Sunday, December 6, 2015

UNIVERSITETI SI PASQYRË E SHOQËRISË

 

Redi Muçi, Gazeta Shqip. Dt. 6 Dhjetor 2015

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/12/06/universiteti-si-pasqyre-e-shoqerise/

Mos shko i heshtur në gjirin e natës,
Revoltohu, revoltohu kundër vdekjes së dritës.
– Dylan Thomas

[…]

Ç’është Lëvizja për Universitetin: një përpjekje për organizim që synon transformimin e hapësirës universitare nga ata që e banojnë universitetin, studentët dhe pedagogët. Ne organizohemi që të rezistojmë kundër degjenerimit që i ka sjellë universitetit vargani i drejtuesve-militantë, po aq të korruptuar sa edhe udhëheqësit e tyre në parlament e ministri. Për të kundërshtuar një reformë të hartuar për interesat e oligarkëve të diplomoreve private, të cilët e kanë kapur nëpërmjet interesave ekonomike Kryeministrin e vendit ashtu siç bënë me paraardhësin e tij. Për të kundërshtuar një reformë, e cila i shumëfishon problemet aktuale të universitetit si partiakëzimi i drejtuesve të universitetit, rritja e tarifave studimore, të cilat ende pa hyrë në fuqi ligji i ri janë të papërballueshme, për pasojë përjashtimi i studentëve me të ardhura familjare modeste, tregtarizimi i dijes dhe i marrëdhënieve pedagog-student, përjashtimi i studentëve nga vendimmarrja në universitet megjithëse përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të çdo fakulteti. Për më tepër, reforma synon t’i ngarkojë me borxhe studentore supet e të diplomuarve – borxhe që do të duhet t’i shlyejnë duke komunikuar në kufjet e call centre-it me përtejdetin. Lëvizja për Universitetin synon që përmes organizimit dhe angazhimit të përditshëm brenda universitetit të farkëtojë një subjekt të ri studenti dhe pedagogu. Të hedhë tutje prototipin e pedagogut-patriark që dijen e ngurtëson brenda një teksti të padeshifrueshëm me të cilin shantazhon studentët. Të hedhë tutje prototipin e studentit të heshtur e të mekur brenda universitetit që raportin me dijen e përcakton vetëm nëpërmjet shtënies në dorë të një kartoni diplome. Të kundërshtojë me të gjitha forcat raportin tregtar-klient që synon të ngrejë ligji i ri për arsimin, për të rithemeluar një raport barazimtar bashkëpunimi student-pedagog të ngritur mbi qëllimin e përbashkët: dijësimin e dyanshëm. Përpjekja universitare sot është përpjekja e punëtorëve dhe të papunëve nesër për t’i bërë ballë viktimizimit sistemor. Rezistenca e studentëve dhe pedagogëve sot është alternativa ndaj rrugës së emigracionit nesër.

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/12/06/universiteti-si-pasqyre-e-shoqerise/

0 comments:

Post a Comment