Showing posts with label QSA. Show all posts
Showing posts with label QSA. Show all posts

Saturday, April 16, 2016

Ku eshte QSA - L. Boci

Panorama,

http://www.panorama.com.al/ku-eshte-qsa/
luciano-bociLUÇIANO BOÇI
Bëhet fjalë për Qendrën e Studimeve Albanologjike, institucioni kërkimorshkencor ndëruniversitar unik në hapësirën mbarëshqiptare, e mbarsur me një histori suksesi, me gjithë kohën e shkurtër të krijimit të saj më 2008.
E gjitha falë stafit elitar dhe drejtimit profesionist. Ajo realizon jo thjesht kërkim shkencor në fushat e historisë, antropologjisë, arkeologjisë, gjuhësisë dhe të letërsisë, por dhe merret në shumë plane me çështjet e fushat që lidhen drejtpërdrejt me identitetin shqiptar.
Për pasojë jo vetëm puna e prekshme e bërë nga ky institucion ka vlerë të papërsëritshme, por dhe cilësia e punimeve të nivelit master e doktor të dala prej saj reflektojnë nivel shkencor të kënaqshëm.
Titujt e bibliotekës së saj, si dhe materialet arkivore që ajo disponon janë të një rëndësie të veçantë. Po çfarë po ndodh me këtë institucion kaq të rëndësishëm, në situatën e re të krijuar, ku të paktën mund të themi, pa pretenduar që posedojmë të vërtetën, se realizohet shkencë? Shkencë që reflekton në një hapësirë përtej Shqipërisë?!!! Çfarë bëhet me kërkimin shkencor në përgjithësi?!!
Tollovia e zgjedhjeve ka mbërthyer këto ditë Universitetet publike, të cilat nuk do të jenë më të tilla pas dy vitesh, siç e përcakton dhe ligji i ri AL, pas daljes së një rregulloreje kinse për të katapultuar në drejtime njerëz politikë afër kësaj maxhorance. Përpos kësaj “Qeveria”, në qoftë se ende mund të quhet e tillë, ka hapur një tjetër front lufte, të cilin e ka avancuar dhe me këtë rregullore.
Pasi dështoi arsimin e lartë, me një ligj e vendime rokamboleske me doza të larta papërgjegjshmërie, ajo po proçeson me shpejtësi funeralin e asaj pak shkence që ende ka mbetur në këmbë pas këtyre tre viteve.
Nuk dua ta besoj që kjo është refleksion i kompleksit personal të atyre që sot na drejtojnë dhe që nuk e kanë haberin e bërjes së një studimi të mirëfilltë shkencor. Megjithatë, nuk më shqitet nga mendja ngazëllimi i Ramës në foltoren e Parlamentit tek tallej e përqeshte, si ai njeriu “që i ka ardhur dita”, çdo temë albanologjie që ia kishin raportuar rishtarët e vet.
Ndoshta atë ditë ka qenë më “i pafajshëm” se kurrë, për të mos thënë i paditur, pasi nuk mund të harxhojmë këtu frymë, duke i argumentuar që “Veshjet popullore të zonës së Lunxhërisë” kanë vlerë shkencore dhe qëndron si temë. Që “Muzikaliteti i Eposit të kreshnikëve” apo tema të ngjashme me këto, bëjnë sens dhe konsiderohen kërkime. Më shumë më duket një gërshetim i paaftësisë, mungesës së vizionit e ideve, të përzier me një lloj përçmimi të pakthyeshëm të përfaqësuesve pikantë të politikëbërjes arsimore-shkencore.
Jo rastësisht sot pothuaj të gjitha institucionet kërkimore-shkencore janë rrudhur, lëvizur ose eliminuar. Në artikulimet e deritanishme të kilometrave fjalë boshe të Kryeministrit, ku më shumë ka batuta me “pjeshka” e “gomerë”, nuk gjej asgjëkund preokupacion për kërkimin shkencor. Goditjen e parë e mori QSA.
Ajo nuk u konsiderua aspak në Ligjin e arsimit të lartë si qendër ndëruniversitare. Kërkohet të degjenerohet në një departament të thjeshtë. Me gjithë insistencën tonë dhe ndonjë kolegu të maxhorancës, nuk u pranua nga përfaqësuesit e qeverisë që ajo të kishte status të veçantë. Pretendimi i atëhershëm ishte parashikimi i rregullimit të QSA-së, brenda një ligji për shkencën, i cili ende nuk po duket në horizont.
Ndërkohë, në mënyrë krejtësisht arbitrare, asaj, me një VKM absurde, pa pyetur fare të zotët e shtëpisë, i kafshohet një pjesë e madhe e godinës dhe i kalohet një prej ministrive të shumta të qeverisë, asokohe të re ende. Drejtuesit e saj kërkuan disa herë institucionalisht zgjidhjen, por nuk morën asnjëherë përgjigje qoftë dhe për një pritje zyrtare nga zyrtarët kolltukrëndë që drejtojnë Ministrinë e Qeverinë.
Me status të paqartë dhe me një financim pjesor të dhënë me shpinën e dorës, QSA vazhdoi për disa kohë aktivitetin e saj në një klimë armiqësie të instaluar arbitrarisht. Qeveria nuk u mjaftua me kaq. Tentoi pas kësaj zhbërjen e AKTI-t (Agjencia e kërkimit, teknologjisë e Inovacionit), duke e transferuar me VKM, nga varësia ndërinstitucionale, pranë Kryeministrisë drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe duke shkurtuar personelin.
Për ta inkuadruar në mënyrë absurde brenda AKKSH (Agjencisë Kombëtare e Kërkimit Shkencor), e cila me gjithë parashikimin në ligjin e ri, ende nuk ka një formatim e funksion të plotë. Më pas e riktheu siç e përzuri, brenda një loje pa kuptim e pa logjikë, por tani duke e lënë pa fonde dhe pa personel të mjaftueshëm. Në këto kushte asnjë qeveritar sot nuk mund të japë përgjigje se çfarë po ndodh me financimin e mbështetjen për kërkimin shkencor.
Dështimi është më se spektakolar. Ai vazhdon, përpos shkatërrimit, të trajtohet me forma përqeshjeje nga më të papranueshmet, si pjesë e fobisë Kryeministrore. Në këtë kontekst, pa pritur e pa kujtuar, rregullorja e zgjedhjeve në Universitete arrin një ditë të bukur dhe pranë personelit të QSA. U duk sikur kalvari i tyre kishte marrë fund dhe kjo qendër e rëndësishme do të trajtohej siç e meritonte në fakt, si qendër ndëruniversitare, me hierarki akademike që realizon zgjedhjet në rend të barabartë me universitetet publike.
Personeli seriozisht punoi mbi draftin dhe zyrtarisht shprehu qëndrimin e tij për rregulloren duke ia nisur me shumë dëshirë ministrisë. Megjithatë, pas draftit, rregullorja që sanksiononte dhe hapjen e procesit zgjedhor në QSA, nuk mbërriti kurrë dhe sot profesorët, kërkuesit shkencorë të saj, kanë mbetur të pagojë. Dikush nga ministria e famshme, siç duket u kujtua se kishin bërë “lapsus” me dërgimin e projekt-rregullores politike, nga ato që këto tre vite janë bërë normë në këtë ministri.
Ligji i ri e shkrinte QSA dhe e transformonte krejtësisht me pa të drejtë, ose në nivel fakulteti, që do të ishte një zgjidhje oportune, ose në nivel departamenti, që do të ishte një zgjidhje mjerane. Kjo të paktën duket se qëndron pas rreshtave të shkruar në LAL, sepse realisht QSAja sot nuk dihet se çfarë është. Me ligjin e dikurshëm duhej të ishte qendër kërkimoreshkencore në nivel ndëruniversitar.
Me të riun duhej të ishte bërë ose qendër pranë Akademisë, ose qendër në nivel Fakulteti pranë UT, ose departament pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë. Ndërsa sot nuk është as qendër, as njësi universitare, nuk ka as status, as financa dhe pritet të mos ketë as godinë, as bibliotekën e famshme e as arkivën e vyer.
Trupa akademike që ka investuar vite djersë e mund po pret që dikushi “të vërë dorën në zemër”, megjithëse e dinë shumë mirë që ky kryeministër “një vërë në ujë” ka për të bërë për ta, për QSA dhe për kërkimin shkencor. Rama nuk e sheh alarmin e ndezur, sepse për të “shkencëtarët e vërtetë” janë ata që ka thirrur në parlament për të blerë e marrë vota me dhunë. Ky është mjerisht vizioni i tij për kërkimin shkencor.
http://www.panorama.com.al/ku-eshte-qsa/