Monday, October 13, 2014

Zyhdiu rrëfen

 

Zyhdi Dervishi, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale rrëfen në një libër të fundit mbi kërkimin shkencor në vitet e regjimit totalitar.

image

Gazeta Panorama, dt. 13 Dhjetor 2013.

Pjesë nga libri (lutemi që kush ka mundësi të vendosë në dispozicion të blogut një kopje digjitale të veprës, të kontaktojë në arsimishqiptar@gmail.com)


“Janë shoshitur mijëra e mijëra fakte, të dukshme dhe të padukshme, nga jeta e përditshme e shqiptarëve në rrjedhën e disa viteve, dhjetëvjeçarëve e shekujve, që dëshmojnë disa prirje kryesore vetëzhvilluese të kulturës shqiptare, si mungesa e ndjenjës së hierarkisë, mungesa e ndjenjës së realitetit, prirja konservative etj.”.

Marrëzia për të pajisur me të tilla edhe punonjës me klasë fillore apo shtatëvjeçare dhe përfshirja e tyre në Akademinë e Shkencave. Në vitin 1968, sipas një udhëzimi të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, u organizua një diskutim i gjerë për format e organizimit të punës kërkimore-shkencore, eksperimentale dhe për gradat e titujt shkencorë. Përcollën me shkrim në zyrën përkatëse të Këshillit të Ministrave rezultatet e diskutimeve mendimet e propozimet e tyre Ministria e Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Tregtisë, Ministria e Transportit, Ministria e Arsimit, Ministria e Komunikacionit, etj. Në këto diskutime vihet re një kuptim fare i thjeshtëzuar për punën kërkimore-shkencore, për shkencën dhe shkencëtarët e vërtetë.


Në diskutime të tilla mbizotëron ideja se edhe njerëzit që dallohen për shkathtësi praktike në zgjidhjen e problemeve të thjeshta të organizimit e prodhimit në fushën e bujqësisë, të industrisë etj., të trajtohen si punonjës shkencorë, të cilët meritojnë edhe grada e tituj shkencorë sikurse pedagogët e shkollave të larta dhe punonjësit kërkimorë të instituteve shkencorë. Në shkresën përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë për këtë çështje, pasi kritikohet praktika e dhënies së gradave dhe titujve shkencorë vetëm për specialistët me arsim të lartë që punojnë si pedagogë në shkollat e larta dhe studiues në institucionet kërkimore-shkencore, theksohet: “Me eksperimentimin shkencor masiv që ka shpërthyer në kooperativat bujqësore dhe në ndërmarrjet e bujqësisë kanë dalë ekperimentatorë të talentuar, eksperimentet e të cilëve jo vetëm kanë vlerë eksperimentale, por e kanë çuar dhe e çojnë përpara prodhimin. Këta eksperimentatorë nuk janë vetëm specialistë të lartë, por edhe të mesme, mjeshtër, brigadierë dhe shumica e tyre janë punonjës të thjeshtë. Prandaj dhënia e titujve shkencorë duhet të shtrihet edhe në sferën e punonjësve të prodhimit. Në radhë të parë njerëzve të prodhimit u duhet dhënë titulli “Bashkëpunëtor tekniko-shkencor”. Dhënia e këtij titulli të jetë në bazë të punës kërkimore që ai ka bërë, në bazë të referimeve që ai ka bërë për disa vjet në sesionet shkencore… eksperimentatorëve më të talentuar të prodhimit t’u jepen edhe titujt “Bashkëpunëtor shkencor i ri”, “Bashkëpunëtor shkencor i vjetër” e me radhë, pa bërë asnjë dallim nga dhënia e titujve të instituteve kërkimore ose të institucioneve të tjerë” (AQSH, F.890, v.1968)
Sipas këtij dokumenti, titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, që u akordohej punonjësve të instituteve kërkimore-shkencore dhe ishte i barasvlershëm me titullin “Docent” që u akordohej edhe punonjësve me arsim fillor ose shtatëvjeçar, të cilët në sajë të intuitës e të shkathtësive praktike kishin zgjidhur probleme të thjeshta të prodhimit dhe sidomos të organizimit të prodhimit, që kishin të bënin me veçori në zona të caktuara të vendit. Mendësi të tilla të zyrtarizuara në shumë dokumente të atyre viteve, në thelb shprehnin nënvleftësim, shpërfillje të hierarkisë në fushën e shkencës, sepse njerëzit e shquar për veprimtari praktike, që nuk kishin lidhje me kërkimin shkencor të mirëfilltë trajtoheshin si shkencëtarë.

Përgjatë viteve të të ashtuquajturit Revolucion i Madh Proletar Kinez dhe sidomos pas ndërprerjes (1978) së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, në shoqërinë shqiptare artikulohej gjithnjë e më dendur termi “kinezëri”. Me këtë term karakterizoheshin me humor, me ironi e deri në sarkazëm modele sjelljeje, veprime e mendësi vulgare, të çuditshme, ekscentrike deri në absurd, që nuk kishin asgjë të përbashkët me traditat kulturore shqiptare dhe europiane. Në fushën e veprimtarisë kërkimore shkencore u shfaqën dukuri të kësaj natyre që tejkalonin çdo kinezëri, sidomos në vitet e ashpërsimit të luftës së klasave “kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste”. Të tillë kanë qenë edhe vitet 1973-1981. Për të ilustruar këtë ide, mjafton t’i referohemi një raporti “Mbi punën e kryer nga grupi i posaçëm për luftën kundër burokratizimit” në sistemin e Akademisë së Shkencave, të hartuar në gjysmën e parë të vitit 1975. Pasi flitet për pakësimin e numrit të punonjësve me 19,2% (nga 715 në 578), për shtimin e numrit dhe të peshës specifike të punonjësve shkencorë që do të qarkullonin, në këtë raport theksohet domosdoshmëria e përçimit të frymës revolucionare të klasës punëtore ndër punonjësit e Akademisë së Shkencave edhe përmes përfshirjes së punëtorëve në strukturat drejtuese të saj të të gjitha niveleve: “Grupi i punës mendon që në forumet drejtuese të Akademisë të ketë edhe punëtorë të ardhur direkt nga prodhimi. Kështu mendohet që në përbërjen e Asamblesë, përveç anëtarëve edhe anëtareve korrespondentë të Akademisë, të bëjnë pjesë me të drejtë të plotë vote edhe një numër i caktuar punëtorësh të prodhimit. Disa prej tyre mendohet të zgjidhen si anëtarë të Presidiumit. Në seksione të zgjerohet pjesëmarrja e punëtorëve dhe, si këta, ashtu edhe anëtarët e tjerë të jashtëm të kenë të drejtë të plotë vote. Në aparatin e Akademisë duhet të ketë punëtorë. Kryesia dhe organizatat bazë të Partisë kanë propozuar që drejtori i Drejtorisë Ekonomike, Kryetari i Degës së Kuadrit dhe ekonomisti për furnizim të zëvendësohen me punëtorë. Mendohet që në institutet shkencore të ketë punëtorë, sidomos në organizmat administrative” (AQSH, F. 1008, v. 1975, D. 55, f. 47-48).

Lutemi që kush ka mundësi të vendosë në dispozicion të blogut një kopje digjitale të veprës, të kontaktojë në arsimishqiptar@gmail.com

0 comments:

Post a Comment