Wednesday, October 29, 2014

Diskutime mbi arsimin publik dhe rritjen e kuotave


Gjergj Erebera, një gazetar i SHQIP, diskuton mbi arsyet e protestave studentore. Ai fokusohet tek politikat e qeverisë për caktimin e kuotave studentore, por nga perspektiva e studentit dhe së drejtës për zgjedhje. 

Vendosja e kuotave zakonisht është produkt i konsensusit ndërmjet qeverisë dhe kapaciteteve të institucionit. Për institucionin është mirë të rriten kontributet e shtetit dhe tarifat e studentëve me një numër minimal studentësh, sidomos në programet master pasi aty do të angazhohet pjesa më e madhe e pedagogëve me kualifikim të lartë. 

Institucioni duhet pra të gjejë të mesmen e artë, ndërmjet aspiratave të studentëve dhe kapaciteteve institucionale për të akomoduar këto aspirata. Sidomos kur vetë aspiratat e studentëve nuk përkojnë me kërkesat e programit, atëhere institucioni duhet të kufizojë këto aspirata nëpërmjet politikave restriktive (d.m.th. vendosja e notës). 

Ndërsa krahasimi ndërmjet sektorëve nuk qëndron mbi këto premisa që ngren Erebara. Vendosja e kuotave është politikë e qeverisë për të rregulluar cilësinë e shërbimit dhe aspiratat e studentëve. Barazia ndërmjet sektorit privat dhe publik duhet të qëndrojë mbi kërkesat për cilësinë e shërbimit dhe jo patjetër aksesin në këtë shërbim, pasi arsimi është privilegj, sidomos ai i ciklit të dytë. Në këtë aspekt qeveria duhet gjithashtu të monitorojë kapacitetet e sektorit privat për të pritur studentët. Nëse ndodh kështu, edhe ata do të detyrohen të vendosin kritere pranimi,  si p.sh. notat, esetë apo dosje aplikimi. 

Sidoqoftë është pozitive që studentët protestojnë, pasi interesat e tyre balancojnë arbitraritetin e qeverisë. 

reporter.al, Gjergj Erebara 
28 Tet 2014


Arsimi (i lartë) si e drejtë publike dhe jo private

Fakti është që mbi universitetet publike qeveria ka vendosur kuota dhe kritere penguese të cilat te universitetet private nuk i kanë dhe ky është një tregues i qartë që qeveria po diskriminon sektorin publik në të mirë të sektorit privat.

Studentë duke protestuar në Tiranë më 2 qershor 2014 kundër reformës së propozuar nga qeveria për arsimin e lartë. Foto: LSA
Studentë duke protestuar në Tiranë më 2 qershor 2014 kundër reformës së propozuar nga qeveria për arsimin e lartë. Foto: LSA
Një grup aktivistësh të rinj të njohur si Lëvizja Për Universitetin u ngritën në protestë gjatë ditëve të fundit, protestë aq e rëndësishme sa qeveria dha shenjat e para të uljes së kokës. Studentët thonë se janë ngritur kësaj here kundër tarifave të shtrenjtuara të masterave në universitetet publike, kundër detyrimit për parapagim të 30 për qind të tarifës dhe kundër kriterit të mesatares mbi 6 për të drejtën për të ndjekur master. Ata kërkojnë edhe heqjen e kriterit të kuotave në arsimin e lartë publik.
Por përtej këtyre kërkesave të klasifikuara si “urgjente” nga lëvizja, synimi i tyre i shpallur është “arsim i lartë falas si e mirë publike”, parim ky i kundërt me procesin e komercializimit të arsimit të lartë, që ka nisur që prej një dekade në Shqipëri.
Bota ka patur një seri përplasjesh për arsimin publik si e drejtë në historinë e vet dhe vende të ndryshme e kanë zgjidhur në mënyra të ndryshme me rezultate të ndryshme.
Një përplasje e tillë ndodhi në SHBA në gjysmën e parë të shekullit të 19, kur një grup njerëzish kërkuan arsim publik falas (dmth të paguar nga taksat dhe jo drejtpërsëdrejti nga nxënësi)  si parakusht për drejtësi shoqërore. Arsyetimi qe i thjeshtë: varfëria (e një familjeje dhe e një kombi në tërësi) mbetet një fenomen i trashëguar brez pas brezi në rast se fëmijëve nuk u jepet mundësi arsimimi pavarësisht të ardhurave familjare.
Pavarësisht se kjo mund të interpretohet si një teori e majtë, ata që e zbatuan këtë parim dhe që e themeluan në formën që ka aktualisht në të gjithë botën, qenë larg të qenit të majtë. Psh: mbreti i Suedisë urdhëroi në vitin 1804 që çdo fshat, bashkë me rindërtimin e kishës, të kishte detyrën të ndërtonte një shkollë. Natyrisht, këtu nis diskutimi a e ka bërë pula vezën apo veza pulën. Provincat e pasura ndërtuan shkolla më të mira e programe mësimore më të gjera me më shumë mësues se sa provincat e varfra. Nuk është e qartë nëse ekonomia u rrit se u rrit niveli arsimor apo e kundërta. Studime të ndryshme mbi korrelacionin mes arsimit dhe ekonomisë dolën në konkluzione të ndryshme në vende të ndryshme.
Gjithsesi, sot është e gjithëpranuar që shkolla është e drejtë pavarësisht nivelit ekonomik të nxënësit. Pyetja është se a shtrihet kjo e drejtë deri te arsimi i lartë apo jo.
Shqipëria ka një histori për këtë. Gjatë kohës së komunizmit shkolla e lartë qe e ndaluar për këdo që kishte biografi të keqe. Natyrisht që pati njerëz që arritën ta kapërcenin këtë pengesë pavarësisht biografisë. Por fakti është që universiteti qe filtri që ndalonte njerëzit e padëshiruar nga pushteti të ngriheshin në nivelin e asaj që mund ta quajmë në një farë mënyre, elitë.
E njëjta gjë po ndodh edhe sot, vetëm se tashmë kriteri është niveli ekonomik. Ky kriter ekonomik në shumë raste është një formë e tërthortë e kriterit politik për shkak se e ashtuquajtura elitë politike është ajo që ka para.
Nëse takon gjimnazistë nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, mund ta kuptosh se si distanca nga Tirana, dmth nga universiteti, përpos kufizimeve të imponuara në formë tarifash universitare ka përjashtuar nga mundësia për shkollë të lartë njerëzit që jetojnë në vendet më të largëta nga Tirana.
Nuk është shumë e logjikshme të presësh pagesë masteri prej 100 mijë lekësh apo 200 mijë lekësh nga një familje e varfër. Këto janë para që vështirë se shihen me sy nga shqiptari i zakonshëm.
Por paralelisht me këtë realitet, ekzistojnë fjalë që tregojnë se si militantët e partive politike përfitojnë bursa studimi nëpër universitetet private. Pra sërish kemi filtrin politik të aksesit në universitet siç e kemi patur në kohën e komunizmit vetëm se në një formë më të fshehtë.
Përpos arsimit si e drejtë dhe universitetit publik si domosdoshmëri shoqërore, kërkesat e studentëve nxjerrin në pah edhe trajtimin e pabarabartë që shteti po i imponon arsimit publik. Arsimi publik përballet sot me pengesa ligjore që arsimi privat nuk i ka. Psh, arsimi publik ka kuota pranimi për mastera, ndonëse masterat kryhen përkundrejt çmimeve të mbulojnë shumë më tepër se sa kostoja e tyre. A ka ndonjë arsye logjike që këto universitete të mbyllin dyert për studentët që janë të gatshëm të paguajnë koston e studimeve të tyre? A ka ndonjë arsye se pse duhet të ketë kuota? Kuptohet që kuotat nuk janë të vlefshme për universitetet private, të cilat, në rast se kanë shumë kërkesë, mund të shtojnë sallat, mësuesit dhe kapacitetet dhe të marrin paratë. Mbi arsimin publik rëndon edhe kriteri i mesatares. Në pamje të parë, është e paarsyeshme të kundërshtohet kriteri i mesatares 6 si parakusht për studime master. Normalisht studimet master duhet të ndiqen vetëm nga një numër i vogël studentësh të shkëlqyer. Ato me mesatare 6 apo 7 apo 8 vështirë se mund të konsiderohen studentë të shkëlqyer.
Por kjo duhet parë në raport me universitetet private, të cilat nuk e kanë një kriter të tillë. Këto universitete pranojnë studentë pavarësisht se çfarë mesatareje kanë. A ka ndonjë arsye logjike që universitetet publike t’i imponojnë vetes një kriter të tillë kur universitetet private nuk e kanë? A ka ndonjë arsye që qeveria të imponojë kritere të tilla në mënyrë të pabarabartë mbi universitetet publike? Jo, me përjashtim të rastit kur universitetet publike dhe politikbërësit dëshirojnë të detyrojnë shqiptarët të përplasen te kioskat private universitare.
E parë në këtë prizëm, Lëvizja për Universitetin nuk është thjeshtë për universitetin. Është për mënyrën se si bëhen politikat në Shqipëri, në favor të disave dhe në dëm të shumicës.

0 comments:

Post a Comment