Friday, December 11, 2015

Studentet - Qeveria Rama po i ‘thellon’ politikat neoliberale në Shqipëri

BIRN, 11 Dhjetor 2015

 Besar Likmeta

http://www.reporter.al/qeveria-rama-po-i-thellon-politikat-neoliberale-ne-shqiperi/

Aktivistët e Lëvizjes për Universitetin mendojnë se qeveria e qendrës së majtë e Kryeministrit Edi Rama po thellon politikat neoliberale të iniciuara nga paraardhësi i tij, nga reforma e arsimi i lartë e deri tek ajo në shëndetësi.

Ditën e premte në sallën 324, në katin e tretë të Fakultetit të Filologjisë në Universitetit të Tiranës,  aktivistë, studentë dhe pedagogë u mblodhën për të diskutuar mbi reformat “neoliberale dhe tregtarizimit agresiv,” që sipas tyre po i nënshtrohet arsimi i lartë në rajonin e Ballkani.

Të thirrur në një forum rajonal nga Lëvizja për Universitetin, e cila gjatë vitit që po mbyllet udhëhoqi në Tiranë rezistencën studentore kundër Reformës së Arsimit të Lartë, të pranishëm në auditor për të shkëmbyer eksperienca dhe për të ngritur ura solidariteti ndërmjet tyre ishin aktivistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Serbia dhe Greqia.

Ndërkohë që diskutohej fryma neoliberale dhe përdorimi i fondeve publik për financimin e universiteteve private, një grup studentësh nga Fakulteti i Gjeologji Minierave po protestonin kundër vendimit të qeverisë për ta transformuar godinën ku ky fakultet strehohet në shtëpinë e re të Gjykatës së Lartë.

Sipas pedagogut të Shkencave Politike Arlind Qorri, i cili bëri një prezantim teorik mbi ristrukturimin neoliberal të ekonomisë dhe transformim neoliberal të arsimit, ligji i ri i Arsimit të Lartë në Shqipëri është një proces me anë të së cilës qeveria e qendrës së majtë e udhëhequr nga Kryeministri Rama po thellon reformat neoliberale të iniciuara nga paraardhësi i tij Demokrat Sali Berisha.

“Qeveria socialiste, pavarësisht retorikës, është një qeveri më neoliberale me politika më të djathta se qeveria e shkuar, sepse po kryen dhe po çon deri në fund reforma që qeveria shkuar ose i ka nisur dhe nuk i ka çuar deri në fund, ose që nuk ishin nisur akoma,” tha Qorri për BIRN gjatë një pushimi gjatë konferencës.

“Rasti konkret është rasti i reformës së arsimit të lartë që nënkupton financimin e universiteteve private dhe komercializimin e universitete publike. Reforma e pritshme në shëndetësi … do të ketë të njëjtën logjikë dhe frymë si reforma në arsimin e lartë, pra fondet publike do u shpërndahen në mënyrë konkurruese të gjitha spitaleve publike dhe private, dhe në këtë kuptim kjo qeveri është edhe më neoliberale se sa e shkuara,” shtoi ai.

Neoliberalizmi, ose liberalizmi i ri është një filozofi ekonomike që promovon privatizimin dhe ndërhyrje minimale të qeverisë në ekonomi. Sipas Qorrit arsimi i lartë është një nga kufijtë e fundit të procesit në neoliberalizmit i cili nënkupton “privatizimin, tjetërsimin e pronës publike apo shndërrimin në mall të shërbimeve publike.”

Ai nënvizoi që ekspansioni i kësaj filozofie në fushën e arsimit të lartë në Shqipëri ka qenë i lehtë, i cili filloi në vitin 1999 me lejimin me ligj të universiteteve private fitimprurëse, sepse në thelb ky treg nuk ishte konkurrues me tregje të huaja.”

Sipas tij reforma e Arsimit të Lartë e aprovuar nga qeveria në Korrik të këtij vit është thjesht çuarja përpara e një procesi të filluar nga qeveritë e mëparshme për ta transformuar arsimin e lartë në një mall.

Qorri beson që rritja dhe ekspansioni i frymës neoliberale në fusha të tjera të aktivitetit shoqëror, po krijon një lloj ostracizmi ose përjashtimi social të një numri gjithnjë e më të madh njerëzish.

“Ka një shtrirje të përjashtimit edhe në njerëz që kanë qenë pjesë e shtresave shoqërore të papërjashtuara dhe një intensifikim i përjashtimit për ata që kanë qenë tashmë të përjashtuar,” ai tha.

“Kjo vihet re me atë që po bëhet me energjetikën apo me tatimet; njerëzit që janë në zgrip të ekzistencës, me një këmbë në shtresën e mesme dhe një këmbë te të varfrit, këta po zhyten në varfëri ashtu si të varfrit po bëhen akoma më të varfër,” shtoi Qorri.

Në këtë kontekst profesori aktivist i shkencave politike beson që në Shqipëri ka më shumë se kurrë nevojë për një lëvizje shoqërore të gjëra që t’i përgjigjet politikave neoliberale që po krijojë çdo ditë e më shumë dëshpërim social. Ai ka shpresë që një lëvizje e tillë mund të nisë nga rinia studentore.

“Kam më shumë shpresë te studentët se sa tek punëtorët… ata mund të kenë vullnetin ose kanë një minimum hapësire lirie për tu angazhuar në lëvizje të gjëra shoqërore dhe për tu dhënë shembull shtresave të tjera,” përfundoi ai.

http://www.reporter.al/qeveria-rama-po-i-thellon-politikat-neoliberale-ne-shqiperi/

0 comments:

Post a Comment