjë në vendimin e saj se ku do të shkojnë mbi 2000 studentë dhe pedagogë të këtij fakulteti. … Ky është rasti I dytë që kjo qeveri I heq godina institucioneve publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Pak muaj më parë Qeveria I hoqi një pjesë të godinës qendrore edhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, ndërkohë që bën deklerata se I kushton rëndësi të madhe zhvillimit të shkencave albanologjike!”
Edhe projekt-buxheti nuk është ai që kërkojnë studentët, ulje të tarifave dhe rritje të kontributit shtetëror. Në raport me buxhetin dhe GDP vazhdon të jetë në të njëjtën zonë të 2%.
(mije leke) 2013 2014 2015
Arsimi i Larte 5,959,078 5,546,500 5,797,590
Perqindje/Buxhet 2.1518% 2.0920% 2.0934%
Perqindje/GDP (IMF)+2% 0.042% 0.32% 0.135%
Shkenca /Buxhet 0.0651% 0.0668% 0.0639%


Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 5 Nëntor 2014
V E N D I M
PËR
KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS, TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 82, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, që ndodhet në zonën kadastrale nr.8160, me numër pasurie 6/88, me sipërfaqe trualli 12 478 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, me sipërfaqe ndërtimi 1 839.5 (një mijë e tetëqind e tridhjetë e nëntë pikë pesë) m2 dhe sipërfaqe bodrumi 1 143.5 (një mijë e njëqind e dyzet e tre pikë pesë) m2, me adresë: Rruga “Sulejman Delvina”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë, sipas genplanit, planimetrive dhe planvendosjes që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Objekti i mësipërm të përdoret në funksion të qëllimit dhe të veprimtarisë së Gjykatës së Lartë.
3. Gjykata e Lartë nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe as ta tjetërsojë atë.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Tuesday, November 4, 2014

Pushohet pedagogu H. Feraj

 

Pedagogu i departamentit të shkencave politike, Dr. Feraj, i njohur në media për përplasjet e tij me rektoratin e Universitetit të Tiranës është pushuar nga puna. Arlind Qorri, një koleg i tij, analizon më poshtë arsyet dhe motivet.

Organizata Politike, 4 Nëntor, 2011

http://opolitike.org/analiza/si-mundenm/

Si mundën/m?(!)

Arlind Qori

Ky artikull iu është dërguar për shtyp disa gazetave kryesore që një javë më parë. Disa syresh e kanë justifikuar mosbotimin me eufemizma, të tjera s’kanë lodhur gishtat as të kthejnë përgjigje për mosbotueshmërinë e tij. Arsyet që më vijnë ndër mend janë tre: mospërfillja e temës së artikullit, ndikimet okulte censuruese dhe cilësia e shkrimit. Uroj të jetë kjo e fundit. Në fund më duhet të falënderoj gazetën Telegraf që e botoi në numrin e sotëm.

***

Me propozim të dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale Theodhori Karaj, rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule ka pushuar nga puna pedagogun e shkencave politike Hysamedin Feraj. Ndonjërit mund t’i shkojë mendja se motivi është bazuar në cilësinë e mësimdhënies apo më gjerësisht te puna akademike e pedagogut. Ndonjë tjetri mund t’i arratiset imagjinata deri edhe në probleme etike që aq kollaj e tërheqin vëmendjen në raste akademike. Më vjen keq ta lë në baltë kureshtjen e skrupulozëve të dijes dhe ndjekësve të telenovelave. Motivacioni formal është i rëndomtë – sa i rëndomtë aq edhe i rëndë për pasojat që do të sjellë në jetën universitare: ikje pa leje nga puna për tetë ditë të ndara nga njëra-tjetra, ku dëmi financiar për pagën e marrë gjatë vitit në mungesë të paraqitjes nuk i kalon 20000 lekët. Po e imagjinoj se si i fërkojnë duart fanatikët e rend-disiplinë-përpikmërisë, që edhe punën akademike duan ta matin me oraret e trenave të Musolinit!

Për lexuesin që nuk e njeh punën e p. Ferajt mjafton të përmend pakçka. Bëhet fjalë për themeluesin e degës së shkencave politike në Shqipëri, i shquar për punë me rigorozitet shkencor të mezigjendshëm këtejpari, sidomos në studimin e nacionalizmit dhe ligjërimit politik shqiptar (shih:Skicë e mendimit politik shqiptar dhe E pafilozofuara) apo në epistemologjiken Hyrje në shkencat politike; për një pedagog me përvojë thuajse tridekadëshe, respekti i kolegëve dhe studentëve për të cilin nuk lë vend për dyshime. Madje për të mësipërmet deklarativisht nuk shfaqin rezerva as shkarkuesit e tij.

Sidoqoftë këto rreshta nuk kanë për qëllim t’i qajnë hallin p. Ferajt – të cilit s’i mungojnë as mprehtësia e penës, as njohuritë ligjore për ta marrë të drejtën e vet publikisht dhe institucionalisht. Shqetësuese mbarëpublikisht, e posaçërisht për jetën universitare, është precedenti që krijon një shkarkim i tillë. Së pari, në lidhje me motivacionin real, lexuesve të vëmendshëm nuk do t’i kenë shpëtuar kritikat (deri në akuza) të p. Ferajt ndaj rektorit të UT dhe dekanit të FSHS. Pa dashur të hyj në përmbajtjen e tyre – që do ta zgjaste dhe melodramatizonte shkrimin – duhet të nxitoj në përfundimin se kemi të bëjmë me një akt persekutues, të ndërmarrë nga funksionarë publikë të zgjedhur për të garantuar lirinë akademike dhe qytetare, të cilat në këtë rast i kanë shkelur demonstrativisht. Për paralelizëm, ky rast është edhe më problematik se ai i një qeverie të kritikuar për qindëshin, e që nuk pyet për to: i ngjan atij të një qeverie që në fund fare çon policët për t’i treguar vendin atyre që nuk i zë vendi. Pra po të mori koka erë dhe ngrite zërin kundër shefave, ata do ta “shofin” punën tënde, dhe për të të hequr qafe nuk do të mbështeten vetëm në gjurmimin policesk të sistemit TIMS, por mund të përdorin për motivacion edhe vonesën pesë minuta në klasë apo lëshimin e stërkalës jashtë pështymores së lejuar në trotuar. Ose së paku ky akt do të perceptohet si persekutiv përderisa rektori dhe dekani nuk do ta përgjithësojnë si praktikë, duke kontrolluar kafkiançe çdo vajtje-ardhje pa leje pedagogësh, e do të heqin prej pune gjithkënd që ka guxuar t’i bishtnojë rregullit burokratik të të paraqiturit në zyrë – për të matur me sy metrat katrore të mureve – pavarësisht të pasurit ose jo mësim apo aktivitet konkret shkencor. Mirëpo karakteristikë e sundimit nuk është rreptësia (edhe e marrë) e rregullave, por përjashtimi nga rregulli; ose, siç do të thoshin autorë prej Schmitt-it tek Agamben-i, karakteristikë e sovranitetit nuk është vetëm vendosja e rregullave, por përjashtimi nga rregulli i gjithkujt që i leverdis sovranit.

Precedenti i dytë shkatërrimtar për jetën universitare ka të bëjë me kriteret e vlerësimit të punës. Kush pyet më tani për cilësinë e kërkimit shkencor, universalitetin kritik të qasjeve studimore, cilësinë e mësimdhënies dhe pedagogjinë emancipuese në marrëdhënie me studentët?! Puna shkencore dhe pedagogjike e ka shumë të vështirë të matet me kritere sasiore. Madje edhe nëse disa syresh janë të pashmangshme – si zhvillimi i një numri të caktuar orësh mësimi, pjesëmarrja në një numër aktivitetesh shkencore dhe botimi i punimeve shkencore -, vetëm dorëzimi përpara marrëzisë burokratike do t’i çonte ato deri në gjurmimin e lëvizjeve fizike të pedagogëve. Këta të fundit mjet pune kanë mendjen, lëndë të parë librat, metodë qasjen shkencore dhe vend pune botën mbarë. E përparësi në vlerësimin e tyre ka cilësia studimore dhe pedagogjike e bërë publike për gjithkënd dhe e gjykueshme nga trupa e universitarëve.

Mirëpo në Universitetin e Tiranës këto punë janë të tjetërbotshme, dhe rasti në fjalë shërben si simptomë e një problemi shumëpërmasor. Kam shkruar gjetiu se universitetet publike – ndryshe nga diplomoret private ku edhe ligjërisht sundon pronarprincipi – karakterizohen nga logjika dhe praktika ndërshtytëse ku forcave sunduese burokratike i kundërvihen forca kritike me efekte emancipuese. Indinjimi minimal ndaj persekutimit të p. Ferajt më shtrëngon të pranoj se megjithëse marrëdhënia ndërshtytëse ekziston, kundërpesha ndaj burokratizimit dhe privatizimit faktik të jetës universitare është edhe më e dobët nga ç’mendoja. Afërmendsh kjo nuk duhet të shërbejë si moralizim i përciptë që kërkon të ndajë heronjtë romantikë nga masa kokulur që bën llogaritë e mbijetesës. Pyetjet që duhen shtruar është se pse jemi katandisur kështu – në fakirë socialë siç do të na quante Sebastiano Timpanaro, cilat janë strukturat pushtetore dhe shoqërore që i prodhojnë këto efekte dhe me ç’forca shoqërore duhet të kërkojmë bashkëpunim për ta rithemeluar universitetin si vatër mendimi kritik e hulumtimi shkencor të shkëputur nga kolonizimi i tregut dhe i shtetit. Një pjesë e përgjigjeve gjenden në faktin se forma e organizimit të jetës universitare publike respekton parimet e demokracisë përfaqësuese dhe drejtpeshimit pushtetor, ndërsa përmbajtja e saj është një përzierje interesash sektare që disiplinohen herë pas here nga kryeinteresi i drejtuesve. Këtë situatë e prodhon në instancë të fundit çorganizimi i trupës pedagogjike deri në atomizim ku mimetizimi është kushti kryesor i mbijetesës. “Secili për vete se zoti s’të fal as edhe një pjatë supe asistenciale!” është motoja e këtij gjallimi.

Pikërisht mbizotërimi i kësaj praktike ka krijuar terrenin e favorshëm për privatizimin konceptual dhe praktik që qeveria po ndërmerr në jetën universitare publike. Sillni ndër mend se sa të paktë kanë qenë pedagogët që i janë kundërvënë publikisht reformës qeveritare që do ta kthejë universitetin publik në qendër tregtare kualifikimesh profesionale, duke zhdukur çfarëdo dimensioni reflektimi kritik! Po e njëjta situatë problematike e ndihmon ideologjikisht qeverinë që në emër të emergjencës të shtyjë përpara shkatërrime edhe më të mëdha. (Një ndërtese gjysmë të rrënuar mund t’ia vësh fadromën më lehtë. Për analogji – të ekzagjeruar qëllimisht -, nazistët s’mund t’i fitonin zgjedhjet e 1933-shit pa krizën ekonomike të 1929 dhe përçarjen e të majtës gjermane, e në emër të ripërtëritjes radikale të shkatërronin botën dhe në fund fare edhe Gjermaninë.) Reforma në fjalë, përveçse do ta kthejë trupën pedagogjike në sintetizuese të mësimdhënies dhe marketingut për të nxjerrë kostot që qeveria ka zgjedhur të mos i mbulojë duke iu përgjigjur kërkesave të diplomoreve private për fonde shtetërore, do t’i shtojë autoritarizmit të shefave (mbi të cilët nuk do të jetë më trupa universitare, por një këshill administrativ me shumicë kryeshefash qeveritarë) despotizmin e kërkesave të tregut i cili nuk pyet as për larmi fushash studimi, as për kohëzgjatje reflektimi kritik e studime jashtëtregtare: “Performo tregtarisht, ose zhduku!” pritet të jetë motoja e dytë e gjallimit.

Ç’të bëjmë në këtë derexhe ku goditjet vijnë nga brenda e jashtë, nga burokratë e qeveritarë, nga lobistë privatë dhe propagandistë të tyre? Ta varësh shpresën te intelektuali me “I” të madhe është iluzion që buron nga ideologjia e shoqërisë civile dhe vetëkënaqësia e përrallave që intelektualët i tregojnë njëri-tjetrit për të fituar kapital moral. (Historikisht intelektualët kanë qenë në masë shërbyes të qendrave të forta politike dhe ekonomike, e shembujt e Sokratit, Brunos, Spinozës, Marksit e Zolasë janë shkëlqimet që fshehin meskinitetin e ushtrisë së profesionistëve oportunistë, madje edhe të figurave të mëdha kolaboracioniste si Heidegger-i që s’e kishte gjë të pajtonte Qenien dhe kohën me denoncimin e kolegëve përpara autoriteteve naziste.) Po përpara se të jetë tradhti e intelektualëve empirikë ndaj idesë së intelektualitetit, kjo situatë është efekt i privatizimit, copëzimit dhe atomizimit të jetës universitare. Sidoqoftë universitarët janë më të shumtë sesa trupa pedagogjike, dhe së paku në universitetet publike po rritet një lëvizje mbresëlënëse studentore Për Universitetin – që e ka vënë në vështirësi qeverinë në përpjekjet për privatizim të jetës universitare dhe ka thyer hegjemoninë e saj ligjërimore – dhe nga e cila duhet marrë mësim dhe jo të shitet mend. Organizimi është ndërmjetësi i pazhdukshëm i kalimit nga izolimi individual kah kolektiviteti i hapur. Po që ndërmjetësi të funksionojë ekziston nevoja e një gjesti traumatik të kapërcimit të frikës themeltare. Na duhet t’i japim një grusht të fortë vetes si personazhi i Fight Club-it përpara shefit, duke tronditur kësisoj rrjetëzimin pushtetor dhe koordinatat e nënshtrimit. Një grusht i mirë vetes është zanafilla e një procesi të gjatë emancipues, ku vetëm shfaqja e kolektivit universitar do të mjaftonte për t’i nxjerrë tigrat politiko-shoqërorë ashtu siç janë – prej letre.

http://opolitike.org/analiza/si-mundenm/

LETËR PA FIRMËTARË PËR UNIVERSITETIN

 
REDI MUÇI, Gazeta Shqip, 3 nentor 2014.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/03/leter-pa-firmetare-per-universitetin/
“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit që panë zaptimin e Universitetit Politeknik të Tiranës nga studentë që kundërshtonin Vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e tarifave të studimit dhe mënyrën arbitrare me fuqi prapavepruese të vendosjes së kriterit të mesatares për regjistrimin në ciklin e dytë të studimeve, një grup pedagogësh nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave ndërmorën nismën e hartimit të një letre të hapur drejtuar Kryeministrit Rama. Në të evidentohen problemet kronike të fakultetit dhe pamjaftueshmëria e reformës së propozuar për zgjidhjen e tyre. Fatkeqësisht, kjo letër nuk gjeti mbështetjen e shumicës së pedagogëve të FGJM, të cilët e pritën këtë përpjekje me proverba që vinin në dukje donkishotizmin e saj, çka solli edhe tkurrjen e numrit fillestar të firmëtarëve në vetëm një. Vendosa gjithsesi ta publikoj këtë letër, duke kujtuar shprehjen e filozofit gjerman, Fridrih Shelling, se “njeriu ka lindur jo vetëm për të spekuluar, por edhe për të vepruar”, i bindur se donkishotizmi do t’i sjellë kauzës studentore më shumë sesa proverbializmi.
***
Duke ndjekur me vëmendje debatin mbi reformën e propozuar për arsimin e lartë kemi arritur në përfundimin se qeveria që ju drejtoni, ashtu si paraardhësja, nuk ka përparësi zgjidhjen e problemeve themelore dhe akute të universiteteve publike, e aq më pak mbështetjen financiare të tyre. Që këndej kuptojmë se e ka zanafillën edhe shprehja e përdorur shpesh nga qeveria juaj, si për reformat në shëndetësi, financë e energjetikë, se edhe në arsim reforma ka për të qenë “e dhimbshme.” Por ne pyesim: E dhimbshme për kë? Për ne si staf akademik? Për studentët tanë? Për familjet e tyre? Me termin “reformë” z. Kryeministër, ne kuptojmë zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat universitarët (studentë e pedagogë) përballen përditë. Prandaj dhe hasim në kundërthënie kur na sugjerohet se zgjidhja e këtyre problemeve do jetë e dhimbshme. Dhimbja që propozoni nuk është ajo e mjekut ndaj të sëmurit, por e helmit që jepet si melhem.
Ne përditë vërejmë rrënimin e ngadaltë të infrastrukturës së fakultetit tonë. Punojmë në një godinë e cila është harruar edhe nga koha prej shumë kohësh. Ecim nëpër korridore të errëta, të akullt në dimër e asfiksues nga vapa në verë. Në ato pak hapësira që na janë akorduar për të zhvilluar procesin e mësimdhënies, përballemi me dyndjen nga fluksi i madh i studentëve krejt të çorientuar dhe të pavetëdijshëm për arsyen  se pse ndodhen atje.
Studentët shihen vetëm si burim të ardhurash për arkat e fakultetit. Për pasojë çdo vit pranohen një numër shumë më i madh syresh nga ç’lejon kapaciteti i ambienteve të mësimdhënies dhe të gjithë studentët që hyjnë në dyert e fakultetit dalin prej tyre me të paktën një diplomë Bachelor, pasi kriteri i “përzgjedhjes në bazë të punës” nuk aplikohet.
Ka mungesë totale mekanizmash të kontrollit të cilësisë së punës së pedagogut. Herë pas here ka pretendime nën zë nga studentë për nepotizëm, vlerësim të njëanshëm, hakmarrje e deri mitëmarrje nga pedagogët. Këto pretendime të tilla mbesin, pa zë.
Tarifat e studimit rriten vit pas viti, pa ndonjë arsye të vlefshme. Kushtet dhe cilësia përkeqësohen po vit pas viti. Rasti më i fundit është dyfishimi i tarifës së shlyerjes së provimeve për studentët përsëritës. Rrogat e pedagogëve janë të pakrahasueshme me kolegët tanë të rajonit.
Përballemi me studentë të tjetërsuar, të përçudnuar karakterialisht në qenie inferiore të cilat na luten t’u vendosim notë kaluese për shkak të vështirësive ekonomike në familje. Studentë të cilët eksperiencën e viteve në universitet e përjetojnë si vuajtje e sakrificë ekonomike, që detyrohen të punojnë nga 8 orë në call-centre që të paguajnë studimet. Çfarë pretendimi për cilësi mund të kemi vallë ne si pedagogë nga këta të mjerë?!
Prandaj zgjidhja e gjithë këtyre problemeve traumatike, me pasoja për gjenerata, nuk ka sesi të jetë e dhimbshme. Propozimet tuaja, megjithatë, në reformën që na serviret nuk i prekin thuajse fare këto probleme. Përkundrazi, shpikin probleme të paqena për të thënë se po japin zgjidhje. Ne si pedagogë, e aq më pak studentët tanë, nuk ndihemi aspak të përfaqësuar nga komisioni i hartimit të reformës. Qëndrimi i kolegëve të pranishëm në Komisionin e Reformës, të ardhur nga fakultetet e universiteteve publike, nuk është i yni; natyrshëm, pasi mendimi ynë nuk u kërkua dhe konsultua për asnjë moment, nëse nuk konsiderojmë të tilla mbledhjet ku na u kërkua t’i ndërrojmë ndonjë presje draftit të hartuar. Qëndrimet tona janë shpeshherë krejt të kundërta me ato që shprehen në reformë. Nga ana tjetër mendojmë se pjesëmarrja e pedagogëve nga universitetet private fitimprurëse në Komisionin e Reformës përbën shkelje të hapur të interesit të universiteteve publike si bartëse të interesit më të gjerë publik. Këto janë disa nga parimet të cilat shkelen nga reforma që ju (apo komisioni) propozoni:
Financimi i universiteteve kurrsesi nuk duhet të jetë barrë e studentëve. Ajo duhet të jetë barrë e shoqërisë, e taksapaguesve – pra e shtetit. Shteti duhet të rrisë buxhetin për arsimin e lartë dhe gjithashtu kontrollin e menaxhimit të tij. Në një shoqëri që kërkon të ndjekë vlerat më emancipuese europiane, s’ka sesi të mos përbëjë përparësi arsimimi i subjekteve të saj dhe as nuk mund të shitet si argument për këtë arka e zbrazët e shtetit. Edhe sikur shteti të shpallte falimentin, bastioni i fundit të cilit duhej t’i pritej financimi është sektori i arsimit.
Universitetet duhet të jenë vatra të zhvillimit të arsyes, aftësive profesionale dhe mendimit kritik. Prandaj në themel të tyre nuk mundet në asnjë mënyrë të qëndrojë konkurrenca mes studentësh, pedagogësh, departamentesh etj., por bashkëpunimi, ndihma reciproke, vendimmarrja demokratike me bazë të gjerë, kontrolli profesional dhe transparent i cilësisë.
Zëri i studentit duhet të jetë faktor kushtetimor për mbarëvajtjen e proceseve brenda fakultetit dhe roli i tyre në vendimmarrje është e vetmja mënyrë për të siguruar transparencën dhe shmangien e abuzimeve si në marrëdhënie me pedagogët, ashtu edhe në strukturat drejtuese të universitetit. Nevojitet rikonceptim rrënjësor i Këshillave Studentorë dhe shtrirje më e gjerë e tyre në jetën universitare, në nxitjen e iniciativave dhe aktiviteteve kulturore e edukative brenda fakulteteve.
Universiteti nuk ka për detyrë parësore të zgjidhë problemet e tregut, kjo është detyra e shtetit. Nuk i përket universitetit roli i pararojës në zgjidhjen e problemit të papunësisë duke u kthyer në fabrikë prodhimi për tregun kaotik që ekziston në Shqipëri. Ndryshe nga ç’propozon reforma, nuk është universiteti ai që duhet të orientohet sipas kërkesave të tregut, i cili siç duket kudo në botë u nënshtrohet kapriçiove të bursave. Universitetit i takon të rimendojë kritikisht bazat e organizimit politiko-shoqëror e në bazë të tyre të sugjerojë politika zhvillimore të reja, të cilat vetëm në një moment të dytë mund të kenë efekte në sferën e punësimit. Është shteti ai i cili duhet t’u hapë dyert profesionistëve të rinj që dalin nga sallat e universitetit duke kushtëzuar punësimin e studentëve të shkëlqyer në kompanitë e huaja investitore apo koncesionare, pasi aktualisht këto kompani shfrytëzojnë thuajse të gjitha burimet energjetike e minerare të vendit.
Këto parime ne i vlerësojmë si shtyllat mbi të cilat duhet të mbështetet reforma e domosdoshme në arsimin e lartë. Një reformë gjithëpërfshirëse e ideuar dhe konceptuar mbi vullnetin e lirë të subjekteve që e përbëjnë universitetin – studentëve dhe pedagogëve. Reformë e cila do të ridimensionojë radikalisht strukturat dhe dinamikat brenda universitetit drejt cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, bazuar mbi parimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe meritokracisë. Por kjo kurrsesi nuk mund të ndodhë me braktisjen dhe heqjen dorë nga përgjegjësia nga ana e shtetit, duke ia lënë në dorë mbijetesën financiare të universiteteve publike tendencave të tregut. Kjo nuk mund të ndodhë as me buxhetin aktual që shteti u akordon universiteteve publike, e aq më pak me ndarjen e këtij buxheti me universitetet private (të kthyera formalisht në jofitimprurëse). Padyshim se ne e quajmë hap të domosdoshëm akreditimin dhe rankimin e fakulteteve, por kur ju (reforma) thoni se nga kjo do varen financimet që do vijnë nga shteti dhe se kjo procedurë do bazohet mbi kushtet aktuale të ambienteve universitare – të lëna pas dore prej dekadash – atëherë gara duket e pandershme që në nisje. Për më tepër, në vend se të nxitet ndjekja e ciklit të dytë të studimeve (Master) duhet të rishikohet në mënyrë kritike vlera e diplomës Bachelor në tregun e punës, si dhe aplikueshmëria e sistemit të Bolonjës.
Meqenëse reforma e propozuar mban mbi krye aureolën e termit “anglosaksone”, na lejoni t’ju kujtojmë se edhe Skocia është vend anglosakson, i cili ofron arsim publik falas për të gjithë skocezët. Këtë gjë e bën edhe Gjermania, Finlanda, Norvegjia etj. Në kushtet alarmante të analfabetizmit funksional në të cilat ndodhet vendi ynë, besojmë se arsimi i lartë duhet të jetë e drejtë e të gjithëve, jo vetëm e atyre që kanë mundësi ta blejnë dijen. Nëse universiteti i nënshtrohet tregut, atëherë dija kthehet në mall. Shqiptarët nuk e kanë luksin të kthehen në konsumatorë të dijes.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/03/leter-pa-firmetare-per-universitetin/

















Diagnostikimi në arsimin parauniversitar




Në një koment mbi arsimin parauniversitar, eksponentë të Partisë Socialiste vërejtën se qeveria e mëparshme kishte dështuar në politikat e saj të arsimit. Por një analizë krahasimore ndër vite dhe në shumë nivele (multilevel analysis) tregon tjetër histori. 

Së pari, sikur edhe në literaturë, është e vështirë që këto ti atribuohen politikave institucionale të ndjekura nga qeveria vendore dhe qendrore, apo mënyrës së qeverisjes së shkollës (klima kulturore e shkollës). Së dyti, përbërja e shkollës, mjedisi që krijohet nga statusi social dhe etika e punës së studenteve janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë mbi rezultatet e nxënësve. Së treti, është e vështirë të matet se çfarë ndodh në klasë me një mësues të papërgatitur ose shumë të përgatitur. Nëse qeveria mendon se shkaku janë mësuesit jashtë profilit, duhet ta mbështesë këtë jo thjeshtë me të dhënat e mësuesve, por në rezultatet e tyre me nxënësit. 

P.sh. PISA 2012 dëshmoi progres të Shqipërisë në lexim dhe matematikë. Por ndryshimet pozitive mund të kenë ndodhur për shumë arsye dhe nivele (stabilizimi politik e makro-ekonomik; ose si rezultat i ndërhyrjeve të qeverisë Berisha: rritja e konsiderueshme e pagës së mësuesve në 2006, vendosja e provimit të maturës ose ndryshime në kurrikul). Meqë është e vështirë të izolohet ndikimi i secilit prej këtyre faktorëve, atëherë mendohet se është kombinimi i tyre. 

Në PISA 2000 rreth 43% e dallimeve ndërmjet vendeve shpjegoheshin nëpërmjet ndryshimeve në Prodhimit të Brendshëm Bruto për banor.  Në 2000 nxënësit shqiptarë të klasave 9 deri në 11-të kishin rezultate skandaloze në lexim. Rreth 20% ishin nën nivelin e parë, 23-27% në nivelin e parë, 20% në nivelin e dytë, 8% në nivelin e tretë dhe 1% në nivelin e katërt, asnjë në nivelin e pestë. Për krahasim Maqedonia kishte 35% nën nivelin e parë dhe 2% në nivelin e katërt; Bullgaria 18% nën nivelin e parë dhe 9% e 2% në nivelin katërt dhe të pestë.

Efekti i shkollës për Shqipërinë ishte rreth 28%, që shpjegonte variancën ndërmjet rezultateve të nxënësve. Dallimet ndërmjet shkollave janë pra të konsiderueshme. PISA 2000 tregonte se shkolla kishte dështuar në edukimin e meshkujve. Femrat në vitin 2000 kishin rezultate që varionin edhe mbi një vit shkollimi më shumë se meshkujt. Në PISA 2000 femrat ja u kalonin meshkujve në lexim, matematikë dhe shkencë.  Shkollat publike ishin faktor negativ në rezultatet e leximit (-123 pikë) dhe në matematikë (-120 pikë).
Ndryshime të konsiderueshme pozitive rezultuan në PISA 2012, me një ndryshim vjetor prej 5.6 pikësh në vit për matematikën dhe 4.1 për leximin. Në 2012 femrat janë sërish në pararojë, por distancat janë reduktuar ndjeshëm. Gjinia, në favor të femrave, është ende një faktor sinjifikant statistikisht (në matematikë: 13 pikë në vitin 2000 dhe 0.32 në 2012). Por dallimet ndërmjet shkollave janë shumë të vogla (icc= 0.05) dhe shkollat private nuk kanë dallime sinjifikante me ato private. Karakteristikat e studentëve, si pasuria, etika e punës me matematikën, zotërimet personale etj. nuk figurojnë statistikisht sinjifikante. 

Për provimin e maturës 2010 (n= 36,186), mesatarja në matematikë ishte afërsisht 5.8, duke marrë parasysh dallimet ndërmjet tre niveleve (qytet, shkollë, individ). Dallimet nga shkolla në shkollë ishin më të vogla se ato brenda shkollës. Rrethi shpjegonte rreth 20% të variancës, ndërsa shkolla rreth 18%. Kjo do të thotë se dallimet e rezultateve të maturës janë të konsiderueshme ndër qytetet dhe shkollat brenda rretheve. Dallimet e mesatareve të letërsisë dhe matematikës në maturën 2010 për shkollat publike dhe private ishin sinjifikante, plus një notë për privatet. Në provimin e maturës të vitit 2014 (n=42,397), nota mesatare e matematikës ishte 5.02. Dallimet ndërmjet qyteteve shpjegojnë rreth 10% të variancës, ndërsa shkolla rreth 28%. Pra diferencat ndërmjet qyteteve dhe shkollave shpjegojnë një pjesë të mirë të dallimeve në rezultatet e nxënësve. Kështu që për studiuesit ja vlen të shihen përveç politikave të shkollës, edhe faktorët socialë dhe ekonomikë në nivelin e qytetit dhe të shkollës. 

Një vëzhgim shpenzimeve për frymë në nivelin e bashkive kryesore, të dhëna paraqitur rrëmujshëm në dokumentin e qeverisë për strategjinë e reformës administrative 2014 (aneksi i gjendjes financiare) nuk lejon analize te hollesishme. Vendosur në një model statistikor për të parë pjesën e variancës që shpjegojnë diferencat në shpenzime mbi  rezultatet e maturës të vitit 2014 në nivel bashkie nuk solli gje. Model shumë i thjeshtë se nuk llogarit dallimet ndërmjet fshatit dhe qytetit. Në shumë komuna shpenzimet për frymë ishin 50% më pak se ato në nivel qarku. Përqindjet në raport me shpenzimet për frymë në shkallë vendi nuk korrespondonin gjithmonë me shifrat absolute. 

Në gazeta qeveria i shpjegoi rezultatet e dobëta të vitit 2014 me rigorozitetin e organizimit të provimit. Nga krahasimi ndërmjet qyteteve figuron që pretendimi të jetë i vërtetë. Qytete si Gjirokastra, Peqini dhe Përmeti kanë diferenca të mëdha nga 2013 në 2014 në provimin e matematikës. Ndërsa Tirana ka afërsisht të njëjtën mesatare për 2010 (6.16), 2013 (6.57) dhe 2014 (6.53), me një rritje të vogël prej 2010, statistikisht sinjifikante. Me studimin e PISA 2012 mund të evidentohen rezultate pozitive, por me  provimet standarde të maturës është e vështirë të perceptohet ndonjë ndryshim thelbësor që mund ti atribuohet bindshëm ndërhyrjeve të qeverisë. Ndryshimet më së shumti nxjerrin në pah problemet me organinizimin e provimeve standarde në Shqipëri.
Në Shqipëri ende nuk ka vlerësime statistikore të besueshmërisë e vlefshmërisë (reliabilitetit dhe validitetit) të provimit të shtetit, maturës shtetërore dhe provimeve të lirimit në shkollat 9-vjeçare. Megjithatë, të gjitha këto provime janë faktorë për ecurinë apo demotivimin e karrierave profesionale të brezave të ardhshëm. Ato ndikojnë politikat e qeverisë, kuadrin rregullator të ushtrimit të profesioneve, kurrikulat etj. 

Të dhënat aktuale lejojnë një vështrim të përgjithshëm mbi ndikimin e politikave vendore dhe mjedisit shkollor mbi rezultatet e nxënësve, por ne ende nuk dimë se çfarë ndodh në klasë. Të dhënat në nivel klase mungojnë tërësisht, p.sh. lidhja e rezultateve të provimit të kualifikimit të mësuesve me rezultatet e nxënësve në provimin e lirimit apo maturës. Kryesisht kjo vjen për shkak të mungesës së transparencës që i ka karakterizuar qeveritë e radhës në lidhje me këto provime, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së kureshtjes të hulumtuesve në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.