Thursday, August 11, 2016

Mbi sistemin e arsimit ne RPSSH

Gjeni ketu ne PDF nje dokument arkivor per sistemin e arsimit ne Republiken Popullore Socialiste te Shqiperise.


Dokument: ketu


Sistemi Arsimor i RPSSH ka për qëllim zhvillimin e gjithanshëm të brezit të ri për t’iu përgjigjur nevojave të sotme e të përspektivës së ndërtimit të shoqërisë socialiste, ndërtohet mbi bazën e rendit politik dhe ekonomik, udhëhiqet e frymëzohet nga PPSH dhe gërsheton mësimin, punën prodhuese e praktikat profesionale dhe edukimin fizik e ushtarak.

Në Shqipëri sistemi arsimor plotëson kërkesat e të gjithë punonjësve për arsim, është unik dhe jepet falas. E drejtë për t’u arsimuar e të gjithë qytetarëve pavarësisht nga gjendja shoqerore e seksi, e drejta për të marrë arsim në gjuhën amtare, janë të garantuara në Kushtetutën e RPSSH. Në të gjitha kategoritë e sistemit arsimor mësimi i të rinjve e të rejave realizohet bashkarisht. Në ndihmë të nxënësve e studentëve shteti organizon sistemin e bursave dhe të konvikteve.

 Struktura e sistemit arsimor

Sistemi arsimor në RPSSH ka këtë strukturë:

a) Arsimi parashkollor, që përfshin fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç. Ai realizohet në kopshtet parashkollore të tipave të ndryshëm e në shtëpitë e fëmijës të parashkollarëve.

b) Arsimi i përgjithshëm tetëvjeçar, që përfshin fëmijët nga mosha 6 deri në 16 vjeç, është hallka bazë dhe masive e sistemit arsimor, e njësuar dhe e detyrueshme.

c) Arsimi i mesëm, përfshin të rinjtë mbas mbarimit të shkollës tetëvjeçare dhe ndahet në:
1. arsimi i mesëm i përgjithshëm
2. arsim i mesëm professional (shkolla bujqësore, teknike, artistike, pedagogjike, ekonomike etj.).  Arsimi i mesëm është 4 vjet, ndërsa për punonjësit e kategorive të ndryshme që e vazhdojnë këtë lloj shkolle pa shkëputje nga puna, 5 vjet. Shkollat e mesme profesionale janë njëdegëshe e shumëdegëshe.

ç) Arsimi i lartë, ndiqet nga nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme dhe realizohet në Universitet dhe në shkollat e tjera të larta. Studimet zgjatin 3, 4, 5 vjet.

dh) Specializimi pasuniversitar organizohet në formën e kurseve 1 deri në 3 vjeçare pranë shkollave të larta ose institucioneve kërkimore shkencore për specializimin dhe perfeksionimin e kuadrit të lartë.

* * *

Në Shqipëri ka edhe shkolla të veçanta, si Instituti i Fëmijëve që nuk Shikojnë e nuk Dëgjojnë shkolla për fëmijë me zhvillim të vonët mendor etj., që punojnë me plane e programe mësimore të veçanta.

Një hallkë e veçantë janë shkollat e ulëta tekniko-profesionale 1 ose 2 vjeçare, mbi bazën e shkollës tetëvjeçare dhe përgatitin punëtorë të kualifikuar në specialitete të ngushta. Ato varen nga dikasteret përkëtase dhe nga Ministria e Arsimit.

0 comments:

Post a Comment