Wednesday, March 2, 2016

Kritika mbi procesin e ri te akreditimit nga ish-ministri i arsimit Prof. M. Tafaj

Qeveria deklaroi dje se akreditimi i universiteteve bëhet në shtator 2017! 
 
Qeveria kishte premtuar se akreditimi do të bëhet brenda vitit të parë të mandatit, pra në vitin 2014. U bë një shoë për një marrëveshje me një agjenci britanike në dhjetor 2014. Por, dje na doli që agjencia britanike qenka tërhequr. Dje u rikthye agjencia në fjalë dhe do të nisë punën. Por interesant është afati I vendosur për akreditimin: shtator 2017! Duket qartë se është afat politik. Po premtimi c’u bë?! 
Në dhjetor të vitit 2014 kam botuar në gazetën Panorama një shkrim për akreditimin me titull: Akreditimi në arsimin e lartë nuk mund të jetë vetëm ndëshkim !

Kanë kaluar gati dy vjet, nga 2014, dhe asgjë nuk ka ndryshuar në mbështetjen e universiteteve publike për të rritur cilësinë. Përkundrazi, buxheti I arsimit pësoi ulje dhe jo rritje. Buxheti 2016 parashikon 450 USD per student, kur mesatarja e vendeve te OECD eshtë 11800 USD per student. Ligji i ri i arsimit të lartë nuk premton asnjë reformë të vërtetë për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe orientimin e tij kah nevojave të ekonomisë dhe tregut të punës. Ai realizon vetëm një gjë: shteti braktis universitetet publike dhe koston e shkollimit të lartë e transferon tek studentët dhe familjet e tyre. U premtuan bursa për degët prioritare, por buxheti I vitit 2016 nuk ka parashikuar asnjë qindarkë. Me këtë ligj fakultetet shuhen dhe universitetet do të qeverisen përmes komandës direkte që do tu japin administratorët (të emëruar nga qeveria) dhe rektorët përgjegjësve të departamenteve, gjoja të zgjedhur, por që do të jenë thjesht ushtarë. Pagat e pedagogëve do të përcaktohen nga bordet e komanduara nga qeveria, cka do të bëj që të goditen shumë pedagogë dhe profesorë, për shkaqe poltike ose sepse nuk kanë votuar drejtuesit e universitetit, fakultetit apo departamentit. Hierakia e re e organizimit të universitetit, që parashikon ligji I ri, e asgjëson de facto autonominë dhe lirinë akademike, përjashton de facto profesoratin nga pjesëmarrja reale në vetqeverisjen e universitetit dhe krijon një linjë të qartë komande, në krye të së cilës do të jenë admininstratorët e dërguar nga qeveria. Ligji I ri nuk krijon asnjë hapësirë reale për konkurrim me meritë, jo vetëm për postet drejtuese, por edhe për vendin e punës si pedagog. Modeli i votës do të shërbej thjesht si një maskë, se gjoja pedagogët dhe studentët po zgjedhin autoritetet drejtuese në universitete. Në fakt, në krye të universiteteve, do të jenë komisarët politikë, të quajtur ndryshe administratorë. Pas quasi- zgjedhjeve të reja në universitete pedagogët dhe studentët do të përballen me pasojat tejet negative të këtij ligji, jo vetëm për universitetet dhe fakultetet, por edhe për cdo pedagog dhe student në arsimin e lartë publik.
 
Akreditimi në arsimin e lartë nuk mund të jetë vetëm ndëshkim !
botuar ne Panaroma me 26.12.2014
Studentët, prindërit dhe pedagogët e universiteteve kanë filluar të përjetojnë një ankth të ri. Qeveria Rama shpalli me pompozitet kontratën me një agjenci britanike për akreditimin e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë. Si në asnjë vend tjetër, vetë Kryeministri dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit paralajmëruan rezultatet e akreditimit pa filluar akoma procesi: do të mbyllim shkolla të larta dhe programe studimi! 
Sigurisht, duke e dëgjuar këto deklerata të qeverisë cdo student i bën pyetjen vetes: a do mbyllet universiteti/shkolla e lartë ku studjoj unë? Ankthi ka përfshirë cdo prind dhe familje që ka fëmijë studentë, sepse është i pasigurtë nëse fëmija i tij do të mund të ndjekë studimet vitin tjetër akademik. Edhe pedagogët janë në ankth të madh, sepse qeveria me arrogancë mund të mbyllë universitete, fakultete, degë ose programe dhe t’i lë pa punë. Pra ankthi i ka përfshirë të gjithë: rreth 165 mijë studentë, prindërit e tyre dhe pedagogët. Në ankth janë sot mbi 100 mijë familje shqiptare që kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollat tona të larta.
Arsimi I lartë privat është konsideruar nga kjo qeveri si dicka e huaj që duhet shkulur dhe dora e qeverisë mund të bjerë mbi të pa mëshirë. Sic duket qeveria synon që përmes këtij akreditimi t’i japë goditjen tjetër të rëndë këtij sektori. Nëse akreditimi do të mbyllë shumicën e shkollave të larta private, Kryeministri do të dalë dhe do t’ju thotë shqiptarëve se pronarët e tyre nuk kanë investuar për personel akademik dhe bazë mësimore si dhe studentët janë me mesatare shumë të ulët, etj. Pra vetë e kanë fajin, do të mbyllen dhe studentët do ti sistemojnë në universitetet publike që do të mbijetojnë nga kjo “terapi radikale” e paralajmëruar nga qeveria. 
Mirë për shkollat e larta private fajin e kanë pronarët, po për universitetet publike cfarë do të thotë qeveria si pronare e vetme ? Sigurisht që do të thotë se fajin e kanë qeveritë e 25 viteve dhe sidomos qeverisja e PD. Unë po qëndroj tek cështja e akreditimit të universiteteve publike, jo vetëm sepse ato kanë sot gati 90% të studentëve, por edhe sepse janë shtetërore dhe financohen nga shteti dhe tarifat e studentëve.
A mund të jetë akreditimi gijotinë për arsimin e lartë ?
Akreditimi është vlerësim i jashtëm i cilësisë së studimeve universitare që afron një institucion i arsimit të lartë. Në Europë ai ka filluar të zbatohet në mesin e viteve ’90-të (vetë agjencia britanike e përzgjedhur është krijuar në vitin 1997), ndërkohë që në SHBA akreditimi është aplikuar disa dekada më herët se në Europë. 
Modeli amerikan i akreditimit është modeli më i mire, sepse ai mbështetet në parimin ‘bottom up’ (nga poshtë lart) dhe në interesin e vetë institucionve autonome universitare për të prodhuar dhe konkurruar me cilësi të lartë në hapësirën e arsimit të lartë. Ndërsa modeli europian i akreditimit është shumë më burokratik e formal;ai mbështetet në parimin e kontrollit shtetëror “top doën“ (nga lart poshtë) dhe, si i tillë, ai është shumë më pak eficient në krahasim me modelin amerikan. Kush e njeh arsimin e lartë e kupton shumë mirë se akreditimi periodik, sado shpesh që të bëhet ai, nuk përbën një garanci absolute për cilësinë. Celësi I cilësisë në arsimin e lartë është krejt i thjeshtë: pedagogë të kualifikuar dhe të motivuar që punojnë me përkushtim për të mësuar studentët përmes bashkëpunimit dhe jo tutelës. Në fund të fundit, është pedagogu që mëson dhe provon studentët për dijet kyce që u duhen atyre për të qenë të aftë të mësojnë gjatë gjithë jetës. Sot, dijet vjetërohen për më pak se 10 vjet, madje në disa drejtime për më pak se 5 vjet. Kjo kërkon teknika dhe metoda mësimdhënie që u japin studentëve kompetencat kyce dhe i aftësojnë ata për të përditësuar dijet dhe pasuruar ato gjatë gjithë jetës, në mënyrë që t‘i përgjigjen më mirë garës në tregun e brendshëm dhe internacional të punës.
Në thelb, akreditimi është një proces periodik që i shërben universiteteve për të përmirësuar veprimtarinë mësimore shkencore që con në rritjen e cilësisë së studimeve universitare, orientimin e tyre më të mirë ndaj nevojave të zhvillimit ekonomik e të tregut të punës.
Në cdo vend demokratik qeveria krijon më përpara kushtet për akreditimin e universiteve publike dhe pastaj e fillon atë. Cfarë do të thotë kjo? Shumë e thjeshtë. Qeveria siguron një financim të mjaftueshëm dhe burime njerëzore që mundësojnë realizimin e misionit të universitetit publik, pra mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive dhe të teknologjisë. 
Buxheti i vitit 2015 sapo u miratua dhe financimi i arsimit të lartë publik është 0.4% e PPB, ose në shifra: 350 USD për student në vit, kur kostoja minimale e studimeve universitare është rreth 700 USD për shkencat shoqërore dhe 1300 USD për shkencat teknike, natyrore, bujqësore. Qeveria do të kishte plotësisht të drejtë që të kërkonte një akreditim internacional nëse do të dyfishonte buxhetin dhe numri I pedagogëve për të paktën 3 vjet rradhazi dhe pastaj të verifikonte rezultatet e këtij investimi real të shoqërisë. 
Pra akreditimi nuk mund të jetë në asnjë rast një mjet në duart e qeverisë vetëm për të mbyllur shkolla të larta, fakultete dhe programe, cka do të ishte në kundërshtim me qëllimin dhe parimet e procesit të akreditimit. Ai duhet të jetë një proces i natyrshëm vlerësimi për rezultatet e një investimi që ka bërë shoqëria për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, si dhe një bazë për përmirësimet që duhen bërë jo vetëm nga universitetet por edhe nga qeveria në politikat e saj arsimore.
Cfarë pritet nga akreditimi i universiteteve publike?
Rezultatet e akreditimit të universiteteve publike mund të parashikohen lehtë. Po përmend vetëm disa prej tyre.
Sensacioni i madh që do të trumbetohet nga qeveria si gjetje e akreditimit do të jetë që numri i pedagogëve me shkallën e nevojshme të kualifikimit është i pamjaftueshëm për të përballuar mësimdhënien e rreth 145 mijë studentëve në universitetet publike dhe kërkimin shkencor! Kjo mangësi është shumë e theksuar në universitetet rajonale. Dhe qeveria do të duhet të marrë vendim për universitete apo fakultete publike rajonale që do të mbyllen. Kjo është rruga më e lehtë për dikë që nuk e di se cili është kontributi i universiteteve rajonale në zhvillimin e arsimit të lartë në vendin tonë. Universitetet rajonale përballojnë sot mbi 60% të numrit total të studentëve të sistemit publik. Ato kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e qyteteve dhe rajoneve të vendit. Eshtë e vërtetë se numri i pedagogëve të kualifikuar është ende i pamjaftueshëm, sidomos në fakultetet dhe degët e hapura në dy dekadat e fundit në universitetet rajonale. Por, qeveria e ka tërësisht në dorë për ta përmirësuar këtë tregues. Kjo do të thotë që qeveria të planifikoj më shumë vende të reja pune për pedagogë të rinj në universitete.
Numri i pedagogëve është rritur mbi dy herë gjatë tetë viteve të fundit, por ai është ende i pamjaftueshëm. Në raport me popullsinë dhe numrin e studentëve, Shqipërisë i duhen 2 herë më shumë pedagogë dhe kërkues për të përballuar nevojat e shkollimit të lartë të të rinjve dhe ato të kërkimit shkencor. Pedagogët e universiteteve duhet të kenë së paku 30% të kohës së punës për të zhvilluar kërkim shkencor. Përndryshe nuk mund të rritet cilësia e arsimit të lartë dhe nuk mund të zhvillohen kërkime që i paraprijnë zhvillimit afatgjatë të vendit. Shqipëria ka plot të rinj të talentuar që kanë përfunduar shkëlqyer studimet universitare në nivelin Master dhe Doktoratë, brenda dhe jashtë vendit. Rreth 200 të rinj kthehen cdo vit me studimet të përfunduara të doktoratës jashtë vendit, madje edhe në universitete shumë prestigjioze. Ata janë pa punë dhe parapëlqejnë të punojnë në universitete. 
Qeveria do të bëj zbulimin tjetër sensacional nga akreditimi: Mjediset e universiteteve publike janë të pamjaftueshme për të përballuar këtë numër studentësh! Kjo dihet nga të gjithë dhe nuk ka nevojë për ndonjë agjenci të huaj. Këtë situatë e kanë kaluar edhe vendet më të zhvilluara të Europës Perëndimore në vitet 70-të kur u liberalizua arsimi i lartë, pas protestave të Lëvizjes së 68-tës. Infrastruktura në universitetet publike është përmirësuar ndjeshëm në 8 vitet e fundit, por ajo kërkon ende investime shumë të mëdha nga shteti. Qeveria në dy buxhetet e saj nuk i ka kushtuar asnjë rëndësi rritjes së investimeve në arsimin e lartë. Përkundrazi i ka hequr godina universiteteve publike. 
Një tjetër zbulim i sensacional, madje i paralajmëruar nga vetë Kryeministri, do të jetë: Bolonja është implementuar keq, janë hapur shumë programe studimi. O burra ti mbyllim sa më shpejtë! Implementimi i Procesit të Bolonjës është sfida më e madhe dhe reforma më e thellë e arsimit të lartë e 100 viteve të fundit. Ajo ka qenë shumë e vështirë edhe për vendet më të zhvilluara dhe me sisteme arsimore shumë të konsoliduara dhe jo më për vende si Shqipëria me resurse shumë të kufizuara. Ne duhet t‘i jemi mirënjohës komunitetit akademik për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për ristrukturimin e studimeve universitare. Rezultatet e ristrukturimit të studimeve është vështirë të vlerësohen me realizëm, sepse brezat e para të studentëve janë diplomuar pas vitit 2011, periudhë në të cilën kriza ekonomike financiare arriti kulmin e saj, cka goditi rëndë tregun e punës dhe shkaktoi papunësi të madhe tek të rinjtë e diplomuar, madje edhe në shumë vende të BE-së. 
Departamentet dhe fakultetet shfrytëzuan lirinë e tyre akademike, që i jep Kushtetuta dhe ligji, dhe zhvilluan programe të reja, me synimin t‘i përgjigjen më mirë kërkesave të tregut të punës. Për këtë ata nuk mund të fajësohen. Por cdo pedagog është i vetdijshëm se programet e studimeve duhen riparë, për të qenë më ndërdisiplinore, më fleksible, të orientuara më mirë nga tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik i vendit, dhe, mbi të gjitha, për t‘u krijuar më shumë mundësi zgjedhje studentëve, në mënyrë që ata të jenë më të suksesshëm në tregun e punës.
Një tjetër konkluzion i akreditimit pritet të jetë: Niveli i studentëve që ndjekin disa programe studimi në shkencat teknike, natyrore, bujqësore dhe ato të aplikuara është i ulët. Qeveria do të thotë menjëherë: t‘i mbyllim se nuk preferohen nga studentët e mirë! Kjo nuk është zgjidhja. Kriza e studimeve universitare në drejtimet e shkencave të sipërcituara është e njohur edhe në vende të tjera. Mbyllja është rruga më e thjeshtë, por me pasoja afatgjata për vendin. Zgjidhja duhet jetë mbështetje financiare me përparësi e fakulteteve dhe drejtimeve të shkencave teknike, natyrore dhe bujqësore si dhe mbështetja e studentëve të këtyre drejtimeve me bursa, tarifa shumë të ulta ose zero të studimeve. Ky është një investim shumë i sigurtë që bën shoqëria, sepse të rinjtë e diplomuar në këto drejtime kanë shanset më të mëdha për punësim, jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe atë internacional të punës.
Zbulimi tjetër sensacional i akreditimit pritet të jetë: kërkimi shkencor në universitete është i pamjaftueshëm. Qeveria do të thotë: e shihni se nuk ka kërkim shkencor. Si paskan bërë shkencë universitetet, prandaj t’ju heqim statusin “universitet”! A ka ndonjë pedagog që nuk e di sa financohet kërkimi shkencor në vendin tonë. Buxheti për kërkimin shkencor është më pak se 0.1 % e PPB, pra shumë afër zeros. Në fakt qeveria duhet të mbajë premtimin që ka bërë në fushatë dhe të rrisë buxhetin për kërkimin shkencor, të shtoj numrin e pedagogëve në universitete dhe cdo pedagogu t‘i krijoj mundësi që të paktën 30% të kohës së punës t‘a përdorë për kërkimin shkencor.
Në përfundim, dëshiroj të theksoj se nëse akreditimi do të përdoret si gijotinë për arsimin e lartë, ai do të ketë pasoja negative afatgjata në zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Unë shpresoj se agjencia britanike e përzgjedhur nuk do të bjerë në grackën e një akreditimi politik arrogant. Akreditimi përmes një agjencie të huaj vjen pas një dekade transformimesh të thella në arsimin tonë të lartë. Kësisoj, ai duhet shfrytëzuar si një mundësi për thellimin e reformave strukturore në arsimin tonë të lartë. Sic është praktika e cdo vendi tjetër, institucioneve të arsimit të lartë duhet t’u jepet mbështetja dhe koha e nevojshme, jo vetëm për të përmirësuar mangësitë që do të evidentohen nga vlerësimi, por edhe për t‘u riorganizuar, ristrukturuar dhe riorientuar, në mënyrë që t‘i përgjigjen më mirë kërkesave afatgjatë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit si dhe atyre të tregut të punës

0 comments:

Post a Comment