Friday, January 30, 2015

Pedagogë të UT komentojnë mbi projekt-ligjin e AL 2015

 

Ripunuar – 23.02.2015

Disa pedagogë të Universitetit të Tiranës janë shprehur në lidhje me projekt-ligjin e arsimit të lartë. Por vetëm dy kanë gjetur hapësirë në media: Dr. Mark Marku (Panorama) dhe Prof. Dr. Artan Fuga (paraqitur në Facebook, e më tej në disa portale).

1. Artan Fuga, “Projekti i Arsimit, pedagogu si lypsar dhe universiteti si konservë”

28 Janar 2015, Facebook

Nuk mund të thuash që brenda atij teksti nuk ka edhe gjëra racionale. Do të isha nihilist po ta thosha këtë, kurse unë dua të ndërtoj, jo të mohoj.

Por, më ka tronditur, habitur, çuditur sesi u kalua nga një ide për reforma që bazohej te tregu, ekstremisht te tregu, te një model tjetër që bazohet ekstremisht te kontrolli dhe organizimi shtetëror i arsimit të lartë.

Si lëkundet kështu reforma nga tregu tek shteti... brenda pak muajsh nga njera anë te tjetra.

Mirë për atë reformën e parë që s'u bë fare, reformisto-tarifistët na thoshin se kemi marrë modelin anglez (çelësin anglez), por për këtë modelin shtetist cilin model kanë marrë??? Më duket si model rus ose serb, gjithsesi sllav... Sllavët kanë këto modele lindore.

Krahas anëve të mira, thashë, ka edhe disa aspekte që nuk shkojnë fare. Mbi të gjitha nuk bind se do e nxjerrë arsimin universitar kombëtar, majën e kulturës kombëtare, nga degjenerimi dhe nga rënia ku e kanë katandisur zinxhirët e politikës dhe burokracisë. Nuk zgjidh problemin e bërjes të tij të dobishëm. Nuk zgjidh problemin e fallcitetit dhe zhvlefësimin e diplomave, nuk zgjidh papunësinë e të rinjve.

Me një fjalë vendos rregulla, por nuk arrin qëllime. Këtu është puna. Është si një tren qe pretendohet se ka gjithçka duhet për të ecur, por nuk vetëm një gjë nuk ka stacion.

E para, ndërton një burokraci shtetërore vertikale që kontrollon universitetet që si çdo burokraci e hedh në erë sistemin dhe e kthen në kazermë. Me dhjetra e dhjetra milionë lekë do t'i marrin buxhetit të shkollave të larta për të ushqyer këta nëpunës, gati pesë agjenci a gjashtë, plot me nëpunës, për kontroll. Secila një ministri më vete, çfarë do të bëjë dikasteri??? Sa ministrira do të kemi. Na morrën shpirtin dhe frymën me burokracira. Organizim vertikal që nuk sjell asnjë të mirë.

E dyta, kontrollin e cilësisë do ta bëjë shteti. Shteti? Nëpunësi??? Nepunësi do të kontrollojë cilësinë e punës të pedagogut? Mirë do të ishte por nuk e bën dot. E si do të vlerësohet veç cilësia e kërkimit shtetëror dhe veç cilësia e mësimit, kur s'ka mësimdhënie pa kërkim shkencor dhe anasjelltas. E bukur sikur një universitet të marrë dekoratë se ka bërë shkencë dhe të skualifikohet se nuk ka cilësi në mësim. Me këto norma edhe mund të ndodhi një absurditet i tillë.

E treta, projekt-ligji na jep një model klasik universitar si ai i viteve '50. Shumë klasik. Me dekanate, rektorate, me fakultete të ndara e veç e veç si kuti konservash, me lëndë e grupe lëndësh, ndërkohë që jetojmë në epokën e ndërdisiplinaritetit, e diplomave të dyfishta e trefishta, e dijeve të kryqëzuara e mësimit nëpërmjet stazheve, e programeve ‘’Erazmus’’ të mobilitetit. Jemi apo nuk jemi më në hapësirën e Kartës së Bolonjës! Me një hierarki profesionale të ngrirë. Vendin qendror duhet ta zerë profesori, jo nëpunësi, piramida duhet përmbysur e jo të jetë si ajo e një ushtrie në gjendje luftimi. Kush do e vlerësojë kualifikimin e profesoratit? Një komision prej tetë vetash në senat. Ku e kanë gjetur këtë model aman se po qe se e gjejnë diku jam gati të përulem deri në shtrirje në tokë (prosternim) për të kërkuar falje. Kjo është thëmbra e Akilit.

E katërta, nuk zhvillon veçse shumë shkarrazi liritë dhe të drejtat universitare, nuk përmend si duhet kompetencat financiare decentralizuese në arsim. Pedagogu duket si një lypsar me dorën e shtrirë drejt agjencive me nëpunës për të marrë ndonjë lek. Lëre sikurse është tani që jepen lekë për të ngrënë ndonjë drekë pjesëmarrësit, mish e oriz, e ndonjë bërxollë derri, shoqëruar me tollumba a me kadaif, por asnjë lek për autorët e kumtesave. Hani, mo, mos mendoni! Gjithkush vendoset në gjendje pasiviteti dhe nuk duhet të mendojë veçse si deritani, të botojë për veten e tij, të marrë grada, tê hajë mish e oriz, ai dhe fëmijët e tij, studentët le të ngopen me llafe boshe.

E pesta, rrënohen të drejtat studentore. Studenti në qendër të procesit mësimor, të marrë pjesë në administrimin e universiteteve, në ndërtimin e kurrikulës, me anë të lëndëve me zgjedhje, me të drejta për të vazhduar studime të kryqëzuara, të ndërprera, etj. Edhe shkolla doktorale është gati shprishur sepse hiqen të gjitha kompetencat për të ndërtuar bashkësi doktorantësh të organizuar. Pa bashkësi kërkuesish nuk ka shkencë as kërkim shkencor. Hajde merre vesh përse një lloj masteri është i nivelit të dytë, kurse një lloj tjetër masteri është i nivelit të tretë.

E gjashta, shumë pak rregulla dhe norma për universitetet private, a thua se shteti do të merret vetëm me universitetet shtetërore, sepse për natyrën publike të tyre, as bëhet fjalë, sa kohë edhe në borde do të vijnë nëpunës që do të kontrollojnë shumicën e vendimeve kryesore, edhe nga bashkitë do të vijnë (imagjinoni sikur bashkia e Korçës të ketë edhe kontrollin mbi universitetin e Korçës, a thua se është i saji, kushedi se çfarë mund t'i pjelli mendja), kurse privati është lënë i lirë të bëjë gati çfarë të dojë, si tigri në pyll, pa rregulla të brendshme dhe pa përgjegjësi sociale. Vetëm se shteti do të ketë në dorë ta shuajë apo ta ndezë ... Sus !

Kam dëshirë të shoh se çfarë do të bëjnë reformistët - tarifistë, pasi mbështetën shkollën liberale, si ndërmarrje domatesh, a do të mbështesin edhe modelin shtetist, si kazermë ? E bëjnë disa prej tyre sepse si servila që janë, ajo pjesë, nuk ka rëndësi përmbajtja e reformës, rëndësi ka vetëm të jesh në anën e qeverisë, se atëhere ha mish e oriz. Oriz ore, oriz. Pavarësisht se kjo nuk është as detyra e as nderi i intelektualit që ndërton me pozivitet, por në mënyrë kritike, e nuk bën kompromis për idealet dhe mendimet e tij.

Por, reformisto-tarifistët janë "çil" e "mbyll", rëndësi ka që të duken me pushtet, çfarë rëndësi që një herë në gjashtë muaj ndryshojnë si balonë tauke pozicionin e tyre!

 

2. MARK MARKU, “Nga ‘bordet anglosaksone’ tek komitetet ekzekutive”

Panorama, 30 Janar, 2015

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka dërguar këto ditët e fundit për diskutim në universitetet publike dhe private projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Gjëja e parë që të bie në sy ka të bëjë me faktin se ndërsa për draft- raportin dhe raportin për reformën në arsimin e lartë u ishte lënë një muaj në dispozicion trupës universitare dhe akademike për të dhënë mendime dhe sugjeruar ndryshime që e përmirësonin atë, për projektligjin koha në dispozicion është jashtëzakonisht e shkurtër: vetëm një javë. Shumë pak, pra po të kemi parasysh faktin se një projektligj është shumë herë më i rëndësishëm se një draft reforme dhe se diskutimi i një projektligji me grupet e interesit kërkon më shumë vëmendje dhe më shumë përgjegjësi.
Por, me gjithë kohën e shkurtër në dispozicion, ajo është e mjaftueshme për të vënë re se ky projektligj nuk ka asnjë lidhje, as me draft-raportin, as me raportin përfundimtar të reformës. E vetmja gjë e përbashkët është dëshira për kontroll total të universiteteve dhe trajtimin e tyre sikur të ishin institucione arsimore parauniversitare. Nëse drafti për reformën e konceptonte sistemin universitar në një formë krejtësisht liberale, i dyti e koncepton sistemin universitar në mënyrë krejtësisht etatiste. Të dyja konceptet janë shumë larg konceptit europian të universitetit publik, dhe projektligji i fundit është më afër konceptit që shteti komunist shqiptar kishte për sistemin universitar.
Pavarësisht zgjidhjeve që ofron projektligji, ai shtron disa probleme të arsimit të lartë, të cilat janë shqetësim i përditshëm i ambienteve universitare shqiptare, të tilla si: ndarja e aspektit financiar nga ai akademik, kontrolli i shtetit mbi financat publike të universiteteve, riorganizimi i sistemit të studimit me kohë të pjesshme, nevoja për të financuar kërkimin shkencor.
Problemi themelor i ligjit është se ai e gjen zgjidhjen për sistemin universitar jashtë sistemit universitar. Duke krijuar agjenci qeveritare, si Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe struktura të tjera të ngjashme me to, praktikisht universiteti publik humb të gjitha liritë akademike dhe autonominë financiare, sepse mes agjencive dhe universiteteve publike vendoset e njëjta marrëdhënie që ekziston mes drejtorive arsimore dhe institucioneve të tjera të arsimit parauniversitar. Madje agjencitë, në shumë raste janë konceptuar si seksionet e arsimit të komiteteve ekzekutive që përcaktonin edhe se kush duhet të shkojë në shkollë dhe kush nuk duhet të shkojë. Një strukturë e stërmadhe burokratike merr përsipër të gjitha atributet e trupës akademike, të cilët me këtë projektligj shndërrohen në mësues të thjeshtë. Si të mos mjaftonin këto struktura burokratike së jashtmi, brenda universitetit rolin kryesor e ka bordi i administrimit dhe administratorët, të cilët sipas ligjit kanë fuqi absolute vendimmarrëse duke i shndërruar të zgjedhurit në autoritete pa kurrfarë pushteti. Kur projektligji e shpreh qartë se “Organi më i lartë administrativ dhe përgjegjës për përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë është bordi i administrimit”, i takon që rektori, senati dhe organet e tjera të zgjedhura të kenë të njëjtin rol që kishte Kuvendi Popullor dhe kryetari i tij Haxhi Lleshi, në kohën e Partisë së Punës. Natyrisht është e nevojshme një ndarje më e qartë mes autoriteteve të zgjedhura akademike dhe autoriteteve administrative, pasi kjo shmang abuzimet dhe vendimet arbitrare, por jo një shkëputje e tillë.
Kështu, siç është konceptuar ky projektligj, ai vë në qendër të sistemit universitar burokratin, ndërkohë që në qendër të çdo sistemi universitar europian janë profesorati dhe studentët. Asambleja, (gjithë trupa akademike) nuk ka asnjë rol, përveçse të zgjedhë disa autoritete dhe këshilla, të cilat nuk kanë asnjë peshë në institucionet që përfaqësojnë. Edhe më pak të përfillur janë studentët, të cilët nuk kanë as përfaqësim, as status në universitetet publike shqiptare të këtij projektligji.
Me logjikë të thjeshtë, do të duhej që kjo logjikë etatiste e tejkaluar që reflekton ligji, të justifikohej me angazhimin financiar të shtetit në financimin e universiteteve, ku të përcaktohej me ligj mbështetja e tij financiare për veprimtarinë shkencore, ku të kishte mënyra motivuese financiare të karrierës dhe cilësisë në universitete. Paradoksalisht ndodh e kundërta: ndërkohë që universiteti publik shndërrohet në një strukturë rixhide burokratike e kontrolluar nga shteti, shteti heq dorë edhe nga granti i pakushtëzuar (për ata që nuk e dinë, është fondi i pagave për pedagogët).
Nëse do të vazhdonim me defektet e këtij projektligji, do të rendisnim defekte të panumërta dhe paradokse nga më të çuditshmet. Por, analiza e tyre është e panevojshme, pasi projektligji është i papranueshëm në thelbin e tij.

3. Artan Fuga, disa arsye perse ligji i ri për arsimin e lartë falimenton dhe fundos universitetin publik, Rama-Meta të ndalin forcën e kartonëve në Kuvend

Gazeta Sot, 23.02.2015

Artan Fuga: 7 arsyet pse ligji i ri për arsimin e lartë falimenton dhe fundos universitetin publik, Rama-Meta të ndalin forcën e kartonëve në Kuvend

Akademiku Artan Fuga, përmes një prononcimi për gazetën “Sot”, rendit disa prej arsyeve se përse ai kundërshton projektligjin e qeverisë për arsimin e lartë. Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë, deklaron se nëse miratohet ky pr/ligj, do të jetë një goditje për universitetet publike. Sipas tij, ligji në fjalë përveçse nuk është konsultuar më parë me grupet e interesit, nuk është hartuar as me asistencë të huaj. Madje, profesor Fuga deklaron se ai është në kundërshtim me Kushtetutën dhe shkel të drejtat e qytetarëve. Akademiku i bën thirrje edhe kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, që të mos përdorin forcën e kartonëve për kalimin e këtij ligji. Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte dhunë ndaj atyre personave që e kundërshtojnë hapur nismën. Fuga ka qenë i prerë në fjalën e tij, pasi thekson se me anë të këtij drafti arsimi i lartë në Shqipëri do të vihet nën pushtetin e qeverisë. Fuga thekson se pr/ligji për arsimin e lartë e kthen universitetin në një instrument propagande.  

Argumentet e Artan Fugës kundër ligjit të ri për arsimin e lartë

1. Nuk ka asistencë të huaj

Jam kritik dhe kundër projektligjit që po qarkullon lidhur me arsimin e lartë, sepse është i pamenduar dhe i pastudiuar fare. Është shumë i dëmshëm madje. Nuk na jep asnjë model konkret ku mbështetet, nuk ka asistencë të huaj dhe përbën një kapërcim krejt të kundërt me atë që u shpall gjoja si strategji nga një grup pedagogësh pranë ministrisë muaj më parë, pra hidhet nga një model liberal anglez në një model lindor, shtetit. Ka guxim më njeri ta quajë këtë projektligj si i ardhur nga një model anglez? Çfarë ironie dhe cinizmi! Merrni pra specialistë anglezë ta certifikojnë këtë lloj autoritarizmi universitar që politika do të fishkëllejë mbi kokat tona! Mos merrni shqiptarë që janë anglezë ose anglezë që janë shqiptarë! Me këtë ligj, bindja ime është se merr fund koncepti i universitetit publik që kthehet në Universitetin Shtetëror të Tiranës themeluar në vitet '50. Këto hedhje sa nga njëra anë në tjetrën dëshmojnë për mungesën e seriozitetit tê hartuesve që mbesin anonimë, për një çështje që ndofta ka të bëjë me fatet e kombit në shekullin në vazhdim. 

2. Ligji i hartuar pa diskutim publik

Dhe këtë çështje kaq serioze kërkojnë ta kalojnë pa diskutim, pa debat publik, brenda një jave a disa javësh. Guxim i madh dhe përgjegjësi e rëndë mbarëkombëtare. Unë e di që diktatura e kartonëve në Kuvend mund të kalojë këtë ligj ose çdo ligj tjetër, por kush nga deputetët, apo kryetari i Kuvendit zoti Iliri Meta, apo kryeministri zoti Edi Rama, ose Presidenti, zoti Bujar Nishani, do të mendonte qetësisht se legjislativi ka autoritetin dhe legjitimitetin moral që të bëjë të hyjë në fuqi me forcën e kartonëve një ligj kundër të cilit shprehen fort dhe me shqetësim qytetar dhe profesional organizma kapitalë për arsimin e lartë mbarëshqiptar si senati i Universitetit të Tiranës dhe këshillat e profesorëve të fakulteteve të tij, dhe jo vetëm! Mendoni se pas kësaj do të flitej për demokratizim të Kuvendit? A nuk do të ishte pikërisht kjo dhuna e ushtruar në Kuvend apo nga Kuvendi, për të cilën flitet aq shumë dhe janë marrë aq shumë angazhime ???     

3. Ligji në kundërshtim me të drejtat themelore qytetare

Pa i hyrë kritikave nen për nen, nen që duhet thënë se janë redaktuar në mënyrën më amatoreske të mundshme nga ana juridike dhe gramatikore, theksoj se në tërësinë e vet projektligji vjen në kundërshtim me të drejtat themelore qytetare dhe me Kushtetutën e Shqipërisë, sepse hapësirën e lirisë të shprehjes, më shumë akoma, hapësirën e mendimit dhe kërkimit shkencor, lirinë e edukimit, e vendos direkt në kontrollin e pushtetit, të administratës burokratike-partitokratike dhe politizon duke vendosur nën kontroll të vetmen hapësirë të lirë dhe autonome në Shqipëri që është ajo universitare. 

4. Thjeshtë restaurohen universitetet

Unë nuk e shoh çështjen aspak si thjesht tekniko-pedagogjike, as si çështje ca rregullimesh me pudër bërë nga hartuesit anonimë, që nuk marrin guximin qytetar të vijnë në debat publik në universitete, por si një dëmtim i rëndë i sistemit të lirive dhe të drejtave qytetare në Republikën e Shqipërisë. Unë shoh nga hartuesit një tentativë restaurimi të Universitetit Shtetëror të Tiranës të viteve ’80-të, nga i cili ka dalë shumica e klasës politike të sotme. Është një proces restaurues. Ne kalojmë me rrezik një fazë restaurimi me këtë tekst që na paraqitet. Unë nuk mund ta imagjinoj se kryeministri i vendit, zoti Edi Rama, liberalizmin e shëndoshë të të cilit e kam njohur mirë kur ai ishte pjesë e arsimit të lartë, do ta pranojë pa e flakur tej duke u ngritur në këmbë me shqetësim këtë projekt-ligj që nuk dëmton vetëm kombin, por edhe vetë qeverinë, vetë atë. 

5. Nuk adreson problemet e arsimit

Nga ana tjetër, unë jam nga ata pedagogë që mendoj se gjendja e arsimit të lartë është në degjenerim e sipër dhe ka akumuluar shumë probleme për të cilat kam vite që flas. Sepse politika dhe burokracia nuk na lejon të veprojmë. Na pengojnë duke na vendosur pengesa politiko-administrative. Edhe një revistë universitare sot po të botosh, ligjet në fuqi na detyrojnë të shkruajmë artikujt dhe t'i bëjmë studimet në funksion të çmimit mizerabël të tenderit të fituar nuk e di se ku e nga kush, dhe jo të jepet buxheti në funksion të trajtimit shkencor të çështjes. Është njësoj si të shkosh në një restorant dhe të zgjedhësh gjellët duke parë vetëm kolonën çmime pa parë se çfarë ha. Kjo është gjendja, skandaloze. Pedagogët janë të pakënaqur, studentët po ashtu, familjet e shqetësuara. E si përgjigje ne kemi vetëm disa dalje mediatike dhe propagande boshe të personave që duhet ta shohin çështjen me përgjegjësi qytetare personale. Përgjegjësia është aty, nuk mund ta heqësh si pallto të vjetër dhe ta zhdukësh. 

6. Fundos cilësinë e arsimit

Por, dalja e universiteteve shqiptare nga kjo gjendje nuk bëhet dot me metoda menaxheriale të një stalinizmi latent, të një putinizmi lindor, sepse atë që mendon se nuk e bëjnë dot profesorët mos shpreso se do ta bëjnë nëpunësit e agjencive dhe bordeve shtetërore, politiko-administrative, me logjikë vertikale dhe perandorake. Ky ligj përfundimisht do ta vinte në gjumë demokratizimin e arsimit shqiptar, do ta fundoste përfundimisht cilësinë e tij dhe do ta kthente universitetin në një altoparlant propagande. Cilësia e mësimit dhe e kërkimit shkencor do të matej me përputhshmërinë e saj me programet politike të partive në pushtet që emërojnë nëpunësit jo të një ministrie a gjysmë ministrie që është sot, por të nja pesë a gjashtë ministriçkave të vogla, tentakula, thithëse, që supozohet se do të krijohen nesër. 

7. Defekte të mëdha procedurale

E thashë edhe njëherë, nuk e shoh si çështje teknike, sikurse e ka parë senati i Universitetit të Tiranës, por si çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat politike të qytetarit. Për të mos thënë se edhe nga ana proceduriale ky projektligj është i parecevueshëm nga Kryesia e Kuvendit sepse në procesin e paraqitjes së tij që tani ka defekte madhore proceduriale, ai nuk është konsultuar paraprakisht me aktorët e fushës, me qendrat e interesit, ne jemi ndodhur nën presione, të kohës, nën sharje e akuza nga ana e grupit të gatshëm të pedagogëve të mobilizuar, me presione të ndryshme administrative, me presione mediatike dhe me pengesa që vijnë nga shërbyesit tanë, punonjësit e lartë civil. Ky është konsultimi me aktorët e interesit??? T'i mbash ata nën presion psikologjik dhe administrativ permanent? Ja përse jam kundër dëshirës për pozitivitet, tërësisht kritik ndaj projekt-ligjit në fjalë: Universitetet vihen nën komandën e partisë në pushtet. Edhe për sot edhe për mot!

- See more at: http://www.sot.com.al/politike-intervista/artan-fuga-7-arsyet-pse-ligji-i-ri-p%C3%ABr-arsimin-e-lart%C3%AB-falimenton-dhe-fundos#sthash.lj4IasBa.dpuf

0 comments:

Post a Comment