Showing posts with label Diploma. Show all posts
Showing posts with label Diploma. Show all posts

Wednesday, April 16, 2014

Shitje-Diplomash-Tetove


Në Shqipëri ka shumë të diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sidomos në mësuesi dhe studentë në zonat e Shqipërisë Veri-lindore.

Në vitin 2013 u njohën rreth 1700 diploma universitetesh të huaja nga Ministria e Arsimit. Nga këto me siguri prej 100-200 kanë qenë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Gjithashtu nga Maqedonia vinë edhe diploma nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës. Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës nuk ka ndërmarrë ende ndonjë verifikim mbi këto diploma pas lajmit nga Balkan Investigative Reporting Network.

Sipas procedurave të shpallura në faqen e Ministrisë së Arsimit  dokumentet pranohen të legalizuara, por duke njohur sesi funksionojne disa prej nëpunësve atje, nuk është çudi që diplomat e mbërritura në Shqipëri të jenë falso. Sidoqoftë kjo kërkon bashkëpunimin e institucioneve dhe nëpunësit e ministrisë nuk mund të hetojnë çdo rast. Problemi tjetër është politik, pasi USHT mund të stigmatizohet si institucion joserioz dhe në Maqedoni mund ti sjellë probleme shqiptarëvë etnikë të punësohen në administratë etj.

Artikulli më poshtë mbi diplomat falso në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Balkan Investigative Reporting Network, 23 Mars, 2014

MAQEDONI–Në Maqedoni vazhdojnë të përdoren diplomat e falsifikuara që janë lëshuar në përdorim pa u vënë re nga institucionet.

Rrjeti Ballkanik për Raportime Investiguese BIRN (Balkan Investigative Reporting Network), përshkruan në detaje këtë dukuri, ku si shembull trajtohet një hulumtim mbi USHT. 
Diplomat e falsifikuara të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) mësohet të jenë shitur me shumicë në fshatin Sellcë të Tetovës. Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme në një nga shtëpitë e këtij fshati zbuloi një bazë, në të cilën janë përgatitur diplomat falso.
Një banor i fshatit, i moshës 30-vjeçe, në bodrumin e objektit ka përgatitur vërtetimet e fakulteteve dhe të njëjtat ua ka shitur shtetasve italianë. Pjesa më e madhe e diplomave kanë mbajtur logon e Fakultetit të shkencave mjekësore pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Pas përgatitjes së diplomave, firmosje dhe vulosjes së tyre, falsifikuesi i ka çuar të njëjtat në zyra përkthimi të autorizuara, ndërsa përkthimet i ka vërtetuar në noter. Në këtë mënyrë ai ka arritur të lëshojë në përdorim gjashtë vërtetime. Problemet e këtij personi lindën me 16 vërtetimet e radhës. Noteri përkatës ka dyshuar në origjinalitetin e dokumenteve dhe ka denoncuar rastin në polici.
Në bazën e falsifikuesit policia arriti të gjej fotografi të personave të ndryshëm me banim në Itali, dokumente për t’u dërguar në Kroaci dhe dy fletore me emrat e “akademikëve”, “të diplomuarve” dhe “mjekëve potencial”.

Hetimet e këtij rasti duhet të vërtetojnë nëse banori i fshatit Sellcë ka zhvilluar vetë biznesin apo në skemën e falsifikimit janë përfshirë edhe individë të tjerë.

“Hetimet e rastit janë duke vazhduar. Zbulimi i rastit bëri të mundur arrestimin e disa personave dhe marrjen e masave dhe veprimeve plotësuese për të siguruar provat e nevojshme lidhur me të gjitha diplomat dhe dokumentet që janë përgatitur ilegalisht dhe falsifikuar, por edhe me gjetjen e të gjithë personave që kanë keqpërdorur dokumentet e falsifikuara”, tha për BIRN zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, megjithëse paralajmëroi kontrolle më të rrepta në institucionet e arsimit të lartë, nuk është shqetësuar shumë me rastin e fundit që u zbulua në fshatin Sellcë sepse sipas tij nuk bëhet fjalë për krim të organizuar, ndërsa cilësia e dokumenteve të falsifikuara ka qenë shumë e dobët.

“Rastin e fundit do ta kisha cilësuar si një budallallëk të personit që ka tentuar të përgatisë dokumentet false. Në rastin konkret u falsifikuan diploma të Fakultetit të shkencave mjekësore, fakultet ky i cili asnjëherë nuk ka lëshuar diploma sepse studimet e mjekësisë janë aktive rreth 3 vjet, që tregon qartë naivitetin e personit në fjalë. Gjithashtu, falsifikimi i dokumenteve mund të vërehej shumë lehtë sepse për përgatitjen e tyre ishte përdorur një vulë e vjetër”, tha Ristovski për BIRN.

BIRN kërkoi përgjigje nga Universiteti Shtetëror i Tetovës për të gjitha rastet e falsifikimit të dokumenteve që janë zbuluar deri më tani, për mënyrën me të cilën universiteti ballafaqohet me këtë lloj krimi dhe për hetimet e rastit të fundit që u zbulua në fshatin Sellcë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme verifikon nëse formularët në të cilët janë shtypur diplomat janë origjinalë ose bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara nga ana e banorit të fshatit Sellcë. Vërtetimi i supozimit të parë do të thotë që në biznesin ilegal janë involvuar strukturat e Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Njëkohësisht, ky rast është duke u hetuar edhe nga ana e policisë italiane, e cila përpiqet të zbulojë personat që kanë blerë diploma të falsifikuara të përgatitura në fshatin Sellcë dhe të pengojë legalizimin e këtyre diplomave në sistemin italian.

Maqedonia për herë të parë u ballafaqua seriozisht me problemin e diplomave të falsifikuara gjatë periudhës së viteve 2000–2001. Gjatë këtyre viteve u zbuluan shumë diploma të falsifikuara nga Bullgaria, por edhe nga Kosova. Pjesa më e madhe e këtyre diplomave u zbuluan në Fakultetin Ekonomik në Shkup, në të cilin dokumentet e falsifikuara pritën nostrifikimin. Më vonë u vërtetua se “studentët e diplomuar” në Bullgari jo vetëm që nuk kishin mbaruar fakultetin përkatës, por ato as që kanë qenë të regjistruar në fakultet.

Shitje-diplomash-Kristal


Marrë nga: https://peizazhe.com/2012/05/03/diplome-per-troften/, Pishak Zhgaba, 3 Maj 2012



https://xhaxhai.files.wordpress.com/2012/05/diploma-renzo-bossi.jpg

Vetëm sot u bë e njohur se Renzo Bossi qenka diplomuar në Shqipëri, në universitetin “Kristal”, në Fakultetin Administrim Biznes. Sipas prokurorive të Napolit e Milanos, ekziston dyshimi se kjo diplomë është paguar me fondet e partisë “Lega Nord”.
Ky lajm, për t’u kuptuar, por edhe për të parë ndërlikimet me Shqipërinë, duhet detyrimisht kontekstualizuar. Së pari duhet kujtuar se djali i Bossi-t përflitet për injorancën e vet gati në mënyrë proverbiale, pavarësisht nga karriera politike që ka bërë nën ombrellën e të atit. Vetë nofka “Trota” (Trofta) iu ngjit prej babait të vet. Bossi junior nuk e mori dot maturën menjëherë, iu desh ta përsëriste tri herë, madje duke akuzuar profesorët se nuk i kishin dhënë hakun meqë ishin me origjinë nga jugu i Italisë.
Së dyti, duhet shënuar se akuzat për keqpërdorim të fondeve partiake kanë ardhur si brenda Lidhjes, ashtu edhe nga organet gjyqësore. Shtypi ka kohë që flet për disa investime të çuditshme të firmosura nga përgjegjësi administrativ i “Lega Nord”. Një nga këto bëri bujë sepse u krye në Tanzaninë e largët, ku u investuan disa milionë euro të partisë.
Së treti, nuk duhet harruar përshoqërimi i emrit të Renzo Bossi-t me arsimin universitar perceptohet nga opinioni publik si i pamundur, si i pabesueshëm, si “kundër natyrës”, si oksimoron. Nga ana tjetër, kur u fol për investimet në Afrikë, shumëkush u tall me këtë lloj zgjedhjeje bizare, kryer nga një parti të njohur për ksenofobinë, provincializmin dhe reagimet e saj kundër imigrantëve.
Lakimi i Shqipërisë në këtë kuadër, sa të lëvizshëm aq edhe problematik, nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Nuk tingëllon mirë, as për imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë, as për sistemin universitar shqiptar. Këtu nuk e kam fjalën për mjediset shqiptare, të cilat e njohin sistemin arsimor të Shqipërisë, me të mirat e të metat e veta. Këtu është fjala për imazhin që i jepet opinionit publik ndërkombëtar, i cili vetëm sa i shtron palë palë paragjykimet e veta për Shqipërinë, të cilat jo gjithnjë janë të çminueshme, sidomos kur embrioni ofrohet nga vetë realiteti shqiptar.