Friday, January 20, 2017

OpenData.al publikon nje panorame mbi gjendjen financiare te institucioneve te arsimit te larte privat

Shoqëri Biznesi që funksionojnë si Universitete Jo publike Dhjetor 2015

Griselda Rruci, 6 Janar 2017


http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/1897/Shoqeri-Biznesi-qe-funksionojne-si-Universitete-Jo-publike-Dhjetor-2015#sthash.nTvkt2Pq.dpuf


Open Data Albania po hulumton mbi shoqëri biznesi që veprojnë si Institucione të Arsimit të Lartë apo Universitete Jo Publike. Të dhënat janë marrë nga databaza e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Këto institucione funksionojnë dhe rregullohen në bazë të Ligjit nr. 80/2015,  me titull: Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë. Institucionet e Arsimit të Lartë janë të organizuara në institucione publike, jopublike dhe publike të pavarura. Ato duhet të ofrojnë programe të licencuara të studimeve, për të cilat lëshojnë diploma pas akreditimit të institucionit dhe programit të studimit. Institucione jopublike, të arsimit të lartë janë persona juridik privat.

Veprimtaria që ato zhvillojnë mund të jetë fitimprurëse ose jofitimprurëse. Sipas Ligjit, llojet e institucioneve të arsimit të lartë janë universitetet, akademitë dhe kolegjet profesionale të larta. Universiteti është institucion i arsimit të lartë që vepron në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese dhe profesionale. Universiteti duhet të ketë në përbërje të paktën tre fakultete. Universiteti ofron arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, të shkencës, të inovacionit dhe profesioneve.

Gjithashtu një universitet në dallim nga të tjera njësi të arsimit të lartë, zhvillon kërkim shkencor bazë e të zbatuar, veprimtari krijuese, ofron shërbime dhe ushtron veprimtari të tjera, në përputhje me fushat e programeve të studimit. Universiteti ofron programe të studimit në të gjitha ciklet e studimeve të arsimit të lartë si edhe programe studimi me karakter profesional.

Nga hulumtimi ynë kemi arritur të gjejmë të dhëna të karakterit tregtar për njëzet e tre institucione. Prej tyre katër funksionojnë si organizma jofitimprurëse, OJF dhe fondacione. Konkretisht të regjistruara si jofitimprurëse janë "Hëna e Plotë" (Bedër), "Nehemiah Gateway", Akademia e Studimeve te Aplikuara "Reald", Vlorë dhe SHLP "Mesdhetare e Shqipërisë". Nëntëmbëdhjetë të tjera janë të regjistruara në QKR dhe veprojnë si shoqëri biznesi. Vetëm një nga shoqëritë institucione të arsimit të lartë, funksionon si aksionere SHA, ndërsa tetëmbëdhjetë të tjera janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar SHPK.

Në katërmbëdhjetë  raste shoqëria e regjistruar për të bërë të mundur aktivitetin e një Universiteti Jo Publik është shoqëri e zotëruar nga ortak individ. Në tre raste janë shoqëri mëma që zotërojnë aksione apo kuota të shoqërisë që funksionon si institucion i arsimit të lartë. Në një rast kemi ortak të miksuar individ dhe shoqëri. Tre institucione apo universitete jopublike kanë posedues individ të huaj, konkretisht “Epoka”, Logos dhe University of New York Tirana. Nëse shohim individët aksionar sipas ndarjes gjinore janë gjashtë femra që kanë kuota në këto shoqëri që funksionojnë si Institucione të Arsimit të Lartë.

Zotërues aksionar apo ortak në Shoqëri Biznesi Institucione të Arsimit të Lartë jo publik dhjetor 2016




Nëse shohim kapitalin themeltar të këtyre shoqërive rezulton se vlerën më të lartë e ka shoqëria Turgut Ozal Education, shoqëri nën të cilën funksionon Universiteti Epoka. Tetë janë shoqëri me kapital minimal prej 100 000 lekë. Dy nga shoqëritë kanë status si të Pezulluara tek aktiviteti tregtar.

Po njësoj mund të krahasojmë edhe të dhëna që përkojnë me Aktive Afatgjata Materiale investime afatgjata, në të cilat përfshihen Toka dhe Ndërtesa, Impiante dhe Makineri si dhe Instalime dhe Pajisje. Sa i takon aktiveve afatgjata materiale kompani me të dhëna më të larta për vitin 2015 rezulton shoqëria UFO me një vlerë rreth 3.2 milionë lekë.

Kapitali për Shoqëri Biznesi Institucione të Arsimit të Lartë jo publik dhjetor 2016

Një indikator tjetër janë kreditë që këto shoqëri tregtare kanë marrë në banka të nivelit të dytë. Vlerën më të lartë të kredive e shënon 'Epoka', pjesë e 'TURGUT OZAL EDUCATION', përkatësisht 1.14 miliardë lekë në vitin 2015. Xhiron më të lartë vjetore në vitin 2015 e ka kryer 'UFO', përkatësisht 1.5 miliardë lekë, ndërsa xhiron më të ulët 'IVODENT', përkatësisht 3.6 milionë lekë.

Xhiro Vjetore për Shoqëri Biznesi që funksionojnë si Universitete Jo Publike



Renditje e Shoqërive sipas kredimarrjes që kanë.
Kosto të punës apo pagesat që universitetet kanë bërë për burime njerëzore, staf akademik dhe personel sporti është një detaj kontabël i analizuar në kontekstin e këtyre kompanive. Konkretisht kompania me kosto më të larta për burime njerëzore është  shoqëria me të cilën funksionon edhe Epoka me 551 milionë lekë, ku duhet thënë se shoqëria ka edhe të tjera institucione arsimore veç Epokës. Kjo pasohet nga UFO me 327 milionë lekë dhe Universiteti Europian i Tiranës me 223 milionë lekë.

Në vitin 2015 tre nga pesëmbëdhjetë shoqëritë tregtare që veprojnë si universitete jo publike dhe për të cilat kemi informacion kontabël, janë shoqëri me humbje  ndërsa të tjerat rezultojnë me fitime.
Nga administratorët që drejtojnë këto shoqëri theksojmë se vetëm pesë raste janë femra. Në shumicën e shoqërive administratori është edhe ortak i shoqërisë.


Disa nga shoqëritë tregtare nuk veprojnë vetëm si institucione të arsimit të lartë dhe kanë në aktivitet tregtar dhe ekonomik edhe njësi të tjera në sektorin e arsimit dhe jo vetëm.

Të dhënat tabelare me informacion tregtar dhe kontabël për Shoqëritë e Biznesit ju mund ti gjeni në katalogun e të dhënave të Open Data Albania dhe Open Corporate Albania. Informacioni është pjesë e ekstrakteve të shoqërive tregtare publikuar në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit ndërsa komentet dhe analizat janë të ODA.


 http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/1897/Shoqeri-Biznesi-qe-funksionojne-si-Universitete-Jo-publike-Dhjetor-2015#sthash.nTvkt2Pq.dpuf

Tuesday, January 10, 2017

PISA 2015 dhe një vështrim krahasues me teste të tjera të zhvilluara në Shqipëri

Arjan Shahini 


Shqipëria vazhdon të përmirësojë treguesit e performancës në sistemin e arsimit parauniversitar sipas rezultateve në testin e PISA, 2015.

PISA – Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve

Studimi i PISA për arritjet në lëndët matematikë, shkencë dhe lexim lejon analiza statistikore mbi politikat e arsimit në vend në nivel individual, nivel shkolle dhe nivel kombëtar. PISA mat aftësitë e nxënësve për të përballur sfidat e së ardhmes, përshtatjen me jetën, aftësitë e tyre analitike, logjike e komunikuese etj.
Në nivel shkolle studimi dallon format efikase të organizimit dhe ndikimin e infrastrukturës arsimore mbi të nxënit. Në nivel kombëtar të dhënat lejojnë studimin e strukturave dhe praktikave mësimore ndaj nxënësve të prekur prej rrethanave jetësore të pafavorshme. Gjithashtu të dhënat e PISA lejojnë analizën e ndikimit të historikut të nxënësve mbi arritjet e tyre dhe nëse efekti i arsimit të ofruar është i barabartë për të gjithë nxënësit pavarësisht historikut të tyre.
PISA vlerëson një kampion të rastësishëm të 15-vjeçarëve marrë prej një kampioni shkollash në nivel kombëtar. Në 2012 ishin 65 shtete (34 të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, dhe 31 vende partnere) dhe rreth gjysmë-milion nxënës (që përfaqësojnë 28 milion 15-vjeçarë). Në 2015 ishin 72 vende  (35 të OECD).
Fushat që testohen janë aftësitë dhe njohuritë shkencore, matematikore dhe ato të leximit. Fokusi për vitin 2015 ka qenë mbi aftësitë për shkencën, ku ka pasur edhe seksione shtesë, pais lënda që është në fokus merr gati gjysmën e kohës së testit. Seksionet shtesë të shkencës nuk janë pyetur për Shqipërinë dhe kjo e vështirëson analizën për aspekte të veçanta të mësimdhënies. Në disa vende maten edhe aftësitë për njohuri ekonomike dhe financiare.
Rezultatet raportohen në pikë (1-, të cilat kategorizohen në gjashtë nivele, ku niveli 6 është më i larti (ose 7 nivele kur niveli i parë raportohet si 1a dhe 1b). Niveli i dytë është niveli bazik që nxënësit në moshën 15 vjeçare pritet të kenë arritur pas arsimit të detyruar, në mënyrë që të dëshmojnë se janë në gjendje të angazhohen si qytetarë të informuar dhe kritikë për çështje shkencore dhe zgjidhjen e problemeve me metoda matematikore.

PISA 2015 mbi Shqipërinë: Të dhëna përshkruese
Shqipëria merr pjesë prej vitit 2000 (vetëm ne lexim) dhe ka marrë pjesë në 2009, 2012 dhe 2015. Në vitin 2012 në Shqipëri kampioni ka qene 4743 studente (204 shkolla) dhe në vitin 2015 ka qene 5215 (230 shkolla). Por kampioni përfaqëson një numër më të madh nxënësish. Testi në Shqipëri është realizuar me letër. Rreth 70% e kampionit ka qenë 15 vjeç, pjesa tjetër 16 vjeç. Ndërsa rreth 36% kanë qenë në klasën e nëntë dhe 62% në klasën e dhjetë. Në të dhënat e Shqipërisë mungojnë shumë tregues që informojnë mbi karakteristikat individuale të nxënësit, ato të mësuesit apo të shkollës. Disa prej variablave kanë qenë në vitin 2012 por të dhënat kanë rezultuar problematike.
Statistika përshkruese të përgjithshme mbi popullatën dhe kampionin për PISA 2012 dhe 2015 për Shqipërinë. Më poshtë do të paraqitet një tablo e rezultateve kryesore[1].


2012
2015
Popullata e nxënësve
(ka një gabim – raporton një shifër prej 76.910) 51,186
48,610
Kampioni
4743
5215
Përfshirë në kampion
0.55
0.84
Nxënës që përfaqësohen nga kampioni
42466
40896
Femër
52%
50%
Mashkull
48%
50%

Rezultatet
Rezultatet më të mira janë arritur në shkencë.  Mesatarisht Shqipëria ka 427 pikë në shkencë, që i korrespondon nivelit të dytë dhe është nën mesataren e OECD (493 pikë). Nëse rezultati do të korrigjohej për nga efekti i buxhetit mbi arsimin dhe gjendja ekonomike e Shqipërisë, atëherë rezultati do të ishte 483 pikë.
Shqipëria ka një trend rritjeje mesatare prej 47 pikësh në tre vjet prej vitit 2006, vendi i parë në renditje për këtë tregues. Rritja më e madhe në krahasim me vitin 2012 është shënuar tek studentët që ndodhen nën mesatare, respektivisht 57 pikë për 10% të nxënësve dhe 33 pikë për 25% të nxënësve.
Në lidhje me krijimin e mundësive të barabarta, rezultati tregon se efekti i sistemit arsimor është ndjerë më së shumti tek studentët me rezultate të ulëta dhe më pak tek të shkëlqyerit. Rreth 41% e nxënësve arrijnë nën nivelin e dytë, ndërkohë që 25% janë mesatarisht për vendet e OECD, dhe vetëm 0.3% arrijnë rezultate të nivelit të pestë. Rreth 35% e nxënësve 15-vjeçar nuk kalojnë nivelin e dytë, pra shkolla ka dështuar tu mësojë atyre aftësitë e të menduarit për shkencën gjatë arsimit të detyruar. Shumë pak (0.3% ose 144 vetë) arrijnë nivelin e pestë e lartë (7.7% në vendet e OECD) dhe asnjëri prej nxënësve shqiptarë kalojnë në nivelin e gjashtë që është më shumë se 707 pikë. Këtu mund të nxirren mësime për efektin e shkollës: shkolla shqiptare duket të barazojë për poshtë dhe nuk nxit ekselencën.
Për Shqipërinë rezultatet në matematikë janë ende të dobëta edhe pse ka pasur rritje të konsiderueshme. Rreth 53.3% e nxënësve janë nën nivelin e dytë dhe 26% janë nën nivelin e parë. Sidoqoftë Shqipëria ka një përmirësim prej 6 pikësh prej PISA 2009 dhe 10% i poshtëm ka arritur të përmirësojë rezultatin, ndërsa  trendi pozitiv i rritjes për tre vjet është me rreth 13 pikë. Gjithashtu kanë përmirësuar rezultatin edhe nxënësit e 10 përqindëshit më të mirë. Kjo tregon se përmirësimi i rezultateve është thuajse i njëtrajtshëm për të gjitha nivelet dhe efekti i sistemit të arsimit ka ndikuar tek të gjithë për rezultate pozitive. Rreth 24% e rezultateve mund të shpjegohen nga ndryshimet ndërmjet shkollave.
Në lexim Shqipëria ka arritur një mesatare prej 415 pikësh, ndërkohë që vendet e OECD janë 495. Shqipëria ka pësuar rritje të konsiderueshme dhe sinjifikante prej PISA 2000 me një trend pozitiv prej 12 pikësh në tre vjet. Rritja prej 11 pikësh nga viti 2012 nuk është sinjifikante, por gjithsesi ka një rritje të performancës ndër nxënësit me rezultate të dobëta dhe për pasojë është ulur numri i nxënësve në kategorinë e nivelit të parë. Gjithsesi, rreth 50.3% e nxënësve janë nën nivelin e dytë dhe 7.5% e nxënësve janë nën nivelin e parë, pra rreth katër vjet vite shkolle prapa bashkëmoshatarëve të tyre.  Pra numri i analfabetëve funksionalë, sikur u diskutua në vitin 2012, është ende i lartë (ulja e pësuar prej vitit 2012 nuk është sinjifikante nga pikëpamja statistikore). Numri i atyre që kanë pasur arritje mbi nivelin e pestë është ende i vogël, rreth 1%, dhe madje është ulur prej 2012, por në perspektivë është rritur ndjeshëm prej 2009. 





PISA 2015
Shkence
Matematik
Lexim
Arritje të ulëta (nën nivelin 2)
41.7%
53.3%
50.3%
Arritje të larta (në nivelin 5 & 6)
0.4%
1.1%
0.0%
Tabela : Shpërndarja e arritjeve të ulëta dhe të larta


Tabela : Arritje të ulëta dhe të larta, PISA 2015
PISA 2015
Shqipëria (%)
OECD (%)
Arritje të ulëta në të gjitha lëndët
31.1
13
Arritje të ulëta në të paktën një lëndë
66.4
30.8
Arritje të larta në të gjitha lëndët
0.1
3.7
Arritje të larta në të paktën njërën lëndë
2
15.3


Rezultatet në matematikë janë të ngjashme edhe me ato të Maturës 2016 në sesionin e parë, ku 69% e studentëve janë nën notën 6, që mund të cilësohet niveli i dytë në PISA. Ndërsa 12.3% e nxënësve janë nën notën katër, ose nën nivelin e parë të PISA. Në lexim rreth 33% janë nën notën 6. 

Dallimet ndërmjet shkollave
Efekti i shkollës mbi arritjet në PISA 2015 (matur me ICC – intraclass correlation), ndryshe nga viti 2012 që dilte i vogël dhe jo-sinjifikant për shkaqe të pasqaruara, është rreth 21% për matematiken, 24% për leximin dhe 19% për shkencën. Këto rezultate janë të ngjashme edhe me provimet e maturës 2015.  Dallimet ndërmjet shkollave janë relativisht të larta dhe ndikimi i shkollës për rrjedhojë është i lartë mbi arritjet e nxënësve. Ky rezultat do të lejonte analiza mbi efektin e shkollës për aspekte të ndryshme, por mungojnë të dhëna mbi shkollat.
Dallimet ndërmjet vendndodhjes së shkollave, ndërmjet atyre urbane dhe rurale janë relativisht të mëdha. Shkollat urbane kanë diferenca të mëdha nga ato rurale që variojnë nga 50 pikë për leximin, në 30 në shkencë dhe 35 në matematikë, pra më shumë se një vit shkolle distancë. Nga një analizë e statistikore ndikimi i vendndodhjes së shkollës në zonat rurale është negativ mbi arritjet e nxënësit, rreth minus 40 pikë në lexim, pra më shumë se një vit shkolle.
Diferenca ndërmjet shkollave private dhe publike është rreth 50 pikë dhe nxënësit në shkollat publike kanë gjasa të arrijnë rezultate më të dobëta se ata në shkolla private (ulur prej vitit 2009, nga 64). Efekti i shkollave private është pozitiv mbi rezultatet e nxënësve, rreth 28 pikë në lexim.

Dallime ka edhe ndërmjet zonave gjeografike, sidomos ndërmjet Shqipërisë së Veriut dhe Shqipërisë së Jugut. Në veri dallimet janë me 16 pikë në matematik, 35 në lexim dhe 23 në shkencë. Shkollat në veri ndikojnë negativisht arritjet e nxënësve me ndër nxënësit, me minus 26 pikë apo rreth minus 20 pikë për shkollat.  
Dallimet ndërmjet shkollave janë të konsiderueshme sa i përket rezultateve në nivel nxënësi. P.sh. në lexim 35 shkolla kanë nxënës që arrijnë rezultate mbi nivelin e gjashtë, por 12 shkolla nuk kanë asnjë nxënës që kalon nivelin e dytë. Ndërkohë që mbi 130 shkolla janë me mesatare nën nivelin e dytë, asnjë nuk arrin një mesatare mbi nivelin e pestë. Në matematikë p.sh. ka vetëm 38 shkolla me nxënës që janë në gjendje të arrijnë mbi nivelin e pestë, por janë rreth 219 shkolla që nuk kanë asnjë nxënës të arrijnë nivelin e dytë. Vlen të përmendet se këto dallime të mëdha ndërmjet shkollave vërehen edhe në provimet e maturës (p.sh. ndërmjet rretheve apo llojit të shkollës publikeve/private).
Në provimin e maturës në vitin 2016 ishin vetëm 102 shkolla nga 492 të regjistruara që kishin nxënës me rezultate 10 në letërsi. Në matematikë ishin 142 shkolla që kishin nxënës me arritje deri në 10, por mbi 130 shkolla nuk kishin asnjë nxënës që të merrte mbi notën shtatë. Në 2014 dallimet ndërmjet shkollave publike dhe private ishin me 3 pikë në favor të privatëve. Ndërsa dallimet ndërmjet fshatit dhe qytetit janë edhe më të mëdha në maturën shtetërore. Diferenca është rreth 6 pikë në matematikë për vitin 2014. Ndërsa Tirana qark me Tiranën në vitin 2016 kishin rreth një notë diferencë në matematikë (statistikisht sinjifikante).

Dallimet gjinore

Dallimet ndërmjet meshkujve dhe femrave janë në favor të femrave për të tre fushat: në matematikë (+9 pikë për femrat), shkencë (+24) dhe lexim (+59). Këto diferenca janë veçanërisht të mëdha ndër nxënësit që arrijnë rezultate të ulëta. Në shkencë dallimi ndërmjet vajzave dhe djemve nën nivelin e dytë është +27 pikë, por ky dallim zvogëlohet me +12 për nivelin e katërt e sipër. Po ashtu edhe në lexim këto dallime janë respektivisht +60 deri në nivelin e dytë dhe +46 mbi nivelin e dytë. Dallimet në matematikë për nxënësit e shkëlqyer nuk janë sinjifikant.
Shqetësuese është që këto dallime janë thelluar prej vitit 2012 në lexim, matematikë dhe shkencë, sidomos në nxënësit me arritje nën nivelin e dytë. Ndërkohë që vajzat kanë përmirësuar arritjet në të tre testet prej 2012, djemtë janë rritur më pak dhe janë përkeqësuar në lexim. Kjo tregon se përmirësimi i arritjeve prej vitit 2012 është si pasojë edhe i përmirësimit të arsimimit të femrave, një proces që ka lënë pas djemtë.
Nga një model statistikor për rezultatet e leximit në PISA 2015 (analizë në dy nivele: shkolle dhe nxënës) mund të presim që rezultati të rritet me rreth 50 pikë nëse nxënësi është femër, dhe me 60 pikë në nivel shkolle nëse raporti femër-mashkull rritet me një njësi në favor të femrave. Pra femrat mund të jenë mesatarisht rreth dy vite shkolle më shumë se djemtë. Rezultate te ngjashme e sinjifikante vërehen edhe në arritjet mbi shkencën, por në nivel individual efekti i gjinisë është më i vogël. Shkurtimisht, efekti i gjinisë mbi arritjet në PISA 2015, i përkatësisë femërore në këtë rast, është pozitiv dhe relativisht i lartë e sinjifikant.
Dallimet gjinore në favor të vajzave fillojnë që në shkollën fillore. Sipas një studimi të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (AKP, Tetor 2015 “Vlerësimi i Arritjeve të Nxënësve të Klasës së 3-të dhe të 5-të) mbi arritjet e nxënësve në klasën e tretë dhe të pestë femrat kishin mesatarisht 3 pikë më shumë se djemtë (nuk raportohet nëse dallimet janë sinjifikante, por shmangia standarde tek djemtë është më e madhe dhe kufiri i poshtëm i shpërndarjes është më i ulët.)
Dallimet e evidentuara në PISA vijojnë më pas edhe në Maturën Shtetërore, ku p.sh. në vitin 2014 vajzat kishin rreth 8 pikë më shumë se djemtë (nuk dihet nëse këto diferenca janë sinjifikante. AKP nuk ka nxjerrë ende raporte për Maturën në 2015 dhe në 2016.)
Analiza duhen bërë nëse djemtë po diskretitohen nga feminizimi i mëtejshëm i profesionit të mësuesit, çfarë sjell mangësi në identifikimin me rolin mashkullor të nxënësve. Një tjetër aspekt, që vërehet edhe nga diferencat e mëdha në lexim, është se ndoshta meshkujt lexojnë më pak dhe kanë rrjedhimisht vështirësi në të nxënit. PISA mbledh të dhëna të tilla, por pyetësorët nuk janë realizuar për Shqipërinë në PISA 2015.  Por p.sh. për vitin 2012 vetëm 50% e nxënësve raportonin se kishin libra në shtëpi. 


Krahasim me disa nga vendet e rajonit

Në krahasim me disa vende të rajonit Shqipëria ka shënuar përmirësime të ndjeshme, por është ende pas Bullgarisë, para Kosovës dhe Maqedonisë (dallimet sinjifikante) dhe afër Malit të Zi (dallimet jo sinjifikante).

Vendi
2015
2012
2009
2006
2000

Shkenca
Shqiperia
427
397
391
Bullgaria
446
446
439
434
Maqedonia
384
Kosova
378
Mali i Zi
411
410
401
412

Matematika
Shqiperia
413
394
377
-
Bullgaria
441
439
428
413
-
Maqedonia
371
-
Kosova
362
-
Mali i Zi
418
410
403
399
-

Leximi
Shqiperia
405
394
385
349
Bullgaria
432
436
429
402
430
Maqedoni
352
373
Kosova
347
Mali i Zi
427
422
408
392






[1] Shënim: përveç kur përmendet ndryshe në raport do të analizohen vetëm rezultatet statistikore sinjifikante.