Wednesday, October 29, 2014

Studentet ne protesta


27.10.2014


Studentët e Universitetit të Tiranës dhe të Universitetit Politeknik të Tiranës përshkallëzuan protestat e tyre gjatë ditës së hënë (27 tetor 2014) duke i kërkuar qeverisë të tërhiqet nga disa vendime të vlefshme për këtë vit akademik, përfshirë vendimin për rritjen e çmimit të vitit akademik për nivelin master në universitetet publike si dhe uljen e kuotave të pranimit në nivelin master.
Të organizuar nga lëvizja Për Universitetin përmes rrjeteve sociale si dhe nga një nismë e quajtur Pushto Universitetin, studentët patën bllokuar hyrjen e fakultetit të Inxhinjerisë së Ndërtimit ditën e premte ndërsa bllokuan hyrjen e Universitetit Politeknik të njohur si Korpusi Qëndror në Tiranë.
Studentët kritikojnë disa vendime të qeverisë, të cilat i konsiderojnë si të paparalajmëruara dhe të padrejta. Rritja e tarifave të studimeve për nivelin master si dhe rregulli i qeverisë për pagesën e 30 për qind të kësaj tarife në çastin e regjistrimit, por edhe vendosja e një kriteri për mesataren në notën 6 si kusht skualifikues për studimet master.
“Ne kemi tre kërkesa urgjente që lidhen me një Vendim të Këshillit të Ministrave të dalë më datë 15 tetor 2014: Heqjen e mesatares 6 si kusht, heqjen e pagesës 30 për qind të tarifës së studimit që në fillim të vitit akademik dhe heqjen e tarifës për provimet e mbartura”, njoftuan krerët e lëvizjes gjatë protestës së të hënës.
Disa studentë thonë se rritja e tarifave të studimeve master në universitetet publike është një masë e pabazuar në logjikë ekonomike ndërsa vendosja e kuotave të studimit për universitetet publike apo e vendosjes së kriterit të mesatares konsiderohet si vendim në favor të universiteteve private, të cilat ofrojnë të njëjtat kurse por nuk kanë kufizime në kuotat e pranimit apo në mesataren e notave të studentit.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi më herët se i mbështet protestat e studentëve duke argumentuar se masat e qeverisë synojnë ta bëjnë universitetin  një mollë të ndaluar për të varfrit në Shqipëri. Por lëvizja Për Universitetin e hodhi poshtë këtë ndërhyrje duke e konsideruar si tentativë për të përfituar kapital politik.
“Këto deklarata nuk e ndihmojnë aspak çështjen studentore, madje e dëmtojnë atë, pasi i japin mundësi pushtetit të spekulojë mbi natyrën e drejtë dhe të pastër të protestave tona. Nga ana tjetër, është me rëndësi të theksojmë se është pikërisht kjo forcë politike (PD) që për disa vite rresht provoi të miratonte të njëjta reforma rrënuese që po kundërshtojmë sot, dhe bëri të mundur rritjen stratosferike të tarifave të studimit,” njoftoi lëvizja Për Universitetin.
Ministria e Arsimit dhe e Sportit lëshoi një deklaratë të dielën ku i përgjigjet komenteve të ish kryeministrit Berisha ndërsa nuk mori përsipër t’i përgjigjej kërkesave të studentëve. SipasMinistrisë, kuotat për studimet master nuk janë ulur ndërsa theksoi se parapagesa prej 30 për qind nevojitet për të mos akumuluar detyrime të prapambetura.

20.10.2014 


Mariglen Mertiri, Balkanweb

142 mijë studentë nisën sot vitin e ri akademik, ku nga këta, rreth 16 mijë nisën për herë të parë kontaktet me auditoret. Por ky vit akademik nismi me 18 universitete private më pak, pasi reforma e ministrisë së arsimit nuk kurseu as pezullimin e disa të tjerëve. 

Këtë vit akademik pritet të miratohet reforma e arsimit të lartë, reformë kjo e shume dëbatuar. Ndaj një grup studentësh nuk preferuan të vijonin mësimin por të protestonin duke kundërshtuar rritjen e tarfiave të studimit dhe mohuar reformën e arsimit të lartë e cila i heq të ardhura publikut. 

“Studentët janë ata që e formësojë universitetin por po shikohen si një kartëmonedhë apo si një shumësi kartëmonedhash dhe vetëm kaq. Një oligarki universitetesh private po duan të marrin pjesë nga fondet publike, kjo sigurisht është në dëm të publikut”, tha një prej studenteve që protestonte. 

Ndërsa një tjetër student, uy shpreh se, “Ky vit po nis me qëndresë sikur nisi sot me deklaratën që mbajtëm dhe do vazhdojmë me protesta që kjo reformë të mos kalojë”. 

Ministrja e arsimit në këtë ditë të parë të vitit të ri akademik uroi studentët nga auditorët e universitetit të mjekësisë. Nikolla parashtroi suksesin për mbylljen e 18 universiteteve por paralajmëroi se akreditimi që do të ndodhë në dhjetor do të ketë të tjera shtrengime. Për ministren reforma do të rrisë cilësinë dhe shtoj kërkimin shkencor. 

“Të gjitha auditoret të gjitha insitucinet e arsimit të lartë i janë kthyer binarëve të ligjshmëruisë për shkak të realizimit të një reforme parësore që ishte ajo e verifikimit të kritereve të ligjshmërisë. Po draftojmë ligjin e arsimit të lartë”, tha ajo më tej./ 

Ky vit akademik sërish nisi me problematikë si mungesa e aditorëve, laboratoreve dhe zhvillimi i mësimit me turne deri në orën 20 të darkës.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

0 comments:

Post a Comment