Showing posts with label Diskutime. Show all posts
Showing posts with label Diskutime. Show all posts

Wednesday, February 18, 2015

B. Gjongecaj: Universiteti si djep dhe si varr i demokracise

Gazeta Tema, 18 Shkurt, 2015

Besnik Gjongecaj, Universiteti Bujqesor i Tiranes

Pavarësisht nga natyra apo modeli i analizës që aplikon për të “shkuar” te substanca e një universiteti shqiptar, pra, pavarësisht premisave, koncesioneve, përafrimeve, madje, pavarësisht edhe ndonjë frymëzimi politik apo ideollogjik të vetë analizës, është e pamundur që në fund të saj të mos arrish në përfundimin se universiteti shqiptar, në krahasim me kohën kur demokracia u nda me diktaturën, jo vetëm që nuk e ka ruajtur, por, përkundrazi, e ka humbur potencialin demokratik të tij. Është një vërtetë e madhe po aq sa edhe tragjike e Shqipërisë pas diktatoriale. Këtij përfundimi i shtohet edhe mergulla që dendësohet rreth tij. Njerëzit e thjeshtë, madje vetë universitarët, përpiqen pa pikën e suksesit të përcaktojnë se çfarë realisht nuk shkon në arsimin e lartë të këtij vendi. Janë diplomat e pamerituara, është korrupsioni, mungesa e kërkimit shkencor, pranimet pa konkurs, masivizimi, nepotizmi, defektet strukturore, administrimi; çfarë pra nuk shkon në universitetet publike të këtij vendi?! Sejcila prej tyre është shkak, janë disa, apo të gjitha bashkë? Kush pra, është ai, bash-shkaku i prapambetjes tragjike të universiteteve shqiptare? Në pamundësi të ndërtimit të një arsyetimi solid për një sistem universitar të zhytur në kaos dhe të kërrusur nga një numër i madh të panjohurash, është e mënçur të ndjekësh parimin “të mendosh pa krahasuar është e pamendueshme”. Nëse është e pamundur që Shqipëria të krahasohet me një vend tjetër, dhe kjo është pothuajse gjithmonë e vërtetë, atëhere mund të krahasohet me një periudhe historike të ndonjë vendi apo të një grupi vendesh. Nuk do të bënim ndonjë gabim sinjifikativ nëse do të krahasonim gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri me gjendjen universiteteve evropiane në vitet 60, gjithmonë nga pikpamja institucionale dhe e politikës arsimore. Që të shmangnin një çrregullim shoqëror, (ky ishte edhe objektiv i vendimmarrësve të asaj kohe, çka është konsideruar edhe një objektiv për Shqipërinë gjatë këtyre viteve), vendimmarrësit krijuan një legjislacion mjaft të detajuar, pra një strategji mjaft “ndërhyrëse” të qeverisë te universitetet, por edhe brënda tyre, gjë që e kufizoi ekstremisht autonominë universitare. Ishin vitet kur mendohej që popujt evropianë ende nuk ishin pergatitur për një demokraci reale, ashtu sikundër ndodh ekzaktesisht në Shqipërinë e sotme. Dy dekada më vonë, idetë politike ndryshuan rrënjësisht. Filloi të mbizotërojë koncepti që fuqia vendimmarrëse duhet vendosur brënda universiteteve, çka do t’i bënte ato autonome. Kështu do të plotësoheshin dy kërkesa universale: universitetet do të bëheshim thellësisht legjitime, por edhe efektive. Sistemi universitar publik i Shqipërisë është ekzaktesisht në këtë pikë. Në pikën në të cilën Evropa ka qenë para, sëpaku, dyzet apo pesëdhjetë vitesh. T’i japim apo jo fuqi vendimmarrëse universiteteve!? Nën peshën e kësaj dileme ka kaluar pothuajse një çerek shekulli kohë pasdiktatoriale, aq sa mund të numërosh edhe brinjët në kurrizin e kërrusur të universiteteve tona. Në kuptimin e pafuqisë së tyre. Të rrënimit që nuk ndalet.

 

Evropa e sotme ka kohë që e ka përcaktuar modelin e një universiteti. Në thelbin e tij ai nuk është gjë tjetër vetëm se një kombinim i kontributeve që kombet e Evropës kanë dhënë historikisht në ndërtimin e universiteteve brenda vendit të tyre. Ky model është katërdimensional: një universitet që ekziston nëpërmjet një autonomie institucionale – tradita Humboldtiane (liria akademike e kombinuar me autonominë administrative, strukturore dhe financiare); ku mësohet nëpërmjet kërkimit shkencor – tradita Humboldtiane, (unifikimi i mësimit me kerkimin shkencor); me një kulturë dhe praktikë hibride – orientimi drejt shoqërisë dhe tregut ose tradita amerikane (universiteti është përgjegjës për perspektivën e sektorit publik dhe merr pjesë në zgjidhjen e problemve të tij, sepse paguhet nga qeveria, por nga ana tjetër, ai është gjithashtu subjekt i forcave të tregut); dhe i aftë të zhvillojë personalitetin e studentit duke e përgatitur atë për demokraci – tradita Newman, apo tradita angleze. Aplikimi i këtij modeli ka prodhuar, përveç shumë të tjerash, një status të veçantë të universitetit në shoqëri. Ka kohë që, prandaj, në botën demokratike universiteti është shndrruar në terrenin ku seleksionohet dhe rafinerohet liria e shprehjes, liria e mendimit, e ndërgjegjes. Për këtë, por dhe për arsye historike, universiteti është vendi sublim i lindjes dhe zbatimit të këtyre parimeve me vlerë universale. Në një pikpamje, universiteti është shndrruar në bërthamën e demokracisë së një vendi, me densitetin më të lartë të vlerave të saj. Si në Big Bang-un e famshëm, i cili shpjegon formimin e universit përmes zgjerimit (shpërthimit) të materies fillestare superdense, universiteti, si vendi me densitetin më të lartë të vlerave të demokracisë në shoqëri, nuk bën gjë tjetër veçse i emeton ato duke përcaktuar edhe madhësinë e demokracisë së një vendi, kufijtë e saj, cilësinë brenda tyre. Ashtu si zgjerimi i materies pas Big Bang krijoi universin, po ashtu edhe emetimi i vlerave universitare krijon vetë universin e demokracisë së një vendi.

Shqipëria, ku është? Universiteti publik i këtij vendi, ku është? Ç’model ndjek ai? Ç’raport ka një universitet publik shqiptar me demokracinë, shoqërinë shqiptare në përgjithsi? Edhe një jo universitar mund t’i përgjigjet këtyre pyetjeve, në kuptimin që nuk do ndonjë informacion të specializuar për të thënë që universitetet e këtij vendi, tragjikisht, janë shumë larg modelit evropian të një universiteti. Akoma më shumë. Ngaqë koha rrjedh më ngadalë në këtë vend gjysëm demokratik e gjysëm perandorak, distanca vjen e bëhet më e madhe me kalimin e kohës, diferencat edhe më të mëdha. Asnjë dimension i modelit evropian nuk është i shprehur në universitetet e këtij vendi. Universiteti është organizuar pa aplikuar asnjë nga parimet që do t’i siguronin autonominë institucionale; mësimi është absolutisht i pamundur të zhvillohet përmes kërkimit shkencor; universiteti nuk del në shoqëri për të zgjidhur problemet e saj, përkundrazi; dhe së fundi, studentët jo vetëm që nuk përgatiten për demokraci, por e kundërta është e vërtetë: ata edukohen se si të mbijetojnë në një vend ku demokracia mungon. Distanca gjithmonë në rritje me modelin evropian e ka bërë të pamundur statusin e universiteteve si pole të demokracisë së këtij vendi. Universitetet, madje, kanë rënë nën nivelin e shoqërisë shqiptare, çka është një nga gjërat më të rralla që mund të ketë ndodhur në historinë universitare të vendeve demokratike dhe jo demokratike. Universitetet shqiptare nuk emetojnë më vlera në shoqëri, përkundrazi, thithin prej saj çfarë mund të thithet në një proces gati gati fizik, rastësor, të pakontrollueshëm. Nëpërmjet një fluksi të lirë, në universitetet shqiptare futen nga jashtë dhe bëhen pjesë e natyrshme e ekzistencës së tyre korrupsioni, klientelizmi, sundimi i të paaftëve, votimi sipas kritereve nepotike, trafiku i rezultateve, botimeve shkencore, pedagogjia e rreme, inkompetenca, mungesa alarmante e karakterit…Gjithçka universitare vihet nën pushtetin e antivlerave. Kanë kohë që vlerat vdesin një nga një, pashmangshmërisht dhe bashkë me to, shuhen po kështu, një nga një, edhe mjetet që do të mund të ringrinin universitetet e rëna të këtij vendi. Aq sa, edhe kur flitet për zbatimin e një standardi evropian, psh votimi universitar, ai nuk prodhon rezultatin për të cilin është projektuar, pra, nuk nxjerr në krye të universitetit “njerëzit që nuk janë vetëm një zgjedhje e përbashkët, por përfaqësojnë personalitetin, shpresat dhe shqetësimet e çdo universitari”, por përkundrazi, njerëzit që do të vazhdojnë të mbajnë në punë kushërinjtë, të paaftët, të korruptuarit si bashkëpuntorë. Gradualisht, vetë shoqëria shqiptare, prandaj, ka rënë në kurthin e mungesës së modelit. Universitetet nuk janë aty, përkundrazi. Duke emetuar antivlerat po i tregojnë shoqërisë ekzaktësisht rrugën përmes së cilës shkohet drejt greminës.

Qeveria shqiptare ka bërë dy përpjekje për të ndikuar te universitetet e këtij vendi. E para, ngarkoi një grup ekspertësh për përgatitjen e Reformës së sistemit; dhe e dyta, përgatiti Projektligjin e arsimit të lartë, i cili ende nuk ka kaluar në qeveri. Në thelb, meqënëse Projektligji origjinon ekzaktësisht nga dokumenti i Reformës, të dy dokumentet mund të quhen edhe si një përpjekje e vetme e qeverisë për të ndikuar te universitetet. Autori i këtij shkrimi e ka shprehur publikisht qëndrimin e tij ndaj dokumentit të Reformës (Gazeta Shqiptare, dt 6 Maj 2014), prandaj, ai s’ka se si të jetë ndryshe veçse një qëndrim i vlefshëm edhe për Projektligjin. Në kontekstin e këtij shkrimi do të konsiderohet vetëm Projektligji, dhe vetëm në pikpamjen nëse mund të shërbejë, sadopak, si një mjet ligjor për nxjerrjen e universiteteve nga prapambetja e frikshme ku janë zhytur. Nëpërmjet Projektligjit qeveria shprehet se do t’i nxjerrë universitetet nga prapambetja e thellë vetëm duke marrë pjesë në qeverisjen e tyre. Këtë mund ta realizojë përmes Bordit Administrativ, i cili, meqënëse ka një probabilitet të lartë të drejtohet nga qeveria dhe meqënëse ka si detyrë ligjore “përmbushjen e misionit të universitetit”, mbetet të jetë, në thelbin e vet, formë e qeverisjes së universitetit jo nga universitarët, por nga qeveria (për hollësi shih Gazeta Shqiptare, dt 6 Maj 2014). A mund të ndodhë kështu, pra, a mund të ndodhë që qeveria, politika në thelb, t’i shpëtojë universitetet në përgjithsi dhe ato shqiptare në veçanti? Jo, sigurisht. E gjitha kjo është në kundërshtim me procesin historik evropian. Pas krizës së viteve 60, Evropa i nxori universitetet nga tronditja e thellë jo duke i qeverisur ato, por duke bërë të kundërtën: duke i lënë të vetëqeverisen përmes një autonomie të gjerë ligjore. Kështu i shpëtoi universitetet Evropa. Pak a shumë kështu shpëtohen universitetet në një vend demokratik. Kështu duhet të veprojë edhe qeveria me universitetet e këtij vendi. Sigurisht, përmes një procesi shumë delikat adoptimi. Që sigurisht nuk mund të çojë, si i tillë, në një nga çudirat më të mëdha që kam dëgjuar ndonjëherë dhe që nuk do të mund ta lija jasht këtij shkrimi. Potencialisht, sipas Projektligjit, edhe një individ me nivelin “master” mund ta drejtojë Bordin Administrativ të një universiteti. Pra, në prani të dhjetra profesorëve, “përgjegjësinë për përmbushjen e misionit të universitetit” mund ta marrë edhe një individ me kualifikimin “master”! Dhe ku, në Shqipëri!? Gjë që jo vetëm nuk është e llogjikshme, jo vetëm që nuk është etike, por mbi të gjitha është edhe e frikshme, aq më shumë kur të shkon mendja te ajo se si janë dhënë diplomat “master” nga universitetet e këtij vendi!

Pasi mbaron së numruari të gjitha problemet e një universiteti publik shqiptar (në një analizë serioze universitetet private të një vendi si Shqipëria janë vetëm një hollësi e parëndësishme, por mjaftueshmërisht virulente) nuk ka se si të mos arrish në përfundimin që bash-problemi i universiteteve shqiptare është niveli i ulët i potencialit demokratik. Ato rezultojnë, pas një çerek shekulli ndarje me diktaturën, të zbrazur prej demokracisë dhe vlerave që mbart ajo. Madje më të zbrazëta edhe se vetë shoqëria shqiptare, gjë që e bën jashtzakonisht tragjik statusin e tyre. Aq sa universitetet e sotme nuk janë të krahasueshëm as me universitetet në prag të ndryshimeve të viteve 90. Në kuptimin relativ të gjërave, universitetet e asaj kohe, në raport me shoqërinë, ishin shumë më të përparuara se ato të sotmet, sepse ishin të afta të shndrroheshin në pole demokracie ashtu sikundër u shndërruan dhe ta udhëhiqnin atë, shoqërinë shqiptare, drejt ndryshimeve të mëdha. Sot ndodh e kundërta. Të vendosur nën nivelin e shoqërisë, universitetet shqiptare janë bërë pengesë për zhvillimin e saj. Frikshëm, sepse në vend të mesazhit të lirisë po japin mesazhin e skllavërimit. Sepse nga djep i demokracisë po shndërrohen në varrin e saj.

Sunday, February 8, 2015

Mbi pranimet - diskutim mbi projekt-ligjin

 
Arjan Shahini
8 Janar, 2014

Një pjesë e kritikës ndaj projekt-ligjit të arsimit të lartë merret kryesisht me pranimet në universitete. Disa eksponentë të shquar të Universitetit të Tiranës si Shezai Rrokaj, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, mendojnë se pranimet duhet të jetë kompetencë e universitetit, pasi studentët vijnë me mangësi të theksuara nëpërmjet sistemit të përqendruar të shpërndarjes [shih diskutimin].

Problemi me këtë qëndrim është mungesa e logjikës dhe e argumentit empirik, sepse:

1. mekanizmi i shpërndarjes së studentëve nuk ndryshon cilësinë e tyre;
2. Universitetet kanë dëshmuar se nuk i administrojnë më mirë;
3. Pranimet janë pjesë e politikave të qeverisë (nëpërmjet kuotave e tarifave).

Studentët shqiptarë janë ata që janë, me ato rezultate në maturë apo në shkollën e mesme. Prof. Dr. Rrokaj nuk mund të ndryshojë popullatën. Ndryshimet nga një provim mature në tjetrin nuk janë të mëdha sa i përket shpërndarjes se rezultateve të maturës. P.sh. shihni shpërndarjen e mesatares në vitin 2010-2014, mbi 50% janë poshtë notës 6. Ky është niveli i studentëve tanë.



Ndërsa Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Tiranës kanë gjithsesi përqendrimin më të madh të studentëve me pikët më të larta (shih grafikun më poshtë). Studentët më të mire janë përqendruar në tre universitete (Mjekësi, UT dhe UPT) dhe në programet që premtojnë në tregun e punës (Mjekësi, Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Elektronike etj. kanë mbi 6000 pikë, nota mbi 9).
clip_image003

Nga 2013 në 2014 mesatarja e pikëve për tu pranuar në universitetet publike nuk ka ndryshuar shumë. Ka një rritje të pikëve mesatare nga viti 2014, por në disa universitete kjo është gjithashtu poshtë notës 6.

clip_image005

Për programet e letërsisë, në fushën e Prof. Dr. Rrokaj, pikët maksimale dhe minimale (ndër pikët e studentëve të fundit) për tu pranuar në programet janë poshtë notës 6. Pra vetëm nëse numri i studentëve për fakultetet e letërsisë do të reduktohej ndjeshëm, atëherë fakulteti do të mund të tërhiqte studentë të mire. Pikët maksimale në 2014 për letërsinë ishin 5371 dhe minimale 2785, midis notes 8 dhe 5 (mesatarja 4335 dhe median 4217, ndërmjet notës 6.5-7). Pra fakulteti i letërsisë në UT nuk konkurron për studentë me fakultetin e shkencave të natyrës apo ndonjë profesion teknik, por me të ngjashmit në universitet rajonale të Durrësit, Elbasanit, Shkodrës dhe Gjirokastër, ku nota mesatare është edhe më e ulët.

clip_image007

Ndërsa në vend që universitet publike të zotohen të përmirësojnë studentët me programe të posaçme, ato kërkojnë kontrollin e numrit të studentëve. Deri në vitin 2006, përpara prezantimit të maturës shtetërore, universitetet kishin dështuar në dy aspekte: në administrimin e provimeve të pranimit, ku dihen rastet e korrupsionit me shitjen e tezave; dhe në zgjerimin e arsimit të lartë. Edhe sot, kur universitetet administrojnë pranimet në ciklin e tretë përfliten për vonesa dhe korrupsion, si në Universitetin e Mjekësisë dhe Fakultetin e Juridikut në UT për specializimet e doktoratat.

Edhe para provimit të maturës cilësia e studentëve nuk ka qenë për tu lavdëruar. Mjafton të shikohen përqindjet e studentëve të diplomuar. Në Shqipëri diplomimi në varësi të institucionit është mesatarisht 35%. Në vitin 2004 ka qenë 14%, e madje është rritur që prej 2007. Pra vetëm 35% e studentëve të regjistruar diplomohen brenda një periudhë 6 vjeçare nga koha e regjistrimit. Mesatarja për vendet e OECD-së është 40% (OECD, 2010, shih tabelën më poshtë për krahasim me vendet e rajonit).
clip_image009

clip_image011
Burimi: Banka Botërore, 2014, Shqipëria nga unë.

Nga ana tjetër qeveria duhet të jetë e ndërgjegjshme se, nëse do të pranoheshim studentë me mesatare mbi 6.5, atëherë numri i studentëve për kohortë do të zvogëlohej me mbi 60% (nëse do të bazoheshim mbi shpërndarjen e mesatares së maturës, nga 40 000 aplikantë do të pranoheshin rreth 25 000). Sistemi do të përgjysmohej dhe do të sillte pasoja për universitetet publike dhe për studentët. Sidomos tani kur qeveria kërkon të tërhiqet nga financimi dhe ti hapë rrugë kreditimit të studentëve ky numër do të zvogëlohet edhe më tej.

Qeveria duhet ndërkohë të rrisë numrin e të diplomuarve për arsye të rritjes së kapitalit njerëzor e zhvillimit ekonomik që premton arsimi i lartë, por edhe për hir të aspiratave individuale. Historikisht arsimi i lartë ka qenë për një numër të vogël, dhe tanimë është e qartë se vetëm pasi qeveria e Partisë Demokratike morri në dorë pranimet, u rrit numri i studentëve.

Autonomia e institucioneve duhet respektuar, por nga ana tjetër arsimi i lartë është e mire publike dhe nuk mund të kthehet në privilegj në duart e akademikëve. Për këtë vlen të sqarohet misioni i universiteteve dhe i prioriteteve. (P.sh. a do të përparohet në kërkim apo në dhënien e shanseve të barabarta? Në zhvillimin rajonal, ku kërkohet që studentë cilësorë të qëndrojnë në vendbanimet e tyre e të mos dynden në Tiranë, apo në shtresëzimin e institucioneve, disa elitare e disa teper problematike?).

Siç është propozuar në projekt-ligj, institucionet pritet të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Se sa mund të ndikojë forma e organizimit dhe menaxhimit në kryerjen e këtij misioni është tjetër diskutim. Për sa kohë qeveria është zgjedhur nga populli, dhe ka votat në parlament, ka të drejtë ta imponojë këtë mision.

Politikat e qeverisë për arsimin e lartë nuk prekin vetëm institucionet, por ekonominë e vendit dhe të ardhmen. Gjithashtu qeveria është përgjegjëse ndaj popullit, elektoratit, jo vetëm ndaj interesave të disa akademikëve që i trajtojnë institucionet publike si kuvli të tyre. Lirinë akademike pedagogët ta kërkojnë në interesat e tyre, e të mos ngatërrohen në përgjegjësitë e qeverisë. E qeveria është e këshilluar ta mbajë këtë mekanizëm sidomos për ciklin e parë të studimeve.

Tuesday, February 3, 2015

Interviste e Arian Gjoncaj – mbi projekt-ligjin e Al

 

http://www.reporter.al/arjan-gjonca-zbatimi-i-ligjit-kyc-per-reformen-e-arsimit-te-larte/

INTERVISTE3 Shk 2015

Arjan Gjonça: Zbatimi i ligjit kyç për reformën e arsimit të lartë

Në një intervistë për BIRN, kryetari komisionit për reformën e arsimit të lartë, shprehet se zbatimi ligjit më përpikmëri dhe ndryshimi i mendësisë së individëve të përfshirë, janë thelbi i suksesit për reformën në arsimin e lartë.

Autor: Ben Andoni | BIRN | Tiranë

 

Arjan Gjoncaj, duke folur gjate prezantimi te raportit perfundimtar te reformes se arsimit te larte dhe kerkimit shkencor ne Shqiperi, mbajtur ne hotel Sheraton. | Foto nga : Franc Zhurda/LSA

Arjan Gjonçaj, duke folur gjatë prezantimi të raportit përfundimtar të reformës së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, mbajtur në hotel Sheraton. | Foto nga : Franc Zhurda/LSA

I nderuari profesor, cilat janë prioritetet e modelit anglo-sakson, që u zgjodh për draftin e Reformës së Arsimit të Lartë në Shqipëri?

Me vjen keq të konstatoj që ka një keqpërdorim të termit “Model”, dhe më tej edhe atij “anglo-sakson”, si në debatet gjatë hartimit të Raportit për Reformën, ashtu edhe në konsultimet e bëra në çdo IAL. Në arsimin e lartë ne flasim për sisteme të ndryshme të edukimit, jo modele. Një sistem i arsimimit të lartë ka tre elemente kryesore: Hallka e parë e një sistemi janë institucionet e arsimit te lartë, publike apo private, universitetet apo akademitë, fakultetet dhe departamentet e tyre, pedagogë e studentë. Hallka e dyte janë organizmat që financojnë dhe menaxhojnë arsimin e lartë, që mund të jetë shteti, privati, industria, bashkia, donatorë e të tjera institucione. Hallka e fundit janë rregullat që e rregullojnë veprimtarinë dhe sjelljen në institucionet e arsimit te larte dhe individëve në arsimin e lartë, qofshin pedagogë apo studentë, investitorë apo financues. Kombinimi i këtyre tre aspekteve përben sistemin. Ne këtë prizëm çdo sistem është unik, si ai anglez, amerikan, francez apo italian. Madje ka edhe sisteme të ndryshme brenda një vendi. Në reformën që ne rekomanduam ne Shqipëri u mbështetëm kryesisht në sistemin britanik, duke pasur parasysh disa faktorë favorizues. Se pari është padyshim sistemi me i suksesshëm në botë për sa i përket “output per money”, pra është sistemi që prodhon më shumë punë kërkimore shkencore për investim publik në të dhe nga diplomat më të njohura dhe më të suksesshme në botë. Së dyti është një sistem që i ka mbijetuar kohës dhe krizave të ndryshme ekonomike për arsye të autonomisë së tij si në aspektin organizativ edhe financiar. Së treti, është një sistem që e ka shumë të lidhur punën kërkimore shkencore dhe mësimdhënien në çdo institucion, çdo departament dhe në çdo individ. Së katërti është një sistem që ka mbetur publik, pra nuk ka fitim për individë apo grupe individësh nga sistemi. Për më tepër sistemi është aq i suksesshen sa vetë shumë vende europiane po përpiqen të implimentojnë aspekte të tij. Vetë Bolonja ishte një lëvizje drejt këtij sistemi nga ana e vendeve europiane. Te mos harrojmë që sistemet nuk kopjohen por implementohen ne përshtatje me kushtet specifike. Në këtë prizëm tradita universitare në Shqipëri u respektua dhe u mishërua në reformë. Disa nga prioritetet e këtij sistemi që janë implementuar në këtë reformë janë gërshetimi i punës kërkimore shkencore me atë te mësimdhënies; futja e konkurrencës në çdo hallkë të sistemit; implementimi i parimit te mundësive të barabarta; diversifikimi i financimit në institucionet e arsimit të lartë; rritja e autonomisë te IAL-ve në të gjitha nivelet e saj;krijimi i mekanizmave shtytës si dhe atyre të kontrollit dhe balancave, e shumë aspekte të tjera organizative, të cilat pasqyrohen në detaje në Raportin Përfundimtar.

Pse kanë dështuar deri tani, sipas jush, reformat në arsim?

Çdo reformë ka për qëllim përmirësimin e arsimit të lartë, edhe ligjet e mëparshme e kanë pasur këtë si qëllim. Në raport unë e theksoj që në fillim që ka disa aspekte të suksesit të një reforme. E para zbatimi i ligjit. Çdo qeveri që implementon një reforme duhet të sigurojë zbatimin me përpikmëri të ligjit. Më vjen keq ta them që siç treguan dhe masat e fundit të Ministrisë së Arsimit ky zbatim ka munguar deri më sot. Eshtë shumë e rëndësishme që zbatimi i reformes sonë në arsimin e lartë duhet të monitorohet në mënyrë të pavarur dhe të vazhdueshme. Se dyti është ndërhyrja në vizionin e reformes/ligjit. Fatkeqësisht në ligjet e mëparshme të arsimit të lartë është ndërhyrë me shumë nene, akte ligjore, apo vendime qeverie sa është vështirë të kuptosh vizionin e vetë reformës siç ishte parashikuar. Shembull për këtë është ligji i 2007 për arsimin e lartë që, megjithëse jo në përputhje me vizionin e kësaj reforme, ishte një ligj i mirë. Implementimi i tij u masakrua në vitet në vazhdim nga vete qeveria që e hartoi. Së treti, që për mua është më e rëndësishmja, është ndryshimi i mendësisë së individëve të përfshirë në arsimin e lartë. Kjo është shumë e vështirë dhe mund te arrihet më ngadalë, por duhet të krijohen mekanizmat që të ndryshojë kjo mendësi. Kjo reformë i ka kushtuar shumë rëndësi mekanizmave qe garantojnë këtë ndryshim. Një tjetër element qe përkon me këtë ndryshim është edhe fakti se si hartohet dhe implementohet një reforme, sa gjithëpërfshirëse është ajo, sa e gjejnë veten në të aktorët kryesore. Kjo reformë për here të parë perfshiu të gjithë aktorët e interesuar të arsimit të lartë që nga pedagoget e deri tek studentët, dhe mendoj që të gjithë kanë një pjesë në ketë reformë. Kjo gjithëpërfshirje do të krijojë një frymë të re në implementim dhe duhet të vazhdojë në të njëjtën formë masë dhe ritëm.

A mendoni se Reforma vendos në kushte të njëjta mundësitë si për Publikun dhe Privatin?

E them me bindje qe po. I vendos në kushte të njëjta në të gjitha aspektet e arsimit të lartë. Mbi të gjitha në aplikimin e të njëjtave standarde si ne mësimdhënie edhe në kërkim shkencor, si ne standardin e pedagogeve dhe në atë të infrastrukturës së arsimit të lartë. Mbi të gjitha kjo reformë vendos parimin e konkurrencës në të gjitha nivelet e arsimit e lartë, që nga zgjedhja qe bën studenti e deri tek konkurrimi për kërkim shkencor i pedagogut. Sidoqoftë e reja e kësaj reforme është që propozon një tip të ri universiteti publik me autonomi të theksuar dhe të drejta të garantuara. Kjo reformë parashikon që ky universitet të jete mbizoteruesi në të ardhmen dhe të krijohet mundësia qe si universitet shtetërore të sotme dhe ato private tu krijohet mundësia të konvertohen në këtë “universitet te ri publik jo fitimprurës”.

Profesor, ka pasur shumë ankesa sa i përket hallkave që kishin të bënin me karakterin e autonomisë. Në draftin përfundimtar falë rezistencës që erdhi nga Këshillat e Fakulteteve, Forumi për Liritë Akademike si dhe nga angazhimi i studentëve dhe pedagogëve ky raport u normalizua. A do ta respektojë ligji, frymën e draftit përfundimtar të paraqitur?

Më vjen keq që përsëri konstatoj një keqinterpretim të asaj që ka ndodhur. Flisni për rezistencë, dhe që te ketë një të tillë nënkuptoni që kishte një “luftë”, që kishte kampe të kundërta që kërkonin dhe mendonin diametralisht kundër. Jo kjo është gabim. Ky ishte një proces i cili për herë të parë në Shqipëri respektoi të gjitha rregullat e politikë-bërjes, dhe për këtë jemi krenar. Në këtë proces raporti i parë që kishte parimet kryesore shërbeu për te hapur debatin dhe për të përfshirë të gjithë aktoret, dhe ia arriti qëllimit. Më lejoni të theksoj debati ndihmoi shume ne qartësimin dhe në përmirësimin e reformës, por vizioni nuk ka ndryshuar nga raporti i parë. Ne drejtim te autonomisë ne kemi qenë të vendosur që ajo vetëm duhet te rritet. Ne raportin përfundimtar u vendos që kjo të ishte më e qarte dhe më e reflektuar. A do ta respektojë ligji këtë reformë, shpresoj që po. Nëqoftëse jo unë do jem i pari ta kritikoj.

Ka një paradoks kjo reformë për sa i përket aspektit menaxherial dhe ky qëndron në faktin se qeveria nga njëra anë do të pakësojë kontributin e vet buxhetor për arsimin e lartë, e nga ana tjetër do të shtojë kontrollin mbi menaxhimin e të ardhurave? A është i vërtetë ky konstatim?

Jo aspak, është konstatim i gabuar në dy drejtime. Se pari reforma parashikon rritjen e financimin shtetëror. Ne raport thuhet qartë dhe hapur që investimi aktual në arsimin e lartë është shumë i ulët në krahasim me vendet e zhvilluara por edhe fqinjët e rajonit. Nëqoftesë kjo qeveri do ta ulë financimin në arsimin e larte atëherë nuk do te ketë sukses në implementimin e kësaj reforme. Reforma parashikon diversifikim e financimit ëe tu japë mundësi institucioneve të arsimit të lartë të rrisim autonominë financiare dhe ti bëjë ato më te qëndrueshëm për zhvillimin e tyre në të ardhmen dhe të garantojë rritje cilësie. Se dyti konstatimi është i gabuar se organizimi strukturor i IAL-ve garanton autonomi akademike, misioni por edhe financiare të këtyre IAL-ve. Kjo duket qartë në përbërjen dhe përzgjedhjen e bordit administrativ; në ndarjen e qartë të roleve midis anës akademike dhe asaj menaxheriale.

A duket se ende edhe në këtë draft ka pak mundësi për kërkimin shkencor?

Më vjen keq por edhe ky është konstatim i gabuar dhe për do të ndalem më gjatë se e kam shumë për zemër, dhe është pikë e rëndësishme e rritjes së cilësisë së arsimit të lartë. Vetëm kur të kemi pedagogë të bashkmatshëm nga ana e punës kërkimore shkencore me botën mund të themi që kemi arritur implementimin e plotë te reformës. E para për herë të pare puna e IAL-ve, fakulteteve, dhe pedagogëve do të matet me tregues të qartë për kërkimin shkencor. Kjo e fundit është shumë e mishëruar në rekomandimet për punën/kontratën e çdo pedagogu, dhe mbi të gjitha në promovimin e tij. Për herë të parë janë krijuar mekanizma shtytës që pedagogu të jetë i interesuar të bejë punë shkencore se e para e ndihmon atë në promovimin më të shpejtë dhe e dyta e ndihmon edhe në rritjen e të ardhurave të tij/të saj. Për herë të parë po krijojmë një agjensi te mirëfilltë për financimin e punës kërkimore shkencore që të ketë të njejtën rëndësi si gjithë agjensitë e tjera në këtë sistem. Kjo agjenci do të shpërndaje fondet e kërkimit shkencor mbi baze aplikimi dhe merite, pra e hapur për çdo pedagog, departament, apo grup pedagogesh dhe departamentesh. I është rekomanduar qeverisë që të rrisë kuotën e financimit të këtij investimi dhe të kanalizojë gjithë punën kërkimore shkencore kryesisht nëpërmjet institucioneve te arsimit të lartë. Në kërkimin shkencor i jemi larguar monopolit te disa institucioneve që përqendrojnë gjithë të ardhurat e punën kërkimore, ku nuk ka kritere matëse dhe vlerësuese dhe qe i ktheu këto institucione në mjedise të vegjetizmit pseudo shkencor. Ai sistem ka mbaruar me këtë reformë sepse ka treguar që nuk është efektiv, jo vetëm në kushtet e Shqipërisë, apo të vendeve të ish bllokut komunist, por edhe në vende më të zhvilluara.

Monday, February 2, 2015

Vërejtje të UT ndaj projekt-ligjit të AL

 

Dokument: Vërejtje të disa fakulteteve të Universitetit të Tiranës DOC & PDF 

Disa fakultete të Universitetit të Tiranës kanë dërguar në Ministrinë e Arsimit vërejtjet e tyre në lidhje me projekt-ligjin e arsimit të lartë të propozuar nga qeveria.

Fakulteti i Juridikut duket që ka komentuar gjerazi dhe cilësisht duke verifikuar përputhjen e parimeve kushtetuese me propozimet e qeverisë. Pyes se pse nuk e kanë hedhur në gjyq ligjin e mëparshëm për disa prej neneve, duke qenë se argumentimi kushtetues është i njëjtë.

Disa fakultete si ai ekonomikut nuk duket se kanë dalë me një mendje nga mbledhja e tyre. Diku qortojnë cënimin e autonomisë, pastaj kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për hollësi që i përkasin atyre (forma e programit të studimit apo përmbajtja).

Kjo do të thotë se ka përplasje ndërmjet (1) parimeve të autonomisë që gjenden në literaturë apo në përvojat e praktikat ndërkombëtare, (2) të përkufizimit të papërcaktuar në kushtetutë, (3) të pritshmërisë së kushtëzuar nga tradita shqiptare dhe (4) të politikave të qeverisë. Politikat e qeverisë duhet pra të kënaqin njëkohësisht gjithë këta elemente për tu përligjur. Shumë e vështirë. Përfshirja e aktorëve të ndryshëm e vështirëson më tej këtë proces.

Ca më shumë, politikat nisen nga problematikat dhe jo vetëm nga vlerat e qëndrimet e të interesuarëve. Si duhen pra përkufizuar problemet në Shqipëri: si probleme të autonomisë? qeverisjes? financimit? përfshirjes e demokracisë? Qeveria duhet pra njëkohësisht të gjej zgjidhje problemeve, duke marrë parasysh vlerat e problemet e gjithsecilit aktor të përfshirë. Matrica e variablëve ndërlikohet më tepër kur në përkufizimin e problemeve ka konflikte ideologjike që reflektohen në zgjidhjet e propozuara (më shume apo më pak shtet, apo qëndrime teorike asgjësjëllëse si neoliberalizmi etj.).

Tjetër problem është mospërfshirja e universiteteve rajonale që kanë të tjera problematika nga ai Tiranës (për konformizëm ose paaftësi). Por edhe brenda UT problemet janë të ndryshme, sipas përvojave të dekanëve (më shumë apo më pak liri nga rektorati në politikat e punësimit etj.). P.sh. nga fakulteti i  shkencave sociale nuk ndihet njeri në UT, p.sh. mbi programet e mësuesisë së propozuar nga qeveria. Ky fakultet historikisht është fshehur në përplasje me qeverinë, pse të gjithë janë të përfshirë në këshilla, borde e të tjera qype mjalti të qeverisë.

Sunday, February 1, 2015

Reagon Ministria në lidhje me projekt-ligjin e AL

 

31 Janar, 2015

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/projektligj-i-ri-per-arsimin-e-larte-me-gjitheperfshirje-duke-siguruar-autonomi-pergjegjshmeri-dhe-transparence

Projektligj i ri për Arsimin e Lartë, me gjithëpërfshirje duke siguruar autonomi, përgjegjshmëri dhe transparencë

Projektligji për Arsimin e Lartë, që po diskutohet është produkt i një procesi unik gjatë gjithë historisë së arsimit të lartë, ardhur pas një konsultimi të gjatë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.

Draft-ligji është produkt i punës së një komisioni ekpertësh të pavarur, larg interesave politike, gjithpërfshirës dhe profesional.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që si çdo reformë reale, që sjell ndryshime rrënjësore, ajo nuk mund të jetë një reformë 100% konsensuale.

Ndryshe nga pseudo reformat e të shkuarës, kjo nuk është një reformë e partisë në pushtet për partinë në universitet, nuk është reform e të zgjedhurve të politikës për të shkëmbyer privilegje me të zgjedhurit e trupës akademike.

Kjo është një reformë për studentin dhe për prindërit e tyre. Një reformw që synon t’i japë vlerë mundit, kohës, dhe financave të familjeve dhe taksapaguesve duke siguruar që Institucionet e arsimit të lartë të ofrojnë dije dhe cilësi.

Kjo është është padyshim reforma më e papolitizuar në këto 20 vjet, dhe çdo tentativë për ta ndryshuar këtë është mjerane.

Drafti sjell ndryshime rrënjësore të hapsirës së arsimit të lartë në vend, duke synuar rritjen e cilësisë dhe krijuar një balancë të re midis zgjerimit të autonomisë, mekanizmave të kontrollit të cilësisë, dhe përmbushjes së përgjegjësi kushtetuese për të drejtën për arsim.

Projektligji rrit ndjeshën autonominë universitare në vend, duke deleguar kopetenca nga Ministria drejt vetë institucioneve, vendimarrjet e rëndësishme, mbi kuotat dhe kriteret e pranimit të studenëve, mbi numrin dhe pagat e stafit akademik, mbi tarifat e studimit dhe buxhetet e universiteteve.

Ky ligj është i pari kantier i autonomisë reale. Për ne autonomi nuk është vetëm e drejta për zgjedhur trupat akademikë. Autonomia në këtë ligj shtrihet në fushën e financimit, dhe organizimit të brendshëm dhe ajo vjen natyrshëm së bashku me përgjegjshmërinë për transparencë, llogaridhënie ndaj publikut dhe sigurim të standarteve të cilësisë.

Autonomia nuk është qëllim në vetvete por një instrument për të siguruar cilësinë, konkurrencën, meritën dhe transparencën.

Autonomia nuk nënkupton heqjen dorë nga transparenca dhe as nga përgjegjësia kushtetuese e Qeverisë për të siguruar qytetarët për arsimin, cilësinë e tij, financimin dhe institucionet ofruese.

Ministria e Arsimit falenderon të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë, që kanë përcjell tek ne vërejtjet e tyre për projektligjin. I sigurojmë ata që çdo vërejtje do të shihet me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet që kemi dëgjuar çdo vërejtje gjatë gjithë këtij procesi. Madje në këto momente komisioni është mbledhur tashmë dhe po këqyr një nga një të gjitha vëretjet e dërguara dhe po punojmë bashkarisht për detajet e fundit që janë objekt diskutimi, për t’a përmbyllur dhe jetësuar reformën.

Diskutime mbi projekt-ligjin e AL

 

Prof. dr. Artan Fuga polemizon me një deputet të Partisë Demokratike, z. Luciano Boçi. Ky i fundit në një sprovë të publikuar në gazetën Panorama, mbështet rezervat e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Prof. Fuga i kujton deputetit se për rolin që ka, kuvendi për këtë diskutim është në komisionet parlamentare dhe kanalet formale. Gjithashtu sipas Prof. Fugës, Boçi fillimisht duhet të sqaroj pozicionin e tij në lidhje me problematikat e politikat e mëparshme të Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj.

 

Artan Fuga, 01 Shkurt, 2015

Titull: Një këshillë deputetit demokrat, Luçiano Boçit

http://www.pol-al.com/nje-keshille-deputetit-demokrat-luciano-boci/

Nga shtypi mora vesh për deklaratën e zotit Luçiano Boçi, në emër të partisë demokratike, e cila mbështet qendrimin kritik të senatit të Universitetit të Tiranës ndaj projekt-ligjit për arsimin e lartë.

Kërkoj ndjesë ndaj zotit Luçiano Boçi, ndonëse nuk e njoh personalisht, sepse nuk jam edhe as anëtar senati, veçse pedagog, por i shpreh mendimin tim sinqerisht se deklarata e tij është etikisht e pagjetur, politikisht e gabuar dhe kulturalisht pa vend.

Politikisht e gabuar. Përse? Sepse partitë politike nuk kanë për rol të vendosen pas qendrimeve të stafeve akademike. Përfaqësuesit e tyre në Kuvend, në komisione, etj., janë atje për të bërë debat politik me palët kundërshtare dhe të qendrojnë atje në pozitat që deklarojnë. Debatin ta bëjnë mes tyre dhe jo duke mbështetur a kundërshtuar deklarata të operatorëve jopolitikë, e të vendosen pas tyre. Ata duhet të propozojnë dhe paraqesin një kundër – projekt që nuk po shihet duke shkaktuar inaktivizim. Qendrimi politik duhet të mbahet atje nga instancat e partisë dhe të grupit parlamentar me qendrime konkrete, jo me deklarata për shtyp përpara sesa ligji të paraqitet në Kuvend. Përse ky nxitim e kjo mbështetje flak e zjarr, brenda një çasti???

Etikisht e pagjetur. Përse? Sepse përpara sesa të bëjë kritikën e projekt-ligjit, është me vend të shihet se çfarë problemesh janë akumuluar nga e kaluara, sesi universitetet dhe dija universitare është katandisur, sesi është rritur papunësia e studentëve pas shkolle e diplomimi, sesa këpurdha gjoja universitare janë përhapur dhe duhet bërë një qendrim autokritik i fortë duke parë edhe arritjet edhe të metat e këtyre viteve. Për të parë përpara pa pikë ndroje, por duke e parë situatën në sy sesa e rënduar dhe dramatike është bërë në këto vite.

Kulturalisht pa vend. Përse? Sepse pritet që përfaqësuesit e partisë demokratike në Kuvend ta lexojnë ligjin, ta studjojnë atë, të paraqesin institucionalisht dhe publikisht kritikat e tyre, dhe pastaj të shohin sesa përputhen ose jo qendrimet e tyre jo vetëm me qendrimet e senatit por edhe me ato të profesoratit në përgjithësi.

Si qenkan dakord publikisht me senatin, kur ende publikisht nuk janë pozicionuar për projekt-ligjin?

Nuk ka nevojë që ad hoc dhe apriori të vendosen superpozime të nxituara mes qendrimeve të profesoratit dhe të partive politike.

Gjej rastin të shpreh mendimin tim individual se ky projekt – ligj është nja dhjetë herë më i rëndësishëm për fatet e kombit sesa ai i organizimit territorial, i punonjësit publik, dhe shumë më i rëndësishëm se çdo shenjë dhune në Kuvend. Rasti është që për të të kërkohet jo vetëm një votim konsensual, ose të mos votohet fare, por edhe të insistohet që në Kuvend të vijnë masivisht profesorë dhe studentë që nga tribuna e tij të shprehin idetë dhe propozimet e tyre.

Këtë gjë e bëni dot, apo jo në mirëkuptim me shumicën ose kundër saj? Kjo është çështja. Kurse për të tjerat më duket se janë ngatërruar portat, ideja nuk është që opozita të përkrahë ad hoc senatin, por pasi të ketë qendrimin e vet për ligjin, ta zhvillojë betejën politike në Kuvend.

Ndërkaq dihet afërmendsh që të gjithë kritikët e këtij projekt-ligji që mban aromë të vjetër e tejkaluar nga koha, do të kërkojnë dhe gjejnë brenda Kuvendit, të gjithë aletatët e mundshëm që i mbështesin pavarësisht krahut të tyre politik, po sikurse dihet që hapësira demokratike e veprimit, mendimit dhe shprehjes është sa brenda atij Kuvendi po edhe aq jashtë tij në gjirin e shoqërisë civile.

Luciano Boci, PD

Titull: Arsimi i lartë është reformë për studentët

Gazeta Panorama,  1 Shkurt 2015 (http://www.panorama.com.al/2015/02/01/arsimi-i-larte-mazniku-eshte-reforme-per-studentet/)

Partia Demokratike deklaroi dje se mbështet qëndrimet kundër të Senatit të Universitetit të Tiranës lidhur me projektligjin “Për arsimin e lartë”.

Në një deklaratë për shtyp, kreu i Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në PD, Luçiano Boçi, u shpreh se argumentet e dhëna nga stafet akademike qëndrojnë. “Partia Demokratike i konsideron dhe i gjen të drejta e reale shqetësimet dhe konstatimet e stafeve akademike të UT për shkeljet kushtetuese të autonomisë financiare, akademike e institucionale, për cenimin e parimeve themelore të Kartës së Bolonjës dhe Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, për synimin e hapur të kontrollit të plotë qeveritar ndaj universiteteve publike nëpërmjet Bordit të Administrimit dhe rrjetit të agjencive burokratike, për përjashtimin e studentëve nga procesi i vendimmarrjes”, tha Boçi.

Friday, January 30, 2015

Pedagogë të UT komentojnë mbi projekt-ligjin e AL 2015

 

Ripunuar – 23.02.2015

Disa pedagogë të Universitetit të Tiranës janë shprehur në lidhje me projekt-ligjin e arsimit të lartë. Por vetëm dy kanë gjetur hapësirë në media: Dr. Mark Marku (Panorama) dhe Prof. Dr. Artan Fuga (paraqitur në Facebook, e më tej në disa portale).

1. Artan Fuga, “Projekti i Arsimit, pedagogu si lypsar dhe universiteti si konservë”

28 Janar 2015, Facebook

Nuk mund të thuash që brenda atij teksti nuk ka edhe gjëra racionale. Do të isha nihilist po ta thosha këtë, kurse unë dua të ndërtoj, jo të mohoj.

Por, më ka tronditur, habitur, çuditur sesi u kalua nga një ide për reforma që bazohej te tregu, ekstremisht te tregu, te një model tjetër që bazohet ekstremisht te kontrolli dhe organizimi shtetëror i arsimit të lartë.

Si lëkundet kështu reforma nga tregu tek shteti... brenda pak muajsh nga njera anë te tjetra.

Mirë për atë reformën e parë që s'u bë fare, reformisto-tarifistët na thoshin se kemi marrë modelin anglez (çelësin anglez), por për këtë modelin shtetist cilin model kanë marrë??? Më duket si model rus ose serb, gjithsesi sllav... Sllavët kanë këto modele lindore.

Krahas anëve të mira, thashë, ka edhe disa aspekte që nuk shkojnë fare. Mbi të gjitha nuk bind se do e nxjerrë arsimin universitar kombëtar, majën e kulturës kombëtare, nga degjenerimi dhe nga rënia ku e kanë katandisur zinxhirët e politikës dhe burokracisë. Nuk zgjidh problemin e bërjes të tij të dobishëm. Nuk zgjidh problemin e fallcitetit dhe zhvlefësimin e diplomave, nuk zgjidh papunësinë e të rinjve.

Me një fjalë vendos rregulla, por nuk arrin qëllime. Këtu është puna. Është si një tren qe pretendohet se ka gjithçka duhet për të ecur, por nuk vetëm një gjë nuk ka stacion.

E para, ndërton një burokraci shtetërore vertikale që kontrollon universitetet që si çdo burokraci e hedh në erë sistemin dhe e kthen në kazermë. Me dhjetra e dhjetra milionë lekë do t'i marrin buxhetit të shkollave të larta për të ushqyer këta nëpunës, gati pesë agjenci a gjashtë, plot me nëpunës, për kontroll. Secila një ministri më vete, çfarë do të bëjë dikasteri??? Sa ministrira do të kemi. Na morrën shpirtin dhe frymën me burokracira. Organizim vertikal që nuk sjell asnjë të mirë.

E dyta, kontrollin e cilësisë do ta bëjë shteti. Shteti? Nëpunësi??? Nepunësi do të kontrollojë cilësinë e punës të pedagogut? Mirë do të ishte por nuk e bën dot. E si do të vlerësohet veç cilësia e kërkimit shtetëror dhe veç cilësia e mësimit, kur s'ka mësimdhënie pa kërkim shkencor dhe anasjelltas. E bukur sikur një universitet të marrë dekoratë se ka bërë shkencë dhe të skualifikohet se nuk ka cilësi në mësim. Me këto norma edhe mund të ndodhi një absurditet i tillë.

E treta, projekt-ligji na jep një model klasik universitar si ai i viteve '50. Shumë klasik. Me dekanate, rektorate, me fakultete të ndara e veç e veç si kuti konservash, me lëndë e grupe lëndësh, ndërkohë që jetojmë në epokën e ndërdisiplinaritetit, e diplomave të dyfishta e trefishta, e dijeve të kryqëzuara e mësimit nëpërmjet stazheve, e programeve ‘’Erazmus’’ të mobilitetit. Jemi apo nuk jemi më në hapësirën e Kartës së Bolonjës! Me një hierarki profesionale të ngrirë. Vendin qendror duhet ta zerë profesori, jo nëpunësi, piramida duhet përmbysur e jo të jetë si ajo e një ushtrie në gjendje luftimi. Kush do e vlerësojë kualifikimin e profesoratit? Një komision prej tetë vetash në senat. Ku e kanë gjetur këtë model aman se po qe se e gjejnë diku jam gati të përulem deri në shtrirje në tokë (prosternim) për të kërkuar falje. Kjo është thëmbra e Akilit.

E katërta, nuk zhvillon veçse shumë shkarrazi liritë dhe të drejtat universitare, nuk përmend si duhet kompetencat financiare decentralizuese në arsim. Pedagogu duket si një lypsar me dorën e shtrirë drejt agjencive me nëpunës për të marrë ndonjë lek. Lëre sikurse është tani që jepen lekë për të ngrënë ndonjë drekë pjesëmarrësit, mish e oriz, e ndonjë bërxollë derri, shoqëruar me tollumba a me kadaif, por asnjë lek për autorët e kumtesave. Hani, mo, mos mendoni! Gjithkush vendoset në gjendje pasiviteti dhe nuk duhet të mendojë veçse si deritani, të botojë për veten e tij, të marrë grada, tê hajë mish e oriz, ai dhe fëmijët e tij, studentët le të ngopen me llafe boshe.

E pesta, rrënohen të drejtat studentore. Studenti në qendër të procesit mësimor, të marrë pjesë në administrimin e universiteteve, në ndërtimin e kurrikulës, me anë të lëndëve me zgjedhje, me të drejta për të vazhduar studime të kryqëzuara, të ndërprera, etj. Edhe shkolla doktorale është gati shprishur sepse hiqen të gjitha kompetencat për të ndërtuar bashkësi doktorantësh të organizuar. Pa bashkësi kërkuesish nuk ka shkencë as kërkim shkencor. Hajde merre vesh përse një lloj masteri është i nivelit të dytë, kurse një lloj tjetër masteri është i nivelit të tretë.

E gjashta, shumë pak rregulla dhe norma për universitetet private, a thua se shteti do të merret vetëm me universitetet shtetërore, sepse për natyrën publike të tyre, as bëhet fjalë, sa kohë edhe në borde do të vijnë nëpunës që do të kontrollojnë shumicën e vendimeve kryesore, edhe nga bashkitë do të vijnë (imagjinoni sikur bashkia e Korçës të ketë edhe kontrollin mbi universitetin e Korçës, a thua se është i saji, kushedi se çfarë mund t'i pjelli mendja), kurse privati është lënë i lirë të bëjë gati çfarë të dojë, si tigri në pyll, pa rregulla të brendshme dhe pa përgjegjësi sociale. Vetëm se shteti do të ketë në dorë ta shuajë apo ta ndezë ... Sus !

Kam dëshirë të shoh se çfarë do të bëjnë reformistët - tarifistë, pasi mbështetën shkollën liberale, si ndërmarrje domatesh, a do të mbështesin edhe modelin shtetist, si kazermë ? E bëjnë disa prej tyre sepse si servila që janë, ajo pjesë, nuk ka rëndësi përmbajtja e reformës, rëndësi ka vetëm të jesh në anën e qeverisë, se atëhere ha mish e oriz. Oriz ore, oriz. Pavarësisht se kjo nuk është as detyra e as nderi i intelektualit që ndërton me pozivitet, por në mënyrë kritike, e nuk bën kompromis për idealet dhe mendimet e tij.

Por, reformisto-tarifistët janë "çil" e "mbyll", rëndësi ka që të duken me pushtet, çfarë rëndësi që një herë në gjashtë muaj ndryshojnë si balonë tauke pozicionin e tyre!

 

2. MARK MARKU, “Nga ‘bordet anglosaksone’ tek komitetet ekzekutive”

Panorama, 30 Janar, 2015

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka dërguar këto ditët e fundit për diskutim në universitetet publike dhe private projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Gjëja e parë që të bie në sy ka të bëjë me faktin se ndërsa për draft- raportin dhe raportin për reformën në arsimin e lartë u ishte lënë një muaj në dispozicion trupës universitare dhe akademike për të dhënë mendime dhe sugjeruar ndryshime që e përmirësonin atë, për projektligjin koha në dispozicion është jashtëzakonisht e shkurtër: vetëm një javë. Shumë pak, pra po të kemi parasysh faktin se një projektligj është shumë herë më i rëndësishëm se një draft reforme dhe se diskutimi i një projektligji me grupet e interesit kërkon më shumë vëmendje dhe më shumë përgjegjësi.
Por, me gjithë kohën e shkurtër në dispozicion, ajo është e mjaftueshme për të vënë re se ky projektligj nuk ka asnjë lidhje, as me draft-raportin, as me raportin përfundimtar të reformës. E vetmja gjë e përbashkët është dëshira për kontroll total të universiteteve dhe trajtimin e tyre sikur të ishin institucione arsimore parauniversitare. Nëse drafti për reformën e konceptonte sistemin universitar në një formë krejtësisht liberale, i dyti e koncepton sistemin universitar në mënyrë krejtësisht etatiste. Të dyja konceptet janë shumë larg konceptit europian të universitetit publik, dhe projektligji i fundit është më afër konceptit që shteti komunist shqiptar kishte për sistemin universitar.
Pavarësisht zgjidhjeve që ofron projektligji, ai shtron disa probleme të arsimit të lartë, të cilat janë shqetësim i përditshëm i ambienteve universitare shqiptare, të tilla si: ndarja e aspektit financiar nga ai akademik, kontrolli i shtetit mbi financat publike të universiteteve, riorganizimi i sistemit të studimit me kohë të pjesshme, nevoja për të financuar kërkimin shkencor.
Problemi themelor i ligjit është se ai e gjen zgjidhjen për sistemin universitar jashtë sistemit universitar. Duke krijuar agjenci qeveritare, si Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe struktura të tjera të ngjashme me to, praktikisht universiteti publik humb të gjitha liritë akademike dhe autonominë financiare, sepse mes agjencive dhe universiteteve publike vendoset e njëjta marrëdhënie që ekziston mes drejtorive arsimore dhe institucioneve të tjera të arsimit parauniversitar. Madje agjencitë, në shumë raste janë konceptuar si seksionet e arsimit të komiteteve ekzekutive që përcaktonin edhe se kush duhet të shkojë në shkollë dhe kush nuk duhet të shkojë. Një strukturë e stërmadhe burokratike merr përsipër të gjitha atributet e trupës akademike, të cilët me këtë projektligj shndërrohen në mësues të thjeshtë. Si të mos mjaftonin këto struktura burokratike së jashtmi, brenda universitetit rolin kryesor e ka bordi i administrimit dhe administratorët, të cilët sipas ligjit kanë fuqi absolute vendimmarrëse duke i shndërruar të zgjedhurit në autoritete pa kurrfarë pushteti. Kur projektligji e shpreh qartë se “Organi më i lartë administrativ dhe përgjegjës për përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë është bordi i administrimit”, i takon që rektori, senati dhe organet e tjera të zgjedhura të kenë të njëjtin rol që kishte Kuvendi Popullor dhe kryetari i tij Haxhi Lleshi, në kohën e Partisë së Punës. Natyrisht është e nevojshme një ndarje më e qartë mes autoriteteve të zgjedhura akademike dhe autoriteteve administrative, pasi kjo shmang abuzimet dhe vendimet arbitrare, por jo një shkëputje e tillë.
Kështu, siç është konceptuar ky projektligj, ai vë në qendër të sistemit universitar burokratin, ndërkohë që në qendër të çdo sistemi universitar europian janë profesorati dhe studentët. Asambleja, (gjithë trupa akademike) nuk ka asnjë rol, përveçse të zgjedhë disa autoritete dhe këshilla, të cilat nuk kanë asnjë peshë në institucionet që përfaqësojnë. Edhe më pak të përfillur janë studentët, të cilët nuk kanë as përfaqësim, as status në universitetet publike shqiptare të këtij projektligji.
Me logjikë të thjeshtë, do të duhej që kjo logjikë etatiste e tejkaluar që reflekton ligji, të justifikohej me angazhimin financiar të shtetit në financimin e universiteteve, ku të përcaktohej me ligj mbështetja e tij financiare për veprimtarinë shkencore, ku të kishte mënyra motivuese financiare të karrierës dhe cilësisë në universitete. Paradoksalisht ndodh e kundërta: ndërkohë që universiteti publik shndërrohet në një strukturë rixhide burokratike e kontrolluar nga shteti, shteti heq dorë edhe nga granti i pakushtëzuar (për ata që nuk e dinë, është fondi i pagave për pedagogët).
Nëse do të vazhdonim me defektet e këtij projektligji, do të rendisnim defekte të panumërta dhe paradokse nga më të çuditshmet. Por, analiza e tyre është e panevojshme, pasi projektligji është i papranueshëm në thelbin e tij.

3. Artan Fuga, disa arsye perse ligji i ri për arsimin e lartë falimenton dhe fundos universitetin publik, Rama-Meta të ndalin forcën e kartonëve në Kuvend

Gazeta Sot, 23.02.2015

Artan Fuga: 7 arsyet pse ligji i ri për arsimin e lartë falimenton dhe fundos universitetin publik, Rama-Meta të ndalin forcën e kartonëve në Kuvend

Akademiku Artan Fuga, përmes një prononcimi për gazetën “Sot”, rendit disa prej arsyeve se përse ai kundërshton projektligjin e qeverisë për arsimin e lartë. Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë, deklaron se nëse miratohet ky pr/ligj, do të jetë një goditje për universitetet publike. Sipas tij, ligji në fjalë përveçse nuk është konsultuar më parë me grupet e interesit, nuk është hartuar as me asistencë të huaj. Madje, profesor Fuga deklaron se ai është në kundërshtim me Kushtetutën dhe shkel të drejtat e qytetarëve. Akademiku i bën thirrje edhe kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, që të mos përdorin forcën e kartonëve për kalimin e këtij ligji. Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte dhunë ndaj atyre personave që e kundërshtojnë hapur nismën. Fuga ka qenë i prerë në fjalën e tij, pasi thekson se me anë të këtij drafti arsimi i lartë në Shqipëri do të vihet nën pushtetin e qeverisë. Fuga thekson se pr/ligji për arsimin e lartë e kthen universitetin në një instrument propagande.  

Argumentet e Artan Fugës kundër ligjit të ri për arsimin e lartë

1. Nuk ka asistencë të huaj

Jam kritik dhe kundër projektligjit që po qarkullon lidhur me arsimin e lartë, sepse është i pamenduar dhe i pastudiuar fare. Është shumë i dëmshëm madje. Nuk na jep asnjë model konkret ku mbështetet, nuk ka asistencë të huaj dhe përbën një kapërcim krejt të kundërt me atë që u shpall gjoja si strategji nga një grup pedagogësh pranë ministrisë muaj më parë, pra hidhet nga një model liberal anglez në një model lindor, shtetit. Ka guxim më njeri ta quajë këtë projektligj si i ardhur nga një model anglez? Çfarë ironie dhe cinizmi! Merrni pra specialistë anglezë ta certifikojnë këtë lloj autoritarizmi universitar që politika do të fishkëllejë mbi kokat tona! Mos merrni shqiptarë që janë anglezë ose anglezë që janë shqiptarë! Me këtë ligj, bindja ime është se merr fund koncepti i universitetit publik që kthehet në Universitetin Shtetëror të Tiranës themeluar në vitet '50. Këto hedhje sa nga njëra anë në tjetrën dëshmojnë për mungesën e seriozitetit tê hartuesve që mbesin anonimë, për një çështje që ndofta ka të bëjë me fatet e kombit në shekullin në vazhdim. 

2. Ligji i hartuar pa diskutim publik

Dhe këtë çështje kaq serioze kërkojnë ta kalojnë pa diskutim, pa debat publik, brenda një jave a disa javësh. Guxim i madh dhe përgjegjësi e rëndë mbarëkombëtare. Unë e di që diktatura e kartonëve në Kuvend mund të kalojë këtë ligj ose çdo ligj tjetër, por kush nga deputetët, apo kryetari i Kuvendit zoti Iliri Meta, apo kryeministri zoti Edi Rama, ose Presidenti, zoti Bujar Nishani, do të mendonte qetësisht se legjislativi ka autoritetin dhe legjitimitetin moral që të bëjë të hyjë në fuqi me forcën e kartonëve një ligj kundër të cilit shprehen fort dhe me shqetësim qytetar dhe profesional organizma kapitalë për arsimin e lartë mbarëshqiptar si senati i Universitetit të Tiranës dhe këshillat e profesorëve të fakulteteve të tij, dhe jo vetëm! Mendoni se pas kësaj do të flitej për demokratizim të Kuvendit? A nuk do të ishte pikërisht kjo dhuna e ushtruar në Kuvend apo nga Kuvendi, për të cilën flitet aq shumë dhe janë marrë aq shumë angazhime ???     

3. Ligji në kundërshtim me të drejtat themelore qytetare

Pa i hyrë kritikave nen për nen, nen që duhet thënë se janë redaktuar në mënyrën më amatoreske të mundshme nga ana juridike dhe gramatikore, theksoj se në tërësinë e vet projektligji vjen në kundërshtim me të drejtat themelore qytetare dhe me Kushtetutën e Shqipërisë, sepse hapësirën e lirisë të shprehjes, më shumë akoma, hapësirën e mendimit dhe kërkimit shkencor, lirinë e edukimit, e vendos direkt në kontrollin e pushtetit, të administratës burokratike-partitokratike dhe politizon duke vendosur nën kontroll të vetmen hapësirë të lirë dhe autonome në Shqipëri që është ajo universitare. 

4. Thjeshtë restaurohen universitetet

Unë nuk e shoh çështjen aspak si thjesht tekniko-pedagogjike, as si çështje ca rregullimesh me pudër bërë nga hartuesit anonimë, që nuk marrin guximin qytetar të vijnë në debat publik në universitete, por si një dëmtim i rëndë i sistemit të lirive dhe të drejtave qytetare në Republikën e Shqipërisë. Unë shoh nga hartuesit një tentativë restaurimi të Universitetit Shtetëror të Tiranës të viteve ’80-të, nga i cili ka dalë shumica e klasës politike të sotme. Është një proces restaurues. Ne kalojmë me rrezik një fazë restaurimi me këtë tekst që na paraqitet. Unë nuk mund ta imagjinoj se kryeministri i vendit, zoti Edi Rama, liberalizmin e shëndoshë të të cilit e kam njohur mirë kur ai ishte pjesë e arsimit të lartë, do ta pranojë pa e flakur tej duke u ngritur në këmbë me shqetësim këtë projekt-ligj që nuk dëmton vetëm kombin, por edhe vetë qeverinë, vetë atë. 

5. Nuk adreson problemet e arsimit

Nga ana tjetër, unë jam nga ata pedagogë që mendoj se gjendja e arsimit të lartë është në degjenerim e sipër dhe ka akumuluar shumë probleme për të cilat kam vite që flas. Sepse politika dhe burokracia nuk na lejon të veprojmë. Na pengojnë duke na vendosur pengesa politiko-administrative. Edhe një revistë universitare sot po të botosh, ligjet në fuqi na detyrojnë të shkruajmë artikujt dhe t'i bëjmë studimet në funksion të çmimit mizerabël të tenderit të fituar nuk e di se ku e nga kush, dhe jo të jepet buxheti në funksion të trajtimit shkencor të çështjes. Është njësoj si të shkosh në një restorant dhe të zgjedhësh gjellët duke parë vetëm kolonën çmime pa parë se çfarë ha. Kjo është gjendja, skandaloze. Pedagogët janë të pakënaqur, studentët po ashtu, familjet e shqetësuara. E si përgjigje ne kemi vetëm disa dalje mediatike dhe propagande boshe të personave që duhet ta shohin çështjen me përgjegjësi qytetare personale. Përgjegjësia është aty, nuk mund ta heqësh si pallto të vjetër dhe ta zhdukësh. 

6. Fundos cilësinë e arsimit

Por, dalja e universiteteve shqiptare nga kjo gjendje nuk bëhet dot me metoda menaxheriale të një stalinizmi latent, të një putinizmi lindor, sepse atë që mendon se nuk e bëjnë dot profesorët mos shpreso se do ta bëjnë nëpunësit e agjencive dhe bordeve shtetërore, politiko-administrative, me logjikë vertikale dhe perandorake. Ky ligj përfundimisht do ta vinte në gjumë demokratizimin e arsimit shqiptar, do ta fundoste përfundimisht cilësinë e tij dhe do ta kthente universitetin në një altoparlant propagande. Cilësia e mësimit dhe e kërkimit shkencor do të matej me përputhshmërinë e saj me programet politike të partive në pushtet që emërojnë nëpunësit jo të një ministrie a gjysmë ministrie që është sot, por të nja pesë a gjashtë ministriçkave të vogla, tentakula, thithëse, që supozohet se do të krijohen nesër. 

7. Defekte të mëdha procedurale

E thashë edhe njëherë, nuk e shoh si çështje teknike, sikurse e ka parë senati i Universitetit të Tiranës, por si çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat politike të qytetarit. Për të mos thënë se edhe nga ana proceduriale ky projektligj është i parecevueshëm nga Kryesia e Kuvendit sepse në procesin e paraqitjes së tij që tani ka defekte madhore proceduriale, ai nuk është konsultuar paraprakisht me aktorët e fushës, me qendrat e interesit, ne jemi ndodhur nën presione, të kohës, nën sharje e akuza nga ana e grupit të gatshëm të pedagogëve të mobilizuar, me presione të ndryshme administrative, me presione mediatike dhe me pengesa që vijnë nga shërbyesit tanë, punonjësit e lartë civil. Ky është konsultimi me aktorët e interesit??? T'i mbash ata nën presion psikologjik dhe administrativ permanent? Ja përse jam kundër dëshirës për pozitivitet, tërësisht kritik ndaj projekt-ligjit në fjalë: Universitetet vihen nën komandën e partisë në pushtet. Edhe për sot edhe për mot!

- See more at: http://www.sot.com.al/politike-intervista/artan-fuga-7-arsyet-pse-ligji-i-ri-p%C3%ABr-arsimin-e-lart%C3%AB-falimenton-dhe-fundos#sthash.lj4IasBa.dpuf

Komente per projekt-ligjin e AL nga Fakulteti i Filologjise, UT

 

Fakulteti i Filologjise ka pergatitur oponencen ndaj projekt-ligjit te Arsimit te Larte. Kritika e tyre ndaj procesit te aplikimit te propozuar nga qeveria eshte e pabazte. Nje agjenci per aplikimin do te lehtesonte pune per universitetin, pasi administrimi i pranimeve ka kosto te larte, perndryshe kjo kosto do te mbulohej nga studentet dhe do te rriteshin tarifat edhe me tej. Gjithashtu universitetet nuk kane deshmuar ende se jane te gatshem te administrojne pranimet. Mjafton te shohesh programet e doktoraturave: vendimi i qeverise del ne janar, pranimet fillojne vite me vonese sepse aq zgjasin pazaret.

Me poshte opinioni i Keshillit te Fakultetit te Gjuhes dhe Filologjise.

http://fhf.edu.al/mendime_per_draftin.html

Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë

 

Propozime për projektligjin“për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë

Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, i mbledhur në dt. 29.01.2015, me gjithë kohën e shkurtër të patur në dispozicion,  pasi diskutoi e mori parasysh mendimet e sjella me shkrim nga  departamentet, vlerësoi disa aspekte të këtij drafti dhe, me  synimin e dëshirën për të kontribuar në përmirësimin e disa problematikave të tij, shprehet si më poshtë:

Në këtë draft ka një cënim të autonomisë akademike, organizative, dhe financiare, të garantuara nga Kushtetuta, neni 57/7, e kryesisht në këto nene:

 

  • Neni 3 pika 2,
  • neni 7/2, e, 3, a, b,e
  • neni 8/3
  • neni 14.2
  • neni 15/3
  • neni 17/6
  • neni 18/3,6
  • neni 20/3,5
  • neni 32/3
  • neni 63/1.d dhe 63/3
  • neni 64
  • neni 68/3
  • neni 72/2 dhe 72/5
  • neni 78/2
  • neni 100/1
  • neni 101/1.b dhe 101/3
  • neni 112/2

Në mënyrë të përmbledhur Këshilli shprehet se:

 

  • Pranimet duhet të bëhen nga universitetet. QSHA  nuk mund dhe nuk duhet të merret me çështjen e aplikimeve. Universitetet duhet ta kenë si detyrë të tyre të bëjnë publike kriteret  e pranimeve  dhe nxënësit apo studentët e masterit aplikojnë për t’u pranuar  në ciklet e shkollimit.  Nga ana e saj QSHA mund të ketë për funksion përpilimin e një database  kombëtar me të dhënat e nxënësve që përfundojnë arsimin parauniversitar.
  • Autonomia akademike dhe organizative cënohet përmes këtij modeli të parashikuar për konstituimin e Bordit të Administrimit, i cili përcaktohet si institucioni më i lartë “administrativ” dhe përgjegjës për përmbushjen e misionit të arsimit të lartë në universitet dhe ku në drejtimin e tij, në kushtet e sotme,  ka në përbërje një shumicë anëtarësh nga qeveria (4 +3). Ndërkohë që qeveria nuk cakton asnjë anëtar bordi në universitetet private edhe për to destinohen fondet të buxhetit në projektet shkencore. Universitetet kanë lindur dhe  funksionuar për shkak dhe falë vizionit akademik  dhe jo për shkak të menaxhimit, që do të thotë se organi dhe autoritetit më i lartë në universitet është Senati  dhe Rektori. Ky cënim shkon deri aty, kur ky bord  propozohet të miratojë edhe statutin e universitetit. Propozojmë që bordi  të jetë me shumicë anëtarësh nga universiteti. Gjithashtu, ai duhet të cilësohet vetëm si organi më i lartë administrativ, kurse përgjegjësinë për përmbushjen e misionit të universitetit në arsimin e lartë e ka Senati.
  • Në draft thuhet se shteti vlerëson cilësinë, ndërkohë që cilësia vlerësohet nga agjenca e akreditimit dhe bordi i akreditimit. Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli i Akreditimit, si  emërtesë dhe funksion janë nën juridiksionin e qeverisë, pra, nuk janë të pavarura sikundër funksionon kudo në botën e sotme universitare. Mund të merret shembull modeli i Kosovës.
  • Cënimi i autonomisë duket edhe në kompetencat që merr Ministri për ta konsideruar Rektorin si vartës të tij, ndërkohë që Rektori është i zgjedhur  dhe institucioni i tij është autonom me Kushtetutë. Këtë mbrojtje ia jep kushtetuta nga njëra anë, por është shprehur edhe me vendim të  Gjykatës   Kushtetuese,  e cila në 2007 sanksionoi se Ministri  nuk mund të gjykojë veprimtarinë e Rektorit dhe i vetmi ndërmjetës në marrëdhëniet vendimore  është gjykata. Pra, Rektori sipas ligjit mund të dekretohet dhe po ashtu të  shkarkohet vetëm nga Presidenti i Republikës.
  • Këto dy pushtete midis Senatit dhe Bordit, Rektorit dhe Kryetarit të Bordit, bëhen krejt të paqarta dhe gati janë paralele në njësitë  kryesore dhe në njësitë bazë.

2. Ka një  burokraci agjencish e strukturash, gati një Ministri e Arsimit të Lartë, të cilat  jo vetëm  nuk do t’i sjellin të ardhura universitetit, por  do t’i marrin edhe të ardhurat që sot ai realizon nëpërmjet shërbimeve që ai  kryen vetë.  Këto struktura ndërtojnë një sistem burokratik  që i zë frymën aspektit akademik dhe ku liria akademike nuk promovohet dhe nuk del e shprehur të mbrohet në këtë draft. Kjo duket qartë se në të gjithë draftin, në qendër janë më shumë këto struktura burokratike sesa studenti dhe profesori, pa të cilët nuk mund të kuptohet funksionimi i sistemit të Arsimit të Lartë.   Ky numër i madh agjencish nuk përligjet me shumën e subvencioneve që jep Qeveria  nga fondi i pakushtëzuar. Ky fond sot nuk shkon më shumë se 10 muaj paga për  pedagogët  dhe aspak financim për kërkimin bazë dhe shumë pak  financime për projektet. Qeveria  duhet domosdoshmërisht të rrisë buxhetin  për arsimin e lartë, i cili, edhe këtë vit nuk shkon më shumë se afërsisht 0.6 % e PBB. Atëherë si do të funksionojnë financiarisht këto agjenci, të cilat konvertohen në punonjës, struktura etj?
Shembulli  më tipik është megastruktura që quhet  QSHA, e cila do të  krijojë  patjetër konfuzion të pashembullt  si edhe mund të kthehet në një burim korrupsioni, pasi i janë lënë  4 funksione  shumë të rëndësishme si:

  • aplikimet për të gjitha ciklet e  studimit, ( bachelor, master, master ekzekutiv) përveç  doktoraturave dhe specializimeve.
  • imatrikullimi dhe database  kombëtar i dokumentacionit
  • provimet e profesioneve të rregulluara
  • rrjeti kombëtar i internetit.

Kjo strukturë e propozuar është e pangjashme me modelet më të njohura të universiteteve homologe  evropiane e më gjerë.
Vetëm  i sistemi i masterave të  cilët marrin diploma nga pikëpamja e kohës në korrik –vjeshtë ( koha e mbrojtjes së provimeve ) do të hapë shumë probleme në komunikimin  Universitet – QSHA. Mendojmë se QSHA  duhet të ketë si funksion :

  • imatrikullimin dhe database  kombëtar i dokumentacionit si dhe database për rezultatet e shkollave të mesme.
  • provimet e profesioneve të rregulluara

Aplikimet për të gjitha ciklet e  studimit të kryhen pranë  universiteteve sipas modelit që  aplikohet sot gjithandej.  Rrjeti telematik mund  t`i kalojë AKKSH-së. Propozojmë gjithashtu që shteti të garantojë me ligj pagën bazë te stafit akademik dhe atij ndihmës të brendshëm.

  • Në draft thuhet se shteti merr përsipër  të subvencionojë vetëm ciklin e parë. Por ky kufizim  do të sjellë uljen e të ardhurave të universitetit publik si dhe në pamundësinë e familjeve shqiptare për të përballuar kostot e shkollimit.  Mendojmë se shteti  duhet të ushtrojë  funksionin e vet mbi arsimin e lartë publik, sepse edhe masteri është një e mirë publike dhe nuk duhet parë thjesht si një e mirë private.  Gjithashtu,  shteti  përcakton një tavan  për tarifat e universiteteve publike dhe nuk bën  të njëjtën gjë për universitetet private. Mendojmë se qeveria duhet të përcaktojë një dysheme,  në funksion të të ardhurave të familjeve shqiptare.
  • Nëse ky draft-ligj do të bëhet ligj, atëherë ai do të  cënojë gati 40% të profesoriatit të ri, i cili nuk ndihet i promovuar nëpërmjet këtij ligji dhe nga ana tjetër, ai do të kthehej nga një e drejtë e fituar nëpërmjet një kontrate me punëdhënësin me afat të pacaktuar, në një kontratë me afat të caktuar. Të gjithë  asistentët  në proces doktorate dhe doktorët që kanë më pak se 3 vite punë  do të cënoheshin në marrëdhënien që kanë  vendosur aktualisht me punëdhënësin. Pra, kemi cënim të parimit se “asnjëherë fuqia prapavepruese e ligjit s’duhet të jetë në dëm të personit”. Propozojmë që ky përcaktim të hyjë në fuqi  vetëm për personelin që vjen pas miratimit të tij, dhe të mos cënojë stafin akademik pjesë aktuale e organikës së universitetit.
  • Cikli i 3-të i studimeve përfshin, masterin ekzekutiv, doktoraturën specializimin.  Ky nuk është kuptimi që ka  cikli i 3-të sipas Kartës së Bolonjës ku, siç dihet, në të përfshihet Shkolla Doktorale. Në ligj duhet të thuhet qartë se arsimi i lartë  mbështetet mbi Kartën e Bolonjës,  sepse Shqipëria është nënshkruese e saj. Propozojmë që  Masteri ekzekutiv,  i cili përplaset me  masterat e tjerë  të ciklit të 2-të të titullohet “ Diplomë postmaster”,  duke ruajtur siç thuhet në ligj, se  kush e ka të drejtën ta ndjekë këtë diplomë.
  • Lidhur me menaxhimin e fondeve, në zbatim të parimit  të autonomisë financiare duhet:
  • Të bëhet një ndryshim në ligjin e buxhetit, ku universitetet te trajtohet si qeverisja vendore. Pra ato duhet të dalin nga skema e buxhetit me destinacione te përcaktuara.
  • Në skemën e buxhetit të futet zëri i kërkimit shkencor dhe projekte shkencore sepse, nga pikëpamja financiare  shpenzimet e fondeve duhet te rakordohen me zërat e buxhetit.
  • Nuk e kuptojmë pse nuk është vënë në draft marrja e kredisë nga IAL, ndërkohë që ka qenë si propozim në draft reformën e AL. Universitetet, sikundër  qeverisja vendore  duhet të kenë të drejtë të marrin kredi  nga bankat për të siguruar një infrastrukturë më të shpejtë dhe ta shlyejnë  këtë kredi pak e  nga pak me të ardhurat që marrin nga studentët. Sigurisht, si edhe qeverisja vendore, marrja e kredisë do të kryhet në rakordim me Qeverinë.
  • Lidhur me komisionet e kualifikimit shkencor ligji duhet të shprehet qartë se KKSH që ngrihen brenda universiteteve të jenë me ekspertë të fushave të ndryshme dhe se në universitetet e mëdha si ky i Tiranës një komision i vetëm, për shkak të përbërjes heterogjene të strukturave të njësive kryesore, nuk mund të përmbushë misionin e përgjegjshëm akademik për dhënien e titullit.
  • Në fillim të draftit, ku përcaktohet  misioni krahas formulimeve të bëra, është harruar një formulim që lidhet me vetë misionin e shkollës, ku duhet të jenë të përcaktuara  vlerat, si: ato të edukimit, atdhedashurisë kombëtare, qytetarisë, demokracisë,  humanizmit etj, gjë që mungon në këtë draft.
  • Në nenin 101, pikat 1, 2  thuhet: “Baza kombëtare e të dhënave për kërkimin shkencor administrohet dhe përditësohet prej AKKSh-së dhe përfshin: temat kërkimore të ciklit të tretë në një nga pesë gjuhët e Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht”. Kjo pikë e nenit bie në kundërshtim me parimet kushtetuese mbi gjuhën zyrtare në vend dhe me nenin 89 të po këtij projektligji, ku thuhet se “Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë në vend ofrohen në gjuhën shqipe”..

Gjithashtu, krijimi i një baze të dhënash, duhet parë nëse bie ndesh me   ligjin për  të drejtën e autorit, ku thuhet për grumbullimin e të gjithë kontributit shkencor të personelit akademik.

  • Sintagma “letra e prioriteteve” është një kalkim që i rri keq gjuhës shqipe. Duhet thënë thjesht “prioritetet” ose “përparësitë” sikundër në mjaft raste  drafti i reformës së AL ka nevojë për redaktim gjuhësor e në ndonjë rast  edhe për spostim të neneve përkatëse, ( neni 7 pika 3), ku brenda kompetencave të  ministrit flitet edhe për kompetencat e Rektorit.
  • Si përfundim, drafti duhet të çlirohet nga “Vënia në kontroll” e universiteteve  prej shtetit nëpërmjet strukturave  të fryra, të cilat i zënë frymën aspektit akademik dhe ndërkohë, përsa i përket anës financiare duket haptazi se shteti nuk tregon kujdesin dhe përgjegjësinë e duhur. Ky këshill propozon që  shteti të marrë seriozisht përgjegjësinë e financimit të universiteteve publike duke garantuar me ligj përqindjen e PPB  - arsimin në tërësi dhe brenda kësaj PPB përqindjen e AL. Gjithashtu, ky Këshill sugjeron që drafti të mos kalojë në parlament pa marrë  parasysh sugjerimet e dhëna nga profesorati ynë. 

http://fhf.edu.al/mendime_per_draftin.html

Thursday, November 6, 2014

Në përgjigje të peticionit të studentëve



Studentët e UT dhe UPT dërguan një peticion ku ndër të tjera kërkonin edhe përmirësimin e infrastrukturës. Ish-Ministri Myqerem Tafaj ka njoftuar sot se qeveria (5.11.2014) ka miratuar një vendim ku godina e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave i kalon Gjykatës së Lartë (e cila e ka ndritur me vendimet dhe meriton prestigjin dhe lluksin e duhur).
“Qeveria lë pa godinë mbi 2000 studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave! .. Me këtë vendim Qeveria vërteton se bën vetëm propagandë dhe nuk mbështet realisht zhvillimin e kapaciteteve për rritjen e cilësisë së studimeve universitare dhe kërkimit shkencor në fusha kaq prioritare për ekonominë e vendit, sic është shfrytëzimi I pasurive nëntokësore dhe resurseve natyrore.
Në vend që Qeveria të rrisë buxhetin e arsimit të lartë publik për investime të reja në infrastrukturë fizike dhe laboratorike, bën të kundërtën, … Qeveria nuk thotë asgjë në vendimin e saj se ku do të shkojnë mbi 2000 studentë dhe pedagogë të këtij fakulteti. … Ky është rasti I dytë që kjo qeveri I heq godina institucioneve publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Pak muaj më parë Qeveria I hoqi një pjesë të godinës qendrore edhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, ndërkohë që bën deklerata se I kushton rëndësi të madhe zhvillimit të shkencave albanologjike!”
Edhe projekt-buxheti nuk është ai që kërkojnë studentët, ulje të tarifave dhe rritje të kontributit shtetëror. Në raport me buxhetin dhe GDP vazhdon të jetë në të njëjtën zonë të 2%.
(mije leke) 2013 2014 2015
Arsimi i Larte 5,959,078 5,546,500 5,797,590
Perqindje/Buxhet 2.1518% 2.0920% 2.0934%
Perqindje/GDP (IMF)+2% 0.042% 0.32% 0.135%
Shkenca /Buxhet 0.0651% 0.0668% 0.0639%


Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 5 Nëntor 2014
V E N D I M
PËR
KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS, TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 82, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, që ndodhet në zonën kadastrale nr.8160, me numër pasurie 6/88, me sipërfaqe trualli 12 478 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, me sipërfaqe ndërtimi 1 839.5 (një mijë e tetëqind e tridhjetë e nëntë pikë pesë) m2 dhe sipërfaqe bodrumi 1 143.5 (një mijë e njëqind e dyzet e tre pikë pesë) m2, me adresë: Rruga “Sulejman Delvina”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë, sipas genplanit, planimetrive dhe planvendosjes që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Objekti i mësipërm të përdoret në funksion të qëllimit dhe të veprimtarisë së Gjykatës së Lartë.
3. Gjykata e Lartë nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe as ta tjetërsojë atë.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Tuesday, November 4, 2014

Pushohet pedagogu H. Feraj

 

Pedagogu i departamentit të shkencave politike, Dr. Feraj, i njohur në media për përplasjet e tij me rektoratin e Universitetit të Tiranës është pushuar nga puna. Arlind Qorri, një koleg i tij, analizon më poshtë arsyet dhe motivet.

Organizata Politike, 4 Nëntor, 2011

http://opolitike.org/analiza/si-mundenm/

Si mundën/m?(!)

Arlind Qori

Ky artikull iu është dërguar për shtyp disa gazetave kryesore që një javë më parë. Disa syresh e kanë justifikuar mosbotimin me eufemizma, të tjera s’kanë lodhur gishtat as të kthejnë përgjigje për mosbotueshmërinë e tij. Arsyet që më vijnë ndër mend janë tre: mospërfillja e temës së artikullit, ndikimet okulte censuruese dhe cilësia e shkrimit. Uroj të jetë kjo e fundit. Në fund më duhet të falënderoj gazetën Telegraf që e botoi në numrin e sotëm.

***

Me propozim të dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale Theodhori Karaj, rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule ka pushuar nga puna pedagogun e shkencave politike Hysamedin Feraj. Ndonjërit mund t’i shkojë mendja se motivi është bazuar në cilësinë e mësimdhënies apo më gjerësisht te puna akademike e pedagogut. Ndonjë tjetri mund t’i arratiset imagjinata deri edhe në probleme etike që aq kollaj e tërheqin vëmendjen në raste akademike. Më vjen keq ta lë në baltë kureshtjen e skrupulozëve të dijes dhe ndjekësve të telenovelave. Motivacioni formal është i rëndomtë – sa i rëndomtë aq edhe i rëndë për pasojat që do të sjellë në jetën universitare: ikje pa leje nga puna për tetë ditë të ndara nga njëra-tjetra, ku dëmi financiar për pagën e marrë gjatë vitit në mungesë të paraqitjes nuk i kalon 20000 lekët. Po e imagjinoj se si i fërkojnë duart fanatikët e rend-disiplinë-përpikmërisë, që edhe punën akademike duan ta matin me oraret e trenave të Musolinit!

Për lexuesin që nuk e njeh punën e p. Ferajt mjafton të përmend pakçka. Bëhet fjalë për themeluesin e degës së shkencave politike në Shqipëri, i shquar për punë me rigorozitet shkencor të mezigjendshëm këtejpari, sidomos në studimin e nacionalizmit dhe ligjërimit politik shqiptar (shih:Skicë e mendimit politik shqiptar dhe E pafilozofuara) apo në epistemologjiken Hyrje në shkencat politike; për një pedagog me përvojë thuajse tridekadëshe, respekti i kolegëve dhe studentëve për të cilin nuk lë vend për dyshime. Madje për të mësipërmet deklarativisht nuk shfaqin rezerva as shkarkuesit e tij.

Sidoqoftë këto rreshta nuk kanë për qëllim t’i qajnë hallin p. Ferajt – të cilit s’i mungojnë as mprehtësia e penës, as njohuritë ligjore për ta marrë të drejtën e vet publikisht dhe institucionalisht. Shqetësuese mbarëpublikisht, e posaçërisht për jetën universitare, është precedenti që krijon një shkarkim i tillë. Së pari, në lidhje me motivacionin real, lexuesve të vëmendshëm nuk do t’i kenë shpëtuar kritikat (deri në akuza) të p. Ferajt ndaj rektorit të UT dhe dekanit të FSHS. Pa dashur të hyj në përmbajtjen e tyre – që do ta zgjaste dhe melodramatizonte shkrimin – duhet të nxitoj në përfundimin se kemi të bëjmë me një akt persekutues, të ndërmarrë nga funksionarë publikë të zgjedhur për të garantuar lirinë akademike dhe qytetare, të cilat në këtë rast i kanë shkelur demonstrativisht. Për paralelizëm, ky rast është edhe më problematik se ai i një qeverie të kritikuar për qindëshin, e që nuk pyet për to: i ngjan atij të një qeverie që në fund fare çon policët për t’i treguar vendin atyre që nuk i zë vendi. Pra po të mori koka erë dhe ngrite zërin kundër shefave, ata do ta “shofin” punën tënde, dhe për të të hequr qafe nuk do të mbështeten vetëm në gjurmimin policesk të sistemit TIMS, por mund të përdorin për motivacion edhe vonesën pesë minuta në klasë apo lëshimin e stërkalës jashtë pështymores së lejuar në trotuar. Ose së paku ky akt do të perceptohet si persekutiv përderisa rektori dhe dekani nuk do ta përgjithësojnë si praktikë, duke kontrolluar kafkiançe çdo vajtje-ardhje pa leje pedagogësh, e do të heqin prej pune gjithkënd që ka guxuar t’i bishtnojë rregullit burokratik të të paraqiturit në zyrë – për të matur me sy metrat katrore të mureve – pavarësisht të pasurit ose jo mësim apo aktivitet konkret shkencor. Mirëpo karakteristikë e sundimit nuk është rreptësia (edhe e marrë) e rregullave, por përjashtimi nga rregulli; ose, siç do të thoshin autorë prej Schmitt-it tek Agamben-i, karakteristikë e sovranitetit nuk është vetëm vendosja e rregullave, por përjashtimi nga rregulli i gjithkujt që i leverdis sovranit.

Precedenti i dytë shkatërrimtar për jetën universitare ka të bëjë me kriteret e vlerësimit të punës. Kush pyet më tani për cilësinë e kërkimit shkencor, universalitetin kritik të qasjeve studimore, cilësinë e mësimdhënies dhe pedagogjinë emancipuese në marrëdhënie me studentët?! Puna shkencore dhe pedagogjike e ka shumë të vështirë të matet me kritere sasiore. Madje edhe nëse disa syresh janë të pashmangshme – si zhvillimi i një numri të caktuar orësh mësimi, pjesëmarrja në një numër aktivitetesh shkencore dhe botimi i punimeve shkencore -, vetëm dorëzimi përpara marrëzisë burokratike do t’i çonte ato deri në gjurmimin e lëvizjeve fizike të pedagogëve. Këta të fundit mjet pune kanë mendjen, lëndë të parë librat, metodë qasjen shkencore dhe vend pune botën mbarë. E përparësi në vlerësimin e tyre ka cilësia studimore dhe pedagogjike e bërë publike për gjithkënd dhe e gjykueshme nga trupa e universitarëve.

Mirëpo në Universitetin e Tiranës këto punë janë të tjetërbotshme, dhe rasti në fjalë shërben si simptomë e një problemi shumëpërmasor. Kam shkruar gjetiu se universitetet publike – ndryshe nga diplomoret private ku edhe ligjërisht sundon pronarprincipi – karakterizohen nga logjika dhe praktika ndërshtytëse ku forcave sunduese burokratike i kundërvihen forca kritike me efekte emancipuese. Indinjimi minimal ndaj persekutimit të p. Ferajt më shtrëngon të pranoj se megjithëse marrëdhënia ndërshtytëse ekziston, kundërpesha ndaj burokratizimit dhe privatizimit faktik të jetës universitare është edhe më e dobët nga ç’mendoja. Afërmendsh kjo nuk duhet të shërbejë si moralizim i përciptë që kërkon të ndajë heronjtë romantikë nga masa kokulur që bën llogaritë e mbijetesës. Pyetjet që duhen shtruar është se pse jemi katandisur kështu – në fakirë socialë siç do të na quante Sebastiano Timpanaro, cilat janë strukturat pushtetore dhe shoqërore që i prodhojnë këto efekte dhe me ç’forca shoqërore duhet të kërkojmë bashkëpunim për ta rithemeluar universitetin si vatër mendimi kritik e hulumtimi shkencor të shkëputur nga kolonizimi i tregut dhe i shtetit. Një pjesë e përgjigjeve gjenden në faktin se forma e organizimit të jetës universitare publike respekton parimet e demokracisë përfaqësuese dhe drejtpeshimit pushtetor, ndërsa përmbajtja e saj është një përzierje interesash sektare që disiplinohen herë pas here nga kryeinteresi i drejtuesve. Këtë situatë e prodhon në instancë të fundit çorganizimi i trupës pedagogjike deri në atomizim ku mimetizimi është kushti kryesor i mbijetesës. “Secili për vete se zoti s’të fal as edhe një pjatë supe asistenciale!” është motoja e këtij gjallimi.

Pikërisht mbizotërimi i kësaj praktike ka krijuar terrenin e favorshëm për privatizimin konceptual dhe praktik që qeveria po ndërmerr në jetën universitare publike. Sillni ndër mend se sa të paktë kanë qenë pedagogët që i janë kundërvënë publikisht reformës qeveritare që do ta kthejë universitetin publik në qendër tregtare kualifikimesh profesionale, duke zhdukur çfarëdo dimensioni reflektimi kritik! Po e njëjta situatë problematike e ndihmon ideologjikisht qeverinë që në emër të emergjencës të shtyjë përpara shkatërrime edhe më të mëdha. (Një ndërtese gjysmë të rrënuar mund t’ia vësh fadromën më lehtë. Për analogji – të ekzagjeruar qëllimisht -, nazistët s’mund t’i fitonin zgjedhjet e 1933-shit pa krizën ekonomike të 1929 dhe përçarjen e të majtës gjermane, e në emër të ripërtëritjes radikale të shkatërronin botën dhe në fund fare edhe Gjermaninë.) Reforma në fjalë, përveçse do ta kthejë trupën pedagogjike në sintetizuese të mësimdhënies dhe marketingut për të nxjerrë kostot që qeveria ka zgjedhur të mos i mbulojë duke iu përgjigjur kërkesave të diplomoreve private për fonde shtetërore, do t’i shtojë autoritarizmit të shefave (mbi të cilët nuk do të jetë më trupa universitare, por një këshill administrativ me shumicë kryeshefash qeveritarë) despotizmin e kërkesave të tregut i cili nuk pyet as për larmi fushash studimi, as për kohëzgjatje reflektimi kritik e studime jashtëtregtare: “Performo tregtarisht, ose zhduku!” pritet të jetë motoja e dytë e gjallimit.

Ç’të bëjmë në këtë derexhe ku goditjet vijnë nga brenda e jashtë, nga burokratë e qeveritarë, nga lobistë privatë dhe propagandistë të tyre? Ta varësh shpresën te intelektuali me “I” të madhe është iluzion që buron nga ideologjia e shoqërisë civile dhe vetëkënaqësia e përrallave që intelektualët i tregojnë njëri-tjetrit për të fituar kapital moral. (Historikisht intelektualët kanë qenë në masë shërbyes të qendrave të forta politike dhe ekonomike, e shembujt e Sokratit, Brunos, Spinozës, Marksit e Zolasë janë shkëlqimet që fshehin meskinitetin e ushtrisë së profesionistëve oportunistë, madje edhe të figurave të mëdha kolaboracioniste si Heidegger-i që s’e kishte gjë të pajtonte Qenien dhe kohën me denoncimin e kolegëve përpara autoriteteve naziste.) Po përpara se të jetë tradhti e intelektualëve empirikë ndaj idesë së intelektualitetit, kjo situatë është efekt i privatizimit, copëzimit dhe atomizimit të jetës universitare. Sidoqoftë universitarët janë më të shumtë sesa trupa pedagogjike, dhe së paku në universitetet publike po rritet një lëvizje mbresëlënëse studentore Për Universitetin – që e ka vënë në vështirësi qeverinë në përpjekjet për privatizim të jetës universitare dhe ka thyer hegjemoninë e saj ligjërimore – dhe nga e cila duhet marrë mësim dhe jo të shitet mend. Organizimi është ndërmjetësi i pazhdukshëm i kalimit nga izolimi individual kah kolektiviteti i hapur. Po që ndërmjetësi të funksionojë ekziston nevoja e një gjesti traumatik të kapërcimit të frikës themeltare. Na duhet t’i japim një grusht të fortë vetes si personazhi i Fight Club-it përpara shefit, duke tronditur kësisoj rrjetëzimin pushtetor dhe koordinatat e nënshtrimit. Një grusht i mirë vetes është zanafilla e një procesi të gjatë emancipues, ku vetëm shfaqja e kolektivit universitar do të mjaftonte për t’i nxjerrë tigrat politiko-shoqërorë ashtu siç janë – prej letre.

http://opolitike.org/analiza/si-mundenm/

LETËR PA FIRMËTARË PËR UNIVERSITETIN

 
REDI MUÇI, Gazeta Shqip, 3 nentor 2014.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/03/leter-pa-firmetare-per-universitetin/
“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit që panë zaptimin e Universitetit Politeknik të Tiranës nga studentë që kundërshtonin Vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e tarifave të studimit dhe mënyrën arbitrare me fuqi prapavepruese të vendosjes së kriterit të mesatares për regjistrimin në ciklin e dytë të studimeve, një grup pedagogësh nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave ndërmorën nismën e hartimit të një letre të hapur drejtuar Kryeministrit Rama. Në të evidentohen problemet kronike të fakultetit dhe pamjaftueshmëria e reformës së propozuar për zgjidhjen e tyre. Fatkeqësisht, kjo letër nuk gjeti mbështetjen e shumicës së pedagogëve të FGJM, të cilët e pritën këtë përpjekje me proverba që vinin në dukje donkishotizmin e saj, çka solli edhe tkurrjen e numrit fillestar të firmëtarëve në vetëm një. Vendosa gjithsesi ta publikoj këtë letër, duke kujtuar shprehjen e filozofit gjerman, Fridrih Shelling, se “njeriu ka lindur jo vetëm për të spekuluar, por edhe për të vepruar”, i bindur se donkishotizmi do t’i sjellë kauzës studentore më shumë sesa proverbializmi.
***
Duke ndjekur me vëmendje debatin mbi reformën e propozuar për arsimin e lartë kemi arritur në përfundimin se qeveria që ju drejtoni, ashtu si paraardhësja, nuk ka përparësi zgjidhjen e problemeve themelore dhe akute të universiteteve publike, e aq më pak mbështetjen financiare të tyre. Që këndej kuptojmë se e ka zanafillën edhe shprehja e përdorur shpesh nga qeveria juaj, si për reformat në shëndetësi, financë e energjetikë, se edhe në arsim reforma ka për të qenë “e dhimbshme.” Por ne pyesim: E dhimbshme për kë? Për ne si staf akademik? Për studentët tanë? Për familjet e tyre? Me termin “reformë” z. Kryeministër, ne kuptojmë zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat universitarët (studentë e pedagogë) përballen përditë. Prandaj dhe hasim në kundërthënie kur na sugjerohet se zgjidhja e këtyre problemeve do jetë e dhimbshme. Dhimbja që propozoni nuk është ajo e mjekut ndaj të sëmurit, por e helmit që jepet si melhem.
Ne përditë vërejmë rrënimin e ngadaltë të infrastrukturës së fakultetit tonë. Punojmë në një godinë e cila është harruar edhe nga koha prej shumë kohësh. Ecim nëpër korridore të errëta, të akullt në dimër e asfiksues nga vapa në verë. Në ato pak hapësira që na janë akorduar për të zhvilluar procesin e mësimdhënies, përballemi me dyndjen nga fluksi i madh i studentëve krejt të çorientuar dhe të pavetëdijshëm për arsyen  se pse ndodhen atje.
Studentët shihen vetëm si burim të ardhurash për arkat e fakultetit. Për pasojë çdo vit pranohen një numër shumë më i madh syresh nga ç’lejon kapaciteti i ambienteve të mësimdhënies dhe të gjithë studentët që hyjnë në dyert e fakultetit dalin prej tyre me të paktën një diplomë Bachelor, pasi kriteri i “përzgjedhjes në bazë të punës” nuk aplikohet.
Ka mungesë totale mekanizmash të kontrollit të cilësisë së punës së pedagogut. Herë pas here ka pretendime nën zë nga studentë për nepotizëm, vlerësim të njëanshëm, hakmarrje e deri mitëmarrje nga pedagogët. Këto pretendime të tilla mbesin, pa zë.
Tarifat e studimit rriten vit pas viti, pa ndonjë arsye të vlefshme. Kushtet dhe cilësia përkeqësohen po vit pas viti. Rasti më i fundit është dyfishimi i tarifës së shlyerjes së provimeve për studentët përsëritës. Rrogat e pedagogëve janë të pakrahasueshme me kolegët tanë të rajonit.
Përballemi me studentë të tjetërsuar, të përçudnuar karakterialisht në qenie inferiore të cilat na luten t’u vendosim notë kaluese për shkak të vështirësive ekonomike në familje. Studentë të cilët eksperiencën e viteve në universitet e përjetojnë si vuajtje e sakrificë ekonomike, që detyrohen të punojnë nga 8 orë në call-centre që të paguajnë studimet. Çfarë pretendimi për cilësi mund të kemi vallë ne si pedagogë nga këta të mjerë?!
Prandaj zgjidhja e gjithë këtyre problemeve traumatike, me pasoja për gjenerata, nuk ka sesi të jetë e dhimbshme. Propozimet tuaja, megjithatë, në reformën që na serviret nuk i prekin thuajse fare këto probleme. Përkundrazi, shpikin probleme të paqena për të thënë se po japin zgjidhje. Ne si pedagogë, e aq më pak studentët tanë, nuk ndihemi aspak të përfaqësuar nga komisioni i hartimit të reformës. Qëndrimi i kolegëve të pranishëm në Komisionin e Reformës, të ardhur nga fakultetet e universiteteve publike, nuk është i yni; natyrshëm, pasi mendimi ynë nuk u kërkua dhe konsultua për asnjë moment, nëse nuk konsiderojmë të tilla mbledhjet ku na u kërkua t’i ndërrojmë ndonjë presje draftit të hartuar. Qëndrimet tona janë shpeshherë krejt të kundërta me ato që shprehen në reformë. Nga ana tjetër mendojmë se pjesëmarrja e pedagogëve nga universitetet private fitimprurëse në Komisionin e Reformës përbën shkelje të hapur të interesit të universiteteve publike si bartëse të interesit më të gjerë publik. Këto janë disa nga parimet të cilat shkelen nga reforma që ju (apo komisioni) propozoni:
Financimi i universiteteve kurrsesi nuk duhet të jetë barrë e studentëve. Ajo duhet të jetë barrë e shoqërisë, e taksapaguesve – pra e shtetit. Shteti duhet të rrisë buxhetin për arsimin e lartë dhe gjithashtu kontrollin e menaxhimit të tij. Në një shoqëri që kërkon të ndjekë vlerat më emancipuese europiane, s’ka sesi të mos përbëjë përparësi arsimimi i subjekteve të saj dhe as nuk mund të shitet si argument për këtë arka e zbrazët e shtetit. Edhe sikur shteti të shpallte falimentin, bastioni i fundit të cilit duhej t’i pritej financimi është sektori i arsimit.
Universitetet duhet të jenë vatra të zhvillimit të arsyes, aftësive profesionale dhe mendimit kritik. Prandaj në themel të tyre nuk mundet në asnjë mënyrë të qëndrojë konkurrenca mes studentësh, pedagogësh, departamentesh etj., por bashkëpunimi, ndihma reciproke, vendimmarrja demokratike me bazë të gjerë, kontrolli profesional dhe transparent i cilësisë.
Zëri i studentit duhet të jetë faktor kushtetimor për mbarëvajtjen e proceseve brenda fakultetit dhe roli i tyre në vendimmarrje është e vetmja mënyrë për të siguruar transparencën dhe shmangien e abuzimeve si në marrëdhënie me pedagogët, ashtu edhe në strukturat drejtuese të universitetit. Nevojitet rikonceptim rrënjësor i Këshillave Studentorë dhe shtrirje më e gjerë e tyre në jetën universitare, në nxitjen e iniciativave dhe aktiviteteve kulturore e edukative brenda fakulteteve.
Universiteti nuk ka për detyrë parësore të zgjidhë problemet e tregut, kjo është detyra e shtetit. Nuk i përket universitetit roli i pararojës në zgjidhjen e problemit të papunësisë duke u kthyer në fabrikë prodhimi për tregun kaotik që ekziston në Shqipëri. Ndryshe nga ç’propozon reforma, nuk është universiteti ai që duhet të orientohet sipas kërkesave të tregut, i cili siç duket kudo në botë u nënshtrohet kapriçiove të bursave. Universitetit i takon të rimendojë kritikisht bazat e organizimit politiko-shoqëror e në bazë të tyre të sugjerojë politika zhvillimore të reja, të cilat vetëm në një moment të dytë mund të kenë efekte në sferën e punësimit. Është shteti ai i cili duhet t’u hapë dyert profesionistëve të rinj që dalin nga sallat e universitetit duke kushtëzuar punësimin e studentëve të shkëlqyer në kompanitë e huaja investitore apo koncesionare, pasi aktualisht këto kompani shfrytëzojnë thuajse të gjitha burimet energjetike e minerare të vendit.
Këto parime ne i vlerësojmë si shtyllat mbi të cilat duhet të mbështetet reforma e domosdoshme në arsimin e lartë. Një reformë gjithëpërfshirëse e ideuar dhe konceptuar mbi vullnetin e lirë të subjekteve që e përbëjnë universitetin – studentëve dhe pedagogëve. Reformë e cila do të ridimensionojë radikalisht strukturat dhe dinamikat brenda universitetit drejt cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, bazuar mbi parimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe meritokracisë. Por kjo kurrsesi nuk mund të ndodhë me braktisjen dhe heqjen dorë nga përgjegjësia nga ana e shtetit, duke ia lënë në dorë mbijetesën financiare të universiteteve publike tendencave të tregut. Kjo nuk mund të ndodhë as me buxhetin aktual që shteti u akordon universiteteve publike, e aq më pak me ndarjen e këtij buxheti me universitetet private (të kthyera formalisht në jofitimprurëse). Padyshim se ne e quajmë hap të domosdoshëm akreditimin dhe rankimin e fakulteteve, por kur ju (reforma) thoni se nga kjo do varen financimet që do vijnë nga shteti dhe se kjo procedurë do bazohet mbi kushtet aktuale të ambienteve universitare – të lëna pas dore prej dekadash – atëherë gara duket e pandershme që në nisje. Për më tepër, në vend se të nxitet ndjekja e ciklit të dytë të studimeve (Master) duhet të rishikohet në mënyrë kritike vlera e diplomës Bachelor në tregun e punës, si dhe aplikueshmëria e sistemit të Bolonjës.
Meqenëse reforma e propozuar mban mbi krye aureolën e termit “anglosaksone”, na lejoni t’ju kujtojmë se edhe Skocia është vend anglosakson, i cili ofron arsim publik falas për të gjithë skocezët. Këtë gjë e bën edhe Gjermania, Finlanda, Norvegjia etj. Në kushtet alarmante të analfabetizmit funksional në të cilat ndodhet vendi ynë, besojmë se arsimi i lartë duhet të jetë e drejtë e të gjithëve, jo vetëm e atyre që kanë mundësi ta blejnë dijen. Nëse universiteti i nënshtrohet tregut, atëherë dija kthehet në mall. Shqiptarët nuk e kanë luksin të kthehen në konsumatorë të dijes.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/03/leter-pa-firmetare-per-universitetin/