Monday, May 16, 2016

Konsulence ligjore per aktet nenligjore te ligjit te arsimit te larte: Rrezik per klientelizem.



http://appa.al/raport-maj-2016-ministria-e-arsimit-dhe-sportit/


Rigels Xhemollari,  Raport Maj 2016 – Ministria e Arsimit dhe Sportit
1-Reforma në arsimin e lartë, MAS shkelje ligji nga “paaftësia”
Sipas nenit 141 të ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të kishin dalë të gjitha aktet nënligjore që e bëjnë funksional zbatimin e tij dhe krijimin e instituteve dhe institucioneve që parashikohen. [1] Ky afat ka rreth 2 muaj që ka kaluar dhe ende nuk ka dalë asnjë akt i vetëm nënligjor, udhëzim apo VKM. Pra jemi para faktit që një ministri dhe një qeveri pompon çdo ditë në media dhe auditorë si sukses reformën në arsimin e lartë dhe nuk është ulur një ditë të vetme të shohë afatet, aktet dhe nevojën e përshpejtimit të procesit. Kur dëshira nuk të përputhet me arritjen, ky fenomen trajtohet si paaftësi, prandaj mungesa e një kolone aktesh nënligjore dhe papërgjegjshmëria institucionale kanë bllokuar një seri procesesh të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë.
Duke nisur nga VKM për krijimin e Bordit të Administrimit, për çlirimin e doktoraturave pas një pauze 3-vjeçare, për modelin dhe Agjencinë e Financimit të arsimit të lartë, e deri te kodi i cilësisë së arsimit të lartë janë rreth 30 akte nënligjore që duhet të ishin nxjerrë sipas afateve që përcakton ligji nga Këshilli i Ministrave. Kjo anomali dëmton procesin, arsimin dhe dështimin e ndërtimit në kohë të institucioneve të parashikuara në ligj. Shqipëria nuk ka mekanizëm ligjor shtrëngues që të detyrojë Këshillin e Ministrave të miratojë aktet në afat, kështu që çdo reformë apo ligj i rëndësishëm është i destinuar të mbetet në mëshirën e fatit dhe dëshirën e atyre që na drejtojnë.
Por edhe vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk mbetet mbrapa sa i takon “paaftësisë”. Janë rreth 20 akte të tjera nënligjore (udhëzime të Ministrit) që duhet të ishin miratuar deri në fund të muajit prill, por siç dallohet edhe nga faqja e internetit muajt e fundit ka qenë e ngarkuar me festivale dhe ceremoni të ndryshme. Madje MAS ka zhvilluar edhe seminare për orientime drejt karrierës duke harruar që orientimi më i mirë është zbatimi i ligjit, detyrë të cilën e ka harruar. Nga neglizhenca dhe paaftësia e këtij institucioni ne sot nuk kemi udhëzime për dokumentacionin dhe procedurat e hapjes së programeve të reja të studimit, ngarkesat mësimore, format e diplomës, forma e aplikimit për grantet dhe politikat e zhvillimit të IAL-ve. Ky lloj ngërçi ligjor ka krijuar konfuzion tek pedagogët e studentët, ka krijuar pakënaqësi tek kërkuesit shkencorë tek drejtuesit e universiteteve publike dhe private dhe nëse do të vazhdojë deri ne fillimin e vitit të ri akademik do të kemi një reformë të dështuar jo nga mungesa e vizionit por nga paaftësia institucionale.
2- Zgjidhje me shkop magjik, ligj me tender
Pasi kaloi rreth një vit nga hyrja në fuqi e ligjit dhe as Këshilli i Ministrave dhe as MAS nuk ja dolën të miratojnë qoftë edhe një akt të vetëm, sytë u drejtuan nga Agjencia e Prokurimit Publik si ilaç i paaftësisë. Ministria e Arsimit dhe Sportit, pavarësisht se në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë shenjë, ka shpallur tender publik me objekt kontrate “Konsulencë në hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë”, në vlerën e 2.5 milion lekëve pa TVSH.[2] Nëpërmjet një tenderi me afat një mujor zyrtarët e Ministrisë i kërkojnë ekspertëve përgatitjen e rreth pesëdhjetë akteve nënligjore për të cilat së pari duhet të kërkojnë ndjesë publike që nuk i realizuan dot as për një vit dhe as me paratë që paguhen nga taksapaguesit për të bërë detyrën e tyre. Qytetarët shqiptarë për shkak të paaftësisë së institucioneve, përveç kostos që sjell moszbatimi i ligjit në kohë do të duhet të paguajnë edhe koston ekonomike të ardhur nga kontraktimi i ekspertëve të cilët dot ë bëjnë punën e Ministrisë e cila këtë muaj kishte shumë ceremoni dhe nuk pati kohë të angazhonte departamentin e saj juridik.
[2] Buletini APP Nr. 19 datë 16 Maj 2016 https://www.app.gov.al/ep/2016_Arkiva_e_Buletineve.aspx