Friday, January 16, 2015

Ministria pezullon kuotat e doktoraturës

 

Koment:

Qeveria ka ndërmarrë qartazi një vendim të dobishëm, edhe pse i vetmi argument është pamjaftueshmëria e kapaciteteve të universiteteve, ndërkohë që nuk është vlerësuar nevoja në të ardhmen për kuadro në fushën akademike.

“Gjatë procesit të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë, Ministria e Arsimit konstatoi problematika edhe me doktoraturat dhe për ketë arsye ka pezulluar për momentin akordimin e kuotave. Nga verifikimet kanë rezultuar mungesa në kapacitetet pritëse të universiteteve, si për sa i përket infrastrukturës, ashtu edhe stafit akademik. Kapacitetet pritëse të universiteteve kanë qenë më të ulë- ta në raport me kuotat e akorduara”, tha Pustina (drejtoresha e arsimit të lartë, MAS) për gazetën.

Gjithashtu, mungon një analizë aktuale e frekuentimit dhe shkallës së suksesit të doktorandëve gjatë dhe pas studimit. Pasojat financiare për institucionet gjithashtu duhen vlerësuar dhe pasqyruar ne plan-buxhetet përkatëse. Për më tej, institucionet si Qendra Albanologjike mund të përballen me probleme financiare, pasi varet kryesisht nga fondet dhe prurjet  e studentëve të ciklit të tretë. Sidoqoftë, ky vendim u morr edhe nga qeveria e PD-se gjatë viteve 2007-2010.

Qeveria nuk është shprehur se do të ndjekë të njëjtën qasje rigoroze ndaj vlerësimit të kapaciteteve të universiteteve private.

Në vitin 2011-12 INSTAT raporton rreth 2628 doktorandë. Vjetari statistikor i MAS nuk ka të dhëna për doktoraturën. Një numër prej 1305 studentësh u miratuan për vitin 2012-13, vendim më pas u ndryshua dhe kuotat u rritën në 1531, fill para se qeveria e Partisë Demokratike të lëshonte pushtetin. Nëse kuotat janë realizuar me 100%, atëhere numri i doktorandëve është mbi 4000, duke zbritur të diplomuarit.

Total 2628 1456 (femra)
1.Universiteti i Tiranës 1671 999
-Fakulteti I Drejtësisë 182 89
-Fakulteti Mjekësisë 535 285
-Fakulteti Shkencave Sociale 222 166
-Fakulteti Gjuhëve të Huaja 100 79
-Fakulteti I Infermierisë 160 75
-Fakulteti Ekonomik 233 152
-Fakulteti I Shkencave te Natyrës 239 153
2.Universiteti Politeknik 242 94
-Fakulteti Inxh. Elektrike 27 12
-Fakulteti Teknol. Informacionit 29 12
-Fakulteti Inxh. Mekanike 23 10
-Fakulteti Inxh .Ndërtimit 80 26
-Fakulteti Inxh.Gjeol.Miniera 59 19
-Fakulteti Inxh.Mat.e Fizike 24 15
3.Universiteti Bujqësor Tiranë 370 177
-Fakulteti Ekonomi-Agrobiznes 113 72
-Fakulteti Bujqësisë e Mjedisit 116 46
-Fakulteti Bioteknologjisë dhe Ushqimit 17 13
-Fakulteti Shkencave Pyjore 39 14
-Fakulteti Mjekësisë Veterinare 85 32
4.Universiteti "Fan S.Noli" Korçë 9 3
-Hortikulturë e qëndrueshme 9 3
5.Universiteti "Luigj Gurakuqi" Shkodër 14 12
-Gjuhësi 14 12
6.Universiteti "Ismail Qemali" i Vlorës 13 7
-Matematike 13 7
7.Universiteti "Aleksandër Moisiu"Durrës 64 41
-Shkenca Ekonomike 64 41
8.Qëndra e Studimeve Albanologjike 245 123
-Instituti i Gjuhësisë 40 27
-Instituti i Letërsisë 58 32
-Instituti i Historisë 56 23
-Instituti i Arkeologjisë 25 10
-Instituti i Etnologji-Folklor 56 25
-Instituti i Etnologji-Folklor -histori Arti 10 5

 

Gazeta Panorama, 16 Janar 2015

Ministria e Arsimit ka pezulluar akordimin e kuotave për këtë vit akademik për studimet e doktoraturës. Sipas drejtoreshës së Arsimit të Lartë në MAS, Linda Pustina, nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar që universitetet nuk kanë pasur kapacitetet e nevojshme për të ofruar këtë cikël studimi. Veç mungesës së ambienteve apo infrastrukturës, shkak për këtë vendim ka qenë edhe mungesat e konstatuara në staf akademik.

“Gjatë procesit të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë, Ministria e Arsimit konstatoi problematika edhe me doktoraturat dhe për ketë arsye ka pezulluar për momentin akordimin e kuotave. Nga verifikimet kanë rezultuar mungesa në kapacitetet pritëse të universiteteve, si për sa i përket infrastrukturës, ashtu edhe stafit akademik. Kapacitetet pritëse të universiteteve kanë qenë më të ulë- ta në raport me kuotat e akorduara”, tha Pustina për gazetën.

Krahas procesit të inspektimit, i cili do të pasohet me një raport me gjetjet dhe konkluzionet e përftuara, përgjatë këtij muaji ka nisur edhe akreditimi i universiteteve. Drejtoresha e Arsimit të Lartë pohon se në përfundim të këtij procesi, MAS do të ndërmarrë hapat e duhur në përmirësim të cilësisë dhe standardeve. Sipas Pustinës, dhënia e doktoraturave të tjera do të paraprihet nga një verifikim tërësor i sistemit. Pra vetëm pasi të jetë mbikëqyrur sistemi, do të vijohet normalisht akordimi i kuotave për ciklin e doktoraturës.

“Ministria e Arsimit po vazhdon procesin e verifikimit të këtyre kritereve dhe kapaciteteve pritëse në universitete dhe në përfundim të këtij procesi do të ndërmarrë hapat e duhur për zbatimin e kritereve te parashikuara në aktet në fuqi, si dhe plotësimin e standardeve të cilësisë, proces ky që do të verifikohet dhe nga agjencia britanike e akreditimit, e cila po punon paralelisht në këtë drejtim. Do të bëhet një verifikim tërësor i sistemit para se të vijohet me dhënien e doktoratave të tjera”, theksoi Pustina.

Ky vit akademik nisi me 18 universitete më pak. Ministria e Arsimit, pas shkeljeve të konstatuara gjatë inspektimit të kritereve të ligjshmërisë, mori vendimin për mbylljen e tyre. Kjo ishte pjesa e parë e reformës, pasi hapi i radhës është ai për verifikimin e cilësisë së programeve të studimit.

Gjetjet e deritanishme flasin për një cilësi të ulët të doktoraturave të lëshuara deri më tani. “Kanë rezultuar pedagogë që ndiqnin 25-30 doktorantë njëkohësisht, ndërkohë që në varësi të titullit akademik ata mund të udhëheqin maksimumi 5 doktorantë. Kjo, veç të tjerave, ka çuar në rënie të cilësisë së doktoratave. Kanë rezultuar që në disa universitete ndiqeshin doktorata që nuk kishin fare lidhje me programin përkatës të studimit”, bën të ditur drejtoresha e Arsimit të Lartë në MAS, Linda Pustina.

Friday, December 26, 2014

Akreditimi si ndëshkim

 

Akreditimi në arsimin e lartë s’mund të jetë vetëm ndëshkim!

Myqerem Tafaj

Panorama, 24 Dhjetor 2014

Studentët, prindërit dhe pedagogët e universit-eteve kanë filluar të përjetojnë një ankth të ri. Qeveria “Rama” shpalli me pompozitet kontratën me një agjenci britanike për akreditimin e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë. Si në asnjë vend tjetër, vetë Kryeministri dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit paralajmëruan rezultatet e akreditimit pa filluar akoma procesi: do të mbyllim shkolla të larta dhe programe studimi!
Sigurisht, duke e dëgjuar këto deklarata të qeverisë çdo student i bën pyetje vetes: A do mbyllet universiteti/shkolla e lartë ku studioj unë? Po të mbyllet, ku do të shkoj unë? Ankthi ka përfshirë çdo prind dhe familje që ka fëmijën student, sepse është i pasigurt nëse fëmija i tij do të mund të ndjekë studimet vitin tjetër akademik. Edhe pedagogët janë në ankth të madh, sepse qeveria me arrogancë mund të mbyllë universitete, fakultete, degë ose programe dhe t’i lë pa punë. Pra ankthi i ka përfshirë të gjithë: studentët, prindërit e tyre dhe pedagogët. Në ankth janë sot mbi 120 mijë familje shqiptare që kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollat tona të larta.
Arsimi i lartë privat është konsideruar nga kjo qeveri si diçka e huaj që duhet shkulur dhe dora e qeverisë mund të bjerë mbi të pa mëshirë. Siç duket qeveria synon që përmes këtij akreditimi t’i japë goditjen përfundimtare vdekjeprurëse këtij sektori dhe ai të shkojë drejt shuarjes thuajse të plotë brenda 2–3 viteve që vijnë. Nëse akreditimi do të mbyllë shumicën e shkollave të larta private, Kryeministri do të dalë dhe do t’u thotë shqiptarëve se pronarët e tyre nuk kanë investuar për personel akademik dhe bazë mësimore si dhe studentët janë me mesatare shumë të ulët etj.
Pra vetë e kanë fajin, do të mbyllen dhe studentët do t’i sistemojnë në universitetet publike që do të mbijetojnë nga kjo “terapi radikale” e paralajmëruar nga qeveria.
Mirë për shkollat e larta private fajin e kanë pronarët, po për universitetet publike çfarë do të thotë qeveria si pronare e vetme? Sigurisht që do të thotë se fajin e kanë qeveritë e 25 viteve dhe sidomos qeverisja e PD. Unë po qëndroj tek çështja e akreditimit të universiteteve publike, jo vetëm sepse ato kanoset gati 90% të studentëve, por edhe sepse janë shtetërore dhe financohen nga shteti dhe tarifat e studentëve.
A mund të jetë akreditimi gijotinë për botën universitare?
Akreditimi është vlerësim i jashtëm i cilësisë së studimeve universitare që afron një institucion i arsimit të lartë. Në Europë ai ka filluar të zbatohet në mesin e viteve ’90 (vetë agjencia britanike e përzgjedhur është krijuar në vitin 1997), ndërkohë që në SHBA akreditimi është aplikuar disa dekada më herët se në Europë.
Modeli amerikan i akreditimit është modeli më i mirë, sepse ai mbështetet në parimin “bottom up” (nga poshtë lart) dhe në interesin e vetë institucioneve autonome universitare për të prodhuar dhe konkurruar me cilësi të lartë në hapësirën e arsimit të lartë. Ndërsa modeli europian është shumë më burokratik e formal, mbështetet në parimin e kontrollit shtetëror “top down” (nga lart poshtë) dhe, si i tillë, ai është shumë më pak eficient. Kush e njeh arsimin e lartë e kupton shumë mirë se akreditimi periodik, sado shpesh që të bëhet ai, nuk përbën asnjë garanci absolute për cilësi. Çelësi i cilësisë në arsimin e lartë është krejt i thjeshtë: pedagogë të mirëkualifikuar dhe të motivuar që punojnë me përkushtim për të mësuar studentët përmes bashkëpunimit dhe jo tutelës. Në fund të fundit, është pedagogu që mëson dhe provon studentët për dijet kyçe që duhet të marrin, për të qenë të aftë që të mësojnë gjatë gjithë jetës. Sot dijet vjetrohen për më pak se 10 vjet, në disa drejtime për më pak se 5 vjet. Kjo kërkon teknika dhe metoda mësimdhënie që u japin kompetencat kyçe studentëve dhe i aftësojnë ata për të përditësuar dijet dhe pasuruar ato gjatë gjithë jetës, në mënyrë që t’i përgjigjen më mirë garës në tregun e punës.
Në thelb, akreditimi është një proces periodik që u shërben universiteteve për të përmirësuar veprimtarinë mësimore shkencore që çon në rritjen e cilësisë së studimeve universitare, orientimin më të mirë ndaj nevojave të zhvillimit ekonomik e të tregut të punës.
Në çdo vend demokratik qeveria krijon më përpara kushtet për akreditimin e universiteteve publike dhe pastaj e fillon atë. Çfarë do të thotë kjo? Shumë e thjeshtë. Siguron një financim të mjaftueshëm dhe burime njerëzore që mundësojnë realizimin e misionit të universitetit publik, pra mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive dhe të teknologjisë.
Buxheti i vitit 2015 sapo u miratua dhe financimi i arsimit të lartë publik është 0.4% e PPB, ose në shifra: 350 USD për student në vit, kur kostoja minimale e studimeve universitare është rreth 700 USD për shkencat shoqërore dhe 1300 USD për shkencat teknike, natyrore, bujqësore. Qeveria do të kishte plotësisht të drejtë që të kërkonte një akreditim internacional nëse do të dyfishonte buxhetin dhe numri i pedagogëve për të paktën 3 vjet radhazi dhe pastaj të verifikonte rezultatet e këtij investimi real të shoqërisë.
Pra akreditimi nuk mund të jetë në asnjë rast një mjet në duart e qeverisë vetëm për të mbyllur shkolla të larta, fakultete dhe programe, çka do të ishte në kundërshtim me qëllimin dhe parimet e procesit të akreditimit. Ai duhet të jetë një proces i natyrshëm vlerësimi për rezultatet e një investimi që ka bërë shoqëria për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, si dhe një bazë për përmirësimet që duhen bërë jo vetëm nga universitetet, por edhe nga qeveria në politikat e saj arsimore.
Çfarë pritet nga akreditimi i universiteteve publike?
Rezultatet e akreditimit të universiteteve publike mund të parashikohen lehtë. Po përmend vetëm disa prej tyre.
Sensacioni i madh që do të trumbetohet nga qeveria si gjetje e akreditimit do të jetë: Numri i pedagogëve me shkallën e nevojshme të kualifikimit është i pamjaftueshëm për të përballuar mësimdhënien dhe kërkimin e nevojshëm shkencor për mësimin e rreth 145 mijë studentëve në universitetet publike! Kjo mangësi është shumë e theksuar në universitetet rajonale. Dhe qeveria do të duhet të marrë vendim për universitete apo fakultete publike rajonale do të mbyllen. Kjo është rruga më e lehtë për dikë që nuk e di se cili është kontributi i universiteteve rajonale në arsimin e lartë. Universitetet rajonale përballojnë sot mbi 60% të numrit total të studentëve të sistemit publik. Ato kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e qyteteve dhe rajoneve të vendit. Është e vërtetë se numri i pedagogëve me shkallën e nevojshme të kualifikimit është ende i pamjaftueshëm, sidomos në fakultetet dhe degët e hapura në dy dekadat e fundit në universitetet rajonale. Por qeveria e ka tërësisht në dorë për ta përmirësuar këtë tregues. Të akordoj vende të reja pune për pedagogë të rinj në universitete dhe jo për policë.
Numri i pedagogëve është rritur mbi dy herë gjatë tetë viteve të fundit, por ai është ende i pamjaftueshëm. Shqipërisë i duhen 2 herë më shumë pedagogë dhe kërkues për të përballuar nevojat e shkollimit të lartë të të rinjve dhe ato të kërkimit shkencor. Pedagogët e universiteteve duhet të kenë së paku 30% të kohës në dispozicion për të zhvilluar kërkim shkencor. Përndryshe nuk mund të rritet cilësia e arsimit të lartë dhe nuk mund të zhvillohen kërkime që i paraprijnë zhvillimit ekonomik të vendit. Shqipëria ka plot të rinj të talentuar që kanë përfunduar shkëlqyer studimet universitare në nivelin “Master” dhe “Doktoratë”, brenda dhe jashtë vendit. Rreth 200 të rinj kthehen çdo vit me studimet të përfunduara të doktoratës jashtë vendit, madje edhe në universitete shumë prestigjioze. Ata janë pa punë dhe kërkojnë të punojnë në universitete.
Qeveria do të bëjë zbulimin tjetër sensacional nga akreditimi: Mjediset e universiteteve publike janë të pamjaftueshme për të përballuar këtë numër studentësh! Kjo dihet nga të gjithë dhe nuk ka nevojë për ndonjë agjenci të huaj. Këtë situatë e kanë kaluar edhe vendet më të zhvilluara të Europës Perëndimore në vitet ‘70 kur u liberalizua arsimi i lartë, pas protestave të Lëvizjes së ‘68-s. Infrastruktura në universitetet publike është përmirësuar ndjeshëm në 8 vitet e fundit, por ajo kërkon ende investime shumë të mëdha nga shteti. Qeveria në dy buxhetet e saj nuk i ka kushtuar asnjë rëndësi rritjes së investimeve në arsimin e lartë. Përkundrazi, i ka hequr godina universiteteve publike.
Një tjetër zbulim i sensacional, madje i paralajmëruar nga vetë Kryeministri, do të jetë: Bolonja është implementuar keq, janë hapur shumë programe. O burra t’i mbyllim sa më shpejt dhe ta shpëtojmë Shqipërinë! Implementimi i Procesit të Bolonjës është sfida më e madhe dhe reforma më e thellë e arsimit të lartë e 100 viteve të fundit. Ajo ka qenë shumë e vështirë edhe për vendet më të zhvilluara dhe me sisteme arsimore shumë të konsoliduara, dhe jo më për vende si Shqipëria. Ne duhet t’i jemi mirënjohës komunitetit akademik për punën e jashtëzakonshme të bërë në reformimin e studimeve universitare. Rezultatet e ristrukturimit të studimeve është vështirë të vlerësohen me realizëm, sepse brezat e parë të studentëve janë diplomuar pas vitit 2011, periudhë në të cilën kriza ekonomike financiare arriti kulmin e saj, çka goditi rëndë tregun e punës dhe shkaktoi papunësi të madhe te të rinjtë e diplomuar, madje edhe në shumë vende të BE-së.
Departamentet dhe fakultetet shfrytëzuan lirinë e tyre akademike, që i jep Kushtetuta dhe ligji, dhe zhvilluan programe të reja, me synimin t‘u përgjigjen më mirë kërkesave të tregut të punës. Për këtë ata nuk mund të fajësohen. Por çdo pedagog është i vetëdijshëm se programet e studimeve duhen riparë, për të qenë më ndërdisiplinore, më fleksible, të orientuara më mirë nga tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik i vendit, dhe, mbi të gjitha, për t‘u krijuar më shumë mundësi zgjedhje studentëve, në mënyrë që ata të jenë më të suksesshëm në tregun e punës.
Një tjetër konkluzion i akreditimit do të jetë: Niveli i studentëve që ndjekin disa programe studimi në shkencat teknike, natyrore, bujqësore dhe të aplikuara është i ulët. Qeveria do të thotë menjëherë: t‘i mbyllim se nuk preferohen nga studentët e mirë! Kjo nuk është zgjidhja. Kriza e studimeve universitare në drejtime e shkencave të sipërcituara është e njohur edhe në vende të tjera. Mbyllja është rruga më e thjeshtë, por me pasoja afatgjata për vendin. Zgjidhja duhet të jetë mbështetja financiare me përparësi fakulteteve dhe drejtimeve të shkencave teknike, natyrore dhe bujqësore si dhe mbështetja përmes bursave, tarifa shumë të ulëta ose zero të studimeve për të studentët e këtyre fakulteteve dhe programeve. Ky është një investim shumë i sigurt që bën shoqëria, sepse të rinjtë e diplomuar në këto drejtime kanë shanset më të mëdha për punësim, jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe atë internacional të punës.
Zbulimi tjetër sensacional i akreditimit do të jetë: kërkimi shkencor në universitete është i pamjaftueshëm. Qeveria do të thotë: e shihni se nuk ka kërkim shkencor. Si paskan bërë shkencë universitetet, prandaj t’u heqim statusin “universitet”! A ka ndonjë pedagog që nuk e di sa financohet kërkimi shkencor! Madje edhe qeveria e di mirë sepse buxheti për kërkimin shkencor është më pak se 0.1% e PPB, pra shumë afër zeros. Në fakt, qeveria duhet të mbajë premtimin që ka bërë në fushatë dhe të rrisë buxhetin për kërkimin shkencor, të rrisë numrin e pedagogëve në universitete dhe çdo pedagogu t’i lejojë që të paktën 30% të kohës së punës ta përdorë për kërkimin shkencor.
Në përfundim dëshiroj të theksoj se nëse akreditimi do të përdoret si gijotinë për arsimin e lartë, ai do të ketë pasoja negative afatgjata në zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Unë shpresoj se agjencia britanike e përzgjedhur nuk do të bjerë në grackën e një akreditimi politik arrogant. Akreditimi përmes një agjencie të huaj vjen pas një dekade transformimesh të thella në arsimin tonë të lartë. Kësisoj, ai duhet shfrytëzuar si një mundësi për thellimin e reformave strukturore në arsimin tonë të lartë. Siç është praktika e çdo vendi tjetër, institucioneve të arsimit të lartë duhet t’u jepet mbështetja dhe koha e nevojshme, jo vetëm për të përmirësuar mangësitë që do të evidentohen nga vlerësimi, por edhe për t‘u riorganizuar, ristrukturuar dhe riorientuar, në mënyrë që t‘i përgjigjen më mirë kërkesave afatgjatë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit si dhe atyre të tregut të punës.

Friday, December 19, 2014

Zhvillimi i Misionit të Tretë në Universitete

 

Përfundoni projekti i fundit Tempus në Shqipëri për Zhvillimin e Veprimtarive të Misionit të Tretë në Universitetet Shqiptare.

Veprimtari të misionit të tretë në universitete që u parashikuan të konceptoheshin gjatë projektit janë ndër të tjera: (1) themelimi i qendrave të zhvillimit rajonal pranë universiteteve për prodhimin dhe transferimin e dijes (2) zhvillimi i veprimtarive në arsimin e vazhdueshëm; (3) angazhimi ne veprimtaritë social-kulturore te komunitetit.

Projekti ka përfunduar në 14 Tetor 2014

Projekti U3M-AL fokusohet në promovimin e aktiviteteve 3M në universitetet shqiptare, trajnimin e stafit universitar, krijimin e Qendrave Rajonale e Zhvillimit në krye të aktiviteteve 3M në çdo universitet publik dhe në fund krijimin e një rrjeti shqiptare për promovimin e aktiviteteve 3M në nivel kombëtar.

Projekti U3M-AL do të përpiqet për të promovuar reformat strukturore dhe kulturore në universitete, por jo vetëm.Roli i mjedisit socio-ekonomik është gjithashtu i rëndësishëm për suksesin e këtij projekti. Në këtë kuptim, projekti do të promovojë marrëdhëniet me industrinë rajonale, punëdhënësit, autoritetet publike dhe shoqërinë në përgjithësi. Të gjithë janë pjesë e aktiviteteve të zhvilluara në këtë projekt dhe në aktivitetet e tjera gjatë.projektit.

Dokumenti në Shqip: http://u3m-al.org/wp-content/uploads/2014/12/Final-publication_U3M-AL_AL-language.pdf

Me shume për projektin: http://u3m-al.org/

 

Developing Third Mission activities in Albanian Universities

Project ended in October 14th, 2014

U3M-AL project focuses on promoting 3M activities in  Albanian universities, training university staff, establishing Regional  Development Centres in charge of 3M activities in each public university and  finally creating an Albanian network for promoting 3M activities at national  level.

The project U3M-AL will try to promote cultural and  structural reforms in universities but not only. The role of the socioeconomic  environment it is also critical for the success of this project. In this sense,  the project will promote the relationships with regional industry, employers,  public authorities and the society at large. All of them will be part of the  activities developed in this project and in the remaining activities when the  project will be over.

 

English version: http://u3m-al.org/wp-content/uploads/2014/12/Final-publication_U3M-AL_EN-language.pdf

Tuesday, December 2, 2014

Rrefime nga nje vezhgues i castit – protestat studentore

 

http://opolitike.org/analiza/rreth-ngjarjeve-ne-fakultetin-e-shkencave-sociale/

 

Rreth ngjarjeve në Fakultetin e Shkencave Sociale

Arlind Qori

Siç mund ta dini, më 20 nëntor studentët e universiteteve publike zaptuan në shenjë proteste hyrjet e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe zhvilluan për disa orë një asamble rreth problemeve universitare. Ditë më pas Këshilli i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe dekani, në kontekstin e një klime gjithnjë e më të agravuar presioni dhe persekutimesh ndaj pedagogëve që deri më tash ka shkaktuar pushimin nga puna të dy prej mbështetësve më të shquar të studentëve si Hysamedin Feraj dhe Sokol Abazi, u kanë kërkuar shpjegime disa pedagogëve për solidarizimin e tyre me kauzën studentore. Më poshtë është përgjigjja e njërit syresh. (Shën. red.)

***

Të nderuar kolegë!

U vura në dijeni gojarisht nga përfaqësuesit e departamentit në këshill rreth shqetësimit tuaj mbi arsyet dhe rolin tim në zaptimin e hyrjes dhe asamblenë e zhvilluar në Fakultetin e Shkencave Sociale që në mbledhjen e departamentit të shkencave politike më 25.11.2014. Tani kam përpara edhe vendimin tuaj dhe shkresën përcjellëse të dekanit.

Megjithëse e kam të vështirë ta kuptoj bazën ligjore dhe normative të kërkesës suaj (bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë ose Rregulloren e Universitetit të Tiranës, të cilat shkëlqejnë me mungesën e tyre), konsiderata për kolegët dhe rëndësia e çështjes më shtyn t’ju përgjigjem.

Pikësëpari nuk e di a jeni ju institucioni të cilit duhet t’i përgjigjem për pjesëmarrje në “grumbullime pa leje”. Me aq sa e njoh ligjin e tubimeve dhe në bazë të përvojës sporadike me komisariatet e policisë për shkak të aktivizmit qytetar, me këtë punë merret policia e shtetit dhe prokuroria. Mirëpo po hamendësoj dashamirësisht se shqetësimi juaj ka të bëjë specifikisht me ndërprerjen e mësimit dhe aktiviteteve të tjera akademike si rezultat i bllokimit të dyerve hyrëse dhe i asamblesë studentore, dhe rreth kësaj çështjeje do të përgjigjem.

Më lejoni ta dalloj bllokimin nga asambleja, dhe t’ju informoj veçan për të dyja. Më datë 20 nëntor, pas orës 8.30, u gjenda në sheshpushimin jashtë dyerve hyrëse të fakultetit. Vura re se studentët ishin mbledhur dhe kishin bllokuar dyert hyrëse. Rolin tim në bllokimin e dyerve hyrëse do ta përkufizoja – duke parafrazuar Kantin – si atë të një spektatori dashamirës. Me ç’di as në Republikën Demokratike të Koresë qytetarëve nuk iu kërkohet llogari për çfarëdolloj spektatorizmi. Gjithsesi, siç ua përmenda më lart, për hir të respektit për kolegët më lejoni t’ju informoj se arsyet e dashamirësisë sime kanë të bëjnë me legjitimitetin emancipues të kauzës studentore, e më specifikisht me përpjekjet e tyre për të ndalur një reformë arsimore që do ta tregtarizonte jetën universitare publike dhe për të shprehur mospajtimin e tyre për praktikat antidemokratike brenda organizimit të universiteteve.

Sidoqoftë, fare pak minuta pasi po e shprehja dashamirësinë time duke ndenjur me duar në xhepa në oborr e diskutuar me kolegë të tjerë të pranishëm, vura re se forca policie po tentonin të kacafyteshin me studentët në njërën prej dyerve hyrëse. Atëbotë qëndrimi im kaloi prej atij të spektatorit dashamirës në atë të aktorit të indinjuar për ndërhyrjen policore. Një ditë më parë, po forcat policore – për turp të tyre dhe të jetës universitare – kishin ndërhyrë brutalisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe, duke kapur për flokësh e tërhequr zvarrë, kishin arrestuar pesë studentë të atij fakulteti. I ndjeshëm në maksimum ndaj ndërhyrjeve policore në mjediset universitare – ku përvoja botërore shënon ngjarje fashistoide si ato të Qytetit të Meksikos më 1968 dhe Athinës së 1973 – jam afruar dhe fillimisht i kam kërkuar shpjegime një civili i cili nga agresiviteti i treguar ndaj studentëve më bëri të mendoja se ishte përgjegjësi i policëve. Për habinë time, ai mu prezantua si punonjës i rektoratit. Mendoj se më ka gënjyer pasi nuk e besoj se në Universitetin e Tiranës mund të punojnë njerëz që përdorin agresivisht bërrylat në fytyrat e studentëve për të hapur një derë. Paskëtaj u jam drejtuar policëve me uniformë duke iu kërkuar bazën ligjore të ndërhyrjes së tyre, e cila po bëhej për çdo çast e më e dhunshme. Me njohuritë që kam rreth Ligjit të Arsimit të Lartë, policia mund të ndërhyjë në mjediset universitare vetëm kur kryhet një vepër penale e rëndë ose kur e kërkon me shkrim titullari i institucionit. Madje moralisht, policëve u duhet që edhe për arsye personale të futen në mjediset universitare vetëm të veshur civilë. Historia e brutalitetit policor në jetën universitare botërore e bën praninë e uniformave të tyre në universitete edhe më të rëndë sesa ajo e reklamave të pijeve energjike apo kompanive celulare. Gjithsesi, për shkak të mosmarrëveshjes me policët e pranishëm, iu kërkova të sillnin në mjediset e fakultetit një jurist të drejtorisë së policisë.

Koleget e departamentit më shprehën po ashtu edhe shqetësimin e disa anëtarëve të këshillit mbi mundësinë që unë të isha organizator i ngjarjes në fjalë. Po të pohoja diçka të tillë jo vetëm do të gënjeja, por do të përbënte edhe një mburravecëri të pamerituar nga ana ime. Pavarësisht se në të shkuarën disa syresh mund të kenë gjetur frymëzim në shkrimet e mia, sot lëvizja studentore – me aq sa e njoh – është shembull i vetorganizimit, kthjelltësisë ideore dhe qëndrimeve të papërkulshme emancipuese rreth çështjes së universitetit. Mua më mbetet vetëm të frymëzohem prej tyre dhe t’i mbështes me aq sa më lejojnë mundësitë dhe detyrat si pedagog.

Më vonë studentët më kanë kërkuar të mbaj një fjalë përpara asamblesë së tyre, dhe duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese të shprehjes publike të mendimeve kam dalë sërish për pak minuta nga pozita komode e spektatorit dashamirës. Sidoqoftë, meqenëse gjatë fjalës nuk iu kam shtuar gjë qëndrimeve të mia të kahershme publike lidhur me tregtarizimin e jetës universitare dhe problemet në demokracinë e brendshme, nuk po ju marr kohë në rishtjellimin e saj.

Sikur të jetonim në kohëra tragjike – si ato të viteve 30-40 – dhe autoritetet më të larta shtetërore e universitare të më pyesnin nëse isha unë përgjegjësi për ngjarjen në fjalë, do t’iu isha përgjigjur si Pikasoja oficerit nazist që e pyeti se kush e kishte bërë Guernikën (pikturën e famshme që tregonte mizorinë e bombardimit nazist të atij qyteti): E keni bërë ju! Po kohëra të tilla cinike nuk ta lejojnë heroizmin dhe e shndërrojnë sublimen në groteske, e as ju nuk jeni bash institucioni drejtpërdrejt përgjegjës për mënyrën se si po shkatërrohet karakteri publik i universiteteve nga reforma qeveritare dhe hierarkët më të lartë të universiteteve publike me kolaboracionizmin ose tolerimin e tyre.

Kësisoj më mbetet vetëm t’ju sugjeroj modestisht të thërrisni e të dëgjoni përgjegjësit e vërtetë të kësaj ngjarjeje, përfaqësuesit e lëvizjes studentore. Pasi të keni dëgjuar problemet, qëndrimet dhe vizionin e tyre për një universitet me të vërtetë publik dhe me karakter emancipues në shoqëri, ndoshta do të frymëzoheni prej tyre edhe më shumë se unë dhe do t’i ndihmoni në arritjen e qëllimeve të tyre – që në fakt janë edhe qëllimet tona si banues dhe përjetues të universitetit. Përndryshe në këto kohë obskurantiste – për të përmendur vargjet e Brehtit – “nuk do thonë: Qenë kohë të zymta, por do thonë: Pse heshtnin poetët e tyre?”

http://opolitike.org/analiza/rreth-ngjarjeve-ne-fakultetin-e-shkencave-sociale/

Ish-Rektori i Universitetit te Vlores mbi Reformen

 

Profesor Tanus Shaska analizon si me poshte nismen e qeverise per reformen ne arsimin e larte.

Facebook, 10 Maj 2014

Tanush Shaska

Disa reflektime të shpejta mbi "reformën" në arsim.

Miq të nderuar,


kam 2 ditë që kam kaluar çdo detaj të draftit për ligjin e arsimit të propozuar nga komisioni i kryeministrit.  Këto janë përshtypjet e mia:


1) Nga ana estetike ky raport i ngjan një raporti të një nxënësi mesatar të shkollës së mesme.  Kombinimet e ndryshme të ngjyrave, përdorimi me vend dhe pa vend i "bullets", dhe organizimi mjaft i dobët i materialit të bën të mendosh se raporti është bërë nga ndonjë manager biznesi dhe jo personel akademik.
2) Përsa i përket fakteve dhe shifrave që jepen në raport ato janë shumica të pasakta dhe kanë brenda inflacionin e shifrave që gjen kudo në Shqipëri.  Universitetet shqiptare numërojnë si studentë edhe ata që janë rregistruar para shumë vitesh dhe s'kanë frekuentuar universitetin asnjë ditë.  Raporti përpiqet të nxjerrë konkluzione nga shifra te pasakta dhe natyrisht edhe konkluzionet do te jenë të pasakta.
3) Raporti është kontradiktor.  Pretendon të ngrejë një sistem me bazë konkurencën, por kthen ose vazhdon kontrollin e qeverisë mbi çështje si pranimet në universitete, shpërndarjen e studenteve, kuotat, etj.  Kjo të le të mendosh se anëtarët e këtij komisioni nuk kuptojnë parimet bazë të menaxhimit te universiteteve, qofshin ato akademike apo financiare.
4) Propozimi është një hap mbrapa në autonomine e universiteteve për të cilën kemi vite që luftojmë.  Ky do te jetë një zhvillim shumë negativ në arsimin shqiptar.  Le të jemi të sinqertë, gabimet e PD-së në arsim ishin pikërisht sepse nuk shkoi deri në fund me autonominë e universiteteve.  Çdo hap mbrapa në këtë drejtim do te ishte shumë shqetesues.
5) Raporti është i mangët në detaje.  Si do të funksionojnë pagesat? Sa do të jenë çmimet për një student në këtë sistem të ri?  A është bërë ndonjë studim për këtë? Përse nuk lejohet mundësia që studentët të zgjedhin vetë degët e tyre?  Përse studentët nuk mund të ndërrojnë degë sa herë që të duan?  Cili do të bëj promovimet e personelit akademik, universitetet vetë apo politikanët ne Tiranë? Këto janë të gjitha tipare të marra nga niveli "anglo-saxon" tek të cilat komisioni nuk futet fare.  
Unë do ti sygjeroja kryeministrit diçka fare të thjeshtë.  Vëri si detyrë ministrisë të punojë me ligjin arsimor ekzistues.  Ju mund të shtoni amendamente mbi këtë ligj për çështjet urgjente.  Shumica e problemeve të arsimit në Shqipëri mund të zgjidhen me ligjet që janë. Problemet me cilësinë nuk kanë ardhur nga ligji, por nga mungesa e punës në universitete dhe nga mungesa e kërkimit të llogarisë.  
Ndërkohë dëgjojmë se Shqipëria do të riorganizohet ne 4-5 provinca të mëdha.  Riorganizimi i universiteteve duhet të bëhet i tillë që secila nga këto provinca te ketë nga nje universitet.  Në se Shqiperia per nje 10 vjeçar do te arrije në 200 000 studente siç pretendohet në raport, atëherë nuk paska më shumë nevojë se 4-5 universitete shtetërore. Numri ideal i nje universiteti shtetëror është 35 000 - 50 000 studentë. Një nga difektet e universiteteve tona shtetërore është se janë plotësisht të shkëputura nga komuniteti.  Ky propozim do të rregullonte këtë difekt.  Universitetet do të bëheshin krenaria e këtyre provincave dhe do të ndihmonin këto provinca të krijonin një identitet të tyre.


Kjo kërkon guxim politik dhe përfshirje në këtë reforme të personave jashtë spektrit te PS-se, por është e vetmja mënyrë që do të ndryshonte sistemin arsimor shqiptar.  Ndryshe kjo s'do te jetë gjë tjetër vecse "reforma" e rradhës.
Sinqerisht,
T. Shaska

Tuesday, November 25, 2014

Arrestohet Drejtoresha e Agjencisë së Akreditimit në Kosovë

 

Sikur në Shqipëri edhe ne Kosovë procesi i akreditimit ka qenë shoqëruar me parregullsi, keqmenaxhim dhe korrupsion. Por në Kosovë institucionet e drejtësisë kanë arritur të krijojnë një çështje për drejtuesen e agjencisë së akreditimit në Kosovë. Në Shqipëri ish-kryetari i këshillit të akredimit në periudhën 2006-2013, Prof. Dr. B, Musai,  është sulmuar disa herë në media (Gazeta Sot dhe Telegraf), por pa akuza bindëse.

 

Express, Nëntor 25, 2014

Policia ka arrestuar sot Drejtoreshën e Agjencisë së Akreditimit për Arsim të Lartë, Ferdije Zhushi, dhe ish-zyrtar i UNDP-së, Armend Muja nën dyshimin se kanë marrë ryshfet nga universitetet private.

Një skandal i madh ka plasur  në Agjencinë e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj disa personave ndërsa ka arrestuar shefen e kësaj agjencie, Ferdije Zhushi dhe ish zyrtarin e UNDP’së, Armend Muja.

Sipas prokurorisë, për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion në Agjencionin Kosovar të Akreditimit në Prishtinë, ku ka arrestuar F.Zh.E, zyrtare e këtij agjencioni dhe A.M., ish zyrtar i lartë në UNDP, si dhe ka bastisur shtëpitë e tyre”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, si dhe raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Departamenti Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, më 14 nëntor 2014, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër: B.M. zyrtar i Agjencionit Kosovar të Akreditimit, F.Zh.E. zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe A. M., ish zyrtar i lartë në UNDP.

“Për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private”.

“Me këtë të pandehurit B.M. dhe F.Zh.E. në vazhdim dhe bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe së bashku me të pandehurin A.M. në vazhdim dhe në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 dhe 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj dy personave të arrestuar.

http://www.gazetaexpress.com/lajme/zyrtare-arrestohen-ferdije-zhushi-dhe-armend-muja-62091/

Konflikti i personelit me rektoratin ne Universitetin e Tiranes

 

Gazeta Panorama, 25.11.2014

Flet Hysamedin Feraj, themeluesi i Shkencave Politike

“Dekani Karaj më dha leje gojore për disa ditë, tani e mohon për t’i bërë qejfin rektorit Kule”

Prej më shumë se një muaji, në Fakultetin e Shkencave Sociale është pushuar nga puna pedagogu me përvojë 28-vjeçare, doktori i Shkencave Hysamedin Feraj.
Ai është themeluesi i degës së Shkencave Politike dhe drejtues i departamentit të këtij Fakulteti për shumë vite, anëtar i Senatit dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit. Gjithashtu ai është autor i dhjetëra artikujve publicistikë, kritikë e analitikë mbi politikën shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen, autor i tekstit universitare “Hyrje në shkencat politike”, i monografisë “Skicë e mendimit politik shqiptar” dhe i shumë eseve kritike, si “Kriza e përkryer në Shqipëri”, “Pamundësia e kozmopolitizmit shqiptar” etj. Pavarësisht kontributit në Fakultetin e Shkencave Sociale në tri dekada, tashmë Feraj është zyrtarisht pa punë. Ai është shkarkuar nga dekani i këtij Fakulteti, Theodhori Karaj. Motivi? Ka munguar disa ditë në punë, duke u larguar në auditorët e studentëve të Prishtinës e Tetovës, pa leje me shkrim. “Leja ishte gojore nga dekani, por që tani e mohon duke ia bërë qejfin rektorit”, thotë dr. Hysamedin Feraj, teksa flet për gazetën “Panorama”. Feraj është i njohur prej disa kohësh për artikujt kritikë ndaj eprorëve të tij, rektorit Dhori Kule dhe dekanit Theodhori Karaj, duke i akuzuar publikisht për abuzime me detyrën, konflikte interesi, keqmenaxhim të fondeve të Fakultetit, dëmtime të interesave të studentëve etj. Sipas tij, janë pikërisht këto akuza, që “de facto” bënë që atij t’i ndërpriteshin marrëdhëniet e punës me Fakultetin…


Profesor, pas 28 vitesh në Fakultetin e Shkencave, jeni pushuar nga puna. Si ndodhi, cili është motivacioni?
Do të më pëlqente të flisja më shumë për universitetin, për studentët dhe jetën akademike sesa për veten. Në fund të fundit nuk vuaj për punë. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, arsyetimi formal është “mungesa në punë” për 6-7 ditë të shkëputura gjatë dy viteve, pa humbur orë mësimi, përkatësisht shtator-tetor 2013 kur mësimi nuk kishte filluar, dhe shkurt-mars 2014. Sipas “ekzekutorit”, këto ditë kam qenë pa leje, jashtë shtetit dhe jam paguar. Kjo përbën shkelje të rëndë e të patolerueshme të ligjit. Dua të shtoj se “jashtë shtetit”, në këtë rast kupton në Prishtinë dhe Tetovë, aty ku edhe është një pjesë e objektit të studimeve të mia: shqiptarët dhe territoret shqiptare.


Vërtet shkuat pa leje?
Vërtet, jo. Por leja ishte gojore nga dekani, i cili tani e mohon atë për t’i bërë qejfin rektorit.


A ka precedentë të tjerë që kanë ikur jashtë shtetit pa leje dhe janë pushuar nga puna?
Precedentë se kanë ikur “pa leje” jashtë shtetit, në kuptimin edhe jashtë hapësirës shqiptare ka, ndërsa precedentë që për këtë të jenë pushuar nga puna nuk di të ketë. Madje, edhe një precedent i tillë mbas meje me prof. Sokol Abazin nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës nuk është i tillë, sepse edhe ai ishte me leje me shkrim, por që dekani përpiqet ta mohojë. Gjithsesi, nuk kam bërë hetime në këtë drejtim, por di se vajzën e dekanit, znj. Stela Karaj, pedagoge në të njëjtin Fakultet, nuk e njeh pothuajse askush, sepse me periudha të gjata qëndron jashtë e brenda shtetit pa u dukur në Fakultet. Njëlloj është situata me disa pedagogë të tjerë…


Nëse nuk qëndron motiv zyrtar, cili mendon se është motivi i vërtetë?
Motivi i vërtetë është rezistenca që i kam bërë presionit të ushtruar nga rektori Dhori Kule, që unë dhe kolegët e mi të shkelim ligjin; kritikat dhe denoncimet publike që u kam bërë shkeljeve ligjore nga ana e tij, shpërdorimit të detyrës e të funksionit publik që mban, dëmtimit të interesave të studentëve, të akademizmit dhe të universitetit publik përgjithësisht.


Prej sa kohësh ka nisur konflikti me rektorin Dhori Kule dhe me dekanin Dhori Karaj?
Rreth dy-tri vite më parë. Por një moment i rëndësishëm është fillimi i këtij viti kur për disa muaj, duke shpërdoruar detyrën dhe funksionin publik, rektori Kule ka ushtruar presion që të shkelim ligjin. Ndër të tjera, rektori Kule për disa muaj nguli këmbë t’i propozojmë për punësim me kohë të pjesshme një të pëlqyerin prej tij, të cilin gjithsesi e kishim angazhuar si të tillë për disa vite, mirëpo në konkurrimin e vitit të kaluar kishte kandidatura shumë më të kualifikuara.


Dekani është aty prej shumë vitesh. Si kanë qenë marrëdhëniet e mëparshme me të? Pse filluan pikërisht tani konfliktet?
Marrëdhëniet e mia me dekanin kanë qenë korrekte, ose më saktë gati jo marrëdhënie. Përgjithësisht unë isha shumë i zhytur në studime e në mbarëvajtjen e shkencave politike dhe as që vija re se çka bëhej rreth meje dhe ata rreth meje më linin “rehat”. Angazhimet këto dy vite si anëtar i Këshillit të Fakultetit dhe anëtar i Senatit të UT, njohja me një farë persekutimi që po i bënte rektori i UT, i toleruar pa kufi nga dekani, përgjegjëses së Departamentit të Filozofisë, znj. Mandeta Minxhozi, e cila po ashtu e kishte kritikuar publikisht rektorin para disa vitesh etj., më tërhoqën vëmendjen dhe paskëtaj konstatova masakrimin që po i bëhej Universitetit publik të Tiranës. Me një fjalë të kolegut tim Arlind Qori: nga univers-itet ai ishte kthyer në pervers-itet, në lulëzim të veseve njerëzore, para së gjithash të vesit të babëzisë së rektorit dhe disa dekanëve.


Si është gjendja e përgjithshme e universiteteve publike?
Si shumëçka tjetër në këtë vend, universiteti publik, ashtu si hapësira të tjera publike, edhe Universiteti i Tiranës është privatizuar nga rektori Kule dhe nga disa Dekanë fakultetesh, ndaj të cilëve “INUK” me sa duket ka mirëkuptim. Nga rektori Dhori Kule, e në modelin e tij nga dekani ynë, shkurt Dhori Karaj, Universiteti i Tiranës dhe fakultetet janë kthyer në sh.p.k. private, ndër të tjera për të zgjidhur problemet e punësimit për familjarët e vet. Kështu, krejt në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit, rektori Dhori ka punësuar në departamentin e tij vajzën e tij (Ekonomik), dekani Dhori ka punësuar në Fakultetin e tij vajzën e tij (më herët ka pas punësuar kunatën e tij). Në marrëdhënie të tilla private të dy Dhorët realizojnë një diskriminim të hapur në punë ndaj pedagogëve që i pëlqejnë e nuk i pëlqejnë, përdorin ndikimin e tyre për t’u vënë nota të mira studentëve me të cilët s’dihet se ç’lidhje kanë, ushtrojnë presion për të shkelur ligjin, aktet nënligjore dhe kriteret e pranimit të pedagogëve të jashtëm, si rasti i mësipërm. Ushtrojnë një diskriminim të hapur mes studentëve, ndër të tjera duke shpërdoruar fondin e ekselencës, duke u dhënë bursa ekselence studentëve me nota të dobëta për shkak të lidhjeve të dyshimta me ta dhe duke i shmangur studentët e shkëlqyer. Me vite mbasi diplomojnë studentët nuk pajisen me diploma, sepse s’ka para, se paratë ikin në drejtim të paditur, se tenderat…? Për studentët e doktoraturës ka vite që dekani nuk dorëzon në sekretari procesverbalin e notave. Në kundërshtim me ligjin dhe çdo akt nënligjor, udhëheq 15-20 studentë në punimet doktorale duke ulur çdo cilësi të udhëheqjes, por duke ngritur shumën e milionave që merr. Vetë rektori, pa asnjë formim profesional, udhëheq punime doktorale… në Filozofi! Por në fund të fundit, ashtu si pronarë të vetëm të një sipërmarrjeje private, ndonëse ligji i detyron, as dekani dhe as rektori nuk bëjnë ndonjë transparencë financiare dhe të buxhetit, ndër të tjera nëse iu është lëvruar studentëve pjesa e buxhetit që u takon, kujt i është dhënë dhe për çka është përdorur. Mirëpo, për rektorin Kule asnjë veprim i tillë nuk përbën shkelje ligjore; për të ekziston vetëm një shkelje ligjore: nëse dikush shkon sot e kthehet nesër pa leje në një konferencë shkencore ose atje ku është objekti i studimit. Ose për shkeljet e tjera rektori ka dhënë leje, vetes dhe të tjerëve.


Që domethënë?
Domethënë se pa asnjë ndjesi universitare dhe akademike të dy Dhorët e konceptojnë universitetin si fabrikë dhe akademikun si punëtor fabrike ose kooperative. Në këtë mungesë të lidhjes së tyre me jetën akademike e ka burimin këmbëngulja që pedagogu të rrijë tetë orë në punë e më pas nuk është e nevojshme të mendojë. Kush nuk rri tetë orë në punë, ka ikur nga puna pa leje dhe prandaj duhet të pushohet fare nga puna. Në krye të një institucioni akademik, por pa asnjë lidhje me jetë akademike, ata kujtojnë se mendimi është me orar: tani po mendoj, më vonë nuk më lejohet të mendoj se nuk jam në punë. Nuk kuptojnë atë gjë elementare, që e thotë miku im, prof. Fuga, se pedagogu është në punë në çdo orë të jetës së tij, se është në punë edhe kur shkon në Tetovë, në Prishtinë apo Prizren dhe sodit peizazhin, lidhjen e tij me përfytyrimin për atdheun, psikologjinë kombëtare etj. Por për Dhorët duhet marrë leje për të menduar, për të punuar, për të studiuar dhe vetëm gjatë orarit të punës, dhe vetëm në zyrë, ndonëse Euklidi e gjeti formulën më të rëndësishme kur ishte në WC. Mirëpo Dhorët përgjithësisht nuk kanë bërë ndonjëherë jetë akademike: Dhori Kule e ka kaluar jetën si administrator, një herë në Qytetin Stalin, më vonë dekan, që shumë vite rektor, anëtar i shumë bordeve, njëlloj si Dhori Karaj, dekani i “përjetshëm” i Fakultetit të Shkencave Sociale.
Çfarë rruge do të ndiqni për t‘u kthyer në punë?
Rrugën ligjore. Por kthimi im nuk është i rëndësishëm në vetvete. Unë jam vetëm simptoma e një sëmundjeje. Ndërsa vetë sëmundja është uzurpimi, privatizimi i Universitetit publik të Tiranës nga Dhorët. Shërimi është kthimi i kësaj pasurie te pronari i vërtetë, te publiku, te taksapaguesit, te populli shqiptar. E shpresë për këtë kanë mbetur studentët: lëvizja studentore për Universitetin.

Dekani Karaj: Feraj, shkelje penale dhe administrative
Reagon Theodhori Karaj: Denigrime Universitetit me opinione kafenesh
“Hysamedin Feraj gënjen, nuk i kam dhënë leje me gojë”

Dekani Theodhori Karaj

Pas akuzave të dr. Hysamedin Feraj, gazeta “Panorama” kontaktoi dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Theodhori Karaj. Pasi u njoh me pretendimet e kolegut, prof.dr. Karaj reagoi me një letër sqaruese, të cilën po e sjellim të plotë…
Ajo që konstatoj në qëndrimet e Hysamedin Ferraj, është se ai përpiqet të denigrojë drejtues dhe institucionin e Universitetit të Tiranës, duke përdorur fakte jo të vërteta, por opinione kafenesh. Dhe këto i bën sikur të ketë qenë një i huaj për këtë Universitet, dhe jo si dikush që ka punuar për rreth dy dekada, si pedagog dhe për shumë vite edhe si drejtues në të si anëtar i Senatit dhe si anëtar i Këshillit të Fakultetit, ku ai ka votuar për vendimet që kanë rregulluar jetën e Universitetit. Personalisht jam i nderuar që jam pjesë e këtij Universiteti që, pavarësisht problemeve që ka, është nga më prestigjiozët në vend, dhe kjo (në kundërshtim me thëniet e z.Ferraj), pikërisht sepse nuk është një sh.p.k., por drejtohet nga organe të zgjedhura në mënyrë legjitime
Elementi i dytë që konstatoj, është se ai merr rolin e vlerësuesit absolut për persona që nuk janë të departamentit apo të fushës së tij për të përcaktuar se kush është akademik dhe kush nuk është akademik, cilët pedagogë jo të departamentit të tij vijnë apo nuk vijnë në Fakultet, bëjnë mësim apo nuk bëjnë mësim etj. Që të dyja këto qëndrime mendoj se nuk i shkojnë për shtat një personi si ai, që pretendon se është i zhytur tërë kohën në studime dhe, po ashtu, nuk i shkojnë për shtat as etikës elementare të jetës akademike.
Pretendimi i z.Feraj se ka marrë leje gojore nga dekani është i pavërtetë. Dua të theksoj se universiteti është institucion dhe, si çdo institucion, funksionon në bazë të rregullave. Që prej dy vitesh në Fakultetin e Shkencave Sociale është vendosur dhënia e lejeve me shkrim. Këtë praktikë kanë zbatuar të gjitha departamentet dhe, po ashtu, e ka zbatuar me rigorozitet edhe z.Feraj si përgjegjës i departamentit. Në mënyrë të vazhdueshme, në kohën që ka qenë përgjegjës departamenti ai, bazuar në kërkesat individuale, ka propozuar me shkrim dhe dekani ka miratuar po me shkrim leje për pedagogët e Departamentit të Shkencave Politike. Vetë zoti Feraj ka kërkuar leje me shkrim dhe dekani i ka miratuar leje me shkrim për disa ditë edhe gjatë vitit, kur ai ka ikur pa leje me shkrim nga puna. Për këtë ka prova shkresore, të cilat rrëzojnë pretendimin e tij se ka marrë leje gojore.
E vërteta është se zoti Feraj, në kohën që ka qenë përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike, ka ikur 8 ditë jashtë shtetit pa leje të miratuar sipas praktikës së vendosur në institucion, duke kryer në këtë mënyrë shkelje të rënda dhe të përsëritura të disiplinës në punë. Shkelja bëhet më e rëndë, po të kihet parasysh se, bazuar në aktet rregullative të Universitetit të Tiranës, përgjegjësi i departamentit monitoron, krahas të tjerave, edhe disiplinën në punë të punonjësve të departamentit dhe, mbi këtë bazë, harton dhe firmos fillimisht listëprezencën në punë. Zoti Feraj ka nënshkruar listëprezencat në punë si ish-autoritet drejtues i Departamentit të Shkencave Politike dhe se ai me vullnet ka paraqitur në dokumentacionin zyrtar fakte të pavërteta për prezencën e tij në institucion për 8 ditë, kur kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse ai ka qenë pa leje jashtë shtetit, duke mashtruar në këtë mënyrë edhe strukturat drejtuese dhe financiare të institucionit. E thënë shkurt. Z.Feraj, përveçse ka munguar tetë ditë në punë, ai ka firmosur listëprezencën për veten e vet sikur ka qenë në punë, duke qenë jashtë shtetit. Kjo është penalizuar, sapo është konstatuar në bazë të legjislacionit në fuqi. Kjo është arsyeja e vërtetë e masës që është marrë për të.
Drejtuesit e institucionit nuk e kanë ndaluar z.Feraj të mendojë, të bëjë studime apo të sodisë peizazhet, siç shprehet ai, qoftë edhe në trojet shqiptare jashtë shtetit. Ajo që kemi kërkuar, është se, përderisa ai ka qenë i punësuar me kohë të plotë në institucion, duhej të zbatonte rregullat e marrjes së lejes për largimin nga vendi i punës, në rastet për jashtë shtetit. Dekanati ka dhënë leje me shkrim për çdo punonjës të Fakultetit, sa herë që kjo është kërkuar dhe ka qenë në përputhje me rregullat. Fakti është, se kur është shkelur disiplina në punë, janë penalizuar, në varësi të shkeljes, edhe pedagogë të tjerë në Fakultet. Vetë z.Feraj në kohën kur ishte përgjegjës departamenti, ka mbajtur një qëndrim shumë rigoroz, duke u hequr ditë të punës punonjësve të departamentit të tij që nuk kanë qenë prezent në punë. Unë e kam miratuar këtë veprim të tij se ka qenë në përputhje me rregullat. Po në këtë linjë, ndaj zotit Feraj është marrë një masë që është e përligjur, për arsye se ai ka bërë dy shkelje njëherësh, një administrative dhe një shkelje të natyrës penale. Mendoj se z.Feraj duhet të gjejë forcën (të cilën unë them se e ka) dhe të përgjigjet ndaj këtyre shkeljeve para ligjit, si një njeri i rritur dhe i përgjegjshëm.
Zoti Feraj vë në dukje se si dekan unë kam vepruar në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit. Dua të theksoj (dhe ai e di mirë) se dekani në bazë të ligjit nuk është punëdhënës dhe, si i tillë, unë nuk kam punësuar asnjë pedagog dhe nuk kam firmosur asnjë kontratë me asnjë pedagog (dhe as me z.Feraj kur ishte punonjës i Fakultetit). Në këtë pikëpamje, unë mendoj se nuk kam konflikt interesi. Në këtë linjë, unë kam miratuar për vite me radhë edhe propozimin që vinte nga Departamenti i Shkencave Politike dhe me firmën e zotit Feraj për angazhimin si pedagog të jashtëm në të njëjtin departament të baxhanakut të tij, të cilin, si parimor që pretendon se është, zoti Feraj, nuk duhet ta kishte harruar pa përmendur. Me sa di unë, problemin e konfliktit të interesit ai e ka kallëzuar edhe në institucionin ligjor që mbulon zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit. Do të kishte bërë mirë të priste konkluzionet nga ky institucion, para se ta bënte fakt të kryer me synime denigruese në shkrimet e tij në gazeta.
Zoti Feraj (dhe ndonjë tjetër që e përkrah) shpërndan thashetheme për fonde ekselence dhe dhënie bursash ekselence, por kjo nuk ka ndodhur kurrë, sepse unë si dekan nuk kam pasur kurrë ndonjë fond ekselence në Fakultet dhe se nuk është në kompetencën time shpërndarja e fondeve të ekselencës.
Zoti Feraj vë në dukje se dekani udhëheq shumë doktoratura në kundërshtim me ligjin. Kjo është e pavërtetë, se kjo praktikë është realizuar në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet nënligjore. Dua të theksoj këtu se si dekan unë kam po të njëjtin numër doktoraturash në udhëheqje, sa edhe profesorët e tjerë të Fakultetit të Shkencave Sociale, se ky numër shtrihet për një periudhë 5-6 vjeçare dhe se vendimet janë marrë në mënyrë kolegjiale nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit, në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Kjo vërtetohet shumë lehtë. Duket se akti i veçimit të dekanit nga ana e z.Feraj është tendencioz dhe kjo nuk shkon për shtat me frymën e parimorit të madh, që pretendon se është.

Studentët në protestë: Të kthehen në detyrë pedagogët e shkarkuar
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë protestuar para godinës së Fakultetit, duke dalë kundër vendimit për shkarkimin e dy pedagogëve. Për orë të tëra ata kanë bojkotuar mësimin në shenjë revolte, duke kërkuar kthimin në detyrë të dy pedagogëve të shkarkuar, përkatësisht Sokol Abazi dhe Hysamedin Feraj. Në qëndrimin për mediat, studentët dhe pedagogët pjesëmarrës në këtë protestë e cilësuan këtë politikë që po ndërmerret nga rektorati si përjashtuese nga sistemi universitar. Ata kanë dalë edhe kundër tarifave të larta të shkollimit, si dhe reduktimit të numrit të kuotave për pranimet e reja. Në lidhje me pagesën e menjëhershme, prej 30% gjatë momentit të regjistrimit në Fakultet, studentët kanë kërkuar që qeveria të tërhiqet nga ky vendim, pasi sipas tyre kjo penalizon ata që nuk kanë mundësi financiare. Ndër kërkesat që kanë paraqitur, veç rishikimit të tarifës dhe rikthimin e menjëhershëm në detyrë të profesorëve të pezulluar nga puna, është edhe ajo për dorëheqjen e dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, Theodhori Karaj.

http://www.panorama.com.al/2014/11/25/feraj-si-me-hoqen-karaj-e-kule-ngaqe-i-denoncova-dekani-karaj-feraj-shkelje-penale-dhe-administrative/